Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon dy reportazhe të panjohura për manastirin e famshëm të Shën Naumit, të botuara në vitin 1942, në revistën e përmuajshme “Drini”, që nxirrte Enti Kombëtar i Turizmit, në Shqipërinë e asaj kohe. Si e përshkruan studiuesi italian i historisë, Roberto Lafranceska, vizitën në atë objekt kulti, ku ai mbeti i mahnitur dhe reportazhi i prof. Petraq Pepo, një nga njohësit më të mirë të trashëgimisë kulturore të Shqipërisë, në periudhën e Monarkisë. Befasia e gazetarit italian për veshjet e kostumet popullore, që shikonte aty, ku ai u mahnit për fshatin Dardhë, midis të tjerash shkruan: “Ndërmjet gjithë këtyre veshjeve me dendësinë ma të madhe u dukën gratë e bukura të Dardhës. Dardha asht nji katund i vogël e malor i Shqipnis së jugut. I dallojshim menjëherë në gjith at grumbull veshjesh të shumta. Që të gjitha të bukura e madhështisht të veshura e të denja, me u quejt princesha. Njena prej tyne kishte edhe një çupkë të vogël e lesh-verdhë si ari, me sy të kaltër si të gjetun në fundin e oqeaneve të pafund, e veshun dhe ajo me kostumin e bukur të katundit”.
Shkrimi i Roberto Lafrancesko në revistën “Drini”: Manastiri mbi liqen
Në skajin jugor të liqenit të Pogradecit gjindet një manastir. Në Shqipni e njofin të gjithë, edhe ai që vjen për të parën erë merr lajmin e qenies së një manastiri; a shkon në Pogradec? Ka për të pa një manastir, manastirin e Shën Naumit! Kështu ju pyesin dhe ju përgjigjen. E mbasi kalohet bërryli i parë i Qafës së Thanës, prej së nalti duket sipërfaqja kristalin e liqenit e shikimi ndalohet me një herë përballë një bishti mali, ku janë vendosur shtëpiat e vogla të katundit të bukur e me një emën tingëllueshëm: Lin, katund peshkatarësh. E rreth bregut të liqenit shëtit deri sa takon manastirin e Shën Naumit. Manastiri asht pak larg por megjithatë e shihni shumë shpejt qysh prej atij çasti ai bahet qendër shëtitjeje e pelegrinazh turistik me plot arsye të drejta. Një prej ditëve të prandverës u gjinda në liqen. Në atë prandverë shqiptare që asht mallëngjimi i ngjyrave të të shumta të natyrës. Mbas një udhëtimi të shkurtër u ndodha në qytetin e Pogradecit të mbuluem me gjelbërime, me shtëpia të hijshme. Por qëllimi ishte manastiri; e me maqinë gjithnjë vazhdova udhëtimin përtej shtëpijave të Pogradecit. Për një pjesë rruge, të pengueme nga gjelbërima e shpeshtë e humbën pamjen e manastirit, si nuse e re që m’shehet nën velin e saj nga turpi. E përpara nesh nuk zbret tjetër veçse rruga e vetme e popullueme në dy anët e saj me buaj bullica të zhytun deri në fyt në baltë. Shpejt arritëm në kodrinat që i kalojmë shpejt e shpejt njena mbas tjetrës deri në brylet e fundit prej ku si për mrekulli na duel përpara manastiri i Shën Naumit, që i kthehesh pa prit shikimit të fantazis s’onë.
