Nga Vepror Hasani
Memorie.al / E kaluara e largët, duket sikur vjen në formën e legjendës së trishtë e dalë nga goja e 82-vjeçarit Skënder Stefanllari. Njëri nga të mbijetuarit e kampit të të burgosurve në Vloçisht, ka akoma të gjalla në kujtesën e tij, ditët e tmerrit të kaluara në “Aushvicin” shqiptar të pasluftës, në tentativat për të tharë kënetën e Maliqit. Stefanllari, me qetësinë e moshës arrin të rindërtojë shumë kujtime. Shumë emra e personazhe vijnë të gjallë, ashtu siç dhembja ia ka skalitur në kujtesë, për t’i bërë të pandashëm nga ditë-netët e tij dhe tani, pas gati gjysëm shekulli.
Dikur këneta…!“Tregojnë se këneta e Maliqit ka patur shumë rosa, pata, peshq dhe ngjala, – e fillon rrëfimin e tij Stefanllari. – Banorët e zonës përreth siguronin bukën me gjueti speciesh të tilla. Kishte nga ata që i futeshin kënetës në këmbë, ashtu siç kishte të tjerë që kishin blerë varka. Këneta kishte një thellësi prej 6 metrash. Herë pas herë vinin lajme se uji kishte përpirë jetë njerëzish. Thuhet se gjetja e trupave të mbytur në kënetë ishte mjaft e vështirë. Të gjitha këto ndodhnin në verë, kur njerëzit përpiqeshin të peshkonin ngjala dhe të gjuanin shpendë të egra, ndërsa u duhej të përballonin morinë e mushkonjave. Në dimër, këneta ngrinte dhe mbulohej nga akulli”, kujton ish-i burgosuri dhe i persekutuari politik.
“Banorët ndërtonin me kockat e këmbëve të kuajve, të ngjashme me skitë e sotme, disa pajisje që i quanin sane. Hipnin mbi to dhe të ndihmuar nga dy shkopinjtë që në fund kishin gozhdë, futeshin në thellësi e gjuanin rosa, pata. Tregojnë se edhe me kuaj kalonin mbi trashësinë e akullit që ishte e madhe. Vitet të shkuara, një karvan prej 30 kuajsh dhe 30 burrash, mbeten brenda në kënetë. Kishin kaluar në mëngjes, mbi rrugën e akullt dhe shkuan në Bilisht. Kur u kthyen, në mbrëmje, nuk e kuptuan se era e jugut e kishte shkrirë dhe dobësuar fortësinë e akullit. Këneta, përpiu njëherazi gjithë karvanin. Për gjithë dimrin e atij viti u kërkuan trupat e mbytur, që herë mbuloheshin nga dëbora dhe herë nga akulli. Tashmë kanë kaluar vite që nga bonifikimi i saj, por banorët e zonave përreth thonë se, liqeni kishte patur vlera të mëdha të patjetërsueshme”, kujton Skënderi
Tharja e kënetës
“Tharja e kënetës nisi në vitin 1946, – vijon rrëfimin e tij Skëndër Stefanllari. – Edhe Mbreti Zog, kishte patur një projekt të tillë. U ëndërrua shumë për këtë lloj projekti, por nuk kishte patur, as mjete dhe as fonde. Inxhinierët e Korçës kundërshtonin tharjen e saj. Ishte hedhur mendimi, se këneta duhej të mirëmbahej. Por, kishte ardhur në skenën politike Partia Komuniste Shqiptare. Partia do të boshatiste ujin e kënetës vetëm për 6 muaj. Fjala e komunistëve nuk bëhej dysh. Seria e aksioneve nisi ashtu siç ishte premtuar. Në mes të kënetës dëgjoheshin këngë dhe melodi fizarmonikash. Të deleguar nga Tirana vinin dhe shkonin pafundësisht.
E vetmja fjalë që dëgjohej nga goja e tyre ishte, ‘Shikoni ç’po bën partia për ju’! Por, ajo që ndodhi ishte diçka që nuk e kishte parashikuar Partia Komuniste. Tharja e kënetës dështoi. Kjo ishte më shumë se e tmerrshme. Nuk kishte dështuar tharja e kënetës, por Partia. Për të shpëtuar nderin e saj dhe slloganin se komunistët marrin çdo kala, u gjetën njëri pas tjetrit të gjithë sabotatorët…! Nuk kishin qenë pak, por një grup i tërë armiqësor që nuk ia donte të mirën, as popullit as Partisë, por as shokut Enver. Nga zyrat sekrete të partisë doli urdhri, ‘Të dënohen sabotatorët dhe të groposen në kënetë’. Dhe një pjesë e ‘armiqve të popullit’ u varrosën të gjallë”, tregon Stefanllari.
