• Rreth Nesh
  • Kontakt
  • Albanian
Saturday, October 18, 2025
Memorie.al
No Result
View All Result
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
No Result
View All Result
Memorie.al
No Result
View All Result
Home Dossier

“Në vitin 1978, kur punonjësi i Degës i tha: ‘e more vesh moj plakë, djali yt në Suedi, Agimi, është vrarë’, nënë Fizja iu përgjijgj; ‘të rroni ju more bir’, dhe…”/ Historia e trishtë e familjes Biçaku nga Librazhdi

Adil Biçaku
“Mugosha dhe Miladini, ndikuan ndjeshëm në vendimet e marra nga ana e Enverit dhe PKSH-së, si dhe në Shtabin e Ushtrisë Nacional-Çlirimtare…”/ Refleksionet e studiuesit të njohur
“Pasi ikën natën nga Roskoveci ku ishte mësues, me shokun e ngushtë, Mustafa Lleshnaku, arratisën nga kufiri e dalin në Strugë, ku UDB-ja…”/ Historia e panjohur e Adil Biçakut që sot jeton e punon në Suedi

Nga Ali Buzra

Pjesa e njëzetegjashtë

                                                     – JETË NËN TRYSNI DHE VUAJTJE –

                                                     (VLERËSIME, KOMENTE, RRËFIME)

Gjithashtu mund të lexoni

“Anëtar i Rinisë së Ballit, i ati milic e spiun i SIM-it, dy dajo komandantë Balli…”/ Dokumenti sekret i Sigurimit, për ballistin që hetoi Koci Xoxen, Dali Ndreun, Teme Sejkon, “sabotatorët e naftës”, etj.!

“Nën ritmin e orkestrave popullore, çingijet e gdhinin bashkë me dasmorët apo klientët e zgjedhur të lokaleve e, në vende të fshehta me të pasurit…”/ Historia e panjohur e “femrave të përdala” të Elbasanit

Memorie.al / Me kërkesën dhe dëshirën e autorit, Ali Buzra, si redaktuesi e lexuesi i parë i tij, do të ndaj shkurtimisht me ju ato çfarë përjetova në këtë takim me këtë libër, i cili është i dyti për të (pas librit “Gizaveshi në vite”) e që natyrshëm po përvijon stilin e tij të të shkruarit. Sinqeriteti dhe çiltërsia e rrëfimit, gjuha e thjeshtë e pa modifikime, saktësia dhe precizioni i episodeve apo mungesa e një fantazie përpunuese, të qëllimshme të mëpastajme ose mosshfrytëzimi i saj, mendoj se i kanë shërbyer pozitivisht autorit, i cili i vjen te lexuesi në formën e tij origjinale, duke na ftuar që së paku të njohim fate e dhimbje njerëzore të panjohura, në mënyrë të rastësishme apo jo, duke na lënë ne të reflektojmë si një fillesë ndërgjegjësimi drejt një katarsisi aq të nevojshëm për ndërgjegjen e shqiptarëve.

                                                                                                   Bedri Kaza

                                                        Vijon nga numri kaluar

Edhe mbas lirimit nga burgu, punonjësit e Degës u përpoqën ta kllaposnin përsëri atje. Kështu, në një rast, Veliun e thërresin në Degën e Punëve të Brendshme, Elbasan. Aty e marrin me të mirë e i sjellin rrotull ide nga më të ndryshmet. I thonë se pritet të vijë edhe një shok tjetër. Veliu nuk binte në kurth. Duke kuptuar qëllimin e tyre, ai u thotë, se; çfarë kërkoni prej meje e, përse më mbani këtu?! Mbas dite vonë u kërkon të largohet, se nuk ka ku rri, e se mbetet natën jashtë. – “Do të strehojmë në hotel”, – i përgjigjen ata, me “dashamirësi”. Del natën vonë e niset për në hotel. Gjatë rrugës, dikush i thërret në emër. Ndalon, dhe sheh se ishte një bashkëfshatar i tij nga Qarrishta.

– “Për ku” – i drejtohet ai, – “në hotel”- i përgjigjet Veliu. – “Edhe unë atje po vij, – i tha ai, – u bëra vonë, se pata punë e nuk gjeta makinë për në Librazhd”. U vendosën në një dhomë. Bashkëfshatari, fillon ta provokojë gjatë bisedës, duke i përmendur vuajtjet e familjes, burgun etj. Veliu, nuk e dëgjoi gjatë, por i thotë prerë: “Dëgjo këtu, fli gjumë tani, se ta bëj kurrizin më të butë se barkun”.

