Nga Fatbardh Amursi (Rustemi)
Pjesa e dytë
Në një bangë, në një lagje dhe në një qytet…!
Hyrje
Memorie.al/Triptiku i këtij artikulli, që mund të kishte nëntitujt: “të futesh në burg për poezinë”, “të shohësh përmes një plage” dhe “të fitosh mbi të keqen me poezi”, është shkruar nga shoku për shokun, Fatbardhi për Visarin. Të dy u rritën në të njëjtin qytet, në Lushnjën e vogël, me luftë klasash të madhe atëhere, ku në rrethina fillonin fshatrat e internimeve.
Visari me Bardhin ishin nga një lagje, shkuan në të njëjtën shkollë, madje rrinin në të njëjtën bankë, deri sa mbaruan gjimnazin. Pëlqenin poezinë dhe nisën të shkruanin. Por fatet më pas do të ishin të ndryshme, madje të kundërta. Ndërsa Bardhin e dërguan të studiojë në Universitetin e Tiranës për letërsi dhe bëhet mësues gjimnazi, Visarin iu arrit të shkojë në Shkodër, të studiojë dhe ai për letërsi, sepse seç “kishte në biografi”, kundër regjimit, por qëlloi në vitet e pakta të liberalizmit, siç u quajtën dhe që do të dënoheshin menjëherë…!
Dhe këtu ndahen rrugët e dy shokëve të së njëjtës bankë. Visari do të arrestohej për poezitë e tij e do ta çonin në burg, gjyqi i dha 10 vjet burg, duke i ndaluar dhe të drejtën e botimit e atë elektorale, nëse do të lirohej, kurse Bardhi do të vazhdonte me botimet, nga poezi në komedi, vënia e tyre në skena të ndryshme, etj.
Visari e ka treguar me librat e tij të mëvonshëm kalvarin e tij, nëpërmend dhe shoqërinë e ngushtë me Bardhin në rininë e parë, por është interesant se si e shikon Bardhi tani atë që i ngjau shokut, kohën anti-visar…!
Triptiku zë fill, kur të dy ishin në dy miniera të ndryshme, Bardhin e kanë çuar me leje krijuese në minierën socialiste të Pishkashit, që të njohë klasën punëtore e të shkruajë, kurse Visari është në minierën e burgut të Spaçit, i dënuar si armik, që bën poezi fshehurazi si i burgosur.
Vërtet një ese e veçantë, e shkruar miqësisht, që të bën të zbulosh, sa do pak, kohët, mendësitë, ndryshimet, ndarjet, bashkimet dhe të ndjesh më shumë se të qenit shok, poezia e jetës, duhet të jenë më të forta se regjimet dhe janë akte që përballen me harrimet…!
Autori
Prej vitesh ishim shokë bange, ku urtësia e mësueses Liri Kazazi, mbeti si një bekimi në rrugën tonë të mundimshme drejt artit. Kur lexoj poezinë “Të (mos) skuqesh”, e cila, e merr s’punton nga ndërhyrjet kozmetike për të hequr skuqjen nga fytyra: “…sepse është turp të kesh turp. Nuk duhet të skuqesh më”, më sjellë në mend fytyrën e Visarit, që bëhej flakë në momente zori. Tek ai e gjeti të shfaqej e kuqja?! Një udhëtar në një natë dimri troket në një derë malësori. E hap një grua e re: “S`e ngriti fenerin të shihte se kush isha./ Mjafton që fytyra ime ishte e njeriut”. Është po ajo situatë e një këngë, që pëlqehej në publik: “Ti më vjen pa trokitur”. Ky që vinte pa trokitur në këngë, ishte “i yni”, ndërsa ai i poezisë: i padëshirueshmi?! U fanitej vetja dhe kujtonin se ishim ne.
Në bangë, si shkollar e student, mes bangave si mësues, i rritur me raftet e librave në sy, ku: “Dëshira e shenjtë e rritjes/ na detyroi të bëheshim burra/ Nga jelet të sajonim harqe violinash,/ nga kapistrat/ të mendonim hekurudha.” Ku ta dinim se një ditë, Visarin do e priste një tjetër bangë, ajo e të akuzuarit?! Edhe “shkollën e burgut” e kishte mangët?! Lexonim thuajse të njëjtët libra, i gëzoheshim patosit të ndërtimit, transformimeve, rendnim pas së resë, duke admiruar idealet dhe urryer pretendimin që njeriu duhet të rrojë për shtetin.
