Nga Dalip Greca
Memorie.al / Bashkim Muhedini jetonte në Nju Jork. Në fundjavave ne takoheshim shpesh, tek ‘Portofino-Café’. Si shumë shqiptarë të tjerë, fati dhe hallet e hodhën përkëtej Atlantikut, edhe Bashkim Muhedinin, njëri prej portierëve të shquar të ekipit të “Partizanit” dhe të Kombëtares së Shqipërisë, njëri prej trainerëve që në 10-vjeçarin e fundit të karrierës, tregoi vlera në drejtimin e ekipit të futbollit të Përmetit dhe të ekipeve zinxhirë të moshave të vogla të “Partizanit”. Emri i portierit të talentuar, është përjetësuar në kronikat e shtypit të kohës dhe në statistikat e librave të futbollit.
Por, si shkoi Bashkimi tek porta e ekipit të shquar “Partizani”?! Ku u end fëmijëria e tij, kur dhe si nisi karriera sportive, si kaloi nga pasioni për lojërat me dorë, tek futbolli dhe si hyri rastësisht portier në Spartakiadën e Pionierëve që zhvillohej në qytetin e Durrësit? Cilët janë portierët e shquar që admiroi ai? Përse e larguan nga porta në moshën 29 vjeçare dhe e degdisën në Zall-Bastar, ish portierin e kombëtares?! Si u takua me portierin e shquar rus, Lev Jashin dhe si u ndëshkua Overati i madhi Gjermanisë Perëndimore për një “mëkat” që bëri ndaj Muhedinit, në ndeshjen në Karlsruhe?!
Këto e të tjera pyetje, do të marrin përgjigje përmes bisedës që patëm zhvilluar me Muhedinin kohë më parë në Bronx-Nju Jork, në lokalin “Joni Blu”.
-Z. Bashkim, si ju kujtohen fillimet e para, kur dhe si zutë vend në portë?
-Po më ktheni në vitet më të bukura të jetës sime, me këtë pyetje. Banoja tek “Shallvaret”. Banesa ime, rrethohej nga terrene të shumta sportive. Pranë, kisha terrenet sportive të shkollës “20 Vjetori”, më tej parku i njohur i tenisit, në veri-lindje shtrihej Parku “Rinia”, në vazhdim, vinte Pallati i Pionierëve; në Jug-Lindje, ndodheshin terrenet e shkollës “11 Janari”.
I përmenda të gjitha këto, sepse nëpër ato terrene u end fëmijëria ime. Aty u grimëzua bota ime sportive, aty u trupëzua formimi im sportiv. Isha një fëmijë çamarrok, kur shikoja ekipin e Tiranës në stërvitje në fushën e “Punës”, siç quhej asokohe ekipi i Tiranës. Aty pashë dhe Panon e madh për herë të parë dhe më dukej çudi, se si mund të isha aq afër tij. Kënaqesha kur kapja topat pas portës dhe i ktheja në fushë, ku luanin të mëdhenjtë e futbollit. Lëre pastaj se ç’ndodhte, kur më afronin të zija vend në portë, kur mungonte ndokush, bëhesha me krahë, i gatshëm të fluturoja…”!
Më pas Bashkimi tregon, se është ushtruar edhe në lojërat me dorë. Në Pallatin e Pionierëve, Petrit Qendro, e kishte zgjedhur në ekipin e basketbollit. Ai nuk e quan kohë të humbur marrjen me basketboll. “Basketbolli më fali shtatgjatësinë dhe shkathtësinë e përdorimit të duarve në kapjen e topave”, thoshte Bashkimi. Por nuk ishte vetëm basketbolli dashuria e parë sportive e Bashkim Muhedinit.
Ai tregon se i ka pëlqyer dhe e ka ushtruar për një kohë edhe volejbollin. Loja e volejbollit i pëlqente dhe iu kthye në një dëshirë që jetoi gjatë me të, për arsyen e thjeshtë se trajneri i mrekullueshëm Vangjel Koja, atëherë mësues i Bashkimit, tek shkolla “11 Janari”, kishte aftësinë që të bënte për vete.