“Nisi faza e dytë e projektit të madh për tharjen e kënetës së Maliqit. Kësaj radhë le të guxonin armiqtë e Shqipërisë. Këneta kishte vend edhe për vrarë të tjerë…! Tharja e kënetës përfundoi. U përfituan 5.500 ha. tokë e re. U ngrit Ndërmarrja Bujqësore e Maliqit dhe qyteti i Maliqit. Qyteti dhe fermat bujqësore, u populluan nga banorë të fshatrave malorë. Në vitin 1951, u ngrit Kombinati i Sheqerit që kishte Fabrikën e Alkoolit dhe Fabrikën e Niseshtesë. Fusha që u përfitua u mboll me panxhar, grurë dhe misër. Tharja e kënetës nisi dy vjet pas çlirimit. Rreth 6000 aksionistë punuan për tharjen e saj”, vijon ish-i persekutuari.
“Mes torturave dhe urisë, hanim panxhar për të mbijetuar”!
“Mes të burgosurve gjendej edhe At Jorgji Kosta Bezhani,- kujton, Skënder Stefanllari. – Vinte në punë dhe kthehej prej andej veçse i heshtur. Për të, banorët e fshatit Bezhan, thonë se ishte një njeri i jashtëzakonshëm. Për vite të tëra e kishin adhuruar Atin e tyre, por në kampin e Vloçishtit nuk vinin dot për ta parë. Ati kishte mbetur i vetmuar. Në trishtimin e tij ishte shtuar edhe një kapter që ironizonte çdo ditë, At Jorgji Bezhanin. Në pamundësi për ta duruar më i tha; ‘Mos më picko, o i paudhë’. Vetëm kaq mjaftonte për të vdekur një njeri. Prifti, kishte fyer kapterin.
Përmes kapterit ishte fyer partia. Për më keq akoma, partia ishte fyer nga një armik i popullit. Që atë çast, nisën rrahjet e tij. Nuk mund të thuhet, se cilat ishin metodat që u përdorën ndaj At Jorgji Bezhanit. Të burgosurit dëgjonin vetëm ulërimat e tij, deri sa zëri i tij u shua për të mos u dëgjuar më. Që nga ajo ditë, prifti nuk u pa më as i gjallë dhe as i vdekur. Të gjithë të burgosurit ishin rrahur keqazi atë ditë. Por, ç’mund të bënin? Të njëjtin fat pati edhe At Josif Papamihali nga Elbasani. Që nga mëngjesi deri në mbrëmje ndjenin vetëm urinë e bukës. Ishin të gjithë të pangrënë, të zbathur e të paveshur, mes mushkonjave. Kjo pamje kënaqte partinë, sepse shihte se si vuanin njerëzit që nuk donin të mirën e saj.
Kur ktheheshim nga puna, kalonim nëpër parcelat e mbjella me panxhar. Anash dhe mbrapa kishin policë që na shoqëronin deri tek vendi i punës. Gjithkush ëndërronte të ulej dhe të shkulte një panxhar për të ngrënë. Mund ta bëje një gjë të tillë, por nëse të shihnin ishte e sigurt se po atë ditë të priste vdekja. Më kujtohet kur një i burgosur, një djalë i ri, nuk i rezistoi dot urisë dhe u ul për të nxjerrë një panxhar nga dheu. Më kujtohet se si na urdhëruan të kalonim mbi trupin e tij. Nuk më hiqet nga mendja ajo skenë. Djali kishte nxjerrë panxharin dhe ishte bërë gati të kafshonte…! Pas dy ditësh vdiq. Një rast tjetër, i ngjashëm me të parin ishte kur një shoku im po shkulte një panxhar, i burgosuri e shkuli panxharin dhe nuk e lëshoi nga dora. Kafshonte panxharin edhe pse mbi kokën e tij binte kamxhiku i policit” – kujton ish -i burgosuri politik Stefanllari
Përbri aksionistëve edhe një tjetër kamp…!
