Nga Sven Aurén
Përkthyer nga Adil N.Biçaku
Pjesa e gjashtë
ORIENTI EUROPES
Land af Albania! Let me bend mine eyes
On thee, thou rugged nurse of savage men.
Lord Byron.
Në librin “Orienti i Evropës”, autori i veprës asht suedezi Sven Aurén. Janë përshtypje udhëtimi nga Shqipëria nga mezi i viteve ‘30. Përjetimet e tije direkte pa asnjë retushim.
Me një fjalë përkthimi i librit ka për të sjellë tek lexuesi shqiptar, vlera origjinale njohje të asaj historie që ne nuk e kemi njohur dhe jo pak vazhdojmë, ta njohim dhe tani të deformuar nga interesa të momentit.
Tani pak për atë që ju adreson këta rreshta: Quhem Adil Biçaku. Kam punuar dhe jetoj mbi 50 vjet në Suedi, pa e shkëputur për asnjë moment, mendimin dhe ndjenjën nga Shqipëria jonë.
Tani jam në pension dhe jetoj me gruan dhe fëmijët, këtu në Stokholm. Duke qenë një kohë e gjatë, nga evolucioni i gjuhës shqipe, që natyrshëm, ka ndodhur gjatë këtyre dhjetëvjeçarëve, jam i vetëdijshëm për vështirësitë, jo të vogla me të cilat do të ndeshem, për t’i dhënë lexuesit shqiptar, përjetimet e origjinalit.
Prandaj do t`ju isha shumë mirënjohës, nëse së bashku do të gjenim një mënyrë praktike bashkëpunimi, për ta përkthyer këtë libër me vlera të shumëanshme.
Moralisht do të ndihesha shumë i lehtësuar, duke shlyer një pjesë të borxhit, që kemi të gjithë ne shqiptaret, karshi Shqipërisë sonë, veçanërisht në këto kohë që vazhdojnë të jenë kaq të trazuara.
Me shumë respekt
Adil Biçaku
Kush është tash ky Ahmet Bej Zogu?
Unë tashmë kam treguar çfarë vështirësish, kishin sulltanët turq me prijësit e malësive shqiptare. Qytetet shqiptare ndodheshin në terrene të vështira dhe ishin të mirë mbrojtura e që kërkonin, përpjekje të jashtëzakonshme për të mundur me i pushtu. Shto dhe autoritetin e patundur të bajraktarëve. Vetëm një fjalë nga ana e kryetarit dhe fisit e është gati: një njësi ushtarake, që më aftësitë e tyre morale dhe me njohjen e shkëlqyer të terrenit, përbënin një rezistencë pothuaj të pa mposhtme.
Ky arti shtetëror oriental, gjithsesi nuk kishte vetëm armë në dispozicionin e tij. Ata përpiqeshin me i bë për vete bajraktarët me flori, me tituj pompoze dhe kuptuan që të shfrytëzojnë aftësitë në administratën shtetërore turke. Në këtë mënyrë shfaqen një numër pashallarësh, me tituj të trashëguar midis tyre, njëri kryetar i familjes Zogu. Aristokratët shqiptarë fituan gjatë kohës, pasuri të mëdha dhe vazhduan të mbeten udhëheqësit e fiseve të tyre gjeneratë pas gjenerate. Por sa për artin shtetëror oriental, s´ke çfarë thua, kështu Porta e Lartë nuk kishte ndonjë lojë të lehtë me prijësit fisnikë të malësisë. Fisi Zogu i Matit, përbënte atë nga më të vështirët. Pashallarët nuk mundeshin kurrë, ta kishin të qartë vetvetiu, se në radhë të parë, ishin nënshtetas të Sulltanit dhe në radhë të dytë shqiptarë.