“Grumbuj vizitorësh në ditën e Shenjtit”
Nji mik shqiptar na shoqnonte ato ditë, e na të dy mbetëm gjithë ditën aty; e manastiri gjith vitin mbet i pabanueshëm tue përjashtue ditën e festës së shenjtit që vizitohet prej grumbuj e grumbuj vizitorësh. Hymja kryesore asht prej bronzi, mu në mes të oborrit, i rrethuem nga ndërtesat e manastirit të caktuam për strehimin e miqve që e vizitojnë nji herë në vit, ashtu ndërtesa e vorrit të shenjtit. Asht nji ndërtesë e vogël në stilin bizantin e prarueme nga dielli dhe e randueme nga koha. Në të, pushojnë eshtrat e të shenjtit qysh prej dhjetë shekujsh, mbas lodhjeve të shumta të shëtitjeve të shenjta fetare, mbasi predikoi për një kohë të gjatë në të gjithë Ballkanin fen e Krishtit. Qysh prej shekujve, fytyrat e të shenjtëve të tjerë ruejn varrin e tij. E në këto faqe muresh asht shpirti i vërtetë i manastirit, asht qendra ku konvergojnë mija e mija peligrinësh nga të gjitha anët e Shqipnisë. Ma pleqtë do t’u flasin mbi kët pelegrinazh të kryem nga etnit e tyne. Nji katundar plak më tregoi vizitat që i ka ba manastirit në rinin e tij, përpara se të emigronte në Rumani. “Hajdutët-zotni më thonte-nuk sulmojshin kurrë peligrinët që shkojshin e vijshin nga i shenjti, gratë t’ona udhëtojshin pa frikë, ditë e natë, pa asnjë frigë sepse ata i respektojshin”. E si gjithmonë edhe sivjet të gjithë shqiptarët nga të katër anët e Shqipnis vrapuen për me e nderue të shenjtin për ditën e tij, nderim që shpërthej në nji festë me karakter kombëtar. I gjithë manastiri u shpirtnue, u gjallnue. Nga malet, nga fushat, nga katundet, nga qytetet, nga kishat, nga xhamijat, shqipot vrapuen tek Shën Naumi, me të gjitha mjetet e lëvizjes, me maqina, me qerret, me barkat karakteristike, në shpinë të mushkave e deri në këmbë, në vargje të pa mbarueshme ecshin njerëzit e kërrusun nga pesha e dhuratat që i çojshin të shenjtit, i pasuni dhe i vobekti. E në pak kohë u shumzuen, u ba një lumë njerëzish që shpertheu nga oborri deri në kodrën e vogël ku pushojnë eshtrat e shenjtit. Veshjet e gjallnueme e shumë ngjyrshe të krahinave të ndryshme i jepshin një harmoni të posaçme ngjyrave të hijshme të natyrës.
“Kostumet e grave të Dardhës, si tonat në Val d’Aosta”
I pakufizuem numri i lojnave të veshjeve prej grave shqiptare të rretheve deri tek arxheshat elastike e me sy të bukur, ishte një varg ngjyrash e veshjesh i mrekullueshëm. Ndërmjet gjithë këtyne veshjeve me dendësinë ma të madhe u dukën gratë e bukura të Dardhës. Dardha asht nji katund i vogël e malor i Shqipnis së jugut. I dallojshim menjëherë në gjith at grumbull veshjesh të shumta. Që të gjitha të bukura e madhështisht të veshura e të denja me u quejt princesha. Njena prej tyne kishte edhe një çupkë të vogël e lesh-verdhë si ari, me sy të kaltër si të gjetun në fundin e oqeaneve të pafund, e veshun dhe ajo me kostumin e bukur të katundit. Një veshje pëlhure ku e kuqja e të zezat e punuese me ar, mbi të, vargje t’argjenda zbukurofshin pamjen. Flokët e të gjithave, të tërhequna nga mbrapa ishin të mbledhuna në një facoletë të zëzë në formë të njajtë me ato të grave tona të Val d’Aostas. Me një elegancë e hijeshi të veshuna, me krehje dhe të hijshme edhe në lëvizjet më të vogla gratë dardhake përfaqësojshin aristokracinë e festës, e në asnjenën prej tyre nuk do të mundnin me dallue edhe tue vrejtun me orë, as ma të voglën mungesë.
