Nga Idriz Lamaj
Pjesa e pestë
Jeta dhe veprimtaria e Xhafer Devës në mërgim
– Kosova në kohën e Shqipnisë etnike –
Xhafer Deva në dritën e letrave të veta
Marrëdhëniet e Xhafer Devës me ‘Bllokun Kombëtar Indipendent’ dhe misionet e tyre parashutiste në Shqipëri e Kosovë
Memorie.al/ Për të pasur një pasqyrë të qartë të marrëdhënieve të Xhafer Devës me ‘Bllokun Kombëtar Indipendent’, së pari le të shohim se cila ishte kjo parti politike shqiptare në mërgim dhe si e konkretizonte veprimtarinë e vet politike e luftarake për çlirimin e Shqipërisë nga regjimi komunist.
‘Blloku Kombëtar Indipendent’, krijuar me 6 nëntor 1946, ishte një parti politike nacionaliste shqiptare, e cila qysh në fillim kishte si qëllim kryesor luftën në mënyrë të organizuar kundër komunizmit sllavo-bolshevik, siç cilësohet në çdo dokument të saj, që i ishte imponuar popullit shqiptar.
Themeluesit e ‘Bllokut’ vinin nga vise dhe ambiente të ndryshme politike, por të gjithë kishin të përbashkët dhembjen për familjet që vriteshin, burgoseshin e internoheshin dhe shqetësimin e thellë për fatin e kombit e të atdheut, të cilit i kërcënohej ekzistenca si shtet i lirë dhe i pavarur.
Regjimi komunist shqiptarë, që nga marrja e pushtetit në dorë, e ktheu Shqipërinë në një koloni të plotë të Jugosllavisë dhe më vonë të Rusisë.
Programi i veprimit te ‘Blloku Kombëtar Indipendent’ u përcaktua me dispozitat parimore të Statutit, në frymën e ndjesive për vëllazërim shqiptar dhe bashkëveprim, me synim drejt idealit të një Shqipërie të lirë, të pavarur, etnike, demokratike dhe anti totalitare.
‘Blloku’ zhvilloi veprimtarinë e vet në dy drejtime: lufta kundra regjimit komunist, si me fjalë e shkrime, ashtu edhe me organizime luftëtarësh brenda në Shqipëri.
Analistë të kohës, mbështetur në dokumenta të ndryshme historike, mendonin se Shqipëria mund të çlirohej nga regjimi komunist në vitet pesëdhjetë, atëherë kur ende nuk ishte anëtare e ‘Paktit të Varshavës’ dhe kur lufta e ftohtë po arrinte kulmin për arsye të ekspansionit me forcë te komunizmit ndërkombëtar, si me ardhjen në fuqi të regjimit komunist në Kinë, me 1948, dhe me shpërthimin e luftës së përgjakshme të Koresë.
Gjendja e ligështuar politike e regjimit komunist në Tiranë, i jepte guxim ‘Bllokut’ të organizonte grupet e luftërave të lirisë brenda në Shqipëri, me anën dërgimit të misioneve parashutiste në zonat veriore të vendit, pikërisht në Mirditë.
Megjithëse ‘Blloku’ ishte për afrimin me forcat e tjera politike të mërgatës për bashkëpunim veprimi të harmonizuar në dobi të çështjes kombëtare, mjerisht nuk gjeti përkrahje të duhur nga disa parti të tjera, të cilat gjithashtu zhvillonin veprimtarinë e tyre.
Duke mos u vlerësuar veprimtaria e kësaj partie në nivel të duhur, mërgata pati konsekuenca të idhta, dhe mbetet e ndarë dhe e përçarë.
‘Blloku’, si forcë e pamohueshme e qendrës, qysh në fillim arriti të mblidhte rreth vetes mërgimtarë shqiptarë dhe grupe të moderuara politike me të cilat zhvilloi një bashkëpunim konkret.
Koalicioni i tij i sinqertë me ‘Lidhjen e Dytë të Prizrenit’ në Mërgim (grupin kosovar të kryesuar prej z. Xhafer Deva), Protokollin e Aleksandrisë në Egjipt me 1948, në Besëlidhje me ‘Ballin Kombëtar’ (grupi i Ali Këlcyrës) dhe më vonë me Bashkimin Demokrat, fuqizoi misionin e vet veprues në mënyrë të pa kontestueshme.
Në këtë kontekst politik, ‘Blloku’ vazhdoi me dinjitet rrugën e vet te drejtë. Me kongrese të ndryshme në Itali, në New York dhe në Belgjikë, ‘Blloku’ dëshmoi me fakte të qenët gjallë, u tregua i aftë dhe shumë i kujdesshëm me të huajt dhe asnjëherë nuk e kaloi kornizën e besimit reciprok në veprimtarinë e vet, deri sa pushoi së vepruari në fillim të viteve 1990-ta.
“Me ndryshimet që filluan në shtetet socialiste, u pa se edhe në Shqipni ishte e paevitueshme lëvizja për liri e demokraci. Të shqetsuem nga perspektiva e nji gjakderdhje si në Rumani ose edhe ma keq, udhëheqsat e ‘Bllokut’ u mblodhën me urgjencë me 24 dhjetor 1989 në New York dhe vendosen me marrë iniciativën me përkrahë opozitën demokratike ne Shqipni, t’ue i bâ thirrje popullit të votojë për demokracinë dhe, me vota, të rrëzojë komunizmin.
‘Blloku’ nuk ka kërkue me marrë pjesë aktive në proceset elektorale, sepse nuk ka dashtë me damtue opozitën demokratike. Ka kërkue vetëm që të gjitha votat jo komuniste, të shkojnë në favor të demokracisë.
Veprimtaria si parti politike në mërgim, nuk ka mâ domethënieje. Por nji gjë asht e arsyeshme dhe e domosdoshme: ‘Blloku Kombëtar Indipendent’ me programin e vet dhe veprimtarinë ma se 45 vjeçare në shërbim të kombit, duhet t’i bahet i njoftun popullit shqiptar.
Këtë e kërkojnë sakrificat e ‘Bllokut’ dhe ideali i tij kombëtar pohon sot një prej themeluesve të ‘Bllokut’, Kapidani i Mirditës, Nue Gjomarkaj, me të cilin bashkëpunuam ngusht në përgatitjen e këtij kapitulli, i cili lidhet me Xhafer Devën dhe Kosovën.
Para se të hyjmë në temën fiks, mbi bashkëpunimin e Xhafer Devës me ‘Bllokun’ në fushën e dërgimit të misioneve parashutiste, do të themi diçka se si u krijua ‘Blloku’ dhe prej kuj doli ideja e krijimit të tij?
Fill mbas Luftës së Dytë Botërore, në vitin 1945, mërgimtarët shqiptarë kishin filluar të grumbulloheshin në Itali, i vetmi vend që jepte garanci shpëtimi. Me këtë besim të ngulur, Kapidani i Mirditës, Gjon Marka Gjoni, bashkë me djalin e tij, Nue Gjomarku, që kishin lanë Shqipërinë me 28 nëntor 1944, mbas shumë peripecish, duke kaluar nëpër shtete të ndryshme, nëpër zona lufte e nën bombardime të tmerrshme, në prill të vitit 1945, mbërritën ne Itali (Merano). Në gusht të atij viti shkuan në Romë, ku u vendosën përgjithnjë.
Në atë kohë, Italia ishte pushtuar prej aleatëve, por Partia Komuniste Italiane ishte e fortë, e ajo gjendje shkaktonte ndër mërgimtarët shqiptarë një frikë të madhe për dorëzimin e tyre qeverisë komuniste shqiptare. Këtë frikë e përforconte kapja dhe internimi në Ventotene i Mit’hat Frashërit dhe Ali Kelcyrës, gati për dorëzim. Qeveria provizore italiane, megjithëse e ligshtë në atë kohë, tregoi një mirëkuptim e simpati për shqiptarët, duke i’u siguruar atyre mirë trajtim e mbrojtje. Kështu shqiptarët u qetësuan disi dhe filluan të merrnin kontakte me njëri tjetrin.
Në shtator të vitit 1945, Gjon Marka Gjoni rastësisht takohet me mikun e tij, prof. Ernest Koliqin. Gëzimi ishte i madh, jo vetëm se u takuan dy miq të ngushtë, por edhe dy shtylla të forta: ajo e tradicionalizmit (Gjon Marka Gjoni) dhe ajo e kulturës kombëtare (prof. Ernest Koliqi).
Me takime të përditshme dhe me kuvende të avashta e shqyrtonin gjendjen e mjerë të krijuar në Shqipëri si edhe gjendjen e mërgatës, e cila kishte mbetur e disorientuar. Në anën tjetër, i shqetësonte propaganda denigruese e partive të ndryshme shqiptare, që kishte filluar të ngacmonte nderin e shumicës të Indipendentëve, aq sa të shkaktonte egërsim politike dhe shoqërore e t’i shtrëngonte ata të kundërshtonin çfarëdo pretendimi të tyre.
Në shqyrtim të asaj situate politike e shoqërore mjaft të ndërlikuar e të papërshtatshme për një bashkim forcash politike, si mbas z. Gjomarkaj, personat në fjalë studiojnë mënyrën për të gjetë një shtegdalje prej atij kaosi të krijuar:
“Mbas shumë bisedimesh e shqyrtimi të problemit, prof. Koliqi paraqiti mendimin me u bashkue në nji organizatë politike që të delte në shesh si nji forcë politike e tretë, me pika të caktueme. Kapidani i Mirditës, i’u përgjigj se i takonte ‘Grupit Nacional Indipendent’, krijue prej Mark Gjomarkut në Shkodër, në mars të vitit 1944. Prof. Koliqi mbeti disi i topitun, por t’ue përblue nëpër mend rëndësinë e asaj vepre kombëtare të Mark Gjomarkut, mbas disa ditëve, i tha Kapidan Gjonit: Unë me Markun kam pas miqësi të ngushtë dhe kemi qenë bashkëpunëtorë, prandaj as unë nuk mendoj me u shkëputë prej rrugës së tij por, në gjendjen në të cilën gjendemi këtu në mërgim, më duket e arsyeshme me e zgjanue rrethin. Për këtë arsye, unë ju propozoj: ‘Grupin Nacional Indipendent’ me e shëndrrue në ‘Blloku Kombëtar Indipendent’. Ky sugjerim i profesorit, na u duk i arsyeshëm prandaj e pranuem.
Për të realizue këtë ide, morëm kontakt me miq e dashamirë të cilët u joshen dhe u diftuen të gatshëm me bisedue në nji mbledhje të përgjithshme. Me 6 nanduer 1946, mbas shumë bisedimesh, u konkretizue krijimi i ‘Bllokut Kombëtar Indipendent’, i cili u shpall me këtë ‘Proces Verbal’
Proces – verbal
(I mbajtur sot me 6 Nanduer 1946)
Të poshtshenuemit, përfaqësuesit e grupeve të ndryshme indipendente të Romës, të mbledhur për nji shqyrtim të gjendjes dhe të aspekteve ma të ngutshme t’emigracionit, mbasi rrahën imtësisht të gjitha çështjet që u paraqitën në bisedim e mbasi i drejtuen njizani mendimin e tyre mirënjohës Qeverisë Demokratike t’Italis për mikpritje në token e saj bujare; tue kujtue se vet situata ndërkombëtare e sugjeron nji afrim sa ma të ngushtë e ma aktiv të gjithë atyre shqiptarëve të emigracionit, gë janë të frymëzuem prej ndjenjave ma të shenjta të atdhedashurisë, shumë prej të cilëve çështjes shqiptare i kanë kushtue tanë jetën e që prej saj nuk duen të hjekin dorë; t’ue pasun bindjen ma të thellë se sytë e të tanë shqiptarëve, sod të robnuem në atdhe, janë drejtue kah aktiviteti i emigracionit, tue kujtue mirëfilli se pa nji bashkim të ngushtë të gjithë këtyre fuqinave t’emigracionit, nuk asht e mundun me i sjellë ndonji dobi situates së vajtueshme t’atdheut; me plot bindje se kryejnë nji vepër patriotike sikur në çdo kohë, e sidomos sod që vendi ynë u lëshue e u braktis prej mbarë botës;
V E N D O S Ë N
- Të formohet sikurse u formue Blloku i grupeve indipendente, i cili këndej e tutje merr emnin ‘Blloku Kombëtar Indipendent’.
- Të kenë për parim bashkpunimin e përzemërt me të gjithë ata shqiptarë a grupe shqiptarësh që kanë për qellim luftimin me çdo mjet ligjuer të përshtatshëm, për shpëtimin e atdheut nga robnija, nga terrori dhe nga çfarosja e racës, që dita ditës po i kërcnohet, e që duen t’i sigurojnë popullit sovranitetin e integritetin toksuer tansuer, si dhe të gjitha liritë demokratike e sidomos ato të shprehjes së votës për caktimin e formës konstitucionale të shtetit.
Me përdorë çdo mënyrë për me e mbajtë në eficiencë emigracionin, që të veproj me anën e shtypit e me çdo mjet tjetër propagande për ndriçimin e mendimit të përbotshëm, e sidomos të kolonive shqiptare jashtë atdheut. 3. Ky vendim merr formën e preme mbasi të marrë pëlqimin e grupeve indipendente të Reggio Emilias e ngjeti.
- Nënshkruesit e këtij proces – verbali angazhohen e nuk do të zhvillojnë ndonjë veprimtari politike individuale jashtë ‘Bllokut’ deri sa të kthehen në Shqipni.
Romë, 6 Nanduer 1946
- Gjon Marka Gjoni
- Ndue Gjomarkaj
- Qazim Mulleti
- Dr. Xhemil Dino
- Nebil Dino
- Prof. Sotir Kozmo
- Kap. Asllan Libohova
- Pandeli Papalilo
- Luigj Gjergjola
- Safa Vlora
- Jak Koçi
- Dr. Eduard Liço
- Dr. Ismail Vërlaci
- Prof. Ernest Koliqi
- Nexhmedin Vrioni
- Dr. Xhelal Mitrovica
- Prof. Namik Resuli
- Don Frano Karma
- Kap. Jorgji Ruçi
- Kap. Kapllan Libohova
- Theofan Qesari
- Dr. Kadri Myftiu
- Dr. Lin Shkreli
- Prof. Stefan Gazulli
Prej mbledhjes u caktue nji komision prej tre vetash për ndërlidhje me mërgimtarët e kampit të Reggio Emilias, me i vu në dijeni për krijimin e ‘Bllokut Kombëtar Indipendent’, e ata ishin: Nue Gjomarku për ata të Veriut, Xhelal Mitrovica për grupin kosovarë, Kadri Myftiu për ata të qendrës.
Mbas nji studimi të hollësishëm të gjendjes, themeluesit e ‘Bllokut’ publikuan Statutin themeltar: Teksti i statutit ‘Blloku Kombëtar Indipendent’, përmbledh në gjinin e vet bashkatdhetarë të ndershëm që, tue u ushqye nga ndiesit ma të pastra të vëllazërimit shqiptar, synojnë idealin e nji Shqipnije të lirë, të pamvarun, demokratike e antitotalitare.
‘Blloku Kombëtar Indipendent’, mbas ngjarjeve të mëdhaja historike, nëpër të cilat u përshkue vendi ynë në gjysmën e qindvjetit të fundëm, i dishron kombit nji mbarshtrim politik e shoqnuer, i cili, tue u bazue në traditat ma të shëndoshta të tija, të përfshijë të gjitha përparimet e botës moderne perëndimore.
Për t’a arrijtun qëllimin, gjatë qëndrimit në mergim, ‘Blloku Kombëtar Indipendent’ e frymzon veprimtarin e vet nga këto pika programatike:
- Mbajtjen para sysh të ruejtjes dhe mprojtjes së të drejtave bashkë me pamvarsin, sovranitetin shtetnuer e integritetin toksuer dhe të përpjekjes me mjete paqësore për Shqipninë ethnike, tue luftue me të gjitha mundësit e veta komunizmin e çdo lloji qoftë.
- Ndjekjen e kultit të vlerave tradicionale qi e cilësojnë kombin shqiptar, tue konsideruem të përfshim n’at kult nderimin e personalitetit njerzuer, t’insitutit familjar, të lirive shoqnore e politike, të nisjativës se lirë në çdo fushë të veprimtarisë kombëtare, gjithnji mbrenda qarkut të dobisë së përgjithshme. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016