Në bazë të kësaj, copëtohet një nga legjendat përgjithësisht mjaft e përhapur e ditëve tona të Evropës: ky Mbreti i tanishëm i Shqipërisë, nuk është ai bariu energjik i deleve, që ndërronte kërrabën e çobanit me pushkën e banditit, i’a arriti të ngatërrohet midis dosjeve të kuqe, të Almanach de Gothas. Ai është i lindur aristokrat dhe anëtarë i një nga familjet, më fisnike të Shqipërisë edhe pse jo, se disa studiues shqiptar të gjenialitetit, për të shpjeguar Mbretërinë, aludojnë dhe mund të vërtetojnë ndonjë lidhje direkt fisnore me heroin e lirisë Skënderbeun.
Ai ka marrë një edukatë të shkëlqyer dhe që në moshë të re, kuptoi që të zgjerojë influencën e tij jashtë kufijve të Matit. Ata që përpinin pa marrë frymë fantazitë e shtypit botëror, për përrallën e jetës së mbretit të shqiptarëve, nuk duhet ta ndiejnë veten të deziluzionuar mbi këtë përrallë, të vazhdimit të vërtetë të jetës. Karriera e Ahmet Bej Zogut është mjaft e çuditshme.
Ai lindi në qytetin e vogël Burgarjet në vitin 1895, ku i ati Xhemal Pasha, vdiq shpejt më 1908, pikërisht kur lëvizja xjon turke, filloi me ngjall shpresa për një liri të shpejtë, për popullin e skamur të Shqipërisë. Nëna, lindur Toptani, siç duket e ka pasur të qartë, që herët, se cilat mundësi do të mund t´i jepeshin djalit të sajë, në rast të një shpallje pavarësie shqiptare dhe e dërgoi Ahmetin e vogël, në Kostandinopojë, për të marrë një edukatë të lartë. Ai u regjistrua në fillim në shkollën e fisnikëve, të Gallata-Sarait dhe prej atje, në një shkollë kadetësh, ku doli oficer.
Gjatë kohës që djali është larg, e mbante e ëma pozitën, si kryetare e fisit Mati dhe këtë në një mënyrë, që asgjësonte të gjitha mundësitë e anëtarëve të tjerë të fisit, Zogu ose Toptani, për të zënë këtë pozitë të dëshiruar. Përgjithësisht është një rol shumë interesant, që luan kjo Nëna e ardhshme, Mbretëreshë. Ajo nga natyra është e pajisur me një kokë të ditur, me një zotësi të admirueshme dhe një ambicie të madhe. Ajo është gjithnjë në korrent të zhvillimeve politike dhe merr qëndrime shumë deçisive, për problemet shqiptare.
Për atë ka vetëm një zgjidhje të ëndrrës së lirisë shqiptare: një Mbretëri të pavarur, me djalin e saj si Monark. Që në hyrjen e shekullit të ri, ajo me deklarata zyrtare jep përgjigje për qëndrimin e sajë të vendosur, për këtë çështje. Dhe tre dhjetëvjeçarë më vonë, kur ëndrra e madhe e jetës së saj, u realizua dhe ajo mori titullin zyrtar “Nëna Mbretëreshë”, ushtron akoma një influencë vendimtare te djali, në veprimtarinë qeveritare. Ajo është madhështia dhe dobësia e Ahmet Zogut. Mbreti i ri, që prej fëmijërie është mësuar t´i besoj kësaj gruaje të fuqishme. Kur ajo vdes në fillim të vitit 1935, është kjo një vdekje, që pasojat e saj shtrihen jashtë rrethit të vetë familjes Mbretërore.
Kur shpërtheu Lufta Ballkanike, Ahmet Zogu kthehet në Mat. Ai është në moshën 17 vjeç, i vetë shkruar udhëheqës i fisit të vet dhe kur serbët shkelin në Shqipëri, për të përfituar nga gjendja e dobët e turqve, ai lufton si një burrë, me burrat në qafë-kalimet malore të Matit. Kur Ismail Bej Qemali, proklamon shpalljen e pavarësisë së parë shqiptare në Vlorë, është ai njëri, nga përfaqësuesit e popullit, i cili kërkon t’í japë forcën dhe autoritetin e nevojshëm të asaj shpallje.