“Vallet e bukura karakteristike të dardharëve”
Në pyllin e vogël, në bregun e pellgut, gra e burra vallzojshin. Nga qëndrimi i tyne njeriu kishte përshtypje se ishin tue krye një funksion fetar. Në kambë, të kapuna njena me tjetrën, në rreth, lëviznin dal nga dalë trupin tue shoqnuem herë mbas here me shuplaka. Dalë nga dalë ritmi i orkestrës së vogël vinte tue u pakësue e lëvizjet e valles u dallojshin aq ma tepër, e atëhere ato u dukshin se sa më elegancë e hijeshi u kryejshin. Për gjithë kohën e valles, shprehja e pjestarëve të valles nuk kishte ndryshue me at kthjelltësi që të bante me mendue se ishte fjala për një ceremoni të naltë. E në mes të gjithë atyne njerzëve, nji pyetje na vinte ndër mend? Pse të gjithë vrapojnë në këtë vend? A asht vetëm flaka mistike dhe besimi i të gjithë atyne njerzvet që i shtyn me ardhë prej sa e sa vendeve të largëta shpesh edhe tue u lodhë e tue ba sakrifica? Shqiptarët kanë ruejtun gjithmonë besimin e tyne kundrejt të shenjtit edhe historia që ka nga kjo pikë e tokës shqiptare nji nga rivendikimet kombëtare ma delikate, ia kishin hequn Shqipnisë zotnimin e manastirit, e gjithmonë kanë ardhur njëherë në vit, me i kërkue të shenjtit shërimin e sëmundjevet të tyne shpirtnore e trupore. Por si i tha ma përpara, asht nji ndiesi tjetër që shtyen që gjith ajo masë njerëzish të çohet prej krahinavet të ndryshme të Shqipnis për me ardhë dhe me u gjunjëzue para vorrit të shenjtit. Shqiptarët e duen manastirin dhe vendet që e rrethojnë e i bijnë dhurata; edhe ajrit, diellit, gjelbërimës, qetësisë dhe bukurisë së kësaj pjese të mrekullueshme të tokës së tyne. Mbas dhuratës që i bahet të shenjtit, shpërndahen rreth e përqark tue u kënaq me bukuritë natyrale. E festa e Shën Naumit përveç manifestimit fetar, asht nji ri zotërim i kësaj toke, nji kthim i atdheut që shqiptarët kurrë nuk e kanë harrue edhe në ditët ma të zeza të robnis. E ata e ndjejnë vehten aq të lidhun me të sepse për histori dhe traditë ajo pjesë dheu i përket Shqipnis e shqiptarëvet.
Prof. Petraq Pepo: Shqipërija piktoreske, Shën Naumi
Toka e bukur e Shqipërisë, në kohët e vjetra dhe n’ato të reja ka qenë një urë kalimi, ku kryqëzoheshin qytetërimet të grekëve, të romakëve, të bizantëve, ku fetë e reja kan hy dhe kanë kaluar me lehtësi; në këtë mënyrë një pjesë e popullit të këtij vendi, ka përqafuar që në shekujt e parë fenë e re, Krishtërizimin, e cila ka lënë faltore me vlerë të madhe. Një nga këto faltore të dëgjuara të Shqipërisë dhe të gjithë siujdhesës ballkanike, është Manastiri i Shën Naumit. Të gjithë duhet ta njohin këtë vënt të shenjtë, duhet të vemë t’a vështrojmë se kështu do të kënaqemi me forcën e thellë të bukurisë së vendit dhe me forcën e fuqishme të artit dhe faltores. Nga Tirana, për të vajtur në vendin e Shenjtë duhet ecur 152 kilometra; natyra, që kurorëzon këtë rrugë, është aq madhështore, sa frymëzon thesarin e fantazisë poetike, se turisti me hov në shpirt do të kalojë përmes maleve të lartë me lisa të gjatë, përmes luginave të qeshura me lumenj të kulluarë, përmesa fushave të vogla me shumë lule. Turisti do të niset nga Tirana, do të kalojë qafën e Krabës (lartësia 586 metra), dhe mbasi do të bëjë 55 km. do të arrijë n’Elbasan; ky qytet, që është ndërtuar atje ku ka qenë Scampa e moçme, ka xhami të vjetra, ka kishën karakteristike të Shën Marisë me një ikonostas fort të bukur, ka kalanë që është ndërtuar në kohën e Sulltan Mehmetit të II-të, kundërshtarit më të rreptë të Skënderbeut.
“Elbasan-Pogradec-Shën Naum, 97 km”.
Duke lënë vendin e lindjes së Kristoforidhit, turisti kalon 90 km. përmes luginave t’ëmbla, të cilat përçajnë grumbullin e maleve të Shqipërisë qendrore, udhëtari i ndritur, me gaz në shpirt, i frymëzuar nga natyra e egër plot madhështi, nga blegërimet gazmore të shqerave, arrin në Pogradec me këngë në gojë të të madhit Naim:
“Çuka kodra, brinja gërxhe dhe pylle të gjelbëruar,
Do këndonj bagëtinë, që mbani ju dhe ushqeni,
O vëndthit e bekuar, ju mëndjen m’a dëfreni”.
