Nga Gazmend Agaj
Memorie.al / Karafil Shena, është një emër i njohur i Kinematografisë Shqiptare të para viteve ’90-të, por që herë pas here, është rikthyer në sheshe xhirimi. Ai lindi në Sarandë, ku mbaroi shkollën e mesme të Kulturës në vitin 1976 dhe më pas kreu studimet në Institutin e Lartë të Arteve (dega e dramës), të cilin e mbaroi në vitin 1981. Emigroi në Greqi në vitin 1993, ku ka interpretuar në teatrin dhe kinemanë greke e, kohët e fundit, ka marrë pjesë në disa produksione shqiptare. Në një intervistë për Radio “Ejani”, aktori Shena tregon për fillimet e tij në kinematografi, rolet në film dhe teatër, eksperiencën me teatrin dhe kinemanë greke si dhe projektet e fundit artistike.
Z. Shena, faleminderit për këtë intervistë në Radio “Ejani”.
Karafil Shena: Edhe unë ju falenderoj sepse, emisioni juaj më pëlqen shumë dhe ju ndjek edhe në Facebook, ku gjithmonë transmetoni gjëra me vlerë.
Flasim për rrugëtimin tuaj me kinematografinë në vitet ‘80-’90-të, ku ju keni marrë pjesë në disa filma shqiptar në atë periudhë. Si nisi ky rrugëtim për ju?
Kinemaja ime, po e quaj kështu, hera e pare, ka qenë viti 1980-të, kur përpara Institutit të Lartë të Arteve, që quhej atëhere, ne kishim një orë pushimi dhe ndaluan një grup burrash, midis tyre, ishte njëri pak si i thinjur, një burrë simpatik, i cili erdhi dhe më tha se; jam Viktor Gjika. Unë e kisha dëgjuar shumë, por si fytyrë nuk e njihja.
Ai më tha se, duhet të të bëj një foto provë dhe më bënë dy fotografi, një ballore dhe një profil e, kjo ishte historia. Pastaj më thirrën për të bërë një kinoprovë, ku e fitova rolin dhe kështu nisën xhirimet në shtatorin e vitit 1980.
Unë në atë kohë, isha në vitin e tretë dhe akoma se kishim mbrojtur diplomën. Diplomën e mbronim me teori dhe më një rol, ku qëlloi që e mbrojta me rolin e Fotaqit, të filmit të Viktor Gjikës, bashkë me Ardian Cergën dhe Arben Imamin.
Ky ishte shansi im i parë në kinema, të cilën do ta konsideroj që jam me fat, që më erdhi tek dera. Pastaj ky film, më hapi një rrugë shumë të mire, sepse për kohën, ishte film që theu shumë akuj, skematizma dhe ishte një film me një nivel cilësor.
Ju keni luajtur disa filma, në periudhën e artë të kinemasë së viteve ’80 -’90-të. Kë do të veçonit si rolin më të dashur?
Kjo është pyetje shumë e vështirë të paktën për mua, sepse rolet janë si fëmijët. Nganjëherë, rolin që e konsideron paksa më të dobët, nga dikë tjetër, atë do më shumë. Është si puna e fëmijëve, ku midis 5-6 fëmijëve që ka një prind, tek ai me dobësi, ka më shumë dobësi prindi dhe kështu ndodh edhe me rolet.
Unë nuk jam për prerje me thikë, që ky është roli më i mire, apo ky është më i dobëti. Për mua, të gjitha rolet janë interesantë, por do ta veçoja, si karakter, rolin e parë të Fotaqit. E veçoj këtë rol, sepse unë nuk jam ajo natyrë, por ishte rol i mirë dhe i spikatur, brenda karakterit dhe të gjithave gjërave të kohës.
Për disa vite ju keni qenë i angazhuar dhe në Estradën e Sarandës. Si kanë qenë për ju këto vite të jetës artistike?