Por rruga për një fron Mbretëror shqiptar, është e gjatë dhe e vështirë, se një tjetër aristokrat shqiptar e ka provuar: daja i Ahmet Zogut, Esad Pasha. Lidhja fisnore me këtë politikan, komandant legjionar në shërbim të të huajve, është në fakt një pengesë për planet e Ahmet Zogut. Emri i Esad Pashës, tingëllon keq në Shqipëri dhe Esadi, ka pikërisht gjithë arsyet t´a mbajë këtë të riun e fisit, nën hije. Ndonjë harmoni të madhe, nuk duket se i ka karakterizuar marrëdhëniet e këtyre dyve, me njëri tjetrin. Kur familja atje lart në Mat, shikon se ku po e çon Esad Pasha, Ministrinë e Luftës nën operetën princore të Wiedit, është gati menjëherë të zgjedhë partinë e vet.
Ahmet Zogu, shkon te Princi dhe i betohet, për besnikërinë e tij, e cila është një sjellje e bukur, kur ai sikurse daja i tij, mund të mendonte të përfitonte nga pozita e dobët, e këtij Monarkut të ri. Ai përveç saj, nuk kënaqet vetëm me betimin. Së bashku me shefin e fuqishëm të mirditorëve, në veri të vendit, Preng Bib Doda, synon në çdo mënyrë të forcoj pozitën e Princit dhe kur ndizen revoltat në Epir dhe Shijak, ai përpiqet të bashkojë popullin shqiptarë, me anë të manifesteve të zjarrta. Kjo politikë duhet që pa kushte të shkruhet në listën e meritave të Ahmet Zogut. Ambiciet e tij, i lente më një anë, për kërkesat e atdheut.
Gjatë Luftës Botërore, ai gjendet në anë të austriakëve, sepse atëherë, dukej se austriakët ishin të interesuar për një Shqipëri të pavarur. Por në të vërtetë, Austria nuk ushqen asnjëfarë mendimi për atë punë, por e di se nëpërmjet nxitjeve të këtilla, shprese se ndërton përkrahje shumë të vlefshme tek një pjesë e madhe e fiseve të malësisë. Në një çast, duket se trupave të austriakëve, do t´u ngadhënjeni fati dhe fisi Mati me Ahmet Zogun në krye, bën ç´është e mundur për të përzënë serbët prej vendit. Pas saj besohet se koha erdhi. Ahmeti dërgon një thirrje, për një kongres kombëtar në Elbasan.
Thirrja nuk i takon vetëm popullit në vend. Kolonive shqiptare në Sofie, Bukuresht dhe Luzan, u kërkohet të marrin pjesë në këtë kongres, detyra e të cilit, do të jetë të përpunojë një kushtetutë përfundimtare. Por austriakët, nuk duan t´ia dinë fare për këtë gosti për fantazira pavarësie. Nga Pallati ‘Ballhaus’, erdhi urdhri që kongresi të ndalohet dhe Ahmet Zogu, detyrohet të udhëtoj për në Vjenë, ku atje qëndrimi i tij, në se jo për formën, por në përmbajtje, qe thjesht një internim. Deri në mbarim të Luftës, mbahet në kryeqytetin austriak. Këtu ai bie në kontakt me idetë perëndimore, në një mënyrë krejt tjetër, që ai më përpara kishte pasur rast. Ai e kalonte kohën duke studiuar strukturën e organizimit të shoqërisë perëndimore dhe thellohet në problemet administrative, të shtetit austriak.
Ai zbulon se çfarë ndryshimi fondamental, mbretëron midis popullit austriak dhe atij shqiptarë dhe kupton se, është e pamundur aq lehtë të transferosh një organizim shtetëror perëndimor, në Shqipërinë me kushte lindore. Këtu qëndron vështirësia më e madhe. Një formë shtetërore shqiptare, duhet t´i përshtatet një popullit, i cili ende jeton në logjikën e mesjetës, që as s´do dhe as mundet aq kollaj, të braktisë përfytyrimin e vjetër të botës, për diçka që ata sigurisht si në mjegull e dëshirojnë, por ende nuk mund ta konceptojnë. Administrata e shtetit të ardhshëm, duhet të formohet, duke pasur parasysh deri njëmijë rrethana, se thjeshtë një perëndimor, nuk ka pse ta llogarisë.