”Ai punonte me djemtë, njësoj siç punon një skulptor me daltën e tij, për të gdhendur figurën artistike”, tregonte me admirim Bashkimi.
-“Atje i kam fillimet e para sportive, tek shkolla ‘11 Janari’. Atje kanë mbetur gjurmët e fillimeve të para sportive; në oborrin e saj, në fushat sportive të pluhurosura nga qymyri, kanë mbetur gëzimet e fitoreve, klithjet, rendjet me top”, – thoshte Bashkimi, tek kthehet në kohën e largët të fëmijërisë. Pastaj shton: “Aty ndesheshim edhe me ekipet e shkollës ‘Emin Duraku’, e cila kishte në gjirin e saj, emra që do të bëheshin të njohur në sportin shqiptar, si: Agim Jankun, Faruk Sejdinin, M. Çobanin, B. Beliun, e të tjerë.
Po si shkoi Bashkim Muhedini tek porta e “Partizani”-t? Pyetjes sime, ai i përgjigjet në mënyrë poetike: – “Ishte viti 1961. Kujtimet vijnë e bien si gjethet, por çuditërisht nuk zverdhen nga koha, edhe pse kanë kaluar dimra të egër mbi Shqipërinë tonë. Shkonim në Spartakiadën Kombëtare në Durrës. Ekipi ynë nuk kishte portier. Trajneri, Hyqmet Meçe, më propozon të futem në portë. U futa për të qëndruar gjatë. Porta u bë dera e jetës sime për shumë kohë.
Ajo ishte dhe drama ime, plot ankth. Porta u bë gjithçka për mua. Luajta mirë atë ditë, duke e ruajtur si një gardian i rreptë, portën që më besuan. Arrita të pres dhe penalltinë. Ah ajo pritje…! E prita nga njëra anë, por u zgjat nga ana tjetër…! Nejse, ende isha mes pasionesh e dëshirash të shpërndara. Ende i doja shumë basketbollin dhe volejbollin”.
Por ç’ndodhi më tej me portierin e Partizanit dhe Kombëtares shqiptare?
Befas u gjend në shkollën ushtarake “Skënderbej” i veshur me uniformë. Në terrenet e asaj shkolle, u njoh me trajnerin Bejkush Birçe, i cili pasi pa cilësitë e tij intuitive, pasi pa reflekset, punoi që ta përgatiste për portën. Gjuante vetë Birçja dhe Bashkimi priste. Më 1965-ën, në një kampionat brenda shkollës, bëri figurë të mirë. Prej aty “rrëshqet” tek ekipi i të rinjve të “Partizanit”. Por edhe aty aventura nuk do të zgjaste shumë…!
Emri i portierit të talentuar, kishte rënë në sy të ekipeve të kryeqytetit. E priste ekipi i të rriturve të atij formacioni që atëhere lulëzonte me emra të mëdhenj, “Partizani”. Bashkimi kujton se e ndjente veten të emocionuar, përballë emrave të famshëm të ekipit. Ai ishte krenar, që ka luajtur përkrah emrave të mëdhenj të futbollit shqiptar si: Lin Shllaku, Robert Jashari, Ramazan Rragami, Sabah Bizi, Mihal Gjika, e të tjerë.
Kur i kërkoja t’më përmendte më shumë emra të kohës së tij, ai ndjellte kujtimet…! “Kohë e nxehtë, në kujtimet e mia. E artë ajo kohë…! E tejdukshme. Shumë emra në kujtesë…! Pranë meje Mikel Janku, T. Jozja, F. Lela, F. Ismaili, Jani Kaçi, Arjan Hoxha. Më pas, si përtej horizontit, do të ravijëzohen portretet e Aetur Lekbellos, të bujshmit Perlat Musta, Tani Konomi, i cili pati udhë të shkurtër, nga që ia mbyllën shtigjet me ato grackat e politikës”.
