Nga Dr. Sadik Bejko
-HOMAZH NË 75-VJETORIN E KRYENGRITJES SË ZHAPOKIKËS-
Memorie.al / Kryengritja antikomuniste e vitit 1948, kryengritje e Jugut të Shqipërisë, është tashmë e njohur si “Kryengritje e Zhapokikës”, për shkak të emrit të fshatit ku mori fill kjo lëvizje me armë. Zhapokika, është një fshat i ngulitur mbi kurrizin e disa kodrave, në të djathtë të lumit Vjosë në rrethin e Tepelenës. Në përbërje të kryengritësve të Zhapokikës, kishte edhe fshatarë nga fshatrat Luftinjë e Kamçisht. Më 20 shtator 1948, në Zhapokikë u themelua çeta me emrin “Baba Shefqet”, për nder të klerikut bektashi, të pushkatuar më 14 janar 1948. Flamuri i çetës do të ishte flamuri kombëtar me shqiponjën dykrenore, por pa yllin e kuq.
Më 28 shtator 1948, u zgjodh me votim komanda e çetës. Komandant Bajram Kamber Ahmataj, sekretar politik, Xhemal Brahimi. Çeta i caktoi vetes si detyrë; të lidhej me grupet e tjera antikomuniste kudo ndodheshin dhe të luftonte derisa në Shqipëri, të vinte në fuqi një qeveri demokratike, jo komuniste.
FSHATARË KUNDËR SHTETIT
Ca fshatarë, cilët do qofshin, edhe këta trimat tanë të Zhapokikës, të ngritur në një rebelim me armë, sado të organizuar apo të revoltuar qofshin, kurrë nuk mund ta përmbysin shtetin, ta thyejnë rendin kushtetues, zotërues në një kohë të dhënë. Por kjo kryengritje e armatosur, ky rebelim i ca fshatrave shqiptare, i fshatrave; Zhapokikë, Luftinjë, Kamçisht, kjo ngritje më armë kundër shtetit komunist, ka ndodhur. Tashmë ajo përmendet, faktohet me dokumente dhe ka hyrë në literaturën e kohës së sotme, si “Kryengritja e Zhapokikës, 1948”. Historikisht, si të gjitha kryengritjet fshatare të natyrës a të tipit të saj, kryengritje të mëdha a të voglash qofshin, ato nuk e kanë jetën të gjatë; janë shtypur me gjak e me dhunë shembullore. Kështu ka ndodhur edhe me kryengritjen e Zhapokikës.
Parë nga kjo pikëpamje, të ngjan se fare naive dhe fare e pamend sa nuk ka të dytë, ka qenë kjo kryengritje. Ashtu ka qenë. Rreth 25 fshatarë të pashkollë, të veshur keq, të ushqyer me bukë e domate turshi, me ca pushkë e fishekë të ndryshkur, ua thotë truri, se po të ngrihen, rrëzojnë shtetin. Po të ngrihen, përmbysin komunizmin, për të sjellë në fuqi një rend demokratik. Koha tregoi se kjo aventurë, kjo ndërmarrje e pamenduar, dështoi keqas. Vetëm se tej epiteteve, apo etiketimeve për të, ajo ka një përparësi. Kryengritja ka ndodhur, është një fakt historik i padyshimtë.
Të mëdhenjtë e botës, në Jaltë a në Postdam, kishin vendosur rendin e botës së pas Luftës së Dytë Botërore; sipas tyre, Shqipëria do t’i përkiste sferës komuniste, por këta fshatarë të Tepelenës, nuk donin t’ia dinin për këtë, nuk donin t’ia dinin për të mëdhenjtë e planetit. Dhe u ngritën, dhe e thanë me armë, se nuk e donin këtu komunizmin. I thanë ‘jo’ kolektivizimit të pronës dhe të njeriut, i thanë ‘jo palirisë’, thanë ‘nuk duam që vajzat e djemtë tanë, të modeloheshin e të përpunoheshin ideologjikisht; thanë duam të jemi me Perëndimin, jo me Lindjen”.
