Nga Dalip GRECA
Pjesa e dytë
Memorie.al / Enver Shaskaj jeton në Nju Jork. Është kockë e fortë dhe ende nuk u ndahet aktiviteteve të komunitetit shqiptar. Është pjesëmarrës aktiv në veprimtaritë e Partisë së Legalitetit dhe në ato të Federatës Panshqiptare “Vatra”. Nacionalisti i vjetër nuk e harron çastin e dhimbshëm të ndarjes me atdheun. “Kam lotuar, kam qarë, – thotë – kur u largova nga toka mëmë. Mbaj mend se qëndrova me shikim drejt atdheut, derisa më humbën nga sytë majat e maleve. E kam gjithçka para sysh, sikur ka ndodhur sot, thotë ai – dhe fillon të shfletojë kujtesën: Kam ikur nga Shqipëria në nëntor të 1944-s, më 19 nëntor kam lënë Shkodrën, më 21 nëntor mbërritëm në Monopoli të Barit, Itali. Udhëtimi qe i vështirë, plot të papritura. U nisëm nga Tivari. Fillimisht qemë grumbulluar në Shkodër, kur pushteti i komunistëve ishte shtrirë në të gjithë Shqipërinë. Kam qenë vetë i pestë nga familja ime që donim të kaptonim detin. Kam pasur xhaxhanë, Sadik Shaskën, një xhaxha tjetër, Hakimin, vëllanë tim Tajarin, djalin e xhaxhait, Hekuranin. Ka qenë dhe një kushëri, që mbeti në Shqipëri e që quhej Filo Shaskaj. Atëherë isha 23 vjeç”.
Dëshmia e Enver Shaska
“Nuri Plakën e kërkuan me radio, gjoja sikur Hamit Matjani e donte që të ishte atje. Ky, vetë i shtati niset. Kur zbresin, si parullë, Sigurimi jep parullën e misionit e, siç zunë Hamitin, donin të zinin edhe Nuriun.
– Jo, jo, – thotë Nuriu. Jo atë parullë, por parullën që kam lënë me Hamitin në Athinë, kur jemi ndarë herën e fundit.
Aty plasi pushka dhe u vranë shumë. Aty u vra dhe Nuri Plaka. Sa vinte dhe po keqësohej puna. U ftoh lufta. Ne ishim viktima të lojës së Filbit me të tjerë”.
E pyes Enver Shaskën:
– Këto humbje të njëpasnjëshme, kurthet, ku binin shokët tuaj sapo shkelnin në Shqipëri, tek ju nuk krijonin dyshime?
– “Së pari lojën nuk e komandonim ne. Së dyti, ishte ideali për të rrëzuar komunizmin që na mbante atje. Mirëpo e keqja ishte se ata që na komandonin, thoshin se dhe të vdekur ne do t’ju hedhim atje, që të ngrinin popullin kundër qeverisë. Në fakt kishte dhe ca gjëra që ne i shihnim se nuk shkonin”.
– Çfarë, a mund të përmendni disa nga ato, që po i quani “gjëra që nuk shkonin?”
– “Shpesh plasnin grindje. Ata kishin dhe mënyra të tjera e na ngatërronin me njëri-tjetrin. Nuk e di pse kam ende mendimin se ata donin, pa na mbanin të përçarë. Po të donin ata, ne as përçarje nuk do të kishim, por them se donin të na mbanin ashtu”.
Nga Kanadaja në SHBA-ës, nga Parisi në Stamboll
Dështimet e njëpasnjëshme e bënë të pamundur vazhdimin e misionit. Shaska kujton se më 1955 u largua nga Gjermania. Jeta e emigrantit kalon në peripeci të tjera. Ai u vendos në Kanada, ku kaloi jo pak, por pesë vjet, sa ç’kishte kaluar në Gjermani, po aq dhe në Itali. Vetmia po e lodhte, ndaj kërkoi një strehëz të re. I kërkoi ndihmë vëllait që kishte në Detroit, Tajarit. Ai nuk ia bëri fjalën dysh, ia përgatiti dokumentet dhe Enver Shaska e la Kanadanë. “Kemi pasur mikun tonë Muhedin Haxhinë, djalin e Osman Haxhiut, që jetonte në Nju Jork. Muhedini ishte shumë njeri zotni me plot kuptimin e fjalës. Ai i thotë vëllait tim:
– Dërgoma Enverin këtu, se unë jam fare vetëm e s’kam njeri. Të motrën e Muhedinit, e kishte grua xhaxhai im i vogël, Refati, e kështu kishim lidhje familjare me të”.
