Pjesa e katërt
Memorie.al / Ditarët e luftës të Komandës Supreme të Forcave të Armatosura Gjermane (Kriegstagebuch des Oberkommandos der Wehrmacht, KTB OKW), në vitet 1940-1945, u mbajtën nga Zyra e Mbrojtjes Kombëtare pranë Shtabit të Operacioneve të Forcave Ushtarake gjermane (Abteilung Landesverteidigung im Wehrmachtführungsstabamt). Këto ditarë lufte, përshkruajnë strategjitë, betejat, lëvizjet e trupave, linjat e fronteve, qëllimet, vendimet operacionale dhe planet e luftës dhe vlerësimet e situatave luftarake, prej udhëheqjes më të lartë të forcave ushtarake gjermane. Sekretari i Ditarëve të Luftës në Komandën Supreme të Forcave të Armatosura Gjermane, ishte Helmuth Greiner deri më Mars 1943 dhe më pas Percy Ernst Schramm. Në vitet 1961-1965 ditarët e luftës u përpiluan nga historianët dhe u botuan nga shtëpia botuese Bernard & Graefe Verlag für Wehrëesen, Frankfurt am Main. Historiani kryesor ishte Percy Ernst Schramm dhe ndihmësit e tij historianë përkatësisht sipas vëllimeve ishin si më poshtë:
Ditar Lufte
Faqe 1147 – 27.09.1943. Vazhdojnë veprimet kryengritëse në Shqipëri.
Faqe 1151 – 28.09.1943. Në një shtesë të njoftimit për atasheun ushtarak gjerman në Sofje, me 23.09.1943, thuhet se zona e Shqipërisë veri-lindore, deri në luginën e Vardarit, do të pushtohet më vonë nga trupa gjermane.
Faqe 1154 – 30.09.1943. Në Shqipëri, mprihen më tej veprimet e bandave; janë vënë re gjithnjë e më shumë, agjentë britanikë.
Faqe 1164 – 01.10.1943. [Bëhet fjalë për udhëzimet e Komandës së Lartë gjermane, për shpërndarjen e trupave në jug-lindje]. …. Divizioni X-të Malor, të dërgohet në Epir ose, në bregun shqiptar. …. Vazhdojnë spastrimet në Shqipëri dhe Kroaci.
Faqe 1168 – 03.10.1943. Hitleri urdhëron të emërohet një “Gjeneral përgjegjës për Shqipërinë“. K.S.F.A., lëshon një urdhëresë për këtë.
Faqe 1171 – 04.10.1943. Hitleri i urdhëron Komandës së Lartë Jugore dhe Grupit ‘B’ të ushtrisë, sa vijon: Pritet që armiku t’i drejtojë operacionet kryesore kundër rajonit jug-lindor ose, nga Italia jugore, për në Shqipëri – Mal të Zi – Kroaci jugore ose, pas luftimeve nga Italia qendrore, kundër Kroacisë veriore, – Istria.
Faqe 1178 – 06.10.1943. Pritet një sulm britanik në rajonin jug-lindor, kundër bregut shqiptaro-dalmatik ose, nëpër detin Egje, kundër Maqedonisë dhe Thrakisë.
Faqe 1181 – 07.10.1943. Forcohet veprimi i bandave, në Shqipëri dhe Kroaci.
Faqe 1184 – 08.10.1943. Në Shqipëri është ngritur me ndihmën gjermane, një qeveri shqiptare, e cila ka ndër mend të krijoje një trupë milicie të vetën. Njoftimet e shtabit drejtues të ushtrisë, për datat 09.10.1943 dhe 13.10.1943, mbi lirimin nga ushtria të shqiptarëve që ndodhen në Divizionin SS Malor të Bosnjes, janë hedhur poshtë nga krye-komandanti i SS-ve, [Heinrich Himmler].
Faqe 1191 – 10.10.1943. K.S.F.A., është dakord me idenë e shtruar më 01.10.1943, nga Komanda e Lartë Jug-lindore, për zhvendosjen e forcave të ndërtimit të përforcimeve në zonën e Armatës II të tankeve (bregu shqiptaro-dalmatik).
Faqe 1193 – 11.10.1943. Gjendja në Ballkan: Vazhdojnë spastrimet tona në Greqi. Në Shqipëri luftime të Divizioneve Gjuajtës 100 dhe 118 me pjesët e mbetura të Divizioneve italiane “Firenze” dhe “Venecia”.
Faqe 1197 – 13.10.1943. Qeveria [italiane] e gjeneralit Pietro Badoglio, i shpall luftë Gjermanisë. Mbreti i Italisë, heq dorë nga titulli “Perandor i Etiopisë” dhe “Mbret i Shqipërisë”.
Faqe 1208-1209 – 18.10.1943. Hitleri ka njoftuar Këshillin e Regjentit bullgar, më 18.10.1943, se do t’u vijë për vizitë gjenerali M. R. von Weichs, mbi përforcimin e bregut të Thrakisë afër Kavallës, me një Divizion bullgar, si dhe mbi masat që do të merren për mbrojtjen e pakicave bullgare, në Shqipërinë Lindore.
Faqe 1212 – 21.10.1943. K.S.F.A., përkufizon të drejtat e gjeneralit të plotfuqishëm gjerman në Shqipëri, si dhe të komandaturës, që do të ngrihet në Mal të Zi.
Faqe 1221 – 25.10.1943. Qeveria shqiptare nuk ka mbështetje. Nuk është arritur ende ndonjë lidhje me krerët e bandave të lëvizjes kombëtare greke dhe me Mihailoviçin [Dragoljub “Draža” Mihailoviç, komandati i çetnikëve serbë, pro-mbretërorë].
Faqe 1252 – 05.11.1943. Në Shqipëri ka dy grupe banditësh: komunistët që janë të lidhur me Titon dhe kombëtarët, që nuk duan të njollosen nga lidhja me gjermanët.
Faqe 1254 – 05.11.1943. Është krijuar dhe ka kryer betimin një qeveri kombëtare shqiptare……! Shtabi Qendror i Ushtrisë, ka parashtruar më 04.11.1943, për takimin që mbahet më 05.11.1943, me delegacionin bullgar në shtabin e Hitlerit, këto pika: 1) Përdorimi i një Divizioni tjetër bullgar, ndërmjet Divizioneve bullgare VII-të dhe XVI-të. 2) Siguria në rajonin kufitar, Bullgari-Shqipëri.
…..Meqenëse Hitleri i ka premtuar kryeministrit bullgar, mbrojtjen ushtarake të zonave kufitare të Shqipërisë, duhet që Komanda e Lartë e Jug-lindjes, ta mbajë këtë premtim. (Bëhet fjalë për një rajon me pakica bullgare, zonë të cilën ishin të gatshme ta pushtonin forcat vendore bullgare, por u penguan nga qeveria e tyre. Trupat gjermane janë shprehur të paanshme. Kur më vonë komunistët sulmuan pakicat bullgare, bullgarët kërkuan pushtimin e kësaj zone nga gjermanët.
Nuk dihet arsyeja pse bullgarët, nuk e pushtojnë vetë atë rajon. Për këtë detyrë ishte parashikuar Divizioni I-rë i tankeve; meqenëse ky u zhvendos për në Lindje, pakicat mbetën të pambrojtura. Mbas kësaj dhe kërkesës së përsëritur për ndihmë, Hitleri urdhëroi pushtimin e Shqipërisë lindore, me trupa gjermane).
Komanda e Lartë e Jug-lindjes, merr në të njëjtën ditë urdhrin për spastrimin e zonës Tetovë-Dibër-Strugë-Kiçevë-Gostivar dhe krijimin e trupave vendore të vetë-mbrojtjes, me ndihmën e SS-ve dhe të forcave policore të Greqisë dhe me armë të marruna forcave italiane. Më 06.11.1943, Komanda e Lartë e Jug-lindjes, njofton për masat që ka ndërmend të marrë. Hitleri shprehet dakord me to, më 07.11.1943. Komandanti i Shtabit të Operacioneve në K.S.F.A. [gjenerali Alfred J. F. Jodl], vendos që batalionet gjermane, të presin derisa të jetë ngritur milicia, e cila duhet të përbëhet nga maqedonas bullgarë. Komanda e Lartë e Jug-lindjes, merr udhëzimet e nevojshme.
Faqe 1268 – 10.11.1943. Komanda e Lartë e Jug-lindjes, gjykon luftën kundër Titos, si detyrën kryesore, edhe më të rëndësishme se ruajtja e kufirit bregdetar. Meqenëse forcat e nevojshme për këtë janë dobësuar dukshëm, për shkak të zhvendosjes se trupave në Lindje, i njoftohet se Hitleri ka pranuar përdorimin e Divizionit I-rë Malor, për operacionin “Kugelblitz” [kundër partizanëve komunistë jugosllavë, në Dhjetor 1943]. Pas këtij operacioni, ky Divizion duhet të pozicionohet në mënyrë të tillë që, të mund të përdoret si forcë rezervë në Shqipëri dhe në Greqinë veri-perëndimore.
Faqe 1275 – 12.11.1943. I plotfuqishmi gjerman në Shqipëri, është gjenerali Theodor Geib, por fuqia ekzekutive është në dorën e Komandës së Lartë të Armatës II-të të tankeve (Gjenerali Lothar Rendulic).
Faqe 1278 – 13.11.1943. Shënim në dosje mbi rëndësinë ekonomiko-ushtarake të Shqipërisë dhe nxjerrjen e kromit atje.
Faqe 1289 – 17.11.1943. Në Shqipëri ka vështirësi, pasi ushtarëve nuk u paguhet dot rroga në monedhën vendase, sepse qeveria shqiptare, nuk pranon të japë shumën e nevojshme për këtë dhe ne nuk duam të bëjmë presion më të fortë. I dërguari Hermann Neubacher, po përpiqet për një zgjidhje të problemit.
Faqe 1290 – 18.11.1943. Përfundim i spastrimeve të Divizionit Gjuajtës 100 në Shqipëri dhe luftime në Peljeshac [në bregdetin kroat].
Faqe 1292 – 19.11.1943. ….. Spastrime të suksesshme në Shqipëri dhe në veri të Malit të Zi.
Faqe 1317 – 28.11.1943. Gjendja në Ballkan: Bombardime armike në qarkullimin rrugor dhe depozitat me materiale, në zonën e Kroacisë jugore, Malit të Zi dhe Shqipërisë.
Faqe 1330 – 02.12.1943.….Qëndrim i qetë i bandave në Shqipëri dhe Mal të Zi…..Për shkak të vështirësive në financimin e ushtrisë në Shqipëri, i kërkohet Ministrisë së Jashtme më 03.12.1943, të caktojë një zëvendës, për të dërguarin Hermann Neubacher. Kjo i njoftohet edhe Komandës së Lartë të Jug-lindjes, e cila merr edhe udhëzimet përkatëse. Meqenëse po shtohet veprimi luftarak armik, në rajonin shqiptaro-kroat, Komanda e Lartë e Jug-lindjes, njofton për rrezikun e krijuar, mbi të gjitha trupat që marrin pjesë në operacionin “Kugelblitz“.
Faqe 1335 – 04.12.1943. Zyra e spiunazhit ushtarak merr udhëzimet përkatëse, në lidhje me qëndrimin që duhet të mbajë përkundrejt Ministrisë së Jashtme, përsa i përket kundërshtive kufitare bullgaro-shqiptare, në liqenin e Ohrit.
Faqe 1373 – 20.12.1943. Përpjekjet e Këshillit të Regjencës, nuk arrijnë të tërheqin forcat kombëtare në Shqipëri.
Faqe 1461 – [Kapitulli: Shënime dokumentesh në Ditarin e Luftës] 04.10.1943. Plan lufte për Komandën e Lartë të Jugut dhe Grupin ushtarak B: …. A) Unë pres që armiku t’i drejtojë sulmet e tij kryesore, kundër rajonit jug-lindje, duke u nisur nga Italia, mbase dhe me një pjesë të forcave nga Afrika. Nuk mund të parashikohet nëse kundërshtari do të drejtohet kundër Shqipërisë/ Malit të Zi/ Kroacisë, nga Italia Jugore, që është e pushtuar prej tij, apo do të përpiqet të shtyjë për në veri, forcat gjermane në Itali……! Nënshkruar Adolf Hitler.
Faqe 1474 – [Kapitulli: Shënime dokumentesh në Ditarin e Luftës] 10.12.1943. …. Divizionet italiane ‘Arezzo’, ‘Taurinese’, ‘Ferrara’, ‘Emilia’, ‘Venecia’ dhe ‘Parma’, në Mal të Zi dhe Shqipëri, janë vënë nën komandën e banditëve; një pjesë e Divizionit ‘Firence’ [Divizioni 41 i Këmbësorisë], luftojnë nën komandën e komandantit të tyre të Divizionit, në anën e banditëve [në Shqipëri]. Gjithsej rreth 11.000 veta. Përafërsisht 2.200 italianë, janë kapur prej ushtrisë gjermane.
Faqe 1540 – Udhëheqja gjermane e ushtrisë, në vitin kulminant të luftës. Vështrim i përgjithshëm i Ditarit të Luftës i shtabit udhëheqës gjerman në vitin 1943: …. Pasi aeroportet shqiptare ishin pushtuar nga forcat tona, që përpara kapitullimit të Italisë, u përgatit në Shtator 1943, themelimi i një shteti shqiptar të pavarur. Ngritja e një shteti shqiptaro-malazez, nuk u prit mirë, meqenëse nuk donin të ishin të varur nga Gjermania, e cila praktikisht e kishte humbur luftën. Së fundi u krijua në fillim të Tetorit, me ndihmën e Gjermanisë, një qeveri shqiptare, e cila mori përsipër bërjen gati të 30.000 forcave vullnetare.
Faqe 1545-1546 – [Kapitulli: Vështrim i përgjithshëm i Ditarit të Luftës, i shtabit udhëheqës gjerman në vitin 1943. Në pjesën mbi Bullgarinë, shkruhet]: …..Qeveria e re bullgare (pas vdekjes se Carit Boris), me sa duket kërkonte që mbështetja ushtarake të shpërblehej, me marrje tokash në lindje të Shqipërisë, ku jetonte një pakicë e shpërndarë bullgare.
Kështu, më 05.11.1943, kur u bisedua mbi politikën pushtuese bullgare në Ballkan, [Ministri i Jashtëm bullgar], Schischmanoff, vuri në dukje trajtimin e mirë të pakicës greke nga bullgarët në Thraki. Kësaj paraqitje të ministrit bullgar, Schischmanoff, i përgjigjet Hitleri, me vërejtjen se kjo është një politikë e zgjuar e bullgarëve.
Për sa i përket shkëmbimit të mendimeve mbi Shqipërinë, [Kryeministri bullgar, i pranishëm në takim], Bojiloff, me shumë kujdes kërkoi që të mendohej mbi mundësinë e zhvendosjes së trupave bullgare, në zonën e rrezikuar kufitare me Shqipërinë. [Ai tha] Bullgaria ka vetëm trupa të pakta dhe të pajisura keq, por ajo do të përpiqet të bëjë gati trupat e nevojshme, për këtë qëllim.
Nga ana tjetër, ai beson se me bisedime të drejtpërdrejta me qeverinë shqiptare, mund të arrihet një zgjidhje për problemet e sipërpërmendura. Hitleri mban një qëndrim negativ ndaj këtyre kërkesave dhe mendon se më e mira do ishte, që trupat SS të ngrenë një trupë të përhershme, të përbërë nga bullgarë. Në këtë mënyrë, do të ishin të pranishme trupa bullgare, në këtë rajon.
Një ideje të kryeministrit bullgar, Bojiloff, se ai dëshironte rishikime territoriale në kufirin shqiptar, Hitleri nuk iu përgjigj drejtpërdrejt dhe sqaroi se një gjë e tillë, do e ndërlikonte pa ndonjë dobi, gjendjen në Shqipëri….! Në zonën kufitare Bullgari-Shqipëri, do të ngrihet nga trupat SS, një formacion i përbërë nga bullgarë të Maqedonisë, por qeveria shqiptare e sapo krijuar, në fillim të Nëntorit 1943, nuk mund të njolloset me dhurim territoresh [bullgarëve].
Faqe 1614 – [Nën pjesën mbi Ballkanin si rajon operacionesh ushtarake, shkruhet]: …. Në Shqipëri u pushtuan me kohë aeroportet dhe veç kësaj, grupet partizane asnjanësonin njeri-tjetrin, ndërsa një qeveri e krijuar nën ndikimin e ushtrisë gjermane, pranoi rekrutimin e vullnetarëve shqiptarë, për Divizionin SS “Skanderbeg”. …. POSHTËSHËNIM: Georg Kastriota, gjeneral Iskender-bej (Skanderbeg) ishte një fisnik shqiptar (1405-1468), mbrojtës i krishterimit dhe lirisë së shqiptarëve ndaj turqve.
Vëllimi IV
1 Janar 1944 – 22 Maj 1945
Roli i Grup-Armatave dhe Komandave të tyre
Faqe 35. Sado i madh është roli i komandave dhe Armatave të tjera, roli i Armatës dhe Komandës Jug-lindore (Grup-Armata ‘E’ me kryekomandant, gjeneral-kolonelin Alexander Löhr) ishte i jashtëzakonshëm. Lexuesi i këtij libri do vëreje, se si Hitleri nuk i mori parasysh këshillat e “ekspertëve”, të cilët ishin ushtarakë të shkolluar, por që ai i shikonte me dyshim dhe përbuzje.
Vetëm me shumë vonesë, ai lejoi largimin e trupave nga Kreta dhe ishuj të tjerë të Egjeut, ku ishin akoma 60.000 ushtarë. Për çudi, u krye edhe largimi i trupave nga Peleponezi, ku kishte vetëm një hekurudhë dhe një urë lidhëse, me pjesën tjetër të Greqisë. U krye edhe largimi i trupave nga Greqia, megjithëse aty vepronin dy palë forca partizane, që për fat luftonin kundër njëra-tjetrës.
Katastrofa ishte në prag, kur trupat tërhiqeshin nëpër malet e Ballkanit, sepse nën shtysën sovjetike, forcat bullgare që deri në atë kohë kishin luftuar në anën tonë, na sulmuan nga krahu i pambrojtur lindor. Por ai sulm, jo vetëm që u përballua, por edhe u mbajtën pozicionet, derisa ushtari i fundit u largua nga Shqipëria.
Tërheqja e mëtejshme pengohej, nga male të larta deri në 1400 metra dhe ngrica e dimrit që po fillonte, dy faktorë, tmerret e të cilëve vështirë se mund të mbivlerësohen; megjithatë u rrezikua edhe më shumë ngase trupat e Titos, që deri në atë kohë ishin mbajtur në fre nga trupat gjermane, tani mund të vepronin lirshëm. Prandaj ushtria e Titos, mundi të bashkohej me trupat e Ushtrisë së Kuqe që po vinin nga Rumania dhe pushtuan Beogradin.
Me gjithë ato vështirësi, Grup-Armata ‘E’ e gjeneralit Alexander Löhr, arriti të mbante deri në Prill 1945 një front të mbyllur, që shtrihej nëpër Kroaci dhe Bosnje, me një gjatësi prej 1500 km. Gjenerali Alexander Löhr, arriti të bënte atë që nuk arriti ta bënte Napoleoni Bonaparti, gjatë tërheqjes nga Rusia: ai tërhoqi trupat e tij dhe arriti të ndërtonte një front të ri, i cili nuk u prish ballë për ballë, por nga shpina.
Teatri Italian i Luftës (01.04.1944 – 31.12.1944)
- Luftimet nga marrja e Romës, më 4 Qershor 1944, deri në marrjen e Firences (10 Gusht 1944) dhe zbarkimit të armikut në Francën Jugore, më 15 Gusht 1944
- Mbrojtja e zonës operative të bregut Adriatik, përfshirë edhe Istrian.
Faqe 540. Shtimi i veprimit të bandave në Greqinë Veriore, Shqipëri dhe Mal të Zi, mund t’i shërbejë bllokimit të forcave gjermane dhe përgatitjes së zbarkimit të trupave polake, ose trupave të tjera sllave.
Faqe 541. Prandaj duhet që Komanda Jug-lindore, të jetë e përgatitur të përballojë një zbarkim në Shqipërinë Jugore ose, Greqinë Veri-perëndimore. ….. Për mbrojtjen e brigjeve të rrezikuara, Hitleri ka urdhëruar përforcimin dhe zgjerimin e mbrojtjes së brigjeve detare, përforcimin e artilerisë bregdetare, me qendër rëndese brigjet e Adriatikut, duke futur në veprim forcat e artilerisë që kanë qenë në Krime dhe që tani janë të gatshme për luftim, kundër bandave në Shqipërinë e Jugut dhe Greqinë e Veriut. Memorie.al
Përkthyer nga Ana Kolevica
Redaktor Saimir Lolja
Vijon numrin e ardhshëm