Nga Spartak Topollaj
Memorie.al / Gati 50 vite më parë, saktësisht më 25 nëntor 1973, de facto, Junta e Kolonelëve të djathtë në Greqi, që kish ardhur në pushtet me një grusht ushtarak shteti, qysh prej 21 prillit 1967, mbasi kish rrëzuar qeverinë demokratike të Panagiotis Kanellopulos (1902-1996), rá, edhe pse de jure, ajo ekzistoi edhe disa muaj, deri më 24 korrikun e 1974! Kreu i saj, ishte koloneli Jorgos Papadopulos (1919-1999), me tre bashkëpunëtorët e ngushtë të tij kolonelë, Nikolaos Makarezos, e Joanis Ladas, ndërsa i treti, gjenerali Stilianos Pattakos (1912-2016). Pjesë e komplotit ishte edhe një tjetër personalitet, kësaj here civil, Spiridon Markezinis, i cili u bë edhe kryeministër, më 1973, kur edhe diktati i ‘Juntës së kolonelëve’, po dobësohej dhe po bëheshin përpjekje për demokratizimin e Greqisë, periudhë kjo, e njohur si: “METAPOLITEFSI”!
Në të vërtetë, grushti i Shtetit ishte ideuar nga vetë Mbreti i fundit grek, Konstantinos i II-të (1940-2023) dhe shefi i Shtatmadhorisë së Ushtrisë Greke, gjenerali Grigorios Spantidakis, (1909-1996), të cilët, synonin të sillnin në pushtet një qeveri, me politikanin dhe diplomatin e njohur Panajotis Pipinelis (1899 – 1970) në krye! Nga 25 nëntori 1973, kryeministër u bë Dimitrios Joannidis, (1923-2010), një prej kolonelëve të porsa graduar, gjeneral, i konsideruar njeriu hije i Juntës, apo më saktë, një “Rishelië” grek, zëvendësuar pas pak kohe nga Spirydon Markezinis.
Junta e Kolonelëve, sapo erdhi në pushtet, filloi arrestimet, (rreth 10.000 persona), dëbimin e opozitarëve, heqjen e lirive dhe të të drejtave të njeriut, shpërndau partitë politike, si edhe e detyroi nga viti 1973, edhe vetë familjen Mbretërore të Konstantinit II-të, të kërkojë azil, ndërsa Regjent, bëhet Jorgos Zoitakis, e më pas, edhe vetë Papadopulos, i cili, më parë se të arrestohej, u vetë shpall edhe President i Republikës Helenike?! Disidentë të shquar kundër Juntës, pati shumë, por le të përmendim katër më të famshmit, që u detyruan të ikin nga atdheu i tyre: Melina Merkuris 1920-1994, (aktore e madhe e më pas Ministre Kulture), Mikis Teodorakis 1925-2021, kompozitor i famshëm (‘Djemtë e Pireut’), Irene Leleku Papas 1929-2022, (legjendë arvanitase e kinematografisë) dhe Kosta (Konstantinos) Gavras (1933), një nga më të mëdhenjtë regjisorë të filmave sot!
Veç Papadopulosit, në vitet e regjimit diktatorial, si kryeministra shërbyen: Faedon Gizikis (1917-1999), Konstantinos Kollias (1901-1998), Magjistrat i njohur dhe Prokuror i Përgjithshëm i Greqisë, Spiridon Markezinis (1909-2000) dhe Adamantios Andrucopulos (1919-2000). ‘METAPOLITEFSI’, në greqishten e sotme, do të thotë ndërrim i regjimit! Gjenerali Spiridon Spiro Markezinis, bëhet edhe kryeministër! Nga rënia e Juntës deri në zgjedhje, ku rol patën opozitarët Panajotis Kanellopulos e Stefanos Stefanopulos dhe kundër grushti i dështuar i shtetit i Dimitrios Joannidis, që synoi, por dështoi, ta bënte këtë edhe në Qipron e Kryepeshkopit President – Makarios III, (Mihail Kristodulu Muskos, 1913 – 1977). Po ashtu, Nikos Simpson, gazetar e politikan i njohur, ishte një nga ata që udhëhoqi, por dështoi ta realizojë grushtin e shtetit në Qipro, çka i hapi udhë pushtimit të Ishullit nga Turqit më 1975, ndërkohë, që pak më herët, kishte rënë edhe vetë diktatura fashiste e Juntës së Kolonelëve!
