Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon historinë e panjohur të Sulo Klosit, inxhinierit të Minierave që pasi ishte diplomuar në Strasburg, në vitin 1937 u kthye në Shqipëri dhe gjatë periudhës së Monarkisë së Zogut, punoi në Drejtorinë e Minierave pranë Ministrisë së Ekonomisë. Dëshmitë e së bijës së tij, znj. Edit Klosi lidhur me njohjen e të atit, me Enver Hoxhën gjatë periudhës së studimeve në Francë dhe dosja hetimor e gjyqësore e Sulo Klosit, ku ai vetë “ka rrëfyer” të gjithë veprimtarinë e tij që nga periudha e studimeve në Francë, njohjet me profesorët e huaj në Kongresin e II-të Botëror të Francës ku disa profesorë të huaj e rekomanduan që të takohej me profesorin polak, Stanislav Zuber, puna në Shoqërinë Italiane të Hidrokarbureve (A.I.P.A.), periudha e pushtimit të vendit ku ai u njoh me eksponentët e lartë të organizatës nacionaliste, Balli Kombëtar, Mit’hat Frashëri dhe Hasan Dosti, dhe veprimtaria e tij më “Grupin e deputetëve”, të cilët në mes të t’jerash kishin planifikuar edhe një atentat ndaj gjeneral-kolonel Enver Hoxhës, të cilin e kishte marrë përsipër Ymer Keçi nëpërmjet shoqëruesit të Myslym Pezës, Hamdi Kacollës, gjatë kohës që Enveri do të shkonte në Pezë…
Dëshmia e së bijës: “Enveri tha se nuk kishte gisht në vrasjen e babait tonë”
Lidhur me periudhën e studimeve të Sulo Klosit në Francë, kthimin në Shqipëri, punësimin, karrierën e shkurtër profesionale, arrestimin dhe dënimin me vdekje, e bija e tij Edit Klosi dëshmon: “Gjatë periudhës së studimeve në Francë, midis shumë shqiptarëve që ndiqnin studimet atje, babai pati njohje edhe me Enver Hoxhën, gjatë kohës që ai ishte në Monpelje. Në Francë, babai nuk u mor me asnjë aktivitet apo veprimtari politike, por iu kushtua vetëm studimeve, pasi e kishte me shumë pasion degën që kishte zgjedhur. Gjatë periudhës së Luftës, xhaxhai ynë, Qemali, u angazhua tërësisht me Lëvizjen, duke arritur dhe disa funksione të larta, deri në komisar batalioni me gradën e majorit, ndërsa babai ynë, Sulua, nuk u përzije fare me punët e luftës, por vazhdoi të punonte me italianët. Vetëm nga fundi i vitit 1944, babai u angazhua me një grup intelektualësh shkodranë të diplomuar në Perëndim, të cilët aspironin për demokraci, për një sistem me prirje socialdemokrate. Ndërsa pas mbarimit të luftës, xhaxhai ynë, Qemali, kreu funksionet e komandantit të Qarkut të Vlorës, kryetarit të Gjykatës për Krimet e Luftës dhe drejtorit të Transportit në Ministrinë e Komunikacioneve, babai ynë filloi punë në Drejtorinë e Gjeologjisë, pranë Ministrisë së Industri-Minierave në Tiranë. Në atë punë im atë shërbeu deri në fillimin e vitit 1946, kur e emëruan si kryeinxhinier të Uzinës së Bakrit në Rubik. Por, ndërsa ai bashkë me specialistët italianë i ishte përveshur punës për të rivënë në punë atë uzinë, në marsin e vitit 1947 u arrestua së bashku me një grup të madh intelektualësh, që u quajt “Grupi i Deputetëve”. Gjatë periudhës disamujore që im atë u mbajt në hetuesi, atë e torturuan në mënyrë çnjerëzore, aq sa kur doli në gjyq në fillim të shtatorit 1947, nuk njihej fare. Gjatë seancave të gjyqit që u zhvilluan në kinema “Kosova”, dhe vazhdoi deri në mesin e nëntorit, ai u akuzua se kishte pasur lidhje me profesorin polak Zyber (që kishte vdekur në qelitë e Hetuesisë së Tiranës), me të cilin e kishte lidhur një nga profesorët e tij