Nga Uran Kalakula
Pjesa e dytë
Kujtimet e Uran Kalakulës, ish të dënuarit politik që vuajti 21 vjet në burgjet komuniste të Enver Hoxhës
Malazezi Velko Stepanoviçi
Madje, kishte arritur të krijonte një lloj piramide të veçantë si mbi ndërtimin e këtij shteti ideal, ashtu edhe mbi funksionimin e tij. Me një fjalë, gati-gati ai i ishte afruar me imagjinatë “Qytetit Diell” të filozofit Italian Campanella, që të mos themi se teoria e tij etatiste kishte dhe shumë reminishenca nga socializmi utopik paramarksist i Sen Simonit, Ouenit apo Furiesë, të cilëve s’u kishte lexuar veprat, por ishte bazuar në referencat e Engelsit, te vepra mjaft e njohur nga komunistët, studiues të marksizmit, e këtij të fundit “Zhvillimi i marksizmit nga utopia në shkencë”. E lija që ai me ditë të tëra të parashtronte teorinë e tij, pa i ndërhyrë, qoftë nga konsideratë për të qoftë për mirësjellje, qoftë pse isha kurioz të merrja vesh deri në fund, nisi të shterojë, i kujtova se një teori pak a shumë të tillë, e kishte paraqitur qysh në kohën e vet Platoni, në veprën e tij “Republika”, vepër të cilën Velkoja, për çudinë time, po e dëgjonte për herë të parë.
Them për çudinë time, sepse si ishte e mundur, që në fakultetin e Filozofisë në Beograd, të mos ishte përmendur fare ky filozof i madh i lashtësisë klasike, për më tepër, babai i idealizmit, që marksizmi e kishte në majë të ushtës, kuptohet pse? Mos vallë ngaqë, si fakultet filozofie, i mbyllur nga ideologjizmi komunist fanatic “Republika” e Platonit, ky traktat i teorisë së tij për shtetin (dhe atë ideal), nuk u shkonte fare për shtat komunistëve, por shtjellonin më fort konceptin mbi “idenë” platonike? Nga parashtrimi im i shkurtër, sigurisht bazuar vetëm në kujtesën time (vepra domosdo na mungonte aty ku ndodheshim), Velkoja mbeti sa i befasuar, aq edhe i nemitur krejtësisht. E pas kësaj, një temë e tillë nuk u prek më mes nesh.
Velko pas ’90-ës në Tiranë
Por, e bukura është se vite më vonë, kur u takuam në Tiranë, në kohën e demokracisë, tashmë të dy qytetarë të lirë, ai ardhur nga Tuzi, ku punonte tashmë si arsimtar, më dhuroi (me një kushtim mjaft miklues), një libër të tij të botuar në serbisht e në vendin e vet (gjuhë që unë nuk e njoh fare pak), pikërisht mbi teorinë e tij për super shtetin sajantist! Madje të pajisur me mjaft skica mbi arkitekturën e këtij shtetit dhe mbi lidhjet e ndërsjellta të pjesëve të tij. Sigurisht, unë nuk e kam lexuar, se s’marr vesh çfarë thuhet në të, por e ruaj me kujdes se një kujtim të dashur prej tij. Veçse do të kisha pasur fort qejf të dija se çfarë përmban tashmë ai libër dhe a ka futur në të, së paku për referim edhe “Republikën” e Platonit?
Siç thashë, pas daljes nga burgu, pak vite para shembjes në vendin tonë të diktaturës komuniste, Velkoja u riatdhesua. Dhe kishte bredhur jo vetëm nëpër Jugosllavinë e atëhershme, ende të pa copëtuar si sot, por edhe në Europën Perëndimore: Gjermani, Francë, e nuk di ku tjetër, ndërkohë që unë nuk e kisha kaluar asnjë centim kufirin shqiptar. Por, në fjalë e sipër, e pyeta se si i ishte dukur ajo pjesë e Europës që kishte parë ai. Përgjigja e tij nuk tregonte ndonjë admirim të madh. Dukej sheshit se tek ai kishin mbetur fort të gjalla ndikimet e antisemitizmit të vet. E bukura nuk qëndron vetëm këtu, por tek një fakt tjetër, që më befasoi edhe më shumë dhe pse jo edhe më bëri të qesh me gjithë shpirt, siç qesh njeriu kur dëgjon diçka jo vetëm të papritur, por gati-gati fort qesharake.
