Dashnor Kaloçi
Pjesa e katërt
Memorie.al publikon disa dokumenta arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (Fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), ku ndodhet një dosje voluminoze me siglën “Tepër Sekret” e cila i përket vitit 1982, ku Grupi i Instruktorëve të Ushtrisë pranë aparatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, Dega e Sigurimit të Ushtrisë, zv/ministri i Punëve të Brendshme Zylyftar Ramizi dhe ministri Hekuran Isai, informojnë Komitetin Qendror dhe personalisht Ramiz Alinë, apo sekretarin e Komitetit Qendror, Simon Stefani (që mbulonte organet e Diktaturës së Proletariatit, pas vdekjes së Hysni Kapos), lidhur me: “veprimtari të ndryshme armiqësore dhe spiunazhi” si dhe ngjarje të jashtëzakonshme të ndodhura gjatë atij viti në disa rrethe të vendit, kryesisht ato që ishin nën vartësinë e Degëve të Punëve të Brendshme të Shkodrës, Lezhës, Durrësit, Vlorës, Gjirokastrës, Sarandës, Pogradecit, Kolonjës etj.
Dokumentet e plota me raport-informacionet e përpiluara nga ministri i Punëve të Brendshme, Hekuran Isai, dërguar Komitetit Qendror dhe personalisht Ramiz Alisë e Simon Stefanit, duke filluar nga: Dokumenti me informacionin për ngjarjen e Shkodrës, ku nënoficeri i Regjimentit të Artilerisë Kundërajrore, Hasan Sulejman Hyseni, pasi qëlloi katër herë me pistoletë ndaj komandantit të Prapavijës, oficer Hilmi Gavoçit, u nis në drejtim të fshatit Zogaj, ku i veshur si çoban me dele, kaloi klonin, por mbeti i vrarë në përpjekje me forcat e Kufirit, pasi më parë kishte plagosur nënoficerin e Kufirit, Misto Osmani.
Dokumenti me raport-informacionin e Degës së Sigurimit të Ushtrisë, për muajin tetor 1982, ku 37 persona, (oficerë, nënoficerë, ushtarë dhe punonjës civilë), “implikohen në ngjarjet armiqësore dhe veprimtari spiunazhi”, etj., si: ish-Komandanti i Korpusit të Shkodrës, Tefik Ruçi me detyrën e Komandantit të Forcave Vullnetare të rrethit, i akuzuar si “agjent i UDB-së”, oficer Nasi Bakuli, efektiv i Grupimit të 8-të të Elbasanit, për “agjitacion e propagandë”, etj., oficer Sami Sokoli, pedagog i Shkollës së Aviacionit në Vlorë, ndiqet në përpunim aktiv 2/A, për “veprimtari spiunazhi”, etj., Xhelal Stojku, me origjinë nga Dibra dhe banues në Tiranë, punonjës në Ndërmarrjen e Riparimeve të Ushtrisë, akuzohet se: “është tallur me fjalimet e udhëheqësit kryesorë të Partisë”, “oficeri Beqir Xhaxho, efektiv i Shkollës së Lirë, Demës – Fier…,thotë se këta e vranë vetë Mehmet Shehun dhe e trajtojnë popullin si bagëti, oficer Petro Mile, në Brigadën e Këmbësorisë në Himarë, “ka humbur një dokument sekret me planëzimin e shërbimit të Kufirit”, oficer Riza Cara, i Shkollë së Lirë Ushtarake në Melan të Peshkopisë, “ka humbur Buletinin nr. 1 të Komitetit Qendror të PPSH-së”, oficer Petrit Jarnexhi, ish-sekretar i organizatës bazë të Partisë së Shkollës “Skënderbej”, “mbante të fshehura materialet e armikut Mehmet Shehu”, oficer Spiro Adhami, Komandanti i Akademisë Ushtarake, “mbante në kasafortë dokumente të armikut Kadri Hazbiu”, etj.
Dokumenti me raport-informacionin ku për periudhën janar-nëntor 1982, forcat e Kufirit të Degës së Punëve të Brendshme të Durrësit dhe Sarandës, kanë kapur 16 mjete detare të huaja me 49 persona në bord, (italianë, grekë, australianë, gjermano-perëndimore, etj.), që ishin futur në ujërat tona territoriale, “gjoja për shëtitje turistike”, vrasja nga forcat e kufirit të dy shtetasve italianë afër pikës ushtarake të Kakomesë dhe Gjirin e Karaburunit, për: “shkelje të kufirit, veprimtari spiunazhi, kontrabandë”, etj., kapja e një numri të madh shkelësish brenda territorit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, “pas zbulimit të veprimtarisë armiqësore të Mehmet Shehut, Kadri Hazbiut, Feçor Shehut, etj., me qëllim zbarkimi siç ndodhi me bandën Xhevdet Mustafa”, etj.,
Raport-informacioni për katër sportistët: Ali Kastrati, Arjan Bimo, Halim Durimi dhe Petro Ruci, të cilët i përkasin ekipeve të futbollit: “Partizani”-, “Shkëndija”, “17 Nëntori”, dhe “Flamurtari”-, ku gjatë aktiviteteve sportive të zhvilluara jashtë shtetit, “kanë marrë me vete sasi të mëdha valute, duke blerë mallra të ndryshme dhe gjatë kthimit, janë kapur nga organet tona doganore, i pasi i kanë futur ato kontrabandë”, etj.
Raport-informacioni për ngjarjen e jashtëzakonshme të ndodhur në mesin e muajt tetor të vitit 1982, kur në afërsi të Bazës së Ushtarake të Pashalimanit, “u diktua një nëndetëse e huaj dhe megjithëse Flota Luftarake Detare, mori urdhër ta detyronte atë ta dilte në sipërfaqe dhe më pas ta qëllonte, ajo nuk e kreu këtë detyrë luftarake, për shkak të…”!
