Nga Shkëlqim Abazi
Pjesa e dyzetepesë
Memorie.al / Kam lindur më 23. 12. 1951, në muajin e zi, të kohës së zisë, nën regjimin më të zi komunist. Më 23 shtator të vitit 1968, krye-hetuesi sadist, Llambi Gegeni, hetuesi xhahil Shyqyri Çoku dhe prokurori mizor, Thoma Tutulani, më sakatuan në Degën e Punëve të Brendshme në Shkodër, më çanë kokën, më qorruan njërin sy, më shurdhuan njërin vesh, mbasi më thyen disa brinjë, gjysmat e dhëmballëve dhe gishtin e madh të dorës së majtë, më 23 tetor 1968, më çuan në gjykatë, ku mjerani Faik Minarolli, më dha një dhjetëshe burg politik. Pasi më prenë gjysmën e dënimit, sepse isha ende minoren, gjashtëmbëdhjetëvjeçar, më 23 nëntor 1968, më shpunë në kampin politik të Repsit dhe prej atje, më 23 shtator 1970, në kampin e Spaçit, ku më 23 maj të vitit 1973, në revoltën e të dënuarve politikë, u dënuan me vdekje dhe u ekzekutuan me pushkatim, katër martirë; Pal Zefi, Skënder Daja, Hajri Pashaj dhe Dervish Bejko.
Më 23 qershor 2013, humbi zgjedhjet Partia Demokratike, proces më se normal në demokracinë që mëtojmë. Por më 23 tetor 2013, Drejtori i Përgjithshëm i Qeverisë rilindase, dërgoi urdhrin Nr. 2203, datë 23.10.2013, për; Lirimin nga detyra të një punonjësi policie. Pra Providenca Hyjnore, u pleks me Providencën rilindase neokomuniste dhe, pikërisht më 23 më zëvendësuan, as më pak e as më shumë, po me ish-operativin e Sigurimit të Burgut të Burrelit. Ku do kishte më domethënëse se kaq?! Ish-i burgosuri politik, zëvendësohet nga ish-persekutori!
Autori
SHKËLQIM ABAZI
R E P S I
(Kampi i punës së detyruar)
Memuaristikë
Takimi i parë
(Varka e mbytur në stere)
Po e vërteta lakuriqe e kësaj tragj-komedie, cila ishte? Ja, sipas fjalëve të tyre: “Vlora me nahijet e saj, sidomos fshatrat e Lumit të Shushicës, të Kurveleshit e në veçanti, brezi Tragjas-Radhimë-Dukat, banohen nga fshatarë krenarë e trima, sipas konceptit të tyre për këto veti. Popullsia e asaj zone, janë luftarakë por edhe mburravecë, e kanë gjoksin me gropë “nga të rënët e tepërt me grusht”, siç shprehen në këto anë. Prej tyre kam dëgjuar të thonë: “Po të qe Lenini shqiptar, do ishte vlonjat, se e ka gjoksin me gropë dhe mjekrën me majë”!
Në çdo epokë të historisë, këto treva kanë nxjerrë heronj të shquar, siç kanë dalë edhe hajdutë me nam, sa që deviza: “Një djalë që s’është i zoti të vjedh, s’mund të jetë i zoti për familje”, mbizotëronte deri vonë në mbarëvajtjen e krushqive. Sidoqoftë, nëpërmjet këtyre cilësive, është edukuar një popullsi me ndjenja të forta nacionaliste, që janë të lidhur pazgjidhshmërisht me vendin, e duan dhe krenohen me prejardhjen e tyre, saqë në çdo mëhallë ngrenë këngë për shkrepat, kreshtat e përrenjtë e fshatit dhe për heroizmat e levendëve të zonës, madje iu këndohet edhe akteve më ordinere.
Banorët mburravecë të kësaj nahije, mendojnë se çdo ngjarje deçizive, duhet të kaloj nga fshati i tyre, në mos nga pragu i avllisë! Si të tillë edhe bariu në stan, edhe bujku në arë, edhe pleqtë e plakat, ndanë oxhakut, mëtojnë të jenë në korrent të ngjarjeve të fundit, sidomos të atyre që i konsiderojnë madhore, për ecurinë e mëtejshme të fateve të kombit. Vetëm në këto anë bën vaki, që një baba të urdhëroj djalin qimepadirsur: “Ngrehu biro, e varu njëherë tatëpjetë nga qyteti, të dëgjoç ç’bënet asaj kasabaje, se s’marrin zgjidhje këto punëra, pa pushkën dhe fjalën tënë”!
