Nga DASHNOR KALOÇI
Pjesa e tretë
Memorie.al / Plot 35 vite më parë, në fillimin e janarit 1991, kur nuk kishin kaluar as dy tre javë nga shpallja e pluralizmit në Shqipëri dhe ishin formuar partitë e para opozitare, qeveria e kryeministrit Ylli Bufi që kishte zëvendësuar pothuaj tërësisht kabinetin “Çarçani”, në kuadrin e reformave të ndërmarra asokohe dhe hapjen e Shqipërisë me botën e jashtme, kishte filluar t’u përgjigjej pozitivisht edhe ftesave të shumta që vinin në adresë të Tiranës zyrtare, për përfaqësimin e vendit në aktivitete të ndryshme ndërkombëtare. Siç ishte Forumi Ekonomik Botëror i Davosit në Zvicër që do mbahej në fillimin e muajit shkurt të atij viti, ku merrnin pjesë personalitete të shumta të jetës politike dhe ekonomike nga e gjithë bota, si kryetar shtetesh, kryeministra, ministra, afaristë e biznesmenë të njohur, pjesëtarë të organizatave të ndryshme nga pesë kontinentet, etj.
Në këtë kuadër, qeveria shqiptare e kryeministrit Ylli Bufi, kishte vendosur të përfaqësohej në nivelin më të lartë, duke dërguar atje sekretarin e përgjithshëm të kryeministrisë, Fatos Nanon, Doktor i Shkencave Ekonomike, një ekonomist i njohur dhe lektor i Universitetit Shtetëror të Tiranës, i cili përveçse ishte pjesë e kabinetit qeveritar nga dhjetori 1990 dhe koordinator e përgjegjës për reformën ekonomike të atij kabineti, kishte bërë emër të madh në atë kohë edhe prej disa intervistave të dhëna Radios “Zëri i Amerikës”, etj.
Po si u bë e mundur vajtja e Fatos Nanos në atë forum ndërkombëtar ku Shqipëria e sapodalë nga sundimi komunist 45 vjeçar, përfaqësohej për herë të parë? Cilët ishin disa nga personalitetet e larta që takoi Fatos Nano në Forumin Ekonomik Botëror të Davosit dhe cilat ishin përshtypjet që ata kishin për vendin e vogël komunist të Ballkanit, ku pjesa më e madhe e tyre pothuaj nuk e njihnin fare, apo kishin dëgjuar fare pak për të? Çfarë i sugjeruan dhe i premtuan ata shefit të delegacionit shqiptar Fatos Nano dhe kushtet që i viheshin Shqipërisë në kuadrin e ndihmave që do i jepeshin asaj?
Si dhe pse dështoi pjesëmarrja e mëtejshme e Shqipërisë në Forumin Botëror të Davosit në qershorin e atij viti dhe çfarë thuhet në korrespodencën e acaruar ndërmjet Ministrisë së Jashtme dhe organizatorëve të atij aktiviteti ekonomik, lidhur me nivelin e ulët që do përfaqësohej Shqipëria atje? Lidhur me këtë etj., na njohin disa dokumente arkivore të nxjerra së fundmi nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, të cilat publikohen për herë të parë dhe me faksimilet përkatëse nga Memorie.al.
TELEGRAMI I MINISTRISË SË PUNËVE TË JASHTME NË TIRANË,
DËRGUAR MISIONIT DIPLOMATIK SHQIPTARE NË GJENEVË, LIDHUR ME PËRBËRJEN E DELEGACIONIT SHQIPTAR QË DO MERRTE PJESË NË FORUMIN EKONOMIK BOTËROR TË DAVOSIT
TELEGRAM MBI PËRFAQËSIMIN E SHQIPËRISË (24 MAJ 1991)
DREJTUAR: MISIONIT GJENEVË
Nr.: 25
Nga: Ministria e Punëve të Jashtme
Njoftoni organizatorët se në Mbledhjen e Forumit Ekonomik Botëror, vendi ynë do të përfaqësohet me:
Shkëlqim Cani, zëvendëskryetar i Këshillit të Ministrave.
Zydi Pepa, ministër, sekretar i përgjithshëm i Këshillit të Ministrave.
