Nga Manjola Bregasi
Pjesa e dytë
Memorie.al / Sot është i pamohueshëm fakti që shteti komunist i drejtuar nga Enver Hoxha, kishte një sistem Zbulimi dhe Kundërzbulimi tepër të rëndësishëm dhe potent. I pamohueshëm gjithashtu është edhe fakti, se shumë pak është folur për agjentët dhe agjenturën shqiptare, që kanë qenë të veshura nën një mjegull misterioze të kushtëzuar nga vetë ky profesion. Gjithçka bëhej në fshehtësi e kamufluar më së miri. Qëllimi ishte i qartë: të informohej shteti për çdo veprimtari të mundshme kundër tij. Ministria e Brendshme dhe ajo e Mbrojtjes me sektorët e tyre të Zbulimit, duhej të punonin fort.
Dy zbulues shqiptarë të armatosur, me urdhër të Komitetit Qendror të Partisë, nisen drejt Polonisë me një mision të fshehtë dhe të rrezikshëm njëkohësisht: sjelljen në Tiranë të liderit të Partisë Marksiste Leniniste polake, Kazhimir Mihalski. Një detyrë e rëndësishme kjo për udhëheqjen shqiptare, por tepër e rrezikshme për të dy zbuluesit që me marrjen e këtij misioni duhej të vinin në pikëpyetje jetën e tyre. Gjithçka duhej të ishte tepër sekrete. Askush nuk duhej të dinte, që dy njerëz nga Shqipëria do të lundronin me vaporin “Skënderbeu” në drejtim të Polonisë. Madje, as familjarët e zbuluesve nuk duhej të dinin vendndodhjen e vërtetë të tyre.
Por cili ishte realisht Kazhimir Mihalski dhe përse ky njeri cilësohej kaq i rëndësishëm? Cilat ishin arsyet që e bënin Kazhimirin një njeri të padëshirueshëm për shtetin polak? Si ishte e mundur që vetë shteti shqiptar i asaj kohe të merrte përsipër një barrë të tillë, të kërkonte strehimin e një njeriu, që ndiqej dhe rrezikonte burgun në vendin e tij? E gjithë kjo në mbrojtje të komunizmit dhe të idealeve marksiste-leniniste në të gjithë Evropën. Duke qenë të forta këto ideale do të ishte e fortë edhe Shqipëria. Zbulimi Politik jashtë territorit të vendit, ishte një çështje që i kishte interesuar gjithmonë shtetit shqiptar.
Një numër i madh zbuluesish vepronin në të gjithë botën për të mësuar çdo sulm të mundshëm ndaj Shqipërisë dhe çdo rrezik që mund t’i kanosej vendit nga jashtë. Veprimtari të fshehta dhe të rrezikshme të maskuara në mënyra nga më të ndryshmet. Kur bëhej fjalë për çështje të tilla me zbulues dhe agjentë, Ministria e Brendshme dhe Komiteti Qendror i Partisë nuk kursenin asgjë, madje as jetën e punonjësve. Ata ishin të gatshëm të blinin me çdo çmim informatorët dhe informacionin e tyre tepër sekret. Por misioni në Poloni kishte tjetër karakter. Aty nuk kishte informata dhe informatorë, por njerëz të armatosur, të cilët po rrezikonin jetën për një mision, rëndësinë e të cilit nuk e kuptuan kurrë.
Dhe këta zbulues ishin përgatitur të luftonin me këdo, vetëm e vetëm që Kazhimir Mihalski të mbërrinte i gjallë në Shqipëri. Jonuz Mersini, një prej zbuluesve që udhëtoi ilegalisht drejt Polonisë me vaporin “Skënderbeu”, tregon peripecitë e një misioni të veçantë që realisht nuk u krye. E megjithatë lideri polak mundi të mbërrinte në Shqipëri. Përmes falsifikimeve, vetë ambasada shqiptare në Varshavë arriti ta nxirrte liderin marksist-leninist përtej kufirit të vendit të tij. Por cili ishte realisht njeriu për të cilin shteti shqiptar rrezikoi dhe shpenzoi aq shumë. Historia e një drejtuesi-mashtrues, që e zhgënjeu rëndë udhëheqjen shqiptare…!
