Dashnor Kaloçi
Pjesa e tretë
Memorie.al/publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), që janë shkëputur nga një dosje me siglën “sekret” e cila i përket viteve 1980-1982 dhe bën fjalë për ngjarjen e bujshme, të çarjes së gomave të disa prej automjeteve të trupit të huaj diplomatik, të akredituara në Tiranë, ku pas shqetësimit të madh të Enver Hoxhës dhe telefonatës së tij, ndaj ministrit të Punëve të Brendshme, Feçor Shehu, të cilit në kulmin e zemërimit, “Komandanti” i tha: “Nëse për 24 orë nuk e gjeni se kush dhe përse i ka dëmtuar automjetet e ambasadave të huaja në Tiranë, gjej vrimë dhe futu”! Alarmi i ministrit të Brendshëm Feçor Shehu, i cili thirri në një mbledhje urgjente, të gjithë drejtorët kryesorë të dikasterit që drejtonte dhe pasi iu bëri të qartë shqetësimin e madh të “Komandantit”, se mos ajo ngjarje do krijonte incident diplomatik me disa shtete, organet e Sigurimit të Shtetit dhe struktura të tjera të Ministrisë së Punëve të Brendshme, brenda 24 orësh, arritën të zbulonin autoren e “krimit”, Prendushme Deda, punëtore e Ndërmarrjes Komunale të kryeqytetit, që punonte në pastrimin e rrugëve, e cila u kap në flagrancë përpara Hotel “Dajtit” teksa çante gomat e disa prej automjeteve, të trupit diplomatik në Tiranë. Dëshmia e rrallë e ish-Drejtorit të Laboratorit Qendror Kriminalistik të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Neshat Tozaj, të dhënë pak kohë para se ai të ndahej nga jeta, lidhur me debatet e ashpra e përplasjen e tij, më ministrin Feçor Shehu, pasi ai, si titullar i laboratorit që drejtonte, nuk pranoi të firmoste akt-ekspertimin, për të konsideruar “armë të ftohtë” mjetin prerës, me të cilën punëtorja e pastrimit, kishte çarë gomat e disa prej automjeteve me targa “CD”! Kërcënimi i Feçor Shehut, për vartësin e tij që e shkarkoi menjëherë nga detyra, duke e dërguar si skenarist në Kinostudion “Shqipëria e Re” dhe odiseja e gjatë e Tozajt, për të vënë në vend nderin dhe dinjitetin e tij, duke i dërguar letra ankesash kryeministrit Mehmet Shehu dhe më pas Enver Hoxhës. Kjo u bë shkak e solli dhe ftohjen e përplasjen e parë, midis dy krerëve më të lartë të Shqipërisë komuniste, të asaj kohe! Akuzat e Enverit ndaj Mehmet Shehut, se përse ai, e kishte mbajtur të fshehtë ngjarjen e bujshme, që tronditi Tiranën zyrtare, (nga frika e ndonjë incidenti diplomatik me disa shtete), ku pas vdekjes së tij dhe arrestimit të Kadri Hazbiut e Feçor Shehut, ajo ngjarje ri doli “në skenë” dhe si rezultat, u liruan nga burgu dhe internimi të gjithë pjesëtarët e “grupit armiqësor”, që ishin akuzuar për dëmtimin e automjeteve të ambasadave të huaja e kthimin në vendin e punës së Neshat Tozajt, i cili disa vite më pas, shkroi romanin “Thikat”, që asokohe do të bënte një bujë të madhe!
Dokumenti sekret me relacionin e hartuar nga Rexhep Kolli, funksionar i lartë në aparatin e Komitetit Qendror të PPSH-së për organet e Ministrisë së Punëve të Brendshme, dërguar eprorëve të tij, lidhur me problemin e “Grupit kriminal armiqësor”, që ishin arrestuar e dënuar për dëmtimin e automjeteve të ambasadave të huaja në Tiranë!
Sekret Dt.16.3.1982
R E L A C I O N
Shoku Zef Loka, Elham Kadia dhe Koço Josifi, më 8.12.1981 na thanë se kanë vendosur që Lindita Bekën ta thërrasin dëshmitare në proçesin e Perikli Shqevit dhe pastaj ta këshillojnë, kurse për K. D., kanë dhënë mendimin të lirohet nga internimi.
