Nga Hamza Kazazi
Pjesa e dytë
Memorie.al / Mbas 77 vjetësh të ngjarjes dhe 29 vjet demokraci (deri diku demokraci), vazhdon të mos nxirret e vërteta për Luftën e Reçit e, sidomos mbas vitit 2013, të kremtohet vetëm nga një anë. E vërteta për të cilën kam mbërrit të gjej dokumente dhe e vërtetoj se meritat i takojnë në radhë të parë Ballit Kombëtar e Legalitetit dhe janë në vend të tretë komunistët, që pa tjetër edhe ata kanë luftuar, por po iu jepen të gjitha meritat, duke eliminuar të tjerët. Gjithashtu nuk harrohet edhe pjesëmarrja e popullit të Reçit e zonës. Pra bëhet mashtrim i të vërtetës e historisë dhe politika që sundon sot, e uzurpon atë, duke ju a lënë vetëm komunistëve e, po veprohet si dikur në diktaturë. Atëherë po thërras: Ku është politika e jonë, që nuk don të ja dijë?
Një dokument i mëparshëm, letër – telegram i prefektit Shkodrës, drejtuar Ministrisë Brendshme, nr. 635/106 dt. 1-8-1943, thotë: “Tash lajmërohemi nga Komanda e Rrethit, se në katundet Linaj e Lepurosh të komunës Rrjolli, nji grup personash të armatosun prej afro 500 vetësh, janë mbledhë nen kryesinë e Jup Kazazit e Xhelal Sulo Beg Bushatit, të dy nga Shkodra. Qellimi i kësaj mbledhje nuk dihet. Ju shkrue Komandës së Sektorit këtu, për masat e rastit. – Prefekti”.
Po këtë tekst, me dt. 3-8, Ministri i Brendshëm ja çon kryesisë së Këshillit të Ministrave. Telegrami shifër i ministrit, drejtue prefektit të Shkodrës, nr. 635/136 dt. 4-8-1943, thotë: “Më referohet se si bashkpuntuer ma të ngushtë të Jup Kazazit për kryengritje para shumë kohe, ka qenë Ahmet Osi, Ujk Tahiri dhe Elmaz Hoxha, të tre nga Kopliku, pikë. Në rezulton e vërtetë, të arrestohen, pikë. – Ministri”.
Pra thuhet para shumë kohe dhe është shumë domethënëse. Telegrami 361/22 dt. 4-08-1943, e akuzon Jupin për tradhti e përgatitje për kryengritje. Telegrami tjetër thotë se po përgatit atentat ministrit, që në fakt, siç kam thënë më lart, ishte për Jacomoni-n. Shumë i rëndësishëm është raporti i prefektit të Shkodrës, drejtue Ministrisë së Brendshme, për luftën e Reçit, me datë 3-9-1943, nr.635/258 (AQSH, Fondi 252, dosja 124, fleta 20, nr. 4), ku thuhet:
“Kam nderin t’Ju njoftojm, se operacionet e ushtrisë kundra çetave rebele të Jup Kazazit me shokë, kanë fillue me datën 30 të m. kaluem, n’orën 4 të mëngjesit dhe ushtria u tërhoq me datën 31/8/1943. Në ndeshje thuhet se kanë mbet prej çetave, Rifat Nuz Sokol Bajraktari, i biri i Bajraktarit të Reçit, bashkë me Dr. Bahri Kopliku dhe 10 persona te tjerë të pa identifikuem, të cilët janë varrosun prej çetave. (Shënim: gabohen, pse Dr. Kopliku ishte me Ballin e luftar, por ka jetuar deri vonë.)
Prej ushtrisë kanë mbetun 8 ushtarë, që nuk janë varrosë ende, nji kapiten ndodhet i vramë në lagjen Prel Nikaj e, nji karabinier në lagjen Kuç, të cilët nuk kanë mujtë të tërhiqen, pse këto katunde ndodhen në dorë të çetave. Popullsia e Reçit dhe Lohes, asht largue ndër male dhe shumica e banorve të Reçit janë bashkue me çetat. Ushtria ka damtue në operacione 10 shtëpi. Nji rreshter milicije i plagosun….! Mbas njoftimit që kemi prej komunës Shkrelit, çetat rebele i janë afrue kësaj komune; fuqia vullnetare ka xanë vendet e dyshimta. -Prefekti”.