Duke njohur karakterin e tij, se atë që thoshte e bënte, provokuesi nuk u ndie më. Në mëngjes Veliu u nda me të, pa ia dhënë dorën. Paraqitet përsëri në Degën e Punëve të Brendshme, mbasi kështu i qe thënë në darkë, e prej andej shkon në Dumre, te familja. Ndjekja e survejimi për familjet e tyre, ishte evidente në çdo kohë. Në shënjestër ishin veçanërisht burrat e familjeve të Nexhipit, Kadriut e Veliut, por edhe të tjerët ndiqeshin.

Mbas prishjes së marrëdhënieve me Kinën, në Shqipëri ishte kulmi i zhvillimit të luftës klasore, ndaj elementëve, që konsideroheshin “armiq” të regjimit socialist. Projektoheshin e krijoheshin artificialisht “grupe armiqësore”, për të ngjallur frikë e terror kudo. Në këto rrethana të pasigurta e të dyshimta, dy djemtë e Nexhipit, Mevluti e Agimi, vendosën të arratisen. Në pranverë të vitit 1978, duke përfituar nga rasti, që do të dilte Reifi nga spitali, ata kërkojnë leje e zbresin në Elbasan. Nga atje me tren shkojnë në Librazhd, e që aty udhëtojnë drejt zonës kufitare, në fshatin e tyre Qarrishtë.

Mevluti i njihte mjaft mirë shtigjet e kufirit. Ai e dinte se në këtë periudhë, forcat ushtarake të kufirit, ndodheshin në postën dimërore në fshat, prandaj nisen menjëherë drejt Qafës së Koklit. Në një terren malor e të vështirë, e ku në shumë vende bora i kalonte dy metra trashësi, e që nuk ishte kudo e ngrirë, ata vuajnë shumë duke humbur në guvat e saj e, duke rrëshqitur në thellësi. Me orë të tëra u endën në shpatet e maleve e grykat e përrenjve të vegjël malorë, duke u ngjitur e zbritur, deri sa mbërritën në brezin e kufirit.

Kaluan kufirin duke dalë në territorin e Maqedonisë. Atje dorëzohen në postën maqedonase e, kërkojnë të marrin takim me disa miq të familjes. Ndërkohë aty vjen vëllai i tyre i madh Adili. Me porosi të xhaxhait të tij Kadriut, që ndodhej në Suedi, ai takon mikun e familjes së tyre, të Emin Biçakut, Spase Prushkën, me kombësi maqedonas, nga Vefçani i Strugës. Ky i fundit, ndërhyn në Degën e Punëve të Brendshme të Strugës, duke i marrë të dy vëllezërit, Mevlutin e Agimin dhe i çon në Beograd. E që andej me ndërhyrjen e tij, si dhe me interesimin e miqve të tjerë, në një kohë rekord, iu bënë vizat të dyve. Të shoqëruar nga vëllai i tyre Adili, ata shkuan në Suedi.

Mevluti në Shqipëri la një vajzë e, gruan shtatzënë, ndërsa Agimi një vajzë e, gruan në moshë shumë të re. Gruaja e Mevlutit, ishte vajzë e familjes Gurra në Dragostunjë, edhe kjo qe e bija e Hamdi Gurrës, që ishin motra me të shoqen e Fatmirit, të cilësuar kulakë, ndërsa gruaja e Agimit, ishte e bija e Jakup Cekanit, nga një familje kulake në Gurshpatë. Arratisja e tyre do të sillte reagimin e menjëhershëm dhe arrogancën e shtetit ndaj familjeve të tyre, në Dumre. Nga viti 1978, deri në vitin 1983, ndaj tyre u vendos një regjim më i rreptë disiplinor.

U rikonfirmohet se është vendosur përsëri masa; “internim i plotë”. Dy herë në ditë bëhej apel për të gjithë pjesëtarët e familjeve të tyre. Ishin të detyruar që dy herë gjatë ditës, në orare fikse, të paraqiteshin pranë rojës operative të sektorit, për të konfirmuar prezencën, e cila protokollohej nga punonjësi i shërbimit. Në qoftë se kalonin, qoftë edhe një metër sektorin e fshatit, merrej masa disiplinore për shkelje të kufirit, që dënohej me gjobë, ose me burg.