E pyesja Muhedinin, nëse ka patur ndonjë model portieri ,që e ka adhuruar dhe nëse ka imituar ndonjë prej tyre?
Ai veçon Lev Jashinin. “E kam adhuruar atë”, thotë ai. Fati e dha që Bashkimi, të takohej me të dikur në Bullgari. Ekipi i “Partizanit”, do të luante në Sofje, me ekipin e njohur “CSKA”. Atë kohë Jashini i famshëm, ishte trajneri i ekipit “Dinamo” të Kievit, i cili po kthehej nga Greqia, ku kishte zhvilluar ndeshje.
– “Nuk e di se si e ndjeva veten”,- kujton Bashkimi.- E kisha ndjekur gjithmonë nga larg, ndërsa ato çaste isha përballë portierit të madh, që kishte bërë botën sportive, të drithërohej”.
Në shenjë kujtimi, Jashini i dhuroi një palë doreza, që Bashkimi i ruajti gjatë, si një gjë të shtrenjtë. Ndërsa pjesës tjetër të pyetjes, nëse ka patur ndonjë model imitimi në portë, Bashkimi i përgjigjet prerë: “Në portë nuk mund të imitosh, por duhet t’i besosh vetëm vetes, intuitës dhe reflekseve të tua, ndryshe ndëshkohesh”.
Nga portierët shqiptarë, ai veçonte Sulejman Maliqatin, i cili në lojërat e Laipcigut, u cilësua nga tifozët gjermanë si “Macja e zezë”.
Për Bashkimin, “Macja e zezë”, mbetet një model i pakrahasueshëm i futbollit shqiptar, një figurë brilante, e paarritshme. Ndër më të mirët e portës, ai radhiste edhe të madhin Qemal Vogli. Edhe ai i pakrahasueshëm si nga fama, ashtu edhe nga fati. I dënuar, i persekutuar prej shumë kohësh, gati i harruar pas famës. Ndër portierët e shquar, Bashkimi përmendte edhe Paulin Ndojën, i talentuari i “Vllaznisë”, që e përndoqi gjatë të gjithë kohës, “gogoli” i biografisë.
Dhe ai portier i talentuar, iu desh ta ndrydhte dhuntinë refleksive, brenda shpirtit të dërmuar. Biografia politike, ia përzhiste gishtërinjtë në momentin e kapjes së topit dhe ia përcëllonte të ardhmen, që shpalosej e kufizuar përtej përmasave të topit të futbollit. Deri para pak vitesh, Paulini, punonte si trajner i portierëve të “Vllaznisë”, por ç’e do, rinia u vra e shpirti i mbeti plot plagë, që ende i rrjedhin…?!
Po cila është ndeshja që ka mbetur në kujtesën e Muhedinit?
E ka të vështirë të rikthehet e të ndalet vetëm tek njëra prej tyre. Secili takim ka mbresat dhe emocionet e veta. Pastaj veçon një takim të ekipit të “Partizanit” me atë të “17 Nëntorit”. Ky ishte takimi që do të zyrtarizonte mbetjen e Muhedinit, tek ekipi i “Partizanit”. “Gjatë të gjithë kohës, – kujton ai, -kishte pranë dhe Mikel Jankun, i cili me përvojën e vet, me bujarinë e tij, i ofroi mbështetje të pakufishme.
Më pas kujton një takim tjetër, atë me “Apolloninë” e Fierit . Takimi zhvillohej për Kupën e “Republikës” në vitin 1968. Ishin takimet e para të atij aktiviteti dhe “Partizani”, nuk e vlerësoi seriozisht “Apolloninë”. Ekipi luante si i mpirë.