I jepte një dyfek, një torbë me fishekë, pak bukë me gjizë e qepë dhe priste me ankth, haberet. Më shumë shqetësohej si do venin punët e hyqymetit, sesa për mandatën që mund të merrte për të birin. Edhe rasti i vizitës së të madhit të komunizmit botëror, s’mund te kalonte pa tërhequr vëmendjen e këtyre hallçakëve. Kjo vizitë, nga individë të ndryshëm, interpretohej në forma te ndryshme. Njëri e shihte si fundin e imperializmit dhe triumfin e komunizmit botëror dhe mburrej se: “Pa vizituar Vlorën, s’mund të arrihej suksesi”, tjetri thoshte: “Jemi ne, pa jeni ju”! domethënë pa Vlorën, s’ka demokraci popullore në Evropë, dikush e interpretonte si meritë të udhëheqjes largpamëse të Partisë sonë e, në veçanti, atyre me origjine nga këto nahije, duke nënkuptuar të mëdhenjtë e zonës, Hysninë e Kadrinë, etj.
Por kish edhe nga ata që mendonin se; pritja me temenara i këtij birbos nga moskovi, nënkuptonte nënshtrim pa kushte, ndaj të mëdhenjve të botës: “Dre, dre, po këtu në Vlorrë kanë thyer turinjtë, kushedi sa perandori dhe perandorë”! Mandej argumentonin më tej: “Nise që nga Roma e lashtë, Mongolët, Sllavët, Otomanët, Roma e dytë dhe Roma e tretë, Nemcja, Greku dhe tani, një palo burrë nga stepat e Siberisë, na ardhkërka e na mësoka se ç’duhet të mbjellkemi, ne! Hej, bela, na krahasokërka dhe me minjtë, pa le! Or burrat e dheut, vini duart në kokë! Dre, dre, po një plumb thuaj, nga ata që na la Selami, këtë do ky tullaci shkurtabiq”!
Këto mendime qarkullonin vesh më vesh e gojë më gojë, ato ditë. Jo se ky fenomen qe i ri dhe i panjohur për banorët luftarakë të këtyre anëve, pasi burimet e pasura folklorike, na sjellin fakte të shumta për numrin e pafund të këngëve epike, që iu kanë kushtuar udhëheqësve vendas apo botërorë; kur këta të fundit i konsideronin miq të mëdhenj, po edhe të atyre satirike kur, po këta miq për kokë, vinte një ditë dhe shndërroheshin në armiq për kokë.
Mjafton t’iu hedhësh një sy volumeve folklorike të mbledhur nga miku im, Fatos Mero Rrapaj, për t’u bindur, në sa këngë lëvdoheshin dhe, në sa të tjera shaheshin sulltanët e panumërt të Turqisë, kur i quanin “babë” dhe kur “murtajë”? Këngë lavdesh për Italinë “çliruese” dhe fyese, po për atë, “pushtuese”? Këngët për Ismail Qemalin, për Fan Nolin, për Zogun, sërish për Italinë e Gjermaninë, një herë si shpëtim dhe mandej si pushtim? E më prapa për Titon, Baba Stalinin, për “dy luanët” që ka bota, “një Azia, një Evropa”, Maon dhe Enverin, e deri për ca kukuvajka kobndjellëse neokomuniste, nga zgëqet më të humbura të globit, që as në fshatin ku kishin lindur, s’i njihte njeri?
Pra, kështu kishte folur dhe kënduar kjo krahinë për-gjithherë, që nga nga koha e Çezarit dhe Pompeut, sikur fati i Romës së lashtë, të luhej në sinorët e Vlorës? Kështu, po kish folur edhe për Xhingis Khanin, po edhe për perandorët e Bizantit dhe sulltanët e shumtë të Turqisë, po kështu edhe për Musolinin e Hitlerin, po edhe për Roosveltin, Stalinin dhe Çurçilin, sikur Jalta të na ish “Topallti” e Vlorës. Me një llaf, po kështu, me fjalë dhe këngë ja kishin thyer brinjët Tito renegatit, mbasi e kishin larë dhe shpëlarë me vajin e ullishtave të Vlorës, po këtë fund do kishte edhe ky birboja, Hrushovi, mbasi i kishin puthur tabanë me temenara, si askujt tjetër para tij!