Pothuaj të gjithë burrat e familjeve të tyre punonin në ndërtim, ku pagesa e ditës së punës ishte më e mirë. Kjo ndodhte se vendasit nuk e punonin gurin, ndërsa ata ishin mjeshtra të punimit jo vetëm të gurit, por ishin ndërtues të zotë. Ndërmarrja bujqësore kishte nevojë shumë për ndërtime. E këto ndërtime u kryen nga burrat e kësaj familje. Ata ndërtuan të gjitha objektet e Ndërmarrjes Bujqësore Fierzë, Sektori III-të, objekte të tjera në Kosovë, Belsh Dragot, Gjyral etj.

Mbas përcaktimit të vijave të verdha për banesa private, mjeshtërit Qarrishtarë, ishin ndërtuesit e shumicës së shtëpive të banimit në të gjithë fshatrat përreth. Megjithatë, diferencimi filloi të ndihej edhe këtu. Kur vendasit, që punonin me ta, e mësuan zanatin, drejtuesit e ndërmarrjes nuk i merrnin më të internuarit në këto punë. Por ata i kishin duart e arta. Banorët vendali, i merrnin natën, të bënin suvatime në shtëpitë e tyre, duke i paguar privatisht.

Pas viteve ’80-të, të gjitha familjet e internuara, kishin ndërtuar shtëpitë e tyre, mundet edhe më të mira se të vendasve, megjithatë, kur bëhej fjalë për ta, përdorej shprehja; “njerëzit e stallës”. Në disa sektorë më të lehtë pune, si në foragjere, perime, pemëtari etj., gratë e tyre nuk i çonin. Ata ishin të detyruar të punonin vetëm në sektorin bujqësor. “Na vinte rëndë, – tregonte Reifi, – kur bëheshin mbledhje të Frontit, Rinisë apo Gruas në sektor, ndërsa ne na thonin: “Ju, largohuni”!

E ne me kokën ulur, largoheshim për në shtëpitë tona. “Ne e dinim këtë, – tregon e shoqja e Besimit, vajza e Nebi Doskut, nga Dorëzi, i dënuar me 10 vite burg si armik i regjimit. – Një rast, – rrëfen ajo, – brigadieri na tha të qëndronim. Priteshin të vinin disa të deleguar nga Bashkimet Profesionale të rrethit. Brigadieri, që nuk ishte njeri i bezdisur, na thotë: Qëndroni edhe ju, se mbledhje e punëtorëve është, nuk ka problem”.

Ishte kohë dreke, e bukën punëtorët e merrnin me vete. E shoqja e Mevlutit, ndërhyn duke i thënë brigadierit, se; “është më mirë të largohemi tani, sepse nuk do të na lejojnë”. – “Qëndroni, – u thotë ai, – se nuk ka ndonjë gjë të keqe, nuk është mbledhje Fronti”. – “Mirë, po qëndrojmë, por unë s’kam me lëviz e gjallë nga vendi”, – i tha ajo. Ndërkohë shoqeve të veta u tha, se unë nuk kam ç’të humbas më. Dhe fakti kështu ishte.

Vjehrri, Nexhipi, ndërroi jetë në burg shumë vite më parë, burri dhe dy kunetërit, ishin detyruar të arratisen, ajo punonte për të mbajtur fëmijët e vegjël, në kushte izolimi e diferencimi të pakuptimtë. Dhe kështu u bë. Vijnë të deleguarit, e sapo filloi mbledhja, njëri prej tyre u thotë: “Pjesëtarët e familjeve kulake të largohen”! Për disa sekonda mbretëroi heshtja, por nuk zgjati shumë. E shoqja e Mevlutit, pa u ngritur nga vendi iu përgjigj:

– “Ju shkoni e bëni mbledhjen ku të doni, ne nuk lëvizim nga vendi”. I tha këto fjalë ashtu prerazi dhe e shtroi përpara shaminë, për të ngrënë bukën që e kishte në çantën prej lecke. Kështu vepruan edhe gratë e tjera. Deshën, nuk deshën të deleguarit, u ngritën bashkë me brigadën dhe shkuan e bënë mbledhjen më tej.

