Dashnor Kaloçi
Pjesa e dhjetë
Memorie.al/ publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (Fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), të cilat përmbajnë siglën “Sekret” e “Tepër Sekret” dhe i përkasin një periudhe nga janari i vitit 1982 e deri në shtatorin e vitit 1983, ku ndodhet një dosje voluminoze me, proces-verbale mbledhjesh të Sekretariatit të Komitetit Qendror dhe Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së, mbledhje të cilat janë kryesuar nga sekretari i Përgjithshëm i saj, Enver Hoxha, ku kanë asistuar: Ramiz Alia, Adil Çarçani, Manush Myftiu, Hekuran Isai, Rita Marko, Pali Miska, Hajredin Çeliku, Haki Toska, Simon Stefani, Lenka Çuko, Muho Asllani, Vangjel Çerrava, etj., si tema kryesore janë analizat rreth “veprimtarisë armiqësore” të Mehmet Shehut dhe bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë, që nga Fadil Paçrami, Todi Lubonja, Beqir Balluku, Petrit Dume, Hito Çako, Abdyl Këllezi, Koço Theodhosi, Kiço Ngjela, Vasil Kati, Kadri Hazbiu, Fiqret Shehu, Feçor Shehu, Mihallaq Ziçishti, Llambi Peçini, etj. Në dosjen që disponon Memorie.al, përveç analizës së “veprimtarisë armiqësore të poli-agjentit Mehmet Shehu dhe bashkëpunëtorëve të tij Beqir Balluku te Kadri Hazbiu”, në mbledhjet e Byrosë Politike dhe takimet ditore të Sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSh-së, janë marrë në analizë edhe veprimtaria e Ministrisë së Punëve të Brendshme e Sigurimit të Shtetit, me agjenturën e bashkëpunëtorët e saj, brenda e jashtë vendit, raportet e marrëdhëniet e shtetit shqiptar me vende të ndryshme të botës, si: SHBA-ës, Bashkimi Sovjetik, Gjermania Perëndimore, Anglia, Spanja, Italia, si dhe ato me fqinjët, si Greqia e Jugosllavia e demonstratat në Kosovë, si e paraqiste shtypi botëror Shqipërinë Socialiste, bisedimet me Gjermaninë Perëndimore për pagesat e reparacioneve të Luftës, takimet e bisedat me kryetarët e partive marksiste-leniniste të vendeve të ndryshme të botës, si Ernst Aust, Zhoao Amazonas, Fosko Dinuçi, etj., lidhur me “vetëvrasjen e Mehmet Shehut”, problemet e emigracionit politik shqiptar, në shtete të ndryshme të botës, e ndryshimin e kursit të shkëmbimit të dollarit në dërgesat, që ata bënin për të afërmit e tyre në Shqipëri e deri te probleme të shumta ekonomike, që nga industria e rëndë, hidrocentralet mbi kaskadën e lumit Drin, importi dhe eksporti i energjisë, etj., etj.
Dokumenti “Tepër sekret” me proces-verbalin e takimit ditor të sekretarëve të Komitetit Qendror të PPSh-së, i mbajtur më 12 shtator 1983, ku diskutua: “Mbi përfundimin e gjyqit kundër tradhtarëve, komplotistëve, e puçistëve, Kadri Hazbiu, Feçor Shehu, etj. Si dhe për njoftimin që u duhet bërë organizatave të Partisë, mbi to”.
TAKIM DITOR I SEKRETARËVE TË KOMITETIT QENDROR TË PARTISË MË 12 SHTATOR 1983
Tepër Sekret
Në këtë takim, marrin pjesë dhe Sekretarët e Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, Ramiz Alia, Lenka Çuko, dhe Vangjel Çërrava, si dhe shokët Muho Asllani, anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror dhe Sekretar i Parë i Komitetit të Partisë së rrethit të Durrësit, e Pali Miska, anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror dhe Sekretar i Parë i Komitetit të Partisë së rrethit të Elbasanit, ku u shtrua problemi:
Mbi përfundimin e gjyqit kundër tradhtarëve, komplotistëve, e puçistëve, Kadri Hazbiu, Feçor Shehu, etj. Si dhe për njoftimin që u duhet bërë organizatave të Partisë, mbi to.