Zoti Mersini, detyra juaj kryesore gjatë punës në zbulim ka qenë ajo e krijimit të rrjetit të agjenturës. Po misione vepruese dhe të rrezikshme për ju vetë keni pasur gjatë karrierës?
Sigurisht. Vetë karakteri i kësaj pune mbartte rreziqe, por kishte misione të veçanta në të cilat niseshe me pikëpyetje për jetën. I tillë ka qenë edhe misioni për të nxjerrë nga Polonia dhe për ta sjellë në Tiranë një farë Kazhmir Mihalski. Ky ishte një polak, që siç na u tha, kishte krijuar në Poloni një parti Marksiste-Leniniste. Paskësh punuar në ilegalitet dhe me sa dukej, veprimtaria e tij kishte rënë në sy. Ishte rrezik të arrestohej nga autoritetet polake. Atëherë isha me detyrë kryetar dege në zbulim. Më thirrën në Komitetin Qendror të Partisë së bashku me Kleanth Andonin. Të dy duhej të niseshim për në portin e madh të Gdanskut në Poloni.
Cili ishte saktësisht urdhri dhe sa i rëndësishëm cilësohej ky mision?
Urdhri ishte i qartë: Kazhimiri duhej sjellë patjetër shëndoshë e mirë. Po të ishte nevoja edhe jetën tonë nuk duhej ta llogarisnim. Ky mision ishte me shumë rëndësi për Lëvizjen Ndërkombëtare Marksiste-Leniniste. Që aty u përgatitëm shpirtërisht edhe për një përgatitje të armatosur. Gjithçka ishte e mundur.
Po familjarëve u treguat që po iknit në një mision të rrezikshëm?
Në familjen time dhe atë të Kleanth Andonit kishim lënë fjalë se do të largoheshim për disa ditë, me një detyrë me rëndësi në zonat kufitare të vendit tonë. Ndodhte që ne si zbulues të lëviznim shpesh në zonat kufitare për të inspektuar dhe kontrolluar gjendjen atje, kështu që në familjet tona kjo nuk la asnjë dyshim.
Sa i besueshëm ishte bashkëpunëtori që ju zgjodhën?
Me Kleanthin kishim qenë shokë të ngushtë që herët. Bashkë kishim marrë pjesë në sa e sa aksione. Djalë nga Vunoi, ai trashëgonte virtytet më të mira: trim, por edhe i thjeshtë, i qetë në veprime dhe shumë largpamës. Me Kleanthin i ruaja të pastra marrëdhëniet vëllazërore. Edhe më vonë kur krijuam familje, nuk na rrihej larg njëri-tjetrit. Edhe sikur të më kishin pyetur s’do kisha shqiptuar emër tjetër veç atij të Kleanthit. Shkuam në Durrës, ku u takuam me kapitenin e vaporit tonë, “Skënderbeu”, Fore Kuretën.
A ishte në dijeni të aksionit kapiteni?
Po. Ai ishte informuar për gjithçka dhe po na priste. Të dy u maskuam si marinarë. Do të bënim pjesë në ekuipazhin e këtij vapori. Kapiteni na prezantoi me ekuipazhin e vaporit, duke u thënë marinarëve se ne ishim në atë vapor me një mision special. Marinarët duhej ta ruanin këtë sekret dhe kushdo që t’i pyeste për ne, duhej të thoshin se ishim pjesëtarë të rinj të ekuipazhit të vaporit.
A kishte rrezik që të dekonspiroheshit prej marinarëve?
Ata nuk dinin asgjë për misionin tonë dhe as nuk e dinin kush ishim në të vërtetë, ndaj edhe mundësia për dekonspirim ishte e vogël.
Thatë më sipër që ishit përgatitur edhe për një përpjekje të armatosur. A kishit armë me vete?
