Dashnor Kaloçi
Pjesa e parë
Memorie.al publikon një dokument arkivor të nxjerrë nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi I ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), i cili i përket muajt korrik të vitit 1949, ku ndodhet një letër e sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Komuniste, Enver Hoxha, drejtuar organizatave të partisë në të gjithë vendin, ku ai u bën me dije të gjithë komunistëve lidhur me problemet e shumta që kishin dalë me organizatën e partisë në rrethin e Lushnjes. Letra e plotë e Enver Hoxhës ku ai shpjegon me detaje të gjithë problematikën e atij rrethi ku vepronin dy tarafe që rivalizonin ndërmjet tyre, ku i pari drejtohej nga Hasan Gina, ndërsa në të dytin përpiqej të dilte Halit Ahmeti dhe lidhur me këto në letrën e tij, midis të tjerash Enveri shkruante: “Në organizatën e Lushnjes ka pasur një punë tarafi shumë të theksuar dhe të dëmshme, që po të mos ishte diktuar me kohë nga Komiteti Qendror, mund të degjeneronte në forma më të rrezikshme për Partinë. Një nga këto tarafe ka pasur si figurë në krye Hasan Ginën dhe ishte tarafi më i rrezikshëm. Prapa Hasan Ginës ka një sërë shokësh të pakënaqur, disa të goditur padrejtësisht nga puna armiqësore e trockistëve, por që pas Plenumit XI nuk e shikuan kthesën në rrugën dhe në vijën e Partisë. Me metoda jo të drejta dhe me pikëpamje politike jo të qarta, ata kujtuan se ‘rruga e drejtë’ ishte hakmarrja, mbivlerësimi i meritave të tyre jashtë çdo mase dhe shumë herë i falsifikuar”.
“Në organizatën e Lushnjes ka pasur një punë tarafi shumë të theksuar dhe të dëmshme, që po të mos ishte diktuar me kohë nga Komiteti Qendror, mund të degjeneronte në forma më të rrezikshme për Partinë. Një nga këto tarafe ka pasur si figurë në krye Hasan Ginën dhe ishte tarafi më i rrezikshëm. Prapa Hasan Ginës ka një sërë shokësh të pakënaqur, disa të goditur padrejtësisht nga puna armiqësore e trockistëve, por që pas Plenumit XI nuk e shikuan kthesën në rrugën dhe në vijën e Partisë. Me metoda jo të drejta dhe me pikëpamje politike jo të qarta, ata kujtuan se “rruga e drejtë” ishte hakmarrja, mbivlerësimi i meritave të tyre jashtë çdo mase dhe shumë herë i falsifikuar. Ky shikim i çështjeve nën këtë prizëm nga këta shokë ishte i rrezikshëm dhe do të bënte që këta të gabonin më vonë. Në këtë grup ka pasur shokë ambiciozë, arrivistë, njerëz me të kaluar jo të pastër dhe me origjinë jo të shtresës. Në mes të këtij grupi shokësh të sëmurë, ai më i sëmuri, i cili ka vepruar vazhdimisht (me gjithë këshillimet e Komitetit Qendror) për keqësimin e situatës, ka qenë Halit Ahmeti. Tarafi i dytë, i cili nuk ka pasur një figurë në krye, por që përpiqej të krijonte një të tillë (prandaj u përpoq të fshihej pas ish-sekretarit të parë të organizatës, i cili nuk del i implikuar në këtë grup), formohej prej shokësh që kishin bërë gabime para Plenumit XI, që ishin goditur për gabimet e tyre dhe që ishin lidhur me njëri-tjetrin me familjaritet të sëmurë dhe si të solidarizuar në “fatkeqësinë” që u ngjau”.
Kështu thuhet në mes të tjerash në një letër të Enver Hoxhës e cila mban datën 23 korrik të vitit 1949, dërguar të gjitha organizatave të partisë në mbarë vendin, ku ai u bën me dije lidhur me problemet e mëdha që kishin dalë në organizatën e partisë së rrethit të Lushnjes, ku sipas tij aty vepronin “dy tarafe” që rivalizonin ndërmjet tyre. Grupi apo tarafi i parë kishte në krye Hasan Ginën, ndërsa në grupin e dytë, përpiqej të dilte Halit Ahmeti. Për më shumë rreth kësaj dhe ç’ndodhte në organet partiake dhe shtetëror të të larta të rrethit të Lushnjes në vitin 1949, kur Tirana zyrtare sapo kishte prishur marrëdhëniet miqësore me Jugosllavinë e Marshallit Josoif Broz Tito, na njeh ky dokumenta arkivor të cilin Memorie.al e publikon.