Të gjithë këta, pas përmbysjes së regjimit u gjykuan dhe u dënuan rëndë, deri edhe me vdekje, për tradhti të lartë, por nuk u ekzekutuan, duke iu a kthyer dënimin kapital në burgim të përjetshëm, ku disa syresh ndërruan jetë burgjeve, përfshi edhe Papadopulosin, i cili, refuzoi kategorikisht amnistinë e akorduar! Kryepeshkopi Makarios III-të, iku në Angli, por u rikthye dhe ndërroi jetë (nga infarkti akut i miokardit) në Nikosia! Greqia monarkiste apo republikane e pasluftës, është drejtuar kryesisht nga familjet e mëdha e të njohura politike, si; Venizellos, Karamanlis, Papandreu, Pangalos, Micotaqis (me lidhje gjaku me Venizellot), etj.
Mretërit Pavlos I-rë dhe Konstantinos II-të (1940 -2023), i përkitnin Dinastisë Schlesëig Holstein Sonderburg Glucksburg dhe Bashkëshorte e Mbretit Konstantinos II-të, ishte Anna Maria e Danimarkës, ndërsa pesë fëmijët e tyre ishin: Alessia, Paolo, Nicola, Teodora, dhe Filippo! Në tetor 1940-deri në prill 1941, nga territori i Shqipërisë së pushtuar, ushtria fashiste italiane e Mussolinit, i shpalli luftë Greqisë. (U mobilizuan me forcë edhe dy batalione shqiptare, “Tomori” dhe “Taraboshi”), pa mundur ta pushtojë dot atë dhe qysh prej aso kohe, në kulmin e absurdit dhe paradoksit politiko-diplomatiko-ushtarak, de jure, mban ende në fuqi prej 83 vitesh, Ligjin e Luftës me Shqipërinë, edhe pse prej 1996, është nënshkruar Traktati i Miqësisë mes dy vendeve tona (nga Prof. Dr. Berisha, President i Republikës), që e rrëzonte ‘de facto’, e pse jo edhe ‘de jure’, këtë Ligj paradoksal lufte?!
Grekët erdhën deri në Korçë dhe u sollën si pushtues, madje, po të mos ishin divizionet hitleriane, që detyruan grekët të tërhiqen, nuk dihet se si do të shkonin punët?! Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Greqia u përfshi edhe nga një Luftë e ashpër Civile, gjatë të cilës, pati mijra viktima! Të majtët u mbështetën nga Stalini, Tito dhe Hoxha, ndërsa të djathtët, prej anglo-amerikanëve! Konferencat e tre Aleatëve të Mëdhenj, e bënë ndarjen e Europës së pasluftës, siç deshën vetë, pra një lloj pazari me fatet dhe trojet e më të vegjëlve dhe shqiptarët, jo vetëm nuk fituan asgjë, por përkundrazi, u nëpërkëmbën, me gjithë kontributin e tyre në Luftën kundër nazi-fashizmit, në krah të Koalicionit të Madh! Për dekada, nuk pati fare raporte mes dy vendeve, deri kur papritur, pas bisedimeve të fshehta Shqipëri – Greqi, u rivendosën marrëdhëniet diplomatike më 6 maj 1971, kur regjimi stalinist i Hoxhës te né dhe regjimi i kolonelëve të ekstremit të djathtë në Shtetin Helen, ishin në apogjeun e vet, dhe kjo, si për të vërtetuar se; shpesh, ekstremet puqen?!
Dy ambasadorët e parë grekë ishin: Denis Karajanis (zv/ministër i Jashtëm) dhe Dimitri Franxeskaqis, funksionar i lartë, Drejtor Politik, në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Greqisë! Si përforcim, ambasadorit të parë, iu dha, edhe një njeri i rëndësishëm i Shërbimit Sekret Grek (Asfalia) i fshehur si zakonisht, pas petkut të Sekretarit të Parë, Ilias Papas, njohës i mirë i Shqipërisë, si djalë teze me Nako Spirun, të cilin, si edhe Mehmet Shehun, Enver Hoxha e kish “vetëvrarë” në nëntor të 1947-ës ?! Në vitet e më pasme, përjashtuar vizitën e Karolos Papulias, marrëdhëniet shkuan deri te shkëmbimet kulturore, këngëtarë apo ansamble artistike si edhe import limonësh. Marinela, Haris Aleksiu, Jani Parios Mariza Koh, Marina Faranturi, këngëtarë të famshëm, ishin shumë pak!