(Shënim: Në raport gabohet numri i te vrameve, mbasi janë më pak prej anës tonë e, shumë më tepër prej italianëve. Ishte shpejt e nuk kanë pasë informacion të azhornuar. Gjithashtu forcat (fuqija) vullnetare, kanë qenë krijuar prej kolonelit italian e ishin ne shërbim të tyre). E pra nuk përmenden komunistët, të cilët kanë fallsifikuar të vërtetën historike, përvetësuar rolin e tyre udhëheqës e vazhdojnë. Po sqaroj se; Llesh Marashi, për një periudhë shumë të shkurtë, për 20 ditë, qe lidhë me komunistët dhe u bë komandant i çetës tyre, por qe shkëputë sa ju pau qëllimet e veprimet.
Ai ka qenë e ishte me Jupin dhe kanë vazhduar së bashku deri në fund të jetës, luftën për liri edhe kundër komunizmit. Gjithashtu Bajraktari i Reçit, ka qenë mik i Jupit dhe i pa lidhur politikisht. Pa tjetër ai si edhe bajraktarët tjerë e banorët, kanë pritë e strehuar të gjithë pa dallim, se të cilës anë politike ishin. Djali i tij Rifat Nuzi, njeri prej dëshmorëve, siç më kanë pasë thënë të mijtë, ka qenë i lidhur me Ballin Kombëtar. Ndërsa Ramadan Reçi (i shkruar edhe me mbiemrin Bajraktari), ka qenë nip i Bajraktarit dhe komandant çete komuniste.
Shaqir Vukaj gabon e paraqet krejt ndryshej mbledhjen për krijimin e “Komitetit të Shpëtimit të Shqipërisë” të 15 gushtit, si me 13 gusht dhe pa praninë e shumë të tjerëve e, as Bajraktarit të Reçit, e shkruan si mbas thënies së Ramadan Reçit, komandant çete komuniste e, si nip i bajraktarit, sikur përfaqësonte edhe atë: “Siç kujton veterani i luftës, Ramadan Reçi, pikërisht në këtë periudhë, më 13 gusht 1943, në Muçovilë të Reçit, është organizuar një mbledhje e parisë së Rranxave, ku kanë marrë pjesë bajraktarët e Reçit, Koplikut, Grizhës dhe Rrjollit, si dhe përfaqësues të Frontit Nacionalçlirimtar, Ballit Kombëtar dhe Legalitetit, dhe ku Ramadani përfaqësonte Frontin Nacionalçlirimtar (tërheq vëmendjen fakti se ai duke qenë nipi i bajraktarit të Reçit, ishte në rolin e një përfaqësimi të dyfishtë)”.
Kjo bjen poshtë krejtësisht si thënie, prej shkresës 3 faqesh për mbledhjen me 15 gusht, kur të trija forcat politike, aprovuan krijimin e “Komitetit për Shpëtimin e Shqipnisë”, të përmendur më lart. Janë dokumente në shqip e italisht, që urdhërojnë arrestimin e Jupit nga Ministria e Brendshme dhe Gjykata Ushtarake e luftës, për tradhti e organizim kryengritje.
Përfundimisht, italianët sulmuan Reçin me gjithë forcat e tyre ushtarake, për të eliminuar forcat e organizuara prej “Komitetit të Shpëtimit të Shqipnisë”, ku bënin pjesë çetat e Ballit, Legalitetit e komunistëve, pra të gjithë së bashku kundër pushtuesit, për të sulmuar e çliruar Shkodrën. Siç del prej dokumentit, deri klerikë katolikë, janë shpërnda me përgatitë njerëzit e me bë propagandë. Jupi me influencën e vet e, po kështu të tjerët, do të çojshin në këmbë jo vetëm zonën e Reçit, por edhe krahinën e Shkodrës, e sa të afroheshin, edhe qytetarët.
