Dashnor Kaloçi
Pjesa e tretë
Zoti Gjeloshaj, pasi ju u kthyet dhe raportuat para Vilson Pecanit, çfarë i’u thanë ata në lidhje me ato që ju parashtruat rreth misionit tuaj?
Si fillim desha t’ju them, që sapo Vilson Pecani me nëpunësit e tjerë të Komitetit Qendror të PPSH-së, mësuan lajmin që unë isha kthyer vetëm në Shqipëri, pra pa kolonelin Peter Bllazhoviç, u mërzitën shumë dhe u prenë fare. Ata ishin të sigurt që atë mision që na kishin ngarkuar, ne do ta kryenim të plotë dhe nuk u besonin syve sesi unë ndodhesha i vetëm aty. Por kjo gjë lidhej me faktin që ardhja e tij në Shqipëri dhe ngarkimi i misioneve sekrete për në Jugosllavi në emër të Informbyrosë, ishte cilësuar si një sukses i madh për qeverinë shqiptare. Madje shumë nga funksionarët e lartë të Tiranës zyrtare, kishin biseduar vetë gojarisht me të, kur ky i fundit ndodhej në vilat e Sigurimit të Shtetit.
Çfarë i’u thanë ata, kur ju i shpjeguat se çfarë u ndodhi me kolonelin Bllazhoviç në Mal të Zi?
Që në fillim ato hodhën dyshime, duke mos i besuar ato që i’u tregova unë, rreth ngjarjes me kolonelin në malet e Leva-Riekës.
Cili ishte versioni që ju dhatë përpara tyre për zhdukjen e kolonelit të UDB-së?
Që në fillim, pasi i’u tregova gjithë ngjarjen, ata më pyetën duke më thënë se: cili ishte mendimi im rreth zhdukjes së tij.
Si i’u përgjigjët ju?
Unë i’u tregova të gjithë ngjarjen siç ndodhi, pra moment pas momenti, që kur u ktheva nga lumi pasi kisha mbushur paguret me ujë dhe kur shkova e nuk e gjeta më në shpellë Bllazhoviçin! Pra, i tregova vetëm këtë fakt dhe nuk mund të aludoja për versione të tjera rreth zhdukjes së tij.
Ju nuk dhatë asnjë lloj mendimi rreth zhdukjes së tij?
Unë shpreha mendimet e mija, por ata nuk më besonin dhe vazhdimisht ngrinin dyshime rreth meje, duke aluduar se unë e kisha vrarë qëllimisht atë!
Vetëm dyshime hidhnin ata mbi ju, apo u’a thanë hapur që, ‘ju e keni vrarë qëllimisht kolonelin e UDB, Bllazhoviç’?!
Në fillim paraqiteshin si dyshime, që ata ngritën ndaj meje, por më në fund, më akuzuan hapur që unë e kisha vrarë atë, i nxitur nga UDB-ja, pra me pak fjalë, sikur isha unë agjent i dyfishtë i saj.
Si reaguat jua pas këtyre akuzave?
Normalisht që unë u revoltova pa masë, rreth këtyre akuzave që ishin krejtësisht të pabaza dhe të pavërteta. Unë i’u thashë, se si mund të punoja unë për UDB-në, kur ata më kishin vrarë babanë, më kishin plagosur një vëlla, dhe më kishin burgosur dy të tjerët?!
Pas kësaj që ju i thatë, çfarë qëndrimi mbajtën ata ndaj jush dhe a e mbyllën këtë problem?
Jo, ata prapë nuk më besuan dhe më mbajtën për rreth një vit, nëpër bazat sekrete të tyre në Tiranë, nën një vëzhgim tepër të rreptë.
Por gjatë kësaj kohe që ata ju mbanin në Tiranë, organet e Zbulimit Shqiptar, nuk bënë asnjë përpjekje nëpërmjet kanaleve të tyre legale dhe ilegale, për të mësuar të vërtetën rreth zhdukjes së kolonelit Bllazhoviç?
Gjatë asaj kohe që unë mbahesha në vilat sekrete të Sigurimit të Shtetit në Tiranë, Zbulimi Shqiptar së bashku me degën e Informbyrosë në Tiranë, ngritën një grup pune të posaçëm të përbërë nga njerëz të zgjedhur, të cilët u dërguan ilegalisht në Jugosllavi, për të zbuluar të vërtetën rreth zhdukjes së kolonelit Bllazhoviç.
Juve ju përfshinë në atë grup?
Jo vetëm që nuk më përfshinë, por ngritjen e atij grupi, unë e kam marrë vesh shumë vonë, kur kryeja dënimin në burgun e Tiranës, i akuzuar për zhdukjen e kolonelit Bllazhoviç. Mua kuptohet, që nuk mund të më përfshinin, sepse kishin dyshime dhe më akuzuan hapur që unë e kisha vrarë Bllazhoviçin!
Si e mësuat atë fakt, pra për ngritjen e atij grupi të posaçëm, dhe kush ua tha atë gjë?
