Nga Aristir Lumezi
Pjesa e dytë
Memorie.al / Ish-sekretari personal i Ramiz Alisë, Guro Zeneli, në një intervistë të gjatë hedh dritë mbi komunikimin e ish-udhëheqësit të lartë të Partisë së Punës së Shqipërisë, me Mikhail Gorbaçovin, në lidhje me strategjinë e vendosur në mbledhjen e partive komuniste në Katovicë të Polonisë. Sipas Zenelit, Ramiz Alia, dikur student në Fakultetin e Filozofisë në Moskë me Gorbaçovin, edhe pse ishte ftuar që të merrte pjesë në këtë mbledhje, nuk shkoi, por atij i dërguan në Tiranë materialin e kësaj mbledhjeje dhe vendimet e marra atje. Zeneli, i cili ka qenë pranë Ramiz Alisë, deri në momentet e fundit të jetës, tregon se pasi Ramizi u njoh me dokumentin e Gorbaçovit, e diskutoi atë me Foto Çamin dhe nisi një reflektim të thellë bazuar në të, duke zbutur luftën e klasave, akuzat ndaj fesë, mosmarrjen më në mbrojtje të figurës së Stalinit dhe të diskutojë më hapur për ekonominë e tregut.
Z. Guro, pas rekomandimeve të Katovicës, çfarë ndodhi, u shtruan këto teza për diskutim?
Ramizi informoi Byronë Politike dhe udhëheqjen e lartë të PPSh-së, por krahu konservator, Haxhi Lleshi, Shefqet Peçi, kanë kërkuar që të mos lëshohej pushteti, se pushtetin e kemi marrë me gjak dhe do ta mbrojmë me gjak, dhe se duhet të sundojë diktatura e proletariatit, se Shqipëria duhet të ecë në rrugën e Enverit. Por Ramizi u është përgjigjur se: “Nëse do të kemi dhunë dhe terror, çfarë do të thoshe ti, nëse mes atyre që do të vriteshin, të ishte vajza jote, si do të ndiheshe?! Edhe ata fëmijë nënash janë! Nëse duhet ta mbajmë pushtetin tonë me dhunë, kjo do të çojë në gjakderdhje”. Këtu Ramizi, u bëri konservatorëve të partisë goditjen e parë, sepse ky argument i stepi.
Pas asaj mbledhjeje të Byrosë, Ramizi erdhi i mërzitur në zyrë dhe më tha: “More Guro, nuk e merr me mend, se me çfarë njerëzish kam të bëj”! Absurdi i konservatorëve, arrinte deri aty, sa kur Ramizi ishte president, mua më kishte lënë si detyrë, që të prisja qytetarët dhe problemet që ata ngrenin, t’ia paraqisja atij. Ai më kishte thënë, se në Komitetin Qendror, ne nuk mund të presim të gjithë njerëzit. Por ti, si sekretari im, do të presësh në presidiumin e Kuvendit Popullor, të gjitha kategoritë e qytetarëve. Ndërsa kërkesat që sillnin kuadrot në detyrë, unë ia regjistroja si problematika dhe ia përcillja Ramizit, i cili merrej vetë me ta më pas.
Çfarë letrash merrnit në atë kohë, që ju ka bërë përshtypje?
Një nga letrat që nuk do ta harroj, ishte ajo e Liri Belishovës, e cila në atë kohë, ishte e internuar në Cërrik. Ajo kërkonte ta linin të qetë dhe të kthehej në Tiranë. Kjo ka ndodhur pas vdekjes së vajzës së Lirisë, vdekje e cila, e kishte vrarë shumë shpirtërisht. Zylyftar Ramizi dhe Hekuran Isai, donin ta arrestonin Lirinë, si mbështetëse e Mehmet Shehut. Në librin e tij, “Rreziku anglo-amerikan për Shqipërinë”, Enveri e cilësonte Liri Belishovën, si bashkëpunëtore të amerikanëve, bashkë me Mehmet Shehun.
