Nga Petrit Palushi
-E vërteta e veprimtarisë së ‘Kompanisë 4000’ sipas shënimeve të Neshat H. Bilalit, ish-pjesëtar i kësaj kompanie, sot me banim në SHBA-ës. Jeta në fshehtësi, stërvitjet, dhe përçarjet politike mes krerëve dhe mbështetësve të Legalitetit, Bllokut Indipendent e Ballit Kombëtar.
Memorie.al / “Kompania 4000” në Gjermani, u krijua në vitin 1950, nga Shërbimi i Fshehtë Amerikan në bashkëpunim me Komitetin “Shqipëria e lirë”, për stërvitjen e emigrantëve (të arratisurve) shqiptarë dhe nisjen e tyre në Shqipëri me veprimtari kundër regjimit komunist. Është shkruar për historinë e kësaj Kompanie, por po përcjellim shënimet e Neshat H. Bilalit, ish-pjesëtar i “Kompanisë 4000”. Neshat H. Bilali (nga Bicaj e Lumës), sot me banim në SHBA. Neshat H. Bilali, qysh në moshë të re, bashkëpunëtor i nacionalistit të njohur Muharrem Bajraktari. Është arratisur nga Shqipëria për në Greqi në gusht të 1946-ës, pesë vjet ka ndejtë aty n’emigrim dhe me 17 korrik 1951, shkon në Gjermaninë Perëndimore, ku përfshihet në Kompaninë 4000. Me 13 dhjetor 1955 shkon në SHBA, ku banon edhe sot. Njëkohësisht është autor i librave: “Muharrem Bajraktari në kujtimet e mia” (2002), “Me Muharrem Bajraktarin drejt Greqisë” (2011), “Shënime për historinë: 1939-1955 (2012)
Dëshmitë e Neshat H. Bilalit
Në vitin 1950, formohet një kompani pune n’Gjermaninë Perëndimore. Thirrej “Kompania 4000”. Shumica e personelit n’at Kompani qe prej Italie. Kompania ndoshta ka mbërrittë me pasë deri në 250 vetë a ma tepër.
Komiteti “Shqipnija e lirë”, në bashkëpunim me CIA-n, kanë formue “Kompaninë 4000” për ta përdorë me dërgue parashutistë n’Shqipni. Në Kompani bëjshin pjesë disa grupe ose ndryshe, parti të imigracionit, si Legaliteti, Partia Agrare ose Balli Kombëtar, dhe ne që kishim qëndrue pranë Muharrem Bajraktarit, si dhe një grup shqiptarësh të Kosovës, që i përfaqësonte Seit Kryeziu.
Të gjithë pjesëtarët e partive shqiptare qe kanë qenë n’emigracion kanë bë pjesë në Kompaninë 4000. Ata që kishin bashkpunue me okupatorin n’Shqipni nuk pranoheshin në Kompani. Kështu pra, kemi shkue aty edhe dy grupe shqiptarësh që ndodheshim në Greqi, ma pak se 50 veta.
Udhëtimi prej Greqie me 17 korrik 1951
Shkuam n’Gjermani për t’u stërvitë se, po të vinte rasti, na duhej me u kthye n’Shqipni, me luftue me përmbysë regjimin komunist. Në Gjermani, kam qëndrue deri me 13 dhjetor 1955, kur jam largue në SHBA-ës, ku banoj edhe sot.
Udhëtimin e bamë natën me një aeroplan sekret ushtarak. Aty ku u ndalue aeroplani, hipëm në tre kamionë të “Kompanisë 4000” dhe mëngjesi na gjeti te baza e Kompanisë. Menjëherë, na drejtuan te kuzhina ku hëngrëm mëngjes. Mbas buke, na thanë se duhej të ndaheshim: të Legalitetit me një anë dhe të Ballit Agrar në tjetrën anë. Secila parti mori njerëzit e vet dhe i çoi në kazerma. U ndanë si me qenë gjëja e gjallë. Unë u habita prej asaj ndamje. Pata mendue se aty, kish njëfarë rregulli si në një ushtri kombëtare.
Na thirrën në zyrë me na regjistrue dhe me na pajisë me dokumente. Më thanë se për me qëndrue në Kompani, duhet të regjistrohesha te një prej partive. Un u thashë se në Greqi, kur na kishin marrë në pyetje, nuk na kishin pyet për parti. U thashë ta njoftonin kapitenin amerikan se, nëse kjo qe e detyrueshme, un qeshë gati me u kthye prap n’Greqi. Të nesërmen më njoftuan se, për ne të grupimit të Muharrem Bajraktarit, nuk qe e detyrueshme (qe një rregull që e kishin vendosë partitë për me qenë pjesëtarë të “Kompanisë 4000”).