“Aksionistët punonin zbathur dhe në mbrëmje, nën tingujt e një fizarmonike apo të një gajdeje, kërcenin dhe bënin ballo. Aksionistët ishin njëra anë e medaljes. Këta të fundit fillimisht flinin nëpër çadra dhe më pas u ngritën fushime të rregullta. Këta ishin aksionistët të rinj, që punonin me këngë, me hare, pa pagesë. Ky ishte fillimi për ngritjen e klas-piramidës së socializmit. Aksionistët mësonin të shkruanin shkrim dhe këndim. Punë, aheng dhe shkollë. Në aksion nuk kishte kufizime moshe dhe seksi. Të gjithë do të ishin banorë të qytetit të ardhshëm të Maliqit…! Kampi i aksionistëve ziente dhe vlonte, por ç’bëhej në një kamp tjetër që kishte ngritur partia për tharjen e kënetës” i kujton Stefanllari?
Këneta, ku i ngelen kockat 63 të burgosurve politikë…!
“Jo pak, por rreth 1800 të burgosur politik, tregtarë, inxhinierë, klerikë, kalonin verën e burgimit në Vloçisht. Ky kamp ‘hëngri’ 63 të dënuar”, tregon i mbijetuari i këtij kampi, Skënder Stefanllari, 82 vjeç.
Ekzekutohet plejada e profesorëve
“Në vitin 1946 dështuan punimet për tharjen e kënetës. U shpik sabotimi. Unë isha në kampin e Vloçishtit, 6 muaj të verës së vitit 1946. Në dimër na futën në qelitë e burgut të Korçës. Në 1946, këneta ‘hëngri’ gjithë nxënësit e ‘Harri Fultzit’, inxhinierët, Abdyl Sharra, Kujtim Beqiri, Aleks Alarupi, Pandeli Zografi, Llambi Napuçe, Mihal Stratobërdha etj., Të burgosurit politik i vendosën në ngritjen e urës së madhe të Maliqit. Ura ‘hëngri’ profesorin, Bego Gjonzenelin, të rinjtë, Burim Kokoshi, Klito Lamaj, Fadil Xhindi, juristin, Mark Temali, Zihni Dervishi, Xhorxh Koçi, Sezai Gora, Petro Zisi, Petrit Kadilliu, Muharrem Xhixha e shumë të tjerë si, Hiqmet Cerloi, Ali Tirana, Besnik Duro, Tefik Gabrani… Gjithsej 63 viktima. Dilnim me numërim në punë dhe hynim po me numërim në kamp”, tregon Stefanllari.
“Vasil, ci rivedremo al cielo”
Midis sa e sa ekzekutimeve, Skënderi kujton momentin e ekzekutimit të çiftit Vasil e Zyrika Mano. – “Ishte një çift i mrekullueshëm maqedonas. Ai çift adhurohej nga të gjithë. Ditët kalonin dhe ata çdo ditë i afroheshin ekzekutimit. Prisnim me dhimbje ditën e fundit të tyre. Ai çast mbërriti. Nuk mund të thuhej shumë dhe Zyrika zgjodhi fjalët në italisht, ‘Vasil, ci rivedremo al cielo’ (do të ri-shihemi në qiell), për t’ia thënë të shoqit. Prokurori ushtarak, Nevzad Haznedari, u përgjigjet: ‘Do të shiheni në të s’ëmës’!. Të tjerë njerëz në mënyra të ndryshme, por me të njëjtën ndjesi dhimbjeje do të shkonin drejt ekzekutimit”, – vijon Skënder Stefanllari
Para vdekjes edhe pështyma!
“Muharrem Xhixha nga Kruja, u vra pse kaloi argjinaturën e kanalit. Ai për nevoja personale që nuk donte t’i kryente në sy të shokëve u shkëput pak më tej, por polici kujtoi se ai do të arratisej dhe e qëlloi me armë zjarri. Virtyt Gjylbegaj, nga Elbasani u vra afër telave, që rrethonin kapanonin ku ne vuanim dënimin. Avokatit, Qani Sulejmani, i thyen krahun me bel, sepse nuk arrinte të realizonte dot normën. Me bel, preu gishtat e këmbës, koloneli Sulejman Vuçiterna që vdiq në kamp. Për të burgosurit politik, jepeshin dënime nga më të ndryshmet, të padëgjuara në asnjë vend të botës.
