Nga Saimir Z. Kadiu
– Homazh për FERENC PUSKAS (1 PRILL 1927– 17 nëntor 2006) në përvjetorin e 96 të lindjes-
Memorie.al / Futbollisti më i madh hungarez i të gjitha kohërave dhe një nga më të mëdhenjtë e historisë së futbollit….! E kam shikuar për herë të parë në TV në finalen e Kupës së Kampioneve të vitit 1971 midis Ajaks Amsterdam dhe Panathinaikos të Athinës (Londër – 2 qershor 1971). Një burrë i shkurtër dhe i shëndoshë. Nuk të jepte përshtypjen e një ish futbollisti. Ishte 45 vjeç…! Skuadra greke e drejtuar prej tij dha maksimumin, duke shkuar në finale. Përballë “holandezëve fluturues”, të udhëhequr nga Cruyff çdo gjë ishte e pamundur.
Pas futbollit të luajtur vazhdonte të ishte “refugjat” nëpër Evropë, Amerikën Latine, Afrikë dhe më gjerë duke trajnuar klube dhe skuadra kombëtare, të vendeve të tjera. Atdheu i tij Hungaria, e kishte konsideruar “tradhtar”, pas braktisjes së vitit 1956. Por ai nuk e harroi kurrë Hungarinë dhe Budapestin…! Puskas, ishte padyshim një nga hungarezët më të famshëm…!
Loja e tij, kishte madhështinë e muzikës së Liszt dhe Bela Bartok, vrullin poetik të Shandor Petef, si dhe sfidën ala Puskas, ndaj regjimit komunist hungarez, të mbështetur nga tanket sovjetike.
Kthehet në Hungari për herë të parë në vitin 1981, pas 25 vjetësh dhe vendoset përfundimisht në Budapest, në vitin 1990 pas rënies së komunizmit.
▪ Arkitekti i humbjes së parë të anglezëve në fushën e tyre, në vitin 1953 (Angli-Hungari 3-6).
▪ Lojtari që ka shënuar më shumë gola (4) në një finale të Kupës së Kampioneve (Real Madrid – Eintracht Frankfurt, 7-3 në vitin 1960).
Në këtë ndeshje, të luajtur në ‘Hampden Park’ te Glasgout, në prani të 135 mijë spektatorëve, ka ndodhur diçka që nuk është përsëritur më…! Tifozët skocezë, të impresionuar nga Puskas, dhe Di Stefano, nuk pushonin duartrokitjet edhe pas përfundimit të ndeshjes. Lojtarët e Real Madrid, u kthyen tre here në fushë, të përshëndetura nga publiku i zjarrtë skocez.
▪ Sipas World Soccer (1999) konsiderohet lojtari i 7-të, më i mirë i shekullit, pas: Pele, Maradona, Cruyff, Beckenbauer, Platini dhe Di Stefano.
▪ Lindi si Ferenc Purczeld, më 1 prill 1927, në një familje me rrënjë gjermane (Danube Swabian), në Budapest.
▪ Debutoi me ekipin përfaqësues hungarez, me 20 gusht 1945, në një fitore kundër Austrisë, 5-2.
▪ Një sulmues i jashtëzakonshëm… 84 gola në 85 ndeshje, me Hungarinë (1945-1956).
▪ Vetëm një herë ka shënuar 4 gola me përfaqësuesen…kundër Shqipërisë (12-0), më 24 shtator 1950.
▪ Mori shtetësinë spanjolle, në vitin 1961 dhe luajti më pas 4 ndeshje me përfaqësuesen spanjolle.
▪ Ka luajtur 6 ndeshje, në 2 Kupa të Botës, me dy skuadra të ndryshme. Me Hungarinë (1954; 3 ndeshje dhe 4 gola)) dhe me Spanjën (1962; 3 ndeshje).
▪ 514 gola në 529 ndeshje, në Ligat hungareze dhe spanjolle (vetëm për kampionatët respektivë).
▪ 324 gola në 372 ndeshje (1958-1967) me Real Madrid në të gjitha kompeticionet.
▪ Sipas IFFHS (1995), Puskas, ishte shënuesi më i madh i shekullit XX-të.
▪ Kampion Olimpik me Hungarinë, në Lojërat Olimpike të Helsinkit (1952).
▪ Nënkampione bote, me Hungarinë, në Kupën e Botës 1954.
▪ Lojtari më i mirë i Kupës së Botës, 1954.
▪ 3 tituj të Kupës së Kampioneve, me Real Madrid (1959,1960,1966).
▪ 5 herë, Kampion i Hungarisë, me Honved Budapest.
▪ 5 herë kampion i Spanjës, me Real Madrid.
▪ I dyti në Ballon d’Or 1960, pas Luis Suares.
▪ 4 herë, shënuesi më i mire, në ligën hungareze.
▪ 4 herë, shënuesi më i mirë i ligës spanjolle.
▪Vdiq më 17 nëntor 2006, në Budapest, nga pneumonia.
▪ Për në banesën e fundit, iu rezervua një funeral shtetëror. Trupi i tij, nga Stadiumi “Puskas” u vendos në “Sheshin e Heronjve”, ku homazhet u kryen si të ishte një udhëheqës ushtarak.
▪ Majori “renegat” i vitit 1956, u përcoll nga një popull i tërë, si një gjeneral i lavdishëm…!
Rrëfimi i George Best, për Ferenc Puskas
Tregonte George Best: “Po trajnonim lojtarë të rinj në një akademi futbolli në Australi, bashkë me Bobby Charlton, Denis Law dhe Ferenc Puskás. Të rinjtë, nisën të talleshin me këtë të fundit, sepse ndër ne, ishte më i vjetri në moshë dhe më i rëndi në peshë. Law, atëherë vendosi të vinte një bast me lojtarët e vegjël, duke i kërkuar të zgjidhnin njërin prej trajnerëve, për të goditur traversën 10 herë rresht (sfidë pothuajse e pamundur).
Natyrisht australianët, zgjodhën trajnerin e shëndoshë dhe u shprehën se; topi i goditur prej tij, do e prekë më pak se pesë herë shtyllën horizontale. Puskás, e goditi atë 9 herë me radhë dhe të dhjetën, e palloi topin në ajër, e stopoi dy herë me supe, e ngriti me takë dhe teksa ishte akoma në ajër, i dha goditjen e fundit, duke e tronditur traversën 10 herë rresht. Të gjithë mbetën gojëhapur dhe njëri u afrua e pyeti se me kë kishin të bënin…?! Memorie.al