Pak a shumë, vlonjatët mendojnë se asnjë politikë e madhe, s’mund të bëhet pa ta. Kështu qenka e thënë: “Në këto nahije, t’u shpaloskan fatet e botës”! Me këtë thashethemnajë kolektive, ishin bashkuar edhe dy djemtë e rinj. Namiku qe shprehur: – “Ah, po të kisha një dyfek e, t’ja këpusja një koqe plumbi, t’ja shpoja atë plëndësin, që ma ka si thes”! – “Dre, dre! Or, po ku e dike ti, që është barkderr ai”? – e kishte pyetur Muçua. – “Drejt muhabeti, unë s’e kam parë ndonjëherë, po kështu mendoj se do jetë, nga ajo fotografia në O.K.B. kur hodhi opingën”. – “E di, nuk e ke keq ti Miku, ama do kënaqesha t’ja çpoja unë thesin”! – kish shprehur dëshirën Muçua.
Gjithë kjo bisedë ish bërë gërxheve, ku kullosnin dhitë. Si dy gjitonë nga fshatra fqinjë, në darkë u ndanë, secili shkoi në sinorin e vet. Të nesërmen kur u takuan sërish në mera, e kishin harruar ç’kishin folur dje dhe po çaprashisnin në ugare të tjerë. Vërtetë ata harruan ç’folën një ditë më parë, po llafin e hapi era dhe mori dhenë. Spiuni veshë-ngrehur e kapi fluturimthi dhe s’harroi t’ia çonte të ngrohtë operativit të zonës. Kaq iu mjaftoi ustallarëve, që shtrinë rrjetën në sterre. Sajuan legjendën: “SIKUR”! Imagjinuan një grup të madh terrorist, “të përbërë nga mbeturinat reaksionare të ‘Ballit’, bashkë me ca kulakë të nahijes, që na paskëshin planifikuar komplotin kundër vëllait të madh nga Rusia, me demek t’i bënin atentat atij dhe ta çonin anijen shqiptare, drejt limaneve Perëndimore”. Kështu u interesonte dollibashëve, me një gur vrisnin tre zogj! Armikut të brendshëm i jepnin dërrmën, krahinës rebele i fusnin datën, Mikut të Madh nga Rusia, i dilnin ballëlartë si shpëtimtarë dhe si i mbrojtës të komunizmit botëror.
E vunë “pllanin” në zbatim: Bënë “SIKUR” i shpëtuan jetën Hrushovit! “SIKUR” shpëtuan kauzën e revolucionit! “SIKUR” zbuluan grupin e mirë-organizuar armiqësor! Në çdo aspekt ta shohësh çështjen, kjo histori nisi me “SIKUR” dhe u besua. Në sofrën e legjendave ku besohet çdo mit, pse të mos besohej edhe çdo “SIKUR”, sado trashë të ish qepur! Me “SIKUR” i arrestuan; me “SIKUR” i dënuan me vdekje; me “SIKUR” i ri-dënuan sërish së dyti me vdekje, “SIKUR” të kishin nga dy jetë dhe po me “SIKUR”, bënë nga njëzet vjet burg. Ky “SIKUR” qe kalvari që do të përshkonin të dy, mbasi herë pas here gjyqi rikthehej nga e para. Farsa vazhdonte edhe në kohën kur mbërrita unë në Reps.
Sidoqoftë, dy “SIKURËT”, më falni “atentatorët” e Hrushovit, mbetën në burg edhe pas vdekjes fizike të subjektit të atentatit tyre. E plotësuan dënimin kokërr më kokërr, siç i ka hije një sistemi të fortë ku krimi s’mund të parashkruhet, edhe kur subjekti i krimit nuk ekziston. Pata shansin t’i njoh të dy “SIKURËT”, më falni “atentatorët” dhe t’i kem miq. Me Namikun dhe Ilian, u ndamë pas dy vitesh. Mua si kafshë pune të garantuar, më çuan në vrimat e Spaçit, ata dhe gjytyrymët e tjerët, si lecka pa vlerë, i nisën në skërkat e Panahorit në Ballsh, të shtonin numrin e varreve pa emër.