Tiranë, më 24 maj 1991
MINISTRIA E PUNËVE TË JASHTME
TELEGRAMI I MISIONIT DIPLOMATIK SHQIPTARE NË GJENEVË, DËRGUAR MINISTRISË SË PUNËVE TË JASHTME NË TIRANË, LIDHUR ME KËRKESËN E ORGANIZATORËVE TË FORUMIT EKONOMIK BOTËROR, PËR T’U DËRGUAR CV E SHKËLQIM CANIT E ZYDI PEPËS
KËRKESA PËR CURRICULUM VITAE (29 MAJ 1991)
TELEX / FAKS URGJENT
2164 MPJ AB | 412278 MALB CH
Klasifikimi: TEPËR URGJENT
DREJTUAR: MINISTRISË SË PUNËVE TË JASHTME
Për: Shokun B. PITARKA
(Për dijeni dhe shokut Sokrat Plaka)
- Lustig, në Forumin Ekonomik Botëror, kërkon urgjent “Curriculum Vitae”-të e shokut Shkëlqim Cani dhe Zydi Pepa, të cilat do t’i fusin në botimin e posaçëm që del ditën e premte, më 31 maj 1991.
Këto mund t’ua dërgoni drejtpërdrejt me faks në këtë numër: (41 22) 786 27 44 ose me teleks në numrin: 413 289, në vëmendje të Z. Dirk Lustig. Po ashtu, po në këto numra jepni edhe të dhënat për vizat.
Më 29 maj 1991
MISIONI GJENEVË
TELEGRAMI I ORGANIZATORËVE TË FORUMIT EKONOMIK BOTËROR,
DËRGUAR MINISTRISË SË PUNËVE TË JASHTME NË TIRANË, PËR T’U DËRGUAR CV E SHKËLQIM CANIT E ZYDI PEPËS
LETRA E DREJTPËRDREJTË E FORUMIT EKONOMIK BOTËROR (30 MAJ 1991)
REF: 3812
DATE: 910530 (30 Maj 1991)
TIME: 15:16
PËR: Z. PITARKA, DREJTOR PËR ORGANIZATAT NDËRKOMBËTARE
NGA: FORUMI EKONOMIK BOTËROR, GJENEVË (413289 WEF CH)
I nderuar Z. Pitarka,
Për Samitin tonë Ekonomik të Evropës Qendrore dhe Lindore, na nevojiten urgjentisht Curriculum Vitae-të e Shkëlqim Canit, Zëvendëspresident i Këshillit të Ministrave, dhe Zydi Pepës, Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave (Afati i fundit: e premte në mëngjes, ora 12:00).
Ju lutemi shumë na i dërgoni ato me telefaks. Numri ynë i telefaksit është: (41 22) 786 27 44 dhe numri ynë i telefonit është: (41 22) 736 92 43.
Ne u informuam nga Misioni Shqiptar në Gjenevë, se ju mund të na ndihmoni në këtë çështje.
Duke ju falënderuar për mbështetjen tuaj, me respekt,
DIRK LUSTIG
Përgjegjës për Samitin
TELEGRAMI MINISTRISË SË JASHTME NË TIRANË, DËRGUAR MISIONIT DIPLOMATIK SHQIPTARE NË GJENEVË, ME CV E SHKËLQIM CANIT E ZYDI PEPËS, QË DO MERRNIN PJESË NË FORUMIN E DAVOSIT
TË DHËNAT PËR CV-të E DËRGUARA NGA TIRANA (31 MAJ 1991)
Nr. Protokolli: 5848
Klasifikimi: Urgjent
DREJTUAR: MISIONIT GJENEVË
Njoftoni Z. Lustig të “Forumit Ekonomik Botëror”, lidhur me Curriculum Vitae të dy shokëve si më poshtë vijon:
Shkëlqim Cani: Ditëlindja: 6 maj 1956, vendlindja: Tiranë, profesioni: ekonomist. Ka qenë Drejtor i Përgjithshëm i Bankës së Marrëdhënieve me Jashtë, aktualisht Zëvendëskryetar i Këshillit të Ministrave.
Zydi Pepa: Ditëlindja: 12 mars 1946, vendlindja: Tiranë, profesioni: ekonomist i bujqësisë. Ka qenë profesor në Universitet, aktualisht Ministër – Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave.
Tiranë, më 31.5.1991
MINISTRIA E JASHTME
TELEGRAMI MINISTRISË SË PUNËVE TË JASHTME NË TIRANË, DËRGUAR MISIONIT DIPLOMATIK SHQIPTARE NË GJENEVË, LIDHUR ME ARSYET E MOSPJESËMARRJES SË SHKËLQIM CANIT E ZYDI PEPËS, NË FORUMIN EKONOMIK BOTËROR TË DAVOSIT
UDHËZIMI MBI MOSMARRJEN PJESË PËR SHKAK TË RËNIES SË QEVERISË (8 QERSHOR 1991)
Nr. Protokolli: 4056
DREJTUAR: MISIONIT GJENEVË
Për shkak të dorëheqjes së Qeverisë dhe se qeveria e re nuk është formuar akoma, njoftoni në Forumin Ekonomik Botëror se jemi në pamundësi të marrim pjesë me delegacionin e njoftuar nga Shqipëria.
