Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon historinë e panjohur të familjes së famshme, Ohri, me prejardhje nga qyteti i Manastirit, një prej shtëpive më në zë të asaj treve prej 300 vitesh, ku i pari i tyre, Halit Pasha, kishte marrë pjesë në luftërat ruso-turke, duke qenë gjeneral i ushtrisë. Si e ndihmoi Izet Ohri, Ismail Qemalin me para dhe njerëz, duke e shoqëruar deri në Vlorë në nëntorin e 1912-ës, pas porosive që i kishte dhënë Qemal Karaosmani nga Elbasani! Dëshmitë e rralla të Ali Ohrit, pinjollit të kësaj familje që ndoqi rrugën e të parëve të tij, duke u diplomuar në Akademinë e Torinos në degën e Kavalerisë, dhe pasi shërbeu në Shqipëri me gradën e togerit gjatë periudhës së pushtimit, u ri thirr në radhët e Ushtrisë edhe në vitet e para të pas Luftës, duke organizuar repartin e Kavalerisë të Saukut që komandohej nga kolonel, Myslym Keta. Dënimi i Aliut me 8 vite burg politik, pasi u akuzua për tentativë arratisje dhe ri thirrja në Ushtri nga Shefi i Shtatmadhorisë të Ushtrisë Shqiptare, Petrit Dume, për riorganizimin e repartit të rritjes së kuajve dhe pjesëmarrja e tij si konsulent në 12 filma artistik të Kinostudios “Shqipëria e Re”, ku nuk i shkruhej emri, për shkak të biografisë!
“Kur Ismail Qemali erdhi në qytetin e Durrësit para se të nisej për në Vlorë në ngritjen e flamurit, babai im Izet Ohri shkoi e takoi dhe i dorëzoi 300 lira turke. Babai, bashkë me kalin e tij që ja dha Ismail Beut, për të shkuar në Vlorë, i dha dhe një trim me vete që ta shoqëronte për gjatë gjithë rrugës dhe të gjitha këto babait i’a kishte dhënë Qemal Karaosmani, daja i nënës time nga qyteti i Elbasanit, i cili e mori në dorëzim Ismail Beun dhe e çoi shëndosh e mirë deri në Vlorë”.
Kështu shprehej mes të tjerash Ali Ohri, pinjoll i një prej familjeve të vjetra shqiptare me origjinë nga qyteti që i ka dhënë mbiemrin e tij.
Kush ishte Ali Ohri, cila është e kaluara e tij dhe origjina e familjes? Përse Ahmet Zogu insistoi pranë babait të tij, që ai të shkonte për studime në shkollat ushtarake të Italisë dhe pse nuk e braktisi uniformën e oficerit, por komandoi ushtarët italian që erdhën si pushtues në Shqipëri?! Çfarë e lidhte atë me Abaz Kupin dhe përse debatoi me kolonelin anglez, Maklin? Si mundi ai që ta mbante uniformën e ushtarakut në tre regjime të ndryshme që kaloi Shqipëria dhe përse u dënua me tetë vite burg politik?! Përse Petrit Dumja, Shefi i Shtatmadhorisë Shqiptare, e thirri atë si instruktor për Kavalerinë nga fillimi i viteve 70-të? Lidhur me këto dhe të tjera ngjarje nga jeta e tij dhe historia e familjes Ohri, bëhet fjalë në këtë shkrim, i cili është ndërtuar në bazë të dëshmive të dhëna nga vetë Ali Ohri.
