Nga Fadil Paçrami
Pjesa e tretë
Memorie.al / Ç’është burgu? Eshtë vendi ku mbahen ata që janë dënuar me heqje të lirisë, do të thoshim duke lexuar çdo fjalor. Por kaq është pak. Burgu dhe liria – dy të kundërta. Më parë: ç’është liria? Me pak fjalë: të jesh i lirë do të thotë të bësh atë që do, të mendosh e të veprosh sipas dëshirës në ushtrimin e përmbushjen e lirive e të drejtave të tua, si njeri e si shtetas, por gjithmonë pa cënuar e dhunuar të tjerët. Përsërit: të mendosh e të veprosh. Fjala është për liritë demokratike, nga ajo e fjalës, e shtypit, e tubimit dhe e organizimit në partira e shoqata të ndryshme, sigurimin e kushteve, ku të gjejnë shprehje e konkretizim idetë, kërkesat e vullnetet njerëzore, nga ato të planit biologjik-lidhur me vetë qenien, tek ato të planit social, lidhur me mënyrat e të jetuarit.
NGA MBROJTJA NE GJYQE
(Skemë)
Kjo skemë qe përgatitur për mbrojtjen në gjyqin që m’u bë në 28-30 mars 1977, por që nuk u lejua të mbahet; u thanë vetëm pak fjalë në fund, për rreth 15 minuta, sa m’u caktua si kohë, që të flisja. Sado që protestova, nuk më lanë më gjatë, më prenë fjalën (gjyqi u zhvillua me shumë parregullsi). Edhe këtu po e jap të përmbledhur – pjesë të nxjerra nga shënimet në copa letrash, që munda t’i ruaj. Synimi i mbrojtjes qe ky: mungojnë bazat ligjore, për akuzat dhe dënimin. Para se të fillojë procesi gjyqësor, kam për të ngritur këto çështje:
- Porsa u mbyll procesi hetimor, jam drejtuar lart me një letër, ku bëja thirrje që, pasi hetuesia nuk vërtetoi asgjë, lidhur me akuzat që m’u bënë dhe çuan në arrestimin, pra s’kanë baza ligjore, të pushohej çështja, të mos ketë gjyq, as dënim.
– A jeni në dijeni për këtë?
– Në mos, më lejoni të paraqes arsyet edhe këtu. (Në qoftë se kjo nuk pranohet, do të shtroj të dytën)
- Me çfarë akuzash jam arrestuar?
– Të lexohet vendimi i parë i arrestimit (21 tetor 1975), duhet të jetë në dosje. – Të lexohen edhe Nenet 64 dhe 73 të Kodit Penal, që përbënin akuzën e parë të arrestimit.
– Të lexohet edhe vendimi i dytë (i janarit 1977), që zëvendësoi akuzën e pare, për bashkëveprim në një komplot kundër shtetit, pra tradhti e lartë. Si përfundim: në qoftë se akuza e parë, për pjesëmarrje në një organizatë kriminale, (fjala është për grupin e puçistëve’ në Ushtri e të sabotatorëve në Ekonomi, si më është thënë, nuk u vërtetua, nuk pat gjë të vërtetë, nga kjo nuk kishte ç’ka të vërtetohej), pra u rrëzua:
– Them se çështja duhet të pushohet.
– Ra akuza për marrjen pjesë në komplot (Neni 64), bie edhe ajo për agjitacion e propaganda, në shërbim të komplotit (Neni 73).
Nuk ka pra një çështje penale këtu.
-Çështjet që kritikoi Plenumi i IV-ët, i Komitetit Qendror të PPSh-së, në qershor të ‘73-it, nuk përbënin në atë kohë, nuk përbëjnë as tani pas 4 vjetësh, një çështje penale,
– Nuk ka asgjë të re, që mund të përbënte ndonjë akuzë plus. Gjatë hetuesisë (shikoni dosjen), nuk është përmendur asgjë e tillë. Ajo që u ngrit si e re lidhur me komplotin puçisto – sabotator, si u quajt, ra si jo e vërtetë për mua, hetuesia u bind për këtë, pra edhe hoqi dorë.
Prandaj: kërkoj të shqyrtohen sa ngrita më lart, përpara se të fillojë procesi gjyqësore (besoj të kem qenë i qartë), duke i prerë rrugën diçkaje, që nuk duhet të ndodhë. (Në qoftë se edhe kjo nuk pranohet, do të shtoj të tretën)
- Para se të fillojë procesi gjyqësor kërkoj:
– Të më jepen Kodi Penal dhe ai i Procedurës Penale, dua të veproj këtu në bazë të ligjeve. (I kam kërkuar disa herë gjatë hetuesisë, por nuk më janë dhënë, më është thënë t’i kërkoja në gjyq).
