Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon disa dokumente ku bëhet fjalë për import-eksportet, në të cilat janë një pjesë të analizës së bërë nga seksioni i Statistikës në Ministrinë e Financave të Monarkisë së Zogut në vitin 1937, ku jepen statistikat e tregtisë së jashtme dhe bilancet e kënaqshme që vinin nga eksportet e tregtarëve shqiptarë, me shtetet e huaja si: Italia, Greqia, Jugosllavia, SHB-ja, Çekosllovakia, Anglia, Franca, Zvicra, Egjipti, Gjermania etj. Të gjitha këto bëhen të ditura nga një botim voluminoz i Seksionit të Statistikës të Ministrisë së Financave të qeverisë shqiptare të Monarkisë së Zogut në vitin 1938, ku jepen shifra të detajuara për të gjitha bilancet e import-eksporteve, duke u vlerësuar si mjaft të kënaqshme, jo vetëm në krahasim me vitet e mëparshme, por edhe për kohën. Botimi i atij libri, i cili u shoqërua edhe me një broshurë të vogël me titull: “Disa vërejtje mbi tregtinë’ e jashtme të Shqipnis në vitet 1934-1937”, pati një jehonë të madhe në shtypin e asaj kohe.
Periudha e Monarkisë së Zogut, falë një legjislacioni modern tepër të përparuar për kohën, si dhe një sërë marrëveshjes ekonomike për tregtinë e lirë, që qeveritë e asaj kohe lidhën me shtete të ndryshme të Europës e më gjerë, Shqipëria njohu një zhvillim të madh ekonomik dhe si rrjedhojë edhe rritje të nivelit të jetesës së popullsisë së saj. Një nga burimet kryesore të të ardhurave që siguroheshin asokohe për buxhetin e shtetit, ashtu dhe për tregtarët e bizneset private, vinin nga tregtia e madhe e import-eksporteve, që zhvillohej me shtete të ndryshme të Europës e më gjerë, si: Italia, Greqia, Jugosllavia, SHBA, Çekosllovakia, Anglia, Franca, Zvicra, Egjipti, Gjermania etj. Të gjitha këto bëhen të ditura nga një botim voluminoz i Seksionit të Statistikës të Ministrisë së Financave, të qeverisë shqiptare të Monarkisë së Zogut në vitin 1938, ku jepen shifra të detajuara për të gjitha bilancet e import-eksporteve, duke u vlerësuar si mjaft të kënaqshme, jo vetëm në krahasim me vitet e mëparshme, por edhe për kohën. Botimi i atij libri, i cili u shoqërua edhe me një broshurë të vogël me titull: “Disa vërejtje mbi tregtinë’ e jashtme të Shqipnisë në vitet 1934-1937”, pati një jehonë të madhe në shtypin e asaj kohe. Një nga analistët ekonomikë të atyre viteve që shkroi një seri artikujsh në lidhje me botimin e Seksionit të Statistikës së Ministrisë së Financave, ishte dhe Ali Dhusho, nga i cili ne kemi përzgjedhur shkrimin e mëposhtëm.
Ali Dhusho: Dalja e “Statistikave” një sukses i madh
Në ditët e fundit, seksioni i Statistikës pranë Ministrisë së Financave, nxori në qarkullim, në një libër të madh, statistikën e tregtisë s’onë të jashtme të vitit 1937. Bashkë me statistikën qarkulloi edhe një broshurë 14 faqesh, të cilën e ka titulluar: “Disa vërejtje mbi tregtinë’ e jashtme të Shqipnisë në vitet 1934-1937”. Para së gjithash, e ndjejmë për detyrë ta lavdërojmë personelin e seksionit të statistikës, për punën shumë serioze qe ka bërë. Ky botim, nuk ka asnjë mungesë dhe është shumë më i plotësuar dhe më i mbaruar nga ata të vjetëve të kaluar. Shumë e dobishme dhe broshura q’i bashkëngjitet botimit të si vjetëm dhe vërejtjet plotësisht të arsyeshme. Kjo është një meritë e veçantë e Seksionit që i përpiloi dhe i botoi. Puna tashti është që vërejtjet, mësimet që na jep statistika, t’i marrim parasysh dhe në bazë të tyre të veprojmë, të marrim masa. Në shifrat që na jep statistika, arsyetohet plotësisht një optimizëm. Nga studimi i shifrave që tregojnë sasinë (kuantitetin) e eksportimeve, del se, këto, shkojnë duke u shtuar dhe nga ai i shifrave që tregojnë sasinë e importimeve, del se fuqia blerëse e popullit t’onë, sado pak, por është shtuar. Edhe njëri edhe tjetri, nga këto konstatime janë të kënaqshëm. Me përjashtim të djathit, të duhanit dhe nja dy artikujsh të dorës së dytë, të tërë artikujt të eksportasionit (eksportit), t’onë janë shtuar mjaft në sasi, në krahasim me vitin 1936. Radhën e parë si sasi në vleftë e zënë: leshi, pastaj vijnë lëkurat, ullinjt, voj ullinjsh, shtazët etj. Për sa u përket importimeve nga pikëpamja e sasisë (kuantitetit), në krahasim me vitin 1936, shohim një shtim të konsiderueshëm në pëlhurë mëndafshi (nga 1979 kg. që importuam më 1936, më 1937 importuam 7.359 kg.) dhe në oriz, lëkura të punuara dhe disa artikuj të tjerë një shtim ose pakësim të hollë. Nga pikëpamja e vleftës në krahasim me vitin 1936 kemi në importime një shtesë prej 2.089.666 fr. ar dhe në eksportimet një shtesë prej 2.740.444 fr. ar. Për pasojë deficiti ynë është pakësuar për 650.778 fr. ar (deficiti 1936 fr. ar 9.340.070; 1937 fr. ar.8.692.292).
Shqipëria importe edhe nga Brazili e Japonia
Në importimet t’ona, shtetet e ndryshe kanë këtë radhë: Italia, Jugosllavia, Rumania, Japonia, Inghliterë, Gjermani, Amerikë, Austri, Greqi, Belgjikë, Francë, Hungari, Brazil etj. Në eksportimet kanë këtë rradhë: Itali, Greqi, Amerikë, Çekosllovaki, Jugosllavi, Inghliterë, Francë, Zvicër, Egjipt, Gjermani etj. Kemi sufiçit kundrejt Italisë 3.117,356 fr, ar. dhe kundrejt Greqisë 288.999 fr. ar. Kemi defiçit kundrejt Jugosllavisë 2.200.720 fr. ar, kundrejt Rumanisë 2.172.925, Japonisë 1.268.533, Gjermanisë 948.895, Inghliterës 930.967, Austrisë 671.676, Belgjikës 579.116, Hungarisë 404.502, Francës 403.391, Egjiptit 323.533, Brazilit 304.323, Hindisë Britanike 244.472, Hollandës 136.360, Bullgarisë 136.791 dhe Amerikës 71.507 fr. ar. Në krahasim me vitin 1936, tregtia jonë e jashtme gjatë vitit 1937 ka pësuar këto ndryshime për çdo shtet: Italia, shtesë eksportimesh 3.04.293 fr. ar, shtesë importimesh 704.178 fr. ar, Greqia, shtesë eksportimesh 134.131 fr. ar, zbritje importimesh 89.346, Inghliterra: shtes importimesh 89.346 fr. ar, shtes eksportimesh 10.806 fr. ar. zbritje importimesh 407.861, Amerika: zbritje eksportimesh 240.161 fr. ar, shtesë importimesh 1.014.678 fr. ar, Çekosllovakia: zbritje eksportimesh, 9.831 fr. ar, shtes importimesh, 6.450, zbritje importimesh, 100.343 fr. ar. Austria: zbritje eksportimesh, 220.040 fr. ar, shtes importimesh, 181.763. Gjermani: shtes importimesh, 7.140 fr. ar, zbritje eksportimesh, 68.838. Egjipt: zbritje eksportimesh, 4.439 fr. ar, shtes importimesh 144.867 fr. ar. këto shifra janë shumë interesante dhe nga studimi i tyre dalin shumë mësime. Si përfundim mund të themi se nga rregullimi i ballancës s’onë tregtare për vitin 1937, nuk është dhe aq i keq.
Përmirësimi i ndjeshëm i bilancit tregtar me jashtë
Thamë se balanca jonë tregtare tregon një farë përmirësimi. Por duhet të theksojmë se ne, arsyet për përmirësim nuk i gjejmë në faktin se defiçiti i saj është më i pakët se ay i vitit 1936. Për ne kjo gjë nuk lot një rol me shumë rëndësi. Natyrisht është në nderin t’onë që defiçiti të jetë sa më i ulët, por do të jetë më shumë në favorin t’onë, kur pakësimi i tij është paketë e shtimit të eksportimeve dhe jo të shtimit të importimeve. Në rastin konkret, nga shifra e Statistikës së 1937-ës, del se gjatë këtij viti, u shtuan edhe importimet dhe eksportimet, si në sasi, ashtu dhe në vleftë. Kjo, na provon: Nga një anë se fuqia prodhonjëse e jona u përmirësua me qenë se kemi një shtesë të admirueshme në sasi dhe nga ana tjetër se fuqia blerëse jona, po u shtua. Si nga njëra dhe nga tjetra, janë në favor të optimizmit. Po le të vazhdojmë në analizën e shifrave. Eksportimet: Në krahasim me vitin 1936 me shtesë eksportimesh nga pikëpamja e sasisë: Vaj-ullinjsh 6.847 %, dru gjeth 162 %, shtazë 173 %, lesh 88.3 %, ullinj 67 %, peshk 89 %, lëkurë të papunuara 22.9 %, qymyr 20 %, vezë 0,5 %. Kemi zbritje importimi nga pikëpamja e sasisë: Duhan-cingare 3.25 % dhe djathë 0,8 %. Këto shifra janë mjaft elokuente. Nga sa marrim vesh se cilat nga produktet do të hiqet më shumë nga tregu i jashtëm dhe pra ku duhet të tregohet më shumë kujdesi ynë më i madh për shtimin e tyre në sasi dhe përmirësimin e tyre nga pikëpamja e cilësisë (kualiteti). Ullinjtë dhe vaji ynë hiqet shumë, sikundër dhe prodhimet blegtorale dhe pyjore. Pra, i gjithë kujdesi i shtetit të jetë për shtimin e prodhimit të këtyre artikujve. Po nga këto shikojmë dhe krahasime, na del se vezët tona nuk shënojnë ndonjë sukses. Kjo do të thotë se tregtia jonë e këtij artikulli, nuk është sa duhet e organizuar. Sa për anën e prodhimit nuk mund të pranohet se e kanë të paktë, dhe bile më e mirë se ajo e vitit 1930, por është e sigurt se ky artikull nuk paraqitet në tregun e jashtëm si ç’duhet. Pra, kujdesi ynë duhet t’i kushtohet tregtimit të këtij artikulli, që do të thotë, përmirësimi i kualitetit dhe paraqitjes.
Jemi pas në tregtinë e produkteve bujqësore
Por del edhe një gjë tjetër nga ana studimi i statistikës. Kjo është se në produktet bujqësore, Shqipëria bujqësore ka mbetur shumë pas. Barishtet (zarzavatet), dhe pemët t’ona, të cilat i kemi me një shumicë shumë të madhe, përse të mos figurojnë si artikull eksportimi? Përgjigja është e thjeshtë: Vullneti dhe mungesa e një organizimi për difuzimin (shpërndarjen), e tyre. Këtu do të na lejohet të ndalemi pak. Para disa vjetësh, me rastin e botimeve të statistikës s’atij viti, me një deficit të madh, në fletoret e vendit dhe në dokumente, kishin dalë kompetentë që mendonin se ishin dhe duke i rënë këmborës së rrezikut, bërtitnin; Ku vemi? Pyetja ishte plotësisht e justifikueshme, sepse rezultat i statistikës, ish me të vërtetë alarmonjëse. Por kur vinte radha të plotësoheshin “ilaçet” e shërimit, ose “masat e nevojshme”, ata, të ashtuquajtur kompetentë, propozonin: “t’u mbyllnin derën importimeve; të denoncojnë traktatet”, dhe të tjera gjysma masa. Shkronjësi i këtyre radhëve, atëhere pretendonte se një peshimi i ballancës s’onë, nuk duhet t’i kërkohet me anë të pakësimit të importimeve, të cilat, siç do të provojmë në këtë seri artikujsh, nuk mund t’i kufizojmë, me që janë të nevojës së parë të domosdoshëm për jetën dhe zhvillimin t’onë, por me anë të shtimit t’eksportimeve.
Shqipëria ka mundësi të mëdha eksportesh
Shqipëria ka mjaft sende për t’u eksportuar, dhe mund të prodhojë edhe lloje të tjerë, por këto nga pikëpamja e kualitetit dhe të paraqitjes së tyre si mall tregtie, në tregjet e jashtme bëjnë shumë për t’u dëshiruar. Shteti pra, sipas nesh duhet interesuar për përmirësimin e prodhimeve t’onë nga pikëpamja e kualitetit dhe për organizmin e tregtimit të tyre. Për sa i përket përmirësimit të kualitetit, duhet një punë sistematike dhe që të kalojë një kohë e gjatë. Lumturisht, ka një kohë që shërbimet teknike bujqësore dhe blegtorale si dhe pyjore, tregojnë një veprimtari të lavdërueshme, për përmirësimin e kualitetit të prodhimeve t’ona. Edhe sot, ndoshta shpejt ende, mund të shihen disa përfundime të kënaqshme, meritë kjo e teknikëve t’anë. Por shteti duhet të interesohet kryesisht edhe për difuzimin (shpërndarjen) e produkteve t’ona. Këtë gjë është një gabim ta besojmë se mund ta fitojmë vetëm me anë të traktateve tregtare, të cilat më shumë janë “betime apostolike”, se sa faktorë seriozë për shtimin e eksportimeve. Neve, na duhet t’organizojmë tregtinë t’onë të jashtme, në mënyrë që produkti ynë t’i paraqitet tregut, konsumatorit të jashtëm në formë të sinkronizuar. Sot, malli ynë, paraqitet jashtë “mos më keq”. Në është pak i dobët nga kualiteti, paraqitet dyfish i dobët nga tregtari eksportor i cili si ç’ e merr nga produkti edhe më keq e dërgon jashtë. Ndonjë kujdes serioz në paraqitjen e tij nuk tregon dhe sa për të gjetur ndonjë treg më të mirë, ku do ta vendos në një shumicë më të madhe dhe me një çmim më të mirë, “nuk çan aspak kokën’. I mësuar të tregtoj dy hapa larg tij, në i shiti atje, mirë, në mos…krizë. Për këto dhe shumë të tjera arsye, kishim propozuar që tregtia e jashtme jonë të organizohet, duke krijuar edhe një organizatë të posaçme. Një Institut për tregtinë e jashtme, i cili do të kujdeset për gjetje tregjesh të rinj dhe sidomos për paraqitjen e produkteve t’ona. Nevojën për Institute kësi llojesh e kanë ndjerë të tëra pothuaj, shtetet e botës, midis të cilëve edhe ata që kanë një zhvillim shumë të madh dhe e kanë krijuar. Ca më shumë pra duhet t’i krijojmë ne që jemi shumë pas si tregtar eksportorë. Por për këtë gjë do të flasim gjerë e gjatë njëherë tjetër…!