Origjina dhe historia e familjes Ohri
Ali Ohri ka lindur në 6 maj të vitit 1921 në qytetin e vogël të Kavajës, por familja Ohri, është me prejardhje nga qyteti i Manastirit dhe njihet si një nga fiset më të dëgjuara prej 300 vitesh që nga koha e Turqisë. Gjyshi i Aliut, Halit Pasha, kishte marrë pjesë në luftërat ruso-turke, duke qenë gjeneral i ushtrisë turke. Haliti vdiq në vitin 1899 dhe la tre djem. Djali i madh i tij ishte Ahmeti, që ndoqi rrugën e të atit, duke u bërë oficer dhe mbante gradën e majorit, po në ushtrinë turke. Djali tjetër Rifati, po oficer i ushtrisë turke, ishte komandant i Divizionit të 9-të në Armatën e perandorisë Osmane që luftoi në frontin e Galipolit, gjatë Luftës së Parë Botërore. Në familjen Ohri, ruhen akoma në gjendje të mire, dokumenta dhe gazeta të asaj kohe, ku Rifati, paraqitet në disa foto si ushtarak madhor në mes të vartësve të tij turq, në vijën e frontit. Rifat Ohri, ishte një nga miqtë e afërt të Mustafa Qemalit, (Ataturkut) dhe ai u vra në betejën e Sukarjes në Turqi, në luftë kundra grekëve. I treti i djemve të Halit Pashës, ishte babai i Aliut, Izeti, i cili mbaroi Akademinë Ushtarake në Stamboll, në degën e Këmbësorisë. Pas diplomimit si oficer në Stamboll, Izeti u diplomua dhe në Fakultetin e Financës, po në kryeqendrën e Perandorisë Osmane. Pasi shërbeu për një periudhë në radhët e ushtrisë turke, Izet Ohri u largua me kërkesën e tij dhe kaloi në qytetin e Manastirit, si inspektor i Financave të gjithë Vilajetit. Në këtë qytet, Izeti filloi të merrej me aktivitet patriotik në dobi të çështjes shqiptare, duke bashkëpunuar ngushtë me të afërmin e tij, Hamdi Ohrin, që më vonë u bënë dhe baxhanak. Kjo veprimtari e Izetit, ra në sy të autoriteteve osmane, të cilët vendosën për t’a larguar nga aty dhe e internuan në krahinën e Matit, duke e emëruar si nënprefekt. Pasi punoi për disa vite në nën prefekturën e Matit, Izeti përsëri u transferua për në Adrianopul, po me të njëjtën detyrë. Në këtë kohë në kryeqendrën e Vilajetit në qytetin e Manastirit, kishte vdekur drejtori i Thesarit dhe vendi i tij kishte mbetur bosh, pasi për të marrë atë detyrë sipas rregullave të administratës së Portës së Lartë, përveç garancive të tjera, duhej të kishe si garant 4000 lira turke. Kjo bëhej për të pasur një garanci ndershmërie dhe Izeti e plotësoi këtë kërkesë, duke u emëruar si drejtor i Thesarit të gjithë Vilajetit të Manastirit. Në këtë qytet, Izeti, u martua me Xhenan Toptanin (nëna e Aliut) që ishte nga familja e madhe e Toptanëve, të degës së Ohrit. Ajo ishte e bija e Muhamet Toptanit (nipi i Abdulla Bej Toptanit, pasardhësit të Kapllan Pashës, që kanë qeverisur Tiranën), i cili kishte marrë pjesë si delegat në Kongresin e Lidhjes së Prizrenit. Po kështu Xhenani ishte dhe mbesa e Demir Pash Peqinit, (nga nëna) një nga njerëzit më të njohur të Shqipërisë mesme, në atë kohë. Në detyrën e drejtorit të Thesarit, Izeti qëndroi deri në fillim viti 1912, kur u shpërngul për në qytetin e Kavajës. Në atë qytet të vogël ai bleu një çiflig dhe gjatë gjithë kohës u mor vetëm me pronat e tij, pa u përzier në politikë dhe punët shtetërore.