– Po Refati, mbeti në Shqipëri?
– “Refati ka histori të gjatë, por po i bie shkurt. Ai qe arsimuar në Itali dhe e donte kulturën italiane, jo fashizmin. Kur kishte shkuar në Shqipëri në kohën e fashizmit dhe kur e kishin pyetur se ç’është fashizmi për ju, ai qe përgjigjur: Italianët e mirë nuk janë me fashizmin? Pasi mbaroi punë shkoi prapë në Itali, por s’kaloi shumë kohë dhe e arrestuan. E mësoi vonë arsyen: Ata miqtë, që e provokuan dhe që hiqeshin si antifashistë, e kishin spiunuar tek fashizmi. Gjyqin ia bënë në Shqipëri. Bëri 7 muaj burg i gjori”.
– Të kthehemi tek tregimi juaj, kur e latë Detroitin?
– “Vëllai më tha të shkoj tek Muhedini në Nju Jork dhe erdha. Kur erdha këtu, prapë e ndieja vetminë. Ende isha i vetëm, s’kisha krijuar familje. Muhedin efendiu m’u qep, duke më thënë të martohesha. Unë kundërshtoja:
– Aman Muhedin efendi, miu s’ka vend për vete, ju thoni merr dhe kungullin për mbrapa. Ku të martohem?
– Familja ka kismet, – këmbënguli ai dhe pa pritur vendimin tim, nisi përgatitjet.
Ky mbante korrespondencë me Rexhep Radomirin, një oficer të Zogut që ishte në Stamboll, e i thotë se po të dërgoj një djalin e mikut tim aty, e të interesohesh që t’i gjesh një vajzë të mirë shqiptare.
– Do të të ndihmoj, dërgoma, – thotë ai, – nise për në Stamboll.
Muhedini kishte të vëllanë në Paris. Ishte viti 1966. Shkova në Paris dhe e takova. Në Paris u takova dhe me djalin e Abaz Kupit, Petritin, dhe Galip Haxhiun, të dy, më morën për darkë.
U thashë:
– Mirë, unë do të vete në Stamboll, po nuk di asnjë fjalë turqisht.
Ata më shpjeguan rrugën që do të ndiqja në Stamboll. Petriti më tha që të mos bëhesha merak, po me të parë një ëmbëltore të futesha brenda dhe të flisja shqip. Filloi ky të tallej me mua, – mendova unë. Shkova në Stamboll, asnjë fjalë nuk kuptoja. Fjala e Petritit m’u kujtua dhe qëndrova para një ëmbëltoreje, pashë të zotin nga xhami dhe m’u duk fytyrë shqiptari. Mora një syltijash, u ngrita e pagova. I them atij dyqanxhiut:
– Mos je shqiptar? Ai praf, u ngrit në këmbë”.
Aventura në Turqi ka zgjatur gjatë dhe Shaska përmes një humori të hollë tregon se si u end nëpër Stamboll dhe se si e refuzoi vajzën e parë që i rekomanduan, e më pas në çastet kur i ishte sosur durimi e, do të merrte rrugën e kthimit, i ishte shfaqur në ëndërr, ku i ishte lutur: “Enver mos ik dhe për 5 ditë” dhe ngriti duart. “U ngrita pak i nevrikosur dhe thashë me mend se do t’ia shpija në vend vëllait këtë fjalë, e nuk do të nisesha. Do të rri edhe 5 ditë. Do ti, në ato pesë ditë e gjeta gruan. Këto janë gjëra që njeriu… pse thonë fat, rrisk. U martuam. Shkuam në ambasadën e Amerikës”.
Po aventura përsëri nuk u sos aty. U deshën muaj që gruaja të vinte në Amerikë, dokumente, letra dhe Shaska tregon se si u kthye dhëndër, pa nuse, në Nju Jork. Pas ca kohësh nusja do të udhëtonte drejt Amerikës. Çifti Shaska ka dy fëmijë, një vajzë, që është detektive e policisë dhe djali që punon në Las Vegas.