Kjo gjë, është si një njeri që mbaron studimet dhe vjen në një trupë teatri, ku aty fillon beteja. Shkolla, patjetër që është frutdhënëse, por në fund të fundit, shkolla të mëson rrugët dhe për t’i shkelur këto rrugë, duhet të shkosh të punosh në teatër.
Atëhere, në përgjithësi brezi im, por dhe brezat e tjerë, kishin një paragjykim për estradën, na dukej një art tejet popullor, pa i futur këmbët në të.
Kur unë futa këmbët aty, pashë që ishte krejt ndryshe dhe do të thoja që Estrada e Sarandës, ku punova rreth 6 vjet e gjysëm, më ka ndihmuar jashtëzakonisht, për të bërë role të tjera, më të mira dhe me gamë më të madhe.
Në estradë, luan në një premiere, në 4 ose 5 role dhe unë isha aktori i dytë me shkollë, që vija aty, sepse i pari ishte Vangjel Agora dhe bombardohej me skeçe nga regjisori në skenë. Unë isha fytyrë e paparë dhe e panjohur, ku në 4 role që bën në një premiere, është e vështirë që të gjithë t’i kesh të mirë.
Ndërkohë, në Teatrin e Durrësit, kur shkova pas disa vitesh, të gjitha ato, më dolën shumë përpara, role që unë i kisha skicuar dikur dhe tani në teatrin e Durrësit. Po kështu, luaja filma dhe i materializoja, sepse karaktereve, ua kisha gjetur çelësin dhe në estradë.
Estrada për mua, ishte më profesionalja dhe më disiplinorja njëkohësisht, dhe dua të theksoj këtu, dy njerëz që nuk jetojnë më, regjisorin e estradës, Thoma Milaj dhe skenaristin, Enver Isufi.
Cili ka qenë angazhimi juaj pas viteve ‘90-të me teatrin dhe kinemanë?
Pas viteve ‘90-të ndryshojnë gjërat. Vepra ime e fundit, ka qenë në vitin 1989, një vepër e mrekullueshme, e një shkrimtari brazilian e vënë në skenë nga Arben Imami. Pastaj gjërat ndryshuan rrënjësisht, pas viteve ‘90-të, megjithëse kërkonim të mbaheshim në këmbë akoma.
Kam luajtur “Dario Fo”, dhe një vepër të një shkrimtari shqiptar, të cilën nuk e mbarova, sepse në vitin 1993, u largova në Greqi. Megjithatë, në Greqi aktiviteti im nuk pushoi. Kur shkon emigrant, duhet të mendosh së pari për mbijetesën dhe të ardhura ekonomike, por teatrin nuk e harroja kurrë.
Në vitin 2000, unë bëra debutimin e parë në teatrin skenik grek. Duheshin këto vite, sepse teatri nuk të pranon nëse nuk njeh gjuhën dhe nuk e flet mirë, sepse teatri, është dhe arti i të folurit, u mëson njerëzve se, si duhet të flasin, se si duhet ta përdorin gjuhën.
Kështu që kjo, më mori disa vite. Roli i parë, ku unë luaja 40 minuta dhe në pjesën tjetër mbaroja, më solli shumë fat, duke u parë nga shumë njerëz.
Atje një shfaqje teatrale, nuk shfaqet 20 herë, siç bëhet këtu në Teatrin Kombëtar, por shfaqet një sezon i tërë. Pra, fillojnë shfaqjet në nëntor dhe mbarojnë në fund të prillit, apo të majit. Pas kësaj shfaqje, pata një rol të dytë, në filmin “Mirupafshim”.
Në kinemanë greke, kam luajtur mbi 10-12 filma, me produksion grek, ndërsa teatër, më pak. Marrja pjesë në teatrin dhe kinemanë greke, ishte një shkollë e dytë nga shumë pikëpamje.
Sigurisht që, nuk jam i pari unë, sepse edhe të tjerë kanë ecur, madje, është një brez i dytë tani, të cilët flasin jashtëzakonisht mirë greqisht dhe janë pothuajse qytetarë grekë, që luajnë seriale shumë të mira në Greqi.