Të njëjtën gjë, ia kishin komunikue edhe Esat Bajraktarit, të birit të Muharrem Bajraktarit. Megjithatë, mue dhe Esat Bajraktarit, na thanë gjithashtu se kishim me shkue në kazerma, ku jetonin kosovarët që nuk bëjshin pjesë në parti të Legalitetit a të Ballit Agrar, por ishin të partisë të Seit Kryeziut. Në të vërtetë, ato kosovarë ishin ma tepër simpatizues të Xhafer Devës, sesa të Seit Kryeziut; po të thojshin se ishin simpatizues të Xhafer Devës, nuk pranoheshin në Kompani. Seiti e Xhaferi, kishin bë një marrëveshje n’at rast.
Veprimtaria e “Kompanisë 4000”
Po e përshkruaj se ku gjendej Kompania 4000 dhe jetën që bëhej aty. Kompania, qe stabilizue me një fshat 15 km. në jug-perëndim të Munchenit. Fshati thirrej Vekterhof. Kazermat ku qëndronte personeli, ishin kazerma qysh prej kohës së Hitlerit.
Në fillim, mbasi na orientuan për punën që kishim me bë aty, na dhanë teshat e punës dhe teshat si uniformë. N’krah të majtë, kishim një farë shenje si flamuri amerikan, por në krye të shkrueme: ALBANIA. U shpërndamë nëpër skuadra pune. Puna jonë qe me bë roje në disa depo ushtarake t’ushtrisë amerikane. Punonim për amerikanët, por paguheshim prej gjermanëve. Paga ishte afër 50 dollarë në muaj.
Për ushqim, fjetje e veshmbathje, nuk paguanim kurrnjisend. Sigurimet shëndetësore, i kishim prej siguracionit gjerman. Për ata pak vjet që kam punue n’Gjermaninë Perëndimore, marr ende një pension të vogël, prej shtetit gjerman. Un aty zuna një mik dhe ai më caktoi në Motor Pool. Ajo gjë, si me thanë, qe një punë e mirë dhe e privilegjueme, se punoja 5 ditë në javë dhe të shtunë e diel, e kisha pushim. Miku që zuna aty, quhej Rustem Kuçka prej Peshkopie (Dibër). Ai kish krye Akademinë Ushtarake n’Itali, në kohë t’Zogut. Mbas kapitullimit t’Italisë, kish shkue n’Itali dhe kish mbarue edhe Drejtësinë.
Në thelb, mendohej që ‘Kompania 4000’ kish me qenë bërthama e Ushtrisë Shqiptare Demokratike. Por punët që bëheshin aty, nuk ishin aspak kombëtare, por të gjitha punë partiake. Për çdo vit, kish shtesë rroge. Shtesat bëheshin si mbas partive dhe cilin kishe ma tepër mik. Përsa kohë kam qëndrue aty, vetëm një herë m’asht shtue rroga. Un e konsideroja veten se isha një punëtor i mirë. Shtesa e rrogës që m’u dha, më bani prej ushtari të fundit, në nën-tetar. Kah e drejta, ne ishim vetëm punëtorë. Shumica prej Labor Service-it, ishin gjermanë dhe ne bëjshim pjesë me ta.
Përgjegjës kuzhine ishte Ramazan Nuredini, prej Mati. Një herë në javë, shkonim në magazinë me ble ushqime. Aty blejshim çdo gjë që njeriu kish ma shumë nevojë, me mbajt shëndetin. Vetëm se nuk kishim të drejtë me ble alkool. Ramazani ishte i Partisë Legalitetit. Ne, shqiptarët, nuk porositshim kurrë mish derri, por veç mish lope, ose deleje. T’Legalitetit, s’e hajshin mishin e derrit. As kosovarët, as ne të grupimit të Muharrem Bajraktarit. Ata të Ballit Agrar, kërkonin mish derri si për inat t’Legalitetit dhe të kosovarëve. Ai problem marrëzie, zgjati disa muaj. U desh me ndërhy Abaz Ermenji, me e qetësue gjendjen.
Kur CIA, kish nevojë me dërgue njerëz n’Shqipni, bëheshin kërkesa n’Romë te Komiteti “Shqipnija e Lirë”. N’Romë jepeshin emrat e atyre që ishin t’aftë me bë punën. Shumica e atyre që janë dërgue n’Shqipni, nuk kishin njohuri se çka i priste kur të binin n’Shqipni.
