Nga VALERIA DEDAJ
Memorie.al / “Të dashun miq e vllazën shqiptarë, intelektualë, artistë dhe mbarë popull shqiptar, përshëndetjet e mija ju janë drejtue të gjithëve. Gëzohem pa masë se keni vendosë të vlerësoni veprën time: ky vlerësim na afron. Paçi burrninë të më shtini në rreshtin tuej. Ndonëse të ndamë për një gjysmë shekulli, unë jam i jueji e ju jeni të mijt. Martin Camaj”! Këto kanë qenë fjalitë e fundit që Martin Camaj tha ndërmjet një lidhjeje telefonike nga Munihu me Shqipërinë, para se të ndahej nga jeta.
Martin Camaj ka qenë ai që organizoi degën e albanologjisë, si fushë ndërdisiplinore në Munih, e për më tepër që siguroi vazhdimësinë e saj. Karriera akademike dhe profesionale e tij në Munih përmblidhet në tri faza si: bursist, docent privat, me leje mësimdhënie në albanologji dhe si profesor universiteti në albanologji (1971-1990).
Për këtë, por dhe për Camajn si njeri, flet dokumentari “Martin Camaj i papërsëritshëm” me skenar dhe realizim nga gazetarja, Tefta Radi. Në një intervistë, znj. Tefta Radi, tregon për punën që ka bërë për realizimin e këtij dokumentari, që nga vizita e saj në shtëpinë ku është rritur Camaj në Temal, por dhe për intervistat me albanologë dhe ish-nxënës të tij.
Radi bën thirrje për vëmendjen që meritojnë këto figura, në mënyrë që të njihet kontributi i tyre nga të gjithë shqiptarët. Për realizimin e dokumentarit kanë ndihmuar dhe Agim Kuri si operator, montazhi: Gjergji Pano, formulimi muzikor: Kozeta Rafti dhe miksazhi: Ermal Bardhi, së bashku me Klodi Kadillarin, që janë dhe aktorët më të rinj, të cilët kanë inskenuar skenën e njohjes së Martin Camajt me Erika Camaj.
Zonja Radi, çfarë u bë shkas për realizimin e këtij dokumentari?
Shkak për realizimin e këtij dokumentari ishte prezantimi i dokumentarit që kisha realizuar për Migjenin në Munih, “Migjeni ky uragan”. Dokumentari u prezantua nën pjesëmarrjen e një audience të madhe, ku mes tyre ishin dhe përfaqësues të albanologjisë së Munihut, ishte interesimi i profesor Bardhyl Demirajt dhe i përkthyesit Hans-Joachim Lanksch, të cilët më besuan mua përgjegjësinë për të realizuar një dokumentar për Martin Camaj.
Me çfarë burimesh keni punuar?
Unë kam shfrytëzuar të gjitha burimet e mundshme, Arkivin e Shtetit në Munih të Fakultetit të Albanologjisë, dhe të familjes Camaj. Këtu do të veçoja korrespodencat e shumta që Camaj kishte lidhur me personalitete të mërgatës shqiptare, që nga Ernest Koliqi, Pater Zef Valentini, i cili kishte qenë dikur rektori në “Liceun e Kolegjës Saveriane”, ku Camaj studioi për 11 vjet. Ai është dëshmitari kryesor, që vërteton studimet e Camaj në këtë lice.
Një lice ku kishte studiuar Luigj Gurakuqi, Faik Konica e shumë personalitete të tjerë të vendit, një lice ku për herë të parë u fut gjuha shqipe dhe pse ishte fundi i shek. XVIII-të, pasi ashtu siç thotë studiuesi i njohur Vili Kamsi: “Në Shqipëri, studioheshin të gjitha gjuhët e botës, por vetëm gjuha shqipe jo”. Ky lice, sa fetar aq dhe human, ka ndikuar në formimin e tij.
Çfarë periudhe keni prekur nga krijimtaria e Camajt?
Camaj ka një histori interesante. Ai studioi në Liceun e Kolegjës Saveriane deri në vitin 1946, pastaj u mbyll nga diktatura komuniste dhe ushtroi profesionin e arsimtarit për dy vjet në Prekal dhe pse ishte nga Temali, një zonë e thellë e Dukagjinit. Më pas arratiset jashtë vendit dhe nis studimet në Munih. Kam punuar me diplomat e tij, kam intervistuar ish-nxënës dhe kolegë, albanologë të shquar, siç është Herman Ölberg, 91 vjeç.
