Nga Selfixhe Broja (Ciu)
Pjesa e parë
Memorie.al / Selfixhe Ciu (Broja) u lind në 1918-ën në qytetin e Gjirokastrës, në një familje të pasur qytetare, pasi babai i saj, Ibrahim Ciu, ishte tregtar i madh. Pasi mbaroi shkollën unike ajo vazhdoi mësimet për dy vjet në Liceun e Gjirokastrës, por pas mbylljes së tij, ajo i përfundoi ato në gjimnazin e Tiranës. Ajo kishte pasion Letërsinë dhe në atë kohë botoi dhe poezitë e tregimet e para në shtypin e kohës, të cilat i firmoste me pseudonimin letrar “Kolombia”. Në 1935-ën, (kur ishte 17 vjeç), pasi botoi poezinë e parë në revistën “Populli”, “Bota e Re”, “Java”, “Diana”,”Drita”, “Shtypi” etj. Në gjimnazin e Tiranës, ajo përqafoi idetë komuniste, nëpërmjet mikut të saj të ngushtë Zef Mala, Kryetar i Grupit Komunist të Shkodrës dhe në fundin e viteve ‘30-të, Selfixheja, pati një miqësi edhe me Qemal Stafën e Vasil Shanton, (me të cilët e prezantoi Zef Mala) dhe u pranua si anëtare e Grupit Komunist të Shkodrës, ndonëse ishte studente në Tiranë. Në 1938-ën, Selfixheja shkoi në Itali, në Universitetin e Firences, në fakultetin e Letërsisë, ku asokohe ishin dhe Qemal Stafa, Nikolla Shurbani, Ramadan Sokoli, Andrea Varfi, Musine Kokalari dhe kushërira e saj, Qibrie Ciu. Pasi u kthye në Shqipëri, ajo u rilidh me grupet komuniste dhe pas formimit të PKSH-së, u dërgua në Shkodër për të punuar me Organizatën e Gruas Antifashiste, u arrestua nga italianët dhe u mbajt 11 muaj në burgun e Tiranës. Pas mbarimit të Luftës, bashkëshorti saj, Xhemal Broja u emërua në Komitetin e Arteve në Tiranë, kurse Selfixheja si gazetare në Ministrinë e Bujqësisë, ku nxirrej gazeta “Bujku u Ri”. Më 23 mars 1946, Xhemalin e Selfixhenë i përjashtuan nga Partia, (si anti-jugosllavë) duke i cilësuar “armiq të popullit dhe agjent të misionit amerikan” dhe më 17 janar 1947, i internuan në Gusmar të Kurveleshit, me punë në bujqësi. Pas prishjes me Jugosllavët në ‘49-ën, ata i kthyen përsëri në Tiranë, ku Selfixheja pasi punoi pak kohë në Ministrinë e Arsimit, Selfixheja dha dorëheqjen. Në 1966-ën, Xhemalin dhe Selfixhenë i internuan përsëri për gjashtë vjet në Gradishtë të Lushnjes, duke i akuzuar “për frymë dekadente në Art dhe Letërsi”. Pas kësaj u ndalua dhe shfaqja e filmit “Detyrë e Posaçme”, ku Xhemali kishte një nga rolet kryesore. Ata u rikthyen në Tiranë në 1971-in, ku Selfixheja u mbyll në shtëpi, kurse Xhemali, pasi punoi disa kohë në Kinostudion “Shqipëria e Re” si administrator, u dërgua si punëtor në Fermën Bujqësore “Gjergj Dimitrov”. Atyre iu hoq edhe e drejta e botimit, pasi nga Lidhja e Shkrimtarëve ata të dy ishin përjashtuar që në ‘66-ën. Duke qenë të survejuar nga Sigurimi, ata u mbyllën në shtëpi, ku Xhemali u muar me studime, duke shkruar kujtimet dhe drama. Xhemali ndërroi jetë në vitin 1976, kurse Selfixheja në 2003-in, në moshën 85 vjeçare. Ata lanë dy vajza: Sashenkën dhe Merin. Në vitin 1998, Selfixheja shkroi kujtimet e saj duke i botuar ato në librin ‘Tallazet e jetës’, nga të cilat Memorie.al, ka përzgjedhur dhe publikon disa prej tyre, në këtë shkrim me dy pjesë.
-Rrëfimi i një të internuare, për natën e arrestimit-
INTERNIMI I DYTË
“Në mbasditen e 14 dhjetorit 1966, aktivistë të lagjes, na lajmëruan se të nesërmen do të zhvillohej një mbledhje e posaçme në bllokun tonë dhe se duhej të merrnim pjesë patjetër.
Im shoq, vuri në dijeni se unë isha e sëmurë, ndërsa ai ishte i angazhuar me një punë me afat të caktuar dhe qe difiçitar në kohë e, nuk mund të vente kurrsesi.
