Nga Sokrat Shyti
Pjesa e dyzeteshtatë
Memorie.al / Shkrimtari Sokrat Shyti është i “panjohuri i madh” që prej disa vitesh ka shfaqur majën e ajsbergut të krijimtarisë së tij letrare. E them këtë duke u nisur nga ajo sasi e pakët e librave të tij të botuar në këto vitet e fundit dhe kryesisht romanit voluminoz “Nata fantazmë” (Tiranë 2014). Romanet: “PËRTEJ MISTERIT”, “MES TUNDIMIT DHE VORBULLËS”, “GËRRYERJET E MAKTHIT”, “HIJA E TURPIT DHE E VDEKJES”, “KOLONELI KRYEDHJAK”, “SHPRESAT E NËMURA”, “PËSHTJELLIMET E FATIT” I, II, “MBIJETESA NË KASOLLEN E LOPËS”, si dhe vepra të tjera, të gjitha romane, me nga 350 – 550 faqe, janë në dorëshkrime që presin të botohen. Ëndrrat dhe vrulli i parë i romancierit të ri, që kthehej nga studimet jashtë shtetit plot energji e dashuri për artin dhe letërsinë, u prenë që herët nga tehu i egër i diktaturës komuniste.
Kush është Sokrat Shyti?
I kthyer nga studimet në Universitetin Shtetëror të Moskës, fill pas ndërprerjes së marrëdhënieve shqiptaro-sovjete në vitin 1960, Sokrat Shyti, punon në Radio-difuzion” (që aso kohe gjendej në rrugën e Kavajës), në një redaksi me miqtë e tij gazetarë – Vangjel Lezho dhe Fadil Kokomani – që të dy, mandej, të arrestuar, e më vonë, të pushkatuar nga regjimi komunist. Përveç radios, Sokrati 21 vjeçar, nëse e përfytyrojmë, ka asokohe interesa pasionante letrare. Shkruan romanin e parë “Madam doktoresha” dhe është në prag të botimit, por… ajme! Fill pas arrestimit të miqve, si për ta mbushur kupën, një vëlla i tij piktor, arratiset jashtë shtetit.
Sokratin e arrestojnë në shtator 1963, ndërsa në nëntor të atij viti, e internojnë familjarisht, (me nënën dhe motrën e vogël), në një vend midis Ardenicës dhe Kolonjës së Lushnjës. Për 27 vjet rresht, familja banon në një kasolle lopësh me kallama, pa dritare, ndërsa Sokrati u nënshtrohet punëve të detyruara. Përgjatë 27 viteve, ai është i shtrënguar ligjërisht të paraqitet tre herë në ditë, tek i plotfuqishmi i zonës. Nuk ka të drejtë të lëvizë nga vendi i internimit, është i privuar nga çdo lloj dokumenti, etj. Në këto kushte, mes një kasolleje lopësh, ai lindi dhe rriti fëmijët. Pikërisht nga mbi këtë ngjarje, apo më saktë një histori tejet e gjatë persekutimi, është bazuar ai për të shkruar librin “Mbijetesa në kasollen e lopës”!
Agron Tufa
PJESË NGA LIBRI, “MBIJETESA NË KASOLLEN E LOPËS”
Në të vërtetë një ngacmim i brendshëm më trazonte, pasi për herë të parë do ta shihja me sytë e mi si do paraqitej para meje autoriteti më i lartë i gjyqësorit të shtetit, pas tre viteve: me fytyrën e tij të dikurshme, kur bisedonim miqësisht për letërsinë, apo me maskën e shtirjes pas tjetërsimit të gjendjes time sociale?
Pa e mbaruar deri në fund hamendësimin, ai trupderdhur, me portret të hequr e flokët e dredhura të shtrira, me të njëjtin shikim të mprehtë, si dikur. Vura re një buzëqeshje, pa e saktësuar nëse i bëhej qejfi që më shihte, apo shprehte bezdi pse mora guximin ta takoj këtu, në këto minuta kur donte të pushonte, për më tepër me statusin e të deklasuarit, si i internuar.