Të paktën tre djem, janë të mrekullueshëm dhe talente të tilla, të kësaj moshe, i mungojnë teatrit dhe kinemasë tonë sot.
Sipas mendimit tuaj, a ka sot kinema të mirëfilltë si dikur në Shqipëri?
Kinemaja e dikurshme, ishte një kinema që shteti i atëhershëm, bënte punën e vet dhe hidhte jashtëzakonisht lekë në këtë lloj arti. Në atë periudhë, prodhoheshin 14 filma artistikë në vit, ndërsa sot, prodhohet një gjysëm filmi, apo treçerek filmi në vit.
Kjo nuk do koment, sepse ardhja e një sistemi të ri në Shqipëri, solli një sistem, do të thoja pa doreza, anti art. Kam përshtypjen, që nuk e duan artin, as artin e kinemasë, as artin teatral, nuk e duan.
Kam përshtypjen tjetër, që i shqetëson dhe më duket sikur nuk rrinë rehat, në një sallë teatri. Kjo gjë, dalëngadalë, filloi të shkatërrohet, por shkatërrimi, sidomos erdhi nëpër rrethe.
Saranda është një qytet, që zhvillohet dita – ditës, por pas disa vitesh, Saranda nuk do të ketë më bandë qyteti, sepse ata muzikantë që luajnë sot, janë në moshë dhe do të largohen dhe nuk është menduar për talente të reja.
Nuk është menduar për një shkollë private, apo për ato të ashtuquajtura ‘Shtëpitë e Pionerit’, që sot janë zëvendësuar me ‘Shtëpitë e Fëmijëve’ për të cilën nuk ka asnjë lëndë aty, as për muzikë dhe për asgjë, sepse nuk paguhen njerëzit.
Kështu që, pak nga pak, këto do të rrënohen, siç kemi dhe një teatër të ndërtuar në vitin 1976 dhe i ka rënë suvaja, ku ka katër vjet, që nuk funksionon fare, me pretendimin që do t’i bëjnë një rregullim total, por të shohim…!
Cilat kanë qenë projektet tuaja artistike së fundi në lidhje me kinematografinë?
Në lidhje me filmin, unë vjet kam xhiruar katër filma, që nuk më ka ndodhur as në rininë time, dy në Greqi dhe dy në Shqipëri. Në Shqipëri, kam xhiruar një film, me skenar dhe regji të Edmond Topit, që quhet “Vdekja le të presë”.
Gjithashtu, kam bërë dhe një film shumë të mire, me regji të Pluton Vasit dhe skenar të Bashkim Hoxhës, fotografi të Spartak Papadhimitrit, që titullohet “Këtu vallëzohet me hijet”, i cili ka mbaruar dhe do të jepet se shpejti nëpër sallat e kinemasë.
Me kinemanë, kohët e fundit kam pasur një përqasje më të mire, sesa me teatrin. Keq më vjen për teatrin, se e dua shumë, por të dyja, i dua shumë, sepse, duken sikur nuk ngjajnë me njëra-tjetrën, por kanë një lidhje të jashtëzakonshme.
Pa teatrin, aktori nuk kultivohet dhe nuk ecën përpara, dhe aktorët, duhet të luajnë të paktën në teatër, që të jenë gati për film. Përveç pretendimeve që kemi, sigurisht që ka dhe anët e saj negative, të një vendi të varfër, me probleme të mëdha sociale, por nuk dua të pranoj një gjë prej atyre, që na financojnë, sepse ato pak para që hedhin për ne, ju duket sikur i hedhin poshtë dhe i çojnë dëm.
Nuk më vjen fare mire, që Maqedonia e Veriut, apo Kosova, të bëjnë filma më shumë nga ne, jo se ne jemi më të mirët, por kemi pasur një traditë ndryshe. Unë, nuk them të bëjnë 14 filma në vit, sepse ajo nuk ka për të ndodhur më në historinë e Shqipërisë. Memorie.al