Nga Gani Kupi
Pjesa e parë
Memorie.al / “Pa ikur gjermanët nga Shqipëria, babai im Shaban Kupi, ishte i arratisur bashkë me vëllanë e tij, Abaz Kupin. Dhe mbasi Abazi iku në Itali, bashkë me dy djemtë e tij (Petritin dhe Rustemin) dhe me disa shokë, baba im, Shabani, vazhdoi të ishte në arrati dhe për shumë kohë. Kështu ai ndodhej gjithë kohës larg shtëpisë e familjes. Më kujtohet një rast: ishte mbrëmje dhe në oborr pashë papritur babën, i cili kishte ardhur fshehtas. Mbasi më pyeti për disa halle të familjes, më kërkoi që t’i përgatisim disa ndërresa dhe ushqime, për t’i marrë me vete. Gjatë bisedës, ai u drejtua drejt një dhome e cila ishte jashtë kulmit të shtëpisë, e ndarë veçmas në oborr, por, pa që dera ishte e mbyllur. Aty ishin 10 partizanë, të cilët, Këshilli i Lagjes, na i kishte caktuar për strehim dhe ushqim.
Unë i tregova babës se aty ishin 10 partizanë të Brigadës së 9-të Sulmuese. Natyrisht, babai ishte i armatosur me “Maliher” grek, “Nagant” dhe dy bomba, por, nuk bëri asnjë veprim më tej. I dhamë teshat dhe bukën dhe mbasi u përshëndet me gjyshen, nanën dhe fëmijët që ishin aty, u largua.
Ishte e natyrshme që për 4-5 vjet që ka ndejtur i arratisur në mal, ndoshta ka fjetur ose jo 4-5 netë brenda në shtëpi brenda një viti. Ne i dërgonim herë pas herë ushqime dhe tesha në një shtëpi aty në lagjen tonë, ku ai vinte në mbrëmje, i merrte dhe ikte, pasi në mbrëmje, nuk ishin shpërndarë pritat që i vendoste Sigurimi i Shtetit dhe policia.
Baba e njihte këtë eksperiencë, që në kohën e fashizmit, kohë në të cilën ai jetoi po në arrati. Para se të internoheshim në Berat, vëllain tim të madh, Samiun, e morën në Degën e Punëve të Brendshme dy herë nga një natë, duke i kërkuar të informojë, nëse ka dijeni se ku ndodhej baba, e; “a i çoni ushqime, ndërresa”? e kësisoj…!
Unë, Ganiu, në këtë kohë, isha në gjimnaz në Tiranë dhe ndodhesha atje, edhe kur internuan familjen në Berat. Në këtë kohë, kryetar i Komitetit Ekzekutiv në Krujë ka qenë Hamit Pengili dhe sekretar i Partisë, Saba Hasa, të dy krutanë. Kur internuan familjen, në shtëpi ishin Zenepe Kupi (gjyshja), Aishja (nana jonë) Samiu (vëllai i madh), Fadili vëllai pas meje, Kumrija (motra) dhe vëllai i vogël Bashkimi. Pasi kanë ngarkuar teshat në makinë, policia u ka hequr disa dyshekë dhe jorganë, pasi sipas tyre, ishin shumë. Pas këtij episodi i kanë nisur në Berat.
Fati i dyshekëve dhe jorganëve ka qenë i njëjtë me fatin që kanë pasur të gjitha teshat dhe orenditë e shtëpisë, e cila ishte mjaft e kompletuar për kohën. Përveç këtyre, kemi pasur edhe një qilar, të cilën e quanim “dhoma e Isufit”, në të cilën magazinonim lesh deleje, thasët e të cilëve mbërrinin deri në trarët e shtëpisë dhe gjashtë magripë, me vaj ulliri, një plug, një shalë kali, etj.
Në Pyllin e Butë, që ishte njëra nga pronat që na u sekuestrua, kishim: 50 kuaj të egër, mbi 50 krenë lopë të egra, 4-5 buaj, dy kuaj shale, një mushkë të vogël, 150 krerë dele, 150 krenë dhi.
