Nga Dashnor Kaloçi
Pjesa e dytë
Memorie.al / Në pjesën e parë të këtij shkrimi të botuar në numrin e kaluar, nëpërmjet disa dokumenteve arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit dhe ai i Ministrisë së Punëve të Brendshme (tashmë të de klasifikuara dhe pjesë e fondit të Autoritetit për Informimin e Dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit), u njohëm me disa relacione dhe raport-informacione të Sigurimit të Shtetit, lidhur me ngjarjen e 24 majit të vitit 1975, ku në burgun e Burrelit, u gjet i varur në qelinë e tij, Halim Xhelo Koçiu, ish-gjenerali i Ministrisë së Punëve të Brendshme, i cili vuante dënimin në atë burg, që nga viti 1966, (kur mbante detyrën e Drejtorit të Sigurimit të Ushtrisë në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore dhe njëkohësisht zv/ministër i Brendshëm dhe zv/Drejtor i Sigurimit të Shtetit), pas një letre anonime, që i kishte bërë Enver Hoxhës, ku përveç problemit të heqjes së gradave në Ushtri dhe në Ministrinë e Brendshme, në letrën në fjalë, ai kritikonte vijën e gabuar që po ndiqte udhëheqja e lartë e PPSh-së e, personalisht Enver Hoxha, duke kopjuar modelin kinez në çdo aspekt të jetës dhe në të gjitha fushat, gjë e cila, kishte bërë që populli shqiptar dhe në veçanti fshatarësia kooperativiste, të zhyteshin në një mjerim të thellë.
Dosja e gjeneralit rebel, u nxor “në skenë” dhe u rihap në vitin 1982, (menjëherë pas arrestimit të ministrit Kadri Hazbiu dhe zëvendësit të tij, Feçor Shehu), nga ana e Drejtorit të Sigurimit të Shtetit, Zylyftar Ramizi, i cili njëkohësisht ishte dhe zv/ministër i Punëve të Brendshme, me qëllim, për ta ri hetuar vdekjen e Halim Xhelos, në burgun e Burrelit. Kjo, pasi ata, dyshonin se ajo nuk ishte një vetëvrasje, por, se atë e kishin eliminuar fizikisht, me urdhër të Kadri Hazbiut dhe Feçor Shehut, në mënyrë që ai (Halimi), të mos fliste dhe dekonspironte sekretet e Sigurimit të Shtetit dhe njëkohësisht, të mos fliste kundër Beqir Ballukut, (ish-ministrit të Mbrojtjes Popullore, anëtarit të Byrosë Politike dhe zv/kryeministër i parë në kabinetin e Mehmet Shehut), që sapo ishte arrestuar në atë kohë, i akuzuar si: “kreu i Grupit puçist në Ushtri”), pasi, Balluku, kishte qenë njeriu që kishte nxitur gjeneralin Halim Xhelo, të shkruante letrën anonime në adresë të Enver Hoxhës.
Në këtë kuadër, pra atë të mbledhjes së dëshmive dhe dokumenteve arkivore të “veprimtarisë armiqësore” të Kadri Hazbiut dhe zëvendësit të tij, Feçor Shehut, në vitin 1982, Drejtori i Sigurimit të Shtetit, Zylyftar Ramizi, (që kryesonte grupin “për evidentimin e zbardhjen e veprimtarisë armiqësore të grupit të Kadri Hazbiut”), i paraqet eprorit të tij, ministrit, Hekuran Isaj, një sërë dokumentesh të dosjes “Halim Xhelo”, duke akuzuar ish-ministrin Hazbiu, se kishte përkrahur dhe mbante në ato detyra të larta, Halim Xhelon.