S’do takohesha më me ta sepse, na i prenë urat, po shpirtërisht i kam ndjerë mjaftë afër. Këmbenim informacione, ndërmjet të dënuarve që transferohenin nga një kamp në tjetrin. Namiku doli nga burgu rreth dyzetvjeçar, i gjymtuar fizikisht, po i kompletuar intelektualisht. Mirëpo sa para bënte kjo kulturë, komunizmi s’kish nevojë për ekzemplarë të tillë. I nevojiteshin turma trushplarësh, që të shihnin me sytë e Partisë! Individët që gjykonin me trutë e vet, iu duhej prerë koka, ose së paku, t’iu ulej hunda! Kur u kthye në fshatin e lindjes, bashkëfshatarët e pritën me simpati.
E respektonin për dijet e thella që zotëronte, por për ç’përfaqësonte dhe vendin nga ku kthehej, e takonin me frikë. Nëse bashkëfshatarët më guximtarë, i shprehnin hapur adhurimin për horizontin e gjerë, zyrtarët dhe pushtetarët lokalë e shihnin me dyshim e smirë, pikërisht për shkak të diferencës në dije. I gjendur mes simpatisë dhe antipatisë, si mes Shilës dhe Karibdës, ai arriti të përshtatej; falë diturisë dhe inteligjencës së jashtëzakonshme, diti t’i mbijetonte terrorit fizik dhe psikologjik të kohës. Madje ia mbërriti të krijonte edhe familje, paçka se në kushte të pafavorshme dhe me vonesë.
Një zanë guximtare, nga ato që vetëm ajo zonë mund t’i pjellë, flaku tej me neveri paragjykimet politike dhe u martua me njeriun e mirë e të zgjuar. Por s’thonë kot: “Delja e zezë, lind e zezë dhe ngordh e zezë”! Fati i keq e ndoqi prapa. Namiku s’pati pasardhës. Dhe më e keqja, i ndodhi para dy vjetësh! Bashkëshortja besnike, ajo që i ushqente shpresën për jetë, e braktisi. Vdiq, shpirti i fluturoj në parajsë! Kur dëgjova për kobin që e kish gjetur, i telefonova mikut tim, t’i shprehja ngushëllimet e keqardhjen për fatkeqësinë që i kish pllakosur, njëkohësisht ta inkurajoja, të përballonte me dinjitet këtë sprovë.
E dini si m’u përgjigj? “I nderuar miku im, Zoti më dënoi me vetmi, njerëzimi me dashuri të munguar, historia me harresë, por një aleat s’më ka braktisur ende, libri! Tashmë po punoj, të bëj një muze me librat e burgut”! I urova jetë të gjatë, mezi pres të vete në Vajzë, të vizitoj muzeun e librit; “Namik Zenel Hasanaj”!
I N T E R M E X O
(Homazh mikut)
Sot, bën vapë. E martë, 12.07.2011, bën vapë…! Vapë, vapë! Gjithë natën e natës, s’kam patur rehat. Ca nga vapa që s’më la të vë gjumë në sy, ca se ç’më torturon një dhimbje therëse që nis nga majat e thonjve të këmbëve, deri në rrëzë të kofshëve. Më djegin muskujt, kockat më çajnë, duken si shenja ndjellakeqe! Mbase po paguaj haraçin e birucave në vitet e rinisë. Atëkohë s’e mora në konsideratë apelin e më të vjetërve, kur më këshillonin: “Edhe hekri qi asht hekër, ba me i ra pika në nji vend, ka m’u k’putë”!
Por i riu si veriu, vazhdoja në timen dhe tashmë koha po mi shpërblen me këtë virane reumatizëm, a ç’dreqin mund të jetë tjetër! Të dielën bëmë dasëm. Martuam mbesën, vajzën e vëllait. Një javë davet, unë as kërceva (më dhimbnin kofshët), as hëngra (ato pesë kuca dhëmballë që më kanë mbetur nga hunjtë e Llambi Gegenit dhe nga gërryerja e ujit të piritit, janë blumitur të gjitha). Me gjithë ngulmimin e të dashurve të mi, sidomos gruas, për t’iu nënshtruar vizitave mjekësore, as që e mora mundimin të shkoj te mjeku. Po ç’farë do më kontrollojnë më parë, or të kam rixha!?