Çfarë faktesh të reja sillni?
Janë shumë interesante faktet rreth statusit të azilantit politik, një status të cilin Martin Camaj e vuajti. E vuajti shumë sepse vepra e tij nuk u botua dhe nuk u njoh kurrë në Shqipëri, por u botua vetëm pas viteve të demokracisë. Ishte një plagë që nuk arriti të korrë frytet e punës së tij dhe pse autori i shumë e shumë veprave, të zhanreve dhe gjinive të ndryshme.
Erika Camaj shprehet se: “Martinin e kam parë të qajë, në sytë e tij kam parë shumë lot. Kam parë një njeri që kurrë nuk u dekurajua dhe pse rrugët i kishte të mbyllura, por që punoi dhe shkroi fort dhe nën statusin e azilanit. Pavarësisht se, ishte pozitive që Martini krijoi i lirë, nëse do të ishte në Shqipëri, do t’i ishte mbyllur goja, si shumë shkrimtarëve të tjerë.
Kolegët apo ish-nxënësit e tij si e kujtojnë?
Ölberg tregon në intervistën e tij për aksidentet që i kanë ndodhur Camajt, për shkak të statusit politik, nëpër konferencat e ndryshme jashtë Shqipërisë. Sipas tij incidentet ishin të shumta, për shembull në vendet arbëreshe i vihej si kusht, se të pranishëm duhet të ishin ose pala shqiptare, ose Camaj.
Ndërsa nxënësja e tij, Kristina Kërner, drejtuese në Departamentet e Kombeve të Bashkuara, shprehet se: “Martini preferoi t’u linte vendin kolegëve të tij, sepse ai i respektonte njerëzit, shkencëtarët, intelektualët shqiptarë, ai nuk kishte asgjë me njerëzit, sepse e kuptonte se padrejtësinë e bënte sistemi”.
Peter Bartlin, një tjetër albanolog i shquar, thotë se: “Martin Camaj bëri që ajo Shqipëri e vogël, të bëhet aq e madhe në sytë e mi”. Bartli e vlerëson shumë Shqipërinë, çuditërisht në shtëpinë e tij, gjeta mjaft simbole të kombit tonë; flamuri, libra në shqip dhe shumë histori që e lidhin me Shqipërinë. Erika Camaj më ka pohuar se; “Martin Camaj dy vjet para se të vdiste, ka djegur gjithë korrespodencën që kishte me kolegjin dhe me Pater Zef Valentinin”.
Sipas saj gjithçka mbetet enigmë. Ajo thotë se; “nëse unë do të isha me të, asgjë nuk do të kishte përfunduar dhe tretur në zjarr, sepse ato ishin dokumente me mjaft vlerë. Camaj ishte jashtë klisheve, ishte vetvetja, ishte njeriu që përpiqej të mos bënte atë që e kishin bërë të tjerët, por të kërkonte gjithmonë.
Keni xhiruar në vendlindjen e tij, në Temal?
Këmbëngulja ime për të xhiruar në shtëpinë e Martin Camajt në Temal, për të bërë 13 orë rrugë dhe për të kaluar katër pesë male, ishte e madhe. Unë arrita t’ia dal, madje mund të them se mposhta dhe burrat, kjo tregon se ne gratë jemi të forta (qesh). Shtëpia e familjes Camaj dhe pse është shpallur monument kulture, mbi të nuk është vënë dorë, po rrënohet dita-ditës.
Më kanë bërë përshtypje të jashtëzakonshme fëmijët e asaj zone, më ka bërë përshtypje Olivia, dy vjeçe në Temal, që të thuash është barbi, jo e jo, por dhe zanë, për mua është pak. Olivian së bashku me Morisin, i kam sjellë për të inskenuar fëmijërinë e hershme të Martinit. Morisin e vura në rolin e Martinit kur ruante bagëtinë, një fëmijë aq i bukur, me sy blu dhe aq i zgjuar sa një plan nuk e kam përsëritur kurrë dy herë, aq inteligjent ishte ai fëmijë. / Memorie.al