Nisur nga ky fakt, këta të dy donin që ta arrestonin Lirinë. Nuk di si e kishte marrë vesh ajo, rrezikun se mund të arrestohej dhe i çon një letër Ramiz Alisë. E marr unë letrën dhe e lexoj. Kishte dy shprehje që i mbaj mend edhe sot: “Kërkoj të më lini të qetë në jetën time të zezë! (sepse i kishte vdekur vajza në atë kohë); Ju Ramiz e dini, se sa e kam dashur Mehmet Shehun dhe sa më ka dashur ai mua”!
Ajo, kërkoi takim me Ramizin?
Jo, jo, i kërkonte që të mos i binin më në qafë dhe ta nxirrnin nga internimi. Pasi ia lexova letrën Ramizit, ai më tha: “Guro, as na ka dashur Mehmeti, e as e kemi dashur”! Për hir të së vërtetës, Ramizi mori në atë moment Hekuranin dhe i tha se; çfarë janë këto gjëra që po bëni?! Mos u merrni më me Lirinë, e ka gjykuar një herë partia atë njeri dhe s’ka pse ta gjykojmë më! Mos vini dorë mbi të!
Si mundi Ramiz Alia, ta menaxhonte krahun konservator në parti?
Ramizi, kishte studiuar për Filozofi në Moskë dhe e njihte mirë psikologjinë e secilit. Me konservatorët, ai u gjente ndonjë pikë të dobët dhe i bllokonte në reagime, siç ishte rasti, kur i kërkuan të përdorte dhunën në 1990-ën, nëse do të ngrihej populli. Me atë pjesë që ishte më e hapur dhe më liberale, Ramizi fliste në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe me tjetër gjuhë. Ramizi, bëri një veprim shumë të zgjuar, për kohën. Kur u ngritën shoqatat e Enverit, pas rrëzimit të shtatores në Tiranë, Ramizi i thirri të gjithë kryetarët e shoqatave në zyrë dhe u foli me shumë mjeshtri, për të ulur tensionet, se vendi rrezikonte në ato momente, luftë civile.
Ramizi, ishte shprehur hapur se socializmi kishte dështuar si sistem?
Do të të tregoj një detaj: Bzhezhinsky, një teoricien amerikan me origjinë polake, kishte botuar librin “Dimri i madh”, i cili e cilësonte socializmin, si një dimër të madh. Ramizi donte ta lexonte këtë libër dhe e porositi. Erdhi libri, por ai duhej përkthyer.
Në ç’vit ka qenë kjo?
Duhet të ketë qenë 1983-‘84. Ramizi thirri Taqo Zoton, që punonte drejtor i ATSH-së dhe i kërkoi që ta përkthenin, por pa bërë shumë zhurmë. Libri u përkthye dhe ia sollën Ramizit me postë konfidenciale, për ta marrë vetëm Ramizi në dorë. Ramizi më tha që; “Ky libër Guro, flet për dështimin tonë”.
Ka qenë periudha kur Shtrausi, i ishte afruar Shqipërisë…?!
Po, Shtrausi kishte ardhur dhe Ramizi kishte shprehur dëshirën që Shqipëria, të lidhej me Gjermaninë dhe Zvicrën. Madje Ramizi, kishte hedhur tezën; “Ne nuk jemi as Lindje dhe as Perëndim” dhe me këtë, kishte parasysh Zvicrën. Shqipëria vendosi në ato vite, linjën direkte; Tiranë- Zyrih me “Swissair”, sepse deri në atë kohë në Shqipëri, punonte vetëm linja ajrore hungareze “Malev”. Kam udhëtuar vetë në udhëtimin e parë të vendosjes së “Swissair”-it Tiranë-Zyrih.
Pse nuk funksionuan propozimet e Shtrausit, çfarë thoshte Ramizi në atë kohë?
Enver Hoxha në 1984, e ka thënë se; “…duhet të kthejmë sytë nga Gjermania Perëndimore”. Në këtë frymë, u pranua dhe ardhja e Shtrausit në Shqipëri. Gabimi ynë, ishte se u këmbëngul te reparacionet e luftës, që Gjermania duhet t’i jepte Shqipërisë, si e dëmtuar prej saj dhe si pjesë e koalicionit fitues, të luftës. Unë di që Shtrausi, është shprehur dakord, që; Shqipërisë i takojnë reparacionet e luftës, por është shprehur se; “Ç’faj kanë djemtë tanë, tani pas 40 vjetësh, që të paguajnë çmenduritë e një nazisti”. Sipas tij, Gjermania nuk kishte mundësi, që t’i paguante ato.