Përveç atyre dokumenteve, ku merren në analizë rrethanat e vdekjes së tij në burgun e Burrelit (të cilat i publikuam në numrin e kaluar), për “veprimtarinë armiqësore” të Kadri Hazbiut, u kërkuan dokumente që i përkisnin një kohe më të hershme, siç ishin ato të vitit 1950 e në vijim, kur ai ishte njoftuar disa herë, me letra të ndryshme, për vartësin e tij, Halim Xhelo, (në kohë Halimi mbante funksionin e kryetarit të Degës së Punëve të Brendshme të Tiranës), duke e akuzuar atë, se; ‘kishte zbutur luftën e klasave, duke ngrënë dreka e darka te familjet kulake të fshatit të tij Dukat të Vlorës, si dhe duke pasur marrëdhënie të ngushta me familjen e tij, e babain, Xhelo Koçiu, ish-eksponent i ‘Ballit Kombëtar’ gjatë periudhës së Luftës, i cili në vitin 1950, u arratis nga Shqipëria, me ndihmën e amerikanëve, që e tërhoqën me një mjet detar, diku në brigjet e Karaburunit. Lidhur me këto e të tjera, do njihemi me dokumentet arkivore që po publikojmë në këtë pjesë të dytë të këtij shkrimi (bashkë me faksimilet përkatëse), të cilat botohen për herë të parë dhe ekskluzivisht nga Memorie.al
DOKUMENTI ME RELACIONIN DREJTUAR APARATIT TË KOMITETIT QENDROR TE PPSH-SË, LIDHUR ME LETRËN E AXHEM XHELILAJ NGA FSHATI DUKAT, KU NGRINTE PROBLEMIN E ZBUTJES SË LUFTËS SË KLASAVE NGA GJENERAL HALIM XHELO, I CILI SHKONTE PËR DREKA DHE DARKA TE FAMILJET KULAKE NË DUKAT DHE MBANTE MARRËDHËNIE TE NGUSHTA ME BABANË E TIJ, XHELO KOÇIU, ISH-BALLIST
R E L A C I O N
Mbi disa çështje të shokut Halim Xhelo
Mbi disa qëndrime jo në rrugën e Partisë, që janë vënë re te shoku Halim Xhelo.
Byroja e Politike, kish marrë një letër nga anëtari i partisë, Axhem Xhelili, po për këtë çështje, Komiteti Qendror, i ishte drejtuar një relacion nga Komiteti i Partisë së rrethit të Vlorës, dhe në konferencën e Partisë së rrethit të Vlorës, në maj të vitit 1953, sekretari i organizatës bazë të fshatit Dukat, ngriti shkuarjen e Halimit, tek kulakët. Për t’a sqaruar më mirë këtë çështje, u dërgua në vend një shok i Drejtorisë së Organizimit, ku në bisedime me komunistët e fshatit dhe në mbledhjet e organizatës bazë, duallën këto gjëra:
Gjatë Luftës Nacional-Çlirimtare, shoku Halim, u hodh qysh në fillim në luftë kundra fashistëve dhe tradhtarëve të vendit, kurse i ati, luftonte kundra nesh si ballist, aq sa në një luftim (në luftën e Dukatit), kanë luftuar kundër njëri-tjetrit.
Me t’u çliruar vendi, babë e bir u afruan dhe filluan të shkojnë si më parë. Në këtë kohë, Halimi u martua dhe u shkonte prindërve të tij në Dukat, me gjithë gruan. Nga ana tjetër, shtëpia e Halimit në Tiranë, qe kthyer në një bazë, ku gjenin strehë prindërit dhe far e fisi reaksionar i Halimit. Halimit i dërgoheshin nga prindërit e tij gjithnjë, teneqe me gjalp, djath etj.
Edhe Halimi, u dërgonte prindërve në Dukat, sende të ndryshme dhe mobilje. Kështu marrëdhëniet e shokut Halim Xhelo, me babën e tij armik dhe agjent i imperializmit, kanë ardhur duke u trashur dhe ndaj këtij babe, Halimi, ka pasur një konsideracjon të çuditshëm, ay e hipte t’anë në makinën e tij dhe bashkë, udhëtonin Dukat-Tiranë, etj. Del qartë se, me mbarimin e Luftës, për Halim Xhelon, mbaron edhe lufta kundër elementëve të familjes dhe të fisit të tij armiq. Ai me t’anë, fillon një jetë të ngushtë familjare dhe bie krejtësisht në prehrin e tyre. Ka plot arsye të besohej se një përkrahje të tillë, nga Halim Xheloja, i jati, e ka përgatitur me qëllime armiqësore dhe kjo u faktua, me arratisjen e tij (babës së Halimit).
Në vitin 1949, në çastin e asaj nate, kur baba i Halimit u arratis, Halimi u gjend në shtëpi, në Dukat. Pasi morri përgjigje, se i jati dolli, i shqetësuar zbriti në konaket e fushës së Dukatit, ku nuk e gjeti dhe prej andej, shkon në Vlorë, për të marrë në telefon të shoqen e tij në Tiranë, nëse kishte shkuar atje i ati dhe pasi e kuptoj se, ai ishte arratisur, i kanë rënë të fikët. Duke ju bërë përshtypje ky akt i Halimit, disa shokë të fshatit, shprehën dyshime në shkuarjen e Halimit në Dukat, tamam në atë kohë, kur baba i tij u arratis, bile siç tha anëtari i partisë, Ismail Feruni, kur Xhelo Koçiu, (babai i Halimit), dolli nga shtëpia dhe morri rrugën për poshtë, Halimi u ngjit në shtëpi, nga një rrugë tjetër.
DOKUMENTI ME LETRËN E AXHEM XHELILAJ NGA FSHATI DUKAT I VLORËS, DËRGUAR ZV/MINISTRIT, KOLONEL KADRI HAZBIUT NË VITIN 1952, LIDHUR ME KRYETARIN E DEGËS SË PUNËVE TË BRENDSHME TË TIRANËS, HALIM XHELON, I CILI KISHTE ZBUTUR LUFTËN E KLASAVE DHE SHKONTE SHUMË MIRË ME BABANË E TIJ, XHELO KOÇIU, ISH-BALLIST DHE GJITHË FAMILJEN E TIJ
SHOKU KOLONEL KADRI HAZBIU
Me rastin e kësaj letre, ju sjell përshëndetjet e mija dhe dëshiroj të jeni mirë familjarisht, si dhe unë jam mirë.
Shoku Kadri, më falni se po ju bezdis me këtë letër, sepse ju keni halle të tjera shtetërore, por unë mendoj se do t’ju ndihmoj me anën e kësaj letre. Në fillim të muajit korrik, shoku Halim Xhelo, kryetar i Degës së Punëve të Brendshme të Tiranës, ka dërguar në Dukat, gruan e tij, Vitoren, motrën dhe vëllain e tij, për të ndenjur, të cilët ndenjën deri më 2 gusht, që erdhi Halimi dhe i mori. Halimi, ka ardhur për t’i marrë më datën 9 gusht, ditën e shtunë, ditën e diel, më datë 10 gusht, Halimi ka ngrënë drekë bashkë me kulakët, Hariz Nelajn dhe Muharrem Koçiun, si dhe Ismail Halilin, dajon e tij, i cilësuar armik, këtij të fundit, ai i dërgoi edhe veturën e tij dhe e pruri në shtëpi.
Po kështu dhe Vitoria, shoqja e Halimit, gjatë kohës që ka ndenjur në Dukat, ka ndenjur në shtëpinë e kulakëve dhe të armiqve, dit e nat, me radhë, të dielën më datën 10, tek Halimi, ishte dhe N/Kolonel Petrit Hakani, ku shkova dhe unë, mbasi kisha një informacion për t’ja dhënë Petritit, ku në këtë grackë, rashë edhe unë dhe hëngra bukë bashkë me kulakët, të cilën nuk mundem ta justifikoj, sido qofshin arsyet e mija, mirëpo, daveti vazhdoj, darka u hëngër tek Harizi, dhe dreka të nesërmen tek Ismaili, në armiq dhe te kulakët, disa ditë më parë, e shoqja e Halimit, i kishte kërkuar Petritit, “Xhip”-sin dhe Petriti ja dërgoj “Xhip”-sin, ku në “Çips” të Degës, shoqërohet edhe kulaku Muharrem Koçiu, nga Dukati në Vlorë, dhe nga Vlora në Dukat.
Bashkë me Petritin, nga festa e Himarës, një ditë me Vitoren, po bisedonim nën hijen e rrapit në Dukat dhe po bisedonim për punën e kulakvet, porse Vitorja më tha se; ata janë cilësuar pa të drejtë kulak dhe armiq, dhe se organizata bazë e Dukatit, nuk e shikon drejt këtë çështje, të dielën, më datën 10, tek Halimi, ka ardhur i vëllai i të arratisurit, Ahmet Belushi, dhe u takua me Halimin në shtëpi, i cili është cilësuar kulak, (armik) dhe këtu qëndrim i Halimit, ka qenë qëndrimi i një mikpritësi. Shoku Kadri, në këtë darkë dhe davet, nga influence e Halimit, morën pjesë edhe kryetari i Këshillit të Pushtetit, Mislli Kali, AP., anëtari i Këshillit, Thoma Kosta, prokurori i fshatit, Daut Vangjeli, këta të fundit, pa parti.
Kjo çështje, ka vënë në vështirësi organizatën e Partisë të Dukatit, mbi qëndrimin që duhet të mbanin ata mbi armiqtë e kulakët, duke menduar se një anëtar Byroje i rrethit të Tiranës, vjen e rri me kulakët dhe nga ana tjetër, kryetari i Degës së Tiranës, funksionar shteti, po kështu dhe populli i Dukatit, me këtë rast, mendon ndryshe dhe pëshpëriste, se; gjoja komunistët e fshatit, nuk i kanë shikuar drejt çështjet, sepse u la shteg Halimi. Shoku Kadri, na falni se ndoshta ju pengoj në punën më serioze, por, për hir të partisë, jam duke ju informuar me këtë letër dhe ju lutem të shikohet seriozisht, se mund të dalin edhe gjëra të tjera, edhe më të mëdha. Ju e dini, se Halimi, ka pasur shoqëri shumë të ngushtë me Sali Ormënin, kur ata ishin bashkë në Brigadën e V-të, Sulmuese, gjatë Luftës Nacional-Çlirimtare. Për çdo gjë që u kam shkruajtur, mbaj përgjegjësi personale.
Ju përqafoj me mall nga larg, A.P.P.Sh.
Axhem Xhelilaj
Dukat, 16.8.1952
DOKUMENTI ME LETRËN E SALI PETROSHATIT NGA DUKATI I VLORËS, DREJTUAR ZV/MINISTRIT TË PUNËVE TË BRENDSHME, GJENERAL KADRI HAZBIUT, LIDHUR ME KRYETARIN E DEGËS SË PUNËVE TË BRENDSHME TË TIRANËS, HALIM XHELON, I CILI KISHTE ZBUTUR LUFTËN E KLASAVE DHE SHKONTE PËR DREKA E DARKA, TE FAMILJET KULAKE TË FSHATIT DUKAT
I dashur shoku Kadri
Pikësëpari lutem të pranoni të falat e mija, lus të gëzoni shëndet të mirë, kurse unë mirë jam. Më fal shoku Kadri, në qoftë se nuk të bezdis me anën e kësaj letre, se unë e di dhe e kuptoj se funksioni që keni ju, është aq i rëndësishëm dhe delikat, që nuk lejon asnjëherë koha, që t’u përgjigjeni të gjithë shokëve që mund t’u shkruajnë, sidomos për punë private, por unë, duke e njohur me kohë modestinë dhe dashurinë tuaj, karshi shokëve, mora iniciativën që t’ju shkruaj, jo për punën time personale, e cila s’më duket as e drejtë dhe as e ndershme nga ana ime, por vetë mora iniciativën, që me anë të këtyre pak radhëve, t’ju vë ju në dukje, si udhëheqës dhe me kompetenca, për sa ju shkruaj, informacion ky, sipas mendimit tim, vë në dukje, është për të mirën e Partisë, për të cilën, kush më shumë dhe kush më pak, kemi luftuar e do të luftojmë deri në pikën e fundit, për mbrojtjen e saj.
Këtu e kam fjalën, se para disa ditëve kishte ardhur shoku Halim Xhelo, aktualisht kryetar i Degës së Punëve të Brendshme Tiranë, kishte ardhur me leje në Dukat, ky shok, megjithëse kishte tre vjet që nuk kishte ardhur, nuk erdhi të qante hallin me popullin, fakir fukara, me atë popull që dje, ishte në sundim dhe i detyruar nën kërbaçin e Molla Azemit dhe Xhelo Koçiut, vuri barikatë kundër partizanëve, të Lëvizjes Nacional-Çlirimtares, dhe sot nën flamurin e Partisë dhe të shokut Enver, merë frymë lirisht, por shkoj nëpër davete te Muharrem Koçiu, Ariz Saliu dhe Ismail Halili, xhajallarët dhe dajallarët e tij, të cilët nuk gëzojnë triskën e frontit, për arsye se, janë armiq të betuar të Partisë dhe pushtetit tonë, dhe aq më keq, me veturën e shokut Halim, transportoheshin këta elementë.
Një veprim i tillë i shokut Halim, nuk ka bërë përshtypje të mira dhe elementëve kulakë e antipushtet, u është rritur hunda. Në këtë rast, shoku Kadri, disa shokë të Partisë në Dukat, sidomos me ata që kam biseduar unë, më kanë thënë se; cila është puna që do të bëjmë neve me kta njerëz, unë ju përgjigja sipas kapacitetit, që juve; duhet të zbatoni drejt vijën e Partisë dhe këtë çështje, jua vura në dukje Komitetit të Partisë dhe në të vërtetë, është vënë në dukje.
Mua shoku Kadri, nuk më duket të jetë aspak e drejtë, një mënyrë veprimi e tillë, si ai i shokut Halim, që është një njeri me përgjegjësi, nuk është as e drejtë dhe as e lejueshme, që të pyesim për misionin, apo ndonjë autorizim që mund të ketë pasur shoku Halim, por unë nuk e besoj, dhe s’jam i bindur që ai të ketë pasur ndonjë mision të tillë, Partia, me elementë reaksionarë, i ka hesapet troç, dhe s’ka pse të bëj oportunizëm. Darkat dhe drekat e atyre, për neve që jemi të Partisë dhe të Pushtetit dhe për popullin mbarë, janë helm. Z’di pra, si shoku Halim, ka vepruar në atë mënyrë?!
Ja ç’më shkruante në një letër shoku Halim, letër që e posedoj, shkruar nga Prishtina, më 26 nëndor 1944 (na shkruani për gjendjen në Dukat dhe sidomos, reaksionarëve, Mustafaj, Maliq, Mulla Azemit, Ismail Halilit, Hamdi Gjonit, etj.), si pra, Ismail Halili, atëhere ishte armik, dhe sot që bile, nuk ka as triskat e frontit, qenka bërë mik! Unë shoku Kadri, nuk zgjatem më tepër, e shikoni vetë këtë çështje, vetëm mora guximin, t’ua vë në dukje.
15.7.1952 Të fala dhe përqafime
Sali Petroshati
DOKUMENTI ME LETRËN E DYTË TË SALI PETROSHATIT NGA DUKATI I VLORËS, DREJTUAR ZV/MINISTRIT TË PUNËVE TË BRENDSHME, GJENERAL KADRI HAZBIUT, LIDHUR ME KRYETARIN E DEGËS SË PUNËVE TË BRENDSHME TË TIRANËS, HALIM XHELON, I CILI KISHTE ZBUTUR LUFTËN E KLASAVE DHE KISHTE DHËNË MIRATIMIN PËR FEJESËN E MOTRËS SË TIJ. ME NJË ARMIK TË PUSHTETIT POPULLOR
I dashur shoku gjeneral
Gëzohemi që jeni mirë dhe shëndosh familjarisht, është e dyta letër që po ju dërgoj, por secila nga këto ka kuptimin e saj, megjithëse synojnë tek një person, i cili vazhdon të bëj gabime dhe që këto duhen sinjalizuar pranë udhëheqjes, për t’i shqyrtuar nëse janë të drejta apo jo. Këtu e kam fjalën se ndër këto dy ditë, aty në Tiranë, është bërë fejesa e motrës së shokut Halim Xhelo dhe me cilin? Me djalin e të quajturit Foto Stefanit (Vitos nga Dukati). Cili është Foto Vitua?
Ky është një nga eksponentët dhe armik numër një i Pushtetit dhe i Partisë. Ai, në kohën që djemtë e popullit, jepnin jetën në luftë kundra armiqve dhe tradhtarëve të vendit, së bashku me tradhtarët, Maliq Hoshena dhe Molla Azemi, udhëhiqnin popullin e gabuar të Dukatit, duke bërë brigada dhe duke luftuar më ashpërsinë më të madhe, luftëtarët trima të Luftës Nacional-Çlirimtare, ai është një element nga më kryesorët që kishte bërë posto-bllok, për të plaçkitur popullin e krahinës së bregut të detit, kur qarkullonin, ai për këto veprime, ka qenë një vit në burg.
Me çlirimin e Shqipërisë, po duke mos i bërë akuza të shëndosha nga ana e të interesuarit, dolli nga burgu, ai ishte mësues dhe që e lëvizte akoma bishtin, e përjashtuan nga ky mision si element i padëshirueshëm, ai më në fund, njihet si element ballist numër një dhe për këtë, nga terreni i Dukatit, nuk i është dhënë triska e frontit, pavarësisht se me ndërhyrjen e ndonjërit, e ka marrë në krahun tjetër.
Të gjitha këto fakte shoku gjeneral, bëjnë që ta nxjerrin lakuriq tipin ballist të Vito Stefanit. Tashti del pyetja; si shoku Halim Xhelo, njeri me pozita në Parti dhe në Pushtet, të bëjë një veprim të tillë, unë nuk i përgjigjem dot kësaj pyetje, veçse ju jeni në udhëheqje dhe që i gjykoni më mirë këto çështje. Mund të pretendohet prej tij, se ajo ka autonomi personale, në formën e dispozitave ligjore, dhe mund të martohet me cilindo që mund të ketë, jemi dakord, por ai kishte dy arsye të plota, që mund ta shkatërronte nga kjo përgjegjësi që i bie.
1). Ai mund t’i thoshte lehtë, se, nëse më do mua për vëlla, duhet të ndigjojë dhe të martohet me një person të cilin, jo vetëm ta meritojsh, por duhet të jetë i pushtetit tonë dhe 2) Po të mos bindej, ai mund ta përzinte nga shtëpia dhe ta dërgonte te xhaxhallarët e tij, të cilët nuk kanë triskat e fronit, se janë cilësuar kulakë dhe janë të të njëjtit kallëp me Foton, por jo në shtëpinë e tij, të bëhej qendra e Davetit, të elementëve të padëshirueshëm.
Terreni në Dukat, shokët e Partisë dhe të Pushtetit, të organizatave të masave dhe gjithë neve, këtë veprimtari nuk e presim mirë, për faktin se neve, po përpiqemi t’ja mbushim mendjen të gjithë elementëve nga populli, të cilët me kohë, vajzat apo motrat e tyre, jua kanë fejuar kulakëve apo elementëve të tjerë, të padëshirueshëm që këta, të mos ua japin atyre dhe deri diku, fjala jonë është konkretizuar, siç na mëson Partia dhe Pushteti.
Por tash, cili është agjitacioni që bëjmë neve me të tillë elementë, kurse ata na provojnë, se të ndalosh në të tilla veprime, kurse ka shok në udhëheqje, si Halimi, që ka vepruar në kundërshtim me këto Parime?! Unë shoku gjeneral, çështjen e gjykoj në një prizëm më të shkurtër, dhe pikërisht prandaj ju referohem juve, por më duket se nuk është aspak e drejtë, se, vija e Partisë, është një për të gjithë, cila të jetë pozitat e tij në pushtet dhe në Parti. Prandaj ju sinjalizoj ju që ta shikoni. Memorie.al
Vlorë, më 28.3.1953
Mbetem me përqafime shoqërore.
Salo Petroshati
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016