– “E parandjeva humbjen në pjesën e parë, – rikujton Muhedini. – Pësuam jo pak, por 4 gola, duke mos shënuar asnjë. Prisja që trajneri Refik Resmja, t’më ndërronte. Vërtetë nuk luajta keq, por ç’rëndësi kishte, pësova 4 gola. Rezultati, më gjykonte mua të parin. Refiku i thotë, Spiro Gjikës, (qendërmbrojtësi i atëhershëm), që të qëndronte më afër portës: – Ndihmoje Bashkimin, është djalë i ri,-i tha ai”.
“Pjesa e dytë foli për ‘Partizanin’. Panajot Pano dhe Agim Janku, e barazuan rezultatin, në 4:4. Pas ndeshjes e ndjeva veten të lehtë pendë. Besimi i trajnerit nuk kishte shkuar kot”.
Në radhën e ndeshjeve që flenë në kujtesë për shumë kohë, Bashkimi fut takimin me gjermano perëndimorët. Në vitin 1971, Kombëtarja Shqiptare, do të luante me ekipin gjerman në Karlsruher, qytet i vogël në kufi me Francën. Ekipi i atëhershëm që drejtonte trajneri madh Helmut Shen, të trembte me emrat e mëdhenj: Bekenbauer, Majer, Overat, Netxer, Vogst, Grabovski, Myler…! Në Tiranë, Kombëtarja jonë zhvilloi një takim historik.
Ndeshja u humb, por me dinjitet, 1:0. Ka qenë takimi më i komentuar në shtypin sportiv botëror. Një gol i anulluar për shqiptarët, që kishin tronditur superfuqinë botërore të futbollit. Në Tiranë, Bashkimi nuk luajti. Nuk e lejoi Loro Boriçi, ngaqë ishte me temperaturë të lartë. Në vend të tij, luajti Koço Dinella, i cili zhvilloi ndoshta takimin më të mirë të jetës së vet. Një ruajtës i madh i portës në atë ndeshje historike, që ka hyrë në kronikat sportive të kohës.
Tek kujton takimin e Gjermanisë, Bashkimi thotë se; ai qe një takim shumë më i vështirë se ai i Tiranës: “Ngarkesa psikologjike ishte më me tension. Gjermanët që u ‘shushatën’, e u ‘trullosën’ do të përpiqeshin që të rikthenin nderin e humbur në Tiranë. Mbaj mend, se u stërvitëm shumë”. Madje trajneri tjetër i kombëtares, Ilia Shuke, zhvilloi seanca të veçanta stërvitore, me portierin Muhedini. “Madje edhe para takimit në Karlsruhe, u zhvillua një 45 minutësh special. Vlerësimi i takimit ishte maksimal. Gjermanët e kishin ngritur moralin, sepse sapo kishin mundur thellë Rusinë me rezultat 4:0.
Prisnin një fitore të thellë edhe me shqiptarët që i kishim ‘turpëruar’ në Tiranë. Takimi qe i ashpër. Secili ekip përpiqej të sfidonte tjetrin. Gjermania kërkonte gol, që në minutat e para. Por edhe shqiptarët e kishin moralin e ndeshjes së parë. Për ta, gjermanët ishin çmitizuar. Gati i gjithë ekipi gjerman, mësynte drejt portës sonë dhe në hapësirën që harronte bosh gjendeshin sulmuesit e shpejtë shqiptarë, edhe pse në portë vigjëlonte Majeri i pamposhtur, i cili përcolli me vështirësi jashtë një gjuajtje të rreptë të Sejdinit.
Ekipi ynë përpiqej të luante si i barabartë me superfuqinë botërore të futbollit. Por, fatalisht vjen goli i parë. M’u duk se faji qe krejtësisht imi. Më duket se goli u shënua në minutën e 17-të. Ishte Netzer që më ndëshkoi. Me dhimbje e ndoqën topin që u përplas në rrjetë, Astrit Ziu, Zan Rragami, e Lad Balluku…! Mbaj mend që Overat, u hodh nga gëzimi duke thirrur fort…! U bëra nervoz. Më vinte inat me veten. Boriçi më thërriste: – ‘Më i qetë djalë më i qetë’! Më pas erdhi dhe goli i dytë…! Pra 2:0 pjesa e parë, për të zotët e shtëpisë”.