Një kryengritje si kjo, i fton burrat nën armë, por realisht i fton në atë, që ata të përfundojnë të vdekur prej armëve të shtetit, të dergjen nën shtresat e dheut të tokës së tyre, apo të dergjeshin të prangosur, në burgjet e kampet me punë të detyruar. Por ata njerëz në vitin 1948, kështu e donin, ata burra kështu e gjykuan. E dinin a nuk e dinin, ata synonin të pamundurën. Kjo është punë për heronj. Dhe heronjtë është mirë që të mos paragjykohen.
ORGANIZIMI I KRYENGRITJES
Rreth muajit gusht 1948, Xhemal Brahimi, një fshatar 30-vjeçar nga Zhapokika, merr takime me shumë të pakënaqur nga regjimi i ri. Lidhjet e tij, i kapërcenin tre-katër rrethe të Jugut. Mbetet mister, se me cilët ka qenë i lidhur në qendër, në Tiranë. Në fshatin e tij dhe në fshatrat përreth, ai ka krijuar grupe të besuarish, që mund ta ndiqnin në një organizim kundër sistemit politik. Për të realizuar dhe ngritjen me armë kundra regjimit, ai bëri në fshehtësi disa mbledhje, së pari në Zhapokikë. Mbledhja e parë u bë te Ledha e Madhe. Xhemal Brahimi ishte në Berat. Drejtimin e kësaj mbledhjeje, e bëri Mehmet Yzeiri. Në mbledhje (natën) morën pjesë,, pothuaj gjithë ata fshatarë të Zhapokikës, që më pas rrëmbyen armët. Burrat që dhanë fjalën për luftë, do të siguronin armë nga shokët e miqtë e tyre. Kështu fshatarët po ktheheshin në luftëtarë.
Ata mendonin se kanë në krahë dhe shumë të tjerë, në gjithë vendin. Mendonin se kanë pranë çetën e Sulo Zaimit, nga Allkomemaj. Major Sulo Zaimi (Sulejman Shezai Malaj), kishte qenë oficer ushtarak, që nga koha e Mbretërisë. Ca kohë Sulua, qe oficer në Kosovë, në vitet ’40-të. Ai ishte i kunati i Xhemal Brahimit. Nga Gjykata e Lartë Ushtarake, që më pas e dënoi me njëzet vjet burg, Sulo Zaimi, cilësohet si; nxitësi e frymëzuesi kryesor i rebelimit. Ai e nxiti, por nuk mori pjesë në rebelimin e armatosur të Zhapokikës. Kryengritësit mendojnë se kanë me vete dhe Demo Kason (Demir Allkushaj) nga Gllava, nga e njëjta krahinë. Ky ishte një oficer policie në lirim. Ai u frenua me grupimin e tij të fshehtë dhe nuk iu bashkua Zhapokikës. Grupi i tij, u kap më pas dhe u ndëshkua me burg. Demo Kasua u arratis në Itali.
Kryengritësit e Zhapokikës, në informacionin që kishin, besonin se dhe në Mallakastër, dhe në krahinën e Lopësit, dhe në zonën e nahijes së Beratit, kishin përkrahës, që ishin gati me armë në dorë. Mbledhja e dytë e fshatarëve të Zhapokikës, mbahet në Mëlovë. Aty flet Xhemal Brahimi, që është mendja politike e grupit të Zhapokikës. Ai u bën thirrje, të bëhen ushtarë në luftën për demokraci. Ky u thotë se ka bërë disa takime, në gjithë ata që i mbështesnin, më rrebelues në rrethet fqinjë me Tepelenën, me të armatosur prej andej, e deri në Tiranë. Ai ka korrierë që mban lidhjet me këto pika të nxehta. (Sot mendojmë që kjo “oratori” e Xhemalit, ka qenë një përpunim propagandistik i njerëzve, jo një realitet. Koha këtë e dëshmoi.)