Kur u ktheva në Vlorë, u thashë: Ja, unë jam ai “krimineli”…!
E kthej bisedën përsëri tek akuza që i bënë Enver Shaskës, duke e shpallur armik dhe kriminel. Ai ma kthen me një herë: “Të flas sinqerisht, nuk kam vrarë njeri. Po të tregoj një sekret: Kishim dalë në luftë më 1944, për të luftuar gjermanin, që na kishte zaptuar vatrat. Koha dhe politika na vuri dhe përballë komunistëve. Nga nëna kishim një kushërirë që, rahmet i pastë shpirti, kur u nisëm për në çetë, na porositi:
“Amani Enver, amani Tajar, mos vrisni njeri me duart tuaja”! Ne patëm fat të madh, se po të të vrasin, edhe do të vrasësh. Na u vra një djalë, që s’e kishim as vëlla, as xhaxha, as kushëri. Në luftë kishim luftuar sa kishim mundur, po njeri të kemi vrarë, të kemi dalë shahit për ta vrarë njeri, apo të kemi zhdukur njeri, ju jap fjalën e nderit, ju betohem, nuk e kemi bërë. Ua thashë dhe në Shqipëri.
Ne të dy vëllezërve, na kishte bërë Kadri Hazbiu kriminelë lufte. Çfarë krimineli lufte isha unë 22-23 vjeç djalë?! Ku kisha marrë unë pjesë në ndonjë qeveri, a në ndonjë komandë? Unë isha aq i ri, isha pas xhaxhait tim e, s’kisha bërë ndonjë krim. Kur vajta në Vlorë, pas demokracisë, më 1993, më kishte vdekur një hallë. Kjo ishte vajtja ime e parë. Atje ishin shumë njerëz. Më thotë një njeri që e kishim edhe mik dhe e kam pasur edhe shok, se kemi qenë bashkë në Liceun e Korçës, Vendigjar Hamzaraj i thoshin. Ai, sa më pa mua, u ngrit në këmbë e më tha:
– Enver, si je e si shkon?
– Mirë, – i thashë unë. E kisha harruar se kishin kaluar 50 vjet.
Tha: – Më njeh mua?
– Jo! – ia kthej unë.
– Po unë, pse të njoh ty?
– Po ti e more vesh që erdha me këta të mitë këtu. Pastaj unë një jam, ju jeni shumë. Më tha:
– Unë jam Vendigjari. Ai kishte qenë edhe me komunistët, po më pas komunistët e futën në burg. Pra gjysma mi, e gjysma zog. Tha:
– Qenke zbardhur fare. Kurse atij i kishin rënë fare flokët. Aty ka plasur një gaz.
– Po, – i thashë unë. Jam zbardhur, kurse ti nuk paske hiç.
Gjeta rastin më të volitshëm dhe ia plasa atyre atje:
– Si është e mundur të më bëni kriminel lufte, pa bërë asgjë? Ja tek jeni ju këtu. Më merrni e më shëtisni, në të katër anët e Vlorës. Po doli një njeri që të më thotë se ti Enver Shaska, më ke bërë këtë gjë, jo ju të huajt, por edhe të mite, të më pështyni, – u thashë.
Ata heshtnin. Veç më dëgjonin.
– Po kjo është poshtërsia më e madhe, që t’i ngarkosh një njeriu, atë që s’e ka bërë kurrë, – shpërthen së brendshmi Enver Shaska dhe vazhdon rrëfimin:
Kur vajta në Vlorë, që nga Skela e te vëllai im, lart, isha me disa shokë e miq, që donin të më përcillnin.
– Jo, jo, – u thashë. S’dua njeri të më përcjellë. S’kam vrarë njeri e, s’i kam hak njeriu, që të më zërë rrugën.
Ishte natë, tre sahatë pas mesnate. Kam ca dajo të mi, në Gumenicë.
Vjen një djalë. Komunistët i kishin vrarë babanë atij. Ky më kërkon të shkoj atje në fshat se e kishte kërkesë nga vëllai i madh. Vëllai im dhe nipi i vëllait, ma bëjnë me shenjë: Mos, se është rrezik andej.