Tre ditë më vonë, Drejtori i Drejtorisë së Parë të Sigurimit të Shtetit, relaton se gjoja, shokët e Drejtorisë së Tiranës “që në muajin tetor 1981 shfaqën mendimin verbalisht se propozimi i tyre i bërë zyrtarisht më 4.8.1981, të mos merret parasysh, pasi kanë dalë disa çështje që duhen sqaruar”!
Më 25.12.1981, shoku Zef Loka na tha se përfundimisht vendosëm që: Lindita Bekën ta këshillojnë, pasi të përfundojë proçesi i Perikli Shqevit, ku ajo është thirrur si dëshmitarë.
Pra, ç’janë këto lëkundje dhe cila qëndron, ajo që na tha shoku Zef, më 8.12.1981 dhe më 25.12.1981, apo ajo që thotë shoku Kadri Gojashi, në relacionin e datës 11.12.1981?
E themi edhe një herë se këto nuk janë veprime të drejta, ato tregojnë se shokët nuk i kanë përvetësuar si duhet thellë materialet e Partisë dhe mësimet e shokut Enver për objektivitetin, frymën e partishmërisë në trajtimin e çështjeve, për parandalimin e dallimin me kujdes të armiqësores nga ajo jo armiqësorja.
Ata nuk shikojnë se me veprimet e tyre të paligjshme, e dënuan padrejtësisht këtë vajzë, ja internuan familjen dhe kur mori pafajësinë, nuk zbatuan ligjin për të vajtur në qendrën e punës e t’i jepnin sadisfaksionin moral e material kësaj vajze, e shtynë atë të bjerë në gabimet duke e lënë pa punë, pa pagë dhe pa shtëpi.
– Dedë Lasku dhe bashkë me të i biri Noci, internohen më 6.11.1980 me motivacionin: “Duke parë se i biri i tij (Gavroshi) me të shoqen Lefkothenë, janë arrestuar për krime të mprehta”.
– Edhe kjo masë internimi nuk është studiuar e parë mirë nga të gjitha anët. Shokët e Sigurimit nuk i kanë analizuar thellë e me pjekuri raportet familjare dhe shkallën e implikimit. Sidomos, nuk janë vënë re e nuk janë marrë parasysh këto fakte:
– Ded Lasku nuk e ka gjë Prendushe Dedën, autoren e çarjes së gomave të makinave të diplomatëve të huaj. Prendushja është vajza e Zef Dedës, i cili ka vdekur në vitin 1946 në Shkodër.
– Pas disa vjetësh e ëma e saj, Maria, vjen në Tiranë dhe më 1953 martohet me Dedë Laskun, i cili u internua më 1975. Pra ish gruaja e Dedës para 8 vjetësh u dënua me 4 muaj privim lirie për kundra vajtje penale të dështimit pa leje dhe doli, kurse Deda vazhdon të qëndrojë në internim, kur s’ka pasur asnjë lidhje, as me Marien dhe as me Prendushen.
– Gavrosh Lasku, që kishte dijeni bashkë me të shoqen për synimin e Prendushe Dedës, nuk është djali i Dedë Laskut, por fëmijë i lindur jashtë martese. Ai është djali i ish- gruas së Dedës – Maries.
– Gavroshi me të shoqen jetonte i ndarë më vete dhe s’kishte asnjë lidhje ekonomike e financiare me Dedën, pavarësisht nga fakti se në gjendjen civile figuronte në ngarkim të Dedës.
– Hetuesi, Lek Mëlyshi dhe kryesia e Frontit të Bllokut, dëshmoi se në një apartament prej dy dhoma e një kuzhinë, jetonin të ndarë në një dhomë, Deda me vajzën e gruas që vdiq, në një dhomë Gavroshi me gruan dhe një fëmijë, në kuzhinë Maria (ish-gruaja e Dedës) me djalin, Nocin.
– Dedë Laskut nuk i doli gjëkundi emri lidhur me këtë proçes, ai s’kishte asnjë marrëdhënie me Prendushen, as me Gavroshin e as me Marien. Pra, nuk u implikua fare në këtë veprimtari kriminale të Prendushes.
– Në këto kushte, nuk ka pse të internohej ky, pse vajza e ish-gruas bëri një krim të rëndë, as për atë që djali i ish-gruas me të shoqen, u dënuan për mos kallëzim të krimit, kurse ish-gruaja e tij, u dënua pse i kishte bërë dështime të palejuara nuses së djalit të saj.