“Përse ishte vallë”? – biseduam të dy. Por unë, e sëmurë dhe im shoq, i preokupuar për punën që kishte në dorë, s’e shtymë më tej mendimin ndaj mbledhjes.
Ramë vonë për të fjetur. Ndaj agimit, një trokitje e fortë në portë, na zgjoi e trembur. Çdo trokitje në orë të pazakonta, ndjell kurdoherë parandjenjë të keqe: e tillë qe edhe përshtypja që na kaploi atij çasti. Për më tepër, kjo lidhej edhe me rastin që prej tre muajsh, vajza e madhe ndodhej e emëruar me punë në Shkodër. Kjo ndarje e parë me të na pati përftuar jo vetëm trishtim e nostalgji, por edhe një farë ankthi. Largësia në vetvete, ndjell të papritura, për mirë ose për keq, por kur është fjala për prindërit më së shumti në shpirtin e tyre gjallon ndjellja e së keqes. Këndej, atij çasti edhe ne s’menduam veçse për ndonjë hall të sajin. Mbajtëm frymën dhe pritëm që trokitja të përsëritej, ndërsa instinkti i vetëmbrojtjes na ngjalli një shpresë të vagëlluar se trokitja mund t’i përkiste fqinjit. Por trokitja e dytë, shoqëruar prej thirrjes kob-ndjellëse: “Policia”, asgjësoi çdo iluzion. Im shoq, gjysëm i zhveshur, doli për të hapur portën, ndërsa unë me zemër të ngrirë, ushqeja iluzionin se mos ishte ndonjë keqkuptim. Por pyetja ogurzezë: “Xhemal Broja”? e asgjësoi sakaq atë iluzion.
– “Ti dhe jot shoqe internoheni. A ke pjesëtar të tjerë në familje”? – komunikoi një zë i ashpër.
– “Time bijë këtu dhe tjetrën me punë në Shkodër” – u përgjigj ai me një zë pa ngjyrë.
– “Vajzat nuk përfshihen në këtë masë. Vetëm përgatisni plaçkat sa më shpejt, se s’kemi kohë të presim”, – shtoi Operativi i Sigurimit të Shtetit, duke na drejtuar një vështrim prej kanibali. Ishte rastësi apo i përzgjedhur njeriu me fizionomi, mbet e pashlyer përjetësisht në kujtesën time….?!
Me një frymë revolte, pyeta:
– Përse internohemi?
– “Ti, të pakta fjalët, se ajo gjuhë të mori në qafë”, – m’u gërmush ai.
– Paskam folur? Ku e kur…? Nëse ka ligje, të dënohem në bazë faktesh e jo shpifjesh apo hamendjesh keqdashëse.
– “Atë e di lagja që ka marrë vendimin”, – u përgjigj ai.
– Lagjja…? – thashë, më tepër se e habitur dhe i’u drejtova një anëtari të kryesisë së Frontit, që qëndronte disi i mënjanuar.
– Ju të lagjes keni kërkuar internimin tonë? Përse? A mos vallë për ndershmërinë, korrektësinë tonë, apo për simpatinë dhe respektin që gëzojmë prej banorëve?!
Pyetjes nuk i’u përgjigj asnjëri prej katër të ngarkuarve për ekzekutimin e një urdhri.
Ne s’ishim në dijeni se mbledhja e një dite më pare, ishte provokuar për këtë qëllim. Një i deleguar në atë mbledhje, Gafur Çuçi (anëtar i Komitetit Qendror të PPSH-së), që as na njihte dhe as e njihnim, pati parashtruar akuzat e përgatitura së larti, të kamufluara si masë e vendosur në bazë blloku, që konsistonin:
- Paskëshim qenë edhe një herë tjetër të internuar (ndonëse për atë masë internimi të para njëzet vjetëve, me vendim të Komitetit Qendror, na ishte njohur pafajësia)!
- Unë paskësha shkruar me frymë dekadente (ndërsa ato shkrime, të botuara në fletoret apo revistat tona, vetëkuptohet, kishin kaluar në sitën e redaksisë përkatëse).
- Paskëshin propaganduar rreth Konferencës së Tiranës të vitit 1956 (aktualisht ishim në vitin 1966), fakt ky që hidhet poshtë këtë akuzë, mbasi po të kishin pasur të dhëna të tilla, do të na kishte përfshirë vala e përndjekjes me kohë e, jo pas dhjetë vjetësh, aq më tepër që pozitat tona qenë të lëkundura!