në Universitetin e Strasburgut. Po kështu, ai akuzohej se që në vitin 1941 kishte pasur lidhje me eksponentë të Ballit Kombëtar, si Mit’hat Frashëri, Hasan Dosti, Abaz Ermenji, Nuredin bej Vlora etj., me të cilët e kishte lidhur shoku i tij i ngushtë, inxhinier Andrea Xega, si dhe pas mbarimit të Luftës, kishte bashkëpunuar me misionet anglo-amerikane për rrëzimin e qeverisë së Enver Hoxhës. Vendimi i gjyqit u dha më 15 nëntor 1947 dhe 15 të pandehur të atij grupi u dënuan me pushkatim, kurse të tjerët me burgime të rënda. Gjyqi vendosi që Riza Alizoti të varej në Kuçovë, kurse Sulo Klosi të varej në mes të Rubikut, ku kishte punuar si kryeinxhinier. Vendim u zbatua menjëherë dhe tim atë e lanë të varur për disa ditë në mes të qytezës së Rubikut, duke terrorizuar gjithë banorët e asaj zone. Lidhur me dënimin, ne mësuam se Enver Hoxha ishte shprehur se nuk kishte gisht në atë punë, po ku ta dish se si qëndron e vërteta. Pas dënimit të tim eti, edhe xhaxhanë, Qemalin, e shkarkuan nga të gjitha funksionet, por pas dënimit të Koci Xoxes, atë e rehabilituan përsëri, duke e caktuar në funksione të larta shtetërore, si: zv/ministër të Komunikacioneve e drejtor të Flotës Detare dhe të Portit në Durrës. Gjatë atyre viteve që ishte në ato detyra, xhaxhai u kujdes për mua dhe vëllanë tim, Ismailin, duke na nxjerrë të drejtën e studimeve për shkollat e larta dhe duke u interesuar të punësoheshim sipas degëve përkatëse ku ishim diplomuar”.
Deponimet e Sulo Klosit në Hetuesi
Proces-verbal
Sot më njëzet e katër Qershor njëmijë e nëntëqind e dyzet e gjashtë, në zyrën e Drejtorisë Punëve të Brendshmesh të qarkut të Tiranës, para meje Kapiten II-të Dhosi Progri me shërbim pranë Drejtoris Sigurimit Shtetit Tiranë, u muar në pyetje i arrestuari Ing. Sulo Ismail Klosi, bir’i Ismailit (vdekur) dhe i Zakie (gjallë), lindur në Klos të Mallakastrës më 1916 dhe banues në Rubik, i martuar me Muhaseri Qadhimi nga Gjinokastra, me dy fëmijë një vajzë dhe një djalosh minore, arsim të lartë, profesioni Minierë gjeolog, i martuar në kohën e regjimit të Zogut dhe dënuar me 101 (Njëqind e një), ka kryer vetëm tre muaj burg, dhe mbasi u pyet deklaroj si më poshtë:
Mbas mbarimit të shkollës fillore, të cilën e kam mbaruar në qytetin e Fierit në vitin 1925 dhe që këndej kam vazhduar shkollën e mesme në Gjimnazin e Shtetit, Shkodër, të cilën kam mbaruar në vitin 1931-32. Me mbarimin e shkollës së mesme jam emëruar mësues në Lushnjë dhe në Ballsh, kjo ka qenë në vitin 1932. Po në këtë vit në muajin Nëntor kam shkuar në Francë në qytetin Strasburg, për të ndjekur studimet ne degën e shkencave. Studimet e larta d.m.th. Universitetin e kam mbaruar në vitin 1937 ku po në këtë vit jam kthye në Shqipëri. Mbas kthimit tim në Shqipëri, kam kërkuar punë nga qeveria e Zogut ku jam marrë në punë mbas një viti që kam ardhur nga jashtë. Për marrjen në punë si Ing. Gjeollog pranë drejtorisë së ujërave kanë ndërmjetësuar dy shokët e mi Dalip Zavalani (i vëllai i Tajar Zavalanit) dhe Qemal Butka, të cilët biseduan me ministrin e Ekonomisë t’asaj kohe Rrok Gera nga Shkodra, në këtë punë kam hyrë në muajin Tetor të vitit 1938 ku kam ndenjur deri në tetor 1939 dhe prej kësaj kohe jam transferue në drejtorin e minierave pranë Ministrisë Ekonomisë duke qëndruar po në n’varësin e kësaj drejtorie deri në çlirimin e Shqipërisë nga okupacioni.
Në vitin 1937 është bërë Kongresi i II-të botnor në Paris ku këtu merte pjesë drejtori i shkollës ku unë vazhdoja mësimet, i cili quhesh Henri Weis Francez, Prof. Hans po dhe ky nga Franca. Në mbarim të kongresit kur të lart-përmendurit u kthyen në shkollë dhe thanë se në Kongres ka patur një delegacion Shqiptar i dërguar nga shoqëria A.I.P.A. Italia, e cila kishte konçensione vajgurore në Shqipëri. Këta më përmendën dhe emrat që kanë qenë në Kongres, të cilët më kujtohen se kanë qenë Prof. Zuber Stanislav, Jakobin Italian. Drejtori i shkollës më foli se kishte bisedue me Prof. Zuberin për mua (Sulon) ku i kishte thanë se në shkollë kemi një djalë Shqiptar dhe është shumë i mirë dhe sivjet mbaron dhe shkollën, prandaj duhet që t’a merrni në punë dhe Zuberi i kishte premtuar duke marrë në shënim emrin t’em dhe i kishte lënë dhe një pikë takim për mua që kur të kthehesha nga Franca të takohesha në Romë duke i lënë adresën, të cilën drejtori m’a dërgoj mua (Sulos) dhe më tha që duhet të takosh. Adresa e Prof. Zuberit më duket se ka qenë Hotel “Boston” në Romë. Kur jam kthyer nga Franca në muajin korrik dhe kur arrita në Romë kam qëndruar 4-5 ditë ku kam kërkuar Prof. Zuberin si mbas adresës, po nuk e gjeta, kurse këtu në hotel më dhanë adresën e shtëpisë ku banonte Zuberi. Shkova aty dhe në dhomë gjeta të vëllanë e Ing. Zubrit, i cili më tha se unë jam i vëllai dhe ky më dha numrin e telefonit, të cilin (Zuberin) e kërkova dhe e gjeta ku lamë një pik takim në rrugën Venoto dhe për të njohur njëri tjetrin kemi treguar veshjen e njëri tjetrit, dhe mbas këtij takimi në telefon jam takuar në vendin e caktuar. Në takim që pata, biseduam me Zuberin, i cili më foli për sa kishte biseduar me drejtorin e shkollës në kongres. Ky më premtoj se ti e ke vendin vakant d.m.th. që unë (Sulua) të caktohesha nëpunës i shoqërisë Italiane A.I.P.A. Gjatë kohës që unë (Sulua) kam ushtruar profesionin t’im në kohën e Zogut kam njohur nga njerëzit e huaj që ishin nëpunësa të shoqërisë për shfrytëzimin e minierave në vendin t’onë dhe që janë: Caleta Girone Italian, me detyrë këshilltar pranë drejtorisë minierave Tiranë, i rekomanduar nga Ing. Andrea Xega, drejtor’i shoqërisë Franceze Dyfurë i prezantuar nga Doktor Kallugjeri, emri nuk më kujtohet por di që është nga Fieri; Ing. Tarasconin Italian, Gjeolog Dualkë dhe të tjerë që s’më kujtohen. Mbas këtij takimi unë (Suloja) kam qenë vazhdimisht në lidhje me Hasan Dostin e Mit-hat Frashërin deri në fund të vjetit 1942. Në sa me shokët e grupit t’em që përmenda më lart i kam mbajtur kontaktet deri në Mars ose në Prill kur unë kam ikur në Shkodër ku kam patur lidhje.
Çlirimi i Shqipërisë më ka gjet në Shkodër dhe në Dhjetor të 1944-ës kam ardhur me shërbim në Tiranë. Këtu bie në kontakt përsëri me anëtarët e vjetër të Ballit dhe shokët e mi si: Abdyl Kokoshi, Uan Filipi, Hilmi Hysi etj. dhe fillojmë përsëri bisedimet politike dhe komentet mbi situatën e re të krijuar në Shqipëri mbas çlirimit. Si anëtar të vjetër të Ballit që ishim të sigurt se situata do të ndryshonte pa tjetër se Anglo-Amerikanët nuk do të toleronin një gjendje të tillë në Shqipëri dhe për këtë ishte e nevojshme që edhe ne duhet të ri-fillonim aktivitetin t’onë për rrëzimin e Pushtetit. Aktiviteti im kundër Pushtetit është ri-filluar që në Shkurt të 1945-ës, datë në të cilën ne kemi filluar ri-organizimin e Ballit Kombëtar. Organizata e Ballit Kombëtar ri-organizuar mbas çlirimit të Shqipërisë nën nxitjen direkt të kriminelëve të Luftës në Itali, Mit’hat Frashëri, Ali Këlcyera e të tjerë të ndihmuar dhe sibensionuar nga misionet Anglo-Amerikane dhe në lidhje të ngushtë me kriminelët e arratisur kishte për qëllim grumbullimin e gjithë elementëve të vjetër të Ballit dhe në bashkëpunim me gjithë armiqtë e Pushtetit popullor të arrinim në rrëzimin me forcë të Pushtetit popullor. Unë jam anëtar i Komitetit Qendror të Ballit Kombëtar riorganizuar mbas Çlirimit që në Shkurt 1945.
Në fund të Shkurt-Mars 1945 Abdyl Kokoshi më fton të marrë pjesë në një mbledhje në shtëpinë e Uan Filipit që është në rrugën e Dibrës në krahun e djathtë. Në këtë mbledhje merrnim pjesë: unë (Sulua), Demir Kallarati, Uan Filipi; Abdyl Kokoshi, Behxhet Shehu, Hilmi Hysi, Isuf Hysenbegasi, Syrja Selfo, Hivzi Kokalari e Fatos Kokoshi. Mbledhjen e hapi Uan Filipi dhe Abdyl Kokoshi të cilët na thanë se këto ditë kishin marrë nga Mit’hat Frashëri me anën e misionit Engles një letër. Letra e Mit’hatit thoshte se pranë Anglo-Amerikanëve n’Itali qëndronte Komiteti Qendror i Ballit, i cili vazhdonte aktivitetin e tij. Anglo-Amerikanët i kishin premtuar këtij Komiteti se për së shpejti ata do të zbarkonin në Shqipëri dhe për këtë Mit’hat Frashëri na kërkonte në që të fillonim shpejt ri-organizimin e Ballit në gjithë Shqipërinë në mënyrë që të paraqiteshim si forcë e organizuar dhe të merrnim me njëherë fuqinë në dorë. Letra theksonte se në rast organizimi, Anglo-Amerikanët do të na jepnin të gjitha ndihmat morale dhe materiale dhe do të kishim përkrahjen e tyre.
