Nga Mark Ndoja
Pjesa e katërt
Memorie.al/ Libri epistolar nga shkrimtari Mark Ndoja, përmban letra nga kampi i dënimit politik i ishullit të Zvernecit 1965-1968 dhe burgjet Tiranë, Zadrimë, Burrel, 1956-1960. Janë 102 letra dërguar bashkëshortes, Milena, shpesh në formë epitalmesh korale, gjithashtu letrat ndaj familjarëve nga Zvërneci dhe 27 letra nga burgjet e Burrelit, Zadrimës, Shkodrës, etj. Libri ka një parathënie të mjekut të kampit të Zvërnecit Dr. Safet Kelliçi, që e kishte vizituar Markun 15 herë në Ishullin e Zvernecit gjatë vitit 1966, i cili i zhvillonte biseda letrare në formë leksionesh ilegale në ishull. Korrespondenca burrë grua e shkrimtarit në kushtet e burgut, është unike, pavarësisht se e monitoruar nga Sigurimi i Shtetit, duke krijuar kohën e ngjarjet nga vete protagonistët, si kronotopi elegjiake me pësimet prometeane që evokojnë malet e Skithise së Eskilit.
9-VI-65
I dashun Luli,
Më shkruaj si u kthyet me mamin. Unë u kënaqa me takimin tuej të paharrueshëm. Pashë se po bahesh djalë i mbarë e i zgjuar. Por ato notat e mësimeve duhet t’i përmirësosh, siç të thashë edhe me gojë, atë natë që kaluem së bashku këtu. Letrat që më ke dërgue deri tash, kanë qenë të rralla e tepër të shkurta. Pse kështu? Unë besoj se po t’i shpupurishës trutë një çikë më shumë, do të gjesh patjetër se ç’ka me më shkrue, se për ç’ka me më vu në dijeni nga jeta e familjes dhe nga jeta jote në shkollë.
Më shkruaj edhe për Lekën, sesi i’a çon ai me ty e me të tjerët, sesi luan e tallet, si i’au merr përrallat. Po ta shohësh lali Vangjon, bani të fala nga ana ime. Po të dojë me më shkrue ndonji copë letër, jepja adresën time. Sidoqoftë ti mos e harro kurrë, sepse ai asht daja yt, e ke njeri shumë t’afërt. Natyrisht ti do të shikosh gjithmonë, që të mos i randohesh në asgjë, me asnjë mënyrë.
Gjyshit e gjyshes dhe tezes sate Melës, banu të fala, ndigjoje fjalën e tyne e dueji gjithmonë. Në shtëpi sjellu mirë urtë e butë me mamin, duaji e mbroji nga rreziqet tët motër, Marintën, e tët vëlla Lekën, që janë më të vogjël se ti. Mos i merr kurrë me të keq. Marinta është vajzë e butë e bindun.
Në mbramje mbas darke merre gjithmonë e shkoni në banjë, t’i lani dhëmbët me kolinoz mirë e mirë, përpara se me fjetë. Përndryshe më vonë do t’u prishen dhambët, do të vueni, do të detyroheni t’i hiqni e t’u shëmtohet goja. Po të porosis edhe një herë për mësimin e rusishtes. Në këtë landë mos të ndigjoj më se merr notë më t’ulët se 8. Tashti të përqafoj e të puth faqet nga larg.
I paharrueshmi
Babi yt
Marku
9-VI-65
Shum e dashuna Marintë
Shpresoj se nuk je mërzitë që s’të mori mami me veten për t’ardhë të më shohësh. Besoj se mami ta ka spjegue sesi unë jam fare mirë. Ti s’mund vije këtë herë, meqë kishe kambën e sëmurë.
Si ndjehesh me shëndet tashti? Ruaju, o Marintë, nga rrëzimet e gërvishtjet, se ato janë të rrezikshme. A e pe si të zu kamba ujë? Nga të vramet e gërvishtjet, vinë shpesh herë rreziqe edhe më të mëdha.