Ne Luftën e Reçit morën pjesë prej Ballit, Jupi me çetën e njerëzit e vet, (si çetat e Xhelal e Enver Bushatit dhe e Llesh Marashit), prej Legalitetit ishin dy çeta, me komandantë Shaqir Meta (dhëndër i Bajram Currit), Shaban Elezi, Hysen Lohja e Fadil Dizdari, komunistët me rreth 30 vete. Shumë të rëndësishëm qenë ushtarët e Regjimentit të III-të, të Ushtrisë Kombëtare Shqiptare, që kishin dezertue e ardhë prej Ulqinit. Ata kishin oficerët akademista, kolonel Fuat Dibra, që mbas 29 nëndorit komunistët e dorëzuan tek jugosllavët, të cilët e pushkatuan si antikomunist e anti-sllav, dhe majorët Zenel Kazazi e Dilaver Dine, te lidhur me Ballin Kombëtar.
Ata kishin patriotizmin e ndjenjën e demokracisë dhe i lanë të lirë ushtarët e oficerët, të shkonin me kë të donin dhe është e vërtetë se pjesa më e madhe e tyre, me 80-90 vetë e, 8 deri 13 oficerë, ndenjën me komandantët e mësipërm, pra me anën e Ballit e një pjesë rreth 40 vetë, me toger Fadil Deliallisin e, më duket edhe një oficer tjetër më vonë, u lidhën me komunistët por kur u bë lufta, ata ishin dhe luftuan veç, ndërsa një pjesë e vogël qe nisë drejt shtëpive të tyre.
Ishte Zeneli i lidhur me Jupin, që drejtoi regjimentin prej Ulqinit në Reç, ku i vëllai po përgatiste luftën. Dokumentohet se kur kaluan lumin Buna, ata i priti Haliti, i vëllai i madh i Jupit, oficer karriere, e i udhëhoqi drejt Reçit. Shtoj se me ushtarët e Deliallisit e çeta të tjera, qe formue batalioni “Perlat Rexhepi”, siç thuhet prej rreth 140 vetë, por më vonë, pse ato ditë ne Reç ishte një çetë me jo më shumë se 30 vetë dhe Deliallisi me të tijët, u inkuadruan me komunistët, mbas Luftës së Reçit. Pjesëmarrësi Qazim Kapisyzi, në vitin 1993, shkruan se; “ishin 40 partizanë e jo 140”, pra shton pak, por vërteton shumë.
Është jashtë logjikës që ai si komunist e pjesëmarrës në ketë luftë, të ju heqi të vetëve 100 vetë. Po shtoj se, Deliallisi, nuk qe për krimin e karrierist. Më vonë, me gjithë kontributin për luftën, me sa di unë, e patën lënë vetëm drejtor shkolle, në Shijak. Edhe intervistat që i janë bërë atij, ishin në një kohë kur kishte frikë të kundërshtonte, atë çka thoshte komunizmi. Llesh Marashi me çetën, pati mbërrit prej Shkreli, sa po fillonin luftimet dhe zuni pozicion shumë strategjik, pse plotësoi gjysmën e harkut që bllokonte italianët. Kështu organizimi ushtarakisht prej akademistëve, Zenel Kazazi e Dilaver Dine, solli thyerjen e ushtrisë italiane e, tërheqjen e tyre.
Lufta qe bërë e ashpër, me fitoren tonë. Ushtria italiane pati ardhë me rreth 1000 vetë e, megjithëse e përgatitur, la rreth 40 të vrarë e 100 të plagosur, ndërsa tonët vetëm 5 të vrarë e pak të plagosur në luftime, e rreth 8 të vrarë të pafajshëm në rrethinat e zonës Reçit, prej bombardimeve të aeroplanit dhe dogjën disa shtëpi. (Këto shifra i kam marrë prej shkrimeve të autorëve të tjerë). Dihet se në Shkodër, spitali u mbush me të plagosur të ushtrisë italiane. Jupi ishte organizatori e, ai që bashkoi të gjithë e këtë e provojnë edhe dokumentet e paraqitur më sipër. Aty luftuan shumë vendas të Reçit e rrethinave dhe qe shumë e rëndësishme pjesëmarrja e tyre.