Takimi me Ismail Qemalin
Pak muaj pas ardhjes në Kavajë, në nëntorin e vitit 1912, Izet Ohri pati rastin të takonte mikun e tij të vjetër, Ismail Qemalin, që njiheshin që nga koha kur kishte shërbyer në Stamboll. Lidhur me këtë, Ali Ohri tregonte: “Në nëntorin e vitit 1912, Ismail Qemali përpara se të nisej për në Vlorë, ku do të bëhej ngritja e flamurit dhe shpallja e pavarësisë së Shqipërisë, ndaloi në qytetin e Durrësit. Kur babai im Izeti, e mori vesh këtë gjë nga miqtë e tij, u nis për në Durrës dhe e takoi Ismail Qemalin, të cilit i dha 300 lira turke, që ishte një shumë e konsiderueshme për atë kohë. Përveç kësaj, babai i dha Ismail Qemalit dhe kalin e tij, duke e shoqëruar dhe me një njeri të tijin që ta kishte si trim me vete. Të gjitha këto, babait i’a dha daja i nënës sime, Qemal Karaosmani, nga qyteti i Elbasanit, i cili e mori në dorëzim Ismail Beun dhe e shoqëroi për gjatë gjithë rrugës duke e çuar shëndosh e mirë deri në Vlorë. Edhe babai donte të shkonte në Vlorë për të parë ngritjen e flamurit, por Ismail Qemali, e ngarkoi me një detyrë tjetër për të shkuar në Trieste të Italisë. Sipas porosisë së Ismail Qemalit, babai u nis për në Itali dhe mori pjesë në Kongresin e Triestes, që u mbajt nga data 1 deri në 4 prill të vitit 1913. Në këtë Kongres ndërmjet shumë patriotëve, si: Fan Noli, Faik Konica, Pandeli Vangjeli, Hamdi Ohri, Aleksandër Stavre Drenova, (Asdreni), Dervish Hima, Tef Curani, Hil Mosi, Dom Pjetër Tusha, Fazlli Pash Toptani, Dr. Adhamidhi etj., mori pjesë dhe babai im Izeti. Pas kthimit nga Triestja, ku Izet Ohri shkoi me porosi të Ismail Qemalit, u mor përsëri me punët e tija në çifligjet që kishte blerë në Kavajë. Gjatë kryengritjes së rebelimit të Haxhi Qamilit, ashtu si shumë patriotë të tjerë edhe Izet Ohri, u arrestua dhe u dënua me vdekje. Pas kësaj nëna e Aliut, Xhenan Ohri (Toptani) pagoi 200 lira turke dhe bëri të mundur lirimin nga burgu të burrit të saj Izetit.
Aliu nga Ankaraja në Shkodër
Në vitin 1924, Izeti hoqi dorë përfundimisht nga politika, duke refuzuar postin e Ministrit të Financave, që ju propozua nga miku i tij, Fan Noli dhe u shpërngul familjarisht për në Turqi. Aliu ishte i vogëli nga katër fëmijët që kishte Izeti. Pas shpërnguljes për në Turqi, në vitin 1927, Aliu hyri në një shkollë turke duke bërë klasën e parë. Në vitin 1928, familja Ohri u rikthye përsëri nga Turqia dhe u vendos fillimisht në qytetin e Elbasanit, ku Aliu mbaroi klasën e dytë. Më pas, me kërkesën e Padër Gjergj Fishtës, mikut të ngushtë të babait tij, ai shkoi në qytetin e Shkodrës, duke u regjistruar në Kolegjin e Françeskanëve. Këtë shkollë, Aliu e mbaroi me rezultate shumë të mira në vitin 1931, duke qenë nën kujdesin e At Gjergj Fishtës. Në këtë kohë dhe dy motrat e vëllai i Aliut, vazhdonin shkollat. Kështu, vëllai i madh Ganiu, vazhdonte shkollën Mbretërore të Oficerëve në Tiranë, (shok klase me Todi Naçon, Hulusi Spahiun e Ferik Hadon, tre ish-gjeneralë, të dënuar në regjimin komunist) motra e madhe Lemani, vazhdonte shkollën e mesme në Bari të Italisë për Mjekësi. Po kështu dhe motra e vogël, Nexhatia, vazhdonte shkollën Mekanike-Bujqësore Amerikane të Golemit. Mbas mbarimit të Kolegjit të Françeskanëve në qytetin e Shkodrës, në vitin 1937, Aliu mbaroi dhe gjimnazin e Tiranës. Pas kësaj, Aliu fitoi një bursë shtetërore për të shkuar në një nga shkollat ushtarake të Italisë. Lidhur me këtë, ai kujtonte: “Babai im Izeti, nuk deshi që unë të shkoja në shkollën ushtarake, por ai u bind kërkesës së mikut tij të ngushtë, gjeneral Xhemal Aranitasit, (Komandanti i Përgjithshëm i Ushtrisë shqiptare, Ministër i Mbrojtjes, në periudhën e Monarkisë së Zogut) i cili kishte porosi direkt nga Mbreti Zog, që unë të shkoja në atë shkollë, pasi ai donte të përgatiste kuadrot e ardhshëm të Gardës Mbretërore, me djem nga familjet e njohura”
