Dashnor Kaloçi
Pjesa e tridhjetë e shtatë
Memorie.al publikon një dosje arkivore voluminoze të nxjerrë nga institucioni i Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhen me qindra dokumente me siglën “Tepër sekret” që i përket ish-të dënuarit politik, Xhavit Qesja, me origjinë nga qyteti i Krujës, familja e të cilit gjatë periudhës së pushtimit të vendit, 1939-1944, u lidh ngushtë me Lëvizjen Antifashiste, duke qenë një ndër bazat kryesore të saj dhe vuri në dispozicion të gjithë pasurinë që kishte, pasi Xhaviti ishte një ndër anëtarët e parë të Partisë Komuniste Shqiptare për rrethin e Krujës, duke drejtuar batalionin partizan Krujë-Ishëm dhe Brigadën e 22 Sulmuese. Karriera politike e Xhavit Qeses pas mbarimit të Luftës, ku ai u emërua dhe shërbeu në detyra të larta në Ushtrinë Shqiptare, aparatin e Komitetit Qendror të PPSh-së, e disa rrethe të vendit, nga ku u dërgua me studime në Bashkimin Sovjetik, ku qëndroi deri në vitin 1957, kur ai u njoftua që të kthehej urgjent në Shqipëri, pasi kishte shprehur hapur pikëpamjet e tij pro vijës politike që po ndiqte udhëheqësi kryesor i Kremlinit, Nikita Hrushov, për dënimin e kultit të Stalinit. Biseda e Enver Hoxhës me Xhavit Qesen në zyrën e tij në Komitetin Qendror, ku ai e kritikoi ashpër për pikëpamjet e gabuara që ai kishte shfaqur gjatë periudhës së studimeve në Moskë, duke i bërë thirrje që të reflektonte dhe të bënte autokritikë, por Xhaviti e refuzoi sugjerimin e sekretarit të parë të Partisë së Punës së Shqipërisë, gjë e cila u bë shkak që ai të mos lejohej të shkonte më në Bashkimin Sovjetik për të përfunduar studimet, por të dërgohej me punë si nënkryetar i Komitetit Ekzekutiv të Elbasanit, nga ku një vit më vonë, do të përjashtohej nga radhët e Partisë, e do të internohej në Ishullin e Zvërnecit, ku regjimi komunist mbante të izoluar disa nga ish-kuadrot e lartë partiakë dhe shtetërorë, të cilët i kishte dënuar për pikëpamjet e tyre antiparti. Kalvari dhe persekucioni i gjatë i Xhavit Qeses nga viti 1957 deri në 1990-ën, ku ai kaloi plot 32 vite në burgje dhe internime, duke qenë një nga të rrallët e dënuar të burgut të Burrelit që bëri greva të gjata urie në shenjë proteste për trajtimin dhe qëndrimin e egër që po mbante regjimi komunist i Enver Hoxhës ndaj tij. Dosja e plotë formulare, hetimore dhe gjyqësore në ngarkim të Xhavit Qeses, e cila publikohet për herë të parë nga Memorie.al, ku ndodhen dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit që pasqyrojnë ndjekjen dhe përgjimet ndaj tij, raportet e bashkëpunëtorëve të Sigurimit me pseudonimet e tyre, korrespodenca me letrat që ai u dërgonte instancave të larta partiake dhe shtetërore, si dhe udhëheqësve më të lartë të PPSh-së, deri në vitin 1991 që u lirua nga burgu!
Dokumenti sekret me planin e masave agjenturale-operative i miratuar nga kryetari i Degës së Punëve të Brendshme të Burrelit, lidhur me intensifikimin e përgjimeve dhe survejimit të dënuarit Xhavit Qesja, për marrjen e tij në përpunim aktiv 2/A
MIRATOHET SEKRET
KRYETARI I DEGËS SË P. TË BRENDSHME Ekzemplar i vetëm
BAJRAM NELI Burrel më 24.11.1981
PLAN MASASH
AGJENTUROR-OPERATIV NË DREJTIM TË OBJEKTIT TË PËRPUNIMIT AKTIV 2/A XHAVIT HAJDAR QESJA
Në datën 24.11.1981 është marrë në përpunim aktiv 2/A Xhavit Qesja, me tendencë agjitacion e propagandë armiqësore në radhët e të dënuarve anti-parti. Me qëllim që të zbulojmë, dokumentojmë, dhe ndërpresim, aktivitetin e tij armiqësor, do të ndërmerren këto masa agjenturore operative:
- Do të drejtohet me vijë sjelljeje në drejtim të këtij objekti, agjenti “Butrinti” me qëllim që të zbulojmë:
a. Qëllimet e propagandës armiqësore të tij.
b. Lidhjet me të cilët zhvillon aktivitet armiqësor objekti.