– “Në fillim m’u duk e habitshme kur shoqëruesi më përmendi pranë veshit emrin tënd, dhe natyrshëm pyeta veten si u gjende këtu…”, – m’u drejtua mua me zërin e tij të hollë, kur u qas pranë meje, duke zgjatur dorën të përshëndetej.
– “Ja që rastisi, shoku Kryetar…”- ia ktheva unë duke e vështruar nga poshtë lart, për shkak të gjatësisë trupore, pothuaj një kokë mbi mua.
– “Duke mos patur kohë të bisedojmë gjatë, pasi jam i shoqëruar me dy drejtuesit kryesore të rrethit, po e filloj me një autokritikë konkrete: ndaj teje ndjehem borxhli! E qortoj veten, që s’kam mundur të bëj asgjë për të ndihmuar, pas gjëmës që katranosi yt vëlla…! – tha ai me njëfarë pendese. – Sidomos e pafalshme mungesa e vëmendjes pas marrjes së vendimit të Komisionit Qeveritar. Nuk di si ta quaj qëndrimin tim të këtyre tre vjetëve, pse s’pata asnjë ngacmim, si jetonte miku im në kushtet e rënda të internimit, me se merrej, ku banonte?!
Nuk mund të them se të kisha harruar, pasi vetvetiu të kujtoja para shokëve të batalionit tim, kur bisedonim për librin e botuar, si redaktor. Por kaq, kujtimi nuk shkonte më tej. Mungesa e ngacmimit të brendshëm, vinte nga gjendja në të cilën ndodheshe, sepse kurrë nuk më shkonte ndërmend, që disa kopilë do guxonin të abuzonin me Vendimin e Komisionit Qeveritar, dhe do të trajtonin si familje krimineli. Kisha përshtypjen e internimit të përgjithshëm, se do të sistemonin diku, në barakë, por kurrsesi në kasollen e lopës së një fshatari, krejt i vetmuar nga të tjerët!
Mbeta i befasuar kur sekretari i parë i Komitetit të Partisë, në rrethin tuaj, më drejtoi pyetjen: ‘në cilët raste trajtohen familjet e nderuara, me forma çnjerëzore’?! Sigurisht edhe për një familje fare të panjohur, do ta ndjeja veten në siklet të madh të jepja përgjigje, e jo pastaj për ty, që bënë pjesë tek intelektualët e respektuar. Njihemi prej kohësh me sekretarin e parë. E vlerësoj sidomos për karakterin dhe pjekurinë në marrjen e vendimeve të rëndësishme, që kërkojnë guxim e maturi. Ma bëri qejfin kur më tregoi për vendosjen e familjes, në një strehë të përshtatshme, si gjithë banorët e fshatit Kolonjë. Dhe që i propozoi Komisionit Qeveritar, të hiqet masa e internimit, të kthehet në dëbim, për sjellje të mirë.
Tani kërkesa e rrethit ndodhet në tryezën time të punës. Do përgatis materialin për mbledhjen e radhës, pasi ta bisedoj paraprakisht me ministrin e Brendshëm. Prandaj shkruaj edhe ti një lutje, për lehtësimin e masës së dënimit, e nise me post prej këtu, në emrin tim. Të paktën të çlirohesh nga stresi i paraqitjes në Degën e Brendshme, dhe mos të kesh nevojë të pajisesh me leje lëvizje. Këtej e tutje me përkrahjen e sekretarit të parë, do krijohet një përshtypje e re për ty dhe familjen tuaj të nderuar. Kishe ndonjë gjë tjetër për të shtuar, meqë koha nuk më lejon më tepër”? – shtoi me vështrim pritës.
