Nga Josef Jakoel
Pjesa e trete
–Kronika e ardhjeve dhe formimi i bashkësive-
Memorie.al / Për izraelitët në Shqipëri ka pak njoftime për periudhën e kohës që shtrihet nga fillimi i shekullit XVIII-të e deri në fillimin e shekullit XIX-të. Në Shqipëri kanë ardhur izraelitë të veçuar, por këta s’kanë hedhur rrënjë dhe as kanë formuar bashkësi të qëndrueshme. Në zërin “Avlona” të enciklopedisë Eshkol (Berlin 1929) thuhet se Ali Pashë Tepelena, sundimtar shqiptar i Janinës, kishte shumë izraelitë në këshillin e tij, por prapë gjendja ekonomike e izraelitëve ishte e ulët. Për shkak të persekutimeve të tij, shumë izraelitë u arratisën nga Janina dhe u vendosën në Avlona (Vlorë), por Ali Pasha e shtriu pushtetin e tij edhe mbi Avlonën. Pasi ky sundimtar tiran, u ekzekutua në vitin 1822, këta izraelitë u kthyen në Janinë.) Profesor Fejzi Hoxha, shkruan se qysh nga viti 1839, u vendos në Shqipëri një mjek austriak, doktor Auerbach, i cili e ushtroi mjekësinë në Vlorë, në vitin 1867, si mjek i karantinës. Më vonë ai shkoi në Gjirokastër, ku punoi deri rreth viteve 1881-1882.)
Të rinjtë izraelitë frekuentonin shkollat e vendit, por kishte nga ata që shkonin për t’i ndjekur studimet edhe jashtë shtetit. Kishte nxënës izraelitë që ndiqnin shkollat në qytete të ndryshme të Greqisë, të Italisë, madje edhe të Francës, si dhe disa studentë universitarë që ndiqnin studimet e larta në degë të ndryshme në këto vende. Shkurt, bashkësia izraelite asokohe gëzonte në Shqipëri të drejta të plota, të cilat i ndjenin edhe më shumë ata anëtarë të bashkësisë izraelite shqiptare që studionin në Greqi dhe Itali, sepse në këto vende kishte filluar diskriminimi racor edhe në fushën e arsimit, që më vonë u rrit dhe kulmoi në turpin e Holokaustit. Ky gjenocid i pashembullt, shkaktoi viktima izraelite me miliona, kudo në Europë. Në hartën e Europës, bien në sy vetëm dy vende: Danimarka me 77 viktima ndër 7 mijë hebrenj, dhe Shqipëria me 5 viktima, ndër mbi 600 veta, (vendas dhe të ardhur që u strehuan në Shqipëri…)!
Ndjenjat miqësore të shqiptarëve ishin kaq të shëndosha, saqë më vonë, aty nga mesi i vitit 1943, ish-Mbreti Zog, i cili ishte në mërgim, mendoi të sillte në Shqipëri pas çlirimit të vendit, rreth 50.000 familje izraelite, që të jetonin e të punonin bashkë me popullin shqiptar, për zhvillimin e vendit. Në një takim që pati me një përfaqësues të komitetit anglo-izraelit, Zogu, pasi kishte shpjeguar se Shqipëria ishte vend i pasur me një popull të varfër, ishte gati të vinte në dispozicion të izraelitëve, 150 mijë ha. Tokë, ku mund të vendoseshin rreth 50.000 familje, ose 200 mijë frymë. Ai kishte premtuar gjithashtu se do t’u akordonte atyre: “të drejta të plota si qytetarë shqiptarë”. Aq e fortë ishte ndjenja e sigurisë që ushqenin në Shqipëri izraelitët, saqë nuk ua vinin veshin paralajmërimeve që u bënin emigrantët, që vinin të arratisur nga Gjermania naziste, duke sjellë me vete tmerret e përndjekjeve, poshtërimeve dhe çnderimeve, që po pësonin nga bishat naziste. Jeta e izraelitëve në Shqipëri, kalonte e qetë dhe krejtësisht normale, sikur ato që ndodhnin në Europë, i përkisnin një bote tjetër, që s’kishte asgjë të përbashkët me jetën e tyre.