Raport-informacioni për oficerin Nasi Bakuli me origjinë nga fshatrat e Gjirokastrës dhe me detyrën e komandantit të Grupit 155 m/m. në Peqin, efektiv i Brigadës së 3-të të Artilerisë në Elbasan i cili “zhvillon agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor dhe flet me fjalë fyese kundër fëmijëve të udhëheqjes…”, etj.
Raport-informacioni për “veprimin e lëshimit të 70 km. sipërfaqe ujore palës jugosllave në afërsi të Lumit Buna, nga ana e Mehmet Shehut, Kadri Hazbiut dhe Nesti Nases, gjë e cila erdhi pas kontakteve të vazhdueshme disa vjeçare ndërmjet komisioneve përkatëse, lidhur me ngjarjen e vitit 1975, kur një anije jugosllave qëlloi anijen tonë “Ismal Mustafa” dhe vrau kapitenin Fran Ivanaj”, etj.
Fondi: KOMITETIT QENDROR TË PARTISË PUNËS SHQIPËRISË
(GRUPI I INSTRUKTORËVE TË USHTRISË)
Titulli dhe përmbajtja
INFORMACIONE TË MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME, DREJTUAR KOMITETIT QENDROR TË PARTISË SË PUNËS SË SHQIPËRISË DHE GRUPIT TË INSTRUKTORËVE TË KOMITETIT QENDROR,PËR VEPRIMTARI ARMIQËSORE DHE NGJARJE TË JASHTËZAKONSHME
Raport-informacioni i ministrit të Punëve të Brendshme, Hekuran Isai, dërguar sekretarit të Komitetit Qendror të PPSh-së, Simon Stefani, lidhur me katër sportistët e ekipeve kombëtare të futbollit, “Shpresa” dhe të rritur, që “u kapën me mallra kontrabandë”, në Doganën e Qafë Thanës
REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË Sekret
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME
DREJTORIA E POLICISË POPULLORE
Nr.1182/1 Prot. Tiranë, më 27.11.1982
Lënda: Mbi disa persona që kanë kryer kontrabandë
SEKRETARIT TË KOMITETIT QENDROR TË PPSH
SHOKUT SIMON STEFANI
Tiranë
Sipas një informacioni që ka dërguar Dega e Punëve të Brendshme Pogradec, rezulton se nga ana e disa sportistëve që kanë qenë në Turqi, është zhvilluar kontrabandë dhe janë kapur me mjete të tilla në Doganën e Qafë Thanës, në kohën kur janë kthyer.
Më datën 30.10.1982, gjatë kontrollit në Doganë, është konstatuar se në përgjithësi sportistët e të dy ekipeve Kombëtare, të rriturve dhe “Shpresa”, kishin sjellë sende mbi normën, por më tipikët janë:
- Ali Kastrati, masazhator i ekipit Kombëtar dhe i Klubit Sportiv “Partizani”.
Vlefta e shumave të tija të sjellë nga Turqia, arrijnë në shumën 6.066 lekë. Për këtë, kontrolli doganor dyshoi dhe i kanë kërkuar shpjegime, se me çfarë kishte arritur që për pak kohë të blinte këtë sasi malli.
Qytetari Ali Kastrati, ka pohuar se: “një pjesë të sendeve i bleva me dieta që kisha, ndërsa pjesën tjetër të sendeve, i bleva me rreth 6.000 lira, të cilat m’i dha një qytetar turk, i cili quhej Barush Yhrrel, që ka qenë edhe në Shqipëri, unë nuk e kam njohur këtë person. Ky person, përveç 6.000 lirave, më dha si peshqesh, edhe 2.000 lira, katër këmishë grash e dy këmisha burrash, këto sende dhe lirat, i kam marrë duke qenë vetëm, pa patur ndonjë shok të ekipit”.
- Arjan Bimo, futbollist i Klubit Sportiv “17 nëntori”.
Ky kishte veshur në trupin e tij pantallona, bluza të rinjsh akrilik nga dy – tre copë dhe disa palë rroba banje. Para se t’i bënin kontrollin fizik, ai kishte deklaruar se; nuk kam sende të tjera, përveç atyre që kam deklaruar. Sendet e mësipërme u konsideruan kontrabandë, prandaj u konfiskua dhe u gjobitën me shumën 397 lek.
- Halim Durimi, futbollist i ekipit “Shkëndija”.
Gjatë veprimeve doganore, ju gjetën bluza poliestër, tre copë, çakmak me gaz, katër copë, zinxhir (varse) dy copë, unaza grash tre copë dhe një palë këpucë burrash. Këto sende u konfiskuan dhe Halim Durimi u gjobit me 705 lekë.
- Petro Ruci, futbollist i ekipit “Flamurtari”
Mbasi i’u bë vlerësimi i sendeve që kishte deklaruar dhe pasi u pyet se mos kishte harruar gjë pa deklaruar, ai tha se; jo.
Pasi u përdorë indikatori dhe dha sinjal, u bë kontrolli fizik dhe ju gjendën tre varse grash dhe një orë burrash, të cilat gjatë kontrollit tentoi t’ja jepte një shokut të tij, që e kishte pranë.
Këto sende u konsideruan kontrabandë dhe Petro Ruci u gjobit me 705 lekë.
Kemi mendimin, që problemet e mësipërme të analizohen nga ana e klubeve dhe Ministrisë së Arsimit dhe Kulturës, me qëllim që të merren masat e nevojshme. Memorie.al
MINISTRI I PUNËVE TË BRENDSHME
HEKURAN ISAI
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016