Të internuar, keqtrajtuar e të përbuzur nga shteti komunist për afro 25 vite, punuan e jetuan në Fierzë të Belshit, familjet e Emin dhe Kapo Biçakut. Me punë e sakrifice, ata ndërtuan shtëpitë e tyre atje, duke boshatisur gradualisht hangarët e stallat e dhive ku qenë strehuar, pas shpërnguljes me forcë nga Qarrishta. Nga bisedat me ta, asnjëri prej tyre nuk ankohet ndaj banorëve vendas. Ishte orientimi i Partisë-shtet dhe drejtuesve të saj, që pjesëtarët e këtyre familjeve, të mbanin mbi shpinë, gjatë tërë viteve aty, “damkën” e kulakut, emërtimin “armiq” e diferencimin shoqëror, duke i konsideruar jo njëlloj me të tjerët.

Ishte viti 1991, kur mbi qiellin e Shqipërisë, fluturoi dallëndyshja e parë e lirisë, që solli çlirimin nga sundimi totalitar, gjysmëshekullor, të popullit shqiptar. Studentët dhe populli i Tiranës, rrëzuan bustin e diktatorit Enver Hoxha. Të burgosurit politikë, të internuarit e të persekuruarit në të gjithë Shqipërinë, ndjenë për herë të parë pas kaq vitesh, aromën e lirisë e të barazisë shoqërore, aromën e të qenurit “njeri” të mohuar nga diktatura.

Qeveria Meksi, u dha të gjitha familjeve të internuara në Belsh, nga 250 metra truall ndërtimi, në zonën Fushë Mbret, Elbasan. Ata ndërtuan aty shtëpitë e tyre dy e trekatëshe, që ndodhen në një bllok. Vilat e tyre duken sot, çdonjëra më e bukur se tjetra. Këtë kënaqësi e përjetoi edhe Veliu. Bashkë me të shoqen dhe dy djemtë e tij, ai u vendos në qytetin e Elbasanit, në lagjen “Fushë-Mbret”. Djali i tij i madh, Fatmiri, në vitet e para të demokracisë, kreu dy fakultete.

Ai punoi në poste drejtuese deri në Shef Komisariatit të Policisë për rrethin e Elbasanit. Veliu ndërroi jetë në vitin 2004, i përcjellë për në banesën e fundit me respekt e nderime jo vetëm nga të afërmit e tij, por edhe nga përfaqësues të pushtetit në rreth si dhe miq të shumtë nga brenda e jashtë vendit. Duke u pozicionuar edhe një herë në vitin 1991, me përmbysjen e diktaturës, kthehen në Shqipëri, në tokën mëmë, qindra të arratisur politikë, të larguar mbas çlirimit të vendit.

Tashmë, me mall e dhimbje në shpirt për të afërmit e tyre, me të cilët i ndau diktatura, u kthyen nga Suedia, Kadriu, Adili e Mevluti. Djemtë e Nexhipit, Adili e Mevluti, e gjetën nënën e tyre gjallë. Nuk kam mundur të kontaktoj ende me ta, por të afërmit japin detaje mbi çastet përmalluese të takimit me nënën e tyre, Fizen, e cila i mbijetoi diktaturës si sokoleshë sypatrembur, duke iu përgjigjur me qetësinë, durimin dhe fisnikërinë që e karakterizonte, provokimeve të here pas hershme të punonjësve të Degës Brendshme, për tre djemtë e saj të arratisur.

Për fat të keq djali i saj i vogël Agimi, disa muaj pas arratisjes, i përfshirë në një aksident, ndërroi jetë atje në Suedi. Kështu, një ditë punonjësi i Degës së Punëve të Brendshme, operativi i zonës, pa ndjerë pikën e mëshirës ndaj një nëne që kishte humbur djalin, i thotë asaj: “E more vesh moj plakë, djali yt Agimi, është vrarë”! – “Të rroni ju more bir”, – i përgjigjet nënë Fizja, me fisnikëri, xhelatit të pamëshirshëm.

Do të përshkruaj disa detaje për kthimin e Kadriut në Shqipëri, në vitin 1991. – “Për internimin e familjes, nuk kam ditur gjë”, – tregon ai. Këtë fakt e mësoi nga dy nipërit e tij, Mevluti e Agimi, pas 13 vjetësh, kur ata shkuan atje. Ai dërgonte letra, edhe para, por letrat disa herë i ktheheshin mbrapsht, ndërsa paratë nuk dihet ku shkonin. Në vitin 1991, Kadriu niset për në Shqipëri, i shoqëruar nga dy vëllezërit e gruas së dytë, Sehit dhe Kamber Kreka.