* * *
Nga pikëpamjet fetare izraelitët, përpiqeshin të ruanin sa më të pastër identitetin e tyre, duke respektuar rregullat dhe ligjet e traditës së lashtë. Në të vërtetë në Shqipëri, nuk kishte asnjë qytet, pra as edhe Vlora, ku banonte numri më i madh i familjeve, me një bashkësi me gjithë kuptimin e fjalës, të qendërzuar rreth një sinagoge. Rrjedhimisht, nuk ekzistonte as një organizatë komunitare, të ngjashme me të tjera të shpërndara nëpër botë. Për fatet dhe mbarëvajtjen e izraelitëve kujdeseshin njerëz, që i kishin mundësitë dhe cilësitë për një gjë të tillë. Këta nuk i zgjidhte njeri, por i pranonin në heshtje, sepse njerëzit ishin të bindur se ata ishin të sinqertë dhe punonin me mish e me shpirt, për mbarëvajtjen e komunitetit izraelit. Nuk kishte as shkolla, ku të mësohej gjuha hebraike dhe as jeshiva, ku mund të mësoheshin rite fetare. Qysh nga brezi i parë i lindur në Vlorë, shumica e izraelitëve, nuk dinin as t’i lexonin dhe as t’i recitonin lutjet në gjuhën hebraike, me përjashtim të ndonjërit, që ishte i prirë për këtë. Ndër këta spikaste Moisi (Zino) Matathia, i cili e kishte studiuar dhe e njihte mirë Dhjatën e Vjetër, dhe dinte t’i recitonte lutjet, me një zë shumë të ëmbël. Duke pasur parasysh gjithmonë Vlorën, identiteti i izraelitëve të këtij qyteti, është ruajtur nga të ardhurit e fundit, të cilët kishin mësuar gjuhën dhe ritet në qytetet nga vinin (sidomos Janina), dhe kjo vazhdoi gjer në mes të viteve ’30-të.
Në qytetet e Gjirokastrës dhe të Delvinës, traditat mbaheshin më të gjalla, sepse njerëzit kishin kontakte më të shpeshta me Janinën. Madje, kohët e para, të vdekurit i shpinin për t’i varrosur në Janinë, në varrezën e lashtë të atij qyteti, dhe kjo vazhdoi deri në vitin 1935, kur vdiq në Sarandë, i riu Samuel Menahem Jomtov, i cili u varros në Janinë. Por prapë, falë traditës së gjallëruar nga të ardhurit e fundit, mund të thuhej se ruheshin të gjalla elementet kryesore, që përbënin identitetin e bashkësisë izraelite. Një nga urdhërimet kryesore të ligjit fetar hebraik, është respektimi rigoroz i pushimit të ditës së shtunë, shabatit. Megjithëse kjo ditë përsëritet çdo javë, e shtuna quhet e kremtja e dytë, për nga rëndësia. Vendin e parë e zë Dita e Pendesës së Madhe, e cila quhet Jom Kipur dhe përkujtohet një herë në vit. Në familjet izraelite ditën e shtunë, e prisnin me gëzim dhe me përgatitje. Këtë ditë nuk lejohej të ndizej zjarr në shtëpi dhe si rrjedhim nuk mund të gatuhej. Prandaj nënat dhe gjyshet tona, gatimin e bënin qysh ditën e premte. Kështu që mëngjesi i së premtes, i kushtohej gatimit, ndërsa orët e para të pasdites, pa asnjë përjashtim, i vinin anëtarët e familjes të laheshin dhe t’i ndërronin rrobat, me qëllim që takimi me këtë ditë të shenjtë, t’i gjente të dëlirët në trup dhe në shpirt. Pastaj, kur dilte ylli i parë i mbrëmjes, së ditës së premte, fillonte kremtimi i së shtunës. Meqë ndalohej zjarri, kuptohet që nuk lejohej as pirja e duhanit dhe as më i vogli veprim tregtar. Dyqanet mbaheshin të mbyllura. Këndoheshin edhe këngë që përshkruanin se si pritej e “fejuara”, “kalat shabat”, siç cilësohet në traditën hebraike, shabati, dita e pushimit, kjo ditë e shenjtë.