Sigurisht. Me vete kishim marrë dy automatikë “Kallashnikov”, municionin e nevojshëm për ta dhe katër granata dore ofensive, të cilat do t’i përdornim vetëm nëse na krijoheshin situata të papritura, tepër të vështira.
Çfarë konsiderohej situatë e vështirë?
E para dhe më e rëndësishmja në atë mision ishte që Kazhimiri të mbërrinte në vendin tonë gjallë. Në fund të fundit, edhe nëse autoritetet polake na diktonin që kishim marrë ilegalisht në vapor Kazhimirin, atë duhej ta mbronim, ta sillnim në Shqipëri. Së dyti, situatë e vështirë konsiderohej edhe vetëmbrojtja në rast sulmi me armë. Rrugës, gjatë lundrimit në detin Mesdhe, biseduam me kapitenin e vaporit për të gjetur një vend sekret në vapor. Fore Kureta, kuadër me përvojë, kur dëgjoi kërkesën tonë e ndjeu veten ngushtë.
– Djall o punë!
– Ku ka vend për djallin këtu?, – ia ktheva unë në intimitet. Ai përplasi grushtin në tavolinën e kajutës. U ngrit në këmbë. Bëri disa varavingo, u kthye vrulltas dhe pa ulur tonin, vijoi:
– Këtu tani gjithçka u djallos. Ju nga zanati mund të jeni vërtet djaj. Po ç’ne unë. E shikoni ç’më bëtë?…
– Merre më shtruar, – u përpoq ta qetësonte Kleanthi. Ti ishte informuar qyshkur, vetvetiu ke pranuar që ne…!
– Jo. Ka ligje ndërkombëtare, ka kontrolle të imta. A e kuptoni ç’mund të ndodhë? Ju jeni zbulues, ja u bëtë marinarë. Kjo mjafton. Hëm, kurse ju jeni armatosur për luftë. Jo, jo vëllezër. Vapori im merret me tregti, çoj e sjell mallra, çne armë në vapor. Ai heshti vetëm, pasi e ndjeu që ishte lodhur. Na shfaqi një mendim, dy, tre. Vendstrehimi sekret duhej të lejonte qëndrimin ulur të një njeriu. Në fund gjetëm mendimin e përbashkët. Të tre zgjodhëm vendin nën disa shkallë. Ishte një kënd i përshtatshëm që nuk frekuentohej, veç në raste të veçanta. Këtu nuk do t’i shkonte mendja askujt.
Për çfarë do të shërbente ai vendstrehim?
Menduam që aty të qëndronte Kazhimiri në udhëtimin e kthimit.
Si shkoi udhëtimi?
Në detin Adriatik dhe Mesdhe lundrimi ishte normal, me përjashtim të kanalit të Sicilisë, ku pati dallgë dhe lëkundje të vaporit derisa dolëm në oqeanin Atlantik. Atje vapori filloi të lëkundej. Ishte vapor me tonazh të vogël, i ndërtuar në Bullgari, jo për udhëtime oqeanike. U futëm në gjirin e Biskajës, atje ku oqeani Atlantik është rreth 9000 metra thellësi. Filloi një furtunë e madhe. Vapori po kërciste i gjithi nga lëkundjet. Për këtë njoftuam Durrësin me radio. Ata, për t’i shpëtuar rrezikut të mbytjes na urdhëruan, që sa të kalonte furtuna të strehoheshim në një nga brigjet e Spanjës. Por kapiteni ynë nuk pranoi. Me daljen në ngushticën e La Manshit, lundrimi vazhdoi i qetë.
A patët ndalesa në porte dhe kontrolle?
Në hyrje të Kanalit Kil, gjermanët bënë kontrollin e vaporit dhe të ngarkesës. Këtë kapiteni ynë e dinte, ndaj para se të shkonim në Kanal na tha t’i vendosnim armët në kabinën e tij, pasi, sipas një rregulli ndërkombëtar, kabina e kapitenit të vaporit nuk u kontrolloka. Kur e morëm vesh se ishte një ligj i tillë u qetësuam. Aty i lamë armët edhe gjatë qëndrimit në portin e Gdanskut.