Sqaroj, se ai u martua në Suedi, duke marrë për grua të bijën mikut të familjes së tij, Shefki Krekës, nga Goliku i Pogradecit. Disa nga pjesëtarët e kësaj familje të madhe e fisnike, ishin arratisur e qenë vendosur në Strugë, midis tyre edhe Drita, ndërsa vetë Shefki Kreka, person i njohur në të gjithë zonën e Mokrës, për besë e trimëri, vazhdonte qëndresën antikomuniste në vend.

Ai u kap tradhtisht nga forcat e Sigurimit të Shtetit dhe u pushkatua. Kur u martua Kadriu, i pati bërë të qartë familjes së vajzës dhe vetë asaj, se ishte i martuar dhe kishte dy fëmijë të cilët, sido që të vinte puna, nuk do t’i braktiste kurrë. Drita, kjo vajzë fisnike e derës së Krekajve të Golikut, e dinte dhe e kish pranuar këtë fakt, po kështu edhe vëllezërit e nëna e saj.

Familja e Kadriut, në vitin 1991 ndodhej ende në Belsh. Kishin kaluar 26 vjet pa u parë. Ai vetë, tashmë ishte 53 vjeç. Djali i tij, Ylli dhe vajza Sabire, tashmë qenë të martuar. Ylli kishte marrë për grua një vajzë vendalie, familje kulakësh, dhe kishte një vajzë. Po kështu edhe Sabireja, qe martuar në derën e familjes, Kishta, edhe këto familje kulake për mjaft vite. Kadriu, nuk i njofton se do të shkonte, duke ua bërë surprizë vajtjen atje.

Ishte mbas dite. Shtëpitë e Biçakajve ishin buzë rrugës automobilistike. Ai kishte marrë informacion të saktë për vendndodhjen dhe ndalojnë makinën përballë shtëpisë. Sapo del nga makina thërret: “Po vjen armiku i Partisë edhe një herë në tokën e vet”. Dolën jashtë, jo vetëm familjarët, por edhe fqinjët përreth.

Shumica ishin Qarrishtarë, të afërmit e vet. Fëmijët e tij nuk e njihnin, ndërsa gruaja e tij, Mejtja, sapo dëgjoi zërin, megjithëse kishin kaluar shumë vite, e njohu atë, por iu duk ëndërr, e mbeti si e ngrirë në derë të kuzhinës, duke i shpëtuar nga dora ena që mbante. Kadriu që e pa këtë skenë, shkon menjëherë drejt saj, e kap për krahu, duke i thënë: “Ku je, burrnesha ime, eja në vetë se jemi gjallë”.

Përmallohet kështu me grua e fëmijë, me vëllezër, nipa e kushërinj, që u internuan nga shteti i diktaturës komuniste, menjëherë pas arratisjes së tij, në vitin 1965. Kadri Biçaku, ky djalosh trim, i besës dhe i pamposhtur i familjes fisnike të Emin Biçakut, nuk u bë vegël e armës mizore të Sigurimit të Shtetit, prandaj u detyrua të largohet nga vendi. Dhe fati e deshi që ai të kthehej pranë familjes dhe të afërmve të tij, pas përmbysjes së sistemit.

Saipin, vëllain i tij, e gjeti të sëmurë rëndë në shtëpi. Ky i fundit, nuk e ndau familjen e Kadriut, duke qëndruar bashkë gjatë gjithë periudhës së internimit. Dy fëmijët e tij, Yllin e Sabiren, ai i rriti e i martoi ashtu siç dhe për fëmijët e vet. Pas dy ditësh, Saipi ndërroi jetë. Kadriu u interesua për gjithçka. Ishte koha, kur në Shqipëri ishte tregu bosh. Ai shkon e merr furnizim me ushqime në Strugë, e priti miqtë e të vëllait.

Kadriu qëndroi në Shqipëri dy muaj në familjen e tij. Ai u kthye në Shqipëri përsëri, pas disa muajsh, bashkë me gruan e tij të dytë. Bleu në Elbasan për familjen një shtëpi dykatëshe. Fëmijëve të Saipit, u jep para për të blerë shtëpi. Më vonë bën shtëpitë e reja, që janë sot në një lagje me kushërinjtë e tij, ndërkohë i bën shtëpi aty pranë, edhe vajzës së tij, Sabiresë.