Në të gjithë shtetet ekzistojnë mospajtime midis frenimeve të kujdesshme të gjeneracionit të vjetër dhe atij të rrëmbyeshëm shkatërrues, tek ai i riu. Në Shqipëri kontradiktat janë aq të thella, deri në fund. Një pjesë e madhe e intelektualëve të rijë, kanë studiuar jashtë vendit, kanë pa qytete si Parisin, Londrën dhe New Yorkun, konfrontuar me njerëz modern dhe ide moderne. Prijësit lart në male edhe megjithëqë, influenca e rinisë gjithnjë është kolosale, kanë botën e tyre të kufizuar, nga këto male bojë hiri, që është i pari që kanë parë dhe është i fundit, që ata duan me pa, para se me nis rrugën për në një nga parajsat e garantuara të Muhamedit. Rinia digjet prej një urrejtje dhe budallallëku, që karakterizon zell reformash. Të vjetrit e shohin gjithnjë të natyrshme, se një burrë ka pushkën në krah, kur ai del prej shtëpie, ai nuk e sheh bashkëshorten, para ditës martesës dhe ai si një burrë me nder, respekton ligjin e pashkruar por ekzistues të gjakmarrjes.
Në çfarë pasioni Ahmet Zogu, përpunoi planet e tije të reformave, gjatë këtij qëndrimi të pavullnetshëm të Vienës, është natyrisht vështirë me gjyku, por me siguri është se thjeshtë atmosfera perëndimore, ka lënë mbresa të pa shlyeshme. Siç duket, ai duhet ta ketë pas organizimin e ardhshëm shtetëror, mjaft të qartë për vete, kur ai urgjentisht pas paqes së madhe, kthehet në vendin e tij. Turhan Pasha, që drejton qeverinë provizore në Durrës, i’a beson atij komandën, mbi trupat e disponueshëm. Ai është tani në moshën 23 vjeç. Kur garnizoni internacional zbraz Shkodrën, i përshtatet formimit të Jugosllavisë së re, që të mundohet të realizojë dëshirën e vjetër të serbëve, por e shohin pozitën e Ahmet Zogut, tepër të fortë për të mundur me bë diçka. Më 27 mars 1920, fillon më në fund ky Kongresi Kombëtarë aq i shumëpritur, jo në Elbasan, por në Lushnje. Atje zgjidhet qeveria e re dhe Ministria e Brendshme mbulohet nga Ahmet Zogu.
***
Po atë vit, zhduket një konkurrent për pushtetin, jo vetëm për këtë ministrin e ri të Brendshëm, por për gjithë qeverinë komplet. Esad Pasha, që është tërhequr prapë në Paris, ku ai themelon një byro propagandiste dhe në saj të marrëdhënieve të mira, brenda diplomacisë së lartë, gjithnjë mundi të luaj një far roli, vritet në një bulevard, nga një student fanatik shqiptar. Vrasësi kthehet në Shqipëri, nderohet si një hero dhe pastaj edhe ai vritet. Ky shteti i ri, ka dhimbjet të mëdha dhe të vështira të lindjes. Vrasjet politike i takojnë rregullit të ditës. Zhdukja e Esat Pashës nga arena, përbën sigurisht një lehtësi, por qeveria e re ndesh plot vështirësi të tmerrshme. Kontradiktat midis pronarëve të tokave, bejlerëve dhe rinisë radikale, shtohet deri në rrezik të themelimit të një partie.
Të dy dëshirat përfaqësohen fuqishëm në sistemin administrativ, që qeveria mundohet të ngrejë dhe ambiciet personale, dominojnë shpesh në kuptimin më të lartë dhe në mënyrë shqetësuese, mbi interesat kombëtare. Këtu shtohet edhe se shtetet fqinj, që e rrethojnë, aspak nuk kanë heq dorë nga shpresat e tyre. Agjentë jugosllavë, grekë dhe italian, shpenzojnë paret e mandatarëve të tyre, për të mbajtur opozitën në fuqi. Edhe një tjetër interes i vjetër qëndron përpara: Rusia. Qeveria nuk ka forcën, që të marrë kompetenca të nevojshme diktatoriale dhe detyrohet të japë dorëheqje, që në mbarim të vitit 1920. Pastaj vijojnë dy qeveri të dendura si rrjedhim, por Ahmet Zogu, është prapë këtë herë me cilësinë e Ministrit të Luftës.