Pogradeci, qytet i vogël prej afro 3000 banorësh, ndodhet 693 metra mbi sipërfaqen e detit, i ndërtuar mbi sipërfaqen e liqenit t’Ohrit, i paisur me një ranishte të bukur, i kurorëzuar me male e me kodra të gjelbëruara, Pogradeci paraqet një pamje të veçantë, plot gëzim dhe plot jetë; ajri i pastër dhe uji i ftohtë i këtij qyteti tërheqës, janë kënduar prej poetëve:
“Kroj i Pogradecit, ujë i kulluar
Sa mburon nga dalë duke mërmëruar”.
Pogradeci që është i pasur me bujtina të mira (Starova, Mbretëror, Savoia), me dekore të pastërta, me shtëpi te reja, turistit ja bën jetën të këndshme, se këtu gjen dy të mirat; më një anë ujët e pastër të liqenit, mbë’anë tjetër të tërheq si me magji mali me lisa të gjatë.
“Legjenda e pikturës mbi portën kryesore”
Sikundër gjithë manastirët ortodoksë, ashtu dhe ky manastir, është i rrethuar me mure të lartë dhe të fortë. Turisti i ndritur, do të vështrojë mbi portën kryesore një pikturë, e cila paraqet një fushë ku një bujk liron arën duke pasur nën zgjedhë më një anë një ka, dhe m’anë tjetër një ari. Kjo pikturë shpjegohet me anën e kësaj legjende: Thuhet se: në kohën kur rronte njeriu i drejtë Naumi, një ari zbriti nga Mal’i Thatë, hëngri një ka që shërbente për të lëruar arën e Kishës; atëhere shenjti i drejtohet ariut, i heq vërejtjen dhe e qorton kaq bukur sa ariu pendohet, unj kryet dhe hyn vetë nën zgjedhë duke zënë vendin dhe duke sjellë shërbimin e kaut të mjerë. Siç kalon nga porta e madhe, hyn në oborr ku ndodhet një shatërvan dhe ku është ngritur në një mënyrë të bukur dhe plot madhështi kisha e manastirit. Çdo manastir ortodoks ka kishën e tij në mes t’oborrit. Duke u bazuar në arkitekturën e kësaj kishe, në materialin që është përdorur për ndërtimin, si dhe në disa afreska, jemi të mendimit se kjo faltore është ngritur pas shekullit të X-të, d.m.th. hyn në grupin e atyre faltoreve ortodokse të Shqipërisë të ndërtuara para shekullit të XIV-të të cilat paraqitin stilin e bukur bizantin por me ndikim serb. bullgar, rumun, nga ndonjëherë dhe rus. Sikundër shumë kisha të tjera ashtu dhe faltorja e Shën Naumit përbehet prej një para kishe (artheks), prej kishës kryesore dhe prej hierores. Kisha kryesore ka një kube shumë të thellë dhe parakisha një kube të zbukuruar me afreska fetare. Brenda në artheks ndodhen dy kollona, të cilat duhen të jenë të mbetura nga ndërtimi i kishës më të vjetër. Në jug, në të djathtë të artheksit, ndodhet varri i Shën Naumit; përgjithësisht mbi këtë varr peligrinët bëjnë lutje dhe japin dhurata të çmuara. Rreth mureve ku ndodhet varri, ka afreska të ndryshme fetare, sidomos një pjesë e tyre paraqet hollësirat e legjendës së kaut dhe t’ariut. Afreskat përgjithësisht, ikonat ne mureve dhe veçanërisht ato që zbukurojnë ikonostasin, d.m.th. të asaj pjese që ndan hieoren nga kisha kryesore, juanë afreska dhe ikona të cilat kanë afrim të madh stili me ato të faltoreve të manastireve të Mistras, të Malit të Shenjt, të Trebizondës, të Maqedhonisë, të Serbisë, të Rusisë, gatimi i këtij arti figurativ gjatë periodës turke është punuar me frymë fetare t’ethëshme duke vënë në dukje ringjalljen e pikturës t’epokës së Paleologëve; që nga shekulli i XVI-të, artistë të cilët pikturonin faltoret ortodokse, më të shumtit kanë qenë murgjarit; këto nuk u jepnin drejtime të reja artit, ashtu si bënin kohë shokët e tyre në kombet e Perëndimit, por ndiqnin me besnikëri gjurmët t’artit t’epokës së Paleologëve.