Interesant, si një hipokrizi kulmore, është qëndrimi dyfytyrësh i Enver Hoxhës ndaj Marinelēs, ku në një buletin të brendshëm vlerëson ata shokë të Partisë dhe Sigurimit, që braktisën sallën e Koncertit të saj, ngaqë ajo “hidhej e përdridhej” dhe mē pas, té libri “Dy Popuj Miq” i kritikon ashpër këta “shokë”, që harrojnë se si hidhen e përdridhen artistët tanë, p.sh., në Vallen e Tropojës. Me shembjen e regjimit totalitar stalinist të Hoxhë-Alisë, falë Lëvizjes Studentore të dhjetorit ‘90, udhëhequr nga heroi Azem Hajdari, frymëzuar kjo prej ngjarjeve të ambasadave në korrik dhe nga ikja tronditëse për regjimin e kalbur, e Gjeniut tonë të Letrave europiane e botërore Ismail Kadaresë, në 25 tetor, 1990 në Francë, Greqia reagoi menjëherë.
Qysh në ditët e para të janarit ‘91, erdhi për vizitë kryeministri grek Konstantin Micotaqis (1918-2017, babai i kryeministrit aktual, Qirjako Micotaqis dhe Dora Bakojanit). Lëvizja studentore u shndërrua në uragan popullor dhe u themelua Partia Demokratike, qysh ato ditë (zyrtarisht më 19 dhjetor), të cilës iu bashkuan dhe e udhëhoqën, personalitete të shquara intelektuale, si; Prof. Dr. Sali Berisha, Prof. Dr. Gramoz Pashko, Prof. Dr. Neritan Ceka, Prof. Dr. Meksi, Imami, Zogaj e plot të tjerë. Të gjitha këto zhvillime epokale, bënë që të fillojë dhe hapja e Shqipërisë me Botën!
Kështu mbi gjysmë milioni shqiptarë gjetën strehë dhe mikpritje nga populli grek, (e po aq edhe nga populli italian), pa harruar të theksojmë se shqiptarët, dhanë e japin kontribut të madh në zhvillimin e ekonomisë së Greqisë fqinje, si në bujqësi, blegtori, turizëm dhe ndërtim, (siç qe rasti i ndërtimit të objekteve e ambienteve të Lojërave të XXVIII-ta Olimpike të Athinës, 13-29 gusht 2004), mes mentaliteteve e paragjykimeve, sidomos nga disa politikanë ekstremistë e, veçanërisht nga fryma jo dashamirëse ndaj shqiptarëve, në ushtri dhe më pak edhe në Polici (Astinomia), Drejtësi dhe Shërbimin Sekret (Asfalia)!
Prej mijra vitesh jemi këtu ne, pellazgo-iliro-arbëroro-(shqiptarët dhe helenët në Ballkan), si ndër popujt më të hershëm të gadishullit dhe kontinentit, e me kontribut në qytetërimin botëror! Prej nesh, kurrë s’i ka ardhur asnjë e keqe popullit grek, dhe Greqisë, përkundrazi, kontributi i arvanitasve, si Kundurioti, Kollokotroni, Karaiskaqi, Bubulina, Boçari, Xhavella, Kryezoti, etj., etj., në Revolucionin Heterist dhe shpalljen e shtetit të pavarur modern grek, ka qenë e mbetet i padiskutueshëm! Helenët i dhanë qytetërimit; Homerin, Herodotin, Hipokratin, Eskilin, Sofokliun, Euripidin, Aristofanin, Aristotelin, Platonin- “Aristokles”, Pitagorën, Euklidin, Perikliun, Thukididin, Demostenin etj.
Natyrshëm shqiptarët, nuk mund t’i harrojnë, apo më keq akoma, t’i falin gjenocidin, krimet dhe deportimin e dhunshëm të popullsisë shqiptare nga trojet e tyre amtare në Çamëri, siç ishin ato të Napoleon Zervas, 1891-1957, gjeneral ortodoks çam nga Suli i Artës-Epir, (martuar me Aikaterini Zervas) dhe Komninos Pyromaglou, (martuar me Emma Kartalis), motër e politikanit Jorgos Kartalis, vdekur papritur në Londër (nga infarkti akut i miokardit më 1957, 49 vjeç), të cilët, si kriminel gjenocidialë, arritën deri aty, sa i përdorën edhe politikisht bashkëshortet e tyre! Andartët grekë të Zervas, antishqiptar i përbetuar dhe i tërbuar, qysh nga qershori 1944, filluan gjenocidin, masakrat, krimet e tmerrshme të luftës dhe depërtimin me dhunë të popullsisë shqiptare të Çamërisë, autoktonë prej mijra vitesh në trojet e tyre!
Bilanci i krimeve të tyre është vështirësish i llogaritshëm dhe shumëllojshmëria e tyre mbetet po aq e paimagjinueshme, edhe nga mendja njerëzore, më me fantazi, si një llahtari e vërtetë, e cila, nuk mund dhe nuk duhet të falet! Tani, lé të shkruajmë dy fjalë, sa për kujtesë për ata, që nuk patën mundësi t’i dinë e t’i njohin edhe organizatat e formacionet politiko ushtarake greke, të të gjitha krahëve gjatë dhe fill pas Luftës II-të Botërore, e deri këto aktuale:
EDES – Ethnikos Dimokratikos Ellinikos Syndesmos – Lidhja Kombëtare Republikane Greke me lider Leonidas Spais dhe Ilias Stamatopulos!
