Nga Dashnor Kaloçi
Pjesa e njëzetenjë
Memorie.al / Plot 43 vite më parë, duke u gdhirë data 18 dhjetor e vitit 1981, kryeministri shqiptar Mehmet Shehu, i cili e mbante atë funksion që nga viti 1953, u gjet i vdekur në dhomën e tij të gjumit (sipas versionit zyrtar, nga plumb “a” pistolete), në vilën ku banonte së bashku me familjen e tij, në hyrje të “Bllokut” të udhëheqjes së lartë të PPSH-së, fare pak metra nga godina e Komitetit Qendror të PPSH-së dhe gjithashtu vilës së Enver Hoxhës. Edhe pse kanë kaluar më shumë se katër dekada nga ajo ditë, e konsideruar si një nga ngjarjet më të rënda dhe të bujshme gjithashtu të atij regjimi, ende dhe sot, nuk ka një version të qartë e të saktë, rreth asaj që ka ndodhur me ish-kryeministrin shqiptar, Mehmet Shehu, në mesnatën duke u gdhirë 18 dhjetori 1981! Por, edhe pse pas viteve ’90-të, janë bërë publike me dhjetëra dëshmi dhe dokumenta arkivore, lidhur me atë ngjarje, “vrasja apo vetëvrasja e Mehmet Shehut”, vazhdon të jetë objekt debatesh dhe diskutimesh të shumta, madje duke e mbështjellë edhe më shumë me mister, të vërtetën rreth saj!
Nisur edhe nga ky fakt, në kuadrin e publikimit të dhjetëra dëshmive dhe dosjeve me dokumente arkivore nga fondi sekret i ish-Sigurimit të Shtetit dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, apo dhe Komitetit Qendror të PPSH-së, që kemi botuar në këto tre dekada pas shembjes së regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia, Memorie.al, ka siguruar dosjen voluminoze “të armikut Mehmet Shehu”, e cila është nxjerrë nga fondi sekret i ish-Sigurimit të Shtetit pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme (tashmë pjesë e fondit të Autoritetit për Informimin e Dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit), ku me ndonjë përjashtim të vogël, pjesa më e madhe e tyre, nuk e ka parë kurrë dritën e botimit dhe publikohen për herë të parë e të plota.
Në dosjen në fjalë, gjenden të plota dhe me faksimilet përkatëse, akt-ekspertiza e grupit operativo-hetimor, që u ngrit menjëherë që paraditen e 18 dhjetorit 1981, me në krye Koço Josifin, (kryetar i Hetuesisë së Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Tiranës), mjekët-ligjorë Dr. Fatos Hartito dhe Docent Bashkim Çuberi, mjekët e kryeministrit, Milto Kostaqi dhe Llesh Rroku, si dhe ekspertin kriminalist të Laboratorit Qendror Kriminalistik të Ministrisë së Brendshme, Estref Myftari, të asistuar nga funksionarët e lartë të asaj ministrie, Xhule Çiraku, Elham Gjika dhe Lahedin Bardhi.
Gjithashtu në dosjen voluminoze në fjalë që po bëjmë publike, ndodhen edhe dëshmitë e familjarëve të ish-kryeministrit Mehmet Shehu, personelit të shërbimit dhe grupit të tij të shoqërimit, si dhe të gjitha personave të tjerë, që u thirrën dhe deponuan rreth asaj ngjarje. Për më shumë rreth kësaj etj., na njohin dokumentet në fjalë, të cilat po i publikojmë të plota, së bashku me faksimilet dhe fotot përkatëse.
Por, edhe pse kemi të bëjmë vetëm me dokumente arkivore, duhet theksuar se; duke e ditur tashmë se si ka funksionuar ai sistem i para viteve ’90-të, kurrsesi nuk mund të pretendojmë për vërtetësinë absolute rreth atyre çka shkruhet aty, pasi jo vetëm nga personat që kanë dhënë dëshmitë e tyre, por edhe nga hetuesit e kësaj çështje, është bërë e ditur se; ato janë marrë në trysni, presion, intimidim dhe dhunë fizike e psikologjike, madje duke shkuar më tej, ku disa prej hetuesve, i kanë shkruar vetë ato dhe dëshmitarët apo të pandehurit, vetëm sa kanë hedhur firmën aty.
DOKUMENTI ARKIVOR, ME PROCES-VERBALIN E MARRJES NË PYETJE TË ORJON JANI TREBICKA, OFICER I GRUPIT TË SHOQËRIMIT TË KRYEMINISTRIT MEHMET SHEHUT, NGA ANA E HETUESVE TË MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME, SOKOL KOLEKA DHE BASHKIM CAKA
P R O Ç E S – V E R B A L
(I pyetjes së dëshmitarit)
Sot më datën 25.8..1983, në Tiranë.
Ne, hetuesit e M.P.B., Sokol Koleka dhe Bashkim Caka, marrim në pyetje si dëshmitar:
- Emri, emri i babës, mbiemri: Orjon Jani Trebicka.
- Datëlindja, (dita muaji, viti), 3 korrik 1950.
- Arsimi: Të lartë ushtarak.
- Vendbanimi: Lagjja nr. 1, Rruga “Mihal Grameno”, Pallati 94, Shkalla nr. 2, Tiranë
- Detyra: Oficer në Repartin 326 në M.P.B.
- Anëtarësia në Parti: Pa parti.
- A është i dënuar: I pa dënuar.
- Numri i letërnjoftimit: Nuk e ka me vete.