Mjaft me përvetësimin e meritave të të tjerëve! Reçjanët, banorët e zonës e në përgjithësi Veriu, si gjithmonë kishin patriotizëm e traditë, ishin trima e bujarë dhe në atë kohë pritën, strehuan e ju dhanë bukë pa dallim, të gjithëve që ishin ne mal. Bajraktari i Reçit, Nuz Sokol Bajraktari (Çelaj), ishte mik i vërtetë i Jup Kazazit e, kjo nuk mund të mohohet, megjithëse ai nuk ishte i prononcuar politikisht. Ai në Reç, në shtëpinë e tij, i tha edhe për djalin Rifat Nuzi, që ishte i afruar me Ballin: “Jup, ta kam falë djalin”, e i dha pushkën.
Për fat të keq, Rifati u vra si hero, e kur Zeneli që e kishte afër, shkoi e ju afrue Bajraktarit e i dha lajmin e keq, ai vetëm i tha: “Im bir dha jetën për atdhe, veç se ma ktheni mbarë”, e vazhdoi luftën më me tërbim. Ky qe akt i rrallë burrërie, kurajo e patriotizëm i jashtëzakonshëm, që nuk harrohet. Për këtë Jupi fliste me keqardhje të madhe e nanës i pati thënë që; më mirë të ishte vra ai vetë, se Rifati, djali i Bajraktarit. U vra kapteri Ismet Dertliu, që ishte me Zenelin e, me vonesë e patën konsideruar dëshmor, pse nuk kishte qenë me komunistët e, siç kanë thanë, u interesuan nipat e mbërritën ta njohin si dëshmor.
Gjithashtu dëshmor ra edhe kapteri Haxhi Islami. Edhe ai ishte i regjimentit të Ushtrisë Kombëtare Shqiptare, ishte me toger Deliallisin, por qe larguar më përpara e, bashkuar me trupat e Zenelit, pra me Ballin Kombëtar. Ra dëshmor edhe Zymer Duli, prej Reçit. Ushtari italian e antifashist që kishte dezertue, ishte me Jupin në mal dhe i thonin “italiani i Jupit”. Ai u vra ngjitë me të, ndërsa luftonte kundër bashkatdhetarëve të tij. Unë nuk e kujtoj emnin që më ka pasë thanë Zeneli, qysh rreth vitit 1967. Ai i u pati thirr në italisht: “maskarej, ikni prej këndej, se kjo është toka e shqiptarëve”! Por ai nuk u ngrit në këmbë kur ju foli dhe e vranë dhe nuk është as e logjikshme.
Nanës time i pati tregue Jupi, se deshën me e vra komunistët në Reç dhe e di prej Zenelit, se italiani u vra anash tij prej një plumbi drejtuar Jupit, prej nga ishin komunistët. Pati dalë fjala edhe prej tyre, pse nuk ishin të gjithë për vlla-vrasje e, dikush i pati thënë Jupit, se e kishte gjujt për ta vra, Lilo Zeneli, më vonë një prej shefave kryesorë të Sigurimit të Shtetit, me sa thonin, me urdhër të Sadik Bekteshit. Një urdhër të tillë ja ka pasë dhënë edhe një pjesëtar tjetër të çetës, për më vonë, që mbas vitit 1991, e pati deklaruar dhe pati thënë se ai nuk do ta bënte kurrë një krim të tillë.
Ne qafën ku luftonin komunistët, italianët po afroheshin si pykë, mbasi nuk ishin shumë pushkë. Kishin raportue 100, por nuk ishin më shumë se 30 vetë e, Zenel Kazazi që drejtonte ushtarakisht, i inspektoi e i u dërgoi përforcime prej njerëzve të vet e, i bllokuan italianët. Ka pasë rëndësi të madhe gjatë luftimeve, marrja e mitralozit të rëndë italianëve e, vrasja e ushtarëve pse kishte pozicion shumë të favorshëm mbi një çukë e, shifte pjesë të mirë të zonës.
Atë e bëri Ujk Tahiri me një shok, të dy prej Kopliku, me aksion personal e trimëri të jashtëzakonshme. Qe meritë kryesisht e oficerit akademist, Zeneli Kazazi, me kolegun Dilaver Dine, që mbasi patën studiuar zonën, organizuan strehimin e civilëve, të moshuarve, grave e fëmijëve, kështu u reduktuan në minimum viktimat në civila dhe sidomos organizimi ushtarak i tyre e pozicionimi i forcave, solli fitoren kundër një ushtrie të rregullt e, shumë më të madhe në numër. Patjetër qe edhe ana morale, pse na mbrojshim trojet tona e lirinë, kurse italianët ishin pushtues.