Situata në këtë moment është jashtëzakonisht kritike dhe në një çast, duket se ëndrra e shqiptarëve për pavarësi, do të groposte përsëri. Jugosllavia ka arrit të fitoj një influencë të rrezikshme, midis fiseve në pjesën veriore të vendit dhe tashmë flitet hapur, për një “Republikë e Mirditës”. Së shpejti ndizet revolta plotësisht dhe me gjithë masat e pashpresa të Ministrit të Luftës, çanë ushtria rebele deri 50 kilometra, në veri të Tiranës, ndërsa qeveria e Beogradit, fërkon duart nga kënaqësia dhe mendon, se tashti më në fund do të ishte e qartë më shqiptarët bezdisës. Por në atë çast ndodh një sensacion. Kombet e bashkuara sapo ishin themeluar, i’u duk që ishte pjekur koha për një shembull praktik, për mundësitë e saj. Për çudi të botës, pavarësia shqiptare merr papritmas zyrtarisht, njohjen internacionale. Një komision internacional, zgjidhet për të caktuar kufijtë përfundimisht dhe Jugosllavia, nuk ka tjetër zgjedhje përveç se, të paktën zyrtarisht, të tërhiqet nga loja.
Ata tre vjet që pasojnë, shkaktojnë për Ahmet Zogun, gjithë ato vështirësi të reja. Stuhia e politikës jashtme, me të vërtetë është qetësuar, por përçarja e brendshme, është jashtëzakonisht e madhe, që të mundte të merrej me punën e reformave me intensitet të mjaftueshëm. Fiset e ndryshme nuk mund të kuptojnë, se Shqipëria ka zgjedh një qeveri qendrore. Sipas pikëpamjeve të tyre, qeveria e Tiranës është veç një nga shumë qeveri, që ka vendi. Ahmet Zogu, është i forti i Tiranës. Elez Isufi, kryetari i fisit të Dibrës, është një sundimtar absolut brenda, krahinës së vet. Pse duhet që Elez Isufi dhe ata trimat e Dibrës, t´i nënshtrohen atij kryetarit të Matit, Ahmet Zogut, i cili pohon se ka kompetencë, që të japë urdhra edhe për Dibrën?
Ahmet Zogu duhet shtypur.
Një ditë marsi 1922, Elez Isufi me pesëqind burra ëndërronin hyrje të Tiranës. Pushkët dhe mitrolozët kërcasin disa ditë me radhë. Banorët e Tiranës u venë kapakë dritareve dhe anëtarët e kolonisë së huaj, ngushtohen në Spitalin e Kryqit të Kuq. Telefonat janë paralizuar, telegrafët po ashtu. Njerëzit janë të mbyllur nga bota e jashtme dhe të mbyllur nga të gjitha lajmet. Ditën e tretë, duket së të shtënat kanë pushuar dhe mundesh me dalë jashtë në rrugë. Shtyllat e telefonave, janë për tokë dhe pengojnë rrugën, disa mure shtëpiash janë shkatërruar nga plumbat dhe afër xhamisë vjetër, shtrihen një grumbull kufomash. Disa ushtar të qeverisë, tregojnë se Elez Isufi me trimat e tij, është barrikaduar në një lagje, në mes të qytetit. Elez Isufi nuk pranon të kapitulloj, refuzon përgjithësisht edhe të hyjë në disa bisedime, për marrëveshjet. Elez Isufi dhe trimat e tij, mendojnë të vdesin me dinjitet, si i ka hije burrit.
Deri nga pasdrekja përhapet një tjetër lajm.