Lidhur me masën kundër nesh, po hap një parantezë. Duke qenë se në mjedisin intelektual pati pëshpëritje indinjate rreth kësaj ngjarje, në përgjithësi e në veçanti për në të dy, qoftë për konsideratën si luftëtarë të vijës së parë për çlirimin nga okupatori, qoftë për konsideratën si njerëz me parime të shëndoshë morale e qytetare, gjithashtu për kontributin e dhënë si letrarë dhe angazhimin në mbarëvajtjen e sektorit të artit e kulturës, përgjithësisht, për të kamufluar bllofin e parashikuar, dy-tri ditë pas ngjarjes, në një konferencë provokuar me intelektualë, i dërguari i Komitetit Qendror, Manush Myftiu, midis problemesh të tjera, rreth ngjarjes në fjalë u shpreh në këtë mënyrë: “Nëse Xhemal Broja desh të ndiqte të shoqen, ne s’kemi ndonjë faj”! Kjo deklaratë e një personaliteti të dorës së parë s’kish si të mos zinte vend në atë mjedis, por edhe në përhapjen më gjerë. A mund të dyshohej se ai gënjente, aq paturpësisht? Për të neutralizuar atë frymë disfate, sakrifikuan njërin prej nesh.
Pas parashtrimit të akuzave të sipërshënuara, u kërkua të diskutohej dhe sipas praktikës në raste të kësaj natyre, për t’i dhënë ngjyrën se vendimi merrej nga baza (masa) dy-tre elementë të udhëzuar propozuan masën e internimit tonë, si njerëz të padëshiruar në Tiranë: “Oh, ç’tragjedi-komedi luhej për të mashtruar popullin e tulatur nën trysninë diktatoriale!” Në realitet, vendimi për internimin tonë qe një akt i Komisionit të Dëbim – Internimeve, jo i mbledhjes së një dite më parë. Këtë e bën të qartë caktimi i rrethit ku do të shkonim, angazhimi i banesës qysh një javë më parë, i automjeteve për transport, siç deklaronin vetë shoferët.
Përsëritja e urdhrit: “Shpejtoni, mblidhni teshat se s’kemi kohë të presim”, na shkundi nga ajo gjendje hutimi. Vajza 15 vjeçe, e tronditur, e përlotur, ende me këmishë nate, pa konceptuar dot arsyen e gjëmës që po i binte në kokë, rrotullonte vështrimin nga njëri te tjetri për të gjetur mbështetje te prindërzestë. Njëri syresh i’u drejtua: “Përmblidh veten, vishu dhe jepu një dorë për të mbledhur teshat”. Ai timbër butësie më tërhoqi vëmendjen: “Si është e mundur?! Apo ndoshta është prind dhe duke përfytyruar fëmijën e tij në rrethana analoge, instinktivisht gjalloi tek ai “njeriu”. Por monologun tim të brendshëm ma ndërpreu pyetje e tij:
– “Ku do të qëndrojë vajza”?
-Te vëllai im, te motra ose atje ku mund ta mbajnë, – iu përgjigja.
-Shko një herë te tezja, – i thashë vajzës, – pastaj si të vendosni.
Ajo si somnambul, vërtitej nëpër këmbë, si një foshnje që kërkonte strehë mbrojtjeje, apo mos donte të bëhej ajo vetë strehë mbrojtjeje për ne?
-“Vishu dhe eja të të përcjell unë”, – i tha i njëjti person – “Ku e ka shtëpinë tezja”?
-Vajza na hodhi një vështrim të trembur, por pas aprovimit tonë u largua e shoqëruar prej tij. Ne i besuam “njeriut” të atij çasti. Ndërsa po përfundonte ngarkesën, vajza u kthye e shoqëruar prej sime motre, e cila qe thyer dyfish prej tronditjes. Duke u ndarë me të, i lamë porosinë me një shprehje lemerie të papërshkrueshme. Kuja e saj rrëqethëse, që mund të kishte zbutur edhe egërsirat e pyllit, ekzekutuesit e gjëmës i la indiferentë. Kur ajo na u hodh ndër krahë sikur s’do të shkëputej më, zëri i ashpër i Operativit të Sigurimit briti:
-“Shpejt, s’kemi kohë të presim”! – ndërsa fqinjës, që pyeti e alarmuar: “Ç’ka ndodhur?” – iu gërmush: – “Ti futu brenda dhe mbyll gojën”!
Makina u vu në marsh e ne prindërzezëve, na u desh të shkëputim bijën prej gjiri përdhunshëm. U ndamë!
Zhurmën e makinës e neutralizoi shungullima e kujës së saj: “O mami, O Babiii…”! që kapërcente kufijtë e dhimbjes e duke përshkruar thellësinë e natës, paralajmëronte një agim të kobshëm.
***
Mugëtirë e thellë. Në përshkimin e rrugëve të Tiranës përhumbja e çasteve të para, po i linte vendin një përqendrimi të ngurtë. Katastrofa tanimë po shpalosej me tërë peshën e saj tragjike. “Ku po na çonin? A do të kishim forcë për ta përballuar dhe çfarë po na priste? Po vajzat…”?