Ligji fetar kërkonte që falja të fillonte qysh në pasditen e së premtes. Veçse izraelitët si në Vlorë, ashtu edhe në qytete të tjera shqiptare, nuk kishin faltore (sinagoga), kështu që mblidheshin ku të mundnin. Me sa mbaj mend, në fillim të viteve ’30-të, vëllezërit Matathia, përfunduan së ndërtuari një shtëpi të madhe dhe vunë në dispozicion të bashkësisë, dy dhoma të katit përdhes, që bëheshin një me hapjen e derës së xhamtë, që i ndante njëra nga tjetra. Ato dy dhoma mjaftonin për t’i nxënë burrat që faleshin, sepse sipas zakonit, në sinagogë gratë rrinë në vende të veçanta, ku mund të dëgjoheshin këngët e lutjeve. Dihet se çdo sinagogë, duhet të jetë e pajisur me librin e ligjeve, i cili në hebraishte, quhet; “Sefer Torà”. Dikur në mesjetë, bashkësia e Vlorës kishte sinagogë dhe libra të tilla, por kur izraelitët u larguan që andej, sinagoga u braktis dhe u dogj, kurse “Sefer Toràja” u shpu në Janinë, ku njihej me emrin “Sefer Toràja” e Vlorës. Por tashmë Sefer Torà nuk kishte në asnjë bashkësi izraelite të Shqipërisë. Nuk ishte e vështirë të gjendej ndonjë ekzemplar, sepse në Janinë dhe në Prevezë, vazhdimisht shkruanin e përgatisnin të tilla, por pengesë ishte mungesa e sinagogës, brenda së cilës ka një vend të posaçëm, të quajtur “Arka e Besëlidhjes”, ku duhet të ruhet “Sefer Toràja”. Sigurisht mungesa e “Sefer Toràsë”, e zhvishte çdo ceremoni nga pjesët e saj më sugjestive, por sidoqoftë lutjet bëheshin. Kur vinte radha e atyre lutjeve që kërkonin patjetër të plotësohej numri i caktuar i të pranishmëve (dhjetë veta ose në hebraishte Minjan), vinin pleq e të rinj për të marrë pjesë. Të moshuarit qeshnin me pasardhësit e tyre kur i dëgjonin të rinjtë që, me seriozitet, deklamonin “amen” me pak vonesë, kurdoherë që e dëgjonin gjatë lutjeve këtë fjalë. Nuk dinin ç’të thoshin tjetër…
Kështu kalonte dita e shënuar e së shtunës, dhe të rrallë ishin ata persona apo raste, që shkelnin porositë fetare. Për sa i përket ceremonive në intimitetin e familjes, ndër këto nuk duhet harruar, derdhja e një kontributi për shpagimin e Tokës së Izraelit. Në çdo shtëpi izraelite kishte një kuti, ku pjesëtarët e familjes, derdhnin rregullisht kontributin e tyre për atë fond. Për të miturit, kjo ceremoni pritej me padurim, sepse babai e merrte fëmijën në krahë, i vinte në dorë një monedhë sipas mundësisë dhe e mësonte ta hidhte në kutinë e fondit me yllin e Davidit (hebraisht Keren Kajemeth le Izrael), duke u shpjeguar se këto para, do të shërbenin për Tokën e Premtuar. Një herë në vit, në disa qytete të Shqipërisë, vinte një i dërguar i këtij fondi, i cili duke përdorur çelësin e e posaçëm, hapte kutinë, numëronte e merrte në dorëzim dhe derdhte në bankën e qytetit, shumën e grumbulluar dhe i dorëzonte çdo dhuruesi, konfermën e bankës. Nuk ishin të rralla rastet shumë prekëse, kur dikush e rrumbullakoste shifrën, duke e rritur atë sipas mundësive të veta. Të largët ose të afërt, të shumtë ose të pakët, kujtimi i atdheut “të bukur e të humbur”, trondiste zemrën e çdo izraeliti. Më vonë, lutjet bëheshin në shtëpinë Ninës, së vesë së Moisi Ilia Solomonit, dhe kjo vazhdoi deri në vitin 1965. Mjaft mirë është respektuar porosia, për bërjen e fëmijëve synet. Në Shqipëri nuk kishte njerëz të përgatitur për këtë veprim, prandaj njerëz të tillë, të quajtur “mohel”, ftoheshin nga bashkësitë e Janinës, dhe sidomos nga ajo e Korfuzit, sepse ishte më e lehtë të udhëtoje në det nga Korfuzi, sesa me tokë nga Janina.
Zakonisht syneti bëhej sipas porosisë, në ditën e tetë të lindjes së fëmijës, por ka pasur raste që është vonuar, më shumë për shkaqe objektive. Syneti i fundit i hapur është bërë në vitin 1942, d.m.th., gjatë okupacionit italian. Ndoshta pas asaj kohe, ka mjaft raste që prindërit i kanë bërë synet fëmijët e tyre, por këtë e kanë bërë fshehtazi. Në të tilla raste, syneti është bërë nga ndonjë berber a xherah vendas, nga ata që bënin synetet e fëmijëve myslimanë të vendit. Kuptohet se jo gjithçka kryhej sipas ligjeve të Moisiut…! Është ruajtur mjaft mirë edhe porosia e martesave, në të cilat të dy pjesëtarët e çiftit, duhet të ishin izraelitë. Sikundër u tha më sipër, asokohe kishte mundësi që nuset izraelite t’i gjenin e t’i sillnin nga jashtë, e sidomos nga Janina. Parapëlqeheshin vajzat janinjote ose nga Preveza, sepse kishin po atë gjuhë dhe po ato zakone të izraelitëve të Vlorës, të Gjirokastrës dhe të Delvinës, të cilët përbënin shumicën e madhe të izraelitëve të Shqipërisë. Nga Korfuzi, zakonisht nuk merreshin për nuse vajzat e atjeshme, sepse flisnin dialektin venecian të gjuhës italiane, që nuk njihej fare nga izraelitët e Shqipërisë. Vajzat korfjote, e flisnin gjuhën greke me vështirësi, dhe zakonet nuk përputheshin. Zakonisht martesat bëheshin në ato shtëpi izraelite, që kishin lokale të mëdha ku mund të merrnin pjesë shumë të ftuar. Pronarët e këtyre shtëpive, ndiheshin të nderuar dhe ofronin vullnetarisht jo vetëm shtëpinë, por edhe gjëra të tjera të nevojshme. Sipas mendësisë së kohës, kjo gjë ishte punë e lëvdueshme, një “micva” që do të thotë, një veprim, një bamirësi, që mbështetej edhe nga Zoti.
Ceremonia zhvillohej siç e përshkruan ligji hebraik. Çifti vendosej nën “hupa”, një lloj strehe e zbukuruar që simbolizonte mbrojtjen hyjnore, mbulohej me “taleth” (shalli ritual që veshin izraelitët gjatë ceremonisë fetare) dhe pinte verën e rastit, në të njëjtën gotë, të cilën pastaj e thyenin me këmbë. Kurdoherë hartohej edhe kontrata e martesës në gjuhën hebraishte (e quajtur “kethuba”), dhe kjo i dorëzohej prindërve të vajzës. Celebrimi kryhej nga njerëz që e dinin mirë gjuhën fetare dhe përmbajtjen e ligjit. Ndër ta duhet përmendur, edhe hazzan-i i palodhur Jehuda Sareta, me zërin e vet të bukur, të thellë e bariton. Në periudhën kohore nga gjysma e shekullit XIX-të e deri në vitin 1939, janë kryer vetëm dy martesa të përziera: njëra midis vajzës së Mordekai (Mordo) Matathia, Sarika, dhe një djali të krishterë ortodoks, të cilët ndërtuan familjen në Vlorë, dhe tjetra midis një vajze izraelite, Vittoria Menahem Jomtov, dhe një mjeku ortodoks, Jani Melo, të cilët jetonin në Fier. Këto martesa u kryen rreth vitit 1935. Prindërit dhe bashkësia i quajti ato, si një fatkeqësi e mirëfilltë. Në një rast, familja e konsideroi si të vdekur vajzën e martuar…! Hebrenjtë në Shqipëri nuk e respektonin rregullin e ushqimit “kasher”, (cili përkufizohet nga ligjet e Torasë, të cilat populli hebre i ndjek prej më shumë se 3000 vjetësh. Sipas këtyre ligjeve mund të konsumohet vetëm mishi i kafshëve, zogjve apo peshqve, të caktuar sipas disa rregullave të rrepta, lejohet ngrënia e qumështit dhe prodhimeve të tij, por në asnjë mënyre përzierja apo gatimi i këtyre prodhimeve me çfarëdo lloj mishi). Asnjë qytet nuk kishte “shohet”, kasap i certifikuar për të therur kafshët sipas ritit hebraik, dhe mishi merrej nga kasapët e qytetit. Mishi i derrit dhe mishra të tjera të ndaluara nga ligji hebraik, nuk konsumoheshin. Vetëm një izraelit, Isak Avram Kohen, gjatë 25 vjetëve që jetoi në Shqipëri, nuk vuri në gojë asnjë lloj mishi, sepse nuk ishte “kasher”. Ai nuk konsumoi për vite të tëra, as mishin e pulës, derisa rabini i Korfuzit, miratoi një rregull përjashtues të posaçëm, sipas së cilës iu dha e drejta për të prerë mishin e pulës, i cili mund të konsiderohej “kasher”, vetëm nëse konsumohej prej tij dhe familjes së tij.