“Jo, or byrazer, ne s’ka ku na zë as qeni, na janë mbledhur të tëra! Jemi bërë si ajo rrecka e kalbur, kudo ta zësh të mbetet në dorë”! më kumbojnë ende në vesh, fjalët e mikut tim të burgjeve, Novruz Dyrmos, dy muaj para se të ndërronte jetë, ca vite të shkuara. Kështu, meqë e di se jam katandisur “rreckë e kalbur”, jam përpjekur t’i shmang vizitat mjekësore. Sepse thonë: “Po vajte në spital, edhe i shëndosh në qofsh, sëmuresh, jo më ne ish-burgaxhinjtë! Vetëm ngarkesa psikologjike dhe aroma pikante e ilaçeve na deh, si alkooli pijanecin. Ato aroma të depërtojnë në qelizat më të arratisura të trurit dhe të drogojnë si narkozë”!
“Eh-eeh, kjo iu ngjet edhe njerëzve normalë”! më thotë Halim Qejvani, miku i lashtë i burgjeve. Me gjithë dhimbjet therëse, u paraqita në punë, s’e dhashë veten për të sëmurë. Mbarova me andrallat e mëngjesit, pastaj me shkresurinat e tjera. Mbylla punë me shkresat e ditës, iu përgjigja telefonatave për çështje pune; veprime rutinë të çdoditshme. Zakonisht kur më pyesin kolegët; si je? u kthej përgjigje optimiste. Me gjithë dëshirën e mirë që mund të demonstrojnë, ata s’mi largojnë dot dhimbjet, askush s’më rikthen dot shëndetin e humbur në rini, birucave.
Aty nga dreka, kur temperaturat mbërritën pikun e aptitudës, po më qepeshin sytë. Dhimbjet sikur m’u platitën paksa; lodhja dhe pagjumësia, bënë të vetën, u kota. Veshin ma çorri një fishkëllimë e beftë. Bilbili i Preng Rrapit – fiu-friu-fiuu! “Or tëj, a t’ka pëlqye hoteli”?! U tranda, zilja binte e binte… symbyllur, hapa telefonin. Një zë në gegënisht, më ngushëlloi: “Kryet shëndosh! T’rrosh vet, or burr”! Fillimisht e mora për lapsus, “gabime që ndodhin shpesh me numrat e telefonave në grup, siç i kemi ne”. U mata t’i thosha: “keni gabuar adresë” por telefonuesi më nxori nga apatia ku më kish kllaposur sëmundja, pagjumësia dhe vapa e padurueshme:
– “Zoti Shkëlçim”? – “Po”! – “Dom Simoni…, na la”! – “Si, si”? – “Simon Jubani, pra”! – shtoi, si e kuptoi se s’po gjeja dot fjalë te shprehesha. – “Vërtetë”?! – m’u pre goja! S’e prisja kurrë këtë lajm! S’di ç’më ishte krijuar një bindje budallai, gjithkush mund të vdiste, po jo Dom Simoni! S’doja ta besoja s’e mund te ndodhte ndonjëherë! Ai ish burrë i fuqishëm, me pamje solide e përherë të re! Sidoqoftë, njoha zërin e mikut tim Gjekës. U shkunda, e mblodha veten.
Pyeta: – “Ç’ka ndodhur, Gjek”?! – “Ajo pra, që sapo thashë”! – “Ç’është kjo vaki, bre”?! Ai më shpjegoi, aq sa dinte. E falenderova për telefonatën dhe e ndërpremë lidhjen. I tronditur thellë, zbrita në lokalin përballë Drejtorisë Policisë, të shihja në ndonjë ekran, njoftimin. Ajo që deri atë çast më dukej hipotezë, u vërtetua. Po, kish ngjarë! Njoftimin me titra, e dhanë të gjitha stacionet televizive. Dom Simoni, na kishte lenë! Nga aty ku isha ulur, s’i shkëputa sytë nga aparati, ende shpresoja në skupe të gabuar reporterësh, që mandej, i përgënjeshtrojnë pa kërkuar fare ndjesë. Ndërkohë, në lokal hyri një i njohuri im, më përshëndeti e pa pyetur fare, u ul në tavolinë. I hodhi një sy ekranit të madh përballë dhe i ktheu kurrizin: – “Or, qenke bërë dyll i verdhë, ç’të paska gjetur sot? Mos je gjë i pamundur”?! – kur vuri re se s’po i ktheja përgjigja, vijoi: – Ç’mi ke varur ata turinj, sikur të janë mbytur gjemitë?
