Nga Shpresim KASAJ
Memorie.al/ Ajo që më tërhoqi vëmëndjen në punën e grupit të të persekutuarve politik të Vlorës, që përgatiti albumin për të pushkatuarit, të vdekur në burgje, të dënuar apo internuar, shkurt për dhunën dhe terrorin komunist në rrethin e Vlorës, ishte se: sa herë që ngecte puna, pyetej Aranit Hoxha dhe ky nxirrte nga gjiri fletore e blloqe shënimesh dhe lexonte të dhënat që i kërkoheshin.
Këto fletore e blloqe shënimesh, ku kishte mbajtur të dhëna për secilin të dënuar apo të persekutuar politik, nuk i mbante në çantë, por në gjirin e tij si relikte shumë të shtrenjta dhe të dashura. E pyeta se ku i kishte gjetur e marrë këto të dhëna dhe ai më sqaroi se: për to, i ishte dashur një punë njëzet vjeçare, duke lëvizur e pyetur fshat më fshat e shtëpi më shtëpi, ku merrte takim me familjarët e të dënuarve dhe të persekutuarve politikë. Gjithashtu, më sqaroi se këtë punë nuk e kishte quajtur të mjaftueshme, pasi të dhënat i kishte verifikuar me arkivat e shtetit.
Nga Aranit Hoxha, mësova se komunistët e Vlorës i kishin vrarë, më 14 shkurt të vitit 1944, pa gjyq dhe pa asnjë faj të atin, Sulo Hoxhën. Ai më dhuroi edhe një libër të shkruar Mynyr Zyka “Një engjëll Shqipërie”, që i kushtohej atit të tij. Pasi e lexova atë libër, vura re se titulli përputhej me brendinë dhe, se Sulo Hoxha, kishte qenë vërtet një engjëll mirësie si hoxhë dhe mësues, që predikonte dije, dashuri dhe vëllazëri midis njerëzve, gjë që shkonte ndesh me ideologjinë e komunizmit që predikonte luftë klasash, dhe për këto, Sulo Hoxha nuk e donte komunizmin.
Ky ishte edhe faji i vetëm i tij, për të cilin klika komuniste e vrau në mënyrë barbare, duke e zhveshur dhe lënë në mes të pyllit në mëshirë të bishave. Atëherë e kuptova mirë pse i mbante autori Aranit Hoxha në gji, fletoret dhe blloqet e shënimeve me të dhënat e të vrarëve dhe të dënuarve politikë nga regjimi komunist. Atij, qysh në fëmijëri i ishte djegur shpirti nga ai regjim. Të gjitha këto i mësova atëherë, kur Sula Hoxha më tha se kishte ndërmend të shkruante dhe të botonte një libër.
Gjatë këtyre dy-tre vjetëve që kanë kaluar, qysh atëherë, ai i plotësoi dhe i sistemoi këto të dhëna dhe m’i dha mua për t’ia redaktuar. Dhe ja sot, Aranit Hoxha ka dalë përpara lexuesve me librin e tij të parë: “Gjëmat e komunizmit në trevën e Vlorës”, prej 285 faqesh.
Qëllimi i tij është i thjeshtë dhe fisnik: të nxjerrë në dritë e të zbardhë krimet e sistemit komunist gjatë një periudhe gjysmëshekullore. Vetëm duke i nxjerrë në dritë ato krime, brezat që nuk e kanë jetuar dhe nuk e njohin atë kohë, do ta njohin se çfarë kolere dhe gjëme ishte ai sistem dhe nuk do të lejojnë që ai të instalohet përsëri në Shqipëri. Ky është mesazhi i thjeshtë i librit të autorit Aranit Hoxha.
Një libër i tillë ishte i domosdoshëm për publikun e gjerë. Ata që nuk e kanë jetuar atë kohë, s’kanë se si t’i dinë këto krime, madje edhe ne, që e kemi jetuar atë kohë, nuk mund t’i dinim me hollësi, siç përshkruhen në këtë libër. E si mund t’i dinim?! Kush mund të fliste për to, në atë kohë? Natyrisht, dinim që kishte të pushkatuar dhe të dënuar dhe që kishte pasur gjenocid, por nuk mund t’i dinim përmasat e tij reale.
