Nga Visar Zhiti
I dashur V., mik i dashur,
jam shumë mirënjohës për solidaritetin dhe ndihmën e sinqertë në luftën e vendit tim për liri. Për fat të mirë jam gjallë në këtë ruletë ruse që po ngjet në kryeqytetin tonë. Do të shohim se si do të jetë gjendja me pushtimin nga Bjellorusia në veri të Kievit, që mund të jetë dhe fillimi i dërrmimit të regjimit të Lukashenkos, i cili nuk mbështetet më nga shumica e ushtrisë së tij, por që shumë pjesë kontrollohet nga forcat ruse. Tani për tani me 12000 njerëz dhe qarkimi me rreth 3000 nga ushtria jonë dhe 4000 brenda, sulmi në Kiev duket i pamundur. Por në qytete të tjera si Mariupol dhe Chernihiv, ku njerëzit po vdesin urie për javë të tëra pa energji elektrike, gaz dhe ujë, nën bombardime e bombardime si dhe në rrethinat e Kivit, ku është dhe shtëpia ime e familjes, kemi një katastrofë humanitare.
Përqafime miqësor!
D.
Është mesazhi më i fundit që më vjen nga Ukraina, nga poeti Dmitry Chystiak, për të cilin kam shkuar diçka, kam botuar disa poezi të tij dhe një interviste, ku u përgjigjet 7 pyetjeve në luftë për lutën në Ukrainë, kam thënë se ai është profesor i letërsisë dhe i frëngjishtes në Universitetin Kombëtar “Taras Shevçenko” të Kievit, poezia e tij është botuar në shumë gjuhë të tjera dhe ka marre shumë çmime letrare. .
Po si t’i përgjigjesha mesazhit të tij? Nuk kam asgjë veç lotëve dhe lutjeve dhe zemrës time me ju. Kaq..
A ka mbërritur mesazhi im apo ajrin e shqyejnë shpërthimet e tmerrshme dhe fjalët vdesin dhe bien si pendë flatrash të djegura.
Dhe çudia është se ai më ka dërguar dhe një elegji në anglisht, e shkruar tani nën bombardimet në një dhomë që dritaret i ka të mbuluara me raftet e librave që të mos duket drita jashtë, se pranë saj predhat kanë shkatërruar shtëpi të tjera.
Po shkatërrohet një vend sovran, me kulturë dhe traditë, me njerëz të lirë që duan t’i largohen gjithnjë e më shumë të kaluarës së tyre, kur ishte një perandori komuniste me qendër Moskën, me tiranë në krye si Lenini dhe Stalini dhe pjellat e tyre si Putin sot, që vazhduan deri dhe në Shqipërinë e vogël me enveristët.
Por do të doja të flisnim për poezinë e Dmytro Chystiak, që iku përmes bombardimeve për të gjetur mua, megjithëse ka një thënie se kur gjëmojnë topat, muzat heshtin. Në fakt realitetet kanë treguar dhe të kundërtën. Shqipëria e di, se kur kishte letërsi të realizmit socialist me plot gjëmime, fshehtas pati dhe letërsi ndryshe, poezi që dolën nga burgjet dhe internimet. .
Dhe tani nga lufta. Poeti Dmytro Chystiak, burrë i ri te nja 35 vjetët, nuk po zgjatem, mjafton shëmbëlltyra e atij si Njeriu që po qëndron nën bombardime, kur po vriten njerëz me mijëra e bëhen gërmadha për një çast pallate, institucione, spitale, teatro, etj, teksa miqtë e Dmytro Chystiak nëpër Europë, në Azi e Amerikë e kanë ftuar të ikë nga andej.
Jo! Ai po rri pranë luftëtarëve të vendit të tij, që po luftojnë për atdheun dhe Europën, sipas tij, mes qytetarëve dhe sakrificave të pabesueshme, i përkushtuar në këtë luftë, ndërkohë i lidhur me shumë televizione jashtë vendit, ku jep intervista me frëngjishten e tij “excellent”, (edhe foton e poetit e nxora nga ekranet e një televizioni të huaj) dhe tregon gjendjen dramatike, shkaqet dhe historinë, të ardhmen që do ta fitojnë me gjak, duke dhënë sa më shumë shpresë njerëzore.
