Nga Lulzim Mjeku
Pjesa e dytë
Memorie.al / Për të pasqyruar figurën e Ceno bej Kryeziut, nevojitet një rishikim i rrethanave historike të viteve ’20-të të shekullit të kaluar. Presidenti Zog, emëroi atë ministër të Punëve të Brendshme, pasi Ceno beu, e kishte ndihmuar të kthehej në pushtet. Opozita e asaj kohe, e akuzonte Mbretin Zog, se ai e kishte urdhëruar ministrin Ceno beg Kryeziu, të organizojë vrasjet e Bajram Currit dhe Luigj Gurakuqit. Sipas Sejfi Vllamasit, aktor politik i kohës, marrëdhëniet mes Presidentit Zog dhe Ceno bej Kryeziut, u përkeqësuan edhe më shumë. Tirana zyrtare filloi ta shikonte Ceno beun me dyshime, kryesisht si njeri që ndiqte politikë në dëm të interesave të Shqipërisë. Ceno beu, caktohet për ambasador të Shqipërisë në Beograd, në kohën kur marrëdhëniet Shqipëri – Jugosllavi, qenë acaruar për shkak të marrëveshjes që Presidenti shqiptar Ahmet Zogu, kishte bërë me Italinë.
Dy të shtëna vrasin Cena beun dhe miqësinë e tij ndaj sllavëve të jugut
“Prej atje me ndikimin e tij, ai filloi të punojë në përparimin e vendit të tij. Ishte merita e tij, deri në një masë, që në mënyrë të butë, është zgjidhur konflikti i porsa ndodhur midis Shqipërisë dhe Mbretit të serbëve, kroatëve dhe sllovenëve, për shkak të arrestimit të Gjurashkoviqit në Tiranë. Menjëherë pas zgjidhjes së kësaj mosmarrëveshjeje, dërgohet ambasador në Beograd, ndërsa tash ishte emëruar ambasador në Pragë.
Qëndrimi i tashëm në Pragë, nuk ishte i pari për Ceno beun. Qysh gjatë luftës, kur ishte i internuar nga armata austriake, ai për vend-qëndrim e zgjodhi Pragën, ku jetoi deri në fund të luftës. Që nga atëherë, ai ishte një mik i sinqertë i yni. Kur para disa kohësh, u muar iniciativa për hapjen e përfaqësisë diplomatike të Tiranës te ne, ai ka kërkuar që udhëheqja e misionit diplomatik në Pragë, t‘i jepet atij, sikurse njëkohësisht edhe në Beograd. Preteksti politik, ishte dëshira e tij për afrimin e Shqipërisë me “Antantën e Vogël”.
Mirëpo, në masë të madhe ai ka punuar më shumë në afrimin ekonomik midis dy vendeve. Duke i njohur mirë potencialet tona, ai erdhi me ide praktike dhe përparimtare. Ai deshi që në vendin e tij, të lansojë prodhimet tona, të ndërtojë atje me ndihmën tonë, fabrikë sheqeri dhe në panairin pranveror të Pragës, të prezantojë ekspozitën shtetërore të Shqipërisë dhe t‘ua hapë rrugën eksportuesve tanë, deri te lënda e pare, në vendin e tij, për të cilin ai nuk ishte vetëm përfaqësues i mirë, por edhe punëtor besnik. Se do të ishin kushtet e mira të këtyre marrëdhënieve ekonomike, dëshmon edhe ndërtimi i elektro-centralit në Durrës, miratuar nga enti çekosllovak.
Jo vetëm sllavët e jugut, por edhe ne, me këtë vrasje e kemi humbur një mik. Kjo e zmadhon dhimbjen tonë për këtë ngjarje tragjike. Dy të shtënat të cilat Cena beut ia morën jetën, në një farë mënyre, e vrasin edhe miqësinë e tij ndaj sllavëve të jugut. Ai ishte i bindur se, me idetë e tij, i kontribuon më së miri përparimit të vendit të tij. Ai i ka qëndruar besnik idesë se; Ballkani u takon popujve të Ballkanit.