Ju thoni që Ramizi ishte më liberal, apo më i predispozuar që ta hapte vendin, ai ka pritur dhe gazetarë amerikanë, ndërkohë që SHBA-ës, ishte vend armik. Si ka qenë historia?
Erdhi në Tiranë, shumë kohë para se të vendoseshin marrëdhëniet diplomatike me SHBA-ës, një gazetar i njohur amerikan, nuk më kujtohet mirë. Ai u takua me Ramiz Alinë. Këtë e ka dhënë në kronikë televizive dhe Televizioni Shqiptar, në një nga edicionet e fundit, të orës 22:00, për të mos rënë shumë në sy. Edhe një tjetër gazetar amerikan, ka ardhur dhe është takuar me Ramizin. Këto takime nuk u pritën mirë, pasi njëri prej gazetarëve amerikanë, kishte shkruar keq për Enverin. Kritika erdhën nga Instituti i Studimeve Marksiste-Leniniste, nga njerëz të afërm me Nexhmije Hoxhën. Përveç kësaj, Ramizi kishte kërkuar që familjet e atyre që ishin arratisur, të mos internoheshin më. Në vitin 1983-‘84, në kryesinë e Kuvendit Popullor, kishte kërkuar që në universitete, të hiqej kontrolli i Sigurimit të Shtetit dhe kjo u bë.
Gjithë këto ngjarje, kanë qenë shumë kohë para takimit të Ramiz Alisë me intelektualët, në gusht 1990. Si u përgatit ai?
Ramizi bëri një listë të atyre personave, që ishin shprehur për nevojën e ndryshimit dhe i ftoi në një takim, me qëllimin që kërkesa për pluralizëm dhe pluripartizëm, të dilte nga inteligjenca e vendit dhe jo si thirrje të turmave. Por fakti ishte që ajo inteligjencë, ajka e kombit, (përfshirë dhe Ismail Kadarenë), akademikë e shkrimtarë të tjerë ishin shumë të trysnuar dhe nuk arrinin dot, ndoshta nga frika e ndonjë persekutimi, që të shpreheshin hapur.
Edhe pse Ramizi i ngacmonte, që të dilnin te nevoja e kohës, për pluralizëm dhe krijimin e partive të reja, përsëri ata, përfshirë dhe Sali Berishën, flisnin si të kishin arrë në gojë. Në atë takim, nuk ka folur për hapjen dhe lirinë e fjalës dhe politike, as Saliu dhe as Ismaili. Ramizi u kthye në zyrë gjithë inat, duke thënë se; “Ç’janë këta që flasin poshtë e lart, unë u kërkoj të flasin dhe nuk flasin, se çfarë kërkojnë, dhe se çfarë duhet bërë, me të ardhmen e vendit”?!
Ka një moment në histori, ku pas ikjes së atyre mijëra shqiptarëve që u ngujuan në ambasadat perëndimore, më 2 korrik 1990, Partia e Punës së Tiranës, organizoi një miting të madh në shesh, ku mungoi Ramiz Alia. Përse iu frikësua Ramizi, daljes në këtë miting?!
Në fakt, eksodi me ambasadat, ishte një goditje e madhe për sistemin sepse, po tregohej që kishte një rrugë për të ikur jashtë dhe se ambasadat e huaja, kishin arritur të organizonin një eksod anti-sistem. Komiteti Partisë i Tiranës kërkoi organizimin e një mitingu të tillë dhe Ramizi nuk ishte kundër. Por Ramizi nuk ishte dakord që të zhvillohej. Spiro Dede, unë dhe një shok tjetër, i kemi shkuar në zyrë Ramizit dhe i kemi thënë që ky miting nuk duhej zhvilluar, sepse pasi kanë ikur 5 mijë qytetarë jashtë, janë 5 mijë familje që qajnë dhe nuk kemi pse të ngacmojmë, këtë ndjenjë dhe shqetësim të tyre. Ai na tha se; “ka këmbëngulur Xhelil Gjoni, ndërsa unë i kam thënë, se nuk do të shkoj në këtë miting”.