Letra e Enver Hoxhës mbi problemet që kishin dalë në rrethin e Lushnjes
23 korrik 1949
“MBI PUNËN E SËMURË NE ORGANIZATËN E LUSHNJES”
Organizata e Lushnjes është një organizatë me kuadro të rinj dhe të ulët ideologjikisht. Një pjesë e mirë e anëtarëve të kësaj organizate janë pranuar në Parti gjatë viteve 1945-1949. Një tjetër karakteristikë është se organizata e Partisë në qytet dominon organizatën e fshatit. Numri i anëtarëve të organizatës është gati ndarë si vijon: 50 për qind e anëtarëve bëjnë pjesë në organizatën e qytetit dhe gjysma tjetër janë në fshat. Lushnja dhe rrethi i saj, sikundër dihet, është një vend bujqësor dhe i mungon krejt industria, qoftë kjo e përfaqësuar nga ndonjë fabrikë e vogël. Artizanati është shumë pak i zhvilluar. Prandaj duke marrë parasysh këtë fakt, ka qenë gabim që janë pranuar në fillim më shumë nga qyteti dhe nuk është bërë shpërndarja e drejtë e forcave të Partisë duke lënë, siç thamë, 50 për qind të komunistëve në qytet dhe 50 për qind në fshat. Organizata e Partisë, në një periudhë relativisht të shkurtër, është zgjeruar jashtëzakonisht shumë; proporcioni midis kandidatëve dhe anëtarëve nuk është i drejtë, ka më shumë kandidatë se sa anëtarë. Pranimi në Parti s’është bërë i studiuar dhe në baza të shëndosha.
Organizata, sidomos ajo e qytetit, është zgjeruar mjaft me elementë jo të shëndoshë. Janë futur në Parti elementë me qëndrim jo të shëndoshë gjatë luftës, me origjinë agai e kulaku, intelektualë të sëmurë, ambiciozë dhe kritizerë, elementë pretenciozë, që dëshirojnë të përfitojnë duke ekzagjeruar meritat e tyre të luftës, me qëllim që të nxjerrin këtej nga një anë përfitime personale dhe nga ana tjetër të mbytin elementin e ri dhe të shëndoshë të Partisë, që po ngrihet dhe po rritet në luftë për ndërtimin e vendit tonë. Të tillë elementë me origjinë borgjeze dhe mikroborgjeze, të futur në organizatën e qytetit të Lushnjës dhe sidomos në atë të pushtetit, janë bërë një pengesë në zhvillimin normal të Partisë, në zbatimin e drejtë të vijës, në zhvillimin e drejtë të punës së Partisë dhe të pushtetit në fshat. Lushnja është një rreth bujqësor; duke qenë kështu, Partia duhej të mbështetej fuqimisht në elementin fshatar të varfër dhe të mesëm, i cili, në bazë të fitores së pushtetit popullor dhe të reformës agrare, u çlirua dhe mori tokën. Kjo nuk është bërë si duhet dhe këtë e provon shtrirja e dobët e organizatës së Partisë në fshat si dhe kompozicioni i udhëheqjes në këtë organizatë. Këtej ka rrjedhur që nuk është zhvilluar një punë organizative e shëndoshë dhe një punë politike e zgjeruar.
Në këto drejtime kanë gabuar një pjesë e udhëheqësve të ndryshëm të kësaj organizate dhe njëkohësisht Komiteti Qendror nuk ka pasur kontrollin e duhur mbi zhvillimin e kësaj organizate. Drejtuesit e ndryshëm kryesorë të kësaj organizate, me të meta dhe me gabime, që rrjedhin nga mbeturinat mikroborgjeze, nga mungesa e një lufte nga ana e tyre për zhdukjen e këtyre të metave me anën e kritikës dhe të autokritikës, nga niveli i ulët ideologjik i tyre, nga ambiciet e sëmura, s’kanë pasur perspektiva të qarta, kanë bërë gabime, të cilat s’i kanë njohur dhe s’i kanë korrigjuar, kanë ecur në rrugë të gabuar, kanë qenë të lëkundur e të influencuar shumë herë nga njerëz me interesa të kundërt me ato të Partisë dhe kanë neglizhuar luftën e klasave. Praktikisht, në të gjitha këto situata të vështira nga ku ka kaluar Partia, borgjezia nuk ka fjetur dhe ka përfituar nga shkujdesja e udhëheqjes së organizatës. Presioni i borgjezisë ka qenë i vazhdueshëm mbi disa elementë në udhëheqje, të cilët e kanë pranuar këtë dhe kanë punuar nën këtë presion dëmprurës. Kjo situatë do të mund të luftohej në rast se këta elementë nuk do të fshihnin gabimet e tyre, në rast se do të zhvisheshin nga mbeturinat e moralit borgjez dhe në rast se do të mbështeteshin në vijën e drejtë të Partisë dhe në elementin e shëndoshë të fshatarësisë së varfër e të mesme.