– “Nëse nuk përbën sekret shtetëror, mund ta di pse në Vendimin e Komisionit Qeveritar, nuk përcaktohet koha e dënimit?! – guxova unë ta pyesja. – “Apo edhe për këtë ka ndikuar i njëjti person, që na syrgjynosi në kasollen e lopës”?!…
– “Tani nuk të jap dot përgjigje, sepse kur u mor vendimi për familjen tuaj, unë ndodhesha me shërbim jashtë shtetit”.
– “Edhe një pyetje tjetër, nëse ka mundësi: ekziston ndonjë rresht në Vendim, ku shkruhet “I ndalohet kthimi në Tiranë”?!
– “Kush ta ka thënë këtë”? – pyeti kryetari me njëfarë nervozizmi.
– “Oficeri i Degës së Brendshme, që merret me internim dëbimet. Mjafton që ky mendim të qarkullojë mes rreshtave të këtij Vendimi, për të nxitur zbatuesit se syrgjynosja ime do vazhdojë edhe në shkallën e dytë të dëbimit, domethënë do mbetem përjetësisht jashtë orbitës të krijuesve të letërsisë, i padëshiruar, thuajse kam kryer krimin më të shëmtuar e të rrezikshme kundër shoqërisë”! – i shpreha revoltën time të brendshme.
– “Të këshilloj që këtë akuzë kaq të rëndë, ta mbash ndrydhur në skutat më të thella të mendimit, pasi mund të interpretohet nga keqdashësit e tu, si agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor. Dhe po të futën këta në këtë nen, nuk të mbron askush, përfshirë dhe mikun tënd këtu, që të do të mirën. Atëherë u morëm vesh: shkruaj kërkesën dhe nise sot me postë në adresën e Kryetarit të Gjykatës së Lartë! – tha ai me dorë të zgjatur për t’u përshëndetur. – Edhe një këshillë tjetër miqësore: askujt mos i trego që sot u takove me mua në Shtëpinë e Pritjes, në Berat. Këtë porosi do t’ia thuash dhe dajës tënd, që ta ketë parasysh. Nëse gjej ndonjë rast për të shkuar me shërbim në Vlorë, Fier, apo Gjirokastër, dhe jam vetëm, ndoshta mund të shihemi në Kolonjë…”, – shtoi në fund para se të largohej.
Unë mbeta i pështjelluar me mendime të trazuara. Por më shumë se çdo gjë tjetër, më bëri përshtypje në këtë bashkëbisedim me Kryetarin e Gjykatës së Lartë, bërja bisht e përgjigjeve ndaj pyetjeve të mia. Kur duhet të ndodhte e kundërta, nëse do të yshtej nga dëshira për të më ndihmuar, mbështetur mbi faktin se ky, si nënkryetar i Komisionit Qeveritar të Internim Dëbimeve, ka informacion të plotë e të saktë për çdo dosje, dhe sidomos për dosjen time, pas interesimit të drejtpërdrejtë të sekretarit të parë të Komitetit të Partisë të rrethit, i cili gjatë takimit e preku në sedër, e vuri në lëvizje të përmbushë një detyrim, që duhet ta kishte patur vetë ndërmend.
Pas këtij arsyetimi formova përshtypjen, se qëndrimi i tij ndaj meje gjatë këtyre minutave, s’mund të quhet ndryshe përveç se shtirje e detyruar, një formalitet për të kaluar radhën. Ishte njësoj sikur të më thoshte: “Duhet ta kesh të qartë: nuk dal dot përtej caqeve të vetëmbrojtjes. Sepse s’jam si sekretari juaj i Partisë, që vë veton kundër drejtuesve të rrethit për të korrigjuar masakrën e një padrejtësie të skëterrshme.
Pavarësisht pakënaqësisë, që shfaqe ndaj përgjigjeve të mia për pyetjet e tua, prej meje mos prit mirësi tjetër, përveç ndryshimit të masës së dënimit, nga internim në dëbim. Dhe mos pandeh se kjo bëhet me një të rënë lapsi. Më parë duhen gjetur më shumë kujdes arsyetimet juridike bindëse, që të mos ketë kundërshtime nga anëtarët e tjerë të Komisionit, e pastaj ta shtrojë si propozim”!