Pse s’më shkruen letra më të gjata ti Marintë? A s’gjen më tepër se 10 ose 12 radhë, për të më shkrue? Gërryeji një çikë më tepër trutë e do të shohësh se ke plot gjana, për të më shkrue, plot gjana që unë due t’i di dhe do t’i lexoja me shumë qef.
Unë due të di, fjala vjen, sesi i ke marrë notat, sesi vete me shoqet e tua, sesi vete me zojushet, sesi i ban detyrat në shtëpi, sesi sillesh me Lekën, sesi i bindesh mamit e Lulit, sesi e sa luan, se ç’ka e sa lexon, etj., a e sheh sesa gjana mund e duhesh të më shkruesh?
Mua më ka marrë malli fort për ty. Të due se je vajzë e butë, por s’duhet të jesh pak si hutaqe, ashtu si e kishe zakon nganjëherë edhe kam gabue e jam sjellë egër me ty, por unë shpresoj se ti, ia ke falë babit tand këto sjellje t’ashpra me ty, bijë e dashun.
Marintë! Mëso shumë e siellu mirë në shkollë. Pa këto s’do të bahesh dot një çupë e mirë, ashtu si duen babi e mami, ashtu si besoj ta do shpirti edhe ty. Mos u habit rrugëve, tue vrejtë vitrinat e dyqaneve. Mos thyej gotat e qelqurinat në shtëpi. Banu vajzë e zgjuar e puntore, e dashun e trimneshë, ashtu si të do e t’uron babi yt i paharrueshëm.
Të përqafoj e të puth ballin e syt përsëlargu
Babi yt i dashun
Marku
23-VI-1965
Shumë e dashuna Milenë
Jam mirë. Kam nja 3 dit që kam fillue banjot e diellit n’orët e mëngjesit, kur veprojnë rrezet ultravjolet. Dje në drekë isha më lehtë se ditët e tjera nga reumatizmi. Më vonë do të përpiqem ta kombinoj edhe me banjot e ranës, për kurën e jodimit. Thuhet se është një banjë efektive kundër reumatizmit. Të shohim!
Një pjesë të ditës e kaloj me përkthimin e Dantes.
Zbavitem shumë me të, por edhe lodhem për t’i gjetë formën shqipes, pa u largue nga origjinali, për të respektue teknikën letrare aq rigoroze të tekstit, për t’i dhanë shije gjuhës letrare të përkthimit.
E vërteta është se deri tash, nuk jam i pakënaqur. Eksperienca e përkthimit të mundshëm të ‘Ferrit’, po më ndihmon shumë.
Stili sa vete po bahet ma i zhdërvjelltë e i kuptueshëm, me gjithë vështirësitë e origjinalit që është aq enciklopedik e, për pasojë edhe tepër i rëndë hera-herë. Shkurt, unë besoj se përkthimi im, do të mund të lexohet me endje e pa vështirësi edhe prej lexonjësve me një kulturë nën mesataren. E përkthej njëherë e pastaj i jap dorën e dytë në të pastër. Do të duhej edhe dora e tretë, por për atë do të mendoj, mbasi të jetë mbarue gjithë puna.
Ti je dëshmitare vetë, që më ke pamë se Ferrin e mora nëpër duar 7 herë, fillim e mbarim. Për ‘Purgatorin’ s’besoj se do të detyrohem të veproj ashtu.
Dje mbarova kangën XVI të ‘Burgatorit’. Pra deri tash kam përkthye 8 kangë. Kështu tashti gjithësejt kam përkthye 50 kangë, nga ‘Komedia Hyjnore’, d.m.th. jam në gjysëm të punës.
A të mërzita shumë me këtë dërdëllitje të gjatë letrare, që sot për sot s’ka asnji vlerë reale për ty? Po për mue? Mue më zbavit e më dëfren. Kushedi kur t’arrij te ‘Parrizi’ a do të më dëfrejë kështu? Besoj edhe atje, Danteja mbetet Dante, do të më dëfrejë e të më mahnisë, në rast se i gjej fjalët dhe teknikën e përshtatëshme, si në Ferr e në ‘Burgator’.
Ti si po je me shëndet dhe fëmijët si janë? Unë mendjen gjithë tek ju e kam. Prindët e tu e jot motër si janë, e a gjetën ende shtëpi? Si po ia çon me Lekë Ndojën? A po bahet çun më i miri, si i ka thanë babi?
Letra jote më gëzoi për notat e mira të Marintës. Jam i preokupuem për shëndetin e mundimet e tua. Përpiqu e ban ndonjë kurë për reumatizmin, se po ta lësh sa vjen e të randohet. Ti më thue se pret letra të gjata prej meje. Po ç’të të them në këto letra? Se të due si syt e ballit e s’të harroj as natë as ditë? Po ti këtë e din me kohë.
Të të them se më mori malli shumë për ty? Edhe këtë ta kam thanë kaq herë me letra e me gojë. Sa e sa herë më kujtohet gjithë jeta jonë qëkur u dashuruem së pari e deri më sot. Zemra mua më kënaqet e më shtërngohet, më mbushet me gaz e me poezi, përzie me helm e me gjemba. Ç’ti bajmë, o Milenë e dashun!
Kështu qenka jeta: e përzieme me lule e gjemba, me helme e mjaltë. Dhe s’është vetëm për ne kështu. Gjithëkush, më shumë e më pak, me doza më të mëdha e më të vogla, idhnimesh e gëzimesh, kështu e ka të përzieme jetën.
Pra duhet të mendojmë si filozofi që tha se: “Kush është i kënaqun me atë ç’ka ka, ai asht i lumtun”! por a mund të jemi të kënaqun unë e ti, më këto që kemi? Po edhe mundet të jemi të kënaqun, derisa kur analizojmë ndërgjegjen tonë e s’gjejmë në të, asnji krim kundër kurrkujt, kundër shoqnisë njerzore, kundër vetes as fëmijëve tanë.
E po vuejtjet? Ato janë për njerzit: sejcili do të heq pjesën e vet, prej tyne në këtë jetë. Edhe Danteja që ka përshkrue jetën e përtejmë së cilës ai i besonte, vuejtjet e gazet që përshkruen atje, në këtë jetë e kishte pamë.
Unë besoj në karakterin tand prej grueje puntore se do të mundesh t’i kapërcesh me njëfarë qetësije shpirtnore andrallat që na ranë mbi krye. Puna është mjeti më efektiv për kalitjen e njeriut, e për formimin e karakterit të tij të fortë e të duerueshëm. Por të lutem mos e tepro me punë.
Ti ke një zakon të keq, që mbasi të jesh lodhë mirë e mirë në punë arsimore, vjen e coptohe në punët e shtëpisë, me të cilat s’di të sosun. Tashti që s’më ke pranë me të heqë vrejtjen, kushedi sesi coptohesh me atë të shkretë punë! Kij mendjen e mos vepro ashtu, për dashuninë time, që asht e vetmja gjë që ti e beson dhe përbetimi mbi të mund të mbajë.
Mue këtu s’më mungon gjë për një jetesë të durueshme, madje edhe relativisht mjaft mirë. Ushqimi është i mjaftueshëm e me substancat e nevojshme, për trupin e njeriut. Kemi edhe një copë kopësht për njomishtet. At duhan, që ësht luks e helm njiherit, nuk na mungon. S’kam tjetër të të shkruej në këtë letër, që po e përfundoj tue të përshëndetë, tui t’urue shëndet e qetsi shpirtnore, t’ue të përqafue e tue të puthë njëmijë herë së largu, si burri yt i paharrueshëm, që të ka në mend e në zemër përgjithmonë si njeriun e vet më të dashun, mbi tokë.
Marku
P.S. Për ditëlindjen tande urime e puthje të zjarrta në syt e t’u të dashun. Po të baj edhe telegram. Urime e puthma edhe Marintën për ditëlindjen e saj.
Marku
Shum i dashuni Lekë Ndoja,
Babi të ka xhan dhe të mendon gjithnjë edhe kur bjen me fjetë të përqafon së largu e flen me ty. Mamin dueje fort e puthe në gushë e në syt. Faleminderit që më shkrove letër me dorën tande. A je bë çun i mirë fort ti o Lekë? Mami thotë se paske qërue bizelet. Ashtu të jesh gjithmonë i mirë. Luli a të tregon përralla, o Lekë?
E po Dada a të ka xhan, apo të ve në pendesë ke qoshja? Dueje shumë vëllanë edhe motrën, se ata janë të mirë. Mamin dueje më shumë se të gjithë. Mos harro babëgjyshin e mamgjyshen, që të duen fort. Kur të vijë rasti do të t’jap shumë gogla qiparisi me luajtë me to. Puthe mamin në dy faqet, në gushë e në sy, për ditëlindjen e saj.
Të falam përqafime e puthje plotë plotë
Gjithmonë i yti
Babi Marku
23-VI-1965
Shumë i dashun Luli,
Letrën tënde e mora, por përfundimet e notave ende s’mi ke dërgue. I pres sa më parë. Shpresoj të kesh dalë sa më mirë se tremujorët e tjerë. Shpresoj gjithashtu se vitin tjetër, do të jesh prap një nxanës i shkëlqyeshëm, siç ke qenë në vitet e mëparshme. Ti vetëm për këtë duhet të mendosh, vetëm për këtë duhet të vrasësh mendjen për tashti.
Për të tjerat sot për sot mendon mama jote, në mungesë time, ajo punon e të mban me sa mundet e besoj se nuk të len asgjë mangut. Ti shtroju punës mësimeve e dueje shkollën, sepse pa atê mendja ndryshket e s’punon, mbetesh pas shokëvet e del në jetë shumë i mangët, loja është e mirë se të zhvillon trupin, por me masë gjithçka, o Luli!
Pres që të më shkruesh sa më parë ndonji copë letër për të qenë, ku të më tregosh çdo gjë, rreth përfundimit shkollor e rreth planeve që ke për pushimet verore. Së pari due të dij nga vetë goja juaj se si shkoni e si i keni hallet, së dyti sepse një letër e jueja më gëzon tepër e më heq mërzinë për disa dit. Ti e din, o Luli, se unë nuk jam në një vend dëfrimi e prandaj mërzitem e bahem merak fort shpejt, po më munguan letrat nga familja e nga fëmijët e mi.
Shumë të fala e urime për pushime sa më të mira e të frytëshme. Mos harro leximin e përditshëm, sadopak qoftë.
Të përqafon e të puth babi yt
Marku
23-VI-1965
Shumë e dashuna Marintë
Së pari po t’uroj nga fundi i zemrës ditëlindjen tande e njëkohësisht 10 vjetorin, që ta uroj të vejë deri 100 vjetorin, me shëndet të plotë e me të mira shumë. Po të dërgoj edhe një telegram së bashku me mamin, se keni të dyja ditëlindjen.
Marinta, më gëzove me letrën tande të fundit, ku më tregoje edhe notat e fundit të vitit, për të cilat mbeta i kënaqun dhe të falemnderit shumë, që punën e kujdesin e prindërve e të mësuesve nuk e hedh poshtë, po përkundrazi e nderon dhe e shpërblen me nota të mira, në sjellje e në përparime.
Tashti pusho e çlodhu se e ke hak, por mos harro të lexosh, ndonji send herë pas here, prej librave që të t’jepë mami ose Luli. Ruaju mos të luash tepër me atë kambën që e ke pasë të sëmurë. Lekën të ma kesh kujdes, se unë ty ta kam lanë të ma kesh për çun më të mirin, ti je dada e tij.
Mos harro, o Marinta, të më shkruesh herë mbas here ndonji copë letër, se babi gëzohet shumë kur merr e lexon letrat tueja të dashuna, sepse atëherë më duket sikur ju kam para sysh të gjithëve e kënaqem me dashuninë tuej bijnore. Bani të fala babgjyshit, mamgjyshes e teta Melës.
Lekën puthe për mue. Tashti merr të falat e urimet, përqafimet e të puthunat e zjarrta, të babit tand./Memorie.al
Marku
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016