Teksa në televizionet tona akademikë dhe politologë të rëndomtë arrijnë deri aty sa mundohen ta justifikojnë agresionin rus, nga që NATO paskërka kaluar “gardhin”, sepse paskësh “gardh” liria e popujve dhe sovraniteti i vendeve dhe demokracia që duan të kenë si sistem, e ndonjë me dinakëri kërkon të vendosë Putinin djathtas më shumë se majtas, kur ai si i çmendur po bombardon sa djathtas dhe majtas dhe po s’e ndalën, ai nuk do të ndalet nëpër Europë dhe botë me turr stalinisto-hitlerian, teksa bashkëpunëtorët e nazizmit i quajnë pafalshëm kuislingë, ndërsa ata të stalinizmit, që tradhtuan interesat e atdheut në kohë paqeje nuk i dënojnë si kuislingë të Kremlinit, etj, etj, por unë desha thjesht tani t’i bashkohemi besimit të poetit ukrainas Dmytro Chystiak dhe të popullit të tij edhe me anë të poezisë, të shkruar nën bombardime.
Ajo ngjan me buzëqeshjen e tij, që e shohim tani në intervistat televizive, që edhe pse e trishtë, është e mrekullueshme, është buzëqeshja e njeriut të vërtetë, që nuk e shëmtuan luftërat, që asnjë bombardim nuk ka për ta asgjësuar, nëse do të mbeten njerëz mbi fytyrë të dheut.
Në vend të buzëqeshjes, ja poezia, që e nxjerrin ne për herë të pare…..
DMYTRO CHYSTIAK
TOKË E GJALLË
In memoriam,
për Anastassiya Kobzina dhe Ilia Solovyov.
І
Gjyshi im vdiq pa asnjë fjalë për luftën.
Pa asnjë fjalë për luftën gjyshja ime vdiq.
Ndaj urisë dhe punës dhe frontit
Ata lëshuan disa fjalë të ashpra dhe aq.
9 Maji ishte festa më e madhe e tyre,
Këngët e tyre, lotët e tyre pa asnjë fjalë për luftën.
“Unë nuk do të flas, Zoti im!
Jo më, jo më. Ju hedhim
Në karroca për në varrezën masive”.
Fjalët e gjyshes pranë varrit të saj.
ІІ
Pranë rafteve të mia të librave, nën bombardime,
Uniforma e gjyshit, mbuluar me medalje,
Shpata e tij (17 vjeç, në Shcholkovo afër Moskës,
Pastaj në Detin e Veriut, kaq shumë të vrarë
Në këtë tokë akulli, pastaj kënga,
Futbolli, Kakhovka dhe Kievi, dashuria e jetës së tij
Që më bën të buzëqesh edhe sot),
Medaljet e gjyshes sime, bijë e luftës
(Fëmijëria në kolkhoz, gjithçka për frontin,
Dhe një gjerman që miqësisht thotë “fshihu!”,
Në rajonin Vinnytsa një dimër i tërë,
Në papafingo ajo fshihet dhe nazistë s’ka më
Pastaj këngë dhe socializëm dhe rënia,
Dhe kërkimet i tij për urinë e madhe me Stalinin),
Ata qëndrojnë ende bashkë, me
Dy republika motra, në raftet e librave,
Nën bombardime, pastaj shpërthimet.
ІІІ
Kjo tokë dimërore është e gjallë, e thellë.
Asnjë fjalë për luftën, në varrin e tyre të përbashkët.
Predha i zgjon siç bëri në shenjtëroren Babi Yar,
Dhe dalin nga bota tjetër, por unë e di,
Ata nuk janë në anën tjetër, por bashkohen
Me tonën. Dhe gjyshja ime vazhdon
Me vullnetarët dhe gjyshi im me marinarët,
Nga ana jonë, ata që ndjekin Kozakët,
Ata që shmangin frikën dhe hedhin veten
Të pambrojtur në tanke, në stepa,
Si në kohën e helenëve, në këtë tokë të vjetër
Ku “Lavdia!” bie, gjëmim pas gjëmimi.
ІV
Kjo tokë dimërore është ende e gjallë, aq larg.
Gjyshi im nga Shçolkova lufton,
Gjyshja ime nga Haysyn vazhdon,
Pas tyre, errësirë mbi errësirë,
Dritë mbi dritë, botë pas botëve,
Kumbime, përgjakje, mbi kryqe rriten
Trëndafilat e Jeruzalemit Qiellor,
Gjaku i tyre bashkon Kostandinopojën dhe Kievin,
Rubedoja e qyteteve të ringjallura,
Shekull pas shekulli, tempull pas tempulli,
Për të ujitur pemën tonë të përbashkët
Përballë një pranvere që po shquhet së fundmi.
Kiev, Mars 2022
__________________________________
Përktheu nga anglishtja Visar Zhiti
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016