Kjo mbledhje në Mëlovë, është e gjerë në pjesëmarrje. Vijnë këtu dhe ata fshatarë që e përkrahin realisht rebelimin, dhe ata që japin fjalën, se do jenë me grupin, por që më pas tërhiqen. Xhemal Brahimi, e merr fjalën disa herë në Melovë. Ai lë të kuptojë, se flet në emër të një partie nacionaliste, me qendër në Tiranë. Kjo parti, sipas tij, ka lidhje me ministra e anëtarë të lartë të Partisë në pushtet. Sipas tij, nëpunësit kryesorë të Tepelenës, ushtria e policia, janë në mbështetje të tyre. Mehmet Yzeiri, në fjalën e tij, e mbështet Xhemalin dhe shton se dhe ushtria e Sazanit, dhe diversantët e maleve, dhe Abaz Ermenji e Muharrem Bajraktari, janë në krah të tyre. Kabineti qeveritar në Tiranë, kishte rënë. Kjo propagandë pëlqehet. Atmosfera ndizet. Bëhen thirrje antikomuniste.
Vendoset të krijohet Çeta. Me votim zgjidhet komanda. Komandant, Bajram Kamber Ahmataj, 59 vjeç. Sekretar politik, Xhemal Brahimi. Mehmet Yzeiri – nënkomandant, Salo Kaso, Sefer Yzeiri anëtarë të shtabit. Bëhet betimi tradicional i zonës: një 10 lekëshe shkohet midis dy buzëve,; më pas me ato para, bliheshin qirinj për në faltore. Formula e betimit: “Po tradhtova, plumbi kokës më pret”. Krerët e çetës, shkojnë në lagjen Keçerisht, në Zhapokikën e dytë. Në Keçerisht, ua hapen dyert e shtëpive. I pritën si shpëtimtarë. U dhanë ushqim e strehë. Xhemali mban një mbledhje, në lagjen Mukaj të Luftinjës. Mbledhja zgjati tri orë. Në mëngjes, u bashkohen të tjerë burra me armë.
KAMÇISHTI, PËRPLASJA E PARË ME POLICINË
Vijnë fshatarë nga Kamçishti, përkrahës të rebelimit, që i ftojnë për t’u takuar me njerëzit në Kamçisht. Bëjnë mbledhje në vreshtin e Halil Sulos, në Kamçisht. Ishte natë. Folën krerët e çetës për partinë nacionaliste, për rënien e qeverisë, për kryengritjet që kanë plasur gjithandej. Xhemal Brahimi, fyen me fjalë poshtëruese Partinë Komuniste Shqiptare, Bashkimin Sovjetik. I bëjnë thirrje Kamçishtit, që të rreshtohet me ata. Thirrje: Poshtë Komunizmi. Realisht, ajo çfarë thoshte Xhemal Brahimi, ishte një propagandë në erë, por njerëzit pëlqejnë, besojnë atë që dëshirojnë. Mundet që Xhemali, u besonte vërtet atyre që thoshte. Mbase ky ishte informacioni i tij, apo ajo çfarë besonte ai.
Mbledhja në Kamçisht, zgjati dy orë. Folën për tatime të larta që po i rrjepin, folën për atë që janë lakuriq dhe të këputur. Për ta kjo qeveri, ishte amorale, i mblidhte djemtë e vajzat natën. I merrte me zor në konferenca, në hekurudhë, në punë të papaguar. Xhemal Brahimi, u thotë se komunistët; “do na kolektivizojnë edhe gratë. Se po na vrasin klerikët, njerëzit e fesë”. Ikin nëpër natë nga Kamçishti, në Kackë të Xhapokikës. Shkojnë gjer në malin e Izvorit. Ndërkohë policia e Tepelenës, i ishte drejtuar Kamçishtit. Kishin kapur dy nga shokët e tyre. Çeta kthehet prapa në Kamçisht dhe sulmon policinë. Gani Kojdheli, i merr armën nga duart një polici. Të tjerët i qëllojnë policët me bomba dore.
Policia thyhet, tërhiqet. Kryengritësit i ndjekin nëpër kodra, policët e shpartalluar. Mbetet i vrarë, shefi i Sigurimit për Tepelenën, toger Xhezo Makashi. Çeta merr shokët e Kamçishtit dhe ngjitet në mal. Marrin me vete të lidhur dy fshatarë, që i kishin spiunuar. Nuk merret vendim për t’i vrarë spiunët… i lëshojnë. Në datën 2 tetor, çeta kaloi në malin e Rabijes. Kanë triumfuar mbi policinë. Të kënaqur, këndojnë këngën e Çetës: “Ejani o popull, mblidhemi më ne/ o baba Tomori lësho një rrufe…”!
TË NDJEKUR KËMBA-KËMBËS
Për t’iu shmangur një përplasjeje të dytë me policinë, merret vendim, që të nisen drejt malit të Rabijes. Dikush nga Kamçishti, këmbëngul: “O luftojmë e vdesim këtu, o unë kthehem në shtëpi”. Dhe u kthye. Xhemal Brahimi dhe Beg Veizi, shkuan në Allkomemaj, te Sulo Zaimi. Çeta ecën përroit dhe i pret në Levan. Sulo Zaimin, e kishte arrestuar policia. U ngjitën në malin e Rabijes. Atje flenë dhe rrinë gjithë datën 3. Të nesërmen te shkëmbi i Koçit. Një bari nga Rabija, u çon ujë. Kalojnë në Çocaj, të Allkomemajt. Xhemal Brahimi dhe Mehmet Demua, marrin bukë te fshatari Novruz. Muharrem Sulua, u jep pak bukë, aq sa kishte me vete. Hanë bukë afër mëngjesit. Këtu në Çoçaj, i rrethon policia, që i ndjek këmba-këmbës. Qëllojnë në drejtim të tyre, në tërheqje e sipër. I sprapsin me breshëri armësh dhe me bomba. Ka dëshmi jo të saktësuara, se aty u vra një nga efektivët e Forcave të Ndjekjes. Forcat e Ndjekjes nga Tepelena dhe ato të Beratit, të drejtuara nga toger Sulo Gradeci, përbëheshin nga ushtarë dhe nga policë.
Janë kapur nga policia, ata që i kishin lënë me detyrën e prapavijës, për t’i furnizuar me ushqim dhe me informacion. Janë rrethuar nga policia, shtëpitë që do të ishin baza për strehim dhe për mbështetje me armë e njerëz. Janë arrestuar korrierët.
Rrethimi policor, po ngushtohej. Mbas përplasjes me armë në Çoçaj, çeta ulet në përruan e Çërrilës, ku pushojnë rreth dy orë. Marrin drejtimin për nga Plashniku i Beratit, ku mendojnë se kanë një bazë të sigurt. Të vetmuar, të ndjekur. Pa ushqim. Ka filluar demoralizimi. Ndahen të lëkundurit nga trimat. Dëgjohen shprehjet; “sikur nuk e kishim kështu”! Propagandës së Xhemalit, se; “i presin çeta ngado, se ka rënë qeveria, se ushtria dhe nëpunësit e shtetit, janë me ata, se do vijnë ndihma nga jashtë…”, nuk i besojnë më. Të zhgënjyer, shkëmbejnë fjalë të serta. Antikomunistët e bindur, mblidhen rreth shtabit të çetës. Kjo bërthamë e të betuarve, përmbledh të tjerët.
DEZERTIMET
Tre kamçishtjotët; Gani Kojdheli, Halil Sulua dhe Selfo Xhemali, natën e 5 tetorit, pasi ndjekin çetën rreth një orë, sapo hyjnë në pyll, ndahen praj saj. Kthehen nga erdhën. Ditën fshihen, në mbrëmje afrohen në një korije, pranë lagjes “Bardhaj” të Allkomemajt. Aty gdhihen e ngrysen një natë e një ditë. Në datën 7 tetor, ndjekin shtigjet përfund Allkomemajt, Levanit, Xhaxhajt deri te një pyll ndanë Kamçishtit. Data 8 tetor në pyll. Në mbrëmje, Selfua hyn në fshat, merr bukë dhe kthehet. Aty e shtyjnë edhe datën 9 tetor. Në mbrëmje, marrin bukë në shtëpitë e tyre dhe flenë te Halili. Në datën 10, fshati Kamçisht gdhihet i rrethuar. Dorëzohen Ganiu dhe Selfua, Halili vret veten (ose e vrasin në shtëpinë e tij, sipas një dëshmie tjetër).
FUNDI I ARRATISË
Që nga dita kur major Sulo Zaimi, nuk u bashkua me çetën, hyri grindja. Dhe Sulon na e morën. Si do të vazhdojmë tani? Xhemali mendon të shkojnë në Skrapar, ku ishte Dilaver Çorrogjafi, një ‘diversant i regjur’. Ku janë ata nga jashtë, që do të na hidhnin armë?! Çeta merr drejtimin për në Osmënzezë. Pas kamçishtiotëve, ndahet nga çeta dhe Mehmet Demo. Në përruan e Plashnikut, në Velemen, pylli i koçimares së Plashnikut. Drejtohen për bukë te shtëpia e mikut, që ishte përkrahës dhe bazë e tyre, te Skënder Aliko. E kanë arrestuar dhe Alikon. Shtigjet janë zënë nga forcat e ndjekjes.
SHPARTALLIMI
Kthehen pas. Diku hanë rrush, diku pinë ujë. Në fshatin Zhapokikë të Beratit, gjejnë ushqim. Duan të shkojnë te pylli i Zagonit, por gdhihet. Ndodhen në Gllavë. Janë me shpirt ndër dhëmbë. Në Shkozë të Gllavës, ndeshen ballas me policinë. Është data 8 tetor 1948. Shaqo Muçodemaj, Sefer Yzeiri, Mehmet Yzeiri, Salo Kaso, Xhemal Brahimi (të betuarit), luftuan deri sa i hodhën gjithë bombat, i zbrazin gjithë fishekët që kishin me vete. Mehmet Yzeiri dhe Salo Kaso, mbetën të vrarë. Po ashtu dhe nga pala tjetër, dy policë mbetën të vrarë. Çeta përfundimisht shpartallohet. Disa u fshehën, deri sa u kapën. Të tjerë shkuan në shtëpitë e tyre, ku i prisnin Forcat e Ndjekjes. Disa u vetë dorëzuan. Shaqo Limja e Sefer Yzeiri, iu fshehën policisë për disa muaj. Komandant Bajram Kamber Ahmataj, ish-xhandari 60-vjeçar, e zgjati arratinë nëpër stane e pyje, deri në janar 1949. U kap i fundit, u kap në befasi në fshatin Malëshovë të Përmetit. Vëllai i tij Safet Kamberi, u vra në kufi, tek po tentonte të arratisej.
XHEMAL BRAHIM ASLLANI
Xhemal Brahimi u arratis. Ai u stërvit në kampet e perëndimorëve (Kompania 4000 në Mynih dhe në Maltë), dhe u desantua në Shqipëri, hyri dhe doli disa here, deri më 1960. Fëmijët dhe gruaja e tij, u internuan në Tepelenë, më pas në Lushnje. Dy djemtë bënë burg. U liruan më 1991. Vdiqën shpejt. E shoqja, Sambretja, me të cilën Xhemali pati dhe një vajzë që lindi në internim në Lushnjë, më vitet ’50-të, jetoi më gjatë. Xhemali pati fëmijë, nga martesa e dytë në SHBA-ës. Vdiq i alkoolizuar, me brengën për familjen që në Shqipëri, vazhdonte të ndëshkohej për llogari të tij.