Dhe kjo ndodhi pikërisht kur ai më shprehu një mendim të tijin fort intim: “A e din, Uran’ – më tha- ‘se ngado që brodha nëpër Jugosllavi, madje edhe në Europën Perëndimore, unë nuk gjeta tek intelektualët e atjeshëm që takova asnjë që të barazohej me intelektualët shqiptar, sidomos ata që njoha në burg këtu!” Befasimi tjetër që m’u shkaktua ishte dëshira e tij e vendosur për të marrë shtetësinë shqiptare, madje dëshira e madhe që të vinte e të jetonte këtu, në Tiranë! A ka se si? Në një vend ku ai kishte kaluar në vuajtje e tortura të pamerituara fare në vitet më të mira të jetës së tij? Ja, i tillë ishte miku im i dashur Velko Stepanoviçi nga Mali i Zi!
Kroati Mihaillo Prebeg
Përmes Velkos, u njoha dhe u afrova edhe me disa nga bashkështetasit e tij: kroatin Mihaillo Prebeg, maqedonasin Ljubo Strezovski dhe dy serbët Jovica Cervenko e një me emrin Boro (mbiemrin i’a kam harruar). Nga këta të katërt, më simpatiku ishte Prebegu, ndërsa “më emocionali”, që të mos them i ndershmi, më është dukur Strezoviçi. Mihajllon, të gjithë shokët e vet bashkështetas, e thërrisnin me nofkën “Straçe”, që shqip do të thotë “plaku”. Në fakt, ai ishte më plaku mes tyre. Me të merresha vesh mjaft mirë. Ai në gjuhën e vet dhe unë me rusishten time, të varfër e të çalë. Duket që paska qëlluar se të dy po përdornim fjalë të përbashkëta të gjuhës sllave. Kështu bisedat tona, nuk shquheshin as për elegancë në të folur, as për pasuri fjalori, e as për figura stilistike.
Tarçja ishte një plak i gjatë e i hollë si stekë bilardoje. Kishte një kokë gjysëm të shogët, një ball të ngushtë, një hundë të madhe, buzë të holla, kurse goja pa dhëmbë fare. Sytë i kishte të kaltër si hirrë djathi. Zërin e kishte të trashë si një bariton. Në të folurën e tij, kishte gjithnjë një ton mes shakasë dhe cinizmit. Siç dukej Starçja, tallej shpesh me realitetin e hidhur, ashtu edhe me fatin e tij det e llumë në të cilën ndodhej pas një jete plot aventura. Ky plak nuk ishte aty si “armik i pushtetit popullor” por si një i burgosur ordiner në kampin e Lushnjes, ku e kishin dërguar.
Ai paskesh plagosur me thikë një bashkëfshatarin e vete pasi ky i fundit i kishte rënë në qafë. Pra Starcjen, nuk duhet ta ngacmoje shumë, se ai dinte ta ruante për bukuri dinjitetin e vet. Ai vetëm vetes, i lejonte që të tallej me qenien e vet. Dhe kjo them se ishte tipari themelor i tij. Ai, i kishte krijuar vetes një bejte dy vargëshe siç quhet në stilistikë. Në sllavisht ai këndonte, “starçe, starçe, veliko magarçe” që në shqip përkthehej “plak, plak, o gomar i madh”. Në fakt Mihaillo Prebregu, s’ishte aspak gomar, por njeri fort i tundur siç thonë shkodranët, njeri që të jepte ujë në bisht të lugës. Por ja që dallga e kishte përplasur keq valë më valë pa e nxjerrë kurrë në breg. Ai kishte qenë punëtor metalurg në vendin e tij. Dhe si i tillë në një vend të zhvilluar si Kroacia, që është afër Europës, me lëvizje të mëdha politike dhe shoqërore. Dhe ky nuk kishte ngelur jashtë kësaj rryme, madje në rininë e tij kishte qenë një anarkist i thekur.
Arrestimi në Poloni
Për këtë arsye ai kishte bërë disa vjet burg në Mbretërinë e Karagjeorgjeviçëve. Në burg ai, duke u njohur me socialistë dhe komunistë të thekur, ia “kishin kthyer” mendjen Mihaillos, se vendi “me lirinë absolute” ishte Bashkimi Sovjetik. Ai vend udhëhiqej nga Stalini i “madh” që i digjej zemra për të varfrit e botës dhe që qeveriste me “urtësi, dhembshuri, dhe se ishte Zoti i të gjithë proletarëve të botës”. Dhe Starçja, i varfër gjithë jetën, me të mbaruar dënimin, u hodh për në Hungari dhe më pas prej andej në Poloni, ku e kishte mbajtur vrapin në kufirin sovjetik. Por atje e kishin kapur rojet polake të marshallit Pidzulski dhe burg pas burgu, drejt e në Beograd. E kështu Starçja e kishte njohur atë pjesë të Europës, nga nëntoka.
E kështu “dielli sovjetik” kishte mbetur një vegim i parealizuar. Mua nuk ma shqiptonte dot emrin e saktë, por më thoshte Hurran, çka mua më dukej si emër kozak a mongol. Natyrisht nga keqardhja që ndieja për të, nuk përpiqesha ta korrigjoja. Fundja ç’punë më prishte?! Nga mendimet anarkiste që kishte në mëndje, dukej se ai nuk kishte pasur fat as me gruan e tij. Them kështu pasi veç burgut si anarchist, atij do t’i ketë ndikuar keq dhe idetë e Bakuinit për familjen. Sipas tij, familja është një paragjykim borgjez që pengon lirinë e individit. Prandaj ishte ndarë prej kohësh nga ajo, dhe ishte fillikat i vetëm. Dhe tani ai, ishte aty me mua në qeli i ruajtur nga telat me gjemba dhe rojet e armatosur, duke shtuar kështu dhe përvojën e gulagut sovjetik të Solzhenicinit.
Përdhunimi i maqedonases
Maqedonasi Ljuba Sterovski, ishte një burrë rreth të 70-tave, i hequr në fytyrë si pasojë e urisë. Pas luftës, kishte shërbyer në organet e UDB-së në Maqedoni, kryesisht në zonën e kufirit afër Shqipërisë, me gradën e togerit. Por më pas, e kishin zhveshur nga detyra pasi rezultuan se ishte fort i dhënë pas grave. Tashmë civil, ai kishte kaluar kufirin ujor të liqenit të Ohrit, me një varkë në të cilën ndodhej bashkë me një femër të bukur. Nuk po e mendonte se ku po e çonte kufiri i epshit dashuror! Kështu kishte rënë në dorë të rojeve shqiptare dhe më pas fill e në hetuesi, në Degën e Brendshme të Pogradecit.
Atje e mbajtën mbi një vit në ato biruca të errëta me ushqimin e njohur “dietik”. Po vajza?! Atë e liruan pasi e kaluan dorë në dorë të gjithë shefat e Degës. Të paktën kështu më tregonte Ljuboja. Atëherë e pyeta “po sekretari i parë i Partisë”?! “Për atë, nuk e di më tha”. “Pse nuk të duken aq epshorë ata demat e Sigurimit që më katandisën me tortura, kështu siç më sheh”. Sidoqoftë more Ljubo, Sigurimi ynë i’a paska marrë hakun siç duhet Titos. Ai, qeshi me të madhe, se ndoshta ju duk naiv konkluzioni im. Ai, ishte liberal ndaj këtyre çështjeve dhe nuk mund ta kuptonte që seksi konsiderohej si mjet hakmarrës ndaj “armiqve të klasës”.
Me Ljubon qëlloi që të punonim mjaft kohë në atë burg-kamp të mallkuar. Punonim dhe bisedonim, edhe pse ai nga historia e vendit tonë dinte shumë pak, për të mos thënë aspak. Dhe meqë më pyeste unë, i shpjegoja shumë gjëra por me kujdes që të mos kaloja te gjendja dhe koha e sotme që jetonim. Pasi unë dyshoja se ai, si ish i UDB-së që ishte mund t’i kishte mbetur si helm në gjak, spiunazhi. Por duke i folur për të kaluarën para ardhjes në pushtet të komunistëve, e kisha syrin pak si të çelur. Dhe atëherë e shfryva dufin ndaj shovinizmit serb ndaj shqiptarëve në shekuj, duke i treguar rastet kur ishte derdhur gjak shqiptari, jo vetëm të burrave, por edhe ndaj grave dhe fëmijëve. /Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016