“Ambientet e dekoruara që përbëjnë manastirin”
Sikundër të gjitha kishat me stil bizantin, ashtu dhe faltorja e Shën Naumit si arkitekturë dhe në pikturë, paraqitet me madhështi dhe kërkon shkëlqimin e ngjyrave. Rreth e përqark kësaj kishe janë ndërtuar banesat ku qëndrojnë fetarët dhe murgjrit q’i shërbejnë Manastirit të Shenjtë; gjithashtu pjesë të tjera banimi shërbejnë për çlodhjen, fjetjen e udhëtarëve, e pelegrinëve dhe t’atyre që me dëshirë të përmallshme, venë të kalojnë të nxetat e verës në këtë vend të bukur dhe të uruar. Pranë sallës së pritjes së vizitorëve, ndodhet një kapele dhe dhoma e Aleksandrit, ish Mbretit të Jugosllavisë. Në një kënt t’oborrit është ngritur hije plotë kambanorja, e cila në katin e parë është zbukuruar me një kapele të hijshme, dedikuar Shën Gjon Vladimirit; turisti këshillohet të vizitojë këtë kishë me vëmendje; ky shenjt është shumë i dashur në Shqipërinë e Mesme; banorët e Elbasanit dhe të malësisë tregojnë për mrekullitë e këtij shenjti, të mirat që bën dita ditës; për nder të tij, 6 km. jashtë qytetit, është ngritur një manastir; në kishën e tij ndodhen lipasnat e shenjtit t’adhuruar. Afreskat që zbukurojnë kishëzën e kambanores së Shën Naumit, tregojnë në një mënyrë fetare jetën e shenjtit, martirizimin e tij. Është për të vënë re se, këto afreska paraqiten si në ngjyrat, ashtu dhe në tiparet e fytyrës, sidomos në ekspresionin e syve, një art modern sllav. Këshillohet që turisti të ngjitet në katin më të lartë të kampanarjos ose të vejë në ballkonin e dhomës së mbretit se do të ketë parasysh një pamje të rrallë në botë që të shtije si me magji në fuqitë e thella shpirtërore; kjo pamje magji-plotë është liqeni madhështor i Ohrit i kurorëzuar nga vargmalet e rinj t’epokës së tretë të Jablaniocës, së Mokrës, të Galiçës.
“Liqeni mahnitës i Ohrit me faunë të pasur”
Ky liqen që është nga më të mëdhenjtë e siujdhesës ballkanike ka një sipërfaqe prek 270 km. katror dhe me një thellësi prej 200 metrash. Ujërat e tij janë të kulluara si ujë burimi; liqeni i ëmbël që shpërndan bukuri, përmban në gjirin e tij një pasuri të madhe peshqish të dorës së parë, si: lekna, kreshnica, koranë, belushka, klena etj. Ky liqen, në shumë pjesë të buzëve, ka ranishte të këndshme. Natyra që kurorëzon Manastirin e Shën Naumit këndon shijen e jetës dhe mëndja e lodhur përtërihet në këtë çip të tokës shqiptare. Shëtitja më e afërme që do të bëjë njeriu duke dalë nga faltorja është ajazma, ujë i bekuar; këtu besimtari për besim lag ballin që ta ruajë nga çdo gjë e keqe, pi pak ujë dhe si kundër në Romë në Fontana dei Trevi, hedh një para, që kështu Zoti t’i falë një shëtitje tjetër në këtë vend të bekuar. Dy hapa më tej të del përpara një liqen i vogël shum i vogël, një diamant i liqeneve dhe të poezisë vetë, që ushqehet nga burimet e këmbëve të Malit të Thatë; nëna e këtyre burimeve është liqeni i Prespës, i cili ngjitet 130 metra më lart se ai i Ohrit. Guri i Malit të Thatë hyn në natyrën e shkëmbinjve të butë gëlqerorë; ujërat e liqenit të Prespës, përshkojnë në mal dhe derdhen në formë burimi në liqenin e vogël dhe të bukur, dhe që këtu përbëjnë në këmbët e Manastirit, fillimin e Drinit që e këndon poeti.