– Të më caktohet një konsulent juridik, sepse nuk i di këto punët e gjyqeve dhe të procedurave gjyqësore. Më duket se ka një rregull të tillë. (Edhe këtë kërkesë e kam bërë gjatë hetuesisë, por nuk më është plotësuar?!).
– Të më jepen dhe të më njihen si prova materiale, veprat e mia (dramat) dhe shkrimet e tjera, që më janë marrë në shtëpi ditën e arrestimit, të argumentoj e arsyetoj në bazë të tyre, për disa çështje që kanë gjetur pasqyrim në akt-akuzë, në lidhje me Nenin 73, për agjitacion e propagandë.
– Të ndahet procesi im, me atë të Dashnor Mamaqit, me të cilin nuk më lidh asgjë. Arsye për këtë lidhje nuk ka, as logjikë, as bazë ligjore. Unë shoh këtu një diçka qëllimkeqe, por të menduar jo mirë, jo me vend edhe si metodë. (Në rast se s’pranohet edhe kjo, atëherë të bëj deklaratën e mëposhtme).
- Meqë sa parashtrova, nuk u pranuan, deklaroj:
– Më vjen keq që nuk u pranuan e, nuk u gjend ndonjë zgjidhje, për çështjet që shtrova. Kjo më vë në një gjendje të padëshiruar të cilën, desha ta mënjanoj.
– Po e them që në fillim: mbroj të vërtetën, duke pohuar se akuzat, nuk kanë baza ligjore, përpiqem të sqaroj çështjet dhe të bind trupin gjykues, për këtë. Me sa të më jetë e mundur, do të mënjanoj këto dy çështje: 30 vjetët në parti dhe krijimtarinë, sepse të dyja këto, dalin jashtë kuadrit të proçesit gjyqësor. Prandaj, e quaj të nevojshme, të bëj këtë sqarim: në qoftë se do të më duhet ndonjëherë, të prek çështje të tilla, këtë e bëj vetëm se akt-akuza, bën fjalë për to, si dhe për të qartësuar, ndonjë keqkuptim.
-Nga eksperienca e di, se mund të sqarosh e të bindësh të tjerët, vetëm mbi bazën e së vërtetës dhe vetëm për ato që je i bindur vetë. Këto mbeten dy pikënisjet e pikëmbështetjet e mia, edhe sot këtu, para trupit gjykues.
-Kam plot 18 muaj që përpiqem të sqaroj çështjet (qoftë me hetuesin qoftë edhe me cilindo që erdhi e më takoi, deri edhe ministri i Brendshëm Kadri Hazbiu), për të cilat më janë ngritur akuza, pa bazë ligjore. Do të bej gjitha, ç’është në mundësitë e mia edhe këtu. Po s’arrita, ja ku po jua e them: kjo s’do të thotë, se ju keni të drejtë, por se keni frikë nga e drejta.
-Jam përgatitur të flas gjatë, të jap edhe sqarimet që mund të kërkohen, duke hedhur këtu para trupit gjykues, fakte, prova, argumente.
Kam vetëm një lutje: të keni durim të më dëgjoni dhe këtë jo vetëm pse më intereson mua, unë jam një person, kurse çështja e marrjes së vendimeve, të drejta ose jo, i kalon përmasat e kufijtë e një individi, cilido qoftë ky.
– Sido që të bëni, jua them hapur: pasi lexova akt-akuzën, më është krijuar një ndjenjë fataliteti, nga ajo sesi mund të thuhen gjëra të tilla, të paqena, të patrajtuara, as gjatë hetuesisë, siç mund të vihet re, edhe nga një shikim sado i përciptë i proçesit hetimor.
-Thonë se gurit, kur luan nga vendi, gjithkush i jep nga një të shtyrë, derisa gremiset në fund. A duhet të ndodhë kështu me njeriun? Them se jo!
***
Lidhur me akt-akuzën
Jo, nuk e pranoj aktakuzën. Pse nuk e pranoj?
– Sepse akuzat që më bëhen, prekin sferat e artit dhe si “gabime”, në qoftë se janë të tilla, të cilave u dal për zot, janë analizuar një herë, 4 vjet më parë, në Plenumin e IV-ët të Komitetit Qendror, janë marrë edhe vendime disiplinore, në rrugë partie – aq, dhe nuk shkojnë më tutje, mbeten çështje partie.
