Nga Mal Berisha
26 GUSHT – DATËLINDJA E SHËN TEREZËS
Memorie.al/ Sot është data 26 gusht, datëlindja e Agnes Gonxhe Bojaxhiut (1910 – 1997), dikur e njohur në tërë botën si Nënë Tereza e Kalkutës, e sot Shën Tereza shqiptare. Për shumë kohë identiteti i saj shqiptar nuk përmendej për shkak të mohimit që i bëri asaj qeveria komuniste e Tiranës. Sot atë e nderon tërë bota. Po ashtu bëjnë të tërë shqiptarët, kudo që ndodhen në të katër anët e globit, pavarësisht besimit që mbajnë. Për mua kjo ditë ka një vlerë edhe më të madhe. Arsyen do ta them në fund të këtij shkrimi.
1985 – Krujë: Dëgjova për herë të parë për Nënë Terezën.
Për herë të parë dëgjova për Nënë Terezën disa vjet përpara se të binte komunizmi. Ishte historiani i njohur krutan, Haxhi Goci, një mësues iluminist, lektor i mrekullueshëm dhe njohës i shkëlqyer i historisë, i pari që më tregoi për të. Me profesor “Xhiun” siç e thërrisnim, më lidhte një miqësi e jashtëzakonëshme. Ai ishte një njeri i ditur, bujar dhe shumë i dashur.
Një herë në Krujë, pasi mbaruam një mbledhje më thirri për drekë në shtëpinë e tij. E shoqja, Nadirja, një zonjë dhe amvisë e pashoqe na priti me tërë bujarinë që e karakterizon një familje krutane. Ata të dy, zonja dhe i zoti i shtëpisë, kishin një komunikim aq të këndshëm me njëri tjetrin. Në një dialog me shumë humor, profesori iu drejtua të shoqes:
“Hajde Nadire, na shtro tavolinën se ti i bon gjonat ma mirë se asnjë, madje ia kalon edhe Nanë Terezës!”
“Qyqja Xhio, amon mos e përmend atë grue se do na marrësh m’qafë kalamojat. Amon mos e përmend at’gru t’Zotit!”, ia ktheu ajo.
“Nadire t’kam thanë, Nanë Tereza asht shqiptare edhe ka për të ardhë dita që kanë me e njoftë edhe shqiptarët, se atë e njeh edhe e respekton e gjithë bota. U bomë ne!” ia ktheu profesori asaj.
Ishte hera e parë që e dëgjoja një emër të tillë dhe në fakt nuk po merrja vesh se për kë bëhej fjalë.
Dreka u shtrua, Xhiu siç e kishte zakon filloi të thoshte:
“Vrej, mos thuaj se nuk ti kom vu gjithë k’to asortimente përpara! Se kshtu bon kjo Nanë Tereza ime! Profesori filloi të numëronte të gjitha gjërat që kishim përpara në tavolinë dhe ne që të dy qeshnim e qeshnim! Dreka ishte shumë e shijshme falë bujarisë së atyre njerëzve të mrekullueshëm. Por Xhiu çdo gjë e lidhte shumë bukur me situatën dhe më tha:
“Dije se ne kot nuk e kemi marrë çertefikatën e popullit që ushqehet ma mirë në botë. E kemi meritue. Bota janë duke vdekë për bukë!”
Pastaj ia dha një të qeshure cinike.
E pashë me adhurim të jashtëzakonshëm atë mënyrë komunikimi të atyre dy njerëzve. Me të mbaruar drekën profesori më tha:
“Due më të thanë diçka që ndoshta nuk e di. Është një grue e vogël shqiptare po shumë e famshme, Gonxhe Bojaxhiu e ka pasë emrin. Unë i thërras Nadires, Nanë Tereza se është edhe kjo bamirëse” e përfundoi frazën duke qeshur me të madhe.