Në këtë çast doli daja nga hyrja kryesore bashkë me përgjegjësin e Shtëpisë së Pritjes dhe shoferin e sekretarit të parë. Vura re që përgjegjësi hodhi drejt meje një vështrim kureshtar, ndoshta sepse paraqitja ime e të veshurit thjeshtë, nuk ia mbushi mendjen që isha gazetar, siç u pëshpërit brenda mjedisit. Ndaj vetvetiu më lindi pandehma, se në kuzhinë me siguri kanë nisur thashethemet rreth takimit tim me kryetarin e Gjykatës së Lartë, janë hedhur gjithfarë pandehma e hamendësime rreth strumbullarit kryesor: nëse ky takim i kryer pa praninë e të tjerëve, qe sajuar më parë, apo ndodhi krejt i rastësishëm?!
Për kureshtarët e thekur, interesimi i saktësimit; cila nga dy mundësitë i përqasej të vërtetës, paraqiste rëndësi të veçantë, sepse në vartësi të saj, do të matej në të ardhmen vlera e Naunit, si përgjegjës i Ushqimit Social, nëse do t’i shtohet apo pakësohet shansi i qëndrimit në këtë vend pune. Natyra u tregua mrekullisht bujare dhe dashamirëse ndaj meje, me 5 mars, më dhuroi një ditë të bukur e të ngrohtë, me diell të ndritshëm pranveror dhe qiell pafundësisht të kaltër, pas asnjë re.
Pikërisht ky mot ledhatar kaq i këndshëm, na dha mundësinë të vishemi me kostume, pa pallto dhe pardesy, për të shkuar si krushq në shtëpinë e Arqelinit, ku do të bëhej ceremonia e fejesës. Nën forcën tërheqëse kureshtare, unë si dhëndër, i veshur me kostum të zi e këmishë të bardhë, i kollarisur, ndodhesha krejt natyrshëm në qendër të vëmendjes së grave e vajzave, të cilat kishin dalë enkas në ballkone e dritare, për të soditur me interesim të jashtëzakonshëm “delegacionin” e krushqve, i përbërë nga motra e madhe me bashkëshortin e saj, vëllai i madh me të shoqen, motra ime e dytë bashkëvuajtëse, dhe vajza e tretë e vëllait, mbajtësja e valixhes me dhurata.
Prej çastit kur u përhap kumti interesant, se më 5 mars do bëhet ceremonia e fejesës aq shumë të përfolur, e cila nga shumë kureshtarë u cilisua si dëshirë e pamundur, dhe u saktësua ora e nisjes së krushqve nga shtëpia e motrës së madhe, pati një lëvizje të vrullshme të grave e vajzave nga lagjet e tjera, që erdhën enkas për të qëndruar në dy anët e rrugës të Degës së Brendshme, nën shtysën e një interesimi gërryes, përtej përmasave të kërshërisë së zakonshme femërore, për faktin se rreth kësaj fejese, qenë thurur pandehma e thashethemnaja nga më të habitshmet. Para së gjithash, kjo fejesë u ngjiz me tharmin e një dashurie të pazakontë, dhe u shoqërua me dhimbje të mundimshme e, pritshmëri të ankthshme.
Krahas kësaj ndodhi më e pabesuara dhe e çuditshmja: për herë të parë në qytet u shfaq një ndërlidhje tmerrësisht e ashpër, mes dashurisë së një çifti dhe kërcënimeve të politikës, u ndërthurën kundërshti të zhurmshme e fërkime të stërzgjatura mes prindërve, farefisit, dhe vajzës!
U dëgjuan shumë zëra, që shprehën habi e keqardhje për këtë lidhje shpirtërore të verbër, e cila ia zbrazi deri në boshatisje mendjen dhe i mpiu arsyetimin vajzës me sjellje të mrekullueshme, e katandisi në një qenie me çoroditje të plotë, ia nxori jashtë përdorimit aftësinë, për ta parë realitetin me syrin e vëzhgueses praktike, për pasojë humbi nuhatjen e të kuptuarit të kushteve normale, veçori të domosdoshme, që i duhen çdo vajzë kur krijon familjen e saj. Kulmi i kësaj çoroditje, u shfaq kur ajo pranoi të jetojë në kasollen e lopës, mes një varfërie të tejskajshme, drithëruese!