Nuk mund të mos bëjë përshtypje zelli demoniak i krijuesëve dhe redaktorëve, ku akt-akuza ndaj poetit merr autoritetin e një pretence: “Ky element armik është i bindur në mendimet e tij të gabuara dhe armiqësore”. Përdorimi i termit të botës inorganike “element”, vinte si një kërcënim për botën e gjallë. Jo më kot Ayn Rand, romanin e saj me subjekt nga periudha e terrorit Stalinist, e titullon: “Ne të gjallët”. (Kapja e shkelësit të kufirit, shkelësit të vijës, përngjante me betejat me pushkë druri, që bëheshin dikur në Meksikë, ngaqë kapja e një armiku të gjallë kushtonte shumë në tregun e zi të robërve. Skllevërit duheshin në minierë.)
“Ky pseudopoet në vend ta vërë talentin në shërbim të popullit (Pseudopoeti na paska talent?! F.R.)…derdh helm në mendjen dhe ndjenjat e lexuesit” (Si mund të ndodh kjo, kur libri është i pabotuar dhe, lexuesi, duke mos patur kontakt me të, na u infektoka?!) Për më tepër që autori: “Është i mbyllur dhe përdor figura që nuk zbërthehen dot”?! Jo më kot një nga perëndit e Olimpit, i drejtohet Prometeut: “Fol qartë, Promete, jo me enigma”! në fakt,i mjeri i kishte ardhur prej fjalëve të papërmbajtura.” (Nëse hajdutët nuk arrijnë të zbërthejnë një kasafortë, atëherë fajin duhet t`ia vëmë pronarit?! Një vend hermetik i trembej hermetizmit?!) “I lodhur nga mosgjetja”, ku një “fjalë jetime/ i thotë të gjitha”, i mësuar që “Tek të ndaluarat gjej atë që dua”, poeti ecte në rrugë të pashkelura, një e drejtë kjo: që u njihej udhërrëfyesve.
“Vetëm një këshillë e vogël miqësore: mos harroni se në fjalim u tha se ç`i pret ata që kujtojnë se janë më të mençur se partia” – shprehet një nga personazhët e Ayn Rand. Hiqeshin se “Fjalët e qiririt” të Naimit, i mbanin si amanet, por që “pishtarët e kuq apo blu”, i shkelin në rastin më të parë: “Në bëhi shokë me mua,/ në më doni si u dua,/ njëri-tjetërin në doni,/ të paudhë mos punoni”. Në kohën e pishtarëve, fjalët e qiririt, nuk vlejnë as për një: “I ndrit shpirti”. Kush po bënte paudhësi poeti apo akt-akuzuesit e tij?
“Ky pseudopoet me imitimet e artit reaksionar është përpjekur të mbjellë barëra helmuese në kopshtin tonë të pastër letrar dhe të prishë kështu atmosferën tonë letrare”. Ta mbash dorëshkrimin prej 7 vitesh në sirtar dhe të ankohesh se ky po e bëka dëmin në kopshtin socialist, është si të presësh protagonizëm nga një gjallesë, që mbahet në inkubator? Por, poezitë që, Visari, botonte në shtypin letrar, përcilleshin me një jehonë pozitive. Imazhi i tij poetik ishte krejt tjetër nga portretizimi në akt-akuzë. Nuk shihej, si një keqbërës. “Njerëzit që po drejtojmë, nuk po rriten, ata po tkurren. Po tkurren në një nivel ku asnjë krijesë njerëzore nuk ka arritur më parë”, – ankohet shkrimtaria ruso-amerikane Ayn Rand. Të tkurrurit nuk mund të duronin bymimin e askujt, sikurse të krekosurit tërboheshin nga krenaria e cilitdo, duke u ndjerë të sfiduar.
Me Visarin ishim, jo vetëm shokë të një bange, por dhe të një mëhalle. (U kthye në proverbiale batuta, që i ati i tij, Hekurani, aktor estrade, do i thoshte Dhimitër Shuteriqit, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve aso kohe: “Unë jam një shkrimtar lagjeje”.) Por, i biri, nuk do i fsheh pretendimet. “Dritaret/ janë britma ime që të braktiset/ dhoma e errët e vetmisë”. Ka të ngjarë që kjo poezi, të jetë e një kohe me ndryshimin e titullit të romanit të Kadaresë, nga “Dimri i vetmisë së madhe”, në “Dimri i madh”, ku hiqet fjala “vetmi”.