N’Gjermani, kam pa përçarjet që ishin krijua n’Kompani, ndërmjet dy partive të mëdha, Legalitetit dhe Ballit Kombëtar. Kur vinte Abaz Ermenji, dilnin me e pritë vetëm ata të Ballit Kombëtar, kur vinte Gaqo Goga, dilnin vetëm ato të Legalitetit (Dy fjalë për Gaqo Gogën. Ai ishte çdo gjë mbas Abaz Kupit. Por një ditë, Abaz Kupi e përzuri prej partie. Gaqo Goga, ka lindë n’Odesa të Rusisë. Nanën e ka pasë ruse, ndërsa babën prej Korçe. Thuhej se kish qenë informator i Qeverisë Komuniste, brenda Komitetit “Shqipnija e lirë”). Pra, kishte plot mos kënaqësira.
Dy partitë kryesore, e kishin nda Shqipërinë në dy zona influence, gati krejt Jugu ishte i Ballit Kombëtar, ndërsa veriu i Legalitetit. Kur çonin njerëz n’Shqipni, secili dërgonte njerëzit e vet në zona të veta. Vetëm Muharrem Bajraktari, kur ka nisë misioni në Lumë, i ka pasë njerëzit e bashkuem. Për Legalitetin, në Kompaninë 4000, listat i bënte Xhemal Laçi. Në shumë raste, as miqtë e Xhemalit, as ato të Çaush Bashos, nuk janë caktue me u dërgue n’Shqipni. Prej atyre që shkuan me mision n’Shqipni, pak veta u kthyen gjallë.
Do parì që ishin pjesëtarë të Komitetit, dërgojshin të tjerët n’Shqipni, por djemtë e tyre, i kishin dërgue n’Amerikë dhe vende tjera. Abaz Kupi, kishte dy djem përjashta: njanin e kishe dërgue n’Amerikë dhe tjetrin n’Australi, kurse Abaz Ermenji, kish dërgue vëllain n’Australi. Hasan Dosti po ashtu. Djalin e vet e kish dërgue n’Amerikë dhe djemtë e të tjerëve, i caktonte me i dërgue n’Shqipni.
Me të nisë n’at kohë n’Shqipni, ishte njilloj si me të dënue për vdekje. Vetëm Muharrem Bajraktari, nji djalë që i kish mbetë me veti, e dërgoi në Kompani, për t’u stërvitë me shkue prap me luftue n’Shqipni. Rasti nuk e pru me shkue n’Shqipni. Muharrem Bajraktari, ka dërgue në Lumë, Liman Peposhin e Tahir Vatën (që ishin prej Lume). Ma vonë, kanë ra në Lumë dy persona që ishin të Partisë Agrare: Faik Dalipi e Dule Koçiu.
Kanë qenë tri grupe në Perëndim, që kanë dërgue njerëz n’Shqipni: Grupi nr 1 – Komiteti “Shqipnija e lirë”, nr. 2 – Italia, me anën e “Bllokut Indipendent”; nr.3 – Greqia në bashkëpunim me disa shqiptarë. Me gjithë këto grupe, shërbimi anglo-amerikan bashkëpunonte. Po ashtu edhe Sigurimi jugosllav, dërgonte nga ana e Jugosllavisë. Bile ata të Jugosllavisë, kanë bë edhe krime kur janë futë n’Shqipni.
Anglezët nuk kanë të bëjnë me ‘Kompaninë 4000’. Me ‘Kompaninë 4000’ kanë të bëjnë vetëm amerikanët. Vetëm ato merrnin njerëz prej kësaj Kompanie dhe i pregatitnin me i dërgue n’Shqipni.
Oficerët e Kompanisë 4000:
Të Partisë Balli Agrar:
Çaush Basho (komandat kompanie)
Rustem Kuçka (me akademi ushtarake & avokat)
Adnan Ypi (me akademi ushtarake)
Të Legalitetit:
Xhemal Laçi (n/komandant, me akademi ushtarake)
Isuf Dema (ish-oficer i ushtrisë shqiptare)
Hysen Sallku (ish-n/oficer në Gjandarmërinë shqiptare)
Të Seit Kryeziut:
Kolë Hila (me akademi ushtarake)
Asnjë shqiptar nuk qe i aftë për administratën e zyrës. Prandaj, Komanda e Labor Service-it, kish dërgue një gjerman që dinte mirë anglishten, me punue n’zyrë. Gjermani e kishte emrin Langer. Kish dhe dy shqiptarë si ndihmësat (Niazi Bardha, i Ballit Agrar, dhe Namik Pasholli, i Legalitetit). Langri kishte gradën oficer. I mësonte gjuhët e huaja shpejt. Pat mësue edhe shqip. Gjatë luftës, kish shërbye te një nëndetëse edhe si përkthyes për ushtrinë gjermane, sepse zotëronte mirë anglishten.