Organizata e Lushnjës është drejtuar nga këta shokë me frymë tarafi e jo nga shokë me frymë revolucionare dhe në vijën e drejtë të Partisë. Kjo punë tarafi, që ekzistonte në kryet e organizatës, kishte molepsur dhe një sërë shokësh, sidomos në organizatën e qytetit dhe të pushtetit. Disa shokë të sëmurë çështjen e Partisë e lidhnin me disa persona në udhëheqje. Kjo rridhte, pse këta njerëz të sëmurë dhe karrieristë, e shikonin Partinë si një grup, që mund të fshihte të metat dhe gabimet e tyre, që do t’u kënaqte ambiciet e tyre dhe do t’i lejonte të manovronin duke e thyer vijën politike dhe organizative të Partisë. Rruga që ndiqnin këta njerëz, do t’i çonte në armiqësi me Partinë. Armiku i klasës dhe i Partisë, duke bërë presion direkt ose indirekt në këta elementë të sëmurë, ishte mjaft i interesuar që kjo sëmundje në udhëheqjen e organizatës së Lushnjës, të thellohej dhe të forconte kështu pozitat e tija në këtë rreth, brenda në Parti dhe në radhë të parë në udhëheqje. Qëllimi i borgjezisë është reflektuar në këta drejtues të organizatës së Lushnjës në çështjen: kush të ketë pushtetin në dorë. Borgjezia e këtij rrethi, si e gjithë borgjezia armike e vendit, jo në gjendje të organizuar, ka për qëllim rrëzimin e pushtetit dhe shndërrimin e Partisë në një parti mbrojtëse të borgjezisë e të kulakëve.
Por ajo e sheh se marrja e pushtetit në duart e veta është krejtësisht e pamundur, por me pasë njerëzit e saj në pushtet dhe në Parti për t’i minuar këto nga brenda, kjo i është e mundur, në rast se Partia vihet në gjumë. Elementi i sëmurë në udhëheqjen e kësaj organizate ka shikuar kurdoherë në objektivin e marrjes së postit kryesor në udhëheqjen e Partisë dhe që andej të kishte nën kontrollin e vet Partinë dhe pushtetin. Partia dhe pushteti kësisoj të shndërroheshin në një detashment partizan, nën drejtimin e disa ambiciozëve, që me siguri do të kalonin në rrugën antiparti. Pra, në gjirin e organizatës së Lushnjës prej një kohe ekzistonte një antagonizëm në udhëheqje, zhvillohej një punë personale e tarafi dhe me veprime antiparti; në këtë organizatë, ku influenca e borgjezisë ka qenë e paevitueshme, u formuan dy tarafe shokësh. Shokët që s’ndjekin vijën e Partisë, që nuk i shohin çështjet në prizmin dhe në interesin e Partisë, që nuk e mbrojnë Partinë, që nuk e mbështetin dhe nuk e fuqizojnë Partinë me elementin e shëndoshë punëtor, fshatar dhe intelektual të ndershëm, patriot e pa njolla, ata, pa asnjë dyshim, bien në pozitat e borgjezisë dhe pranojnë ligjin e saj. Klasa armike ka menduar se duhej të përkrahte një prej këtyre tarafeve, të krijuara në gjirin e organizatës dhe do të përkrahte atë anë, që tregohej liberale dhe oportuniste ndaj saj.