Kërkoni të na mirëkuptojnë. Njoftoni njëkohësisht pjesëmarrjen e shokëve Kadri Cenko dhe Vaso Pilo.
Tiranë, më 8 qershor 1991
MINISTRIA E JASHTME
TELEGRAMI I MISIONIT DIPLOMATIK SHQIPTARE NË GJENEVË, DËRGUAR MINISTRISË SË PUNËVE TË JASHTME NË TIRANË, LIDHUR ME MIRATIMIN NGA ANA E ORGANIZATORËVE TË FORUMIT EKONOMIK BOTËROR, PËR PJESËMARRJEN E KUFIZUAR TË DELEGACIONIT SHQIPTAR NË MBLEDHJEN E MUAJIT QERSHOR
TELEGRAM MBI MIRATIMIN E PJESËMARRJES SË KUFIZUAR (8 QERSHOR 1991)
TELEX / FAKS
2164 MPJ AB | 412278 MALB CH
Klasifikimi: TEPËR URGJENT
DREJTUAR: MINISTRISË SË PUNËVE TË JASHTME
Për: SHOKUT MUHAMET KAPLLANI
Nr.: 3559
Sipas udhëzimit të marrë, njoftuam Forumin Botëror lidhur me pamundësinë e pjesëmarrjes së shokëve që ishin planifikuar në mbledhjen e Forumit që fillon nesër pasdite dhe për pjesëmarrjen time dhe të shokut Vaso Pilo.
Treguan mirëkuptim dhe miratuan pjesëmarrjen tonë të pjesshme në veprimtaritë e Forumit, ku niveli minimal është ai i ministrit.
Ne do të marrim pjesë në darkën që jepet nesër, në bisedimet e lira ditën e hënë, si dhe në drekën zyrtare të hënën. Pjesëmarrja e Shqipërisë do të njoftohet zyrtarisht.
Përfaqësuesit e Forumit na thanë se në kushtet e krijuara në vendin tonë edhe nga pjesëmarrësit do të tregohet mirëkuptim që Shqipëria nuk mund të përfaqësohet në nivelin e kërkuar. Thanë se për Shqipërinë mund të organizojnë një mbledhje të posaçme në vjeshtë.
KADRI CENKO
MISIONI, GJENEVË, MË 8 QERSHOR 1991
TELEGRAMI I MISIONIT DIPLOMATIK SHQIPTARE NË GJENEVË, DËRGUAR MINISTRISË SË JASHTME NË TIRANË, LIDHUR ME PJESËMARRJEN E TYRE NË FORUMIN EKONOMIK BOTËROR
RAPORTI I PLOTË I DELEGACIONIT PAS PËRFUNDIMIT TË FORUMIT (10 QERSHOR 1991)
TELEX / FAKS
2164 MPJ AB | 412278 MALB CH
DREJTUAR: MINISTRISË SË PUNËVE TË JASHTME
Për: SHOKUT MUHAMET KAPLLANI
Më 9 e 10 qershor 1991 u zhvillua në Gjenevë Mbledhja Ekonomike e Nivelit të Lartë e Evropës Qendrore e Lindore, e organizuar nga Forumi Ekonomik Botëror.
Morën pjesë personalitete të larta shtetërore nga Jugosllavia, Çekia, Hungaria, Polonia, Bullgaria e Rumania (kryesisht ministrat e ekonomisë, financave, planifikimit etj.), si dhe përfaqësues të lartë të shteteve perëndimore dhe të qarqeve të rëndësishme ekonomike, tregtare e financiare të botës. Nga vendi ynë morëm pjesë si të ftuar unë dhe shoku Vaso Pilo, por vetëm në një pjesë të programit.
Konkretisht në pritjet dhe në tavolinat e punës, ku u shkëmbyen mendime, në mënyrë të organizuar, për gjendjen dhe problemet e vendeve të Evropës Qendrore e Lindore, përfshirë Shqipërinë, por jo në bisedimet zyrtare ku folën kryetarët e delegacioneve. Sidoqoftë, pjesëmarrja e vendit tonë u njoftua zyrtarisht. Pjesëmarrës të ndryshëm shprehën keqardhjen që vendi ynë nuk mundi të përfaqësohej në nivelin e dëshiruar.