Qeveria i ka dhënë Elez Isufit, një afat deri në orën 12. Nëse nuk do ai me i dorëzua armët deri në këtë orë, atëherë lagjes që ai ka barrikaduar, do t´i vihet flaka.
Elez Isufi vazhdon të mos pranojë.
Të gjitha familjet, që banojnë afër lagjes së rrezikuar, urdhërohen të largohen jashtë banesave. Rrugët ziejnë papritmas nga njerëzit, që mbajnë mobile dhe rroba. Gratë vrapojnë rrëzë mureve të shtëpive, me fëmijë të vegjël që qajnë në krahë. Qyteti është paralizuar nga tmerri.
Në orën dymbëdhjetë e gjysmë, Elez Isufi ende nuk ka dërguar ndonjë përfaqësues për bisedime. Forcat qeveritare hedhin teneqe gazi nëpër muret e lagjes së kundërshtarëve, sjellin bar dhe dega. Gjithçka është gati për zjarrin e madh, që do të heqë qafe, pesëqind luftëtarët e Dibrës. Disa përfaqësues të qytetit, paraqiten tek Ministri i Brendshëm dhe i venë në dukje rrezikun, se e gjithë Tirana mund të digjet, por Ahmet Zogu është i paepur. “Ministri i Brendshëm ka marrë komandën edhe përgjigjet për konsekuencat”, kjo qe përgjigja.
Dy minuta para dymbëdhjetës, vjen ngadalë një veturë nga lagja e okupuar. Në sediljen pas, ulur Elez Isufi dhe ministri anglez, Mr. Eyers, i cili funksionon si ndërmjetës bisedimesh. Automobili hap rrugën, përmes turmës së heshtur dhe Elez Isufi, bën një përshtypje madhështore. Ai ka vesh xhokën e zezë për Skënderbeun, bart zinxhirë të rëndë serm dhe ka dy pisqolla të mëdha në brez. Ai nuk duket aspak i dëshpëruar. Përkundrazi, buzëqesh me përzemërsi, majtas dhe djathta. Ky është një fitimtarë dhe jo i mundur, që po shkon në Ministrinë e Brendshme, ku e pret Ahmet Zogu. Biseda bëhet shkurt, shumë domethënëse dhe shumë shqiptare.
Elez Isufi, shpjegon se ka mësuar shumë gjëra gjatë vizitës me autoritetet shtetërore. Ai kupton se Qeveria e Tiranës, lufton për gjithë Shqipërinë dhe jo vetëm për Tiranën. Ai i ofron të marrë anën e Ahmetit, kundër tre kryetarëve, që tani janë më të bezdisurit, për t´u marrë vesh: Zija Dibra, Mustafa Kruja dhe Hamid Toptani. Ahmet Zogu, shpjegon se është i kënaqur dhe i lutet Elez Isufit, të kthehet në malet e veta dhe të marrë me vete njerëzit e tij, me gjithë armë. Me këtë u zgjidh konflikti dhe Tirana merr frymë lirisht. Një bajraktar më pak, për të luftuar. Kështu është shumë bukur.
Pak më vonë edhe Zija Dibra, Mustafa Kruja dhe Hamid Toptani, kanë kapitulluar, por me këtë nuk kanë mbaruar vështirësitë e Ahmet Zogut. Gjendja ekonomike është e tmerrshme dhe pa pare, nuk mund të bësh ndonjë reformë. Populli, që për shkak të arsimimit të ulët, nuk ka idenë e vështirësive, vetëm mund të konstatojnë se premtimet për përmirësime, nuk po duken aq shpejt, sa pritej. Pakënaqësia kalon në një aksion të ashpër antiqeveritar dhe grindjet e ashpra e bëjnë të pamundur një punë normale të parlamentit. Në shkurt 1924, ndodh i pari nga ata atentatet, që Ahmet Zogu deri tash ka përjetuar. Një student i ri, anëtar ekstremist i “Bashkimi i Rinisë Shqiptare”, plagos Ahmet Zogun, me tre plumba pistolete, gjatë seancës parlamentare. Ahmet Zogu paraqet dorëheqjen. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016