Përmirësimi i fuqisë blerëse të popullit
Përmirësimi i fuqisë blerëse të popullit, e gjejmë si pasojë e një politike të urtë të Qeverisë së sotme, e cila në pjesën e prodhimit t’onë kombëtar ka treguar një veprimtari duke i kushtuar një interesim të madh, duke u interesuar t’u ndihmojë klasave t’ona prodhonjëse. Nga pikëpamja e vleftës në krahasim me vitin 1936, tregtia jonë gjatë vitit 1937 tregon: në importime një shtesë për 12.34 % dhe në eksportime një shtesë për 36.86 %. Nga pikëpamja e sasisë diferenca, në përqindje shtese, është shumë më e madhe se kjo e vleftës, në favor të eksportimeve t’ona Gjithashtu analogjia midis shtesës në sasi dhe asaj në vleftë në krahasim me vitin 1936, nuk është për eksportimet, po ajo që shifet në importimet. Në eksportimet kjo analogji, është më e pakët se në importimet. Kjo provon se shtrenjtimi i mallrave t’ona është analog me atë të mallrave të huaja. Mallrave t’ona ose nuk iu përmirësua çmimi, ose ky përmirësim është në përqindje fare të vogël në kundërshtim me artikujt e importuar, çmimi i të cilëve përgjithësisht është shtrenjtësuar për një përqindje të mirë. Kjo duhet të na bëjë të mendohemi. Mallnat, që ne eksportojmë, nuk fitojnë në tregjet e jashtme çmimin e tyre. Kjo, padyshim i dedikohet dobësisë së kualitetit dhe të paraqitjes së tyre. Prandaj i tërë kujdesi ynë i duhet kushtuar të dyja këtyre pikave.
Pse duhen shtuar eksportet shqiptare?
Ne kemi pretenduar shumë herë se një peshim i ballancës s’onë tregtare nuk duhet kërkuar me anë të kufizimit të importimeve, të cilat për ne, për jetën dhe zhvillimin t’onë, janë të domosdoshme, por me anë të shtimit të eksportimeve. Importimet t’ona do të kufizohen vetëm kur do të mund t’i prodhojmë në vend ato që importojmë, siç u bë në vitin e kaluar me çimenton. Po të interesohet shteti, siç u interesua për çimenton, të krijohet edhe industria e sheqerit, do të kemi edhe zbritje të deficitit për 500.000 fr. ari. Një vështrim në radhorin e mallrave që importojmë, na bind se atyreve, është e pamundur t’u mbyllim derën e importimit dhe mjaft e dëmshme t’u kufizojmë importimin, pa u siguruar më parë për prodhimin në vend. Ne importojmë sasira të mëdha misër, pëlhura pambuku, sheqer, lëkura të punuara, lëndë ndërtese, penj, makina industriale, etj, gjëra këto pa të cilat s’mund të rrojmë dhe të zhvillohemi. Nuk është se nuk mundemi t’i kufizojmë këto importime, por këtë gjë nuk mund dhe nuk duhet ta kërkojmë me anë masash ligjore të drejtpërdrejta, por me anë të një pune serioze për prodhimin e tyre në vend, siç u bë me çimenton.
Në Shqipëri duhet të krijohet industria e sheqerit
Në analizën vjetore të statistikave të tregtisë së jashtme që bëri Ministria e Financave e Monarkisë së Zogut në vitin 1937, ndërmjet të tjerash doli si konkluzion se në Shqipëri kishte ardhur koha që të ngrihej industria e prodhimit të sheqerit dhe e përpunimit të lëkurëve në vend. Lidhur me këtë, në botimin e asaj ministrie thuhej: “Mundemi fare lehtë që të krijojmë industrinë e sheqerit dhe të lëkurave të cilat sigurojnë edhe një lulëzim. Gjithashtu mund të krijojmë edhe industritë e tjera të vogla lëndën e parë të të cilave mund ta gjejmë në vend. Po kryesisht, mundemi të kursejmë të nja 2.000.000 që për vit t’i dërgojmë jashtë për misër dhe grur dhe t’i shtojmë të ardhurat t’ona nga eksportimi i artikujve t’onë blegtoral, bujqësor dhe pyjor. Nuk është aspak për nder t’onë të importojmë misër nga jashtë duke qenë se kemi tokë të bollshme dhe pjellore. Me një fjalë, ne na duhet të zbatojmë një politikë bujqësore, blegtorale, dhe pyjore. Qeveritë t’ona, duhet të tregojnë çdo kujdes dhe interesim, me qëllim që t’i japin bujkut çdo mundësi për të shfrytëzuar tokën shqiptare më intensivisht dhe më metodologjikisht. Dhe me një gradë me të vogël. Duhet të interesohen, për krijimin e rrethanave të nevojshme, brenda së cilave të mund të punojë kapitali shqiptar, duke krijuar disa industri të reja. Për sa i përket pikës së parë të politikës që duhet zbatuar për ç’frytëzimin më sistematik të burimeve t’ona ekonomike, bujqësisë, blegtorisë dhe pyjeve, ne, nuk e gjejmë veten t’onë kaq të fortë dhe të përgatitur për të bërë ndonjë propozim konkret, por për sa i përket vënies së kapitalit shqiptar në punë për krijimin e disa industrive te reja, na gënjen mëndja se kemi një farë zotësie për të propozuar”.
Mendimi i ekonomistëve të Statistikës për uljen e evazionin fiskal:
“Ulja e taksave doganore, kufizoi kontrabandën”
Në botimin e Ministrisë së Financave të Shqipërisë së vitit 1937 në lidhje me statistikat e tregtisë së jashtme, ndërmjet të tjerash jepet edhe mendimi i ekonomistëve për dobinë që solli në atë vit ulja e taksave doganore, gjë e cila kushtëzoi edhe uljen e kontrabandës për shumë mallra që vinin nga importi. Lidhur me këtë, në botimin në fjalë, midis të tjerash thuhet: “ Edhe importimet t’ona gjatë vitit 1937, u shtuan në krahasim me vitin 1936, si për sasi, ashtu dhe për vleftë. Kështu, për sasi, kemi këto shtesa: Grurë, 44.75 %, sheqer, 10.8 %, lëkurë të punuara, 75 %, penj leshi, 33.5 %, penj pambuku, 11,4 %, pëlhurë të mëndafshtë, 25 %, automobila, 30 %, Kemi rritje, misër 21,5 %, çimento 27 %, dhe disa artikuj të tjerë. Nga ç’shihet një shtesë shumë e madhe konstatohet në pëlhurë të mëndafshtë. Këtë shtesë, Seksioni i Statistikës e shpjegon me faktin se u ul taksa doganore dhe pra u kufizua kontrabanda, që ushtrohej në vitin tjetër nga shkaku i doganës së lartë. Është më e sigurt se tagrimi i naltë ushqen kontrabandën, sepse presupozon pasurimin pa mundime, por ne nuk kujtojmë se shtesa konstatuese u shkaktua vetëm se u zbrit taksa doganore. Faktor kryesor ky, por ka edhe faktor të tjerë midis së cilëve një vend me rëndësi zen, përmirësimi i fuqisë blerëse të popullit t’onë. Po këtë gjë nëse u shtua fuqia blerëse e popullit t’onë, na thonë edhe shifrat e tjera, si t’artikujve që tregtojnë, ashtu dhe të atyre që tregojnë zbritje. Në fakt është zbritur importimi i çimentos dhe i duhanit, sepse gjatë vitit të kaluar Shqipëria e prodhoi vetë çimenton për aq sa i duhesh dhe kish një prodhim shumë të mirë misri. Sa për zbritjet e tjera, janë të parëndësishme. Por shohim një shtesë në grurë, oriz, sheqer, kafe, etj, nevoja të dorës së parë të popullit fukara”./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016