Në organizatën e Lushnjës ka pasur një punë tarafi shumë të theksuar dhe të dëmshme, që po të mos ishte diktuar me kohë nga Komiteti Qendror, mund të degjeneronte në forma më të rrezikshme për Partinë. Një nga këto tarafe ka pasur si figurë në krye Hasan Ginën dhe ishte tarafi më i rrezikshëm. Prapa Hasan Ginës ka një sërë shokësh të pakënaqur, disa të goditur padrejtësisht nga puna armiqësore e trockistëve, por që pas Plenumit XI nuk e shikuan kthesën në rrugën dhe në vijën e Partisë. Me metoda jo të drejta dhe me pikëpamje politike jo të qarta, ata kujtuan se “rruga e drejtë” ishte hakmarrja, mbivlerësimi i meritave të tyre jashtë çdo mase dhe shumë herë i falsifikuar. Ky shikim i çështjeve nën këtë prizëm nga këta shokë ishte i rrezikshëm dhe do të bënte që këta të gabonin më vonë. Në këtë grup ka pasur shokë ambiciozë, arrivistë, njerëz me të kaluar jo të pastër dhe me origjinë jo të shtresës. Në mes të këtij grupi shokësh të sëmurë, ai më i sëmuri, i cili ka vepruar vazhdimisht (me gjithë këshillimet e Komitetit Qendror) për keqësimin e situatës, ka qenë Halit Ahmeti. Tarafi i dytë, i cili nuk ka pasur një figurë në krye, por që përpiqej të krijonte një të tillë (prandaj u përpoq të fshihej pas ish-sekretarit të parë të organizatës, i cili nuk del i implikuar në këtë grup), formohej prej shokësh që kishin bërë gabime para Plenumit XI, që ishin goditur për gabimet e tyre dhe që ishin lidhur me njëri-tjetrin me familjaritet të sëmurë dhe si të solidarizuar në “fatkeqësinë” që u ngjau.
Ky ishte në opozicion me tarafin e Hasan Ginës, në rrugë jo të drejtë dhe shumë herë të pa principtë e jo në baza të shëndosha. Me këto metoda të sëmura luftonin midis tyre këto dy palë tarafe: tarafi i parë, i Hasan Ginës, për t’i eliminuar krejtësisht këta shokë dhe për të pasur vetë në duar drejtimin e Partisë dhe të pushtetit dhe tarafi i dytë për t’u mbrojtur. Sekretari i parë i Partisë së rrethit nga ana e tij, megjithëse nuk ka qenë i implikuar në këtë luftë të pa principtë në mes këtyre shokëve, ai s’ka ditur të diktojë këtë punë të dëmshme që ekzistonte dhe s’ka vënë në dijeni Komitetin Qendror për këtë çështje. Ai, si sekretar politik i kësaj organizate, nuk ka ditur ta frenojë dhe ta shërojë këtë situatë. Tarafi i Hasan Ginës ka pasur për qëllim të vinte në udhëheqje ose të qëndronte në udhëheqje me çdo kusht dhe me mënyra dhe metoda të gabuara dhe të dënueshme nga parimet e Partisë, në kundërshtim me urdhrat dhe qarkoret e Komitetit Qendror dhe me forma e me metoda që binin erë frymë borgjeze. Lufta e këtij tarafi zhvillohej gjoja në format e sipërme kundër sekretarit të parë të Partisë për Lushnjën kur ky ishte emëruar tok me një byro provizore nga Komiteti Qendror deri në zgjedhjet e reja, gjoja pse ky kishte gabuar në të kaluarën, sikur gabimet e Hasan Ginës dhe të shokëve të tjerë të këtij grupi nuk ishin po ato të sekretarit të parë për mos me thënë më të rënda.
Shoku Hasan Gina ka rënë në këtë terren të kalbur dhe ka gabuar. Njëkohësisht shumë elementë të sëmurë kanë influencuar te ai dhe kanë vepruar në dëm të Partisë duke u fshehur dhe duke u mbështetur nga shoku Hasan Gina. Këta kanë ditur të përfitojnë nga fryma e ambicies që ekziston te Hasan Gina, nga një shikim jo i shëndoshë i kapaciteteve të tij, nga liberalizmi dhe butësia e tij dhe e kanë. nxjerrë përpara Hasan Ginën. Këta elementë, direkt ose indirekt, i kanë sjellë Hasan Ginës pikëpamjet dhe frymën e borgjezisë për veprim dhe ky ka vepruar, disa herë me ndërgjegje, disa herë në mënyrë inkoshiente në rrugë të gabuar. Një nga elementët më të dëmshëm, që ka influencuar Hasan Ginën, ka qenë Halit Ahmeti. Shoku Hasan Gina, i shtyrë nga ambicia personale, nga miqësitë e sëmura, nga gjykimet jo të shëndosha dhe të thella mbi situatat e krijuara dhe mbi shokët, ka humbur rrugën, ka harruar rregullat dhe vijën e Partisë, ka harruar luftën që zhvillon Partia kundër kulakëve dhe borgjezisë armike të qytetit dhe të fshatit. Një punë e tillë e sëmurë në organizatën e Lushnjës e ka burimin që para Plenumit XI. Duke marrë parasysh përbërjen sociale të gjithë rrethit të Lushnjës, borgjezia armike do të përpiqej që aksionet e saj të mbështeteshin nga elementi i lëkundshëm dhe i butë i Partisë e i pushtetit dhe, natyrisht, nga elementët e tillë të qytetit, të cilët, përveç të metave të klasës, që ekzistojnë në ta, nuk kishin kaluar në fazat e ashpra të luftës dhe tamam në këto faza s’kishin mundur të rezistonin, kush më shumë dhe kush më pak.