– Edhe Noc Lasku, djali i Dedës, por që jetonte me të ëmën (Marien), nuk kishte arsye të forta për t’u internuar, sepse ai Prendushen e kishte motër me nënë, as jetonte me të dhe as kishte dijeni për qëllimin e saj.
– Po ashtu Noci, Gavroshin e kishte vëlla nga nëna, e që nuk bashkëjetonte me të. Për Nocin, si Lagja dhe qendra e punës, flasin shumë fjalë të mira, si djalë punëtor dhe i sjellshëm.
***
Nga sa shihet, shokët e Drejtorisë së Parë të Sigurimit të Shtetit dhe ata të Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Tiranës, i ka rrëmbyer ngjarja. Nuk është e drejtë që ngjarjet t’i shikojmë me rrëmbim, në mënyrë të njëanshme, pse një shikim i tillë të çon në marrjen e masave të gabuara, siç ndodhi në rastin konkret.
Këta shokët duhet të rishikonin vetë këto masa internimi, sidomos kur proçesi hetimor vërtetoi faktin, se këtu s’kemi të bëjmë me grup diversionist, kur u zbulua se proçesi për Lindita Bekën qe i manipuluar, duke hequr aktet e ekspertimit të thikave, kur akuza ndaj Linditës u pushua më 27.5.1981, kur K. D. bëri dy kërkesa (më 17.5.1981 dhe 27.6.1981) dhe Dega e Punëve të Brendshme të Lushnjës, më 2.7.1981 shkruante:
“Kudretja është e moshuar dhe e sëmurë, me zemër e reumatizëm, mban qëndrim të mirë, nuk disponohen material në ngarkim të saj, mendojmë që t’i hiqet masat e internimit para kohe”.
Për të gjitha këto arsye, mendojmë:
a. T’u hiqet masat e internimit si të pabazuar K. D., N. E., Dedë Laskut dhe Noc Laskut.
b. T’i rekomandohet Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të rrethit të Tiranës, që t’u ri japë të drejtën e banimit dhe të strehimit K. D., N. E., Dedë Laskut e Noc Laskut.
c. Kuadrot përkatëse të Drejtorisë së Parë dhe ata të Drejtorisë së Tiranës, të përgjigjen përpara Komisionit Qendror të Internim – Dëbimit, pse i kanë gjykuar jo me objektivitet këto masa internimi. Pse kanë ndjekur rrugë të gabuar në grumbullimin e të dhënave për familjen e K. D., pse pra kanë shkel ligjin.
Tiranë, më 5.1.1982 Rexhep Kolli
DISA ÇËSHTJE PËR T’I SHTRUAR DHE SQARUAR NË ORGANIZATËN BAZË TË PARTISË TË DREJTORISË SË HETUESISË
Siç jeni në dijeni, në proçesin penal kundër Prendushe Dedës etj., u bë një shkelje e rëndë ligji, për të cilën më 12.5.1980 Drejtoria e Hetuesisë bëri përgjithësimin me titull “Mbi një shkelje të rëndë të ligjshmërisë socialiste në degën e hetuesisë të Drejtorisë së Punëve të Brendshme Tiranë”.
Në mënyrë që komunistët të mund të na japin mendime të qarta, po ua rikujtojmë shkurtimisht ngjarjen:
- Më 21 dhe 22 tetor të vitit 1980 filloi proçesi penal për zbulimin e autorëve të çarjes së gomave të diplomatëve të huaj. Për karakterin e tij të mprehtë politik, proçesi u ndoq i centralizuar.
- Më 26 tetor 1980 u kap në flagrancë Prendushe Deda. Nga pohimet e saj dolën edhe 5 persona të tjerë që implikoheshin, të cilët me të drejtë u ndaluan.
2. Më 29 tetor 1980, pra mbas 3 ditësh, hetuesia siguroi prova dhe mori sanksionimin e prokurorit për arrest:
- Për Gavrosh Laskun, vëlla nga nëna i Prendushes, u gjetën si provë pohimi i tij se kishte dijeni që Prendushja donte të çante gomat e makinave të diplomatëve të huaj, si dhe fakti që kishte përvetësuar disa material të uzinës, “Enver” në shumën 281.50 lekë.
- Për Lefkothe Laskun e shoqja e Gavroshit dhe kunatë e Prendushes u gjetë si provë pohimi i saj për pasje dijeni si dhe dështimi i palejuar.
