Nga Reshat Kripa
Memorie.al / Po punoja si çdo ditë në zyrën time, kur dëgjova një të trokitur të lehtë në portë. – Hyni! – fola me zë të lartë. Në zyrë hyri një burrë i moshuar. Fytyra e tij tregonte një dhimbje të madhe. Mbylli derën dhe u ndal pas saj. – “Urdhëroni! Urdhëroni”! – e ftova unë. U afrua me ngadalë dhe kur erdhi pranë meje, i zgjata dorën të cilën e kapi me të dy duart. – “Mirdita more bir! – më foli – Quhem Milto Neranxi dhe jam nga Himara. Kam ardhur te ju për t’ju treguar historinë time, ose më mirë të djalit tim, të zhdukur nëpër labirintet e diktaturës komuniste”!
– “Uluni, uluni”! – e ftova duke i bërë shenjë nga karrikja. Porosita të na sillnin dy kafe dhe ju drejtova mysafirit të porsa ardhur: – “Jam gati t’ju dëgjoj”. – “Ngjarja për të cilën do t’ju flas, – filloi ai – është akt-akuza ime ndaj diktaturës së përmbysur dhe disa individëve, që u bënë mishërimi i saj. Ata individë janë edhe sot dhe jetojnë me fytyra anonime. Këtë akt-akuzë, e bëjë unë plaku tetëdhjetëvjeçar, i rënduar nga humbja e djalit, në labirintet e diktaturës çnjerëzore.
E bënë shpirti i një nëne, që u nda nga kjo botë pasi nuk mundi të duronte humbjen e djalit. E bënë një grua njëzete-pesëvjeçare, që humbi burrin dhe jetën e saj. E bëjnë dy fëmijë, që një dorë gjakatare i detyroi të rriten pa përkëdheljen e babait të tyre. Së fundi këtë e bënë, edhe çdo njeri i ndershëm, që dëgjon për bëmat monstruoze të zhdukjes enigmatike të sa e sa personave, si im bir”.
Plaku mori frymë thellë, duke lëshuar një psherëtimë të zgjatur. Ndërkohë mbërritën dy kafet që kisha porositur. – “Gëzuar”! – i thashë, duke iu drejtuar plakut të gjorë. E ktheu filxhanin me ngadalë, duke pëshpëritur një urim të cilin, nuk arrita ta kuptoja. Drodhi një cigare nga kutia e tij dhe më drodhi edhe një mua. Po e shikoja me vëmendje në fytyrë, duke pritur vazhdimin e tregimit.
Ishte një histori, shumë interesante. Megjithatë, nuk i fola, por prisja që ai të fillonte vetë. Por plaku, vazhdonte të pinte kafenë, pa folur. Edhe unë vazhdoja gjithashtu, të pija pa folur. Së fundi, si e mbaroi, ai filloi:
– “Leandro Neranxi, ose Levisi, si e thërrisnin shokët e tij, ishte biri im. Ishte vetëm tridhjetedy vjeç. Punonte në fabrikën e ekstraksionit ne Himarë. Nuk do ta harroj kurrë, datën e 15 shkurtit te vitit 1988. Shkoi në punë në turnin e dytë dhe nuk u kthye më kurrë. E pritëm me ankth kthimin e tij. Ishte një pritje e tmerrshme. Sidomos unë që dija disa gjëra për të, isha shumë i shqetësuar. Pas mesit të natës, u ngrita dhe shkova në fabrikë.
Atje pyeta për të, por më thanë se; Levisi nuk ishte paraqitur fare në punë. Ç’të bëja? U ktheva në shtëpi. Gruas dhe nuses, u thashë se do punonte dy turne, për të zëvendësuar një shokun e tij. Ajo ishte nata më e gjatë e jetës time. Kështu në ankth kaloi dhe dita e nesërme. Levisi, nuk po bëhej i gjallë. Ku të ishte vallë?! Mendja më shkonte, në lloj lloj rrethanash misterioze e, të frikshme.
– ‘Mos është ndonjë femër në mes, or burrë’? – pyeti gruaja që kishte filluar të shqetësohej edhe ajo. – Jo moj grua, jo! – iu përgjigja unë, i bindur për ato që thoja. Një gjë e tillë, nuk ishte e mundur. E njihja karakterin e tim biri. Ai nuk do të pranonte kurrë, të braktiste gruan dhe fëmijët, për këdo tjetër.
Të nesërmen shkova në polici dhe u thashë për djalin. Ata u hoqën sikur nuk dinin gjë. Operativ Agimi më sugjeroi, që të pyesja njerëzit e mi në Tiranë, Fier dhe Lukovë. I mora që atë ditë, të gjithë në telefon, por ata nuk dinin asgjë”.
Në këtë kohë, plaku nxori përsëri kutinë e duhanit dhe drodhi cigaren e dytë. Më ofroi edhe mua, por i thashë se nuk e pija. Si e thithi tre katër here, vazhdoi: – “Pas dy ditësh në mbrëmje, në shtëpi vjen operativ Agimi, i shoqëruar nga Spirua, Kryetari i Këshillit të Bashkuar dhe disa policë të tjerë.
Kontrolluan dhe bastisën gjithçka. Së fundi Agimi më pyeti, se ku ndodhej fotografia e gjyshit. Ishte një fotografi e madhe e vjetër, e vendosur në kornizë. Ia tregova. E mori, e nxori nga korniza dhe prapa saj gjeti një letër të cilën e futi në xhep.