Të vërtetën drithëruese e mësojmë nga libri i Aranit Hoxhës. Le ta shohim konkretisht. Vetëm në rrethin e Vlorës janë pushkatuar ose varur në litar 434 vetë, të cilëve po t’u shtohen edhe 77 persona të vdekur në burgje dhe hetuesi, bëjnë 514 shpirtra njerëzorë, të marra padrejtësisht. Po kaq është afërsisht edhe numri i dëshmorëve vlonjate të vrarë nga pushtuesit nazifashistë.
Por, këtu ka një dallim, dëshmorët i vrau armiku dhe populli i nderon me lule e kurora, kurse këta, dëshmorët e Aranit Hoxhës u bënë viktima të një lufte vëllavrasëse, të nxitur nga një klikë e varur nga të huajt, që pasi i vrau, i shau, i mallkoi, i anatemoi aq sa emrat e tyre nuk mund t’i zije dot në gojë.
Numrit së të vrarëve nga klika e më pas regjimi komunist, po t’i shtohet edhe numri i të dënuarve në burgjet komuniste prej 975 vetash, bëhen 1489 vetë, pra dy brigada. Këtu, nuk po përmendim dhe 750 vetë të internuar. Ja, pra, çfarë përmasa të lemerishme kishte gjenocidi komunist në Vlorë. Po në të gjithë Shqipërinë?!
Dikush mund të mos i besojë këto shifra që u përmendën këtu. Është e drejtë e tij të gjykojë si të dojë, por Aranit Hoxha nuk lë shteg mosbesimi. Ai, i ka konkretizuar një për një shifrat, me emra dhe mbiemra të veçantë, me datën e lindjes, të arrestimit dhe dënimit, me vendlindje dhe vendbanim, me vitet e dënimit e të vuajtjes së tij, si dhe me ridënimet kur ato janë përsëritur. Pra, është një punë e madhe atdhetare që ka bërë autori për njëzet vjet me radhë.
Ai i ka sistemuar sipas vendlindjes dhe vendbanimit në 58 fshatra dhe tre qytete: Vlorë, Himarë dhe Selenicë. Pothuajse nuk ka mbetur fshat i Vlorës pa pasur të pushkatuar apo të burgosur politik. Krimi komunist filloi që me lindjen e tij, qysh në vitin 1943, kundër njerëzve të vet, komunistë e partizanë që nuk mendonin si udhëheqja e tyre, sllavo-komuniste dhe u quajtën “fraksionistë”.
Që nga gushti i vitit 1943 deri në nëntor 1944 u vranë 22 komunistë dhe partizanë si “fraksionistë” të Sadik Premtes, si: komandanti dhe komisari i ‘Çetës Plakë të Vlorës”, Neki Imeri dhe Xhemil Çakërri, Sekretari Organizativ i Qarkorit të Vlorës, Mynyr Xhindi dhe kuadro të tjerë si: Fejzo Gjomema, Duro Elmazi, Haki Xhelo, etj.
Gjatë muajve tetor-dhjetor 1943, u vranë me atentat 116 vetë duke përfshirë Sekretarin e Rinisë së Ballit Kombëtar për Vlorën, Hazis Sharrën etj.
Ky qe vetëm fillimi, kurse vrasjet e goditjet masive, kundër nacionalistëve dhe ballistëve filluan pas prishjes së Marrëveshjes së Mukjes, që u zhvillua në ditët e para të gushtit të vitit 1943.
Më datën tetë gusht, kur akoma nuk qe tharë boja e deklaratës së përbashkët të kësaj marrëveshjeje, Enver Hoxha u dërgoi një promemorie të brendshme të gjitha qarkoreve të Partisë Komuniste në rrethe, ku i udhëzonte që ta grisnin “Thirrjen” e lëshuar nga Konferenca e Mukjes dhe të mos flitej më për të. Nga ana tjetër, ai dënoi kryetarin e delegacionit të Frontit Nacionalçlirimtar në Mukje, Ymer Dishnicën, duke e përjashtuar nga Komiteti Qendror, se gjoja kishte rënë nën ndikimin e Ballit dhe se kishte ndarë pushtetin me Ballin Kombëtar.