Një gjë e tillë shkaktoi mungesë vigjilence dhe mos vazhdimësi në konsolidimin e Partisë dhe të pushtetit. Këta u treguan liberalë dhe të influencuar nga rrethe të ndryshme mikroborgjeze, pranonin lehtësisht influencën direkte ose indirekte të shtresave të larta, të goditura nga lufta dhe nga reformat e pushtetit. Lufta e klasës, pra, nuk u ashpërsua. Në ndarjen e tokës fshatarëve të varfër dhe të mesëm, u bënë gabime në dëmin e këtyre; fshatarët që muarën tokën u kërcënuan prej kulakëve, bejlerëve dhe tregtarëve fajdexhinj. Disa elementë, që influenconin udhëheqjen e Partisë dhe të pushtetit në rreth, nën flamurin e Frontit, përhapnin mos kënaqësira dhe kërcënime të mbuluara dhe të tërthorta. Ekzistonin dhe përkraheshin në një situatë të tillë hatëret, favorizimet, nxiteshin intrigat e fshatit dhe politika në fshat bëhej në plan dhe në pozitat e këtyre thashethemeve dhe intrigave të vogla. Nga ana tjetër fryma e sëmurë që ekzistonte në Parti, puna armiqësore e trockistëve jugosllavë dhe e Koçi Xoxes, reflektohej dhe vepronte edhe në këtë rreth duke favorizuar një mentalitet të tillë në udhëheqje. Veprime jo të drejta, të papeshuara mirë e arbitrare janë bërë nga disa udhëheqës të Partisë dhe të sigurimit. Një politikë e gabuar kuadri është zhvilluar dhe në këtë organizatë, ashtu si edhe në të tjerat. Njerëz të luftës janë përkrahur, pastaj janë goditur, janë favorizuar pastaj janë lënë pas dore. Kjo varej nga një informatë, nga një përshtypje, nga një mëri personale, nga intrigat, që bënte njëri ose tjetri.
Veprime të tilla që lindnin nga një situatë e tillë e sëmurë, përfundonin në vendime jo të drejta për kuadrin. Pas Plenumit XI dhe pas Kongresit I-rë u bënë të qarta veprimet e gabuara në vijë, u bë e qartë puna armiqësore e trockistëve dhe konsekuencat e saja; gjithashtu u bë e qartë vija dhe taktika e Partisë për ndreqjen e këtyre gjërave. Por disa udhëheqës të organizatës së Lushnjës ishin larg nga kuptimi i drejtë i vijës së kongresit dhe taktikës që duhej ndjekur dhe zbatuar. Elementët e pakënaqur, që ndaj tyre ishin mbajtur qëndrime jo të drejta nga ana e drejtuesve të Partisë dhe të sigurimit, në këto momente spastrimi dhe shërimi të përgjithshëm, duke mos i njohur të metat e veta që ekzistonin dhe ekzistojnë akoma në ta e që s’bënë autokritikën e shëndoshë të punës së tyre, në mënyrë që të viheshin çështjet një herë e mirë në vendin e duhur, pse kështu do të dilnin edhe gabimet e të tjerëve, këta elementë vepruan në mënyrë jo të drejtë dhe jo në rrugë të Partisë. Ata menduan se kishte ardhur koha të hakmerreshin kundër elementit që kishte gabuar para Plenumit XI. Kjo kategori shokësh, ku bën pjesë Hasan Gina dhe Halit Ahmeti dolën si të persekutuar nga puna trockiste, muarën bajrakun e luftës për «ndreqjen e gabimeve», që ishin vërtetuar, por ky bajrak nuk ishte në duar të shëndosha dhe sikundër u provua dhe më vonë, ky grup nuk ndoqi rrugën e caktuar nga kongresi, por u përpoq të vepronte në frymë tarafi, ambicie etj. që i dënon Partia. Është e vërtetë se disa shokë drejtues të organizatës së Lushnjës dhe të sigurimit të atjeshëm kanë gabuar dhe duhej përpara masës së Partisë të bënin autokritikë të shëndoshë, pse kjo është e vetmja rrugë e shërimit të tyre.