Kur vinin Pashkët, çdo familje izraelite përdorte thika, lugë e pirunj të veçantë, të ruajtura vetëm për atë rast. Qysh nga fëmijëria më kujtohet se ritet funebre kryheshin me përpikëri të madhe. Sipas rregullit, para varrimit i vdekuri lahej me kujdes nga burra ose gra që ishin ekspertë për këtë gjë. Pastrimi e larja e trupit konsiderohej një bamirësi e madhe në fenë izraelite. Pastaj kufoma vendosej në një qefin leshi dhe futej në arkivol. Më pas i vdekuri shoqërohej deri në varrezë, duke recituar lutjet funebre gjatë rrugës. I vdekuri kallej në dhé pa arkivol (sepse në Bibël është shkruar; “je prej pluhuri dhe në pluhur do të kthehesh”). Nuk ishin të rralla rastet kur xhenazja, kalonte përmes qytetit. Njerëzia, edhe pa pasur ndonjë lidhje, e quante punë të lëvdueshme, ta mbante në shpinë arkivolin edhe për disa metra. Zija zgjaste 30 ditë. Asokohe ruhej edhe zakoni sipas të cilit për shtatë ditë, në shtëpinë e të vdekurit nuk gatuhej. Gjatë shtatë ditëve të para, të afërmit e ngushtë të të vdekurit qëndronin të mbështetur në shilte dhe hanin gjysëm të shtrirë. Familja ulej për “shiva” (kjo fjalë në hebraisht do të thotë “shtatë”), dhe priste vizita nga të afërmit e të njohurit që vinin për ngushëllim. Ushqimi, enët e nevojshme si dhe thikat e pirunjtë, silleshin me radhë nga njerëz të afërm, apo miq të të vdekurit. Burrat rrinin pa u rruar për 30 ditë dhe gjatë kësaj kohe, çdo ditë njerëzit mblidheshin mënjan në shtëpinë e të vdekurit dhe recitonin përshpirtjet e rastit, “kadish”. Të gjitha këto ceremoni, drejtoheshin nga Jehuda Sareta, i cili tregonte devotshmëri, për t’i shërbyer gjithë bashkësisë.
Kur vinte në Vlorë nga jashtë ndonjë “Hazan” (psallt), përfitohej nga rasti për të recituar ndonjë lutje të veçantë salikimi, para varrit të të vdekurit. (Gjatë atyre 7 ditëve të para priteshin vizita ngushëllimi nga miq e të afërt, izraelitë dhe shqiptarë). Kujdes i veçantë tregohej për respektimin e ditëve të kremte. Në këto ditë të shënuara, dyqanet mbaheshin të mbyllura dhe në çdo familje bëheshin përgatitje për t’i kremtuar, në përputhje sa më të madhe të ligjit. Në vigjiljen e ditëve të kremte threshin kurbane, vetëm për meshkujt e familjes, si gjela të rritur ose të parritur, sipas moshës së mashkullit për të cilin bëhej. Shpendët e therura u shpërndaheshin njerëzve të varfër, izraelitë ose jo izraelitë. E kremtja fillonte qysh në mbrëmje të vigjiljes dhe përfundonte në mbrëmjen e ditës së fundit të së kremtes, menjëherë pas shfaqjes së yllit të parë. Për t’i kryer ceremonitë fetare, siç thamë, njerëzit mblidheshin në ndonjë shtëpi izraelite. Kudo ndihej gëzimi i së kremtes, por sidoqoftë asaj i mungonte madhështia që kishte në vende të tjera, si në Janinë e në Korfuz, ku bashkësia ishte më e madhe dhe sidomos ku kishte sinagoga të pajisura me librin e ligjeve, “Sefer Torá”. Si rrjedhim, tek ne mungonin disa pjesë të ceremonisë fetare, që kishin lidhje me to. Kujdes i veçantë tregohej për ato lutje që kërkonin plotësimin e numrit minjan, prandaj kryefamiljarët porosisnin me rreptësi të rinjtë meshkuj që, për ato çaste, në vendin e lutjes të ndodheshin të gjithë meshkujt e moshës së caktuar.