Ramizi i kishte kërkuar Xhelilit, që të mbante çdo përgjegjësi për këtë miting. Ramizi u konsultua me ne, nëse duhet të shkonte apo jo në këtë miting. Shumica në këtë takim, ku isha dhe unë i pranishëm, ishim që ai të mos shkonte, pasi ai ishte kreu i shtetit dhe se nuk duhej të merrte ai qëndrime të forta politike, ndaj ambasadave perëndimore, por dhe ndaj atyre që kishin ikur jashtë, përmes këtij eksodi. Prandaj, ne i sugjeruam që; më mirë të përfaqësohej partia e Tiranës. Ramizi këtë mendim kishte dhe vetë, dhe pse kishte kërkuar një mendim nga ne, sepse ishte një qenie shumë inteligjente…!
A ka pasur kërkesë për përdorimin e armëve nga drejtuesit e asaj kohe?
Hekurani Isai, Xhelil Gjoni dhe të tjerë, ishin për dorën e fortë për përdorimin e forcës. Ramizi ishte kategorik kundër përdorimit të forcës. Ata kërkuan që ushtarakët të armatosen. Ramizi, dërgoi një urdhër: “Pushkët të merren, por asnjë fishek në pushkë”! Prandaj dhe Ramizin, e kanë cilësuar po këta, si tradhtar ndaj Enverit.
Ramizi zhvilloi një takim me studentët në Kuvend, por dhe në Qytetin Studenti dhe kishte dhënë urdhër që ndaj tyre nuk do të përdorim në asnjë mënyrë forcën. Në këtë takim ka qenë prezent edhe kreu i grevës së studentëve, Azem Hajdari, por dhe Sali Berisha dhe të tjerë drejtues të studentëve. Madje, Saliu lavdëroi me rolin e Ramiz Alisë, në plotësimin e kërkesave të studentëve.
Si ka qenë ia moment kur turma donte të sulmonte ‘Bllokun’ e udhëheqjes, duke e rrëzuar simbolikisht sistemin komunist. A ka komunikuar Ramiz Alia me Neritan Cekën, për të frenuar turmën e qytetarëve
Neritani bëri një veprim shumë të mirë në atë kohë. Kishte një nxitje nga agjenturat e huaja, që të krijohej përplasja në Shqipëri. Amerika kishte përhapur opinionin, se Jugu i Shqipërisë, ishte komunist dhe Veriu nuk e kishte qejf sistemin komunist, prandaj veriorët, duhen mbështetur. Kështu ndodhi, ambasadori i parë amerikan, Rajerson, e mbështeti pa masë Sali Berishën, aq sa merrte pjesë dhe në mbledhjet e Partisë Demokratike. Neritan Ceka, njeri i moderuar dhe jo ekstremist, bashkë me dy të tjerë, më duket Arben Demeti, takuan Ramizin dhe ai i orientoi se nuk kishte pse të krijoheshin konflikte, të digjet dhe shkretohet vendi, se nuk e kanë fajin ndërtesat. Neritani doli dhe e devijoi turmën dhe shmangu një përplasje të sigurt, drejt luftës civile. Këtë veprim Ramizi, e vlerësoi shumë.
Mbetemi te këto zhvillime, grevën e studentëve dhe pluralizmin, çfarë roli ka pasur Skënder Gjinushi, në atë kohë ministër i Arsimit?
Ramizi e çmonte shumë Skënderin. Ishte Ramizi që e bëri dhe ministër dhe ai donte që Skënderi, të ishte pjesë e tryezës së zhvillimeve politike në vend, edhe nga fakti se historia po zhvillohej në një ambient studentor. Kam idenë se edhe në krijimin e PSD-së, Skënderi ka pasur konsultim të fortë me Ramizin
Si ka qenë marrëdhënia e Ramiz Alisë me Sali Berishën në ditët e grevës së studentëve, apo njiheshin dhe takoheshin edhe më parë?