- Marrëdhëniet me të pandehurin: Nuk ka lidhje familjare
Hetuesi më paralajmëroi për përgjegjësinë penale, në bazë të nenit 202 të K.P., për dëshmi të rreme.
FIRMA E DËSHMITARIT
Orjon Trebicka
Në lidhje me çështjen, mund të them si më poshtë: Në vitin 1978, unë kam filluar punë si oficer, në grupin e shoqërimit të armikut Mehmet Shehu. Më datën 17 dhjetor 1981, me urdhër të Ali Çenos, i cili ka qenë përgjegjës i grupit, kam shkuar edhe unë për të shoqëruar armikun Mehmet Shehu, në mbledhjen e Byrosë Politike, duke qenë edhe vetë Ali Çeno, si dhe mjeku Llesh Rroku.
Mbasi ka përfunduar mbledhja e Byrosë Politike, e kemi shoqëruar armikun Mehmet Shehu, për në shtëpi. Mbasi Mehmet Shehu u fut në shtëpi, ne kemi shkuar te dhoma e shërbimit të oficerëve, ku me shërbim ka qenë oficeri, Dashamir Rabaj.
Në këtë dhomë ka pasur një televizor, kështu që unë nuk e kam pasur vëmendjen, lidhur me porositë që Ali Çeno i ka dhënë oficerit të shërbimit Dashamir Rabaj. Por mbasi kemi qëndruar pak këtu, jemi larguar për në shtëpi.
Mesa më kujtohet, unë kam ikur në shtëpi së bashku me Ali Çenon, me të cilin kam shkuar deri tek Kinema “Partizani” dhe pas kësaj secili ka shkuar në shtëpinë e tij.
Kur kam shkuar në shtëpi, unë kam bërë banjë dhe po qëndroja në dhomë, kur më vonë më ka marrë në telefon mjeku Milto Kostaqi, i cili këtë natë nuk ka shkuar për të fjetur në shtëpinë e tij, por së bashku me mjekun tjetër, Llesh Rroku, kanë qëndruar në shtëpinë e Mehmet Shehut, sepse siç e mora vesh, Mehmet Shehu kishte pasur tensionin e lartë.
Gjatë bisedës në telefon me Milto Kostaqin, bënim shaka me njëri tjetrin. Gjatë bisedës në telefon, unë e kam pyetur Milto Kostaqin, se çfarë ka ndonjë gjë dhe ai më ka thënë se; Mehmet Shehu ka kërkuar Ali Çenon dhe Aliu kishte ardhur në shtëpinë e Mehmet Shehut………………………………………..!
Unë nuk e mbaj mënd dhe nuk mund ta përcaktoj se në çfarë ore ka mbaruar mbledhja e Byrosë Politike, po kështu unë nuk mund të përcaktoj, se në çfarë ore jam larguar së bashku me Ali Çenon, për në shtëpi……………………………………….!
Së bashku me Aliun, mbasi kemi dalë nga dhoma e shërbimit të oficerëve, ne kemi kaluar nga lulishtja përballë shtëpisë, tek shatërvani, duke dalë në bulevardin kryesor. Gjatë rrugës që kemi bërë së bashku me Ali Çenon, nuk më ka thënë gjë nëse do të kthehej përsëri me shërbim, apo jo………………………..!
Ndonjë veprim armiqësor të Mehmet Shehut, Ali Çenos, apo personave të tjerë, unë nuk di. Por dua të theksoj, se Mehmet Shehu e mbante shumë afër Ali Çenon e, për çdo gjë bisedonte vetëm me atë. Kam për të thënë se, Ali Çeno para se të shkonte për në Suedi, sikur e mbante të fshehtë dhe nuk u thoshte të gjithëve, se do të shkonte atje për të shoqëruar Skënder Shehun.
Një gjë të tillë mua Ali Çeno ma ka thënë 4-5 ditë para se të nisej për në Suedi, duke më porositur që mos ta bisedoja me njeri tjetër. Ali Çeno vetë na ka thënë që do të shkonte në Suedi, për të shoqëruar Skënder Shehun, që të mos mërzitej nga prishja e fejesës me Silva Turdiun, por nëse ky ka qenë vërtetë qëllimi i dërgimit të Ali Çenos në Suedi, apo Mehmet Shehu e ka dërguar me ndonjë qëllim tjetër, unë nuk e di………………!
Kur kemi qenë me pushime në Dajt, në vitin 1981, në kohën që bëhej lëvizja e plaçkave të shtëpisë së Mehmet Shehut, nga shtëpia e vjetër për në shtëpinë e re, Fiqret Shehu mbasi ka marrë në telefon Jonuz Luton, ka qenë e shqetësuar shumë për lëvizjen e një baule të saj, për të cilën ajo kishte dhënë porosi që të mos lëvizej.
Për këtë gjë Fiqretja kërkoi që të nisej menjëherë për në Tiranë, ku e kam shoqëruar unë. Më kujtohet se para se të nisej, Mehmet Shehu duke qeshur i tha: “Do të humbasin xhevahiret”! Fiqretja ka ardhur menjëherë në Tiranë, ku mbasi i ka parë sendet që i kishte, është qetësuar, sikur të mos kishte ndodhur gjë. Se çfarë sendesh ka pasur ajo, unë nuk e di…………….!
Proces-verbalin, mbasi m’u lexua dhe pashë që thëniet e mija janë shkruar drejt, e firmos pa asnjë vërejtje. Memorie.al
Dëshmitari H e t u e s a t
Orjon Trebicka Bashkim Caka Sokol Koleka
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016