ELAS – Ellinikos Laikos Apeleftherotikos Stratos
(Ushtria Popullore Çlirimtare Greke) EAM (Ethniko Apeleftherotico Metopo) Fronti i Çlirimit Kombëtar,
Siantos, Svolos dhe Tsirimakos,
KKE (Ku Ku Eh) Partia Komuniste e Greqisë-Komunistiko Komma Elladas, marksiste-lenisniste, themeluar qysh më 4 nëntor 1918 nga Abraham Benayroia dhe Dimitratos, Ligdolopoulos, Sideris, Arvanitis, Kokkinos, heroi Manolis Glezos etj etj, si pjesë dhe e Internacionales së III-të Komuniste, që themeluan dhe udhëhoqën më pas edhe EAM-in, por dhe Nikos Beloyanis, arrestuar, torturuar dhe ekzekutuar më 1952!
Një figurë euro-komuniste e KKE u bë më vonë Aleka (Aleksandra Nikolau) Papariga (1945)! Më 1949, ushtria monarko-fashiste greke, ndërmori një sulm më të rëndat ushtarake, ndaj Shqipërisë, (Provokacionet e Gushtit), nën pretekstin absurd, se né kishim mbajtur me vite, mijra luftëtarë grekë të së majtës, që kërkuan strehim politik në Shqipërinë e varfër?! Monarko-fashistët u thyen, duke u detyruar të tërhiqen, të poshtëruar mbasi lanë 300 të vrarë, 500 të plagosur dhe 605 robër!!!
Forcat tona, komandoheshin nga gjenerali Petrit Dume, (“Hero i Popullit”), “shpërblyer” më pas me pushkatim, si puçist, nga diktatori paranoiak Enver Hoxha! Në vitet që pasuan, e deri më sot, forcat kryesore politike në Greqi, janë: NEA DEMOKRACIA, me Qirjako Micotaqisin, (e cila i rifitoi zgjedhjet e parakohshme aktualisht), PASOK, SIRIZA, KRISTI AVGJI (AGIMI i ARTË) dhe KKE!!!
Se kë forcë politike zgjedhin t’i qeverisë grekët, kjo është e drejtë e popullit fqinj, por për ne shqiptarët, konstante e pandryshueshme, mbetet fqinjësia e mirë, pa Ligjin absurd të Luftës, abrogimi i të cilit çuditshëm zgjatet deri në Kalendat Greke, një zgjidhje njëherë e përgjithmonë sipas të Drejtës Ndërkombëtare, ku përcaktohen qartë Kufijtë Detarë, dashamirësi dhe drejtësi për Çështjen Çame, ndalimin e veprimtarisë ekstremiste shovene të organizatës Vorio-Epirote, të MAVI-t, apo terroristëve të “17 Nëntorit”, shqiptarët të kenë shkollat në gjuhën e tyre dhe të mos kushtëzohen me ndërrimin e detyrueshëm të emrave, kur duhet t’iu jepen dokumente, apo të drejtat e tjera që i përkasin, sipas konventave të OKB-së për emigrantët!
Shqiptarët, pas miratimit nga Ramiz Alia, qysh më 1991, kanë në krye të Kishës Orthodokse Autoqefale, grekun Anastas Janullatos një personalitet kompleks, shpesh i diskutueshëm për rolin e tij! Ngjarje kriminale si Masakra e Peshkëpisë (10 prill 1994), ku u vranë pabesisht, oficeri Fatmir Shehu, ushtari Arsen Gjini dhe u plagosën shumë të tjerë, apo vrasja e të riut shqiptar Gramoz Palushi, teksa festonte me flamurin kombëtar, fitoren e përfaqësueses sonë të futbollit, ndaj asaj greke (më 4 shtator 2004, për Kampionatin Europian), janë rreptësisht të dënueshme, ashtu si nuk mund të pranohen vrasjet në kufi nga ushtria, apo nga policia, sidomos ato deri brenda komisariateve dhe burgjeve, ku rrihen barbarisht apo torturohen deri në vdekje shqiptarë, shumë prej të cilëve i “vetëvrarin”?! Ne do t’ia shtrijmë përherë dorën e miqësisë së sinqertë fqinjëve tanë grekë dhe besojmë e shpresojmë, se të njëjtën gjë, do të bëjnë edhe ata! Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016