– Sepse mendoj, se çështjet që kanë lidhje me mendimet e shijet estetike të një krijuesi, si dramaturg, nuk mund të bëhen objekt për ndjekje penale dhe të një procesi gjyqësor.
– Sepse akt-akuza, përmban çështje; “bashkëpunimi me persona e grupe”, për të cilat nuk di gjë, nuk janë vërtetuar as gjatë hetuesisë dhe nuk janë të vërteta.
– Sepse në punën dhe jetën time, s’ka vepra keqdashëse kundër vendit, nuk ka, pra, armiqësi e çfarë tjetër, bën fjalë akt-akuza.
- Çfarë tërheq vëmendjen?
– Procesi hetimor, trajton tjetër gjë, ndërsa akt-akuza, pasqyron tjetër gjë. Nëse ai çoi në rënien e akuzës së parë, atë të arrestimit, akt-akuza vazhdon t’i përmbahet asaj (nuk përmendet Neni 64, por aty qëndron). Ka këtu një kontradikte, që bie në sy.
-Çështja vihet kështu: ka rënë apo, nuk ka rënë akuza e parë’ Neni 64? Derisa ka rënë (si më është njoftuar nga hetuesia, e cila ndërroi akuzën nga Nenet 64, e 73, në Nenet 72, e 73/2), atëhere, ç’hyjnë gjithë ato “bashkëveprime”, që përmenden në aktakuzë?! Apo nuk ka rënë, atëhere pse u hoq, pse nuk radhiten fakte, prova dhe nuk përmendet Neni 64, në aktakuzë?! Njëra nga të dyja. Trupi gjykues, duhet të shprehet qartë për këtë.
– Dhe që të jem i saktë, po e sqaroj deri në fund idenë: jam arrestuar 2 vjet e ca, pas masave partiake që u morën ndaj meje, muaj të tërë, pas goditjes së “puçistëve” në Ushtri e “sabotatorëve” në Ekonomi, si janë quajtur, me të cilët hetuesia, sado që u përpoq, nuk gjeti fakte e prova, të më lidhte, atëhere pse u arrestova dhe ç’duhet ky gjyq?! Del qartë, se qëllimi është: për të plotësuar kuadrin e komplotit, në Ushtri, Ekonomi dhe Ideologji. Por la themi hapur: një përpjekje e dështuar? Lidhur me Nenet 72 e 73/2, me të cilat kërkohet të dënohemi
- Në fund të akt-akuzës, si sintezë (faqe 31), bëhet ky formulim:
“Akuzohet se si element armik i partisë e i pushtetit popullor dhe në bashkëveprim me… grupin e puçistëve në Ushtri e të sabotatorëve në Ekonomi, ka goditur frontin ideologjik, duke agjituar e propaganduar, për minimin dhe përmbysjen e pushtetit në RPSH-së dhe duke sabotuar zbatimin e direktivave të partisë e, të vendimeve të qeverisë, në sektorin e art-kulturës e, të ekonomisë socialiste, krime këto që parashikohen, në Nenet 72 e 73/2 të Kodit Penal”
-Them të drejtën, një formulim më kontradiktor dhe jashtëligjor, është vështirë të mendohet, ç’ka vërteton më së miri, gjithë falsitetin e akuzave, si dhe vështirësitë në të cilat është ndodhur hetuesia, në fund të procesit hetimor, për të formular akuzën.
-Ky formulim, hedh dritë në mënyrën më të qartë, se meqë ra akuza e parë; “për pjesëmarrje në një organizatë kriminale”, (Neni 64), Nenet 722 73/2, në bazë të të cilave, kërkohet të dënohem tani, janë gjetur pse duheshin, qoftë edhe duke shkelur ligjet, dhe jo me një, por me dy nene, për të arritur masën e dënimit të përcaktuar. Hetuesia u fut në këtë rrugë, por a do të ndodhë kjo, edhe me trupin gjykues? Mendja ta do, që jo.