Këta shokë kanë marrë dënimin që kanë merituar, por këtyre duhej medoemos t’u jepej dora të ngriheshin dhe të ndihmoheshin. Gabimet e këtyre shokëve në tërësi nuk ishin krime të shëmtuara. Gabimet e tyre duhej të mateshin në masën e gabimeve të të gjithë asaj pune të gabuar që ishte vërtetuar para kongresit dhe të korrigjoheshin në bazë të orientimeve të drejta të kongresit. Kjo nuk u bë në organizatën e Lushnjës, bile u bë e kundërta. Kritika dhe autokritika ka qenë e dobët nga të gjithë. Njerëzit, që kishin gabuar, u goditën ashpërsisht, u diskredituan, saqë çdo njeri mund të mendonte mbahen në Parti këta njerëz që kanë bërë gjithë këto gjëra të palejueshme». Por u shkua edhe më tej. Nga pikëpamje të tilla të sëmura dhe sektare ndaj kuadrit, dalin dhe pikëpamjet oportuniste ndaj elementit të dobët dhe armikut të klasës. Këto janë si motër e vëlla. Janë shtyrë direkt ose indirekt elementë të borgjezisë armike të kërkojnë hedhjen në gjyq të shokëve të sigurimit, pse ata i kishin konfiskuar çiften ndonjë beu, sipas urdhrit që kishin nga lart, ose të çonin në gjyq shokë komunistë, që kishin rrëzuar portat e bejlerëve etj. gjëra të tilla. U është bërë një luftë e ç’ndershme dhe antiparti shokëve komunistë, që kishin bërë disa gabime, por që i kishin kuptuar këto gabime dhe që punonin me të gjitha forcat për t’ja larë Partisë.
Këta ishin hedhur në punë, zhvillonin aktivitet, por pikëpamja mbi këta shokë, që rehabilitoheshin, qëndronte po ajo e vjetra dhe si rezultat, vazhdohej të diskreditoheshin këta shokë. Tarafi i Hasan Ginës, i Halit Ahmetit me shokë, duke dashur të djegë, duke i futur krejtësisht në rrugë jo të drejtë dhe aspak të shëndoshë shokët e rinj, që kishin bërë gabime; theu rregullat e Partisë, nuk ruajti konspiracionin. Çdo gjë që zhvillohej në organizatat bazë, bëhej shkas muhabeti në popull dhe në konferenca. Nga njerëz të dyshimtë dhe armiq po mbaheshin-nëpër gojë shokë komunistë për çka thuhej dhe vendosej për ta në celula e në komitete. Reaksioni po krijonte opinione për të ngritur në qiell një palë dhe për të futur në varr palën tjetër. Tarafi i Hasan Ginës ka pasur tendencë dhe ka vepruar, duke thyer çdo rregull organizativ, t’i sjellë shokët e organizatave bazë ndryshme të gjykohen, të kritikohen në organizatën bazë të pushtetit të qytetit, ku ata kishin mbështetjen dhe që kjo organizatë paraqitej dhe paraqitet më e sëmura, pse ishte e përbërë në përgjithësi me elementë jo të shëndoshë dhe me plot të meta. Tarafi i Hasan Ginës dhe i Halit Ahmetit me shokë gjatë gjithë kësaj periudhe kanë adoptuar një qëndrim oportunist ndaj borgjezisë së qytetit dhe të fshatit. Kjo u është ofruar shokëve të këtij grupi dhe është pritur jo keq prej tyre. Këta shokë kanë dëgjuar me kujdes ankimet e këtyre “shqerrave të persekutuar nga komunistët”, ju kanë dhënë shumë herë të drejtë, ju kanë dhënë të shpresojnë dhe të atakojnë njerëzit e Partisë./Memorie.al
Vijon në numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016