Në Akademinë e Torinos në degën e Kavalerisë
Gjatë periudhës që studionte në shkollën e mesme ushtarake të Milanos, Ali Ohri, kishte shokë klase, Stavri Treskën, Vangjel Priftanjin, Mahmut Agollin dhe Ramiz Bodinakun e Nikoll Palin, për të cilët shprehet se ishin krenaria e studentëve shqiptarë. Atë shkollë Aliu e mbaroi në vitin 1940, dhe fitoi të drejtën për të vazhduar Akademinë Ushtarake në Modena, në armën e Kavalerisë. Lidhur me këtë, Aliu kujtonte: “Në Akademinë e Modenas, studionin djem nga familjet më aristokrate e fisnike të Italisë, që nga Torino, Milano, e deri në Siçili. Ata vinin nga familje me emër dhe me tradita ushtarake, e si pasojë ishin pothuaj të gjithë antifashistë. Në atë shkollë, unë kam marrë pjesë në garat me kuaj që zhvilloheshin në kuadrin e programit ushtarak dhe kam fituar katër konkurse, deri në rang armate. Në shkurtin e vitit 1942, pas mbarimit të Akademisë ku unë isha shqiptari i vetëm që u diplomova në degën e Kavalerisë, u dërgova për specializim pasuniversitar në Pinerolo, (Torino) të cilën e kreva në periudhën mars-maj. Pas specializimit, unë u emërova si oficer me gradën e nëntogerit në Ferrara, pranë Regjimentit të 9-të të Kavalerisë “Lançieri Di Firence”. Në Ferrara kam punuar deri në gushtin e vitit 1942 dhe nga aty u transferova për në Shqipëri, në qytetin e Shkodrës, ku ishte Regjimenti i Kavalerisë, në të cilin unë bashkë me ushtarët e mi solla dhe 125 kuaj. Në qytetin e Shkodrës, ku unë isha me detyrën e komandantit të togës, nuk qëndruam shumë, pasi na nisën për në Kosovë, ku kishte plasur një konflikt me forcat bullgare”.
Komandant toge me ushtarët italianë në Shqipëri
Në nëntorin e vitit 1942, Ali Ohri me detyrën e komandantit të togës në përbërje të ushtrisë italiane dhe me gradën e togerit, u kthye nga Kosova për në Shqipëri. Lidhur me këtë periudhë kohe, Aliu kujtonte: “Në nëntorin e atij viti u ktheva në Tiranë i ngarkuar me detyrë në një batalion të Gardës Mbretërore, i cili në fakt nuk u plotësua asnjëherë. Në prillin e vitit 1943, u transferova përsëri për në Elbasan, pranë Kazermave të Shkumbinit, ku ishte vendosur Regjimenti im i Kavalerisë, që sapo ishte kthyer nga Kosova. Nga fundi i muajit prill të atij viti, batalioni ku bëja pjesë unë së bashku me gjithë skuadrën që komandoja, u caktua për të shkuar në zonën e Gjirokastrës, ku kishin filluar trazirat, rrugë të cilën nga Elbasani ne e përshkuam me kuaj. Sapo u vendosëm në Gjirokastër, më thirri koloneli, Ludovik De Bartolomeu (më vonë u vra nga partizanët e Pezës), i cili komandonte regjimentin tonë. Ai, duke i ditur bindjet e mija antifashiste dhe duke e parë se unë kurrë nuk mund të luftoja kundër vëllezërve të mi shqiptarë, më caktoi që të shkoja në Libohovë, së bashku me dy toga ushtarësh. Qëllimi i vajtjes sime atje ishte, që unë të shkoja përpara skuadrave të milicisë fashiste që donin të digjnin qytetin e Libohovës, në kuadrin e operacionit ushtarak që kishte filluar në Shqipërinë e Jugut. Sipas urdhrit të kolonelit, unë së bashku me dy togat e ushtarëve italianë që kisha nën komandë, u nisëm me kuaj dhe arritëm në një kohë rekord në qytezën e vogël të Libohovës, përpara se aty të arrinte milicia, duke e shpëtuar kështu Libohovën nga djegia e sigurtë. Regjimenti ynë me kolonelin De Bartolomeu, u kthye në Tiranë ku aty menjëherë ju caktua si detyrë për të marrë pjesë në operacionin ushtarak që do të kryhej në Pezë, për të shtypur Lëvizjen Komuniste dhe çetat e Pezës, të cilat ishin kthyer në një bastion të fuqishëm të Partisë Komuniste. Në këtë operacion kundra partizanëve të Pezës, u vra dhe koloneli Ludovik De Bartolomeo”.