Nga viti 1955, po thuhej se qeveria italiane po bënte presion pranë amerikanëve, që Komiteti “Shqipnija e lirë”, të zmadhohej dhe të pranoheshin edhe ish-fashistët në Komitet. Edhe amerikanët qenë të vendosur që Komiteti të zmadhohej. Komiteti vendosi që ekzekutivi, të kish 12 vetë, ndërsa legjislativi 25 vetë. Abaz Ermenji, qe shprehë se nuk bashkëpunonte me ish-fashistët, u larguan prej atij Komiteti dhe shkoi në Francë, krijoi një komitet të ri, ku u vu vetë në drejtim.
Po në vitin 1955, nja dy grupe shqiptarësh që amerikanët i kishin pregatitë me i nisë për Shqipni, i kthyen prap n’Kompani. Disa shenja po tregojshin se Kompania, nuk po shihej me sy politik si ma përpara, por vetëm si kompani pune. Në Kompani kishte një detashment t’ushtrisë amerikane, prej 4-5 vetash. Dy prej tyre, ishin me origjinë shqiptare nga Dardha e Korçës, por të lindur n’Amerikë (Komandanti i detashmentit, Thomas Mangely dhe n/oficeri Spiro Bushi; të dy e flisnin nga pak shqipen).
Kur nisën ndryshimet në komitet, edhe në kompani u banë ndryshime. Një ditë prej ditësh, mbërriti një oficer i ri amerikan, me gradën kapiten, ndërsa n/oficeri që erdhi me të ishte afro-amerikan. Thomas Mangely dhe Spiro Bushi u transferuan tjetërkund.
Mosmarrëveshjet ndërmjet partive
Intrigat e ndarjet e dy partive të mëdha po shtoheshin shumë e ma shumë. Tashti, komiteti nuk e kish influencën n’Kompaninë 4000, me ruajtë qetësinë. Nisi një luftë se, kush e bënte ma tepër mik kapitenin amerikan. Kapiteni amerikan, pinte birrë shumë, por edhe Adnan Ypi, e kish fort qejf; kështu, ata u banë miq ndër veti.
Çaush Basho, nuk shkonte mirë me Xhemal Laçin. Kur Çaush Basho, qe sigurua se, e kish bë për veti kapitenin amerikan, e akuzoi Xhemalin, për moskryerje të detyrave të caktueme dhe e bindi kapitenin amerikan, ta largonte prej Kompanie. Xhemali nuk kish ku me u ankue se, komiteti nuk kish ma fuqi, kështu si mbeti rrugëve i papunë.
Fjalët që thuheshin nalt e poshtë se, komiteti po shpërndahej, po dilshin të vërteta. Thuhej se në Romë, qenë njoftue Abaz Kupi, Muharrem Bajraktari e Seit Kryeziu, se komiteti politik, kish me u shpërnda dhe kish me u zëvendësua me një komitet ekonomik. Formimin e tij, e kish marrë përsipër Europa e Lirë, me një buxhet ma të vogël dhe kish kërkua që ata ta njihshin dhe se atyre do t’u jepte nga një rrogë. Por, për disa kohë, ata e kanë refuzua njohjen e atij komiteti.
Ndërsa Abaz Kupi, e kundërshtoi njohjen e komitetit, Gaqo Goga nga ana tjetër, hapi fjalë, se sa të formohej komiteti, kish me e njohtë. Kështu, u përça edhe Legaliteti.
Për t’u shpallë komiteti ekonomik, zgjati bukur do kohë, sepse nuk po gjendeshin personat e përshtatshëm. Mbrapa shpine, po punonte Xhafer Deva. Ai propozoi Rexhep Krasniqin, si kryetar dhe Vasil Gjermenin, Nexhat Peshkëpinë e Ndue Gjon Markun, si anëtarë. CIA i paraqiti këta si persona t’Europës Lirë dhe kështu u formue komiteti, i cili thirrej edhe ‘Komiteti i Xhafer Devës’.
Funksioni i këtij komiteti, ishte me festuar për çdo vit 28 Nandorin dhe me i bë garanci ndonjë shqiptari që gjendej n’Europën Perëndimore dhe donte me emigrue n’Amerikë. Buxheti ishte i kufizuem. Një dhomë që e kishin marrë me qira, e thirrnin zyra e komitetit.
Komitetin ekonomik, nuk e njofti asnjë parti politike, me përjashtim të Bllokut Kombëtar Indipendent. Gaqo Goga, edhe pse deklaroi se kish me e njoftë komitetin e ri, nuk u ftue me marrë pjesë. Rexhep Krasniqi, derisa vdiq, e quente vetin kryetar i atij Komiteti. Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016