Ai i qëndroi deri në fund miqësisë, në të cilën ai e ka parë një garanci për një të ardhme, më të qetë dhe më të lumtur të vendit të tij. Ishte xhentëlmen i madh, që të mos harronte miqësinë e atëhershme, me të cilën përpiqej t’i realizonte planet e tij për pavarësinë e Shqipërisë”, përfundon teksti në ballinën e gazetës çeke “Narodni Listy” e 16 tetorit 1927. Po këtë ditë, kjo gazetë sjell në faqen 5, një tekst tjetër gjurmëve të lajmit të vrasjes së Cena bej Kryeziut. Me titullin: “Hollësi të vrasjes së Cena beut”,
Ceno beu parandjeu vrasjen dhe bile tregoi edhe emrin e vrasësit!
“Narodni Listy”, thotë se viktima priste atentatin. Siç merret vesh, fillon teksti i gazetës, qysh disa ditë para arritjes së ambasadorit Ceno bej në Pragë, nga disa persona zyrtarë, ai pati paralajmërime se po përgatitej atentat ndaj tij. Si duket, vetë ambasadori kishte parandjenja të caktuara për fatin e tij, me ç‘gjë shpjegohet in-disponimi i tij, i cili në një masë, ishte shkaktuar edhe nga ethet malarike.
Disa miqve të ngushtë ai u shprehu hapur frikën e tij dhe thuhet se ua ka treguar bile edhe emrin e vrasësit, për të cilin kishte informata, se është dërguar pas tij. Ishte ky emër krejtësisht tjetër, nga ai me të cilin është legjitimuar vrasësi, gjë që mund të konkludohet se; ose ambasadori ka pasur informacione të gabuara, ose është dërguar njeri tjetër, ose se vrasësi i kishte dokumente të falsifikuara, për t‘i dhënë vrasjes kahe tjetër.
Se frika e tij nuk ishte e paarsyeshme, tregojnë edhe disa karakteristika dhe rrethana, të cilat u kuptuan nga rrethi i ngushtë i miqve të tij në Pragë. Ceno beu është dërguar ambasador në Beograd, por bashkëshortja, fëmija dhe nëna janë detyruar të mbesin në Tiranë, pasojë që ai, të mos e ushtrojë detyrën e tij jashtë vendit. Kështu, në njëfarë mënyre, familja e tij, ishte një lloj pengu që rastësisht të mos lindin mosmarrëveshje, në orientimin e politikës së jashtme të qeverisë shqiptare, kur ai me nxitim, merr qëndrim në rastin e konfliktit shqiptaro-jugosllav.
Ai jep dorëheqje si ambasador i Shqipërisë në Beograd dhe vazhdon të jetojë në Beograd, si afarist, sa të ndikojë në rrethanat e mëtutjeshme, e të cilat ka menduar se janë të dëmshme për vendin e tij. Nga kjo mund të konkludohet se; në këto rrethana, ishte guximi i tij i madh, për kthimin e tij në Beograd dhe, nga ana tjetër, nuk mund të mbyllen sytë ndaj faktit se, sa i madh ishte ndikimi i armiqve të tij.
“Narodni Listy”, vazhdon me theksimin e rrugës që kishte bërë vrasësi. Sulmuesi Alqiviadh Bebi, siç shkruan në pasaportën e tij, është nisur nga Roma, ku studionte në gjimnazin “Kolegio di Monte Mario“, me paramendim, që ta vriste Ceno beun. Bebi fillimisht, ishte nisur pas Ceno beut në Beograd, ku nuk e kishte arritur. Në rrugë për në Pragë, Bebi është ndalur në Vjenë, ku është vendosur në qarkun e nëntë. Menjëherë pas arritjes në Vjenë, ai është kontrolluar detajisht nga Policia, për të huajt. Dokumentet i kishte në rregull dhe deklaron se qëllimi i ardhjes së tij në Vjenë, është të regjistrohet në shkollën e lartë.
Por, ditën tjetër ai niset për në Pragë. Këtu, Bebi vendoset në “Hotel Ballkan“, në Smihov, Pragë. Që nga dita e pare, fillon ta kërkojë Ceno beun. Sipas rrëfimeve të dëshmitarëve, ai u takua me ambasadorin disa herë, mirëpo ambasadori gjithmonë ishte në shoqëri, kështu që vrasësi, nuk kishte rast të volitshëm për ta qëlluar për vdekje. Ai u përpoq të përfitojë një audiencë te ambasadori, në rezidencë në “Hotelin Passage“, mirëpo ambasadori e ka refuzuar. Kështu, ai e vrau ambasadorin, në gardërobën e kafenesë, kur ambasadori mbeti vetëm, pa parandier për asgjë.
Gjatë marrjes në pyetje në polici, vrasësi deklaroi se e ka vrarë Ceno beun me paramendim; se ishte gjatë verës në Elbasan, ku ka shkuar nga Roma, dhe se vjen nga një familje e varfër dhe se bursa e vogël nga Qeveria shqiptare, nuk i mjaftonte. Ai tha se ka menduar gjatë, për gjendjen e atdheut të tij dhe ka ardhur në përfundim se; fajtorë janë Ceno beu dhe Qeveria e tashme dhe se duhet ta mënjanojë atë. Alqiviadh Bebi, tha se revolverin e ka siguruar para tri vjetëve, pas vdekjes së babait të tij, me paramendim që të vriste veten. Ai është lexues i apasionuar dhe nga librat që kishte lexuar, kishte përfituar mendime pesimiste për jetën.
Policia e Pragës, ka qenë e paralajmëruar se ndaj ambasadorit shqiptar, po përgatitet atentati!
Ekstremisti i ri shqiptar, e vrau Ceno beun, ashtu siç kishte bërë më herët bashkatdhetari i tij, me Esat Pashain në Paris. Vrasësi, deklaroi se Ceno beu, ka dashur t‘ia shesë Shqipërinë Jugosllavisë. Konsulli shqiptar në Vjenë, Saraçi, dërgoi një kumtesë, e cila duhet të studiohet, sepse sjell marrëdhëniet e Ceno beut me Zogun.
Deklaratat e tij, duken të jenë të dyshimta, sepse nuk kishte të holla për studime, ndërsa kishte të holla për udhëtim të gjatë, në ndjekje të Ceno beut dhe se Qeveria të cilën ai e fajësonte, e kishte afër, në Tiranë. Është i dyshimtë edhe fakti se, ideja për këtë vrasje, i ka ardhur në shtëpi, ndërsa revolen e kishte siguruar për vetëvrasje, shkruan gazeta “Narodni Listy”.
Në këtë artikull, thuhet se përndryshe, e tërë historia për pikëpamjet e tij pesimiste për jetën dhe librat filozofikë që i kishte në valixhet e tij, janë shumë të pabesueshme. A do të mjaftojnë hetimet, me këto të dhëna, si në rastin e Daskallovit?!
Para çastit vendimtar, Ceno beu i urdhëroi detektivit përcjellës, të largohet. Gazeta “Narodni Listy”, vazhdon artikullin, duke njoftuar për shprehjet e ngushëllimeve. Sipas saj, në të gjitha ndërtesat e ambasadave të huaja në Pragë, në shenjë të ngushëllimit për vrasjen tragjike të ambasadorit shqiptar, Ceno bej, flamujt ishin lëshuar në gjysmë shtizë.
Ministri i Punëve të Jashtme, Dr. Benesh, i dërgoi qeverisë shqiptare, një fjalim të përzemërt ngushëllues. Për varrimin nuk është vendosur ende, por priten vendimet e vëllait të ambasadorit, Gani beut, i cili është në rrugë për në Pragë. Kufoma e të vrarit, nesër do t‘i dorëzohet Institutit gjerman të Mjekësisë Ligjore. Artikulli mban një mes titull të fundit: “Shtypi parisien, për vrasjen e ambasadorit shqiptar”.
Shtypi parisien, komenton gjerësisht vrasjen e ambasadorit shqiptar në Pragë!
Në “Journal des Debata” thuhet se i vrari Ceno bej, në funksionin e ambasadorit shqiptar në Beograd, pas notës së Shqipërisë ndaj Jugosllavisë, qëndroi luajal dhe mohoi lajmin për përgatitjet ushtarake të Jugosllavisë, në kufi me Shqipërinë. Kjo nuk ishte e mirëpritur për Romën, e cila pas reagimit të Britanisë së Madhe, është detyruar që tërë çështjen, ta lërë në harresë.
Kohët e fundit, është thënë se Musolini, bënte presion mbi qeverinë e Beogradit, për të ratifikuar të ashtuquajturën “Marrëveshjen e Nettunit”, ndërsa kuvendi i tashëm, është më pak miqësor se ai i mëparshmi dhe me këtë rast, do të vinte te tensionet e reja ndërmjet Romës dhe Beogradit.
Gazeta franceze, konstaton se Ceno beu, ishte me ndikim të ndërsjellë në Beograd!
Sipas gazetës franceze, ekstremisti i ri shqiptar, e vrau Ceno beun, ashtu siç kishte bërë më herët vendasi i tij me Esat Pashain në hotelin “Kontinental“ në Paris. Vrasësi deklaroi se Ceno beu, ka dashur t‘ia shesë Shqipërinë Jugosllavisë. Prokuroria e Parisit, e liroi vrasësin e Esat Pashës, a do të ndodhë i njëjti skandal edhe në Pragë, pyet gazeta franceze “Journal des Debata”.
“Politika“, e Beogradit: të gjitha rrugët të çojnë në Romë
Gazeta “Narodny Listy”, e datës 18 tetor, i kushton vëmendje atentatorit të Ceno beut, Alqiviadh Bebit. Me titull “Gjurmëve të vrasjes së Ceno beut”, gazeta shkruan se; vrasësi i ambasadorit shqiptar, i është dorëzuar të shtunën burgut të gjykatës. Hetimet do të zhvillohen shumë shpejt, në mënyrë që prokurorit, t‘i dorëzohet sa më shpejtë. Procedura e shpejtë do të jetë e rëndësishme, ashtu si edhe dënimi i krimit. Mirëpo, do të varet shumë edhe nga fakti që, procedura të mos kufizohet vetëm në konstatimin e vrasjes dhe në ato që i ka pranuar vrasësi.
Vrasja e ambasadorit Ceno bej, ka zgjuar interesim të madh edhe përtej kufijve të Çekisë. Vëmendja më e madhe ndaj të huajve, sipas xhandarmërisë, do të intensifikohet në procedurë gjyqësore. E kemi shpjeguar më herët menjëherë pas vrasjes, se në çfarë bazash ka rrjedhur gara politike, pasojë e së cilës, është sulmi vrasës në Ceno beun. Konsulli shqiptar në Vjenë, Saraçi, dërgoi një kumtesë, e cila duhet të studiohet sepse sjell marrëdhëniet e Ceno beut me Zogun.
Nga ana tjetër, edhe për marrëdhëniet e tij me diasporën shqiptare. Diaspora shqiptare, e shpërndarë nëpër vende të ndryshme të Evropës, është e orientuar politikisht, në të njëjtën kah nga ishte orientuar edhe Ceno beu i vrarë. Nga kjo vihet në konkludim, se atentati nuk është pjellë e emigracionit shqiptar. Vetë atentatori, nuk ka qenë emigrant, por stipendist i qeverisë shqiptare. Vetë z. Saraçi, ka aluduar se burimin e vrasjes, duhet kërkuar në rrethin e shqiptarëve në Romë.
Nëse edhe ai prejudikon vendin nga rrjedh krimi, nuk është për t‘u çuditur, komenti i shtypit jugosllav, botuar në gazetën “Politika“ të Beogradit, se në të gjitha këto rrethana, të gjitha rrugët të çojnë në Romë. Tashti del në pah se në çfarë rrethanash të politikës ndërkombëtare u bë ky akt, i cili ka ndodhur të premten në mbrëmje në një kafene të Pragës. Nuk mund të lihet në harresë, që hetimet gjyqësore, të bëhen sa më të thella e të gjithanshme, të zhvillohen në thellësi, deri në vendin e burimit.
Sot, kur edhe shtypi ndërkombëtar shkruan gjerësisht për këtë vrasje, do të ishte e kotë të fshihet e të mos përmendet ajo, të cilën e kemi theksuar të dielën. Policia e Pragës, ka qenë e paralajmëruar se në ambasadorin shqiptar, po përgatitet atentati. Ceno beu, ka qenë po ashtu i përcjellë me një detektiv, të cilin para çastit vendimtar, i ka urdhëruar të largohet. Është pikëpyetje se; a do të mund të parandalohet vrasja në atë vend, edhe po të mos ishte larguar detektivi?! Do të ishte më mirë të ndalemi te personaliteti i vrasësit.
Fillimisht, ai ka shkuar pas Ceno beut edhe në Beograd. Nga gazetat beogradase, kuptojmë se pa kurrfarë dyshimi në dokumentet e tij, megjithatë në stacion, atij i merret pasaporta. Ai ishte gjithë kohën nën përcjellje policore dhe ka qenë i detyruar, të lajmërohet në Polici. Gjatë largimit të tij nga Beogradi, kanë qenë të paralajmëruara organet e sigurimit. Në Vjenë, me të arritur në hotel, ishte kontrolluar detajisht nga Policia.
Mirëpo, këtu te në në Pragë, ku po ashtu është lajmëruar me pasaportë shqiptare, ka qarkulluar katër ditë, pa kurrfarë kontrolli. Edhe pse konsiderohet se dokumentacioni i tij do të duhej të zgjonte dyshim, është për habi, se si vrasësi, si huaj që është, është orientuar në Pragë, shumë mirë dhe si ka ditur tërë kohën, se ku ndodhet Ceno beu dhe detaje të tjera të ngjashme.
Çfarë tha autopsia?!
Autopsia e kufomës në Institutin gjerman të Mjekësisë Ligjore, u konstatua se i vrari qe qëlluar me dy plumba. Njëri plumb e kishte qëlluar pas kokës dhe kishte depërtuar në tru, ndërsa tjetri pas shpine, kishte arritur deri në stomak. Forma e revolverit, këmbëza e të cilit ngrehej vështirë, e vërteton konstatimin se vrasësi, ka qëlluar nga afërsia e madhe. Vrasësi ka qenë afër, por edhe revolen e ka ofruar shumë. Kufoma e ambasadorit do të balsamohet sot. Ajo do të vishet me uniformë ushtarake dhe do të vendoset në lokal mbyllur, shkruan gazeta “Narodny Listy” e Pragës.
E përditshmja tjetër “České Slovo”, pesë ditë pas atentatit mbi Ceno bej Kryeziun, më 19 tetor, ne ballinën e saj, njofton me titullin: “Nga prapavija sensacionale e atentatit, mbi Cena beun”. Në Vjenë, ka zgjuar vëmendje të madhe rruga e papritur e konsullit të atjeshëm shqiptar Saraçi, në Pragë. Arsyeja e rrugëtimit të tij, ishte intervista të cilën ia dha revistës “Rano”. Në qarqet e informuara, pohohet se qëllimi i rrugës së konsullit ishte pikërisht kjo intervistë, ndërsa nga përmbajtja e intervistës së tij, se ka gjurmë në atentatin mbi Ceno beun.
Në intervistë, thuhet diçka për mërgatën shqiptare në Romë, që nuk përputhet me bazat e logjikës politike. Emigrant është ai i cili largohet nga vendi, i cili nuk pajtohet me regjimin ekzistues të vendit të tij. Sot në Shqipëri, mbretëron regjimi italofil, kështu që në emigracion, mund të jenë vetëm ato qarqe që kundërshtojnë regjimin. Ndërsa, emigracioni nga Jugosllavia mike, nuk do të shtinte në Ceno beun. Nëse konsulli Saraçi, pohon se atentati në Ceno beun, buron nga rrethet e emigracionit shqiptar në Romë, nuk përputhet me asnjë fakt, që do të thotë se me këtë don të fshehë diçka. Është indicative, pse insiston aq shumë, për publikimin e opinioneve të tij.
Flitet zoti Saraçi ka shkuar vetë te redaktori i revistës “Rano”, për të dhënë intervistën. Qarkullon gjithashtu shprehja se; atentatori në Cena beun, studenti Bebi, gjatë kalimit në Vjenë, e ka vizituar Saraçin. Mbi të gjitha këto, është e ditur edhe ndikimi i Saraçit në Bari, ku ka qenë konsull, e po ashtu edhe në rrethanat e ngjarjeve të jashtëzakonshme. Duke i marrë parasysh të gjitha këto rrethana, për prapavijën e atentatit, konsiderohet se detyra e policisë së Pragës, është shumë e vështirë.