Automjeti ndali para sheshit të Kombinatit të Tekstileve. Një varg makinash, ndaluar aty pari, na tërhoqën vëmendjen. Ngarkesa e tyre me orendi shtëpiake dhe elementë të Sigurimit në shoqërim, na dhanë të kuptonim domethënien e kushteve analoge. Ndërmjet personash të shpërndarë përreth, ose brenda automjeteve, dalluam edhe të njohur, përbërja heterogjene e të cilëve na çorientoi më tepër. Ç’po ndodhte? Çfarë kishte dhënë shkak për këtë veprim të pakonceptueshëm? Apo ishte thjeshtë një fushatë, kohë më kohë e nevojshme për t’iu skërmitur popullit dhe mjerë kujt i bie numri për të përfaqësuar shembullin? Ndërkaq kurbanët u bënë!
Me sa u informuam më vonë, ajo skërmitje bëri efektin frikë ndjellës te të dobëtit, aq sa, për ditë me radhë, boshatiseshin rrugët nga kalimtarët, duke u strukur që herët nëpër shtëpira. Ndërsa në atmosferën e përgjithshme, me gjithë demagogjinë e ushtruar rreth kësaj ngjarjeje, fryma e mospajtimit dhe e indinjatës e elementit të shëndoshë, mbeti e pathyeshme.
***
Pasi mbërritën te ai stacioni edhe të vonuarit, vargu i makinave, si një kortezh i përmotshëm, nisi udhëtimin në drejtim të jugut. Në makinën tonë vendosën edhe një të ri, P. Guga, e gjithë bagazhin e teshave. Fizionomia e tij reflektonte hidhërim të skajshëm. Im shoq kishte njëfarë njohjeje me të dhe tani po na bashkonte i njëjti fat. Përshëndetja që këmbyem qe e mjerë, e ngrirë, si vetë shpirti ynë, e ngrysur si nata e së ardhmes sonë.
Atë, në kulmin e forcave mendore dhe fizike, në fazë pjekurie profesionale e kulturore, në periudhën kur intimja merr një kuptim të thellë e jeta premton shpresa e dritë më tepër se kurrë, pikërisht tani e goditi sëpata në trung. Ne, të lodhur nga peripecitë e jetës tonë ndër vite, në periudhën kur koha mund të ndihmonte vullnetin tonë për t’u vënë melhem plagëve të kaluara, kjo goditje do të na rrëmihte më thellë. Të lëshuar në prehrin e dëshpërimit të çasteve të para, që të dy palëve na mungonte forca për të lehtësuar njëri-tjetrin. Një heshtje e thellë meditative, po u bëhej strehë mendimeve tona të zymta.
Mbas disa orësh udhëtimi të ankthshme, në afërsi të destinacionit, rrethi i Lushnjes, grupi u nda në drejtime të ndryshme. Ne u përfshimë në grupin prej katër familjesh dhe dy beqarësh. Sektori i caktuar për ne që një sektor i ri, i ngritur në moçalishten më të thellë të rrethit. Në të kaluarën ajo copë kënete, e veshur me kallamishte, shushunja, gjarpërinj e mushkonja të pa fund, quhej: Shën-premte. Aktualisht emërtohej thjeshtë “Sektor”, ndërsa të internuarit që e popullonin, ndërmjet tyre e kishin pagëzuar “kryeqytetit i reaksionit”, mbasi aty shumica përbëhej prej familjeve të ish-funksionarëve të lartë, të ekzekutuar ose në arrati, prej bajraktarësh, që kishin me dhjetëra e dhjetëra të mbetur ndër luftime, të pushkatuarish me gjyq ose pa gjyq, të arratisurish në periudhën e fundit të Luftës, ose pas saj, etj. Disa prej tyre që qenë vendosur aty ndër të parët, kur bënin krahasim gjendjen e tanishme me atë të fillimit kur zhyteshin deri në fyt në llucë për të tharë atë kënetë, me një lloj ironie na drejtoheshin: “Ju tani keni ardhur si për tebdil-hava, s’keni përse ankoheni…”! Ironi e hidhur!
***
Kur arritëm qe pothuaj buzëmbrëmje. Secilit i treguan banesën e caktuar. Në njërën prej hyrjeve, tek i njëjti apartament, u caktuam tre familje, në fakt tre çifte, se fatmirësisht, fëmijët në përgjithësi nuk përfshiheshin në këtë masë dhe mbetën në Tiranë. Çiftin tjetër e vendosën në njërën prej barakave të destinuara për gjithë masën e të internuarve, ndërsa dy beqarët, njëri arsimtar dhe tjetri ekonomist, ndonëse të dënuar politik, i vendosën në kapanonin që përmblidhte edhe të dënua ordiner nga llumi i shoqërisë. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016