Ali Ohri: “Si i shpëtova komunistët”?
Pas Tiranës, njësia ushtarake italiane ku bënte pjesë dhe Ali Ohri u dërgua me detyrë në rrethin e Shkodrës dhe lidhur me këtë, Aliu tregonte: “Më 26 korrik të vitit 1943, për herë të parë u ndodha shumë ngushtë, kur nga Komanda e Regjimentit të Kavalerisë në Shkodër, më erdhi urdhri, që së bashku me ushtarët që komandoja do të niseshim për në qendër të qytetit, ku komunistët shkodranë që i kryesonte Nuri Llazani, kishin organizuar një demonstratë të madhe, ku do të festohej rënia e Musolinit. Për këtë, ne na u caktua si detyrë dhe kapja e të gjithë krerëve komunistë që udhëhiqnin demonstratën, të cilët sipas gjithë të dhënave, atë ditë do të dilnin në shesh. Kjo ekspeditë ndëshkuese komandohej prej toger Ravallit dhe kishte si mbështetje togën që e komandoja unë. Unë zbatova urdhrin e komandës dhe atë ditë, së bashku me 44 ushtarë të hipur nëpër kuaj, dolëm në qytet përpara “Kafes Madhe”, ku do bëhej demonstrata. Toger Ravelli me ushtarët që komandonte, kishte rrethuar një pjesë të madhe të demonstruesve në shesh dhe me anë të shenjave e sinjaleve që përdornim ne të Kavalerisë, më njoftoi që unë së bashku me ushtarët që komandoja, të hapeshim në një vijë të drejtë, që të bënim mbylljen e rrethimit për të mos lejuar demonstruesit të dilnin prej andej. Unë e kuptova shumë mirë sinjalin që më dha toger Ravelli, por bërë të kundërtën e asaj, duke mbledhur ushtarët e mi, në njëshkolonë. Pas kësaj i gjithë shtegu u la i lirë dhe në atë drejtim ku isha unë me ushtarët që komandoja, u larguan me vrap të gjithë komunistët kryesorë që kishin organizuar demonstratën, duke i shpëtuar plotësisht rrethimit. Kur toger Ravelli e pa këtë gjë, u xhindos. Po atë ditë në demonstratë u vra dhe një i ri, anëtar i Rinisë së Ballit Kombëtar i quajtur, Mustafa Dervishi, që studionte në Universitetin e Bolonjës në Itali. (Mbas afro 40 vitesh, Nuri Llazani, me shumë vështirësi mundi që ta shpalli atë dëshmor të atdheut). Pasi u shpërnda demonstrata, ne u kthyem në regjiment, ku u bë një analizë e madhe, duke më kërkuar llogari se: pse unë ua lashë të lirë rrugën demonstruesve që të largoheshin nga sheshi! Në fillim, Komandanti i Regjimentit, Kolonel Ferruglio, urdhëroi që unë të rrija në arrest shtëpie, por dy ditë pas atij urdhri, erdhi një tjetër urdhër nga Komanda e Armatës, që unë të arrestohesha dhe të dilja në gjyqin ushtarak. Kështu, para se të më arrestonin, u largova fare nga Shkodra dhe shkova në qytetin e Lushnjes, ku isha i fejuar dhe u fsheha atje”.