Pastaj më shpjegoi shumë gjëra për të dhe vijoi:
“Po këta nuk e duan”, dhe bëri me dorë nga komiteti, “se është katolike edhe e duan shumë amerikanët. Ajo ka marrë çmimin Nobel për Paqë dhe dekoratat më të larta të shtetit amerikan. Edhe Presidenti Regan e dekoroi po nuk tha se është shqiptare, po se ka lindë në Jugosllavi. Kaq keq e kanë ngatërru këta që e mohojnë sa edhe Presidenti i Amerikës, në fjalën e tij gaboi keqas kur tha se ajo është nga Jugosllavia kur kësaj të fundit i duheshin edhe tetë vite që të vinte në jetë, që nga koha kur pat lindur ajo. Në të vërtetë, vazhdoi profesori, ajo ka lindur në Shkup në një familje shqiptare me babë e me nanë nga Prizreni. Ndoshta do të vijë dita ta njohim edhe ne bijën tonë ashtu siç e njeh tërë bota!”
Kjo ishte hera e parë që dëgjoja për Nënë Terezën.
1986 – Tiranë: Rrëfime për Nënë Terezën nga artisti Fatos Zajmi
Njohja ime me Nënë Terezën u shtua edhe kur Fatos Zajmi, një valltar i famshëm i Ansamblit të Shtetit në Tiranë më tregoi një histori për nënën dhe motrën e Nënë Terezës. Familja Zajmi ishte nga Kosova. Unë nuk i dija rrethanat dhe lidhjet e asaj familje me njerëzit e Nënë Terezës në Shqipëri, por di që kur Fatosi vinte tek shtëpia ime në Mamurruas më fliste për to, si murgesha apo njerëz të veçuar, të vetmuar dhe përçmuar që kishin jetuar në shtëpinë e Avni Zajmit. Shtëpia ishte pranë Kishës Katolike në Tiranë. Aty qëndruan nëna e Shën Terezës, Dranja dhe motra e saj Agja. Vëllai Lazri kishte ikur në Itali. Më vonë ato ndërruan vend dhe vdiqën në vetmi dhe mjerim njëra pas tjetrës në vitin 1972, Dranja dhe më pas Agja më 1973. Fatosi tregonte sesi ato dy zonja e bënin jetesën me thonjtë e tyre duke bërë punë dore. Natyrisht me një vëlla si Lazri, ish oficer i ushtrisë shqiptare të kohës së mbretërisë, me vajzën dhe motren Gonxhen në urdhërin e saj katolik në Kalkuta, nuk kishte asnjë mundësi të trajtoheshin ndryshe.
1992 – Tiranë: Meshë në Kishën Katolike tek Rr. E Kavajës, me praninë e vetë Nënë Terezës
Vitet kaluan dhe në vitin 1992, pata rastin ta shoh me sytë e mi Nënë Terezen në Kishën Katolike, tek Rruga e Kavajës. Aty në prani të Presidentit të Republikës, Dr. Sali Berisha, ajo mbajti një meshë. Ashtu e butë, e vogël, e urtë, iu drejtua asaj grigje më aq dashuri dhe sikur asgjë e keqe nuk kishte ndodhur në jetën e saj. Deviza e saj se prej gjaku jam shqiptare, me shtetësi indiane, prej feje katolike, i takoj botës, prej zemre i takoj krejtësisht zemrës së Krishtit, u pa edhe atë natë në atë proçesion fetar.
5 Shtator 1997 – Stamboll: Homazhe për Nënë Terezën
Me datën 5 Shtator 1997, ndërroi jetë Nënë Tereza. Në atë kohë shërbeja si Konsull i Përgjithshëm i Republikës së Shqipërisë në Vilajetin e Stambollit. Konsullata jonë, organizoi homazhe në nderim të Nënë Terezës duke hapur Librin e Ngushëllimeve. Ato ditë ne pritëm e përcollëm shumë miq të Shqipërisë nga shumë konsullata. Po ashtu i shkëmbyem ngushëllimet reciproke me njëri tjetrin dhe me Kryekonsullin e Indisë së asaj kohe në Stamboll, z Harish Dogra.