- Për Marie Laskun, nëna e Prendushes, u gjetë si provë fakti që u ka bërë dështime të palejuara vajzës dhe nuses së djalit.
- Për Edmond Ruzin, punëtor në uzinën “Dinamo”, u gjet si provë fakti që kishte përvetësuar disa material të uzinës në shumën 284.40 lekë.
Problemi ngeci tek Lindita Beka, për të cilën u provua vetëm fakti që i ka dhënë thikën Prendushe Dedës, por pa ditur qëllimin e saj.
Mendimi i shokëve të Drejtorisë së Parë, të Drejtorisë së Hetuesisë dhe të Drejtorisë së Tiranës, ishte se këtu kemi të bëjmë me “një diversionist”, prandaj që të zbërthehej çështja duhej të gjithë të ndiqeshin në gjendje arresti. Pra dhe Lindita Beka duhej arrestuar se pastaj “gjatë proçesit hetimor do e zbërthejmë”?
Po për çfarë krimi ta arrestojmë? E vetmja gjë ishte fakti që të provohej se thika që ajo i dha Prendushes është armë e ftohtë, në mënyrë që të akuzohej dhe arrestohej për armë mbajtje pa leje. Për këtë arsye, hetuesi i çështjes Sokol Koleka i drejtohet Laboratori Qendror Kriminalistik për ekzaminimin kriminalistik të thikave.
- Më 28.X.1980, Neshat Tozaj dhe Anesti Prifti, përpilojnë aktin e ekspertimit Nr. 145, me të cilin të nxjerri përfundimin se thikat nuk janë armë të ftohta.
- Më 29.X.1980, Kapllan Koka përpilon aktin e ekspertimit Nr.146, me të cilin nxjerr përfundimin se: thika që i’u gjet Prendushes, i plotëson karakteristikat e armës së ftohtë, kurse thika që i’u gjet në vendin e punës Edmond Ruzit, plotëson një pjesë të karakteristikave të armës së ftohtë.
- Hetuesi i çështjes, shoku Sokol i drejtohet përsëri Laboratorit Qendror Kriminalistik dhe ai (Laboratori) më 29.X.1981, me aktin Nr.101, nxori përfundimin se thikat që i’u gjetën Prendushe Dedës dhe Edmond Ruzit, nuk i plotësojnë kushtet të armëve të ftohta, konkluzioni i dhënë në aktin Nr.145 datë 28.8.1980 është i bazuar, kurse ai i aktit Nr.146 datë 29.X.1980 që ishte bërë nga eksperti Kapllan Koka, nuk është i bazuar.
- Në këto kushte, hetuesia e Tiranës vendosi dhe e liroi Lindita Bekën më 29.X.1980. I raportohet shokut Elham dhe ky njofton ministrin.
Thirren tek ministri shokët Elham Gjika, Neshat Tozaj, Sokol Koleka, Kapllan Koka dhe Faredin Poçari. Shoku Feçor, gjithashtu kishte mendimin se kjo vajzë duhet arrestuar, prandaj u thotë këtyre shokëve që si ekspertë, t’i shikojnë edhe një herë konkluzionet.
Neshat Tozaj, refuzoi të marrë pjesë në një ri ekspertim, duke mbajtur mendimin e dhënë në aktet Nr.145 datë 28.X.1980 dhe Nr.101 datë 29.X.1980.
Të ndodhur përballë këtij fakti, Sokol Koleka urdhërohet të thërrasë si ekspert shokët Faredin Poçari dhe Kapllan Kokën. Këta të dy shokë aktin e ekspertimit e bëjnë më datën 29.X.1980, kurse vendimi i hetuesit të çështjes, për t’i thirrur si ekspert bëhet më datën 30.X.1980.
Jo vetëm kaq, por shoku Faredin Poçari ja korrigjon vendimin hetuesit, duke hequr të gjitha ato pjesë ku thuhej se janë bërë ekspertime të mëparshme. Pra, me një ndryshim vendimi, u zhdukën gjurmët e tre akteve të mëparshme, mbeti vetëm akti i përpiluar nga Faredin Poçari e Kapllan Koka, me të cilin thikat cilësoheshin armë të ftohta. /Memorie.al
Rexhep Kolli
Tiranë, më 7.1.1982
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016