- Pse janë ngritur dy nene: edhe ai 72, edhe ai 73/2?! Është e qartë: gjithë ato fjalë të mëdha, të hedhura në atë mënyrë për “armiqësi”, “bashkëpunim me puçistët në Ushtri e sabotatorët në Ekonomi”, “minimin e përmbysjen e pushtetit”, etj., donin dy mbështetje, që të mbaheshin disi në këmbë. Mirëpo këtu, është edhe thembra e Akilit, që hedh poshtë të gjithë akt-akuzën, mendime e shije të caktuara estetike, si krijues dhe veprat letrare, janë quajtur edhe propagandë, edhe sabotim, duke e shtrirë këtë të fundit, nga sfera e ekonomisë, për ç’ka flet ligji, edhe në atë të ideologjisë, për ç’ka nuk flet ligji. Diçka vërtetë e çuditshme!
Por pa asnjë bazë e mbështetje ligjore.
- Pak fjalë edhe për vete Nenet 72 e 73/2. Po e them që në fillim se vetëm sa më janë lexuar një herë (ç’ka siç duket shkaku i hetuesit, se kur ia kërkova të m’ë jepte, ose të m’i lexonte së dyti, nuk pranoi, me gjithë këmbënguljen time), kështu që e kam të vështirë të argumentoj, ashtu si do të doja, me gjithë atë, do të them disa fjalë, me aq sa mund të mbahet mend, nga një lexim i tjetrit, shpejt e shpejt, e mbytazi…!
- Si përfundim: çdo gjë flet për kotësinë e arrestimit, shkeljen e proçedurave gjatë hetuesisë, për mungesën e provave lidhur me akuzat që më bëhen, për parregullsi edhe në gjyq. Nuk ka, pra, asnjë bazë, për të mbajtur në këmbë akt-akuzën. Nenet 72 e 73/2, ashtu si nuk u mbajt edhe ai 64. Është dalë hapur nga procedurat dhe vetë ligjet, pra edhe çdo vendim që mund të merret, për të më dënuar, është i jashtëligjshëm. Nuk ka vend, pra, për një çështje penale, as për gjyq, s’ka vend as për dënim.
RETROSPEKTIVE
Fola si nisi dhe përfundo dënimi, në fillim nga partia, pastaj edhe nga gjyqi. Pse, ç’lidhje kanë këto në mes tyre, si mund?! Ja që kanë. Kjo është një tjetër dukuri e kohës së monizmit, të partisë – shtet. Njëlloj si në mesjetë, ajo e kishës-shtet, me inkuzicionin.
Atëhere, si u përgatitën njëri e tjetri dhe si u lidhën?
Në fillimet e viteve ‘70-të, diç nisi të mos ecte te ne. Rruga e ndjekur, e kishte rënduar gjendjen e vendit. Pakënaqësia rritej, njerëzit diç pritnin dhe kërkonin. Enver Hoxha këtë e ndjeu, u shqetësua e, s’ndenji duarlidhur. Për një kohë dhe mbështetur te Beogradi, më pas te Moska, viteve të fundit te Pekini, po tani, që edhe me Kinën, dukej se nuk do e kishte të gjatë, ku? Mundësia e vetme, mbetej ajo e hapjes me botën. Kjo qe kërkesa e kohës, edhe vullneti i njerëzve të lodhur të kësaj toke, nga ai kalvar i gjatë e i mundimshëm, përmes të cilit kishin mbijetuar me zor të mëdha.
Mirëpo, si mund ta pranonte ai këtë?! Në të tri rastet, pati qenë protagonist, pati dalë i pa lagur, pat forcuar edhe pozitat. Po tani? Poçia shkon një herë, dy, tri, te kroi, vjen një ditë, e thyhet. Kishte kaluar kohë të vështira edhe brenda vendit: Berati, ’48-ta, ’56-ta, ’60-ta, por i pat kapërcyer, në sajë të shkathtësisë, hilerave, duke ngarkuar e likuiduar të tjerët. Po deri kur kështu? Kjo e tmerronte, e xhindoste. Dhe e vrau mendjen. Kishte goditur djathtas e majtas, sipas rastit dhe si i qe dukur më mirë: djathtas në Berat, majtas në ’48-ën, prapë djathtas në ‘56-ën dhe në ’60-ën, tani nga, cila e kishte radhën?
E majta ekstreme, qe bërë prej vitesh, mbështetja e tij e qëndrueshme, i kishte shërbyer në rrugën që kishte ndjekur dhe ku e ndjente veten të fuqishëm, por diç nuk i pëlqente tek ajo, se i dukej që ishte forcuar, aq sa mund të bëhej e rrezikshme për të. E djathta me idetë e saj liberalizuese, po e shqetësonte prej disa kohësh. Pra mendoi, kështu edhe vendosi, të godasë në të dy krahët, në fillim djathtas, e më pas majtas. Atë edhe bëri në të hyrë të viteve ‘70-të. Madje, e kishte zgjatur pak si shumë kësaj here, pa goditur siç kish bërë zakon.