PROCESI GJYQËSOR
Gjyqi u zhvillua në Gjykatën Ushtarake të Gjirokastrës. Gjyqtarët Llazi Polena, Arqile Toska dhe Hamit Bilbili me prokuror Mustafa Beqon, dhanë vendimin nr. 24, datë 14.5.1949. Akuzoheshin se; në shtator – tetor 1948 “kanë formuar bandë të armatosur, për të rrëzuar pushtetin popullor”, se kishin marrë pjesë në luftime kundër forcave të regjimit, se kishin vrarë dy policë dhe shefin e seksionit të Sigurimit, Xhezo Makashin dhe se kishin lidhur dhe kishin dashur të vrisnin dy fshatarë”. Për të gjithë, urdhërohej dënimi me punë të detyruar, konfiskimi i pasurisë si dhe heqja përkohësisht e të drejtës së zgjedhjes. Dënimet mbështeteshin në ligjin nr.372, datë 12.12.1946 “Mbi fajet penale kontra popullit dhe shtetit”. Gjykata e Lartë Ushtarake, e përbërë prej Bilbil Klosit, Sotir Spiros dhe Nonda Papulit, me prokuror Bexhet Memën, me vendimin nr.77, datë 6.7.1949 (për dënimet me heqje lirie), la përgjithësisht në fuqi ndëshkimet e gjykatës së Gjirokastrës. Gjykata e Lartë, nuk ua vë në ngarkim të dënuarve, vrasjen e toger Xhezo Makashit, shefi i Sigurimit Tepelenë.
U dhanë këto dënime:
- Bajram Ahmataj, vjeç 59, arrestuar më 4.1.1949, me vdekje.
- Sefer Yzeri, vjeç 39, arrestuar më 10.10.1949, me vdekje. I falet jeta nga Presidiumi i Kuvendit Popullor. Bëri 33 vjet burg, vdiq i uritur, i vetmuar në një kasolle.
- Shaqo Muçodemaj, vjeç 29, arrestuar më 16.10.1948, me 20 vjet burg.
- Xhemil Asllani, vjeç 21, arrestuar më 5.10.1948, me 15 vjet burg.
- Xhemal Begaj, vjeç 35, arrestuar më 10.10.1948, me 12 vjet burg.
- Mete Dida, vjeç 36, arrestuar më 19.10.1948, me 15 vjet burg.
- Balil Veliu, vjeç 39, arrestuar më 10.10.1948, me 15 vjet burg.
- Xhelal Begaj, vjeç 35, arrestuar më 10.10.1948, me 12 vjet burg.
- Gani Kodheli, vjeç 36, arrestuar më 16.10.1948, me 12 (5) vjet burg.
- Mehmet Mucodemaj, vjeç 21, arrestuar më 5.10.1948, me 12 (5) vjet burg.
- Hajri Mahmutaj, vjeç 39, arrestuar më 10.10.1948, me 12 (6) vjet burg, ri-dënohet, vdes në burg pas 11 vitesh.
- Selfo Xhemali, vjeç 49, arrestuar më 16.10.1948, me 4 vjet burg.
- Beg Veizi, vjeç 49, arrestuar më 5.10.1948, me 4 vjet burg.
- Nuredin Rrodhaj, vjeç 29, arrestuar më 5.10.1948, me 4 vjet burg.
- Hajredin Alushi, vjeç 33, arrestuar më 16.10.1948, me 4 vjet burg.
- Mehmet Kalemaj, vjeç 49, arrestuar më 16.10.1948, me 4 vjet burg.
- Teme Pajo, vjeç 49, arrestuar më 5.10.1948, me 3 vjet burg.
- Shefqet Dida, vjeç 19, arrestuar më 16.10.1948, me 3 vjet burg.
- Seit Çaushaj, vjeç 34, arrestuar më 10.10.1948, me 3 vjet burg.
- Jashar Canaj, vjeç 44, arrestuar më 10.10.1948, me 3 vjet burg.
- Maliq Dida, vjeç 57, arrestuar më 5.10.1948, me 2 vjet burg.
- Demo Aliu, vjeç 45, arrestuar më 5.10.1948, me 2 vjet burg.
- Riza Çaushi, vjeç 49, arrestuar më 10.10.1948, me 2 (1) vjet burg. Ky arratiset, jo me çetën, por i vetëm me armë në sup, fshihet larg fshatit në një pyll. Kish dhënë fjalën të jetë me çetën, por nuk shkoi me ata. Dorëzohet vetë, më 10.10.1948 në Tepelenë.
- Myfit Islami, vjeç 29, arrestuar më 5.10.1948, me 2 vjet burg.
- Adem Qopeku, vjeç 21, arrestuar më 10.10.1948, me 12 vjet (2) burg. U ri-dënua, bëri 33 vjet burg.
Shifrat e viteve në kllapa ( ) janë dënimet përfundimtare, dhënë nga Gjykata e Lartë.
KRYENGRITËS TË VRARË
Mehmet Yzeiri Selaj, u vra në përpjekje me policinë në Gllavë, 8 tetor 1948. Salo Kaso Didaj, u vra në përpjekje me policinë 8 tetor 1948. Safet Kamber Ahmataj, vritet nga ushtarët në kufi. Halil Sulo, vritet nga policia në shtëpinë e tij, Kamçisht. Sipas dëshmisë së Gani Kojdhelit në gjyq, Halil Sulo ka vrarë veten, kur u kthyen nga arratia, në fshatin Kamçisht. Më 21.7.1949, u krye ekzekutimi i dënimit me vdekje, i të dënuarit Bajram Kamber Ahmetaj. Ai thotë në fjalët e fundit: “Për toger Xhezo Makashin, dëgjova rojet e burgut të thoshin se; e vrau kush e vrau, u mbeti këtyre”. Bajrami kërkoi që pushteti të mos hakmerrej mbi fëmijët e tij, që kufomën e tij mundësisht t’ia çonin familjes…! E mbylli jetën me fjalët; “Rroftë Shqipëria”.
Shefi i sigurimit të Tepelenës, Xhezo Makashi (1920-1948) me vendimin nr.65, datë 2.10.1971, u shpall dëshmor.
KRYENGRITJE E FSHATARËVE TË VARFËR
Ja, shihni më poshtë, cilat ishin ato që quhen logjistikë, si depo rezervë, fuqi financiare, armatim, buxhet mbështetës për çetën! Në gjithë udhëtimin e saj, çeta mbante me vete një mitraloz pa gjilpërë, që nuk u zbraz kurrë. Nga dosjet vijnë dhe këto fakte, mbi atë se ç’fuqi ekonomike kishte çeta, më 2 tetor 1948 kur u nis në luftë: “Hëngrëm bukë e dhallë te Zeneli. Xhelal Rizai, solli bukë dhe një gavetë mjaltë. M. Yzeiri hëngri petulla që i solli Sefer Yzeiri, vëllai. Te Muharrem Mehmeti, morëm bukë e dhallë. Musa Qazimi, ka prurë një gavetë mjaltë. Te Halili Sulua, morëm bukë e duhan. Shaip Sulos, i morëm bukë thatë, i dhamë 1000 lekë. Hajdar Rustemi dha bukë dhe një torbë me domate. Te Hajredin Alushi, bukë e domate. E shoqja e Zane Abazit, na ka dhënë një trastë me bajame kur kemi qenë në pyllin e Zagonit. Një mulli dha tre trasta me bukë dhe një batanije. Barinjtë jepnin bukë e duhan. Djali i Sefer Yzeirit dha një shportë rrush. Ibrahim Jonuzi, nuk erdhi me ne, se nuk kishte pushkë. Shaqua e bleu pushkën, 6 napolona”.
Me këtë fuqi ekonomike, çeta e uritur dhe me frymë të rënduar, i mbylli ditët e saj me armë, me luftë. Pastaj… vite e vite burg.
Qenë njerëz që besonin në atë që ishin, në atë që donin. Jo në gjë tjetër. Dhe i paguan me kokë, me burg bindjet e tyre. Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016