Sipas radhës kremtohej Rosh Hashana, dita e Vitit të Ri hebraik, e cila përkujton ditën e krijimit të Gjithësisë. Më kujtohen skena të ëmbla të fëmijërisë, kur nëna e shtrinte mbulesën e bardhë të tavolinës, me kokrra gruri të zierë, dhe me kokrra shege. Ishte lumturi të shihje tryezën e mbushur me çdo të mirë që ka prurë Zoti, zbukuruar me kokrra shege që shndrinin sipas dritave të dhomës së darkës. Kjo ishte një traditë që nëna e kishte trashëguar nga e ëma, e cila ishte me prejardhje korfiote. Pas Rosh Hashanës, me madhështi të veçantë festohej dhe ndihej dita e Kipurit, ose dita e Pendesës së Madhe. Njerëzit e ndienin shpirtërisht afrimin e kësaj dite, që më përpara ditës së caktuar. Shtëpia dhe njerëzit laheshin e pastroheshin, zgjidhej dhe përgatitej ushqimi më i mirë. Festa fillonte në perëndim të vigjiljes dhe mbahej deri në perëndim të diellit të ditës së nesërme. (Mbrëmja e parë ishte shume solemne dhe mbyllej me lutjen e famshme Kol Nidrei, lutje gjithë përgjërim, nëpërmjet së cilës besimtari kërkon të anulojë të gjitha betimet, premtimet e kufizimet që i ka bërë vetes para Perëndisë). Gjatë këtyre 26 orëve, të gjithë agjëronin, me përjashtim të fëmijëve dhe të sëmurëve; pothuajse të gjithë meshkujt e kalonin ditën duke u falur, ndërsa gratë vinin pasdite, pak orë më përpara se agjërimi të merrte fund. Përveç therjes së kurbanit, ishte zakon që atë mbrëmje, të dërgoheshin në vendin e faljes kandile me vaj, një për çdo mashkull të çdo familjeje. Përfund të dhomës ku kryheshin faljet, ishte ndërtuar një mobilje me shkallare të ngushta dhe kandilat radhiteshin aty. Ndonjë mik, jo izraelit, kujdesej që flaka e kandilave të mbahej gjithnjë e ndezur. Pastaj baballarët mblidheshin brenda dhomës dhe djemtë e tyre vinin mbi kokë “taletin” dhe i bekonin në emrin e Abrahamit, Isakut dhe Jakovit. Kam parë baballarë që silleshin të mbyllur e të ftohtë me djemtë e tyre që, në momentin solemn të bekimit, shfaqeshin plot ëmbëlsi dhe emocione. E mandej, Jehuda Sareta i binte “shofari”-it të bërë nga briri i dashit, tingujt e të cilit përhapeshin në shtëpi dhe përreth.