Mbas Luftës së Reçit e mundjes së italianëve, qëllimi i “Komitetit për Shpëtimin e Shqipnisë” dhe i Jupit, qysh në krijim, ishte të sulmohej Shkodra që u çlironte, kryesisht duke marrë kazermat e ushtrisë në hyrje të qytetit nga veriu dhe kjo ishte e studiuar ushtarakisht, kryesisht prej Zenelit dhe do realizohej. Ushtria italiane mbas thyerjes ishte e demoralizuar e, kishte lënë mjaft te vrarë e të plagosur. Këtë nuk e donte udhëheqja komuniste e, Sadik Bekteshi me shokë dhe i çuan fjalë, megjithëse komandantët e dy çetave te tyre qenë dakord, kur u bë marrëveshja. Nuk donin që të çlirohej Shkodra, për të mos qenë meritë e të tjerëve!!
Ky ishte “patriotizmi” i tyre. Ata jo vetëm e kundërshtuan por shtynë komandantin e “forcave vullnetare” shqiptare, të krijuara nga italianët, që i çoi fjalë Jupit, se po të sulmojshin Shkodrën, do të luftojshin bashkë, mbasi atë e kishte urdhëruar komanda italiane. Jupi u tërhoq, pse bashkë me aleatët nuk deshtën luftë me bashkatdhetarë. Këtë e di mirë prej xhajave të mi, prej Ruzhdi Rrojit e Leke Harapit. Përgatitja e qëllimi për të sulmuar Shkodrën, shifet edhe në një dokument të cituar më nalt.
Gjithashtu kur kapitulloi Italia, Jupi iu bëri thirrje të gjitha forcave politike, që siç ishin të organizuar, të shkonin e të çlironin Ulqinin, para jugosllavëve të Titos, por u hodh Sadik Bekteshi, e tha: “Ata janë ‘vëllezërit tonë’, e shumë më mirë po ta çlirojnë ata”. Pra nuk donin çlirimin prej shqiptarëve. Këta e di të sigurt, por edhe të tjera prej xhajës Zenelit, Ruzhdi Rojit pjesëmarrës, e Lekë Harapit të Ballit Kombëtar. Unë kam reaguar publikisht në shtyp, për shkrimet e Fadil Kapisyzit e Shaqir Vukajt, jo për replikë, pse e kam pasë bërë, por kam marrë çka kanë shkruar ata, e provoj krejt të kundërtën. Kjo është me zbardhë të vërtetën historike dhe lexuesi të më gjykojë e, për më tepër ta shohin historianët e të thellohen, të flasin e të dokumentojnë.
Ka edhe një fakt tjetër. Jupi ishte më se i kërkuar prej italianëve dhe e pati njoftuar një shqiptar që punonte, por nuk ishin vegël e okupatorit, se për reprezalje ata donin të internonin në Itali, si mjaft antifashistë, të shoqen Nasiben, që në atë kohë ishte shtatzënë e, me gjithë mua, djalin 2 vjeç. Italianët deri atëherë kishin internuar në Itali, vetëm djem e burra, por jo grua me fëmijë. Ajo mbërriti të strehohej tek Ulqinaket, ku e motra Fahrija, ishte e martuar me Qazimin. Kur erdhën me e marrë italianët, nuk e gjetën në shtëpi. Me 18 gusht 1943, lindi vajza, në ilegalitet. Jupi çoi fjale prej malit, t’i venin emrin Lirije, mbasi po luftojshin për liri dhe ashtu u ba.
Me këtë shkrim, ju bëj thirrje forcave politike e, në radhë të parë atyre të qarqeve Shkodër e Malësi të Madhe, organeve shtetërore e arsimore-kulturale e, institucioneve që ju takon, që të kenë patriotizmin dhe me ndërgjegje të pastër, të kontribuojnë për të vërtetën e zbardhjen e saj. Të iu lëmë brezit të ri e atyre që vijnë si trashëgimi, histori të pastër e të drejtë e, të bëhemi popull europian i avancuar, duke i mbyllë rrugën sistemit të vjetër e, të politizuar negativisht. Memorie.al