Nga Hamza Kazazi
Pjesa e parë
Memorie.al / Mbas 77 vjetësh të ngjarjes dhe 29 vjet demokraci (deri diku demokraci), vazhdon të mos nxirret e vërteta për Luftën e Reçit e, sidomos mbas vitit 2013, të kremtohet vetëm nga një anë. E vërteta për të cilën kam mbërrit të gjej dokumente dhe e vërtetoj se meritat i takojnë në radhë të parë Ballit Kombëtar e Legalitetit dhe janë në vend të tretë komunistët, që pa tjetër edhe ata kanë luftuar, por po iu jepen të gjitha meritat, duke eliminuar të tjerët. Gjithashtu nuk harrohet edhe pjesëmarrja e popullit të Reçit e zonës. Pra bëhet mashtrim i të vërtetës e historisë dhe politika që sundon sot, e uzurpon atë, duke ju a lënë vetëm komunistëve e, po veprohet si dikur në diktaturë. Atëherë po thërras: Ku është politika e jonë, që nuk don të ja dijë?
Ku është qendra me qendrën e djathtë, Balli e Legaliteti, që ju takon, Partia Demokratike, Republikania etj., por edhe parti e majtë po të jetë e vërtetë dhe jo ekstremiste e nostalgjike e komunizmit? Politikës i takon të merret edhe me këtë çështje si kjo dhe duhet ta kuptojnë se është edhe pjesë e propagandës e fitohet simpati në elektorat e popull. Ata duhet të shkojnë në Reç, kur kremtohet e të zënë vend në tribunë me meritë dhe nuk duhet të presin ftesa. Në fakt në kohën e qeverisjes së Partisë Demokratike, kanë pasë ftuar edhe prej komunistëve, si Qazim Kapisyzi etj., kishin vendin në tribunë.
Fatkeqësisht nuk kuptohet e nuk veprohet, si në çdo vend të botës së përparuar. Ndokush mund të thotë, se një që nuk merr vesh nga politika, po na mëson. Unë dua vendin tim, dua ta shof si më të mirin në botë, kam edukatën nga të mijët, eksperiencën e jetës, megjithëse të rëndë për shumë vite dhe ndjej këtë çështje, si edhe mjaft të tjera. Ndër betejat më të mëdha në vendin tonë kundër okupatorit, është Lufta e Reçit me 30-31 gusht 1943, ku u vranë rreth 40 veta e u plagosën mbi 100 italianë.
(Këto shifra i kam marrë nga publikime të tjera e, nga të thëna, se nuk kam gjetë dokumente). Për këtë ngjarje me vlera të historisë tonë, duhet të zbardhet e vërteta. Janë shkruar artikuj, një libër nga Mentor Quku me të dhëna nga arkivat, megjithëse i mungojnë disa të rëndësishme, e ka edhe intervista. Nuk do të flas për detajet e luftës, por për gjëra me rëndësi, për të vërtetën.
Jup Kazazi qe kryesori e pati meritën e madhe, që dokumentohet, se organizoi Luftën e Reçit, ku luftuan së bashku ballistë, legalistë, komunistë e popull i thjeshtë. Për këtë do të paraqes dokumente. Afërsisht 5 vjet mbas “çlirimit”, nuk u festua dhe nuk u fol për atë luftë, pse ishte e freskët, pastaj komunizmi e përvetësoi krejtësisht, duke shtrembëruar të vërtetën dhe filluan ta festojnë e shkruajnë çdo vit. Jo vetëm nuk është e vërtetë, por bënin krim ata që shkruanin, mashtronin e shpifnin si, Sadik Bekteshi, Rexhep Haka, Qazim e Fadil Kapisyzi etj., që e bënin luftën krejtësisht të tyren e, për më tepër nxirrnin Jup Kazazin me “reaksionin”, si tradhtarë e kriminelë dhe sikur kishin luftuar bashkë me italianët kundër komunistëve.