– Po, nesër vij, – i thashë.
Vajtëm deri në Kotë e, kaluam në Gumenicë. Më pritën si jo më mirë. S’më gjeti asgjë. Mirëpo një fshatar igumeniciot në Tiranë, kur i thashë se isha në Gumenicë, u habit e më tha:
– Si more vajte në Gumenicë!?
– Pse, more!? – i thashë. Unë s’kam bërë krime e s’kam vrarë njeri. S’kisha frikë prej njeriu që të më zinte rrugën.
– Ç’peng ka në zemër Enver Shaska.
– Kur kemi ikur nga Shqipëria, në atë kohë ishim në Tiranë. Familja jonë kishte ikur nga fshati në Vlorë e, pastaj në Tiranë. Në Tiranë mbaj mend disa kujtime nga nëna e babai. Nënës, kur ajo deshi të na puthte, vëllai i madh i vuri dorën para fytyrës.
– Hiqe mendjen nga të mëdhenjtë, kije mendjen tek këta të vegjlit. Ajo i tha:
– Mos Tajar, se unë jam nënë.
Unë e lashë të më puthte. Babai im, xhaxhai tjetër, Hakimi, duke ikur i tha:
– Hakim! Keni shkuar me kokën lart, mos shkoni me duar lidhur e mos u dorëzoni.
Xhaxhai i tha: – Po këta? – për ne dy vëllezërit.
-Në qoftë se janë djemtë e mi, le të vriten, në qoftë se i ka zënë e ëma, me ndonjë evgjit, le të dorëzohen.
Ky moment ishte i gushtit të 1944-ës dhe s’u pamë më. Për një natë kemi qenë në shtëpi. Ne do të iknim, ku të na binte koka, po jo të dorëzoheshim. Që në gusht e deri më nëntor, nuk i pamë nënë e babë. Një natë i pamë. Fjalët e fundit të babës tim, kanë qenë këto: “Vdisni e mos u dorëzoni”! Kemi shkuar me kokën lart dhe s’e mbaj mend më as nënën e as babën. Babi vdiq pas 2-3 vjetësh. Vdiqën njëri pas tjetrit, punë muajsh. Kur vdiqën, me anën e Kryqit të Kuq, kemi marrë një letër nga një dhëndri ynë, ku na thoshte se vdiq babai. Ky është peng, të vdesin e të mos i shohësh të shtrenjtit e tu.
– Kur keni shkuar për herë të fundit në Shqipëri?, – e pyes Shaskën.
-Pas ‘93-shit, kam qenë dhe dy herë, më 1995 dhe më 1997. Më vdiq vëllai këtu dhe shkuam për ta varrosur atje. Gruaja e tij, vdiq më 17 dhjetor të 1996-ës. Vetë vdiq më 26 janar të 1997-ës, për një muaj. Kur i vdiq e shoqja, vajtëm atje dhe djali i saj erdhi prej Shqipërisë, e mori dhe e çoi të ëmën në Shqipëri. Unë e kam marrë në shtëpinë time, prej Detroitit. Ai vuante prej zemrës dhe doktori tha, se po e çuat me aeroplan, do të vdesë. Unë i thashë të birit, që kur ta shoh që bëhet keq, hajde ti. Ka ardhur i biri. Pasi ndenji një çikë me të, u ngrit.
– Tajar ku vete?
– Ja, more, – më tha, – po më thërret. E kishte fjalën për të shoqen. Ne pamë njëri-tjetrin. Mirëpo gjithnjë thoshte që ta varrosnim në Kocul, në fshat. Eh, vendlindja nuk të lëshon.
Legalist i përjetshëm
Shaskajt kanë qenë të lidhur me Mbretin, jo vetëm pse Sadiku qe deputet, por edhe më vonë ç’erdhën, i qëndruan besnik Mbretit. Enveri thotë se referendumi u fitua, por komunistët manipuluan. Edhe fqinjët nuk e deshën një fitore të tij, pasi atyre u vret veshët Shqipëria etnike. Grekët s’kishin interes. Bile në Dropull, Delvinë e në ato vende, grekët kanë harxhuar shumë para që Leka të mos shkelte atje. Memorie.al