Sa ditë qëndruat në atë qytet?
Në Gdansk qëndruam rreth 15 ditë, sa shkarkoi e ngarkoi mallrat vapori. Ishte dimër i fortë dhe bënte shumë ftohtë. Porti i Gdanskut dhe qyteti me këtë emër ishin të mbuluar nga bora. Rreth 4-5 herë në mbrëmje vonë, unë dhe Kleanthi, së bashku me disa marinarë të tjerë, dilnim në qytetin e Gdanskut për të studiuar situatën dhe për të bërë prova nëse do të kishim pengesa për të marrë Kazhimirin, kur ta sillnin shokët e tij nga Varshava.
Hyrja dhe dalja nga porti ishte e lirë, sipas dëshirës?
Te porta e hyrje-daljeve ishte një rojë futur në një kolibe që kryente kontroll. Por ne, sa herë që donim të dilnim për në qytet, i jepnim nga një shishe konjak “Skënderbeu”. Ai sikur lumturohej dhe na lejonte të kalonim në grup, pa bërë asnjë kontroll, siç ishim 7-8 veta.
Ndërkohë informacionet për Kazhimirin nga i merrnit?
Ne lidheshim me Tiranën dhe që andej merrnin çdo udhëzim për veprimtarinë e mëtejshme. Ishte Drejtoria e Zbulimit dhe madje vetë Komiteti Qendror, që kishte lidhjet direkte me Kazhimirin dhe njerëzit e tij. Por në ditën e 10-të të qëndrimit në port na erdhi një radiogram. Na njoftonin që të mos prisnim më, sepse personi që do merrnim tani kishte mbërritur në Tiranë.
Si ishte e mundur?
Ishte e thjeshtë. Ai kishte ndjekur një itinerar tjetër, kështu që ne nuk na mbeti gjë tjetër veçse të prisnim vaporin dhe të ktheheshim në atdhe. Mirëpo, rrugës për në kthim, kur u futëm në Mesdhe, vapori mori urdhër të kthehej në Algjeri. Aty do të ngarkonin disa krevate të hekurt. Të maskuar si marinarë, edhe ne të dy dolëm në qytetin e Algjerit për shëtitje. Rojës i thoshim në anglisht jemi shqiptarë, (albanian), por ai e merrte për gjermanë, (sepse kanë tingëllimë të ngjashëm) dhe na lejonte të kalonim pa asnjë kontroll.
Sa ditë qëndruat në Algjeri?
Qëndruam aty jo më tepër se 2-3 ditë, por u vumë në pozitë të vështirë kur mësuam se në vapor do të vinte për vizitë ambasadori ynë në Algjeri, Musin Kroi, së bashku me të shoqen. Ai na njihte si mua edhe Kleanthin, prandaj meqë ishim ilegalë në vapor, të dy u veshëm me kominoshe dhe zbritëm në sallën e makinerive të vaporit. Qëndruam aty derisa u larguan ata të dy.
Po për Kazhimirin, njeriun për të cilin u detyruat të kalonit këto peripeci, morët vesh ndonjë gjë më tepër, përveç faktit që kishte mbërritur në Shqipëri?
Kur erdhëm në Tiranë, mësova se ambasada jonë në Varshavë kishte siguruar një pasaportë false me të cilën kishte udhëtuar Kazhimiri nga Varshava në Berlin dhe më pas në Tiranë. Kazhimiri ishte shëndoshë e mirë. Ca më shumë shëndet duhej të kishte edhe lëvizja Ndërkombëtare Marksiste Leniniste, e cila ishte shqetësuar shumë për gjendjen e Kazhimirit, edhe pse më pas, siç u mor vesh, ai ishte si gjithë spekulantët batakçinj që lëvrinin me emrin e idealeve mbarë popullore. Megjithatë ne nuk na përkiste më asgjë dhe nuk mund të mësonim më tepër. Misioni ynë mbaroi atje…!/ Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm












