Nga Gjet Kadeli
Pjesa e gjashtë
Memorie.al publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga Autoriteti për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhet një dosje voluminoze (dosja formulare e përpunimit me 433 faqe dhe ajo hetimore e gjyqësore me 632 faqe) në ngarkim të Gjet Kadelit, me origjinë nga fshati Bulshar i Oroshit të Mirditës dhe me banim në Bushnesh e Mamurras të Kurbinit, ish – i burgosur politik në regjimin komunist të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia, i cili kaloi plot 16 vjet në kampet dhe burgjet komuniste, si në Spaç, Burrel, etj. Siç do të shohim nga dokumentet që ndodhen në dosjen në ngarkim të Gjet Kadelit, e cila publikohet për herë të parë nga Memorie.al, survejimi dhe ndjekja ndaj tij, ka filluar që në vitin 1957, kur ai ishte në moshën 17 vjeçare, me raport-informacionin e oficerit të Sigurimit të Shtetit, Fahri Kraja, (në bazë të të dhënave të bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “Dylli i Bardhë”, me miratimin e Kryetarit të Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Krujës, nënkolonel Muhedin Kërxhalliu), ka vazhduar më pas edhe gjatë periudhës që ai ndodhej në kampe dhe burgje, si në Spaç, ku pas revoltës së majit vitit 1973, Gjeta u ri dënua, pasi ishte ideatori kryesor për ngritjen e flamurit pa yllin komunist, duke vijuar më pas në burgun e Burrelit, me raport-informacionet e Punëtorit Operativ, Piro Nuredini, etj., për bisedat e Gjetës me të dënuarit e tjerë të atij burgu, si: Pjetër Arbnori, Daut Gumeni, Abdulla Sallaku, Spartak Ngjela, Avni Aliko, Luan Burimi, Çaush Çoku, Kapllan Resuli, Bardhosh Gjonzeneli, Bashkim Shehu, etj. Survejimi dhe ndjekja ndaj Gjet Kadelit, ka vijuar edhe pas daljes nga burgu në vitin 1987, duke vazhduar deri në janarin e 1991-it, me shembjen e regjimit komunist, kur dosja e tij u mbyll përfundimisht duke u arshivuar në arshivën sekrete të ish-Sigurimit të Shtetit. Po kështu, një vend të rëndësishëm në dosjet e në fjalë, zë edhe korrespodenca me letra e Gjetës dhe familjes së tij, me babanë e tyre, Pjetër Kadeli, ish-ushtarak i Monarkisë së Zogut, i cili pasi kishte shpërthyer qelitë e burgut të Degës së Brendshme të Rrëshenit më 28 korrik 1950, qëndroi disa kohë në male në arrati, e më pas në vitin 1951, u kthye fshehurazi në Mirditë, mori dhe djalin e tij, Gjonin dhe u arratis në Jugosllavi e, më pas në SHBA-ës, ku qëndroi si emigrant politik, deri në fillimin e viteve ’90-të, kur u kthye përgjithmonë në Shqipëri. Gjatë kësaj periudhe kohe gati 35 vjeçare që, Gjet Kadeli është ndjekur dhe survejuar nga Sigurimi i Shtetit, ndaj tij janë angazhuar dhe aktivizuar plot 33 bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit, që kanë dhënë raportet e tyre, duke filluar nga “Dylli i bardhë” në 1957-ën, e deri te “Dallëndyshja e Malit” në 1990-ën, të cilat, do të pasqyrohen të gjitha të plota, ashtu siç ndodhen në dosjet përkatëse.
Raporti sekret i Punëtorit Operativ, Thanas Toto, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “Mbrehija”, lidhur me ndjekjen e survejimin e Gjet Kadelit dhe bisedat e tij, me persona të ndryshëm
Marrë: P.Op. Thanas Toto
Dhënë: B.p. “Mbrehija”
Raport i datës 23/2/1969
Burimi njofton se në datën 15/2/1969, është takuar me Gjet Kadelin, takimin e kanë bërë në shtëpinë e Gjetës në darkë, në biseda Gjeta tha se; tani jam mirë se kam punuar privat dhe kam fituar mjaft, këtyre po ua hedh mirë, tani tha Gjeta, e kam rregulluar pjesën me këta të mëdhenjtë e lokalitetit, se ua mblodha me punën e shtëpisë që deshën të më hiqnin nga Mamurrasi.
Por unë shkova në Tiranë, u takova me Gjolek Alinë dhe Mark Dodanin dhe se ata më ndihmuan mjaft, këta më thanë që unë të punoja me ta dhe unë u thashë po, këtë ua thashë sa për të kaluar radhën, ata janë një herë kopil por, unë jam 10 herë, ai në këtë kohë i thotë mua, mos më zërë në gojë këto punë se, jam i përvëluar, i kam lënë katër vëllezër me këtë pushtet.
Gjeta tha se; as unë nuk dua por, duhet bërë politike se nuk kalohet, unë për hatër këtyre qysh nesër, ua hedh e shkoj atje ku kam babën dhe vëllanë dhe njeriu bën qef, por çe do se, jam në halle të mëdha, ma mbledhin fëmija dhe nëna se, për gruan nuk pyes fare, më gjatë Gjeta nuk foli më, ai vazhdon të thotë se Gjeta, mban në xhepa fishekë të pushkës ‘Kallashnikov’ dhe revole, se ku i ka gjetur këto nuk dihet.
“Mbrehija”
Detyrë:
Takohu me Gjetën dhe në biseda me të, t’i thoni; Gjet, ti mua më ke thënë çdo gjë deri më sot, po ashtu edhe unë ty, por lidhur me atë që më the para ca ditësh, se unë po të dua qysh nesër iki, nuk më pëlqeu fare, se tani je bërë me fëmijë dhe duhet të shikosh hallet e saj, s’ka çfarë na duhet neve jashtë shtetit, neve largohemi pak dhe na merr malli dhe si të është mbushur mendja ty, ti këtu mirë po jeton, këtë ta them se do të marrësh veten më qafë se, të bësh një gjë të tillë, duhet të kesh të sigurt se, bie në kurth si miu, ti kesh të gjitha gjërat, që nga shoku e deri tek gjëja më e vogël. Kjo me qëllim se, çfarë do të thotë Gjeta.
Punëtori Operativ
Thanas Toto
Raporti sekret i Punëtorit Operativ, Thanas Toto, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “Mbrehija”, lidhur me ndjekjen e survejimin e Gjet Kadelit dhe bisedat e tij, me persona të ndryshëm
Marrë: P.Op. Thanas Toto
Dhënë: B.p. “Mbrehija”
Raport i datës 14/3/1969
Burimi njofton se me datën 7/3/1969, në shtëpinë e Gjet Kadelit, ka qenë Frrok Gjin Marku, nga katundi Malaj rrethit Mirditë, të cilin Gjeta e ka mik, ai shpjegon se Frroku, ka qenë i arratisur në Jugosllavi dhe para disa vjetëve, është riatdhesuar në Shqipëri, në kohën që erdhi Frroku në shtëpinë e Gjetës, është ndodhur edhe ai, kështu që në darkën e datës sipërme, ai qëndroi së bashku me Gjetën dhe Frrokun, gjatë bisedave që u zhvilluan në mes tyre, ndërmjet të tjerave, Frroku tha se:
Mos u mërzitni se viti 1970 erdhi dhe çdo gjë do të marrë fund, Shqipëria do të falimentojë si shtet, këtë gjë tha Frroku, unë e di që kur kam qenë në Jugosllavi që na thoshin jugosllavët, veç kësaj, Frroku tha se; këtë gjë mua ma ka thënë edhe një miku i jem në Tiranë, që këtij ja kishte thënë një shoku i tij që, është oficer në ushtri, se çdo gjë shpejt do të marr fund, Frroku vazhdoi duke thënë se; siç kemi vuajtur nuk do të vuajmë më.
Kur ishim në Jugosllavi tha Frroku, një i arratisur që quhej Nik Sokoli, na thoshte se; juve që do të shkoni në Shqipëri, do të vuani një herë por, më vonë nuk do të vuani, qëndroni të fortë dhe mos u tutni nga vështirësitë. Kurse Gjeta në këtë kohë, u përgjigj duke thënë, se; më keq se jemi, nuk kemi ku të vemi, por kështu nuk do të rrijë më, ky regjim do të ndryshojë, më gjatë nuk vazhdoj biseda midis tyre. Të nesërmen, Frroku u nis për në Rrëshen.
“Mbrehija”
Detyra:
- Takohu me Gjetën dhe në biseda më të thoni, ai miku jot që ishte atë natë, na foli shumë gjëra, se viti 1970 do të sjellë fundin e të tjera, a thua more Gjet, e kishte me tërë mend, apo foli sa për të kaluar radhën, si ta merr mendja ty, se ti e njeh mirë atë, me gjithë se dhe ti, deri diku e përkrah, a thua janë të sigurta këto fjalë, apo llafe të kota, se mua për veten time, nuk më mbushet mendja se me këto gjëra u mbushëm neve, flasim për t’i bërë qefin vetes, kjo me qëllim se çfarë do të thotë Gjeta.
- Ku të bjerë mundësia, takohu përsëri me Frrokun, dhe duke lidhur muhabetin, bisedoni përsëri rreth po kësaj bisede që juve kini bërë, duke thënë se; ëndrrat tona, nuk realizohen kur, këta sapo vine, po forcohen çdo ditë, kjo çfarë do të thotë Frroku.
Sqarimi i të dhënës:
E dhëna e B.p. duhet besuar, për arsye se ky B.p. ka dhënë edhe materiale të tjera në drejtim të Gjetës dhe kanë rezultuar të vërteta. Gjet Kadeli, ka babën dhe vëllain të arratisur jashtë shtetit dhe një xhaxha e ka në burg, është me origjinë nga Mirdita, Gjeta sot përpunohet për tendencën arratisje dhe si lidhje me legatën, lëvizjet i ka të shumta por më tepër në Rrëshen.
Frroku si mbas të dhënës, është miku i Gjetës, ka qenë në arrati dhe është riatdhesuar, për qëndrimin që mban sot, nga ana e jonë nuk dihet gjë, për këtë do të na sqarojnë shokët e Rrëshenit, mbasi si mbas të dhënës, kemi të bëjmë me dy persona të rëndësishëm, për arsye sepse, me që Frroku ka qenë i arratisur, mund të ndihmojë Gjetën, për t’u arratisur përsëri.
Masat Operative:
Për Frokun të korrespondojmë me Degën e Rrëshenit se çfarë personi është, në qoftë së ky është person i dyshimtë në drejtim të tij të drejtojë agjenturën për të parë si reagon ky dhe çfarë flet edhe për Gjet Kadelin.
Punëtori Operativ
Thanas Toto
Raporti sekret i Punëtorit Operativ, Thanas Toto, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “Çezma e Trojës”, lidhur me ndjekjen e survejimin e Gjet Kadelit dhe bisedat e tij, me persona të ndryshëm
Marrë: P.Op. Thanas Toto
Dhënë: B.p. “Çezma e Trojës”
Raport i datës 9/4/1969
Burimi njofton se para katër ditësh, Palok Ujka, Gjet Kadeli dhe Gjon Hoti, shkuan për darkë tek shtëpia e atij, gjatë bisedave që u zhvilluan, Gjoni tregoi për një N/Oficer në Kampin e Spaçit i cili, qe shumë i poshtër, ku tha se policat tanë s’janë gjë, kurse në Amerikë, policët janë me akademi dhe janë me shumë kulturë, kanë mundësi të mbajë një njeri dy vetë pa lëviz nga vendi.
Në këtë kohë, Gjeta tha se këta janë hora të poshtër, që s’kanë lënë gjë pa bërë, deri më sot, më andej Gjeta vazhdoi duke thënë, se; shumë dëmtime ka bërë ky tërmeti që ra tani andej nga jugu, por sikur të kishte rënë në Tiranë, ky tërmet do të që shumë mirë, që të zhdukte ata njerëz që flasin nga karrigia dhe nuk mendojnë për popull fare, por edhe Tirana, do ti vijë radha e do të tundet mirë. Më gjatë nuk vazhdoi muhabeti.
“Çezma e Trojës”
Detyra:
Takohu me Gjetën dhe në biseda me të, mësoni pakënaqësitë e tij dhe çfarë flet konkretisht, i bën përsëri këto biseda me shokët e tij apo, vetëm personat që shoqërohen me Gjetën, çfarë thonë dhe a i’a pasojnë fjalët e tija, po këta persona çfarë flasin dhe me cilët njerëz mbajnë lidhje.
Këto që thotë Gjeta, nga kush i dëgjon, i thotë nga mendja e tij apo, i dëgjon në radio, mos ka lidhje me ndonjë person tjetër.
Sqarimi i të dhënës:
Personat me të cilët Gjeta mban lidhjet sot, janë me qëndrim të keq, por ata veprojnë si mbas udhëzimeve të Gjetës, pasi ky është më i hedhuri. Të dhënat e Gjetës që kemi marrë dhe po marrim tani, janë të njëjta, vërtetojnë njëra-tjetrën se ky është element armik i fortë, prandaj ky duhet të jetë ne kontroll të plotë, po kështu dhe lidhjet e tija.
Punëtori Operativ
Thanas Toto
Raporti sekret i Punëtorit Operativ, Thanas Toto, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “Çezma e Trojës”, lidhur me ndjekjen e survejimin e Gjet Kadelit dhe bisedat e tij, me persona të ndryshëm
Marrë: P.Op. Thanas Toto
Dhënë: B.p. “Çezma e Trojës”
Raport i datës 28/08/1969
Burimi njofton se, në biseda me Gjet Kadelin, më datë 10/8/1969, Gjeta i tha atij se sot, nuk të fut kush në burg, sikur të flasësh çfarë të duash, rëndësi ka që të mos flasësh në prezencë të ndonjë x njeriut dhe më andej të dali dëshmitar e, kjo sidomos kur janë dy vetë, ndërsa kur është një njeri d.m.th. vetëm për vetëm, nuk ka rëndësi.
Në vazhdim të bisedave, Gjeta i tha atij se; para disa ditëve më thirri në Krujë, Kryetari Degës dhe më tha se; pse ti Gjet nuk e ndihmon Partinë dhe shtetin se mundësitë i ke, më andej më tha se ti Gjet, je në qendër të Mamurrasit ku, aty ka shumë njerëz të pakënaqur karshi pushtetit popullor. Në këtë kohë tha Gjeta, unë ju përgjigja duke i thënë se; më paguaj që ta dinë dhe njerëzit që unë paguhem për këtë punë, për ndryshe ashtu siç kërkoni juve, unë nuk kam mundësi me shkue e me marr thash e theme të kota për njerëzit.
Si përfundim, Kryetari më tha se neve punën më të madhe e bëjmë me njerëzit që janë armiq dhe punojnë me neve dhe këta nuk kanë lënë as një kriminiel, pa na e lëshue në dorën tonë, pastaj tha Gjeta, m’u kthye Kryetari dhe më tha se; neve kemi të dhëna shumë për ty, duke thënë se ti Gjetë ke dash të ikësh jashtë shtetit, kurse unë tha Gjeta, për këtë ju përgjigja duke i thënë se; unë po të doja me ikë, nuk më kishe ti më këtu, por kisha ikur me kohë të mirë dhe po ta bëj në mend me ik, juve nuk do ta merrni vesh fare.
Më andej Gjeta, vazhdon duke thënë se; këto gjëra nuk janë të vërteta, se unë po ta kemi ndërmend një gjë të tillë, as kujt nuk do t’ia them deri në sekondën e fundit që, të kaloj kufirin, se po t’i thuash ndonjë njeriu, ky me njëherë lajmëron kufirin dhe të kapin, ai në këtë kohë i thotë se; ti Gjet, me shumë njerëz po përpiqesh prandaj, kur ti ke nevojë, eja ke unë, ashtu siç vijë dhe unë tek ty e, qajmë hallet së bashku.
Burimi njofton se, më datën 20/8/1969, në takimin që ka bërë me Gjetën, tek puna në Shpërdhet, Gjeta i ka thënë atij, se; më kanë kërkuar nusen e kushëririt tim, që e kam të fejuar, për ta futur në organizatën e Rinisë, por unë i kam thënë që, të mos futet në as një mënyrë se, nuk i duhet gjë ajo punë, bile disa shokë të Partisë, i kishin bërë presion për t’u futur në rini, por ajo nuk kishte pranuar, sipas porosive të mia, ai në këtë kohë i thotë; po sikur more Gjetë, ajo të flas gjëkundi e të thotë se, më ka penguar Gjeta që, unë të mos futem në Rini, çfarë do të bësh ti?! Gjeta tha se; ajo është e vendosur dhe nuk i shpëton as një llaf nga goja e, asaj i thonë vajza e Palok Ujkës që, nuk i pret njerëzit në besë. Më gjatë, nuk vazhdoj biseda me Gjetën për këtë problem.
Burimi njofton se, më datë 23/08/1969, është takuar me Gjetën tek vija e ujit në Shpërdhet, në biseda që zhvilluam me Gjetën, aty ishin dhe disa persona të tjerë, si: Zef Gjergji nga Mamurrasi, Mëhill Ndreka, Dod Paçuku dhe ai, në biseda, Gjeta tregonte për disa letra që, i kishte dërguar baba i tij nga Amerika dhe në një letër, më thoshte se në Amerikë, apartamentet po ndërtohen 100 dhe 150 kate të larta që, nuk ta merr mendja se çfarë ndërtesash po bëhen sot atje dhe sa përpara është jeta atje. Gjeta më poshtë vazhdoi të thotë se; këta tanët, nuk flasin mirë për ata, për arsye që ai që është i varfër dhe mbrapa, nuk ja ka qefi për një që është në rregull dhe të flas realitetin që është.
Detyra
- Vazhdo të takohesh me Gjetën dhe në biseda me të, bisedoni dhe një herë punën e thirrjes së tij në Degë e, ku ka qenë qëllimi duke i thënë se; mua nuk ma merr mendja të kenë thënë kështu ata, pasi ti e unë, jemi të prekur nga ky pushtet. Mbi të gjitha, ti Gjet, atë ditë më çudite vetëm për punën e arratisjes që ta kanë përmendur, a thua se ke gjë në këtë drejtim dhe, po qe se ke heq dorë nga kjo punë se, e fik derën e shtëpisë dhe veten tënde, sa të jesh gjallë.
- Në biseda me të, bisedoni për punën e babës së tija, në se ka marrë ndonjë letër dhe çfarë thotë.
- Shikoni si mban kontakte Gjeta me Zef Gjergjin dhe në se ja zhvillojnë veprimtari së bashku.
Sqarim i të dhënës
E dhëna ka rëndësi të veçantë, kjo për vet faktin se, pse ashtu siç thotë Gjeta, është për thirrjen e tij në Degë, por disa gjëra, ky i ka shtuar si pas qefit të vet. Gjeta, B.p., i ka treguar se, çfarë u bisedua me ta dhe për propozimin tonë se, juve vetë kini kërkuar për të bashkëpunuar me organet tona, por që deri tani, nuk kini dhënë të tjera.
Ndërsa për tendencën e arratisjes, nuk i është thënë, këtë e ka thënë vetë Gjeta, si duket ky e ka ndërmend një gjë të tillë pasi, të gjitha ato që ky thotë, se jetesa në Amerikë është e mire, të lë të dyshosh se, ky ka tendencën e arratisjes, kohët e fundit, ky është larguar nga kooperativa dhe nuk punon fare. Nga ana e jonë, ky është marrë nën kontroll të plotë agjentural, për të parë çdo lëvizje të tij./Memorie.al
Punëtori Operativ
Thanas Toto
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016