Shkon përsëri për në Suedi, duke marrë me vete gruan e parë Mejten, të cilën e mban atje, në Stokholm, 15 vjet. Episodin për marrjen e gruas së tij të parë për në Suedi, ma treguan të afërmit e Kadriut. Për këtë gjë, personalisht nuk e pyeta Kadriun, mbasi kisha pak ndrojtje, por ndërkohë edhe ai vetë nuk ma tha. Të afërmit e tregojnë se Kadriu vjen në Shqipëri për herë të dytë, bashkë me gruan e tij, Dritën, mbasi për herë të parë, ishte vetëm me dy vëllezërit e saj. Mund të duket e pazakontë, por dëshmitarët thonë se gratë e tij, u takuan me shumë mall, sikur të qenë të njohura prej vitesh.

Gruaja e parë Mejtja, e bija e Kasem Boriçit nga Zabzuni, rridhte nga një familje e thjeshtë, me tradita e punëtore të malësisë së Gollobordës. Ajo tashmë ishte afro 52 vjeç. Rrethanat politike të kohës, diktuan dhe çuan në ndarjen e tyre, por jo me shpirt e zemër. Asnjëra nga gratë e tij, nuk qe fajtore për këtë. Pas disa ditë qëndrimi në Shqipëri, gruaja e dytë, Drita, i thotë të shoqit: – “O Kadri! Mejtja ka vuajtur shumë në Shqipëri për kaq vite. Do ta marrim në Suedi, se atje i kemi kushtet edhe më të mira”. – “Mirë, fisnikja ime, e prisja këtë gjë nga ti, dhe e dija që do ta bënit”, – iu përgjigj ai.

Dhe kështu u bë. Ata shkuan në Suedi të tre bashkë. Herë pas here ata vinin te fëmijët e tyre në Elbasan, që tashmë qenë rregulluar mirë aty. Në vitin 2007, vjen për herë të fundit me Mejten te fëmijët në Elbasan. Pas disa javësh, gruaja sëmuret. Me gjithë shërbimin e kujdesin e veçantë mjekësor, ajo nuk mundi t’i mbijetojë sëmundjes. Ndërroi jetë, duke patur pranë burrin e saj Kadriun, si dhe fëmijët me nipat e mbesat. Në Suedi, me gruan e dytë, Kadriu ka dy djem, që punojnë e jetojnë atje në kushte mjaft të mira.

Bëmë sa mundëm për të përshkruar disa ngjarje nga jeta dhe peripecitë e familjes së Emin dhe Kapo Biçakut, të përndjekur nga regjimi komunist, që nga viti 1945-‘46 e, deri në vitin 1990. Nga trungu i kësaj familje fisnike, bujare, e të devotshme të fshatit Qarrishtë, u dënuan me burg 4 burra të familjes; Emini, Kapua, Nexhipi dhe Veliu. U detyruan të arratisen katër të tjerë jashtë vendit, si rezultat i rrezikut që u kanosej nga Sigurimi i Shtetit.

Në vitin 1965, e gjithë familja e përbërë nga 57 anëtarë, mes të cilëve të moshuar dhe fëmijë në djep, u dëbua nga vendlindja, duke i internuar në Belsh të Elbasanit. Me gjithë vuajtjet, përbuzjet, përndjekjet, dhe persekutimin 45 vjeçar, ata mundën të mbijetojnë. Sot, trungu familjar i kësaj familje të mbijetuar nga vitet e diktaturës, përbëhet nga mbi 300 anëtarë, të cilët punojnë e jetojnë në Shqipëri, Suedi, Angli, Itali, Gjermani etj. / Memorie.al

                                                        Vijon numrin e ardhshëm

ShareTweetPinSendShareSend
Previous Post

“Hysen Devolli u dallua për trajtimin e kompozimeve me tematikë historike, por edhe një gamë e gjerë bocetesh të emisioneve filatelike...”/ Historia e panjohur e “Aristokratit të Skenografisë” shqiptare

Next Post

"Anëtar i Rinisë së Ballit, i ati milic e spiun i SIM-it, dy dajo komandantë Balli..."/ Dokumenti sekret i Sigurimit, për ballistin që hetoi Koci Xoxen, Dali Ndreun, Teme Sejkon, “sabotatorët e naftës”, etj.!