Kurse në Mamurras, kishim 2 palë shtëpi. Te shtëpia që ishte disi më e vjetër, kati i parë përdorej si dyqan, dhe kati tjetër për banim për punëtorët që punonin në periferi të tokave. Ka qenë edhe një mulli bloje gruri dhe misri. Kurse shtëpinë e cila ishte më e re, dikush e ka shembur deri në themel, duke i marrë materialet, për të ndrequr shtëpi tjetër për vete.
Ky ishte kryetari i Kooperativës së atëhershme, i cili ka prishur edhe dy ndërtesa të tjera: njëra ka qenë ndërtesa e mullirit të blojës dhe tjetra ishte një ndërtesë njëkatëshe, e gjatë 6-7 metra, ku flinte Kola prej Elbasani (një i moshuar) si edhe Molla, i cili shërbente si në Mamurras, ashtu edhe në Krujë, apo edhe ndonjë tjetër, të cilin mund ta zinte nata jashtë.
Në Mamurras, kemi pasur edhe një magazinë qymyri, me sipërfaqe 20 X 7 metra. Dhe të tjera që tani nuk më kujtohen, por, të gjitha të sekuestruara. Aty kemi pasur edhe 4-5 bujq. Në Krujë, kemi pasur edhe një hajat që merrte brenda një lopë dhe një mushkë të vogël. Dhe pikërisht ajo dhomë, që deshi të hynte baba e ku strehoheshin partizanët, ka qenë magazina e barit. Në krah të magazinës, ishte porta dhe pas portës, bahçja që kufizohej me rrugën e lagjes.
Unë mbeta në shkollë në Tiranë, mbas internimit të familjes. E mbasi patëm 3-4 ditë pushim, erdha në Krujë dhe ndejta tek daja në lagjen “Meçe” dhe, mbas katër ditësh, u nisa prapë për në shkollë në Tiranë. Në lagjen “Zim Zenel”, ishte vendosur një postbllok prej policisë së Krujës. Ata më ndaluan dhe më çuan në Degën e Punëve të Brendshme. Prej aty, ata të Degës, më nisën në Degën e Durrësit.
Në Degën e Krujës, mbaj mend që pashë të ndjerin Sabri Veseli, të cilin e njihnim mirë qysh kur kemi qenë në arrati aty në një katund të Tiranës, me çetën e Abaz Kupit gjatë luftës. Në Degën e Durrësit, më pyetën nëse kishim ndonjë të njohur në Durrës dhe unë i thashë se po (kishim tezen dhe familjen Belegu), por, preferova më tepër mos të shkoja kurrkund dhe vendosa të flija në hotel. Duke pyetur, gjeta një hotel.
Por, gjithë natën nuk mbylla sy, sepse krevati i hotelit kishte tartabiqe. Kur zbardhi dita, mbasi hëngra mëngjesin në një mëngjesore, u nisa për në Degën e Brendshme dhe mbas disa orëve më nisën për në Berat. Në makinë më vunë me familjen Deliallisi (Fajë Bej Deliallisi) prej Shijaku, e përbërë prej nënës së Fajës, të shoqes Fitnetes, birit Idealit, dhe dy motrave. Në të njejtën makinë ishte edhe një familje tjetër me mbiemrin “Mancaku” nga Shijaku.
Mbasi mbërritëm në Berat, familja aq sa u gëzua kur më pa, aq edhe u erdhi keq, sepse kishin patur shpresë se së paku unë shpëtova nga internimi. Aty në Berat, pashë shumë të internuar prej Kruje si: familjen e Dar Tetës, Muharrem Sallakut, Sabri Shanit, Sul Merlikës, Zinit Lez Pajës, etj.
Nga rrethet tjera, mbaj mend mirë familjen e Gjon Markagjonit prej Mirdite, e Cen Elezit prej Dibre, e Gafurr Spahiut prej Lume, e Papalilos, e Llesh Marashit, vajzën e të cilës, Rexhinën, e kisha në klasë. Mbasi Lleshi u vra, familjen e liruan. E shoqja e Llesh Marashit, quhej Rozi dhe ishte një grua me kurajo të madhe. Ishin edhe shumë familje të tjera, prej krahinave të ndryshme të Shqipërisë, që tani nuk më kujtohen.
Në Berat, në shkollë unë hyra në klasën e 3-të unike dhe më arrestuan pa e dhënë provimin në mësimin e Diturisë së Natyrës. Mësuesja ime, ka qenë Bukurie Protopapa nga qyteti i Beratit (të cilën e futën në burg më pas); në frëngjisht, na jepte mësim një i moshuar, Petro Koçivaci, dhe më vonë, Jani Verceçka; në gjuhë, Zef Shpani prej Mamurrasi të Krujës, dhe më vonë Kolë Ashta prej Shkodre dhe Mexhid Daiu prej Elbasani. Gjeografinë na e jepte prof. Kostaq Stefa, matematikën prof. Shundi prej Korçe dhe diturinë, prof. Shtino prej Gjirokastre.
Nga të gjithë mësuesit, vetëm njëri prej tyre, sillej ashpër me mua ngaqë isha i internuar, i cili dukej se kishte pikëpamje komuniste. Dy nga profesorët e lartshënuar, i burgosën (Kostaqin dhe Mexhitin) dhe më gjetën në burg, pasi unë u arrestova para tyre. Gjatë kohës që isha në shkollë, bënim edhe punë vullnetare: shkonim nëpër fshatra për të mbytur karkaleca dhe gjatë punës, një profesor nga Shkodra, na mësoi të këndonim një këngë italiane, ku në mes të të tjerave, më kujtohen fjalët: “Il tuoi capelli sono neri”, etj. Në klasë rrija në bankën e dytë nga dera dhe shok banke, kisha Fatmir Dollanin, me një vëlla të pushkatuar.
Babën dhe axhën e tij, i gjeta në burg kur u arrestova. Një ditë të bukur pranvere, ditë e djelë, vesha për herë të parë një palë sandale, që m’i kishte bërë këpucari prej Shkodre, i cili punonte në Berat e që quhej Daut Myftari (më ka bërë shumë lehtësime dhe me të cilin mbetëm miq; vëllai i Dautit, Qamili ra edhe ai në burg më vonë). Si zakonisht në ora 3.00-4.00 mbas dite, i veshur me sandalet e reja, shkova në Degën e Brendshme që të paraqitesha, pasi mua dhe vëllait, na ishte dhënë urdhri që të paraqiteshim dy herë në ditë, ndërsa të tjerët, kryefamiljarët, paraqiteshin një herë në ditë.
Kur hyra në zyrën e përhershme, aspirant Emërlla Kuta, prej Mallakastre, nxori nagantin prej këllëfi dhe ma drejtoi, duke më urdhëruar: “Duart lart!” Dhe unë i ngrita duart lart duke qeshur. Aspiranti më tha: “Në emër të popullit je i arrestuar!” Por, unë prapë qesha dhe i thashë: “Të arrestuar jemi, përderisa jemi të internuar!”
Atëherë më shoqëroi dhe më çoi në katin e çatisë. Çatia ishte me soletë dhe tjegullat ishin marsejeze. Çatia ishte e ndarë në dy pjesë. Kishte edhe një mur ndarës në mes. Qysh në natën e parë, më datë 28.4.1946 që më arrestuam (vëllain tim Samiun, e kishin arrestuar më parë, kur ishte paraqitur ne Degë sipas rregullit), mua me çuan në burg.
Gjatë kohës që isha në burg, mbas një muaji, më lidhën duart siç e kishin zakon me të burgosurit, hapën dy dyert e brendshme prej hekuri dhe më çuan në Degën e Punëve të Brendshme, në një zyrë ku ishin; Selfo Bilimbashi, (nënkryetar i Degës), Thoma Bardha nga Myzeqeja, Paskal Andoni prej rrethit të Sarandës (që të tre, me gradën “kapiten”) dhe aspirant Zigur Lelo. Paskali, më mori në pyetje e në mes të të rrahurave, më shau nga nëna. Të gjitha ia bëj hallall, të sharën jo.
Tre oficerët e tjerë, nuk më kanë prekur me dorë, por, kur më rrihte Paskali, ata më thoshnin, herë njëri e herë tjetri: “Tregoji të gjitha, mos vuaj kot”! Akuzat ishin se; “ti e di ku rri babai yt në arrati”, “keni dashur të arratiseni” dhe “keni folur kundër pushtetit popullor”. Si përfundim, nuk pranova asgjë, e mbas dy orësh më çuan prapë në burg. Samiu, ishte në katin e çatisë së burgut. Ne të dy, e dinim mirë se ku rrinte baba, por në asnjë mënyrë, nuk e hapëm gojën.
Kur ishim pa u futur në burg, kishim marrë vazhdimisht letra, të cilat na i çonte daja i babës, Met Shani. Shkrimi ishte i babës dhe firma ishte e Metit. Këto lloj letrash, i kemi marrë edhe kur ishim në burg, herë mbas here. Ne e njihnim mirë shkrimin e babës, që vazhdonte të ishte i arratisur.
Mbasi më torturuan, më çuan prapë në burg. Kur hyra në “kaush” (siç quhej dhoma e izolimit), të burgosurit filluan të më Pyesnin, se çfarë kisha në fytyrë që isha i skuqur dhe i ënjtur.
Unë iu përgjigja se më kanë dalë shytat, por, ata e kishin kuptuar fare mire, se nuk ishin shytat, por gjurmët e torturave. Dhe qysh atëherë, nuk më pyetën më. Dhe meqë ra fjala, ata më parë më pyesnin edhe “ç’kemi ndonjë lajm?, dhe “ç’thoshte Zëri i Amerikës”!
Unë, duke menduar se mund t’u besoja të burgosurve, u tregoja ato që kisha dëgjuar, për sa kohë isha jashtë. Por, mbasi u ktheva prej Dege, një i moshuar që quhej Haziz Bej Malasi, u tha shokëve të dhomës: “Mos e pyesni më këtë djalë për ndonjë lajm nga jashtë dhe qysh…”! Dhe prej atëherë, ata nuk më pyetën më. Unë e kuptova këtë ndërhyrje, kur njëri në dhomë më tha se; “këtu në burg ka spiunë”, gjë që unë nuk e dija dhe qysh kur më foli Haziz Bej Malasi, nuk hapa gojë më. Para se t’i besoja dikujt, duhej ta njihja mirë.
Pra, gjatë kohës që isha në burg, vëllai im Samiu, ishte në Degën e Punëve të Brendshme, duke iu nënshtruar procesit të hetuesisë, ku torturohej. Një natë, pashë përtej dritares së dhomës, se si doli prej derës së hekurit një i burgosur me kryet e dorën të lidhur me fasho të bardhë dhe që pastaj e futën në kaushin e 6-të. Kishte qenë im vëlla, Samiu, siç e mora vesh më vonë. Mbas pak më thirrën mua, më nxorën jashtë koshit, më lidhën duart mbrapa dhe më çuan në Degë.
Për sqarim: “kosh” quhej një kafaz hekuri, që ishte afërsisht 2 metra i lartë, një si tip dhome e përbërë prej shufrave të hekurta rreth e qark dhe me një derë po prej shufrash hekuri (70 cm x 70 cm). Për të hyrë brenda në oborrin e burgut, duhej të kërruseshe. Aty në mes të oborrit të burgut, ishte një pus uji, por i mbyllur me çimento, dhe aty pranë pusit, ishte një tub, përmes të cilit, mbushnim ujë për të pirë dhe për të larë herë pas here qypin me ullinj, që t’i dilte idhtësia.
Meqë ra fjala, ullinjtë e Beratit, na kanë shpëtuar jetën në burg; i blinim përmes dritares së burgut, me të holla të cilat na i çonin familjet tona të përvuajtura, kur ishte radha e takimit një herë në javë. E ku e kisha fjalën…pra, më lidhën duart dhe më çuan në Degë. Nuk më kujtohet se kush më ka shoqëruar për në Degë. Qysh natën e parë, më vunë me shpatulla për muri, më hoqën sandalet duke më urdhëruan të rrija në këmbë pa lëvizur. Kjo torture, vazhdoi për tre netë rresht.
Pastaj më çuan një kat më poshtë, ku ishte hetuesi Paskal Andoni e të tjerë, më torturuan prapë, por, me gjithë dhimbjen, unë nuk mundesha të pranoja gjithë ato akuza që më bënin. Pas dy-tre orësh, më çuan prapë në katin e sipërm dhe më lanë në këmbë, pa gjumë dhe pa bukë. Aty e kuptova, se si njeriu pushon së qeni njeri. Pse? Sepse nga pagjumësia, më dukeshin sytë si të mbushur me rërë. Një natë, i thashë Shyqyri Kavajës, policit: “Ç’janë këto këngë? Fëmijët e shkollës?” Ishte ora rreth dy pas mesnate.
Shyqyrija, ishte polic shumë i mirë. Ai më tha: “Të duket ty ashtu. Është ora dy pas mesnate e tash, nuk ka asnjë njeri në rrugë”.
Në hetuesi, më futën në një dhomë ku ishte Hamdi Sefa, prej Sefajve të Lushnjes. Ai e kishte mbaruar hetuesinë dhe priste nga dita në ditë, që ta çonin në burg. Mbaj mend që aty ishte dhe një burrë i moshuar nga Çamëria, emri i të cilit nuk më kujtohet. Një ditë prej ditësh, Hamdiu më sugjeroi që ta firmosja proces-verbalin, sa për të kaluar radhën, sepse i dhimbsesha si i ri që isha; ndoshta i kishte fëmijët afërsisht në moshën time.
Më tha; “bëje, sepse pa një dënim, gjithsesi nuk shpëton”. Aty, nga ai çami, me veshët e mi kam dëgjuar të shante i zhgënjyer me vete: “O Shqipëri, nanën ta kajsha/ se me arxuall (lutje) të kam kërkuar”! Dhe e kam dëgjuar, t’u lutej hetuesve: “Më vrisni, se me besë të Zotit, nuk do të keni asnjë ankesë nga askushi!”
Por, oficeri i hetuesisë, iu përgjigj: “Po lut të vdesësh, por, kush po të lë, pa i treguar të gjitha. Dhe Zot s’ka, a more vesh apo jo?!” Mbas pak ditësh, e morën plakun prej Çamërije dhe nuk di se ku e çuan. Rojet që punonin aty, me sa mbaj mend unë, ishin katër: Dan Saliu prej Buzmani të Kukësit, Shyqyrija prej Kavaje, një i ri me emrin Misto dhe një tjetër nga katundet e Lushnjes, me mbiemrin Xhindolja. Tre të parët, ishin shumë njerëz të mirë, kurse ai Xhindolja, nuk më linte të lëvizja vendit.
Një ditë prej ditësh, i vuri bajonetën pushkës, gjë për të cilën, unë mendova se ishte i frikësuar, se mund t’i rrëmbeja pushkën. Kurse Mistoja, një natë më tha: “Veç nuk e di se nga të ikim, se do të të merrja me vete dhe do t’ia mbathnim. E di unë mirë se ç’është burgu; kam ndejtur në Burgun e Gjirokastrës, ku më pikonin pikat e ujit në trup”. Dan Salihu, ishte ushtar i Divizionit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, me gjithë Xhindolën; dy të tjerët ishin policë.
Prej Dan Salihut, mësova edhe ngjarjen që i ndodhi tim vëllai, Samiut, pasi kur ishte hedhur nga dritarja e katit të tretë, Dani kishte qenë roje në Degën Ushtarake, pak më poshtë Degës së Punëve të Brendshme, por, që ndodheshin disi karshi njëra-tetrës. Dan Saliu më tha: “U dëgjua një gjëmë e vogël përpara, dhe mbas pak sekondash një e ankim ‘ou!’”. Atëherë e kam parë Samiun, që u ngrit në këmbë dhe filloi të ecte ngadalë…”! Pra, vazhdoja të isha në tortura e sipër, i ndëshkuar të rrija në këmbë, pa bukë dhe pa ujë, kur një ditë më morën policët e më çuan në dhomën e hetuesisë.
Paskali më tha: “Po të lexoj dhe dëgjoje me kujdes proces-verbalin”! Në proces-verbal, ishte shkruar që; “…është nipi i Abaz Kupit, dhe i biri i Shaban Kupit, të dy kriminelë të Republikës së Shqipërisë. Lindur dhe rritur me ndjenja reaksionare, armiq të popullit dhe Pushtetit Popullor. Ka bërë agjitacion dhe propagandë kundër Pushtetit Popullor…ka dashur të arratiset jashtë shtetit…”, e disa fjalë të tjera, të cilat nuk më kujtohen. Mbas disa ditëve, më çuan në burg, ku edhe u takova me Samiun.
Mbasi mbarova hetuesinë më dhanë dyshekun dhe jorganin, dhe më vendosën pranë një dritareje. Dritaret ishin rrafsh me soletën, me lartësi afërsisht 40 cm dhe të gjata rreth 1 m. Një ditë në mëngjes, dëgjova zërin e gjyshes time. Unë gërvishta pak me thua gazetën që i kishin vënë xhamit, dhe pashë gjyshen që po i thirrte policit: “Të lutem, çoja Ganisë këto ushqime”! Kishte në dorë një xhevze bluri, që merrte një gotë qumësht (e njihja mirë se ishte xhevzja e shtëpisë) dhe një kokërr vezë. Polici i tha:
“Mos ki merak; do t’ia çoj unë që tani”! Dhe gjyshja iku për në shtëpi. Prita deri afër drekës se mos më sillin gjë, por, nuk ma sollën ushqimin. Duket se i mbajti për vete polici.
Në hetuesi ishim 7-8 metra larg njëri-tjetrit. Këtu u njoha me Hamdiun dhe me të burgosurit e tjerë, si me; Estref Myftiun, Ahmet Dollanin, Gani Dollanin, Muharrem Therepalin, Enver Vranin, Sadi Kuçin, Mehdi Dobrushën, Isuf Ngruçanin nga Lagja “Vakëf” e Beratit, Jup Kokoshin edhe ai prej “Vakëfi”; Ahmet Xhindolin, me të vëllanë Ismailin, Ceno Velmishin, Hyso Çelën, Banush Saraçin, Rrap Qerretin, Enver Karrapatin, Asqeri Arifin, Vehxhi Buharanë, që ka përkthyer edhe “Gjylistani dhe Bostani”, Fatmir Shehun me një dorë, Petrit Myftiun, Myrto Malasin, Xhavit Malasin, Demo Veliun me djalin, Pasho Veliun, Nexhip Zdravën me djalin Qaniun, Dylaver Çarrogjatin, Ferik Zhapokikën, Baba Tahirin e Kuçit, Dervish Rizain dhe Dervish Reizin, që ishte i ri ne moshë, e që dukej të ishte rufai.
Po kështu, Baba Bajram Plashnikun, Baba Samiun, Maliq Backën, Refik e Tefik Çepelen (dy vëllezër), Isa Godon, Lirie Luarin, Qani Dinen e Qani Malajn, të dy prej Mallakastre; Gani Limzën, Qamil Kadrinë (që të dy u vranë nga policët kur kanë dalë në punë), Karafil e Gani Zhepovën, të cilët, kishin qenë oficerë të Mbretit Zog, Ismail Kolaverin nga Mati (edhe ky ish- oficer i Zogut), Banush Hazizin, Hysen Stranin, Kamber Dobrushën, e shume të tjerë…!
Një ditë prej ditësh, dolëm në “pajtoz” (kështu quhej “parajsa e të burgosurve”, pra, “ora e ajrosjes”). Bëhej fjalë për një dalje në oborrin brenda burgut, i cili ishte jo më i madh se njëqind e pesëdhjetë metra katrorë, i rrethuar me mure të larta, mbi të cilat, vrojtonin roje të armatosura. Dalja në oborrin e burgut, ishte një orë para dite dhe një orë pas dite.
Ne ecnim rrethe përqark, por, nuk na lejohej të flisnim as me njëri- tjetrin. Për fat të keq, Nexhip Zdrava, kur po ecnim në radhë, pa që po i derdhej gjella dhe u ndal një sekondë për t’i hequr kapakun kusisë, që po ziente në mangallin me qymyr, dhe polic Kasemi nga Gorishti i Vlorës, thirri: “Nexhip, hajde këtu! Pse u ndale dhe e preke gjellën?” dhe i ra me shpullë fytyrës, aq fort, saqë besoj të jetë dëgjuar deri përtej burgut. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Marrë nga Panorama.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016