E mësova nga një emigrant jugosllav, i quajtur Rade Xharukiç, që ishte dënuar dhe vuante dënimin si unë në burgun e Tiranës.
Çfarë u tha ai konkretisht?
Sipas tij, në krye të atij grupi special që ishte krijuar nga Zbulimi Shqiptar dhe pjesëtarët e Informbyrosë, ishte Vukashin Sharanoviç. Dhe gjatë atij misioni, Sharanoviç ishte takuar personalisht me Bllazhoviçin, madje të dy kishin biseduar gjatë.
Pra, sipas tij rezultonte se Bllazhoviç ishte gjallë!
Sipas tij, ashtu ishte dhe unë e besoja atë gjë.
Çfarë kishin biseduar ata të dy, pra Bllazhoviçi me Vukashinin??
Sipas Rade Xharukiçit, Bllazhoviçi i kishte thënë Vukashinit, se ishte zhdukur vetë, pra ishte larguar prej meje, pasi nuk kishte dëshirë më, që të rikthehej më në Shqipëri dhe se do të hynte vetë në lidhje me Moskën dhe Kominternin.
Kur u zbulua e vërteta që koloneli Bllazhoviç ishte gjallë, përse ju dënuan juve me 15 vite burg?!
Edhe pse grupi special i Zbulimit Shqiptar dhe i Informbyrosë e kishin takuar kolonelin Bllazhoviç, ata e mbajtën sekret dhe nuk ma treguan mua.
Përse nuk ua tregonin që koloneli Bllazhoviç, ishte gjallë dhe nuk donte më të rikthehej në Shqipëri, si mendoni?
Sipas mendimit tim, një nga arsyet që nuk ma tregonin faktin se koloneli Bllazhoviç ishte gjallë, ishte se sipas tyre, unë isha fajtori i vërtetë, që ai iku nga Shqipëria dhe nuk donte që të rikthehej më. Duke qenë se ikja e tij në Jugosllavi dhe vendimi që ai mori, ishte një humbje e rëndë për Zbulimin Shqiptar dhe për degën e Informbyrosë në Shqipëri, pra dikush duhet të mbante përgjegjësi. Dhe personat përgjegjës për këtë punë, për të lehtësuar përgjegjësitë e tyre, ma ngarkuan mua këtë punë, duke më dënuar me 15 vite burg politik. Kjo ishte arsyeja e vetme që atyre nuk u interesonte, që të më tregonin të vërtetën rreth takimit me Bllazhoviçin.
Si ndodhi arrestimi juaj dhe me çfarë akuzash i’u dënuan?
Në 7 nëntor të vitit 1952, më thirrën që të paraqitesha pranë Komitetit Qendror të PPSH-së në Tiranë. Sipas njoftimit që mu bë unë u paraqita tek dezhurni dhe aty erdhën dy oficerë madhorë. Ata më thanë që t’i ndiqja nga pas, në një largësi prej disa hapash, pasi do të bënim një bisedë në ndonjë lokal dhe më pas do të ktheheshim përsëri aty.
Kush ishin ata dy oficerë, ju kujtohet?
Mbaj mënd vetëm njërin prej tyre, që quhej Isa Aliaj.
A shkuat ju me ta?
Patjetër, unë shkova bashkë me ta tek Selvia, ku ndodhej Drejtoria e Punëve të Brendshme të Tiranës. Ata më thanë që të prisja poshtë tek zyra e rojës. Dhe ndërsa unë po rrija aty, erdhën dy oficerë të tjerë dhe më vunë prangat, duke më thënë se: “në emër të popullit, je i arrestuar”.
Ku ju çuan, pasi ju arrestuan?
Pasi më arrestuan, më çuan tek burgu në rrugën, Mine Peza dhe aty, më futën në një qeli të veçuar, pa njeri tjetër brenda. Që në ditët e para filloi hetuesia ndaj meje, duke më marrë në pyetje vetëm natën.
Kush ju merrte në pyetje dhe për çfarë ju akuzonin?
Gjeneral-major Nevzat Haznedari, ishte ai që më pyeste më shumë, së bashku me hetuesit Xhavit Struga dhe Ferhat Matohiti. Ata më akuzonin me të njëjtën akuzë, siç m’u tha në Komitetin Qendror të PPSH-së, pra që unë e kisha eliminuar fizikisht kolonelin, Bllazhoviç.
Vetëm për këtë ju akuzonin?
Jo vetëm për këtë, pasi ata më akuzonin edhe për agjitacion dhe propagandë, sikur unë kisha thënë që: “Maliqi i Korçës, ku ndodhej fabrika e sheqerit, nuk kishte qytet, siç e paraqiste propaganda zyrtare, por një fshat i prapambetur”.
Po kujt i’a kishit thënë ju atë gjë?!
Për këtë më nxorën dëshmitar një polic, i cili tregonte sikur atë gjë i’a kisha thënë atij gjatë një bisede që kisha bërë me të, gjë e cila nuk ishte fare e vërtetë, pasi unë atë polic e shikoja për herë të parë! /Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016