– “Ç’është ajo letër”, – e pyeta unë. Nuk më ktheu përgjigje. Si kontrolluan edhe pak dhe nuk gjetën asgjë, u larguan pa folur asnjë fjalë. Pas disa ditësh më njoftuan se duhej të paraqitesha te operativ Agimi. Shkova dhe më futën në zyrën e tij.
– “Djali yt ka tradhtuar atdheun, – më tha – dhe është arratisur në Greqi”. U largova duke mos besuar në variantin e ri që më serviri. Makari, të kishte qenë e vërtetë, një gjë e tillë. Por zemra më ndillte, se kjo nuk ishte kështu. Im bir, nuk mund ta bënte një gjë të tillë. Ai më kishte treguar shumë gjëra të tjera dhe po ta kishte ndër mend një gjë të tillë, me siguri do të ma thoshte.
Një e dridhur, më përshkoi trupin. Për herë të parë më lindi mendimi, se djalin ma kishin vrarë dhe shpikën alibinë e arratisjes, për të mbuluar gjurmët. Plaku drodhi cigaren e tretë dhe përsëri më ofroi edhe mua një. Kësaj here nuk e kundërshtova, por e ndeza. Porosita edhe dy kafe të tjera. Kur ato erdhën, filluam t’i pimë me ngadalë. Pastaj plaku vazhdoi:
– “Megjithatë doja të sigurohesha. Shkova në Vlorë dhe në Tiranë. U interesova në Degën e Punëve të Brendshme dhe në Ministri. Por kudo mora të njëjtën përgjigje. Telat ishin rakorduar kudo, njëlloj. Kur isha në Tiranë, i shkrova një letër një kushëririt tim, që jetonte në Greqi.
Ai u interesua dhe pas një farë kohe, më ktheu përgjigjen. Djalit nuk i gjendej asnjë shenjë. Atëhere m’u forcua bindja, se ma kishin zhdukur. Një gjë të tillë, ma forconte më tepër edhe një episod që më kishte treguar djali para ca kohe”.
Plaku heshti dhe po mendohej. Unë rrija dhe prisja pa folur. Në këtë kohe, hyri në zyrë një punonjëse, që më pruri një shkresë për ta firmosur. E firmosa pa e patur mendjen aty dhe i bëra shenjë, që të largohej. Pas një heshtje të gjatë, plaku vazhdoi:
– “Një ditë e thirri Agimi dhe i propozoi të bëhej bashkëpunëtor i Sigurimit. Djali nuk pranoi. Tradita familjare, nuk e lejonte të ushtronte atë profesion të ndyrë. E mbajtën katër orë, nën presion të vazhdueshëm. Në fund e lanë të lirë duke e këshilluar, që të mos i tregonte kurrkujt, për sa kishte ndodhur.
Pas disa ditësh e morën përsëri dhe e çuan në njërën nga dhomat e hotel “Adriatikut”, në Vlorë. Atje Pirrua, nënkryetari i Degës, i kërkoi që t’i dilte dëshmitar, Lea Dhimojanit, që ishte arrestuar disa muaj më parë. Djali nuk pranoi përsëri. Atëhere filluan ta torturojnë. E mbajtën dy ditë. Kur u kthye në shtëpi, dukej i shpërfytyruar. U trondita shumë, kur e pashë në atë gjendje. E pyeta se çfarë i kishte ndodhur. M’i tregoi të gjitha.
– “Të lumtë more bir! Nuk më paske turpëruar. – i thashë me krenari, duke e përqafuar. Që atë ditë, nuk e thërritën më. Mendova se e kishin harruar. Por u gabova. Pas dy muajsh, ata e morën, për të mos e kthyer më. Një gjë të tillë, ma forcon fakti i letrës që gjeti Agimi, në fotografinë e gjyshit. Kush i kishte thënë atij, që aty kishte një letër, ku as unë nuk e dija, një gjë te tillë?! Me siguri ka qenë im bir, i shtrënguar nga torturat çnjerëzore, që do t’i merrnin edhe jetën.
Pas një viti na ndodhi edhe fatkeqësia tjetër. Gruaja nuk e duroi dot dhimbjen dhe mbylli sytë përgjithnjë. Kjo është e gjithë historia, për të cilën kam ardhur te ju. Dua vetëm një gjë. Hidhini në letër dhe botojeni në ndonjë gazetë. Në qoftë se nuk munda të zbuloj gjë, të paktën njerëzia të mësojnë tmerret e asaj periudhe”.
I premtova se do t’ia plotësoja dëshirën. Gjithashtu i thashë, se do ta ndiqja çështjen në komisariatin e policisë, ku kryetar ishte një miku im. – “Nuk ka mbetur më asnjë gjurmë. – më tha – U interesova. Takova edhe kryetarin. Ishte një burrë i mirë. Kërkoi gjithandej por nuk gjeti asgjë. Ata i kishin zhdukur të gjitha dokumentet. Ndërsa shkaktarët e këtij krimi, Pirrua, Agimi dhe Spirua, kishin fluturuar në Greqi, ku një djall e di se me se merren. U mundova edhe deri në Greqi, por përsëri nuk gjeta asgjë”.
U ngritëm dhe dolëm përjashta. Iu luta të rrinte për darkë dhe të kalonim atë natë bashkë. Nuk pranoi. E përcolla deri te autobuzi i Himarës. U përqafuam dhe u ndamë. Kur u nis autobuzi e përshëndeta me dorë. Që nga ajo ditë nuk e pashë më. Pas një viti mësova se i kishte mbyllur sytë. Tregimin tim e përmblodha në një shkrim që e botova në gazetën lokale dhe në një nga gazetat qendrore. Memorie.al