– “Po vdesim të gjithë, or mik”! – ia ktheva, pa përcaktuar cilët ishin ata që po vdisnin. – “Me këtë vapë, vdiqëm vërtetë! Ke të drejtë, s’po e ngopim synë me gjumë”! – pohoi ai, më tepër për adet. – “Jo, or jo! E kam fjalën për vdekjen e njëmendët, jo figurative! Një nga një, po na lenë të mëdhenjtë e po mbetemi ne, kërthinjtë”! – Pse mo, ç’ka bërë vaki”? – m’u kthye serioz. E gjuajta me sy, si të ish ndonjë marsian. “Vërtetë mos ta dijë, që Dom Simoni, s’është më mes nesh, kaq pa eglendi të jenë katandisur ky milet? Ikën një flamurtar i Krishtit dhe bëjnë të paditurin! Ej dynja, dynja!”
Isha tronditur thellë, kujtoja se të gjithë duhet të shkriheshin me ndjesitë e mia. – “Vërtetë s’e ditke, ka vdekur Dom Simon Jubani”?! – e vëreva drejt për drejt. – “Jo! Kur erdha rrugës, pashë lajmërim-vdekjet, po këtë emër sikur s’ma zuri syri”! – vari kokën në duar, u zhyt në mendime. – “Oh, oh! Mos e ke fjalën për atë priftin nga Shkodra, që hapi kishën? Oh, oh-o-ooh”! – shtoi këto pasthirrma. – “Po, ai shuguroi meshën e parë pas gati njëzet e pesë vjetësh! Kemi qenë bashkë në burg”! – e zgjata më tej. Ai u çua, më zgjati dorën: – “U pastë lenë uratën e të rroni vetë”! Ishte i dyti ngushëllim.
Porosita kafet, ai më ngushëlloi sërish. Rufitëm filxhanët dhe u ndamë. Gjithë ditën e kalova në ethe, sëmundja e nëmur dhe lajmi i hidhur erdh e t’u përzjenë e, më dërrmuan plotësisht. U ktheva në shtëpi, vëllazëria dhe fqinjëria e kishin marrë vesh kobin, kush pati mundësi erdhi, të tjerët më ngushëlluan me telefon. Për tërë natën s’mbylla sy, vdekja dhe vapa në aleancë të ngushtë, m’a mërguan edhe atë çik gjumë. U çova në mëngjes me idenë të nisesha për në Shkodër, por këmbët s’m’u bindën, sikur m’u prenë gjer në rrëzë të kofshëve. U nisa në punë me mendimin: “Të dal jashtë shtëpisë, pastaj shohim e bëjmë”! Hyra te klubi i Sandrit, atje, miku im katolik, Edmond Fishta, më priste.
Para do vitesh më kish shoqëruar në Shkodër, në përcjelljen e fundit të At Zef Pllumin. U përshëndetëm si zakonisht. Mondi në këmbë, më pyeti: – “Në ç’orë do nisemi? Prita të më telefonoje! Makina është gati! Mendova se do niseshim, më herët. Kam këtu, që në pikë të sabahut”! – “E di, më ke pritur! Mbase ke shpresuar të niseshim shpejt, por gjendja ime shëndetësore, s’më mundëson rrugë të gjata” – ia ktheva. Mandej i shpjegove ç’ndjeja. Më kuptoi, ndërkohë i pikëlluar, më shprehu ngushëllimet. S’ishte nevoja të hamendësoja, pikëllimi i kullonte ngado. Mbi çdo pore në fytyrën e tij, lexohej: dhimbje!