Prandaj ata dhe ato, që e shihnin ecurinë e kësaj dashurie të verbër nga ky këndvështrim, i ngërtheu pandehma më e frikshme, se vajza e dytë e xhaxhit, vuan nga një sëmundje mendore, me kriza të tmerrshme, që futet në grupin e sëmundjeve të liga, të pashërueshme, dhe të çon drejt çmendurisë! Madje u bënë përpjekje të ethshme nga përhapëset e thashethemeve, që këtij pohimi të frikshëm, t’i japin përmasat me drithëruese të vërtetës bindëse.
Për këtë u përdorën deri sajesa nga më mashtrueset, sikur nëna Ulë, bashkë me vajzën e madhe, motrën e Arqelinit, trokitën tek dyert e disa grave, vajzës së çoroditur, me shpresë mos yshtjet e tyre ia prishin magjinë e keqe dhe e rikthejnë të lajthiturën në udhë të mbarë…
Ndërsa gratë dhe vajzat, që përkrahnin e donin të mbronin vajzën e sjellshme, e hidhnin gjithë fajin mbi mua, më quanin shkaktarin e vetëm të këtij çrregullimi mendor. Prandaj sa herë vinte rasti të përmendej emri im, shkarkonin kundër meje mllefin e tyre. Por shoqet e afërta të Likës, mbanin tjetër qëndrim, sepse i besonin pa asnjë lëkundje të vërtetës, se mes nesh lindi një dashuri e fuqishme, e pazakontë, ndaj përsëritnin vazhdimisht me bindje të plotë, se nuk duhet të përfundojë me dështim, edhe pse s’dihej saktësisht si do shkonte më tej ecuria e kësaj lidhje.
Bindjen ua ndillte zemra, e cila u thoshte se pa tjetër, ka për të ndodhur një mbarësi e beftë, që do t’i përmbysë të gjitha kundërshtitë dhe synimet e zemërliqëve, kështu që sfilitjet e shoqes, nuk do binin në honin e shpërfilljes, do vinte çasti të lindte ylberi i shpresës.
Më tepër se dëshirë e guximshme dashamirëse, kjo ishte kërkese e brendshme shpirtërore, që të ndodhte realisht kthesa befasuese e rrjedhës, si mrekulli çudibërëse! Sepse nuk mund të quhet ndryshe ndërhyrja energjike e sekretarit të parë të Komitetit të Partisë, vendimi i tij për të zhvendosur familjen time, nga kasollja e lopës, në një banesë normale, përveçse mrekulli.
Prandaj dhe menjëherë pas këtij vendimi befasues, me forcën e një tërmeti shumë të fuqishëm, u përmbysen hamendjet e thashethemnajat cinike, për çmenduri e lajthitje të vajzës së xhaxhit, u ndez drita jeshile e shpresës, e cila shumëfishoi përmasat e kureshtjes, vuri në lëvizje të vrullshme vëzhguesit, rinisi një debat i ashpër mes përkrahësve të sekretarit të parë dhe sejmenëve të kryetarit të Komitetit Ekzekutiv, u ngrit një shkulmë pritshmërie të ethshme, e cila u shkaktonte të gjithëve nervozizëm brejtës.
Nuk e vija në mëdyshje që gjatë këtyre minutave të soditjes kureshtare, vijonin pëshpëritjet fërkuese pa ndërprerje: Disa për të mos ndenjur të heshtur e gojëkyçur, llomotitnin çfarë u vinte për mbarë, pa kuptuar çfarë thoshin.