Kryen V. Kuka deri në 30.12.1981. Kontrollon Kryetari i Degës.
2. Do të drejtohet paralelisht me vijë sjelljeje tek ky objekt, agjenti “I Penduari”, i cili do të zgjidhë këto detyra:
a. Nëse aktiviteti i tij armiqësor ka karakter të organizuar, roli dhe funksioni i secilit në këtë aktivitet nga lidhjet e tij.
b. Nga kush e pret lirimin nga burgu kur thotë se nuk e pres nga Kulikovi, dhe cilat janë pikëpamjet e tij armiqësore në këtë drejtim. Kryen P.Op. V. Kuka deri në fund të muajit Janar 1982. Kontrollon Kryetari i Degës.
c. Të saktësohet, e dhëna që ka shprehur Kiço Ngjela, lidhur me një organizim armiqësor të bërë që në vitin 1971 në Zvërnec dhe të organizohet për këtë qëllim një kombinacion T. O. midis objektit dhe deklaruesit.
E kryejnë P.Op. B. Budo dhe V. Kuka, deri në fund të muajit Shkurt 1082. E kontrollon Kryetari i Degës.
- Të kontrollohen nëpërmjet komandës së repartit, shënimet dhe përkthimet e objektit, korrespondenca dhe literatura, me qëllim që të zbulohet nëse e shfrytëzon këtë kanal për të zhvilluar aktivitet armiqësor.
Analiza e këtij plani masash të bëhet deri në 30 Korrik 1982.
Punëtori Operativ Punëtori Operativ i Drejtimit
Vehap Kuka Bekim Budo
Raport-informacion i Punëtorit Operativ, Vehap Kuka, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “I penduari”, lidhur me bisedat e bëra nga Xhavit Qesja dhe të dënuarit e tjerë në burgun e Burrelit
Marrë nga kutia postare
Dhënë nga B.p. “I Penduari”
Burrel më 24.11.1981
Raport i datës 24.11.1981
Ai njofton se kohët e fundit Xhavit Qesja, u zemërua dhe nuk flet me Gjergj Titanin dhe nuk dihet pse! Por kryesorja është se Gjergji vetë sa vjen e po e shton miqësinë me Todin e Fadilin. Në biseda të tjera Xhaviti nuk hyn, por rrallë bisedon me Agronin dhe atje jep ndonjë mendim të shkëputur për fjalorin e drejtshkrimit. E sidomos për atë që ka shumë të meta në këtë drejtim në shtypin tonë.
Kështu p.sh., ka pasur raste që thotë se, nuk i lejohet shkrimtarit të njohur, autor i “Dimrit të Madh”, si shkrimtar i mirë të përdorë fjalë që nuk duhen në shkrimet e tij. Ose nuk duhet që shtypi të ketë gabime të tilla. Flet për atë që nuk kujdesen për libra. Sjellin tre herë patate, por nuk sollën libra, me gjithë ndërhyrjet tona të vazhdueshme. Kjo thotë Xhaviti, tregon se nuk e kanë në qejf librin.
I Penduari
Sqarimi: Xhavit Qesja është dënuar dy herë për veprimtari armiqësore anti-parti, dhe deri tani kemi në ngarkim të tij vetëm dosjen e përgjithshme të informatave.
Vlerësimi: E dhëna ka vlerë operative, sepse në të dalin marrëdhëniet që ka i dënuari Xhavit Qesja me të dënuarin Gjergj Titani, dalin pikëpamjet e tij në lidhje me fjalorin e drejtshkrimit tonë.
Masa operative: E dhëna të studiohet nga udhëheqja e Degës, të shtypet në një kopje dhe të vendoset në dosjen e përgjithshme të informatave për Xhavitin. Të bëhet informacion për Degën e Veçantë në Ministri. Të shfrytëzohet për buletinin e parullave armiqësore të muajit.
Punëtori Operativ
Vehap Kuka
Raport-informacion i Punëtorit Operativ, Vehap Kuka, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “Butrinti”, lidhur me bisedat e bëra nga Xhavit Qesja dhe të dënuarit e tjerë në burgun e Burrelit dhe pikëpamjet politike të gjithsecilit prej tyre
Marrë nga Punëtori Operativ
Vehap Kuka
Dhënë nga B.p. “Butrini”
Burrel më 9.12.1981
Raport i datës 9.12.1981
Ai, njofton se përvoja disavjeçare e bashkëjetesës me të dënuar armiq të partisë e të popullit, e bazuar në një grup të dhënash faktike, si biseda të drejtpërdrejta, thënie të bëra në adresë të njëri tjetrit, vëzhgime, etj. Kjo bën të mundur që të vënë pyetjen se çfarë i dallon nga njëri tjetri, cila është gjendja sidomos në “Mes”, çfarë i bashkon këta nga njëri tjetri, dhe të japim një përgjigje qoftë kjo dhe e plotë, sepse procesi i njohjes është veshur me të fshehta dhe i pa kufizuar.