Në atë ditë u njoftuam se ish – Presidenti i Shqipërisë, Dr. Sali Berisha, njeriu që i kishte dhënë pashaportën shqiptare si dhe Medaljen e Flamurit, dekorata më e lartë që jep shteti shqiptar, Nënë Terezës, do të merrte pjesë në funeralin e saj në Kalkuta. Për shkak se India nuk kishte mision diplomatik në Tiranë, marrja e vizës indiane ishte një problem që duhej zgjidhur në mënyrën më të shpejtë. Kjo gjë u bë një ndër episodet më “aventureske” por edhe më fisnike që një diplomat në një zyrë konsullore mund të realizonte. Ndërsa aplikanti ishte në Tiranë, zyra konsullore indiane në Stamboll, udhëtimi do të fillonte të nesërmen nga Rinasi për Frankfurt e Kalkuta, neve na duhej të dyluftonim me kohën që na jepte vetëm disa orë në dispozicion. Megjithatë, ia dolëm që ta sillnim pashaportën nga Tirana në Stamboll, ta stamponim vizën në Konsullatën Indiane dhe ta kthenim përsëri në Rinas në momentin kur avioni po nisej për Frankfurt. E gjitha kjo u krye në më pak se pesë gjashtë orë. Të nesërmen CNN International transmetoi delegacionin shqiptar në Kalkuta duke bërë homazhe pranë arkivolit të Nënë Terezës: ish – Presidentin Sali Berisha, Presidentin Mejdani, dhe Kreytarin e Partisë Demokristiane, gazetarin dhe botuesin Nikollë Lesi.
1999 – New Jersey SHBA: Një telefonatë rastësore që më gëzoi me Nanë Terezën
Isha në apartamentin tim në New Jersey të ShBA –së, atë ditë Janari të vitit 1999. Më duhej të telefonoja një kompani telefonash për të kërkuar sesi mund të lidhja një shërbim tjetër online. Në anën tjetër të linjës u përgjigj një zë gruaje. Ajo ishte shumë e sjellshme dhe më sqaroi për çdo gjë që e pyeta. Kur mbaruam ajo, duke më kërkuar ndjesë, më pyeti se nga isha unë? Mendova se e kishte kuptuar që nuk isha amerikan nga aksenti.
“Nga Shqipëria”, iu përgjigja.
Ajo reagoi menjëherë dhe më tha:
“O Zot i Madh! Të jem kaq me fat unë sot?”
“Po përse”, i thashë, “çfarë të bëri të ndjehesh kaq me fat?”
“E parandjeva se ju jeni nga ai vend, nga mbiemri, prandaj të pyeta. Tani që u binda, e ndjej se unë jam me shumë fat.”
Po si ka mundësi? e pyeta.”
“Sepse, ju keni gjak në damarët tuaj nga gjaku i idhullit më të madh të jetës time: Nënë Terezës.”
2012 – Londër – Westminster Abbey: Përkujtimore “Për Shën Terezën”
Në ditën e Nënë Terezës së vitit 2012, Lordi Alan Watson, një nga burrat më autoritar të Dhomës së Lordëve anglezë, dëshiroi që të organizonte një veprimtari në atë që njihet si Westminster Abbey Undercroft në bashkëpunim me Fondacionin “Nënë Tereza” në Tiranë. Bëmë shumë përgatitje. Nga Tirana ftuam Presidenten e Fondacionit Nënë Tereza, Dr. Liri Berisha. Sponsor të aktivitetit u bënë British Petroleum dhe Presidenti i Dhomës së Tregtisë Shqiptaro – Britanike, z. Zenel Hoxha. Dekani i Abacisë John Hall na vuri në dispozicion gjithçka që duhej për ta realizuar atë veprimtari sa më me sukses.
Me Dr. Liri Berisha dhe shumë miq të ambasadës, më së shumti britanikë por edhe shqiptarë, e organizuam atë mbrëmje në underkroftin e Katedrales në mënyrën më solemne të mundshme, krejt siç e meritonte Ajo dhe siç e donte vendi ku organizohej. Lordi Watson mbajti një fjalim që do të mbahet mend gjatë për Nënë Terezën si dhe për popullin shqiptar.
26 Gusht 2020 – Tiranë: Një arësye më shumë për ta nderuar Shën Terezën.
Me këtë shkrim, sot në këtë datë të lindjes së Shën Terezës, dua të bëj një homazh në nderim të emrit dhe të veprës së Saj në dobi të njerëzimit dhe të vetë kombit shqiptar.
Të gjthë ne shqiptarët kemi arësye ta kujtojmë e nderojmë Shën Terezën!
Sado e thjeshtë dhe formale të duket, unë kam edhe një arësye më shumë që më kujton gjithmonë këtë ditë:
Kam lindur në një datë me Shenjtoren: Si sot, më 26 Gusht!