Këto epitete, disa prej tyre i morën për vete dhe i dënoi me akuzat si “armiq të popullit” komunizmi i tyre. Për këtë duhet të shihen gazetat “Bashkimi” e “Zëri Popullit” të datës 31 gusht, ose afër saj të çdo viti e, sidomos deri në 1975-ën, sa poshtërsisht kanë shkruar, derisa ishin në këmbë, disa që u dënuan. Megjithatë, kanë vazhduar e vazhdojnë për fat të keq e gati si ata, edhe në vitet e demokracisë.
Me rëndësi për t’u krahasuar me shkrimet tjera e për të nxjerrë disa të vërteta, është artikulli i Qazim Kapisyzit në “Zëri i Popullit” datë 1.09.1993 me titull; “Mesazhe të mëdha dhe gjithmonë aktuale”, ku shkruan për Luftën e Reçit. Ai përdor stilin, si kur ishte në fuqi dhe paturpësisht përvetëson luftën si të tyren, duke bërë bashkëpunëtor “reaksionin” dhe se ka luftuar bashkë me italianët kundër tyre. Ai shkruan si dikur: “Fashistët italianë, në bashkëpunim me krerët e reaksionit të vendit, duke parashikuar kapitullimin e shpejtë të Italisë, për të përjashtuar mundësinë e pushtimit të Shkodrës nga forcat nacionalçlirimtare, ndërmorën sulmin kundër forcave partizane…”!
Nuk ka pasë forca shqiptare që kanë luftuar kundër shqiptarëve e në Reç, ka luftuar ushtria italiane. Ai përsëri shtrembëron poshtërsisht të vërtetën, si dikur ai vetë me shokët e tij. Provohet e kundërta me dokumente dhe po shpjegoj më poshtë, se italianët sulmuan Reçin, kryesisht pse u krijua “Komiteti për Shpëtimin e Shqipërisë”, me iniciativën e kryesinë e Jupit, ku u bashkuan të trija forcat politike. Kapisyzi thotë: “Rrenë me bisht”, siç i thonë në Shkodër, kur thotë se; italianët sulmuan Reçin për çetën e tyre, që donte të çlironte Shkodrën! Ka qenë krejtësisht e kundërta. Ai edhe për këtë falsifikon të vërtetën e, përvetëson meritën e të tjerëve.
Kapisyzi shkruan me pompozitetin e stilit komunist, se; “me 30 gusht erdhën 1200 ushtarë italianë e luftuan në proporcion 30 me 1, me çetën e parë të batalionit ‘Perlat Rexhepi’, me rreth 40 vetë (në fakt rreth 30), por ata me trimërinë e kurajën e tyre, i mundën keq”. Pra, vetëm ata kanë meritat e “reaksioni” bashkë me italianët luftoi kundër tyre, ndërsa ata 40 vetë, thyen 1200 vetë vranë 40 italianë, pra 30-fishin. Ai si pjesëmarrës i luftës, i afrohet të vërtetës dhe ka shumë rëndësi për numrin 40 partizanë, që ka qenë gjithmonë i zmadhuar nga ata e, vërtetohet se nuk ka qenë batalioni me 140 vetë, siç kanë shkruar e vazhdojnë akoma.
Sipas tij; “sa nisi pushka, partizanët e çetës së parë përkrah saj, menjëherë u rreshtuan malësorët trima të Reçit, të fshatrave pranë, si dhe çeta e dytë e batalionit. Ndodhi mrekullia…”, etj., etj. Aty nuk ka ardhë çetë e dytë. Toger Fadil Deliallisi me 40 ushtarë, kaluan me anën e tyre, por luftuan veçmas me formacionet e ushtrisë e, mbas Luftës Reçit, u bashkuan dhe qenë baza e krijimit të batalionit “Perlat Rexhepi”, që bashkë me çetat arritën, siç thonë, 140 vetë. Batalioni është krijuar mbrapa. Kështu unë nuk konsideroj të “Ballit” 80-90 ushtarët me 8 oficerë e komandantë, majorët Zenel Kazazi e Dilaver Dine, që të gjithë i solli në Reç, Zeneli, ku ishte i vëllai, Jupi.