Profesor Pepo: Aty vinë e falen të gjithë popujt e Ballkanit, Shën Naumi adhurohet jo vetëm prej shqiptarëve
Në reportazhin e tij mbi manastirin e Shën Naumit, i cili më së shumti është dhe një shkrim studimor mbi historinë e largët dhe të afërt të atij objekti të famshëm kulti të adhuruar jo vetëm prej shqiptarëve, por pothuaj nga të gjithë popujt e Ballkanit jugor, studiuesi i historisë, profesor Petraq Pepo, ka bërë edhe një përshkrim ku tregon disa prej legjendave që janë transmetuar në breza mbi të kaluarën e atij manastiri. Lidhur me këtë, ndërmjet të tjerash ai ka shkruar: “Shën Naumi adhurohet jo vetëm prej shqiptarëve pa ndryshim feje, por edhe prej të gjithë krahut të Maqedonisë, prej gjithë popujve të siujdhesës ballkanike, Për këtë shenjt ballkanas, dëgjohen nga të gjitha anët jehona legjendash, se ku ka shpërndarë mirësinë, ku ka shëruar të sëmurë e akoma dhe sot shëron ata që besojnë, ata që venë e falen mbi varrin e tij. Ata që flenë në kishën e tij. Kur Shenjti ka ditën më 3 korrik, në Manastir venë pelegrin nga të gjitha anët. Falen, gëzohen në natyrën e bukur, ja thurin këngës, valles, atëhere, përfytyrimi e shpje turistin në poezinë e mesjetës n’atë kohë kur krishterizmi jepte shenjtorë; këtu kupton edhe më mirë shekujt e kaluar të ballkanizmës. Gjithë të mirat bashkohen dhe rrethojnë Shën Naumin, dashuria e popujve arti ballkanik, malet, pyjet, liqeni, gëzimi i pelegrinëve, dhe të gjitha këto së bashku të frymëzojnë ideale të larta, e rrëmbejnë përfytyrimin, e shpiejnë në lëmën e veprimtarisë prodhimtare, në lëmën e poezisë, në lëmën e veprës së Naimit: Bagëti e Bujqësia:
“Tek buron ujët e ftohtë edhe fryn veriu në verë
Tek mbin lulja me gaz shumë dhe me bukuri e erë
Ku i fryn bariu xhurasë, tek kullosin bagëtoja,
Ku mërzen cjapi me zile, atje i kam unë mënt e mija”.
Profesor Pepo: “Ja si u themelua manastiri i Shën Naumit”
Në reportazhin e tij për Manastirin e Shën Naumit të botuar në revistën e përmuajshme “Drini” që nxirrte Enti Kombëtar i Turizmit në Shqipërinë e viteve 1939-1943, profesor Petraq Pepo, ka bërë edhe një përshkrim të shkurtër mbi historinë e themelimit të atij manastiri të famshëm i cili që nga viti 1943, ndodhet jashtë kufijve politikë të Shqipërisë. Lidhur me këtë, ndërmjet të tjerash, Lafranceska shprehet: “Nga Poradeci duke kaluar 7 km. në buzë të liqenit, arrin në Manastirin e Shën Naumit. Themelimi i këtij Manastiri të Shenjtë, humbet në mjegullat e kohës së mesme. Në gjirin e tokës shqiptare, ndodhen 71 Manastire Ortodokse, një pjesë e madhe janë ndërtuar para shekullit të XVI-të, d.m.th. gjat atyre shekujve kur në zemrën e periudhës bizantine u zhvillua një ballkanozmos, n’ato kohë kur në Shqipëri si rrjedhoje e pushtimeve të ndryshme lanë gjurmët e tyre Bulgarët, Normandët, Despotati i Epirit, Serbët, princat Shqiptarë dhe të gjithë kanë ndikimin e frymës së artit bizantin. Këtë frymë, këto gjurma i mban me krenari dhe Manastiri i Shën Naumit. Shën Naumi, Prift, dhe kohë shoku i tij, Klementi, peshkopë të pajisur me dhuratat e Shenjtit, kanë ndjekur me urtësi rrugën e Cirillit dhe të Methodhit për të zhvilluar krishterizimin nër popujt ku qëndronte akoma paganizmi. Shën Naumi me butësi, me fjalën e ëmbël, me shembuj të mirë, me mrekullia, prandaj u bë i njojtur, prandaj e nderonin si shenjt, me këto cilësi dhe në këtë mënyrë në gjithë krahinat e Maqedonis Perëndimore, zhvilloi nga tërë anët krishtërizmin dhe ç’duk gjurmët e fundit të fesë politeiste. Për të krishterët e këtij krahu, ndërtoi rreth vitit 1000, një faltore, të cilën ja u dedikovi Arkangjellëve. Kur mirëbërësi ndërroi jetë, populli për mirënjohje, këtë kishë e ka pagëzuar me emrin e Shën Naumit”./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016