Më tej, Bashkimi kujtonte: – “Në pushim, Loroja i madh më tha:- Muhedin, luaj si në pjesën e parë. Veç tregohu më i qetë…! Dhe ashtu ndodhi. Unë u qetësova. Nuk e lashë rrjetën të prekej më. Pjesa e dytë iku shpejt, pa gola. Nuk harroj emocionet që më krijuan tifozët gjermanë, në momentin kur Overat më provokoi, duke më nxjerrë takat në dyluftimin ajror…”!
Pas reagimit të Muhedinit, tifozëria gjermane shpërtheu në fishkëllima e thirrje, kundër Overatit të madh. Ndërhyri menjëherë trajneri gjerman, Shen, i cili e çoi në stol mbrojtësin e vet, një nga pikat e forta të ekipit…!
Shtypi gjerman shkroi me simpati për portierin shqiptar, pas asaj ndeshje. Që të mbrohej porta shqiptare në ndeshjen e sfidës, duhej një portier me nerva të çelikta.
– “Tek Partizani, – thotë Bashkimi, – e ndjeja veten të sigurt, pasi kisha në ndihmë një repart të kualifikuar mbrojtësish shtatlartë, si: Safet Berisha, Bujar Cani, Astrit Ziu, Londo etj…”!
Si sulmuesin më të mirë të Shqipërisë, ai veçon Panajot Panon.
-Cili nga sulmuesit kundërshtarë të ka bezdisur më shumë? – është pyetja që i drejtoj Muhedinit, për të nxitur bisedën.
Ai qesh dhe përgjigjet; – “Jo se më bezdisnin, por sidoqoftë ishin të aftë, të tundnin edhe rrjetën që mbroja unë”.
Dhe rëndit më të shquarit e sulmit kundërshtar: Din Zhega, Ilir Pernaska, Petrit Dibra, Xhambazi, Tut Leshteni, Sefedin Braho, Mexhit Haxhiu, Zile, Duçka, Lleshi, Ibërshimi…! Bashkimi e ndjente veten, ende pjesë të “Partizanit”, dhe përgëzonte arritjet e ekipit dhe të ish-presidentit Albert Xhani, që kishte krijuar kushte për ekipin. Veçonte trajnerin Neptun Bajko, i cili është për të, një nga trajnerët më të aftë të Shqipërisë dhe një kandidat i pashfrytëzuar sa duhet, për ekipin kombëtar.
Muhedini ishte ca skeptik, për trajnerët e huaj, të cilët nuk njohin mentalitetin e futbollit shqiptar dhe aq më pak, njohin psikologjinë e lojtarëve tanë. Shqipëria ka shkollën e vet të përvojës. “Pse, kaq shpejt u harrua shkolla jonë e trajnerëve të mëdhenj, si: Loro Boriçi, Myslym Alla, Zyber Konçi, Skënder Dedja, Shyqëri Rreli, Miço Ndini, e të tjerë. Ka prej atyre që dolën nga shkolla e mjeshtërve shqiptarë, që kanë drejtuar ekipe të kategorive të ndryshme, nëpër vende të Ballkanit e në Europë. Bashkimi mendonte se shkollat sportive, duhet të rihapeshin dhe të kultivohen talentet e reja.
Ish-portieri i kombëtares, mendonte se lojtarët shqiptarë, që luajnë nëpër Evropë, që nuk janë, pak por shumë të tillë, kanë për ta pasuruar ekipin kombëtar, por një pjesë prej tyre, nuk e japin kapacitetin që zotërojnë dhe i shohin si superior, futbollistët që luajnë në kampionatin tonë. Megjithatë, ekipi ynë kombëtar, ka dhënë lojëra me nivel. Dhe ai sjell si shembull fitoren me ekipin kombëtar të Greqisë, ose barazimin me Zvicrën, për të zbehur shkëlqimin e përkohshëm me humbjen e thellë në Rusi.