Çfarë i bashkon këta të mesit?!
- Këta, i bashkon emëruesi i përbashkët cilësimi armiq të partisë dhe të popullit. Pa përjashtim këta janë armiq jo vetëm nga cilësimi si diçka e veçantë dhe e përgjithshme por në bazë të provave, fakteve, e qëndrimeve. S’ka nevojë të hyjmë në hollësitë e krimeve të gjithë secilit. Po theksojmë se që këtu zë fill kundërvënia ndaj vijës dhe ligjeve.
Kush në mënyrë të hapur (dhe këta s’janë pak M. Çomo, B. Belishova, F. Paçrami, T. Lubonja, Gj. Marku, V. Gjino, Gj. Titani, e Xh. Qesja, nuk pranojnë kurrsesi cilësimin si armiq të popullit e partisë. Kush në mënyrë të heshtur, e këtu do të rreshtoj K. Ngjelën, Rr. Përllakun, L. Nashin e H. Lamçen, që megjithëse pranojnë fajësinë e mbajnë qëndrim autokritik, ky cilësim nuk i’u pëlqen. Kjo shfaqet në forma të ndryshme sidomos në tendencën për të zbutur fajet dhe krimet, por për t’i kërkuar ato tek konjukturat, tek rrethanat, tek personat e dytë e të tretë të cilët patën bashkëpunuar, etj.
Të parët thonë: “Kam pasur, kam e ruaj pikëpamjet e mija, por nuk jam armik i marksizëm leninizmi, i popullit, e i Shqipërisë”. Të dytët thonë: “Fati ynë i keq, besimi i tepruar, mungesa e vigjilencës”. Kështu flet M. Çomo, Xh. Qesja, kurse në mënyrë të zbutur hyjnë të tjerët që në raste të veçanta në këto përpjekje, shkojnë deri atje sa të thonë: “Bashkë me të thatin do digjet dhe një dru i njomë”. “Dikush e mori në ballë, ndërsa dikush i shpëtoi goditjes”. Rr. Përllaku i cili duke e diferencuar veten në raport me K. Ngjelën shton se ka edhe më keq, se të paktën neve nuk na përfshijnë fëmijët, fjalë që i ka evidentuar edhe më parë.
Pra për aq kohë sa ky qëndrim na paraqitet kontradiktor në mënyrë të pavarur nga një vijë ndarëse, në thelb kjo është pikë bashkimi, sepse ai mendon pakënaqësinë e të dytëve, pezmatimi i tyre në momente të caktuara ka në vetë vete forcën e bashkimit, e cila mund të kthehet në shfaqje të hapur. Ndërkohë vija ndarëse është një çështje që duke e shikuar me vigjilencë, në mënyrë të diferencuar shërben për të mos lejuar bashkimin e këtyre në një grup të vetëm dhe për të njohur veprimtarinë e të parëve.
- Në bazë të “Bashkimit”, të këtyre të mesit qëndron parulla e M. Çomos: “Një kokë dhe një dorë na ka dënuar”. Kuptimi i saj është i qartë. Parulla është shoqëruar edhe me përpjekje për të arrirë një organizim, për të krijuar një organizatë ose parti, për t’u vënë në lidhje midis tyre. Mirëpo nga sa vërehet, bashkëpunimi midis tyre nuk ka marrë formën ose fizionominë e një Partie apo organizate monolite.
Pa e absolutizuar, këta nuk kanë një bazë të vetme ideologjike, s’kanë ndonjë program e vijë politike të përpunuar e miratuar. Nga kjo anë s’kanë arrirë të mundë të grupohet në një njësi, ose rrymë të vetme. Ndodh kështu sepse edhe këtu në burg nuk ka munguar goditja, pra janë shkatërruar qysh në embrion ose në shfaqjet e para. Në qoftë se nuk ka një grup të organizuar, me një bazë ideologjike me një vijë të vetme, atë here vihet pyetja në se qëndron bashkimi i tyre si shprehet ky organizim?
Pa hezitim mund të thuhet se këtu në mes objektivisht ekziston rreziku i krijimit të rrymave e vijave të kundërta. Sepse edhe në se hë për hë, s’kanë një organizim, këtu ka rryma, ka vija e qëndrime shumë të përafërta nga ana ideologjike, për t’u shkrirë në një të vetme. Ashtu si në shkallë të gjerë edhe, në këtë gropë të vogël, rrymat ekzistuese si ato pro-sovjetike (me përfaqësuesin më të njohur M. Çomo, pro jugosllave eurokoministe (ku më shpesh fusin Xh. Qesen, por që nuk qëndrojnë më larg T. Lubonja e F. Paçrami etj.) janë të gatshëm të harrojnë mosmarrëveshjet e të bashkohen.
Thirrjes (parullës) së M. Çomos siç dihet i janë kundërvënë hapur K. Ngjela e Rr. Përllaku e të tjerë para tyre. Në këtë pike, duket sikur s’ka luhatje. Por kjo nuk do të thotë se Maqo e Bardhyli kanë pushuar veprimtarinë. Jo, këtu kemi të bëjmë me një tërheqje, me një pritje, të situatës, shfrytëzimit të ndonjë konjukturë. Kështu mund të deshifrohen thëniet e B. Belishovës: “Se ende s’u ka dalë narkoza… Do ta kuptojnë me kohë etj”!
Në funksion të bashkimit, të arritjes së një organizimi, mund të shpjegohet edhe interesimi e përpjekjet, sado të kufizuara, ose më saktë të pasuksesshme të M. Çomos për t’u njohur me të dënuarit që janë në të dy krahët e burgut, hyrjet e daljet, pyetjet për persona të veçantë, çfarë thuhet e çfarë ndodh në kampet etj., etj., që dihen. Këto s’janë të rastit e pa qëllim. Ky interesohet e grumbullon të dhëna biografike, mban shënime, sepse në të ardhmen me përmbysjen e situatës do t’i duhen për të zgjedhur e caktuar me funksione.
- Pikë bashkuese e pjesës dërmuese është urrejtja për ‘Diktaturën e proletariatit’. Dihet se kësaj nuk kanë guxuar t’i kundërvihen hapur. Edhe këtu teorikisht nuk mohojnë domosdoshmërinë… por praktikisht e teorikisht i kundërvihen si revizionistë. Ashpërsim e luftës së klasës qoftë jashtë, qoftë brenda Partisë, e vlerësojnë si një “teprim”, si diçka të ndërtuar e krijuar në mënyrë artificiale. Sepse sipas tyre, me vendosjen e Pushtetit Popullor, me shtetëzimet e shpronësimet “është zhdukur baza ekonomike e klasave shfrytëzuese”.
Na janë bërë të tyre gjithë teoritë revizioniste në luftën e klasave. Në mënyrë të veçantë nuk pranojnë dhunën. Ligjshmërinë, gjykatat, proçeset gjyqësore, goditjen që u kanë dhënë organet e Punëve të Brendshme, “janë tërësisht të manipuluara”, “skema për të vërtetuar tezën se të gjithë armiqtë e brendshëm, pa përjashtim, janë njëkohësisht, në një mënyrë ose në një tjetër edhe agjentë të armiqve të jashtëm imperialist e revizionistë”, (perifrazime ironike që i bënë Maqo Çomo e Todi Lubonja, tezës së Partisë).
Hapur thonë se dënimet u janë dhënë padrejtësisht, “se këtë nuk i’a kishin borxh Partisë e vendit”. (Fadil Paçrami e Gjergj Titani), se dënimi për pikëpamjet të kundërta nuk duhet të shtrihet në fushën shtetërore”. Mund ta përjetosh nga Partia, të marrësh masa ndëshkimore, por jo ta internosh, ta dënosh dhe burgosësh…! Nuk dënohet njeriu për pikëpamje, as për agjitacion e propagandë”! (Gjin Marku e Xhavit Qesja).
Në këtë çështje, rrethi i atyre që i kundërvihen hapur vijës së Partisë, është më i gjeri se në çdo fushë. Rreshtohen: Maqo Çomo, Bardhyl Belishova, Gjergj Titani, Fadil Paçrami, Vaskë Gjino, Todi Lubonja e Gjin Marku.
Edhe në këtë pike, Kiço Ngjela e Rrahman Përllaku nuk janë të një mendimi me të sipërmit. Xhaviti, (Qesja) përbën një kategori të veçantë. Sipas tij, “Dënimet janë të drejta”, ndaj sabotatorëve dhe puçistëve, cilësimeve që u bënë udhëheqësi i Partisë nuk u lëviz asnjë përçarje. Mirëpo ka gabuar për dënimin që i ka dhënë këtij! Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016