Riorganizimi i Ballit Kombëtar ka filluar që në muajin shkurt të vitit 1945. Pjesëmarrja e ime (Sulos) në Ballin Kombëtar të riorganizuar mbas çlirimit dhe si anëtar i komitetit qendror ka filluar që në fillim të riorganizimit. Mbledhja e komitetit qendror është provokuar nga Uani, ndërsa unë (Suloja) kam vojtur bashkë me Abdyl Kokoshin, mbledhjen e kemi bërë në shtëpinë e Uanit, në rrugën e Dibrës në krah të djathtë në muajin Mars. Këtu merrnin pjesë këta persona: Unë (Suloja), Abdyl Kokoshi, Uan Filipi, Fatosh Kokoshi, Bexhet Shehu, Hilmi Hysi, Agronomi Beli nga Korça, Isuf Hysen Begasi, Syrja Selfo, mbledhjen e hapi Uani dhe Abdyli, të cilët folën mbi organizimin e ballit dhe mbi letrën e marun nga Italia të dërguar nga komiteti qendror i Ballit Kombëtar i arratisur n’Itali dhe firmuar nga Mit-hat Frashëri. Në letër Mit’hati na thoshte se pranë Anglo-Amerikanëve n’Itali qëndronte komiteti qendror i Ballit dhe se Anglo-Amerikanët i kishin premtuar këtyre që shumë shpejt do zbarkonin në Shqipëri, prandaj duhet që neve të fillonim sa më parë për riorganizimin e Ballit Kombëtar në Shqipëri nëpër krahinat e ndryshme dhe të fillonte aktivitet në mënyrë që kur të bëhesh zbarkimi të ishim një fuqi e organizuar dhe të ishim në gjendje që të merrnim Pushtetin në dorë.
Dosja gjyqësore: “Si do kryhej atentati ndaj gjeneral Enver Hoxhës”
Në dosjen gjyqësore të “Grupit të deputetëve”, ku gjendet dhe ajo e Sulo Klosit, krahas shumë deponimeve të të pandehurve të atij grupi, gjendet edhe një deponim që bën fjalë për një atentat ndaj Enver Hoxhës. Në mes të tjerash, aty thuhet: “Para se të bëhej kryengritja e Shkodrës, në Komitet u vendos që të arratisurit të bashkoheshin midis tyre dhe të hidheshin në aksione. Kështu nën udhëzimet tona çetat filluan të bënin aksione dhe të kryejnë atentate. Këto udhëzime neve na i jepnin t’arratisurit si mbas direktivave të anglo-amerikanëve. Mbas mbarimit të mbledhjes, unë shkova në Durrës dhe i raportova shokëve mendimet e Komitetit dhe së bashku me Ramazan Tabakun, u ngarkuam që të takoheshim me t’arratisurit e Krujës dhe të Shijakut. Kështu që Ramazan Tabaku mori 5.000 franga dhe shkoi në Krujë ku u takua me Ibrahim Kupin, kurse unë mora 20.000 franga dhe shkova në Shijak ku u takova me t’arratisurit. Në prill 1946 jam takuar me Hamdi Kacollën dhe Ymer Keçin, në shtëpinë e Ymerit. Ymeri i tha Hamdi Kacollës, që të largohej nga Gjeneral Myslym Peza, ku ndodhej me shërbim e të shkonte në Pezë. Qëllimi i Ymerit ishte që Hamdinë ta dërgonte në Pezë për punë dhe për të bërë atentat kundra Gjeneral-kolonel Enver Hoxhës dhe Gjeneral-leitnant Koci Xoxes, në bashkëpunim me njerëzit që do të sillte nga Dibra Faik Shehu. Kur u dorëzuan djemtë e Cen Elezit, nuk na erdhi mirë, si neve ashtu dhe anglo-amerikanëve, të cilët na thanë që ju të bëni kryengritje dhe atentate. Kështu sipas udhëzimeve të tyre u përgatit dhe u bë kryengritja e Shkodrës, për të cilën ishim në dijeni edhe neve. Mbi kryengritjen e Shkodrës, i ka thënë Ramazan Jellës se ajo gjë ishte vendosur në Komitetin Qendror të Tiranës, prandaj të arratisurit e Shijakut, duhet të përgatiten dhe të jenë gati që me këtë rast të hidheshin në aksione”./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016