Nuk e di pse, por ndihesha plot drithma dhe i prekur deri në lot nga emocionet. Më dukej sikur po përthithja një mesazh. Ndihesha hebre në shpirt, edhe pse nuk kuptoja kurrgjë nga ato fjalë të madhërishme që recitoheshin për atë rast. Në vijim, e zonja e shtëpisë u sillte të gjithëve kafenë, çka përbënte përmbylljen e darkës. Në fund, të gjithëve u jepej një ëmbëlsirë e gatuar posaçërisht, për këtë rast. Në fund të mbrëmjes të asaj dite, secili dilte nga shtëpia që shërbente si sinagogë, për t’u kthyer në shtëpi dhe merrte me vete kandilat që i përkisnin; kështu gjatë kthimit, formohej një vargan flakësh të ndezura që pak nga pak, zvogëlohej dhe pastaj tretej. Ky imazh më fanitet gjithnjë kur kujtoj plot dashuri dhe emocion ato vite të shkuara. Dhe duke për gjithë sa më sipër, banorëve vendas johebrenj, thonin: “Hebrenjtë po festojnë…”! Pas ditës së Jom Kipurit, kremtohej Sukothi, ose Dita e Kasolleve, për të përkujtuar kohën e endjes së hebrenjve në shkretëtirë. Të rralla ishin familjet që dispononin pjergull, që duhej stolisur me ato që kërkonte festa. Por në çdo shtëpi kishte nga të gjitha llojet e frutave të stinës, duke përfshirë edhe frutin e qitros. Ky frut gjendej pa vështirësi, sepse në fshatin Dhërmi të Bregut të detit në jug të Vlorës, kishte plantacione të mëdha me këtë dru. Fshati në fjalë, furnizonte me qitro Triesten, prej ku shpërndahej në Europën Qendrore dhe Lindore. Madje të vjetrit e fshatit thoshin, që e ardhura nga shitja e qitrove në periudhën e Sukothit, përbënte asokohe të ardhurën kryesore të fshatit të tyre.
Në muajin dhjetor vinte e kremtja e Hanukasë, e cila është “dita e përurimit të altarit të Tempullit”. Kjo e kremte përkujtimore, zgjat tetë ditë dhe, tok me fitoren e Makabejve, kundër ushtrive asire të antiok Epifanit, nga viti 167 deri në 165 para erës së re, përkujton dhe përurimin e ri të Tempullit të Jeruzalemit, i cili ishte blasfemuar prej tij. Për tetë mbrëmje radhazi në çdo shtëpi, ndizeshin tetë kandile, dritat e Hanukasë, një për çdo ditë të javës, dhe mbaheshin të gjitha ndezur gjatë tërë natës. Mbaj mend me gëzim ditën kur im atë më merrte përkrah, më jepte në dorë një qiri të hollë, dhe më mësonte se si të ndizja qirinjtë e hanukierës, me radhë një nga një, duke filluar nga dita e parë që ndizej vetëm një, e deri në ditën e fundit që i ndizja të gjitha me radhë një nga një, derisa ndriçonin të tetë kandilet. Me hare kremtohej Dita e Purimit, për të cilin im gjysh më kish folur se përkujton shpëtimin e izraelitëve, nga rreziku që u kanosej për t’u shfarosur nga ana e armiqve. Shpëtimi u erdhi papritur, falë guximit të gruas së perandorit asirobabilonas Asyer, që ishte izraelite dhe që quhej Ester. Për mua kjo ishte festa më e gëzuar, pasi nuk kishte asnjë pengesë apo kufizim, sikurse ndodhte me Pashkët, gjatë së cilës nuk mund të hahej gjithçka, ose me Kipurin, kur madje detyroheshim të agjëronim. Këtë ditë kudo në botë, organizoheshin shfaqje gëzimi. Izraelitët në Shqipëri këmbenin dhurata, dhe ishte gëzim i vërtetë, kur në shtëpi mbërrinin vazo me gjëra të mira për të rriturit dhe ndonjë monedhë ari, për të vegjlit. Të rinjtë visheshin si në karnavale me maska dhe shkonin për të vizituar një nga një, të gjitha familjet e bashkësisë të cilët, për t’u bërë qejfin, hiqeshin sikur nuk i njihnin.