Jo, nuk janë njohur. Ramizi, pasi mësoi se greva e studentëve drejtohej nga tropojanë të Qytetit Studenti, i kërkoi Xhelil Gjonit që të gjente njerëz të partisë nga Tropoja që të shkonin dhe të flisnin me ta. Të vendosej një urë komunikimi me njerëz të të njëjtit rreth, ku mund të gjendeshin lidhje farefisnore. Ramizi donte me çdo kusht që të shmangte një përplasje të dhunshme të studentëve me policinë dhe ushtrinë, donte të shmangte një përplasje civile. Xhelili e gjeti Saliun dhe i kërkoi që me porosi të Ramiz Alisë të shkonte dhe të bisedonte me studentët e grevës së urisë. Pasi kishte marrë përsipër ndërmjetësimin me studentët, Ramizi i tha Xhelil Gjonit që t’ia çonte Saliun në shtëpi që ta takonte. Dhe ashtu u bë, Xhelili e çoi Saliun te shtëpia e Ramizit dhe kanë folur bashkë. Por Ramizi ma ka shprehur se: “Këta tropojanët janë hileqarë, gënjejnë dhe luajnë me dy porta!”.
Çfarë është folur në atë takim?
Ajo që di unë është një kërkesë e Ramizit që të takonte vetë studentët. Por Saliu, nuk ka dashur që Ramizi t’i takonte ata, por t’ia besonte atij këtë komunikim, duke dhënë garanci, se gjërat do të qetësoheshin. Këtu, Ramizi dyshoi te sinqeriteti i Berishës, se kërkonte ta kthente këtë situatë në favorin e tij personal. Por Ramizi, këmbënguli për një takim me studentët dhe shkoi vetë në “Qytetin Studenti”, për të folur me ta, ku u kërkoi që të ndërprisnin grevën dhe të riktheheshin në mësim, ndërkohë qeveria, do të merrte të gjitha masat për plotësimin e kërkesave të tyre ekomomike. Në atë takim, Saliu ka shprehur konsiderata të larta, për Presidentin Ramiz Alia.
Gjatë atyre ditëve të grevës, ka pasur takime të tjera të Ramizit dhe Berishën, ndoshta të fshehta?
Mbase ka pasur, por nga goja e Ramizit për Saliun, unë kam dëgjuar fjalën: “Është hileqar, nuk është i sinqertë”! Ramizi i shikonte çështjet e luftës së klasave, me sy më liberal. Të tregoj një histori. Kur Ramizi ishte në Presidencë, Rita Marko, donte të hiqte nga puna një inxhinier të talentuar nga Gjirokastra, Gëzim Kallfën, që punonte në administratën e Presidencës, sepse i kishte dalë gjyshja nga Kolonja, me përbërje jo të mirë politike. Edhe një vajzë tjetër, Arjana, që ishte nga Vlora, kishte pasur gjyshin me Ballin Kombëtar dhe babain partizan. Të dy këta, Rita donte t’i largonte nga puna, për shkak të biografisë jo të mirë. Të dy këta më vijnë dhe më thonë, se do na heqin nga puna.
Çfarë pozicioni mbante Rita Marko në atë kohë?
Ishte zëvendëskryetar i Kuvendit Popullor. Unë shkoj dhe ia them Ramizit, shqetësimin që kishin dy punonjësit e administratës nga Rita, për shkak të biografisë së gjyshërve të tyre. Kur e dëgjoi, Ramizi më tha: “Epo ky Rita, ka ngelur akoma në kohën e luftës….”!
Është folur vazhdimisht se Ramiz Alisë kanë tentuar t’i bëjnë atentat në Veri të vendit. Si ka qenë historia e vërtetë?