Artikuj të ngjashëm

“Si e varën në litar, Nezir Muzhaqin, komandantin e ‘Ballit Kombëtar’ për Elbasanin, me vendimin e Gjykatës së Lartë Ushtarake, pasi…”/ Ish-i dënuari politik, publikon dokumentin
Dossier

“Anëtar i Rinisë së Ballit, i ati milic e spiun i SIM-it, dy dajo komandantë Balli…”/ Dokumenti sekret i Sigurimit, për ballistin që hetoi Koci Xoxen, Dali Ndreun, Teme Sejkon, “sabotatorët e naftës”, etj.!

October 18, 2025
“Nën ritmin e orkestrave popullore, çingijet e gdhinin bashkë me dasmorët apo klientët e zgjedhur të lokaleve e, në vende të fshehta me të pasurit…”/ Historia e panjohur e “femrave të përdala” të Elbasanit
Dossier

“Nën ritmin e orkestrave popullore, çingijet e gdhinin bashkë me dasmorët apo klientët e zgjedhur të lokaleve e, në vende të fshehta me të pasurit…”/ Historia e panjohur e “femrave të përdala” të Elbasanit

October 16, 2025
Dossier

“Kur drejtori i burgut të Strugës, u thotë: ‘ju jeni enveristë’, Kadriut, që i kishin ngrirë këmbët dhe ishte i rraskapitur, ia kthen…”/ Historia e trishtë e K. Biçakut e F. Doskut, që u arratisën në Maqedoni, në mars 1965

October 17, 2025
“Në 1952, i ndihmuar nga vëllai i tij, Tafili, merr me vete të shoqen e Ismail Balliut, me dy vajzat, që kërkonin të largoheshin dhe arratiset në Jugosllavi, ku…”/ Historia e panjohur e Hamit Lukës nga Funarësi
Dossier

“Pasi ikën natën nga Roskoveci ku ishte mësues, me shokun e ngushtë, Mustafa Lleshnaku, arratisën nga kufiri e dalin në Strugë, ku UDB-ja…”/ Historia e panjohur e Adil Biçakut që sot jeton e punon në Suedi

October 15, 2025
“Emin Biçaku nga Qarrishta, në 1944-ën, orientoi Mehmet Shehun me Brigadën e Parë, të ndiqte itinerarin drejt Qafës së Lespriskës, por pas mbarimit të Luftës, ata…”/ Historia e trishtë e familjes nacionaliste
Dossier

“Emin Biçaku nga Qarrishta, në 1944-ën, orientoi Mehmet Shehun me Brigadën e Parë, të ndiqte itinerarin drejt Qafës së Lespriskës, por pas mbarimit të Luftës, ata…”/ Historia e trishtë e familjes nacionaliste

October 16, 2025
“Pas arratisjes nga Shqipëria në 1949-ën, Azis Biçaku me djalin, Isufin, shkuan në Greqi, ku morën pjesë në luftën civile kundër forcave komuniste dhe…”/ Historia e panjohur e familjes nacionaliste nga Librazhdi
Dossier

“Pas arratisjes nga Shqipëria në 1949-ën, Azis Biçaku me djalin, Isufin, shkuan në Greqi, ku morën pjesë në luftën civile kundër forcave komuniste dhe…”/ Historia e panjohur e familjes nacionaliste nga Librazhdi

October 16, 2025
Next Post
“Si e varën në litar, Nezir Muzhaqin, komandantin e ‘Ballit Kombëtar’ për Elbasanin, me vendimin e Gjykatës së Lartë Ushtarake, pasi…”/ Ish-i dënuari politik, publikon dokumentin

"Anëtar i Rinisë së Ballit, i ati milic e spiun i SIM-it, dy dajo komandantë Balli..."/ Dokumenti sekret i Sigurimit, për ballistin që hetoi Koci Xoxen, Dali Ndreun, Teme Sejkon, “sabotatorët e naftës”, etj.!

“Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord”
Napoleon Bonaparti

Publikimi ose shpërndarja e përmbajtjes së artikujve nga burime të tjera është e ndaluar reptësisht pa pëlqimin paraprak me shkrim nga Portali MEMORIE. Për të marrë dhe publikuar materialet e Portalit MEMORIE, dërgoni kërkesën tuaj tek [email protected]
NIPT: L92013011M

Na ndiqni

  • Rreth Nesh
  • Privacy

© Memorie.al 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.

No Result
View All Result
  • Albanian
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme