Nga Dashnor Kaloçi
Pjesa e tetë
Memorie.al/ publikon disa dokumente arkivore, të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), ku ndodhet edhe arkivi personal i ish-udhëheqësit të Shqipërisë komuniste, Enver Hoxha, i cili në ditarin e tij politik, që i përket një periudhe të gjatë kohe, duke filluar nga maji i vitit 1967, e deri në dhjetorin e 1983-it, ai ka mbajtur shënime për ngjarjet e Lindjes së Mesme, si; konflikti i gjatë Izrael-Palestinë, luftërat e vazhdueshme ndërmjet Izraelit dhe vendeve arabe, luftën gjashtë ditore në vitin 1967, ku Izraeli mposhti Egjiptin dhe koalicionin e vendeve arabe, e pushtoi lartësitë Golan, luftën e Yom Kippurit në vitin 1973, ku sërish Izraeli, pasi mposhti koalicionin e vendeve arabe, (Egjipti, Algjeria, Siria, Iraku, Jordania, Jemeni, Libani, Maroku, etj.) pushtoi gadishullin e Sinait, të cilin e dorëzoi në vitin 1979, bllokimin e mbylljen e Kanalit të Suezit, (ku Shqipëria kishte interesa jetike, për shkak të ndihmave që i vinin nga Kina në rrugë detare), e deri luftën civile në Liban, në fillimin e viteve ’80-të, etj. Çfarë shkruante diktatori i Shqipërisë komuniste, Enver Hoxha, në ditarin e tij politik ku ka bërë analiza, dhe cili ishte qëndrimi i Tiranës zyrtare, për konfliktin ndërmjet Izraelit dhe vendeve arabe, si dhe shteteve të ndryshme që i mbështesin ata, si; Bashkimi Sovjetik, SHBA-ës, Britania e Madhe, Republika Popullore e Kinës, Republika Federative e Jugosllavisë, etj.?! A ishte i vërtetë informacioni që kishte Enver Hoxha në qershorin e vitit 1967, sipas të cilit, Moska zyrtare, do i ofronte ndihmë Egjiptit, duke sjellë Flotën e saj Ushtarake Detare në Mesdhe, në rast se Tirana zyrtare, do pranonte që anijet sovjetike, të ankoroheshin në portet e Durrësit, Vlorës, Shëngjinit etj., apo ajo ishte një paranojë e Hoxhës, gjë e cila bëri që Ushtria Shqiptare, të kalonte në gatishmëri luftarake nr. 1, madje duke mobilizuar edhe forcat rezerviste e ato të çetave vullnetare?! Lidhur me këtë, etj., na njeh ditari politik i ish-udhëheqësit kryesor të Shqipërisë komuniste, i cili do publikohet në disa numra nga Memorie.al
E PREMTE, 22 SHTATOR 1978
TRE POLITIKANE DHE PROBLEMET E LINDJES SE MESME
18 shtator agjencia e lajmeve ‘Associated Press’ dha nga Uashingtoni, tekstin e marrëveshjeve që u arritën në Kemp Dejvid, në takimin midis Xhimi Karterit, Anvar el Sadatit dhe Menaem Beginit, mbi problemin e Lindjes së Mesme, problem që është me rëndësi të madhe jetike, për popujt arabë e që njëkohësisht i intereson shumë edhe imperializmit amerikan. Imperializmi amerikan në Lindjen e Mesme, i ka futur thonjtë thellë dhe bën një politikë përçarëse në mes popujve arabë, të cilët nuk e kanë gjetur dhe nuk po e gjejnë me njëri-tjetrin, fjalën e përbashkët edhe në këto momente kaq të vështira, për të gjithë komunitetin arab.
Kjo ngjet për arsye se pushteti në vende të ndryshme të këtij rajoni, ndodhet në duart e borgjezisë së madhe reaksionare, shtypëse, shfrytëzuese e antipopullore, anti-arabe. Borgjezia, në të gjitha vendet e këtij rajoni, vetëm emrin ka arabe, sepse kokë e këmbë, është shitur te të huajt, tek imperialistët amerikanë, në radhë të parë, te sovjetikët, te francezët, tek anglezët dhe te të gjithë reaksionarët e botës. Prandaj reaksioni botëror, bën çdo përpjekje që këtë rajon, ta mbajë të përçarë dhe shtetet e ndryshme arabe, të rrojnë vazhdimisht në kontradikta me njëri-tjetrin. Domethënë reaksioni botëror, synon t’i mbajë këta popuj nën zgjedhë, në interes të dinastive që mbretërojnë në këto vende, në varfëri, në robëri, bile mesjetare, dhe t’i detyrojë të shesin pasurinë e tyre të madhe, naftën, për të nxjerrë prej saj, përfitime përrallore.
Në këto situata Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që janë xhandari dhe padroni kryesor, si me thënë, i këtij pellgu, ndjekin vazhdimisht politikën “përça e sundo”. Ato vënë njërin shtet kundër tjetrit, grupojnë disa shtete kundër shteteve të tjera, nxitin e zhvillojnë luftëra lokale në mes Izraelit dhe Egjiptit, në mes Izraelit dhe Sirisë, në mes Sirisë e marionetave libaneze, në mes irakianëve e sirianëve, në mes Arabisë Saudite e Jemenit të Veriut, ndaj Jemenit të Jugut, krijojnë mosmarrëveshje në Gjirin Persik, e të tjera komplote të tilla djallëzore. Veçanërisht Izraelin, imperializmi amerikan e ka përdorur si xhandar të vërtetë në shërbim të tij. Ky xhandar ka arritur të shkaktojë deri luftëra të përgjakshme me Egjiptin, Sirinë, Libanin, Jordaninë, etj.
Imperializmi amerikan e mbështet fuqimisht Izraelin me armë, nga më modernet, bile, siç thuhet, i ka dhënë edhe bombën atomike. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e kanë ndihmuar Izraelin, gjithashtu, edhe nga ana logjistike, për arsye të peshës së madhe dominuese që kanë, qarqet reaksionare financiare sioniste, në ekonominë kapitalisto-imperialiste botërore. Pra, imperializmi amerikan, e ka bërë Izraelin, veglën e tij më të përshtatshme. Në momentet kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës, acarohen me vendet arabe për naftën, për çështjen e furnizimit e të çmimit të saj, nëpërmjet veglës së tyre, Izraelit, krijojnë, sikurse kanë krijuar, incidente të përgjakshme që kanë vajtur deri në luftë. Këto luftëra, i kanë dhënë mundësi Izraelit, të pushtojë territore egjiptiane, siriane e jordaneze, si: Sinain, Cisjordaninë, Golanin, rripin e Gazës dhe as lëviz më që andej pa e detyruar.
Me gjithë rezolutat e panumërta që janë marrë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, kundër veprimeve të Izraelit, megjithëse shtetet e botës e kanë ngritur me të madhe zërin kundër tij, Izraeli ka vazhduar veprimtarinë e vet agresive. Ai jo vetëm ka pushtuar territore arabe, por në to, duke pranuar çifutë emigrantë nga Polonia, nga Rumania, sidomos nga Bashkimi Sovjetik dhe nga vende të tjera të Evropës, ka krijuar koloni çifute. Më tepër nga të gjithë popujt arabë, po vuan populli heroik palestinez, i cili ka dekada të tëra, që mban mbi shpinë mjerimin më të madh që ka parë njerëzimi. Ai rron si muhaxhir, duke u strehuar nëpër kasolle dhe në tenda të shkretëtirës, sepse ka humbur atdheun e tij, që ia kanë pushtuar izraelitët dhe s’ia lëshojnë. Prandaj populli palestinez, është ngritur në luftë të pamëshirshme, deri tash pa kompromis.
Pavarësisht se brenda në lëvizjen çlirimtare palestineze, ka grupe me pikëpamje të ndryshme, në përgjithësi të gjithë dëshirojnë çlirimin e vendit të tyre, nga sionistët izraelitë. Ku nuk e gjen popullin palestinez, që rron i shpërndarë në të tëra vendet arabe: në Liban, ku ai është i vendosur në fshatra që janë qendra luftarake: në Egjipt, ku ka jetuar si muhaxhir dhe si luftëtar; në Siri, ku herë lejohet të luftojë, herë nuk lejohet; ka jetuar e jeton edhe në Jordani, ku është shtypur barbarisht; në Irak, në Arabinë Saudite, në Jemen, në Emiratet e Gjirit Persik, edhe në Francë, etj. Ai është një popull trim, luftëtar, që s’e ka pushuar rezistencën e vet asnjë ditë. Kudo që është, në rajonin e Lindjes së Mesme, ai lufton në forma të organizuara gueriljesh, kurse në vende të tjera të botës, bën sabotazh kundër gjithçkaje izraelite, organizon atentate, të cilat bota kapitaliste, i quan terrorizëm, sepse ajo kërkon qetësi, për të shfrytëzuar si duhet e, sa i duhet, pasurinë e këtyre vendeve që ka nën sundimin e vet.
Tash, në këto situata të vështira dhe pak a shumë paqësore, që Shtetet e Bashkuara të Amerikës krijuan në mes Egjiptit dhe Izraelit, pas shumë diskutimesh, manovrash, prapaskenash e dredhish të panumërta, të tre këta u mblodhën në Kemp Dejvid, gjoja për të rregulluar gjendjen e Lindjes së Mesme. Ata diskutuan kokë më kokë, trembëdhjetë ditë. Bile Xhimi Karteri, u bë pjesëtar aktiv i këtyre bisedimeve, domethënë bisedimet nuk zhvilloheshin më, midis Sadatit dhe Beginit, por midis Karterit, Sadatit dhe Beginit. Karteri u quajt kështu, si një partner i tretë i këtyre bisedimeve, për të vendosur gjoja paqen në Lindjen e Mesme. Natyrisht nga e gjithë kjo “punë”, “mali polli një mi”. Ky “mi” përfaqëson atë çka “fitoi” ose nuk fitoi populli palestinez dhe në përgjithësi, popujt arabë.
Në Kemp Dejvid, sipas komunikatës, imperializmi amerikan arriti “të përfundonte” njëfarë pajtimi, në mes Izraelit të Beginit dhe Egjiptit të Sadatit, për një paqe të përkohshme, për një rregullim të përkohshëm, të zonës së Cisjordanisë, të rripit të Gazës dhe të shkretëtirës së Negevit. Në të vërtetë, asgjë konkrete nuk u arrit. Mund të themi se u përcaktua vetëm që brenda 5 vjetësh, duhet të veprohet në atë mënyrë, që pjesërisht Izraeli, të tërhiqet nga Bregu Perëndimor i lumit Jordan (Cisjordania) dhe nga Gaza, me qëllim gjoja që aty të vendoset shteti autonom i palestinezëve, të këtyre zonave. Administrata palestineze autonome, natyrisht, “do të garantohet” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe kurdoherë e indirekt, do të jetë nën sundimin ose nën vëzhgimin e Izraelit, të Egjiptit dhe të Jordanisë.
Egjiptit iu dhanë edhe disa satisfaksione të vogla. Kështu, për shembull, u ra në marrëveshje për njëfarë tërheqjeje të Izraelit, nga një pjesë e gadishullit të Sinait. E gjithë kjo, është një manovër djallëzore e imperializmit amerikan dhe e agjentëve të tij. Për imperializmin amerikan kjo është, si me thënë, një fitore e përkohshme, sepse, siç thashë më lart, është caktuar që brenda 5 vjetëve gjoja, do të punohet për të arritur në një shtet “të vetëqeverisur” në Bregun Perëndimor të lumit Jordan dhe në rripin e Gazës. Ky i ashtuquajtur shtet, i vetëqeverisur gjatë kësaj kohe, do të ketë njëfarë forcë policore të vetën, por aty kurdoherë do të jenë të pranishme forcat ushtarake e policore izraelite, për të ruajtur kufijtë, si dhe forcat jordaneze.
Kështu palestinezët, natyrisht, do të kenë vetëm hapëset e kashtës. Dhe në rast se arrihet një statukuo e tillë, siç u vendos në Kemp Dejvid, atëherë mund të nënshkruhet një marrëveshje paqeje, midis Egjiptit dhe Izraelit. Gjithë synimi është që; gjatë kësaj periudhe 5-vjeçare, imperializmi amerikan të ketë njëfarë qetësie, për ta shtrydhur mirë “lopën” arabe, që nafta të rrjedhë me lehtësi, në cisternat dhe në naftësjellësit amerikanë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të zhvillojnë një fushatë intrigash në të gjitha shtetet arabe, për të pranuar vendimet e Kemp Dejvidit dhe për të arritur në një konkluzion të përbashkët, rreth një paqeje gjoja të përgjithshme. Mirëpo populli palestinez me të drejtë, asgjë nuk pranon në gjithë këtë dallavere të Sadatit, të Beginit dhe të Xhimi Karterit, sepse, në fakt, nuk fiton asgjë.
Atdheu i tij është i pushtuar, prandaj me të drejtë ai do të luftojë deri në fund, për çlirimin e tokave të atdheut të vet dhe për vendosjen e një qeverie të vërtetë të popullit palestinez, pa ndërhyrje dhe pa tutelë të armiqve të tij të përhershëm. Por është për t’u çuditur, se me paturpësinë më të madhe, në komunikatë thuhet se; marrëveshja e arritur, bëhet edhe me pjesëmarrjen e Jordanisë, kurse kjo nuk ishte fare në Kemp Dejvid. Qeveria jordaneze e Mbreti Hysein, megjithëse dihet ç’janë, deklaruan se; s’kanë asnjë angazhim, për sa është vendosur në Kemp Dejvid. Marrëveshjen e Kemp Dejvidit, nuk e pranoi Siria, e cila e quan Sadatin tradhtar të kombit arab, nuk e pranuan as Algjeria, Maroku, Libia, të gjitha vendet e tjera arabe. Bile kundër, foli edhe Mbreti i Arabisë Saudite.
Pra, e gjithë kjo dallavere, u bë vetëm në mes tre personave. Natyrisht, për të bindur ata që kundërshtuan, Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjatë këtyre 5 vjetëve, do të bëjnë dallavere të tjera të panumërta, bile këto filluan. Në fakt, pas botimit të komunikatës sekretari i Departamentit të Shtetit, Sajrus Vens, u nis për në Lindjen e Mesme, që të bisedojë me Mbretin Saud, me Mbretin Hysein, me Asadin, e të tjerë, me qëllim që si e si t’i bindë, t’u bëjë presione, ose t’u japë “akëste” që të pranoinë zgjidhjen e përkohshme, që i dha kësaj çështjeje Xhimi Karteri. Kështu do të vejë kjo punë. Në këtë mes Kina, botoi në shtypin e saj një njoftim, për marrëveshjen e Kemp Dejvidit.
Tani për tani, nuk mban qëndrim të hapët, por kuptohet se ajo qëndron në anën e imperializmit amerikan dhe të Sadatit. Më vonë, do ta shfaqë më hapur këtë mbështetje, sepse ajo lufton për statukuonë aktuale, në Lindjen e Mesme, domethënë që atje të sundojë imperializmi amerikan, e jo vetëm atje, po kudo në botë, bile edhe afër saj në Japoni, në Kore, në Tajvan e gjetkë dhe Kina të përfitojë nga lëmoshat e nga kreditë e tij, për t’u bërë superfuqi. Dhe tërë kjo politikë bëhet për arsye, se gjoja luftohet social-imperializmi sovjetik.
Natyrisht, edhe social-imperializmi sovjetik, përfiton nga këto situata dhe ndodhet automatikisht në krah të regjimeve të tjera, gjoja të forta, që mbajnë qëndrim kundër marrëveshjes Sadat-Begin. Ne duhet të përgatitim një artikull, që ta demaskojmë këtë lojë të imperializmit amerikan, i cili kërkon të mbajë në robëri popujt arabë, t’i shfrytëzojë këta, t’i intrigojë, t’i përçajë, të bëjë që populli palestinez, të mos fitojë kurrë tokat e veta dhe të mos vendosë kurrë qeverinë e tij. Njëkohësisht të demaskojmë Izraelin, i është vegla e përhershme barbare fashiste e imperializmit amerikan në Lindjen e Mesme.
E MARTE, 3 PRILL 1979
VENDET E TJERA ARABE BOJKOTOJNË EGJIPTIN
U shpall teksti zyrtar i rezolutës që u aprovua nga Konferenca e Këshillit të Lidhjes Arabe, në nivelin e ministrave të Punëve të Jashtme, mbledhur në Bagdad. Kjo konferencë dha rezultate, të paktën në sipërfaqe, kundër qeverisë egjiptiane. Në këtë rezolutë, thuhet se qeveria e Republikës Arabe të Egjiptit, duke nënshkruar traktatin e paqes me Izraelin, nuk ka përfillur rezolutat e konferencës arabe të nivelit të lartë, veçanërisht rezolutat e konferencave të nivelit të lartë të Rabatit dhe të Algjerit, rezolutat e Konferencës së 9-të arabe të nivelit të lartë. Thuhet, gjithashtu, se nuk ka përfillur edhe thirrjen e mbretërve dhe të presidentëve arabë, për të mos nënshkruar asnjë traktat paqeje me armikun sionist. Sipas kësaj rezolute, pjesëtarët e konferencës së Bagdadit, nënshkrimin e traktatit të paqes me Izraelin nga qeveria e Sadatit, e konsiderojnë tradhti.
Në rezolutë thuhet se; qeveria egjiptiane me këtë veprim, doli nga radhët arabe dhe zgjodhi politikën e bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të qëndruar në të njëjtat pozita me armikun. Qeveria e Sadatit, akuzohet se hoqi dorë nga detyra kombëtare, për çlirimin e territoreve të pushtuara arabe, veçanërisht të Jerusalemit; për të rifituar të drejtat e pamohueshme kombëtare të popullit palestinez, duke përfshirë edhe të drejtën për t’u kthyer në atdheun e tij, të drejtën e vetëvendosjes, për të krijuar një shtet të pavarur të Palestinës, në tokën e tij kombëtare; për të ruajtur solidaritetin dhe unitetin arab; për të mbrojtur çështjen arabe, etj. Në rezolutë thuhet se Këshilli i Lidhjes Arabe, në nivelin e ministrave të Jashtëm, vendosi:
E para, a) Të thërriten menjëherë ambasadorët e shteteve arabe nga Egjipti. Të rekomandojë prerjen e marrëdhënieve politike dhe diplomatike me qeverinë egjiptiane. Qeveritë arabe, duhet të marrin masat e duhura, për ta zbatuar këtë rekomandim brenda një muaji pas shpalljes së këtij vendimi dhe në përputhje me dispozitat kushtetuese të çdo vendi. E dyta, anëtarësia e Egjiptit në Lidhjen Arabe, të konsiderohet si e pavlefshme, duke filluar nga data e nënshkrimit të traktatit të paqes me sionistët. Kjo do të thotë që Egjiptit, duhet t’i hiqen të gjitha të drejtat e anëtarësisë në Lidhjen Arabe. E treta, a) Në Tuniz, kryeqytet i Tunizisë, do të jetë qendra e përkohshme e Lidhjes Arabe, e sekretariatit të saj të përgjithshëm, e këshillave ministerialë dhe e komiteteve të përhershme teknike, duke filluar nga data e nënshkrimit të traktatit të paqes, midis Egjiptit dhe Izraelit.
- T’i bëhet thirrje qeverisë së Tunizisë që të krijojë të gjitha kushtet e duhura për selinë e re të Lidhjes Arabe. c) Të krijohet një komitet prej 6 vendesh anëtare: Iraku, Siria, Tunizia, Kuvajti, Arabia Sauditë dhe Algjeria, si dhe nga përfaqësuesi i sekretariatit të përgjithshëm të Këshillit të Lidhjes Arabe, për të zbatuar këtë rezolutë, për t’u bërë thirrje shteteve anëtare dhe për t’u dhënë ndihmën e kërkuar këtyre vendeve. Komiteti merr kompetencat e plota të Këshillit të Lidhjes Arabe për të marrë masat e duhura për zbatimin 370 e kësaj rezolute, duke përfshirë mbrojtjen e pasurive, të fondeve. të dokumenteve dhe të protokolleve të Lidhjes Arabe.
Komiteti duhet të marrë masat e duhura, kundër çdo veprimi të ndërmarrë nga qeveria egjiptiane, për të penguar transferimin e selisë së Lidhjes Arabe, ose për të shkelur të drejtat apo interesat e saj. Kjo rezolutë, përmban mjaft vendime të tjera, për masa konkrete kundër Egjiptit. Me fjalë të tjera, në Bagdad vendet arabe, morën një vendim me anën e të cilit bojkotojnë Republikën Arabe të Egjiptit, e konsiderojnë Sadatin tradhtar dhe nuk e pranojnë Traktatin Egjiptiano-Sionist, që u nënshkrua më 26 mars 1979, tok me Karterin, në Kemp Dejvid të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Kjo, natyrisht, do të ketë rrjedhime në Egjipt, por mua më duket se jo të gjitha vendet arabe që u mblodhën në Bagdad, janë plotësisht të vendosura në qëndrimin kundër Egjiptit. Në sipërfaqe, duket sikur rezoluta është marrë njëzëri, por, përveç Sirisë, e cila ka interesa, sepse ka një pjesë të territorit të saj të pushtuar nga Izraeli, përveç palestinezëve që mbetën pa atdhe dhe që çështja e tyre as nuk u peshua fare në nënshkrimin e Traktatit Egjipt-Izrael, Irakut që qëndron pas Sirisë, pra, përveç këtyre, që janë më shumë të interesuar të vihen kundër Egjiptit, me shtetet e tjera, si Arabia Saudite e të tjera, nuk ndodh kështu. Në këto shtete ka lëkundje. Ato do të lëvizin sipas situatave e koniunkturave edhe në drejtim të politikës amerikane e, nuk do t’i presin urat krejtësisht me Egjiptin.
Kurse Mbreti Hysein tregohet kundër, por tregohet njëkohësisht edhe pro amerikanëve. Tregohet kundër mbasi ka frikë, se mos një ditë afro 500 mijë palestinezë, që jetojnë në Jordani, ia ngrenë këmbët. Kështu që ai hiqet pro palestinezëve, por, në realitet, është një shërbëtor i amerikanëve dhe i Arabisë Saudite. Kështu duhet kuptuar uniteti arab, i cili nuk u arrit, pavarësisht se nga mbledhja në Bagdad, vendet pjesëmarrëse dolën me një konkluzion të përbashkët. Me siguri, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të punojnë për t’i mbajtur nën influencën e vet. Për një kohë, s’dihet, mundet që edhe Siria të bjerë në bisedime të gjata e të vështira me Izraelin, e kështu, në një mënyrë ose në një tjetër, të likuidohet çështja e Golanit.
Pra, në këtë mes e pësojnë palestinezët, të cilët mbeten pa atdhe dhe kështu çështjet në Lindjen e Mesme do të vazhdojnë të mos gjejnë zgjidhje dhe fuqitë e mëdha të veprojnë sipas interesave të tyre. Vetëm kryengritjet popullore mund t’i japin fund një situate të tillë të vështirë, të ndërlikuar në këtë pellg, ku kanë futur këmbët e tyre edhe social-imperializmi sovjetik, edhe imperializmi amerikan, edhe shtetet e tjera kapitaliste të botës.
Kjo është një zonë strategjike e delikate rëndësi shumë të madhe; është zonë nafte, zonë lufte ndër-imperialiste, e një lufte grabitqare, të cilën mund ta përballojnë vetëm popujt e këtij pellgu dhe jo përfaqësuesit e forcave që janë në fuqi në disa vende. Këto forca lidhen dhe zgjidhen sipas interesave të borgjezisë që përfaqësojnë e që sundojnë në këto vende dhe jo sipas interesave kombëtare të popujve mbi të cilët sundojnë, lidhen dhe zgjidhen me imperializmin amerikan dhe me social-imperializmin sovjetik sipas interesave të borgjezisë se madhe të naftës. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016