Komunistët më lanë në ushtrinë italiane
Përse Ali Ohri duke qenë me bindje të thella antifashiste, vazhdonte të qëndronte akoma në radhët e ushtrisë italiane, që kishte ardhur si pushtuese në Shqipëri?! Lidhur me këtë, Ali Ohri tregonte: “Që kur unë erdha nga Akademia Ushtarake e Modenas në Shqipëri, menjëherë mora takim me disa nga krerët kryesorë të komunistëve që i njihja nga shkollat ushtarake në Itali, siç ishte Asim Zeneli, Hulusi Spahiu, Skënder Çaçi etj. Po kështu një shoqëri të ngushtë kisha dhe me Shyqëri Ishmin, Ferik Hadon e Todi Naçon, me të cilin na lidhte një miqësi e vjetër. Në një nga takimet që pata me Todin, ai më tha se duhej patjetër që unë të rrija në radhët e ushtrisë italiane. Po kështu, kur unë u transferova për në Shkodër, ai me anë të njerëzve të tij më dha lidhjen, ku unë do të kontaktoja me Rexhep Dinin, një nga komunistët kryesorë të Shkodrës. Kështu sipas udhëzimeve të tyre, unë vazhdova të qëndroja në radhët e ushtrisë italiane, deri ditën që u bë demonstrata. Aty në qytetin e Lushnjes, ku unë isha i fejuar me Merjeme Fugën, qëndrova deri ditën që kapitulloi Italia fashiste, e më pas u ktheva në Tiranë pranë familjes sime”.
Adjutant i gjeneral Aqif Përmetit
Vetëm disa ditë pas kapitullimit të Italisë fashiste, në Tiranë u riformua Komanda e Përgjithshme e Ushtrisë Shqiptare, me komandant, gjeneral Aqif Përmetin. Lidhur me këtë, Aliu kujtonte: “Gjeneral Përmeti, që me marrjen e detyrës më thirri në zyrë dhe më komunikoi se unë do të emërohesha, adjutanti i tij. Në fillim unë nuk desha të pranoja, sepse grada ime e togerit ishte e vogël për atë detyrë, ku të paktën duhet të ishe major. Por gjeneral Përmeti, nguli këmbë se nuk ishte gjë e madhe dhe nuk përbënte pengesë në punën që do kryeja. Kështu unë pranova dhe për afro 45 ditë, qëndrova si adjutant i gjeneral, Aqif Përmetit, i cili dha dorëheqjen nga ajo detyrë dhe në vend të tij u caktua gjenerali tjetër, Prenk Përvizi. Me djalin e tij Valentinin, unë kisha studiuar në shkollat ushtarake të Italisë. Me të dhënë dorëheqjen Aqif Përmeti, dhe unë u largova nga kjo detyrë, sido që Prenk Përvizi m’u lut që të vazhdoja punën si adjutant i tij. Unë nuk pranova as atë detyrë që kisha dhe as disa të tjera që gjeneral Përvizi më propozoi. Unë i thashë se kisha dëshirë të rrija vetëm në dispozicion të Komandës Përgjithshme dhe kërkesa ime u mor parasysh e më lanë si oficer në dispozicion të Komandës. Kështu, për disa kohë unë qëndroja pa bërë asnjë punë, duke u kujdesur vetëm për disa kuaj që kishin mbetur tek Pallati i Mbretëror (Brigadave) nga ata që kishte pasur Mbreti Zog me familjen e tij”.
Debati me kolonelin Maklin!