Regjimi nuk e duronte fjalën “vetmi”, por, britma e poetit në këtë rast ishte kundër “heroit të vetmuar”. Ndoc Gjetja ka një poezi, ku kollitet në shtëpi për t`mos u ndjer i vetmuar. Thuajse e njëjta gjë. Kur regjimi të dënonte, fëmijtë duhej të të braktisnin, gruaja të ndante, shokët dhe miqtë të largoheshin, pra të mbeteshe vetëm. Në këtë poezi, thonë akt-akuzuesit, “ka një farë sinqeriteti. Si element armik ai e ndjen veten të vetmuar dhe të braktisur në ambientin tonë socialist”.
Pse duhej të ndjehej i tillë, ende pa u akuzuar dhe gjykuar si armik? Shprehin si të mirëqenë atë që pritej të ndodhte: braktisja e poetit të dënuar. (Visari kishte shokë më shumë nga të gjithë ne). Individualizmi poetik duhej ndëshkuar me një ndëshkim shëmbullor. Nëse ti je vetëm dhe zgjon gjyshin, përsëri tenton të largosh vetminë. Por, nipi në një vend atësit, thua se po ngjallte Krishtin. “- Gjysh, o gjysh, çohu…!/ -Ç’është, bir?/ -Kam frikë se mos nuk zgjohesh më”. “Hetuesi më ulërinte se “është thirrje që të ngrihen klasat e përmbysura, nga që gjyshi yt ishte shpallur kulak”. Për çudi kjo hamendje perverse i ndodhi së vesë së diktatorit, ku nusja shkon ta zgjojë: “Çohu, mama, se po shkruajnë gazetat se ke vdekur”!
“Sinqeriteti në art” quhej një tezë revizioniste. Një paralajmërim ky për të gjithë ata, që shkruanin me sinqeritet. Dhe ja: “Unë nuk çava përpara në art, sepse paskam dashur gërmadha/ por nuk më deshën (dhe s`më ndihmuan), sepse unë duke u bërë burrë, do të isha talent/ i tmerrshëm… dhe nëpër dosje e lanë zemrën time si një mi/ që bren veten e vet.” Kjo është esenca e gjithë këtyre shfaqjeve armiqësore…! Autori nuk është i kënaqur me realitetin tonë dhe është gati të thyejë dhe brinjët e tij, vetëm të dalë nga ky realitet, të cilin ai e quan frengji”, -nënvizojnë akt-akuzuesit. Vetëm realitet nuk sheh në këtë vargje, veç revoltës së poetit ndaj pengesës artificiale që i bëhet, por që në fakt është censura e shtetit. Konflikti shkon përtej një zyre redaksie, por ai nuk e sheh.
Gërmadhat janë tërheqëse për legjendat, por jo për të jetuar. “Mohoju më të mirëve të drejtën për të kapur majat, dhe s`do të mbetet prej tyre as nam, as nishan. E çfarë janë masat tuaja, veçse shpirtra të topitur, të vyshkur, të mykur, që s`kanë mendime të vetat, vullnet të vetin, që hanë, flenë dhe përtypin pa mendje fjalë që ua fusin të tjerët në tru”? Është i njëjti konflikt si tek romani “Ne të gjallët” të Ayn Rand, ku inkonformisti i shpall luftë atyre, që janë mësuar të lëpijnë zgjedhën dhe të hanë bukën e përulësisë. Ai e parandjen fatin e tij të turpshëm, thonë akt – akuzuesit, ndërsa poeti e sheh të keqen e vetes tek talenti “i tmerrshëm”. Është një dyluftim që ka zgjatur 7 vjet, ku palët nuk i hapin rrugë njëra-tjetrës.
Në poezinë “Në amfiteatrin e madh”, dozat e pakënaqësisë shtohen: “Ndoshta një djalë të guximshëm,/(ai paska fytyrën time)/ e burgosën në sallën me tigra,/ se deshte të bënte kryengritje”. Poeti u kishte dhënë material, ta sulmonin. Më në fund pajtohet me fatin: “S`kisha pse t`i tregoja hetuesit që aq shumë më pëlqenin mbrëmjet në Tiranë dhe, që të zuzarepsja deri vonë, nuk shkoja nëpër kushurinjtë, por, meqenëse nuk më mjaftonin paratë për hotel, flija i lumtur lulishteve. Mbi gjethet e mëdha të vjeshtës, shkruaja poezi…!