Pas marrjes së detyrës të kryetarit të Presidiumit të Kuvendit Popullor, Ramizi bëri një tur takimesh, nga Konispoli e deri në Tropojë. Unë kam shkuar, në të gjitha takimet. Unë udhëtoja me makinën pararojë, bashkë me Gëzim Kallfën. Me të mbërritur në Has, Vaskë Gaspari, ishte oficeri i parë i Ramizit, që udhëtonte me makinën tonë, para asaj të Ramizit, zbriti i pari dhe ndaloi makinën e tij. Ai sapo kishte marrë informacion nga Dega e Brendshme e Tropojës, se një grup të rinjsh, po përgatiteshin të kryenin një atentat ndaj Ramizit. Madje informacioni, ishte se qe kapur një i ri me granatë, në turmën e njerëzve që kishin dalë për ta pritur Ramizin.
Vaska nuk e lejoi Ramizin që të zbriste nga makina, madje kërkoi anulimin e vizitës. Por Ramizi këmbënguli, që vizita e tij të vazhdonte. Ai i tha Vaskës, që ju merrni masat tuaja, por unë do të vijoj programin tim. Për të kaluar këtë situatë, Ramizi e nisi vizitën në Has, duke shkuar në shtëpinë e një dëshmori hasian, tek i cili, do të shkohej më vonë sipas programit. Personi që kishte granatë, u arrestua dhe u gjykua nga Gjykata e Lartë, duke u dënuar me pushkatim. Ai ishte Skënder Haluca. Gjykata e Lartë, e solli vendimin për pushkatim të Halucës, në Presidiumin e Kuvendit Popullor.
E firmosi Ramiz Alia si kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor ekzekutimin e Halucës?
Ramizi këmbënguli dhe tha se ky njeri, nuk duhet të pushkatohet, sepse ky ka të bëjë me personin tim. Edhe pse jam kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor dhe rrezikohej jeta ime, unë nuk pranoj të pushkatohet njeri, pse po rrezikonte jetën time. Edhe pse kishte reagime të forta, se Haluca duhej pushkatuar, në fund u pranua që ai, të vuante dënimin me burg, duke iu falur jeta. Ai i shpëtoi pushkatimit. Skënderi pas ndryshimit të sistemit, në kohën e Partisë Demokratike, u bë gjyqtar dhe u afirmua në këtë profesion. Në gjyqin ndaj byroistëve, Saliu caktoi Skënder Halucën, që të gjykonte Ramizin. Por Haluca doli para gjyqit dhe tha se; nuk mund ta gjykoj Ramiz Alinë, se ai më ka falur jetën. U tregua njeri me shumë karakter.
Arrestimi i Ramiz Alisë mendon se ishte pjesë e skenarit të Katovicës, ku nga akuzat për gjenocid komunist, që i bëhej udhëheqjes komuniste edhe për vrasjet e të rinjve që kalonin kufirin apo, atyre për shprehjen e lirë, Ramizi dhe të tjerët, u dënuan për shpërdorime financiare në pritjet dhe kafet e tyre?!
Nuk e di nëse ka qenë një gjë e tillë. Por Ramizi është shprehur se Saliu, nuk i doli siç e priste. Ramizi më ka thënë personalisht se: “Saliu nuk është i sinqertë me mua, luan me dy porta”. Saliu njihej si njeri i devotshëm partiak. Kur nisën protestat e studentëve dhe u mor vesh se drejtuesit e tyre, ishin tropojanë, atëherë u vumë në lëvizje, që të gjendeshin komunistë tropojanë, që të flisnin me ta për të zbutur situatën. Ramizi nuk donte në asnjë mënyrë një konfrontim dhe pse informacionet ishin, që shërbimet e huaja, po e përgatisnin një gjë të tillë, përmes këtyre protestave që do të përfshinin dhe popullin e Tiranës.
Më vonë Ramiz Alia u arrestua, kur Sali Berisha ishte President dhe u burgos, çfarë shprehte Ramizi për këtë periudhë?
Ramizi u burgos, kur Berisha erdhi në pushtet dhe fjalët e vitit ‘90 të Ramizit, për Saliun, u vërtetuan katërcipërisht. Ramizi nuk fliste, por kishte një heshtje të dhimbshme.
Çfarë tregonte Ramizi për kohën e burgut, pasi doli?
I shmangte shumë herë bisedat rreth kohës së burgut. Por herë pas here thoshte: “Këta nuk janë njerëz”! /Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Marrë nga Panorama.com.al