Ali Ohri, përveçse kishte lidhje me krerët e Lëvizjes Antifashiste që ishin anëtarë të Partisë Komuniste, të cilët dhe i kishte ndihmuar në disa raste, ai njëkohësisht kishte lidhje dhe me Abaz Kupin ose “Zogun e Vogël”, siç e quanin atë komunistët, sepse ai ishte njeriu më besnik që i kishte mbetur Mbretit në Shqipëri. Një nga arsyet që Ali Ohri ishte i lidhur dhe bashkëpunonte ngushtë me Abaz Kupin, ishte se ai kishte bindje monarkiste, ndonëse i ati i tij Izeti, nuk ishte zogist, por as dhe kundërshtar i Mbretit Zog. Lidhur me këtë, Aliu kujtonte: “Me Abaz Kupin jam lidhur që nga shkurti i vitit 1943, e më pas nga vjeshta e vitit 1944 kam marrë pjesë me forcat e tij, duke luftuar kundra gjermanëve në zonën e Kurbinit. Mbaj mënd se në atë kohë që isha pranë forcave të Kupit, kam pasur një debat të ashpër me kolonelin britanik Maklin, që së bashku me majorin Xhulian Emëri, ishin të atashuar pranë shtabit të forcave nacionaliste të Kupit. Kjo gjë ka ndodhur aty nga java e parë e shtatorit të vitit 1944, kur ishim në fshatin Listerë të malësisë së Kurbinit. Mbas debatit të ashpër që pata me Maklinin, m’u afrua majori Xhulian Emëri dhe më pyeti: Çfarë kishe me kolonelin? Unë nuk i dhashë përgjigje lidhur me atë që debatova me Maklinin, por ju drejtova atij: Major, a je në gjendje të më thuash, se çfarë do të bëhet tani me nacionalizmin dhe nacionalistët shqiptarë? Pyetjes sime, majori britanik Emëri, iu përgjigj: Toger, nacionalizmi shqiptar tani do të futet në dhe, e nuk do ta nxjerri kokën për 40 vite. Kështu m’u drejtua ai, duke më vënë gishtin tregues në gjoks”.
Toger në Repartin e Kavalerisë së Saukut, që komandohej nga Myslym Keta
Ditët e fundit të mbarimit të Luftës, Ali Ohri u largua nga Tirana për t’i shpëtuar ndonjë arrestimi të mundshëm prej komunistëve, që nuk donin t’ja dinin për ndihmën që ai ju kishte dhënë, kur ishte në radhët e ushtrisë italiane. Në fillim të vitit 1945, Aliu e pa veten në radhët e ushtrisë që drejtohej nga Komandanti i Përgjithshëm, gjeneral-kolonel, Enver Hoxha. Lidhur me këtë, Aliu kujtonte: “Në marsin i vitit 1945, kur u krijua Kavaleria Shqiptare, më thirrën nga Ministria e Mbrojtjes dhe më mobilizuan si oficer, duke më njohur dhe gradën e togerit. Unë u caktova si instruktor i Kavalerisë në repartin e Saukut, që komandohej nga Myslym Keta. Në atë repart qëndrova deri në shkurtin e 1947-ës, kur më nxorën në lirim. Gjatë kësaj kohe me rastin e festës së 10 Korrikut, më 1945-ën, unë organizova gara me kuaj në stadiumin “Qemal Stafa”, ku morën pjesë udhëheqësit më të lartë të shtetit, duke përfshirë dhe Enver Hoxhën”.
Mbas lirimit nga ushtria, pasi punoi për pak kohë në Tiranë, Aliu u dërgua për të punuar në Shkodër, pranë stacionit të Zooteknisë. Transferimi i tij për në Shkodër, do të ishte fatal, sepse në muajin qershor të vitit 1949, ai u arrestua nga Sigurimi i Shtetit. Lidhur me këtë, Aliu kujtonte: “Pasi punova për më shumë se një vit në Stacionin e Zooteknisë, më 30 qershor të 1949-ës, më arrestuan duke më akuzuar për “tentativë arratisje në grupazh”. Për arrestimin tim erdhi vetë nga Tirana një nga kapot kryesorë të Sigurimit të Shtetit, gjeneral-major Zoi Themeli. Mbas arrestimit tim u arrestuan dhe tre shokë të mi, ish-oficerë dhe pjesëtar të Lëvizjes Antifashiste, Naim Kuçi, Xhavit Zaloshnja dhe Maksut Voshtina. Akuza ndaj nesh ishte krejtësisht e montuar, sepse ne të katërt, si ish -ushtarakë, kishim miqësi me njëri tjetrin, por asnjëherë nuk e kishim çuar nëpër mend që të arratiseshim. Mbas 13 muajsh izolimi dhe hetuesie, më dënuan me 8 vite burg politik, nga ku dola në 7 prill të vitit 1954.