Dënimit s`i shpëtoke dot, por pakso dhembjet dhe brerjet e saj, të mos jenë të gjithmonta. Se ti u caktove për humbjen”, -shkruan Visari në librin “Rrugët e ferrit”. Pse nxitoni ta quanin “armik”, ende pa u shprehur gjykata? Sepse fati i poetit ishte i paravendosur. Qe i shenjuar, sikurse druvari bën shenja në pemën, që duhet prerë në pyll. Urdhëri vinte nga Ramiz Alia. (Bashkëvuajtës të tij i shkruanin Ramiz Alisë nga qelia. Edhe Ramizi ka shkruar libër burgu, por a do përfshihet në “letërsinë e burgut”? ) Si ndodhi që, edhe në demokraci, kryetari i shtetit, president Nishani, nisur nga “qytetari digital”, një ish shef i policisë së burgut, sulmon sërisht poetin? Si është e mundur, që lart e poshtë bëhen kundër tij, edhe në diktaturë, edhe në demokraci? Sepse në Shqipëri flitet veçse për të rrëzuar. Më me fat del të jetë Enver Hoxha, që i rrëzuan vetëm shtatoren.
Ishim jo vetëm në një bangë dhe në një lagje, por jetonim dhe në një qytet, i njohur për qendra internimi më shumë se në çdo zonë tjetër të Shqipërisë, ndërkohë që lëvdohej si “hambar i Shqipërisë”. Hambar apo qilar? Nëse “dielli alegorik” i Migjenit merrej si një ogur i mirë, “dielli i dytë i Visarit me gjakun, që derdhet”, – u interpretua si një ogur i zi. Paranojakët, duke patur monopolin mbi simbolet, dhe vargun më të çiltër: “E di që do ta dalë në një arë me diell”, që, e gjeje thuajse tek të gjithë poetët, e merrnin për ekuivok, si një shteg për në “parajsën e humbur”. Cili optimist nuk do të ngazëllehej nga ky varg: “Një kalli të shkoqësh/ të mbushet dora me kokërrza të ëmbla shprese”? Dhe më tej: “E desha grunoren në rrethinë/ Kallinjtë e rënë mbi buzë desha/ Sa herë e zhvesha dashurinë/ Aq herë me dashuri u vesha”.
Adrenalina rritet: “E desha grunoren në rrethinë/ Kallinjë e rënë në libra desha/ Të mbyllësh sytë si kopertin,/ Ta vazhdosh librin, ribëhet vetja”. Poezitë me varg të rregulltë, tradicional, kalonin paq, ndërsa dyshimet hidheshin tek vargu i lirë. “Në poezi duhej të ishim të lumtur”, – shkruan Visari, por lirikat e tij nuk janë shtirje. Në to burojnë vrulle djaloshare. “Sa herë ndoqëm pas karrocat tuaja/ nëpër rrugët e verbta gjithë baltë/ Ju mbajmë mend, me mjekrra të parruara/ me kamxhikët që s’goditët/ por i mbanit lart”. Shihni se ç`kontrast krijohet, midis karrocierëve dhe ata, që nuk i kursyen kamzhikët e Shën Pjetrit mbi poetin. “Qytet i dhëmbshëm/ qytet i vogël/ku përsëritej herë pas here e njëjta ngjarje/ Ne, të ardhurve, na i dhe një shtëpi/ si fole në sqetullën e një dritareje”.
Mirënjohje për bujarinë myzeqare. “Dobësinë time për të qenë sa më i dashur e kishin pikasur dhe të tjerë. Narcizmi im – të mbytesha nëpër sytë e bukur”. Mund të mrekullohesh tek “syri i kaltër”, por mund të bjesh dhe në një gropë skeptike. “Ne nuk pranojmë asgjë mbi kokë/ shumë-shumë mund të pranojmë kapelet tona”, – shkruan ai tek poezia “Njerëzit e punës”, fundja pushtet i popullit. “Jo, jo/ Nuk i lyej këpucët/ Te llustraxhinjtë!/ S`i dua njerëzit te këmbët e mia”. Pse duhet parë me dyshim poeti, kur “thjeshtësia proletare”, predikohej dhe nga: “I tmerrshmi sfinks me krifa muzgu/ qëndron i zymtë mbi shkretëtirën/ Madhështia e tij e rëndë prej guri/ e bëri, ah, të palëvizshëm!”
Qyteti që do ta frymëzonte në rini, boçet e pambukut, karrocieri, do ta zhgënjente më pas, kur ai do të rikthehej nga burgu. “Qyteti s’më flet/ Qyteti më ka harruar. Paranojak është qyteti/ Rrugët s’më çojnë dot deri në fund të një mendimi”. U trondita shumë kur e gjeta babanë të verbër, nuk më kishin thënë në letrat që më dërgonin, që të mos dëshpërohesha…! “Plak fatkeq, i verbër/ më i verbër se nata. Asnjë yll/ s’të vjen në ndihmë”. Dhe në fund pohon i pikëlluar: “Errësira ime e verboi”…!/Memorie.al
Vijon në numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016