Kështu e ndau: rreziku i parë, qenë mendimi intelektual dhe kërkesat e rinisë, t’u bihej fillimisht atyre, si; “liberalizëm”; i dyti, vinte nga ushtarakët, me mundësitë e përdorimit të mjeteve të dhunshme, si “puçet” me armë. Më ‘73-in, u ra të parëve që po e sfionin më hapur dhe pas një viti, më ’74-ën, të dytëve, për t’ia shtrënguar fort. Mbetej edhe kjo: diku duheshin hedhur fajet, për vështirësitë ekonomike të kohës, e të atyre që do të vinin, prandaj pa kaluar viti, më ‘75-ën, i ra fort burokratizmit’ në organizmat shtetërore të ekonomisë.
Në qoftë se qe vërtet mjeshtër, në goditjet që ndërmerrte, po aq qe edhe në përgatitjen e masave, që u paraprinin dhe i shoqëronin. Në drejtimin të liberalizmit, siç e quajti, e ndjeva këtë, që sa hyri viti ’71.
– Në shkurt, më ftoi në shtëpi, me rastin e një feste familjare, ç’ka s’kishte ndodhur ndonjëherë më parë! Një ditë më parë, veçmas më përkëdheli, duke më thënë: kështu të dua ngahera, energjik e të ri, në mendime e veprime. Ç’qe kjo? Ku rreh? I njihja tanimë ca veçori e lodra të tij.
– Në prill të po atij viti, meqë ime shoqe qe e sëmurë rëndë dhe ishte bërë operacion për së dyti, kësaj here në Romë, me “kujdesin” e porosinë e tij, siç m’u tha atë kohë, u nisa për ta parë atje. Për çudinë time, m’u vu në shërbim, një nga veturat e ambasadës, për të më lëvizur ku të desha. Kjo, siç m’u shpjegua, sepse isha kryetar i Kuvendit Popullor. Mirëpo pas kthimit, pa kaluar pak ditë, mora vesh se, qe tërhequr andej, shoferi që më pat shoqëruar. Kur e takova këtë një ditë rastësisht në rrugë dhe e pyeta përse, vura re, se s’dinte ç’belbëzonte. Më dogji.
U kujtova edhe se si në ambasadë, meqë ato ditë gjoja s’kishin gjetur vend në linjën ajrore për në Tiranë, m’u sugjerua; të udhëtoja përmes Titogradit, të Malit të Zi. Po kjo ç’ishte? Ç’po me luhej.
– Në maj, me rastin e 50-të vjetorit të lindjes, më erdhi për urime në shtëpi, me Nexhmijen. Edhe kjo s’kishte ndodhur ndonjëherë më parë. Nuk kurseu fjalët më të mira, aq sa ra në sy edhe të tjerëve të pranishëm. Erdhi dhe e gjeti aty edhe Mehmet Shehu, i cili më solli urimet edhe nga e shoqja, meqë ajo s’mundi të vinte, nga se ato ditë, ndodhej jashtë Tiranës, duke më thënë, se do të vinin përsëri një ditë tjetër, porsa të kthehej. Bëmë edhe fotografi së bashku. Pas dreke u bë edhe një ceremoni dekorimi në Presidiumin e Kuvendit Popullor. Po këto?! Ç’po ndodhte?
– Në ato kohë, më ra në dorë një fjalim i Mehmet Shehut, për çështje të Kulturës, letërsisë e arteve që kishte mbajtur ca kohë më parë, në një mbledhje partie në Peshkopi, ku shfrynte gjithë mllef, kundër shfaqjeve e prirjeve “moderrniste”, sipas tij, në krijimtarinë letrare e artistike. Teksti i shaptilografuar nga Ministria e Arsimit dhe e Kulturës, qe shpërndarë në të gjithë vendin.
Bisedova për këtë me Ramiz Alinë, duke i thënë: ç’janë këto, si mund të flitet kështu?! Ky kishte folur me Enver Hoxhën, dhe ky me Mehmet Shehun, i cili më telefonoi dhe më thirri në zyrën e tij, në Kryeministri. Aty gjeta edhe ministrin e Arsimit dhe të Kulturës, me kryetarin e Komitetit të Kulturës e të Arteve. Sa u ulëm rreth tavolinës, veç kur shpërtheu me bubullima ndaj atyre, pse e kishin shaptilografuar e shpërndarë atë fjalim të tij, gjoja pa e pyetur atë; le po i paskëshim bërë edhe transformime, duke u lëshuar edhe një tok vërejtjesh, se nuk merrnin vesh nga punët e kulturës dhe të letërsisë e arteve.