Të tjerët, që e mbanin veten kokoroshë të panënshtruar, s’e kishin për gajle të përgënjeshtronin vetveten, mohonin paturpësisht pohimet e mëparshme nën shtysën e mendjemadhësisë së verbër, e cila i nxiste të ndjeheshin krenar për mendimin, që kishin përçmuar! Sot, para kësaj ndodhie kaq të ndërlikuar, nuk përjashtohej as mundësia e pabesuar e përjashtimit, që ithtarët e sekretarit të parë, me sejmenët e kryetarit të Komitetit Ekzekutiv, t’i vendosin diskutimet e tyre, mbi një emërues të përbashkët, për të ecur në të njëjtën linjë, me kah të kundërt!…
Kur shkëputa vëmendjen nga pëshpëritjet dhe llomotitjet e tyre, u përqendrova tek bashkëbisedimi mes vëllait të madh e bashkëshortit të motrës, si po i përshkruante suksesin e bujshëm të shfaqjes “Familja e Peshkatarit”, duke e vërtitur shpjegimin e tij rreth rolit të Vehipit, që interpretonte vetë. Dhe në fund nuk ngurroi t’i pohonte me mburrje të hapur, se për këtë rol, mori përgëzime të veçanta nga kryeregjisori dhe drejtoria e teatrit, përveç duartrokitjeve të zgjatura nga shikuesit.
– “Rol kryesor të shoqëruar me sukses, kam patur edhe tek komedia ‘Karnavalet e Korçës’”, – shtoi im vëlla, për të tërhequr vëmendjen time, njësoj sikur të më thoshte: “Pavarësisht që ti i ke parë këto pjesë, të nevojitet dhe ty ky shpjegim, pasi je shkëputur tre vjet nga jeta artistike e kryeqytetit, e ke të domosdoshme ta rifreskosh kujtesën, duke patur parasysh që aktori në çdo shfaqje syell diçka të re, futet më në brendësi të rolit, i jep këtij më shumë mendim, lidhet gjithnjë e më fort shpirtërisht, i përjeton shpërthimet skenike, jo vetëm në imagjinate. Përveç këtyre, nuk mund ta mohoj që e kam më shumë për zemër Vehipin, sepse më gllabëron të tërin, sa pas shfaqjes, vazhdoj njëfarë kohë të jem po ai…”!
– “Ju aktorët keni profesion të larmishëm, e ndryshoni lëkurën sipas rolit. Ndërsa tek ‘Vehipi’ je gungaç i përbuzur nga vëllai i madh, tek ‘Nikollaqi’ je tregtar batakçi dhe kurnac, dy tipa krejt të kundërt. Me këtë rast po të bëj një pyetje të drejtpërdrejte: sa dhe si ndikon në karakterin e aktorit, bota e brendshme shpirtërore e personazhit”?
– “Ke bërë një pyetje të çuditshme dhe interesante”! – tha im vëlla, duke e vështruar me shumë kureshtje portretin e burrit të motrës.
– “Këtë pyetje e kam patur ndërmend edhe më parë, por s’ka ardhur rasti ta shtroj, pasi ne të dy, rrallë e për mall shihemi, – shtoi Stavri. – Shtysë për këtë pyetje ka shërbyer fakti se, karakteri i njeriut duhet te jetë i qëndrueshëm. Por me ju ndodh diçka krejt e veçantë, që të tjerëve nuk u ndodh: duhet të zhvishni natyrën tuaj vetjake, që t’i përshtateni plotësisht rolit.
Pësoni një ndryshim rrënjësor, që në jetë bëhet pothuaj i pa mundur. Ju, duke qenë kërkues të tipave të ndryshëm, pa tjetër e keni vënë re dhe duhet ta dini, që sado përpiqet dikush të eci në gjurmët e njeriut të mirë, prapë nuk ia del dot. Dalim prapë tek thelbi i pyetjes: çfarë ndodh me ju, që keni dhunti të ndryshoni lëkurën dhe natyrën sipas rolit pas interpretimit, kur riktheheni tek vetvetja”?! Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016