Çudia më e madhe është se, Policisë së Pragës, gjithashtu edhe Policisë së Vjenës, i është tërhequr vërejtja, se po përgatitet atentati mbi Ceno beun dhe se ku dhe kush mund ta kryejë atë. Policia, nuk ka ndërmarrë masa të mjaftueshme, në kufi, ose të bëjë kontroll kundër personave si Bebi. Këtu mbretëron interesim shumë i madh, për rezultatet e hetimeve dhe gjithçka po ndiqet detajisht. Qarqet ndërkombëtare, presin dënim ekzemplar për vrasësin”, përfundon artikulli në ballinën e gazetës “Ceské Slovo”.
Më 21 tetor, “České Slovo”, përveç botimit të artikullit, sjell edhe fotografinë e kufomës së Ceno beut, të balsamuar në arkivol. Kufoma e ambasadorit të vrarë shqiptar, është ekspozuar në arkivolin me xham, në sallonin pranues në stacionin e “Wudroow Wilson”. Dje paradite, ishte hapur për përfaqësuesit e zyrave dhe qarqeve diplomatike, për t‘i dhënë nderimet e fundit, ndërsa numri i tyre ishte i madh.
Ata u nënshkruan në librin e zisë. Në ora 11, arriti ministri i Punëve të Jashtme, Dr. Benesh, me disa zyrtarë nga Ministria e Punëve të Jashtme që në emër të qeverisë dhe në emër të tij personal, t‘ia japë nderimet e fundit ambasadorit shqiptar, të vrarë tragjikisht.
Ministri Benesh, është nënshkruar në librin e ngushëllimeve dhe e vuri një kurorë mbi arkivolin e ambasadorit shqiptar, Ceno bej. Përveç tjerash, kurorë lulesh vuri edhe delegacioni diplomatik nga Beogradi, ambasada e Shqipërisë në Pragë dhe shumë miq të tij.
Gazeta beogradase “Politika”, për vrasësin e Cena beut
“Politika”, e Beogradit, njofton më 20 tetor, se vrasësi i Ceno beut, Alqiviadh Bebi, pas një dëgjimi të gjatë, ka pranuar se e ka vrarë ambasadorin shqiptar, me udhëzimin e profesorit italian Baldacci, i cili ka tërhequr vërejtjen se, Ceno beu është tradhtar, se ai po e tradhton Shqipërinë te Jugosllavia. Për këtë, ka deklaruar se është i gatshëm t’i jep Bebit, për këtë qëllim në dispozicion, një shumë të madhe të hollash.
Para nisjes së tij nga Roma në Elbasan, Bebi, i ka pritur kot të hollat e premtuara, kështu që përfundimisht e ka marrë rrugën krye më vete dhe me shpenzime të veta. Për personalitetin e profesorit Baldacci, “Politika” e Beogradit, thotë se ai është armik i përbetuar i Jugosllavisë dhe se në vitin 1918, e ka përfaqësuar Italinë në Mal të Zi dhe që atëherë, është përpjekur të shkaktojë kryengritje separatist, në mesin e malazezve.
Para një kohe, Baldacci u dërgoi disa malazezve që jetojnë në ekzil, letra me të cilat ai i thërret ata në luftë, për pavarësinë e Malit të Zi. Baldacci ka vepruar gjithashtu në Shqipëri, ku ka shpërndarë propagandë italiane dhe ka organizuar ndërhyrje të ndryshme në territorin jugosllav.
Në anën tjetër, ish-kryeministri shqiptar, Fan Noli, deklaron në emër të organizatës “Për Shqipërinë e Pavarur”, se fijet e atentatit në Pragë çojnë në Tiranë, ose në Romë, ose në të dyjat, në interes të të cilave ishte të likuidojnë Cena beun, i cili mbështeste Jugosllavinë, përfundon gazeta e përditshme “České Slovo” e datës 21 tetor. Memorie.al