Ndërkohë, nuk kurseu fjalët më të mira me lavde për mua, se rezultatet që qenë arritur në këto fusha në Tiranë, ishin meritë e imja, jo e tyrja. Më tha, edhe pse nuk i kisha folur drejtpërsëdrejti atij. Kaloi edhe në një çështje tjetër: tani po, më tha, atëhere kur e ngrite ti, ishte shpejt, ka ardhur koha të rritim fondet për kulturën, pra, kam dhënë urdhër, për këto. (Kishim patur një debat vite më parë me të, në një plenum të Komitetit Qendror, ku kisha ngritur çështjen se për kulturën, bëhej pak, deri atëherë te ne). Edhe kjo?
Me kaq, pa u zgjatur, edhe për raste të tjera, merr fund kjo anë e njëfarë lajkimi, si një “muaj mjalti”, para se të fillonte stuhia, që të thuhej: ja, s’kemi gjë me ty, por je ti ai, që shfrytëzove situatat, për qëllime të mbrapshta. Të përafërta me këto, kishin ndodhur edhe me Todi Lubonjën: e sollën nga Korça, në drejtim të Radio-Televizionit, për aftësi e merita të veçanta, por pa kaluar shumë kohë, filluan ta godasin për ndikime e prirje të huaja. Forma e praktika të njohura këto, të kulaçit e të kërbaçit.
“Kështu, aty nga muajt e parë të ’72-shit, pinjoll i mbrapshtë prej rrugaçi i Hysni Kapos, ngriti plot zhurmë, një sajesë për një nga të afërmit e mi, si pedagog, në universitet, duke qëlluar qëllimshëm tek unë, ç’ka bëri përshtypje ndër të tjerët, aq sa një nga të njohurit, ato ditë, më tha hapur në konfidencë: ç’qe kjo, ç’kanë me ty?
– Pas dy muajsh, në një mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm të Frontit Demokratik, ku unë isha sekretar i përgjithshëm, kur Enver Hoxha më kaloi pranë, nuk më foli në sy të tjerëve, madje që të mos ndodhesha në presidium, si anëtari kryesisë me të tjerët dha urdhër, të zgjidhej një presidium tjetër nga salla, ç’ka s’kishte ndodhur ndonjëherë më parë, nuk ishte, as qe e rregullt.
– Në dhjetor të po atij viti, pasi mbaroi një nga mbledhjet e zakonshme të Kuvendit Popullor, Mehmet Shehu, kërkoi të më takonte po atje, në një dhomë veçmas. Qemë vetëm unë dhe ai, kur filloi të flasë, i papërmbajtur e me mllef.
Ç’bëhet kështu? Kur do të vini mend, ju të Tiranës?! Nuk shikoni se u mbush qyteti me flokëgjatë e minifunde? Dalin në skena të teatrit, gra e vajza me gjokse gjysmë zbuluar, ose me fustane deri në fund të këmbëve, sipas modave të jashtme dhe ju hiç! Duke e dëgjuar, thosha me mend: është në vete ky? U përpoqa të shpjegohem, po të linte, merreshe dot vesh me të?.
– Atë kohë, si zakonisht, në dhjetor u bë Festivali i 11-të në Radio-Televizion, Enver Hoxha, qe me pushime në Vlorë, nga ku gjoja e kishte ndjekur dhe na qenkësh skandalizuar. Me të ardhur në Tiranë, në mbledhjen e parë që bëri (ndodhi kjo në Presidiumin e Kuvendit Popullor me 9 janar të ’73-shit), shpërtheu, atë që kishte projektuar: goditjen kundër ndikimeve të huaja properëndimore, e liberalizmit.
Menjëherë filloi një përpunim i zhurmshëm i opinionit në parti, për një rrezik shumë serioz, që i kërcënohej vendit dhe ky ishte liberalizmi, që kishte marrë seriozisht dhe që i kërcënohej vendit dhe ky ishte liberalizmi, që kishte marrë përmasa shumë shqetësuese, në kulturë, në letërsi e në artet, në shtresat intelektuale përgjithësisht dhe në rini. Ky qe hapi i parë. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016