Në veprimtaritë ku morëm pjesë, duke iu përgjigjur pyetjeve të ndryshme, fola për gjendjen politike, ekonomike e sociale në vendin tonë, për arritjet, vështirësitë aktuale dhe perspektivën e zhvillimit.
Ju përgjigja edhe pyetjeve specifike lidhur me demokratizimin e jetës, përparimin e reformës, për nevojat afatshkurtra e afatgjata të vendit, për privatizimin, investimet e huaja, garancitë ligjore për veprimtaritë e huaja në territorin shqiptar, etj. Interesim pati edhe për marrëdhëniet me fqinjët, për orientimin politik të Shqipërisë, integrimin në Evropë etj.
Nga kontaktet që pata me personalitete e përfaqësues të ndryshëm dolën këto çështje:
Janez Drnovšek (Anëtar i Presidencës së Jugosllavisë): Shprehu shpresën që me krijimin e qeverisë së re shqiptare të bëhet e mundur që të nxiten kontaktet dhe të zhvillohen bisedime edhe midis dy vendeve tona.
Janez Sirše (Shefi i Kabinetit Slloven në Presidencën Federale të Jugosllavisë): Tha se do të ishte e dobishme që Shqipëria të vendoste kontakte si ato me Kroacinë, edhe me Slloveninë, që është mike e Shqipërisë.
Dr. Manfred Nayer (Këshilltari i Drejtorit të firmës së brilanteve “Daniel Swarovski Corporation”, me qendër në Austri): Tha se po punojnë me financiarë evropianë me qëllim që të ndihmojnë që monedha shqiptare të bëhet e konvertueshme. Për mendimin e tij, kjo duhet të bëhet mbi bazën e frangut zviceran e jo të dollarit apo DM, duke shtuar se as që mund të mendohet që Zvicra të ketë synime kolonizuese ndaj Shqipërisë.
Åke Lindén (Këshilltari i Posaçëm i Drejtorit të Përgjithshëm të GATT-it): Më tha se Shqipëria mbetet i vetmi vend evropian që nuk ka asnjë kontakt me GATT-in. Duke iu referuar bisedimeve të tanishme të Bullgarisë me GATT-in lidhur me pranimin e saj në të, ai më sugjeroi që në këtë mënyrë të veprojë edhe Shqipëria dhe më inkurajoi që të vendosë kontakte në GATT. Këto kontakte mund të shpien në fillimin e bisedimeve për anëtarësinë e vendit tonë në GATT, dhe duke qenë se këto bisedime kërkojnë njëfarë kohe, duhet të fillojnë sa më parë që të jetë e mundur.
Rudolf Hoffmann (Zëvendësdrejtor i UNICEF-it): Shprehu gatishmëri për ta ndihmuar vendin tonë, sidomos shtresat më delikate të shoqërisë, fëmijët dhe nënat. Dëmtimi sot i këtyre shtresave – tha ai – do të jetë me pasoja për të ardhmen dhe do të kërkojë një kosto shumë të lartë. Ai tha se parashikojnë të dërgojnë një mision në Tiranë për të përcaktuar përparësitë dhe nevojat.
Kontakte patëm edhe me përfaqësues të tjerë shtetesh e organizmash ekonomike e financiare. Në biseda me përfaqësues të Forumit doli edhe ideja për të organizuar në vjeshtën e vitit 1991 ose vitin e ardhshëm një mbledhje të posaçme për Shqipërinë, si ato që Forumi ka parashikuar për Bashkimin Sovjetik, Kinën, Hungarinë etj.
Për mendimin tim, pjesëmarrja në nivel të lartë do të kishte qenë me efekte pozitive për të ardhmen e vendit tonë, pasi do të bënte të mundur vendosjen e kontakteve direkte me investitorët e mundshëm, me banka e korporata të fuqishme financiare e tregtare. Megjithëse u tregua mirëkuptim e dashamirësi si nga Forumi ashtu edhe nga pjesëmarrësit e tjerë, u ndje një boshllëk, prandaj mendoj që në të ardhmen, veprimtari të tilla të ndiqen me kujdes e në nivelet e duhura.
Për problemet që duhen ndjekur, presim mendimin tuaj për të vepruar më tej. / Memorie.al
KADRI CENKO
MISIONI, GJENEVË, MË 10 QERSHOR 1991
412278 MALB CH | 2164 MPJ ABMT
