Në fund të shtatorit të atij viti, Enver Hoxha u dërgoi urdhër të gjitha njësive partizane të godisnin me ashpërsinë më të madhe çetat dhe batalionet e Ballit Kombëtar. Ishte një luftë e vërtetë vëllavrasëse, paçka se ende mohohet, se në Shqipëri nuk ka pasur luftë civile. Po si mund ta quajmë ndryshe atë luftë që mori jetën e gjashtëmijë nacionalistëve dhe ballistëve shqiptarë?!
Komunistët nuk kursenin as gratë dhe fëmijët. Konkretisht, në Bolenë vranë Peshqeshe Çelomenen me tre djemtë e saj: Fuatin, Ganiun, Bilbilin; Mamudi Novruzaj me tre djemtë dhe vajzën e saj: Numanin, Islamin, Bilon dhe Duzen. Në Kuç, ekzekutuan tetë burra dhe pesë gra, në Hadëraj vranë në derë të shtëpisë nënën dhe të birin, Zenepe dhe Halim Caushin. Dhe kështu vrasjet barbare vazhdojnë e vazhdojnë në çdo fshat.
Një farsë më vete ishin gjyqet kundër të ashtuquajturve “kriminelë lufte”, që u organizuan në vitin 1945 nga gjyqtarë dhe prokurorë që nuk e kishin fare haberin e gjykimit dhe të drejtësisë, si: Qemal Klosi, Islam Hariz Ganaj nga Tërbaçi e Mantho Rrapua, si dhe prokurori shpirt zi, Selim Alimerko.
Më 25 tetor 1945, ky trup gjykues, gjykoi dhe dënoi me një aktakuzë të përbashkët brenda një dite 80 “kriminelë lufte”, duke i dënuar nga 20 vjet e deri në burgim të përjetshëm, madje dhe me pushkatim. E pabesueshme, por e vërtetë që ka ndodhur. Kemi dokumentin e plotë të atij gjyqi me emrat, akuzat dhe dënimet që janë dhënë për gjithësecilin nga këta 80 të dënuar.
Në gjyqe të tilla u gjykuan dhe u dënuan elita e atdhetarëve vlonjatë që kishin vendosur gurin e themelit të shtetit shqiptar, si: Qazim Kokoshi, Aristidh Ruci, Zini Abaz Kanina, bashkëpunëtorë të afërt të Ismail Qemal Vlorës, delegatë të Kuvendit të Vlorës më 1912 dhe firmëtarë të deklaratës së Pavarësisë.
Gjyqet dhe dënimet me pushkatim dhe me varje në litar vazhduan edhe më pas ndaj grupit të deputetëve dhe ndaj intelektualëve të shquar që kishin mbaruar universitete në perëndim. Le të përmendim për shembull, Drejtorin e Kantierit për Tharjen e Kënetës së Maliqit, Avdul Sharra dhe inxhinierin Kujtim Beqiri, që kishin mbaruar me Medalje të Artë në Universitetin e Vienës.
Ajo që vlen të përmendet gjithashtu, është se autori nuk flet për vrasjet dhe dënimet e njërit krah, por pasqyron dhe ato që janë bërë brenda llojit. Pra, ai evidenton dhe pasqyron edhe ish partizanët dhe komunistët e vrarë, madje dhe gjeneralë e ministra. Autorit i dhimbsen edhe këta, se edhe këta janë shqiptarë, vëllezërit tanë të një gjaku, që u bënë preh e një ideologjie gënjeshtare dhe vrastare.
Si përfundim, mund të themi se, ky libër është me mjaft vlera për pasqyrimin e krimeve të klikës dhe regjimit komunist që u vendos në Shqipëri dhe që sundoi për gjysmëshekulli. Ky libër nuk duhet të mungojë jo vetëm në familjet e atyre që kanë emrat e të afërmeve të tyre në të, por edhe të gjithë të tjerëve që duan të mësojnë të vërtetën dhe përmasat e gjenocidit komunist në rrethin e Vlorës, pavarësisht se kujt ngjyre politike a besimi i përkasin. /Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016