Gjeneral-leitnant Petrit Dume, e ri thërret në Ushtri!
Mbas daljes nga burgu në vitin 1954, Aliu punoi si mekanik nëpër ndërmarrje të ndryshme të Tiranës, duke qenë një nga mjeshtrit më të njohur në zanatin e tij. Për këtë e ndihmoi shumë praktika që kishte bërë në shkollat ushtarake në Itali. Pas shumë vitesh në zanatin e mekanikut, në vitin 1972, me urdhër të Petrit Dumes, Shefit të Shtatmadhorisë të Ushtrisë Shqiptare, Aliu thirret përsëri në Ushtri, duke u caktuar si instruktor në repartin e rritjes së kuajve, që ishte tek Rrapi i Treshit. Lidhur me këtë, Aliu kujtonte: “Ri thirrja ime në Ushtri, ndonëse si civil, përveç kënaqësisë profesionale që më jepte duke u marrë me kuajt, ishte dhe një qetësi shpirtërore. Që mbas mbarimit të Luftës, për herë të parë në ato tre vite që punova aty, pata një qetësi, sepse gjithë kohën kam qëndruar me ankthin e një ish të dënuari politik, që mund të ri dënohej përsëri! Nga ai repart u largova mbas goditjes që Enver Hoxha, ju bëri Beqir Ballukut e Dumes, në 1975-ën. Gjëja që më ngeli më shumë merak, ishte prishja e atij reparti, ku rriteshin kuajt e racës, gjë e cila është pasqyruar dhe në filmin e regjisorit të njohur, Saimir Kumbaro “Vdekja e Kalit”. Ajo është një ngjarje reale, ku dua të them se kalin e Petrit Dumes, e vunë në një karrocë në Durrës dhe më pas e vranë duke e keqtrajtuar”.
Konsulent në 12 filma artistik të Kinostudios “Shqipëria e Re”
Mbas shumë vitesh pune, në 1981-in, Ali Ohri doli në pension në Kombinatin e Mish-Qumështit. Në vitin 1982, ai thirret për herë të parë nga Kinostudio “Shqipëria e Re”, si konsulent. Lidhur me këtë, Aliu kujtonte: “Regjisorët kishin nevojë për mua lidhur me filmat që kishin të bënin me kuaj dhe me ushtritë e huaja që kishin qenë në Shqipëri. Unë kam marrë pjesë si konsulent në 12 filma artistik të Kinostudios, por pa m’u shkruar asnjëherë emri në titrat e filmave, sepse regjisorët i trembte biografia ime, por dhe unë as që e pretendoja atë. Vetëm regjisori Dhimitër Anagnosti, pati guximin dhe ndershmërinë e ma shkroi emrin si bashkëpunëtor në filmin “Gurët e shtëpisë time”, ku punuam bashkë për katër muaj në zonën e bregdetit të Himarës”. Përveç konsulencës nëpër filma, unë kam organizuar personalisht shumë gara me kuaj, gjë e cila mbeti nja nga pasionet më të mëdha të jetës time, që nga shkollat ushtarake të Italisë, por mbas prishjes së repartit të kuajve në 1975-ën, nuk u organizuan më gara me kuaj, deri në 1983-in kur i rifilluam ato duke i organizuar gati për çdo vit. Në vitin 1988, unë arrita të krijoj Federatën Shqiptare të garave me kuaj, e që nga ajo ditë, jam President i zgjedhur i saj”. Pasionin që Aliu kishte për kuajt, e ka trashëguar djali i tij Izeti, i cili që në moshën 13-vjeçare, ka marrë pjesë në të gjitha garat me kuaj që janë zhvilluar në Shqipëri. Aktualisht ai ndodhet në Itali, ku ka fituar pesë kupa në garat e hipizmit që janë zhvilluar në disa regjione të Jugut. Një nga pasionet e tjera të Aliut, është dhe historia e letërsia. Ai ka botuar librin “Shoku im kali” dhe ka përkthyer nga italishtja librin “Rrethimi i Shkodrës”, të autorit italian Gino Berri. Aliu ka pasur një bibliotekë shumë të pasur, që ju sekuestrua kur e arrestuan dhe e futën në burg. /Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016