Bashkim Muhedini ka krijuar përvojën e vet si trajner. Duke qenë se ka punuar për disa vjet trajner i ekipit të Përmetit dhe para se të vinte këtu në SHBA-ës, trajner i të vegjëlve të “Partizanit”, ai gjykon se është në të mirë të sportit shqiptar, që të vihet në baza të organizuara, përgatitja e trajnerëve . Pa suksesin e kohëve të fundit, të trajnerëve, ai e shihte si ndikim të një kompleksi faktorësh. “Ka shumë faktorë që ndikojnë, por mbi të gjitha, mungon shkrirja e trajnerit me ekipin, njësimi i tij me futbollistët e ekipit, njohja e psikologjisë e secilit pjesëtarë të ekipeve”.
Për pak çaste, dukej se Bashkimi meditonte: “Kur kthen kokën pas, – ravijëzohet e kaluara. Aty është pozicioni yt, udha jote. Ajo mbetet ashtu siç u përshkua prej teje, prej meje, prej gjithkujt. Nuk gjykohet më. Nuk ndryshohet. Nuk afrohet. E ngurtë dhe po aq e ngrohtë”. Por…! Vite të tëra në murimin e sportit. Një jetë me futbollin. sportin më popullor në Shqipëri, gati i vetmi argëtim masiv i shqiptarëve, që mezi prisnin fundjavat e futbollit.
Atë ditë në stadium, ata tjetërsoheshin, harronin andrallat e jetës dhe bëheshin si me krahë. Dhe ai kthehet për një çast në pas kohë: “Vite të tëra, dëshira, ëndrra, realizime, dështime, djersë, punë, lodhje, dyshime…”! Pastaj sikur të zgjohet nga një ëndërr, Bashkim Muhedini, tregon për zhgjëndrrën:
– “Kisha ende shumë për të dhënë. Isha ende refleksiv e intuitiv. Por, si për të gjithë, edhe për mua ‘fati’ ma kishte përgatitur një ‘kurth’. Ishte viti 1976, kur kuçedra politike, do të zgjaste një nga kokat e saj dhe do t’më hiqte nga porta, jo vetëm nga porta…! Më largojnë nga sporti, me të cilin kisha lidhur jetën, të cilit i kisha dhënë shpirtin, rininë time, gjithçka që kisha. Urdhri ishte i rreptë dhe kishte hijen e prangave: Ik, largohu”! – kujton Bashkimi.
“Ishte prishur biografia…, – thotë Bashkimi. – Nuk e di, nëse e ke ndjerë ndonjëherë dhimbjen e shpirtit të vrarë nga një çast fatal, nuk e di se ku është përbindëshi që të ka turbulluar jetën, nuk di ku ta kërkosh…! Nuk di se si të shpëtosh. Ke ecur ndonjëherë në errësirë?! Ke ndjerë pasigurinë e hedhjes së hapit në buzë greminë?! Dhimbja merr formën e mjegullës, ndërsa e drejta, fshihet gjëkundi, ku ti nuk je i zoti të depërtosh. Dhe ti, i pazoti për të kundërshtuar përbindëshin, i kthehesh vetes…! Asnjë ekip, nuk më hapi më dyert…”!
Gjithçka u harrua. Edhe pse kishte më shumë se 50 ndeshje ndërkombëtare në statistikë dhe qindra ndeshje me “Partizanin”, me ekipin Olimpik, me Shpresën, etj., askush nuk kishte kurajën të ndalte kuçedrën. Më pas Bashkimi, gjeti qetësinë fshatrave, edhe pse atje ia pruri në majë të hundës, kryetari i Këshillit Popullor. Luante me fshatarët dhe me nxënësit e vet në Zall-Bastar. Dashuria e nxënësve dhe respekti i fshatarëve, shërbyen si balsam, për shpirtin e tij të vrarë. Memorie.al