SHOKU RAMIZ ALIA: Jo vetëm kaq por ajo është logjike, dhe nga pikëpamja e jugosllavëve. Në fakt, derisa jugosllavët, i’a ngarkuan si detyrë Mehmet Shehut që të vriste Enver Hoxhën, ata e eliminuan atë. Ai ishte fundi i tij. Vritej apo nuk vritej terroristi Mehmet Shehu, atje ku mendonte të bënte atentatin, Partia dhe Populli do ta varnin në litar.
SHOKU MUHO ASLLANI: Po, po.
SHOKU RAMIZ ALIA: Si vrasës, si terrorist, të Enver Hoxhës, ai s’kishte shpëtim, ai mbaronte. Pra jugosllavët e zhdukën, e dogjën agjentin e tyre për një çështje më të madhe. Kishin hallin e Kosovës ata. Fundja ata menduan, përse e duam këtë kartë ne?!
Në radhë të parë, për të shpëtuar veten. Kur po digjej Jugosllavia, “ja vlente barra qeranë”, për të eliminuar Mehmet Shehun. Nga ana tjetër jugosllavët, kishin rezerva të tjera. Kështu që me siguri ata e kanë porositur Kadriun, se si do të vepronte. Kjo shpjegon atë që, Kadri Hazbiu nga shtatori, filloi të mbajë distancë me Mehmet Shehun. Ai filloi të vinte dhe këtu në takimet tona, dhe të diskutonte për probleme të ndryshme.
SHOKU PALI MISKA: Po, madje dhe në qeveri, filloi që të marrë frenat.
SHOKU MUHO ASLLANI: Sidomos kur bënte takime, me dikasteret për organikën e për strukturën.
SHOKU RAMIZ ALIA: Kështu që ai pas kësaj, filloi të ngrehet si gjel, se kjo ishte porosi e jugosllavëve. Kur shoku Enver, i tha në mbledhjen e Byrosë Politike, Mehmet Shehut: “Alibia jote, nuk qëndron”, atëherë Kadri Hazbiu, ka menduar se Mehmet Shehu u mbërthye, dhe po u mërzit ai, do të detyrohet të flasë, mund të tregojë edhe për mua, dhe atëherë u dogja dhe unë. Prandaj Mehmeti, duhet eliminuar.
Si ta eliminonte?! Ta vriste?! S’kishte sesi ta bënte. Atëherë ai, gjeti rrugën tjetër: ta frikësonte dhe ta trembte, në mënyrë të atillë saqë, ai t’i binte vetes. Kështu që Kadriu atë natë, duhet t’i ketë thënë: Unë jam Ministër i Mbrojtjes, tani po trajtohem mirë, unë jam dhe anëtar i Byrosë Politike, prandaj mua dhe jo Feçor Shehun, më kanë ngarkuar që të të vë hekurat. Erdha këtu, që t’i ndajmë hesapet, se kjo punë nuk bëhet ndryshe”.
SHOKU PALI MISKA: Logjike, është kjo.
SHOKU RAMIZ ALIA: Fiqretja e vërteton se Kadriu erdhi në shtëpi dhe u futën të dy me Mehmetin në dhomë. Që Kadriu ja ka thënë këto gjëra Mehmetit, është aq e vërtetë, saqë Mehmeti, siç tha ajo, pas ardhjes së Kadriut, ndryshoi menjëherë. Atë natë, theksoi Fiqretja, e kishim lënë që të flisnim në telefon me Skënderin.
Ajo tha kështu: “Kur erdhi Mehmeti nga mbledhja e Byrosë Politike, më tha se do të punonte pasi, do të duhej të përgatitej për të nesërmen, se shoku Enver i kishte thënë se, duhej të përgatitej që të jepte prapë shpjegime. Prandaj i thuaj Skënderit që të më marrë nesër mbrëma në telefon”.
“Veç kësaj, – vazhdoi Fiqreti, – ai më tha se nesër paradite mund të mbarojë mbledhja e Byrosë Politike kështu që, mbas dite shkojmë për vizitë tek Hekurani se, i ka vdekur nëna”. Pra të gjitha rrethanat flasin qartë se, ai përpara se të vinte Kadri Hazbiu, nuk kishte vendosur të vriste veten.
SHOKU MUHO ASLLANI: Kurse ky i vajti dhe i bëri presion.
SHOKU RAMIZ ALIA: Nga sa më kujtohet, mbledhja më e rëndë e Byrosë Politike, ka qenë paradite, pasi dhe atëherë ishin pyetjet më therëse.