Një histori dënimi e tillë ka ndodhur me Niko Kirkën. Ky i fundit, kishte shkruar një letër për babanë ku i thoshte se: ‘do të vinin ditë të bardha edhe për ne që vuanim në kampin e Vloçishtit’. Letra nuk shkoi tek babai i tij, por ra në duart e Sigurimit. E marrin, Nikon dhe e lidhin pas një druri në mëngjes herët. Na urdhëruan të gjithë neve që ta pështynim në fytyrë, sepse sipas tyre ‘nuk do të vinin kurrë ditë të bardha për ne të burgosurit e Vloçishtit’. Rreth 1800 pështyma u derdhën në fytyrën e Nikos. Nuk donim ta pështynim, por kush nuk do të pështynte do të dënohej më rëndë se vetë Nikoja.
“Tregoni floririn, ose do të vdisni në kënetë”!
“Tregtarët torturoheshin me të gjitha mënyrat e mundshme që pjell mendja njerëzore. E gjitha kjo si presion për të treguar floririn që kishin fshehur. Partia mendonte se ata ishin njerëz të mbytur në flori. ‘Nëse donin jetën, duhej të dorëzonin floririn’, kujton 82-vjeçari. Kishin flori të fshehur, apo nuk kishin, për partinë kjo pak rëndësi kishte. Tregtari, Sotiraq Lako, mbeti i vdekur në kënetë. E mbuluan në mes të kënetës. Të njëjtin fat pati edhe tregtari Kosta Fundo, Bexhet Frashëri etj. Ishte e pamundur t’u qëndroje torturave të tilla. Një ditë kur shkuam në kapanon gjetëm të varur tregtarin nga Korça, Koçi Misrasi. Floriri i tij i vetëm ishin vetëm disa dhëmbë të vënë. Kur e varrosëm, vumë re se ia kishin shkulur dhëmbët prej floriri”, – tregon ish-i dënuari.
Akuzat ndaj Skënder Stefanllarit
“Unë, – tregon Skënderi, së bashku me Qemal Çoçkën, Petrit Qytezën atë kohë ishim të rinj. Deri atëherë u kishim shpëtuar rrahjeve dhe dënimeve, por me sa duket edhe ne ishim vënë në listë. Një ditë kalon një polic dhe më ngul sytë duke më më thënë, ‘Ku je o prokuror’?! Nuk arrita të kuptoja gjë, por shumë shpejt do ta merrja vesh se do të m’i shpjegonin të gjitha. Sipas tyre, unë kisha ngritur një trup gjykues, më kryetar gjyqi, Niko Kirkën, ndërsa vetë unë isha prokurori. Madje Sigurimi paskësh siguruar informacion se kishim zhvilluar një seancë gjyqësore, ku kishim dënuar me vdekje rojet e kampit dhe gjithë kuadrot e tjerë të Partisë. Edhe pse isha i fuqishëm më rrahën keqas. Kapter Murati, më kapi në grykë, më nguli dy gishtat në sy dhe u egërsua.
Unë e flaka mes baltës, por m’u hodh përsipër polici Hazis Halla. Edhe atë e hodha në kanal. Kanali ishte 3 metra i thellë. Mposhta edhe polic Jaçen nga Maliqi, por polic Alushi, rrëmben belin dhe më godet në kokë. Unë rrëzohem dhe mbulohem me llucë. Ra bilbili për mbarimin e punës. Më nxorën nga lluca. Ishte korrik i vitit 1948. Siç isha gjysëm i vdekur më vunë në kurrizin e shokut tim Alfons Dovana, një orë rrugë deri në kamp. Alfonsi, ishte i dobët, por më mbajti në kurriz. Tre ditë kam ndenjur pa ndjenja. Nga vdekja më shpëtoi, doktori i burgut, Isuf Hysenbegasi”, – përfundon tregimin e tij tragjik, i mbijetuari i atij kampi shfarosjeje, Skënder Stefanllari, duke u shprehur se kjo që ka treguar nga kujtimet e tij, është vetëm një pikë ujë në oqeanin e madh të dhimbjes! Memorie.al