Porse gjuha vete ku dhëmb dhëmbi, ndërkaq edhe biseda kaloi nga dhimbja për vdekjen, te njohja e vjetër. Pyetja si pyetja, sa e lehtë aq edhe e thjeshtë! Por jo përgjigja! Ajo i përngjet një vargoi me gjyle varur, që i lidhej pas këmbëve të dënuarit me vdekje, i gjakos nyjet dhe i shton torturën, sa herë përplasen. – “Në çrrethana e ke njohur Dom Simonin”? – më pyeti Mondi. – “Fare, fare thjeshtë! Por…”, – u tërhuza unë. Mjaftoi kaq, që gjylet rrapëllitëse të vargonjve të ndryshkur të më përplasnin në muret e kujtesës, shkërmoqën erozionin e së shkuarës, më rikthyen dyzetedy vjet pas, në lebetitë e kohës së qepës.
M’u fanit një fëmijë i lidhur me pranga: ky isha unë! Me një auto- arkëz-burg pa dritë, pa ajër, me pesëmbëdhjetë të tjerë bashkë, mbas një udhëtimi troshitës, që na i pruri zorrët në gojë, drejtë e në derë të Burrelit. Kisha dëgjuar të përflitej për një parullë me gërma të mëdha që duhej të gjendej atje, te ajo derë. Në të, sipas Dantes shkruhej: “Lasciate ogni speranza, o voi chi entrate qui”! Që në shqipen komuniste, e kishin përshtatur: “KËTU I THONË BURREL, KU HYN E NUK DEL”! Nuk jam i sigurt, mbase këto mund të kenë qenë halucinacione të shkaktuara nga troshitja e arkë-burgut; ngaqë kurrë s’arrita të vërtetoja, nëse kish qenë ndonjëherë e shkruar kjo sentencë, apo jo?
Por, pak rëndësi kish ky fakt, atje vërtetë ishte FERR e kaluar FERRIT! Këtë do ta mësoja që ditën e parë. Fatkeqësisht kur na nisën nga kampi, më hipën të parin në makinë, kështu në FERRIN e Burrelit, më erdhi radha të zbrisja i fundit. Ca na verboi drita e beftë, ca nga mpirja e këmbëve prej rrugës së gjatë, unë s’u tregova i shkathët sa duhej dhe polici që na priste, ngathtësinë e mori si tangërllëk timin dhe tallje për personin e tij. Kështu, në vend të më fusnin në dhomat e burgut me të tjerët, përfundova që qelitë e burgut me minjtë.
Pra, tersi nisi që në krye! Dhe ky ters më njohu me dom Simonin. Në fakt s’pata rast të njihesha unë personalisht, po shtrojat e mia që i sistemuan ngjitur me jatakun e tij. Pas tri ditësh izolim, më nxorën; direkt nga biruca, vajta ku më shpunë. Te dera e dhomës, një burrë kokorroç, më priti buzë gaz. Më uroi mirëseardhjen dhe më tregoi shtratin: – “Mirseardhe, or burrë, e të prift e mbara! Ene pse s’e ke nis fort mbarë”! E përshëndeta dhe u ula mbi jatak. M’u qasën edhe të tjerët të panjohur, më uruan dhe u larguan, kurse kokorroçi mbeti aty. Vetëm dy të njohur gjeta në atë dhomë, Luan Kokën nga Vlora dhe Shuaip Seitin nga Shkodra, me ata kisha ardhur nga Repsi, të tjerët i shihja për herë të parë.
Aty takova edhe dy patriotë të mi beratas, Ilia Thereskën dhe Luftar Çalën. Me atë katërshe, u kufizua njohja e asaj dite. Gjithsesi, shok krahu, s’do kisha asnjë nga të njohurit, po Simonin, më pas do mësoja se ish prift dhe duhej thirrur me titull. Kur më pohoj se ishte prift, s’u binda lehtë, sepse ai s’i shëmbëllente asnjë prifti tjetër nga ata që kisha njohur deri atëkohë. Të gjithë të tjerët kishin pamje të përvuajturish, ishin të zbehtë deri në venitje; përkundrazi, ky kuqali, kish trup atleti, si sportistët. I kisha rënë pikës, vërtetë s’isha gabuar! Nga bisedat me të mësova se para se të shugurohej prift, në të ri, kishte qenë sportist, madje mjaft cilësor; këtë ma pohuan edhe bashkëqytetarët e tij. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016