SHOKU PALI MISKA: Të forta.
SHOKU RAMIZ ALIA: Ju kujtohet, apo jo?!
SHOKËT: Po, po.
SHOKU RAMIZ ALIA: Sa pyetje i bëmë Mehmetit?!
SHOKU PALI MISKA: Një e treta e kohës, shkoi me pyetje.
SHOKU RAMIZ ALIA: Një e treta e kohës u harxhua me pyetje, dhe pyetjet ishin shumë therëse.
SHOKU PALI MISKA: Shumë therëse.
SHOKU RAMIZ ALIA: Që vinin dyshim politik mbi Mehmetin.
SHOKU PALI MISKA: Po, po.
SHOKU RAMIZ ALIA: Pse e ke bërë këtë?! Pse e ke bërë këtë tjetrën?!
SHOQJA LENKA ÇUKO: Diskutimi i çështjes së tij, doli nga kuadri i fejesës.
SHOKU RAMIZ ALIA: Atij madje, ju bënë edhe pyetje të tilla: “Kishe apo s’kishe besim tek Partia?! Ti kërkoje ti imponoje vijën tënde Partisë”?! Pra të gjitha pyetjet ishin të forta dhe me dyshime.
SHOQJA LENKA ÇUKO: S’kishte nga të dilte.
SHOKU MUHO ASLLANI: Pasdreke në mos gabohem, u bënë vetëm diskutime dhe ndonjë vërejtje.
SHOKU RAMIZ ALIA: Edhe tonin, diskutimet e morën që paradite. U bë propozimi për masën që duhej marrë ndaj tij. Kështu që diskutimet e pasdites, ishin vijim i atyre të paradites.
Diskutimet e shokëve ishin shumë të forta, shumë të drejta, dhe shumë goditëse, por në fund të fundit, ato që ishin për t’u thënë, u thanë që paradite. Kështu që ai nëse do të ishte puna të vriste veten, e vriste që në drekë, dhe pse duhet të vinte që të dëgjonte dhe pasdite?! Ai, e mori vesh të tërë procesin.
SHOKU PALI MISKA: Ashtu është, ka logjikë këtu.
SHOKU RAMIZ ALIA: Edhe në mbrëmje i tha Fiqretit që, të nesërmen do të vinin tek shoku Hekuran, për ngushëllim, që t’i thoshte edhe Skënderit se të nesërmen, do t’i fliste në telefon. Ai, as me djalin e vet nuk foli atë natë, që fundja nëse kishte vendosur të vriste veten, vetëm për t’i dëgjuar zërin edhe njëherë të birit, do të kishte biseduar në telefon me të.
SHOQJA LENKA ÇUKO: Po të kishte vendosur të vetëvritej për të shpëtuar djalin, të cilin e kishte bashkëpunëtor në krim, do ti thoshte: “Sido që të shkojë puna, pa porosinë time mos u kthe”.
SHOKU RAMIZ ALIA: Të gjitha këto vërtetojnë që Kadriu, e ka shtyrë Mehmetin që të vrasë veten.
SHOQJA LENKA ÇUKO: “E prita unë Kadriun, tha Fiqreti, dhe kërkova që të rrija edhe unë bashkë me ta, por Kadriu më tha: Jo nuk është nevoja që ti të rrish këtu pasi, këto që unë do të bisedoj me Mehmetin ai, do të t’i thotë ty”.
SHOKU RAMIZ ALIA: Po, u qëruan këta armiq.
SHOQJA LENKA ÇUKO: Shpëtuam.
SHOKU PALI MISKA: Mehmet Shehu, ishte krye-qeni i tyre, por ama Kadri Hazbiu, ishte më qen se ai. Në mbledhjet e qeverisë Kadriu, hiqej sikur i dinte të gjitha gjërat. Fliste për lopët, për delet, se për veten e tij nuk thoshte asgjë.
SHOQJA LENKA CUKO: Nuk fliste për veten, se Mehmeti nuk i kërkonte llogari për punën e tij.
SHOKU PALI MISKA: Mehmeti gjithnjë në mbledhjen e qeverisë, i referohej mendimit të Kadriut, duke deklaruar: “Siç tha dhe Kadriu”. Me kaq takimi u mbyll. Memorie.al
U pa nga Haxhi Kroi në 21.11.1983
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016