Në gjurmët e tyre masakron të vërtetën me shkrimet në datat 31.08. e 1.09.2009 në “Shekulli” edhe Shaqir Vukaj, duke i kaluar meritat, si dikur “anës së tij”, në artikujt; “E vërteta e Luftës së Reçit” e “Reç 1943, ballistët në ndihmë të partizanëve”!!. Po kështu e shtrembëron të vërtetën duke deformuar dokumente në shkrimin në gazetën “Dita”, të datës 22 e 23.08.2016. Siç e kam thënë më lart, e vërteta është se prej partizanëve, ka qenë një çetë me jo më shumë se 30 vetë e, jo 140. I ati Bejto Faslia, ka bashkëpunuar me Jupin e për këtë janë dokumente të Arkivit të Shtetit.
Ai do të ishte një prej atentatorëve të Jacomonit, zëvendësit të Mbretit, i organizuar prej Jupit, por që nuk u arrit. Unë nuk ja kam pasë marrë për të keq familjes së tij, pse kur kanë ardhë prej Reçit në Shkodër, kanë banuar në shtëpinë e Kazazve. Ne përjashta me të vrarë, të burgosun, të persekutuar në kulm e, të shpronësuar plotësisht e, familja e tij në shtëpinë tonë. Shkrimi i tij me mllef për Jup Kazazin, më pati bërë ta kujtoj e ta nxjerr prej thellsisë së vuajtjeve ku kishte mbet e, mos ta harroj.
Mbas këtij shkrimi jo real e me qëllim denigrimi, e shtoj edhe familjen e tij si bashkëfajtore me regjimin diktatorial, derisa ne na nxorën në rrugë e, gjithashtu i ati si punonjës i Komitetit të Partisë, ka zbatuar luftën e klasave kundër familjesh e njerëzish të pafajshëm. Për këtë mjafton caktimi i “kulakëve”, që shkatërronte jetë familjesh të tëra. Replikën e kam pasë bërë e, nuk do të vazhdoj të sqaroj për njollosjet e babait tim.
Shaqir Vukaj po të donte me nxjerrë të vërtetën sinqerisht, duhet bazohej edhe në dokumentet që paraqes unë. Ai i ka pasë dyert e arkivit hapët dhe është e pamundur të mos i kenë dalë edhe këta, ndërsa unë mbas më se 20 vjetësh, kam arritë me i mbledhë nga pak e nga pak dhe me siguri ka të tjerë. Për Shaqir Vukajn është e pafalshme, pse jo vetëm ka deformuar, por ka falsifikuar qëllimisht dokumentin e më poshtëm, duke ju dhënë meritë vetëm komunistëve e, pa përmendë Jup Kazazin etj.:
“Në shkresën rezervat datë 27 gusht 1943, drejtuar Komandës së Sektorit ECTU, thuhet: Tash lajmërohemi se sipas të dhanunave nga Komuna e Shkrelit, çetat komuniste janë bashkue me banorët e katundit Reç të rajonit të komunës së sipërme, e cila sipas shenjave, u përbaka prej afro 800 vetash të armatosun ma së miri dhe se janë instalue tek Kisha e Reçit e, në afërsi të saj.
Për dijeni dhe Ministrisë Punëve të Brendshme. Tiranë.
Zv-Prefekti e Kuestori Dh. Bala”.
Ndërsa shkresa e vërtetë, thotë: “Mbretnia Shqiptare / Prefektura Shkodër / Nr. 396 Rezervat/ Shkodër, me 27 gusht 1943/ Komandës së Nënsektorit/ Këtu: Tash lajmërohemi nga Nënprefektura e Tuzit, se si mbas informatave të dhanuna nga Komuna e Shkrelit, çetat komuniste asht bashku me banorët e katundit Reç të rajonit te Komunës së sipërme, e cila sipas tharjeve, ajo u përbaka me afro 800 vetash t’armatosun ma se miri dhe se janë instalue te Kisha e Reçit e, n’afërsinat e sajë. Si kryetar të kësaj çete, thuhet se janë Jup Kazazi dhe Ibrahim Mandiqi, ish Komandant i Bgt. Kaptina. Lutemi dispononi masat që mund të shifni t’arsyeshme.
Zv/Prefekti e Kuestori. Dh. Bala”
Pra duke vërejt gabimet ortografike e gramatikore, del se ka qenë edhe çeta komuniste e bashkueme me të tjerët e, janë bërë 800 vetë, me në krye Jupin i Ballit e, Ibrahim Mandiqin, i Legalitetit, që nuk mund të ishin kryetarë të çetës komuniste dhe s’ka mundësi të kishte çetë me 800 vetë. Më poshtë do të dalin edhe dy dokumente të tjerë, që thonë se janë se janë mbledhë 500 vetë, nën kryesinë e Jup Kazazit. Në një vend vërtetë demokratik, kjo dënohet me ligj. Patjetër nuk mohohet edhe lufta e komunistëve, por jo të vazhdohet si dikur e të marrin meritat e të tjerëve, e jo vetëm me iu a marrë, por t’i bëjnë edhe tradhtarë e armiq.
Komunistët morën pjesë e luftuan me 30 vetë, pra shumë më pak se Balli me tri çeta e, Legaliteti me dy. Duhet të arsyetojmë e gjykojmë: çka shkruanin Sadik Bekteshat me shokë dhe po vazhdohet, bien poshtë si mashtrim i historisë e shpifje dhe nuk mund ta kundërshtojë askush, pse e hedh poshtë me dokumente. Me këtë stil ka vazhduar komunizmi, edhe për njerëzit e vet kur i eliminonte. E vërteta provohet nga mjaft dokumente të Arkivit të Shtetit, përveç shkrimeve e dëshmive. Në Reç, luftuan të trija anët politike, regjimenti dezertues i Ulqinit e, bashkë me ta, banorët e Reçit e të rrethinave.
Jup Kazazi e bashkëluftëtarët e tij, respektonin kundërshtarët politikë e, për më tepër, kush luftonte pushtuesin. Kishte ide e kulturë perëndimore dhe zbatonte Marrëveshjen e Mukjes. Ai nuk i konsideronte armiq e tradhtarë, ata që kishin ideal tjetër, pse kishte sensin e demokracisë dhe respektonte të drejtën e idesë e mendimit të personit. Atë e bënë komunistët, që gjatë Luftës e më vonë gjatë diktaturës së tyre vranë, burgosën e internuan me mijëra patriotë e, iu persekutuan për 46 vjet familjarët e farefisin, përveç që edhe i shpronësuan. Ky qe ndër krimet më të mëdha të njerëzimit. Jupi ra në kundërshtim me ta, kur u pa haptazi që ishin të shitur tek sllavi, donin t’ju falnin Kosovën e, të eliminonin deri fizikisht kundërshtarët politikë, ashtu sikurse vepruan dhe koha e provoi.
Për këtë ata e donin të vdekur. Pra komunistët e filo-komunistët që nuk dënojnë këtë, luftën e klasave, persekutimin e krimet që ka bërë, të rrinë urtë e të mos ndihen, se nuk kanë të drejtë as me folë. Ai që nuk dënon krimin, bëhet bashkë me të. Respektoj idenë e mendimin e tjetrit dhe mund të jetë edhe komunist në disa parime, por jo të mos dënojë e për më tepër të mbrojë krimin e, të jetë për luftën e klasave dhe për çka bëri komunizmi tek ne e kudo në botë. Pse italianët sulmuan Reçin me Armatën e IX-të? Pse ishin dy çeta të partizanëve, siç thonë disa edhe sot? Pse ishin tri çeta të Ballit e dy të Legalitetit? Aspak e vërtetë!