Me ardhjen e pranverës vinte Pashka, kremtimi i së cilës zgjaste një javë. Dy ditët e para dhe dy ditët e fundit të saj, ishin të kremte të mirëfillta. Në gjuhën hebraike kjo e kremte quhet “Pesah”, që do të thotë “kalim” dhe përkujton daljen e izraelitëve nga skllavëria e Egjiptit, nën udhëheqjen e Moisiut, aty rreth 15 shekuj përpara erës së re. Toràja hebraike, porosit që tetë ditë në shtëpitë izraelite, nuk duhet të hahet bukë “e ardhur”, domethënë e fermentuar, por kulaçe të pa fermentuara, që janë si biskota dhe quhen “macot”. Këto porositeshin dhe vinin nga jashtë shtetit, derisa një gjë e tillë ishte e mundur. Në kohën e luftës, izraelitët i përgatitnin vetë dhe i piqnin në furrë, me të cilat ishin të pajisura disa shtëpi. Por veç kësaj, gjatë javës së Pashkës, nuk duheshin ngrënë ushqimet që gjatë gatimit fryheshin (makarona, oriz, etj.). Ushqimi i atyre ditëve, përbëhej nga mishi e perimet. Për natën e parë të vigjiljes në çdo shtëpi, përgatitej kanistra me sendet e nevojshme për ceremoninë e hovà-së, d.m.th., të riteve përkujtimore të rastit. Në orën e caktuar, rreth tavolinës së përgatitur me madhështi, mblidheshin të gjithë pjesëtarët e familjes të kryesuar nga kryefamiljari. Kështu fillonte në shtëpinë tonë dhe kudo, riti i gjatë që vazhdonte orë të tëra. Gjatë kësaj nate, thuhej se ngjarjet që tregoheshin nuk u kishin ndodhur stërgjyshërve, por vetëm neve, të pranishmëve. Dhe kjo sepse, ata që ishin larg Tokës së Premtuar, e quanin veten ende në mërgim e në rravgim, nëpër botë. Në shumicën e këtyre festimeve, prisnim vizita jo vetëm nga kushërinjtë dhe izraelitë të tjerë, por edhe nga miq shqiptarë, myslimanë ose të krishterë. Dhe gjithnjë u jepnim atyre “macot” që ata i quanin “buka izraelite”. Mbaj mend tim atë, që i jepte fund ritit të asaj nate, me fjalët; “Gaal Izrael”, që do të thotë “Shpëtim i Izraelit”, dhe nënën që shtonte: “Be shana habaa be Jerushalaim”, që do të thotë; “mot qofshim në Jezuralem.”
Në kundërshtim me festat plot dritë e gëzim, me agjërim e zi, kalohej dita e Tisha Be Avit. Ne të rinjtë e dinim që përkujtohej shkatërrimi i tempullit të Mbretit Solomon, një herë nga Nabukodonosori i Babilonisë, në vitin 586 para erës sonë, dhe për të dytën here, nga gjenerali romak, Titus, që më pas u bë Perandor, në vitin 70, para erës sonë. Të moshuarit tanë, që kishin vizituar Italinë, na rrëfenin me krenari se hebrenjtë e Romës edhe sot, nuk kalonin për asnjë arsye nën harkun e triumfit ,që kishte ngritur Titusi, për të festuar fitoren e tij kundër popullit të Izraelit. Kështu rridhnin ditët e bashkësisë izraelite të Shqipërisë, në ato vite. Izraelitët ashtu si dhe vendasit, ishin të rrethuar nga pre-okupacionet e përballimit të halleve të jetës, si varfëria, sëmundjet, pasojat e krizës së madhe ekonomike, që kish pllakosur botën, duke filluar nga fundi i viteve ’20-të deri në fund të viteve ’30-të. Nuk kishin probleme që të buronin nga qenia e tyre izraelite. Ndërkohë në Europë, po grumbulloheshin retë e zeza të luftës. Që nga 30 janari 1933, po shkelte në Europë çizmja gjakatare e nazizmit. Rajhu i tretë, hodhi në dorë Austrinë dhe Çekosllovakinë, Italia e Musolinit, pushtoi Abisininë dhe po bëhej gati të pushtonte Shqipërinë. Kështu erdhi dita e 7 prillit 1939, dita e pushtimit të Shqipërisë sonë të dashur, nga Italia fashiste. Pastaj erdhi dita e zezë e 1 shtatorit, kur Hitleri me ushtritë e tij, i vuri flakën Europës, flakë që gradualisht u përhap edhe në kontinentet e tjera të rruzullit. Kjo furtunë, përfshiu pak më vonë edhe bashkësinë e vogël të izraelitëve të Shqipërisë. Memorie.al
Marrë nga voal.ch