Arsyeja pse sulmuan Reçin e, kush e organizoi atë, provohet prej letrës së ministrit të Brendshëm nr. 635/206 dt. 28-8-1943, drejtuar Komandës së Armatës IX, prej 3 faqesh dhe është e çuditshme që në asnjë shkrim ose studim, nuk rezulton dhe e kam pasë publikuar unë për herë të parë. Ky dokument është shumë i rëndësishëm dhe provon e shpjegon Luftën e Reçit e, pse ata sulmuan. Me këtë dokument e të tjerë, bien poshtë ato qe kanë thënë më përpara dhe që po vazhdojnë të thonë e mbas vitit 2013, edhe në kremtimin e Luftës në Reç.
Ndër të tjera në atë dokument, thuhet se; “Me dt. 15.8. janë mbledhë ne Gradiski të Lohjes çetat e ndryshme e kryetari i komisionit Jup Kazazi, ju lexon një letër të Lumo Skendos (Mid’hat Frashërit), e se formohet ‘Komiteti për Shpëtimin e Shqipnisë’, për Prefekturën e Shkodrës e Kosovë. Kryetarët e çetave kanë emnue nji zani kryetar Jup Kazazin e, organizator Llesh Marashin, sekretar Enver Bushatin e, anëtarë Dom Luigj Pici, Dr. Bahri Kopliku, Hasan Isufi e Ramadan Reçi. Ne komision bajshin pjesë edhe Dom Zef Shestani, Xhelal Bushati, prof. Prek Kaçinari, Ibrahim Mandija, Gjovalin Lin Luka e, bajraktari i Reçit, Nuz Sokoli (Bajraktari)”.
Aty ishin disa çeta të Ballit e Legalitetit, por edhe të komunistëve, Gjovalin Luka e Ramadan Reçi, që edhe ata votuan Jupin. Aty thuhet: “Jup Kazazi asht tuj pregatitë bandat për me sulmue Shkodrën”. Po aty shkruhet: “Kryetari i Komitetit, Jup Kazazi me organizatorin e çetave, Llesh Marashin, ka formue dorën e zezë, për nji atentat kundra ministrit Punëve të Brendshme, këta persona janë të ngarkuem për atentat: Dan Elezi, nga katundi Zagorë (prej çetës Llesh Marashit); Bejto Fasllia nga katundi Reç (i çetës Ramadan Bajraktarit) dhe nji person i panjoftun i pa emën, i çetës Gjovalin Lukës”.
Po për përgatitjen e atentatit, është edhe një dokument tjetër, letër e ministrit të Brendshëm, nr.1937/II me 24.8.’43 ku thuhet se; “I nipi i Sulçe Beg Bushatit, Fejzi Boriçi, kryetar i grupit me tre shokë të tjerë (që janë personat e mësipërm të grupit), janë nisë për Tiranë për atentatin. Në kaq jemi njoftu se kryetari i Komitetit, asht Jup Kazazi me organizatorin Llesh Marashi, të cilët kanë formue ‘Doren e Zezë’ për nji atentat kundër Ministrit P. Mbr”.
Pra grupi për atentatin ka kryetar Fejzi Boriçin i Jupit, Dan Elezin i Llesh Marashit, pra të Ballit, Bejto Fasllia (babai i Shaqir Vukaj) dhe një pa emër të komunistëve. Në fakt jam krejt i sigurt dhe është e vërtetë, prej tregimit të Zenel e Hamid Kazazit dhe Ruzhdi Rrojit, se atentati ishte për Mëkëmbësin e Mbretit Jacomoni e, jo për ministrin shqiptar. Shtoj se Gjovalin Luka, ka qenë idealist e ku ta gjejmë që të ishin komunistët si ai. Ai e kuptoi realitetin e, qe mënjanuar. Memorie.al