Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon një dokument të panjohur arkivor të nxjerrë nga Arkivi Qëndror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qëndror të PPSH-së), ku zv/ministri i Punëve të Brendëshme të asaj kohe, Rexhep Kolli, i dërgon një raport-informacion, sekretarit të Komitetit Qëndror të PPSH-së, Hysni Kapo, (që mbulonte organet e “Diktaturës së Proletariatit”, si: Ministria e Punëve të Brendëshme, Sigurimi i Shtetit, Prokuroria, Hetuesia, etj), lidhur me situatën që mbizotëronte në vend, pas ngjarjeve që po ndodhin në disa shtete të Europës Lindore, si: Çekosllovaki, Poloni, Jugosllavi etj., gjë të cilat kishin pasur një ndikim të madh edhe në Shqipëri, kryesisht tek “elementi armik”. Çfar thuhet në atë raport informacion me siglën “Tepër sekret”, të zv/ministrit Kolli, lidhur me komentet e diplomatëve të huaj në Tiranë, si dhe “agjitacionin e propagandën” që zhvillohej nga disa persona, kryesisht intelektualë dhe “elementi armik”, në rrethet e Tiranës, Durrësit, Shkodrës, Peshkopisë, Fierit, Lushnjes, Elbasanit, Librazhdit, Korçës, Tepelenës, Lezhës, Rrëshenit, Gjirokastrës, etj.
Ngjarjet e ndodhura në muajt e parë të vitit 1968 në disa vënde të Europës Lindore, si demonstratat në Çekosllavaki, Poloni e Jugosllavi, por dhe në disa vënde perendimore, (kryesisht me studentët), si në Francë Itali, etj., patën një impakt të fortë dhe alarmuan së tepërmi edhe regjimin komunist të Enver Hoxhës, i cili i trembej një “efekti domino” ndaj vëndit tonë, pasi, Shqipëria e asaj kohe, konsiderohej nga vëndet “revizioniste”, si një nga “hallkat” më të dobta, të gjithë Lindjes Komuniste. Veç të tjerash, kjo gjë bëhet e ditur edhe nga ky dokument arkivor që mban datën 14.V.1968 (Fondi 14. Ap. Komitetit Qendror të PPSH-së, Struktura, Dosja 88. Viti 1968) dhe i sigluar “Tepër sekret”, i cili është një raport-informacion i zv/Ministrit të Punëve të Brendëshme të asaj kohe, Rexhep Kolli, dërguar Sekretarit të Komitetit Qëndror të PPSH-së, Hysni Kapo (që mbulonte në rrugë partia organet e “Diktaturës së Proletariatit”, si Ministria e Brendëshme, Sigurimi i Shtetit, Kampet dhe burgjet, Prokurorinë, Hetuesinë, etj.), me temë: “Mbi komentet dhe parrullat armiqësore të elementit armik”.
Pra, nisuar nga situata e tensionuar në planin ndërkombëtar, me një ndjeshmëri të një shkalle të lartë (tipike për vëndet e regjimet komunsite diktatoriale), Tirana zyrtare po tregohej mjaft e vëmëndëshme, pasi i druhej atyre ngjarjeve, se mund të ndodhin edhe në Shqipëri. Dhe kjo gjë duket qartë edhe nga dokumentet e shumta arkivore që gjenden në Fondin e Komitetit Qëndror të PPSH-së, ku Ministria e Punëve të Brendëshme, me anë të ministrit, Kadri Hazbiu dhe zëvëndësve të tij, si Feçorr Shehu, Rexhep Kolli, etj., që ishin dhe drejtuesit kryesor të Sigurimit të Shtetit, i ka dërguar një sërë informacionesh dhe raportesh udhëheqjes së lartë, duke filluar nga Enver Hoxha, Hysni Kapo, Ramiz Alia, Xhaferr Spahiu etj., me anë të së cilave e ka informuar deri me detaje, mbi çka ndodhte në çdo skaj të vëndit, nga jugu në veri. Në fokus kryesor të atyre raport-informacioneve, ishin komentet që bëheshin nga ana e trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, si dhe nga intelektualë të ndryshëm, kryesisht “elementi armik”, rreth ngjarjeve që po ndodhnin në disa vënde të Europës Lindore, si Çekosllovaki, Polonia etj. Dhe jo pa arsye, pasi siç duket dhe nga ky dokument, por edhe nga një sërë dokumentesh të tjera arkivore që ndodhen në dosjet përkatëse në arkivat e shtetit, situata në atë kohë po precipitonte në atë mënyrë, saqë regjimi komunist i Tiranës, pas ndërhyrjes së trupave ushtarake sovjetike në Çekosllavaki, e kaloi ushtrinë në gatishmëri nr. 1, njësoj si në gjëndje lufte. Dhe më shumë se sa ndonjë agresioni nga jashtë, regjimi komunist i druhej ndonjë lëvizje nga brenda. Në këtë kontekst të rrjedhës llogjike të ngjarjeve, kjo periudhë kohe (gjithë viti 1968), duket se ka qenë një nga periudhat më alarmante dhe të frikshmet që ka kaluar ai regjim, (deri në vitin 1990-ën kur ndodhi ngjarja e ambasadave), gjë e cila duket dhe nga dokumenti në fjalë që Memorie.al e publikon të plotë siç ndodhet në dosjen përkatëse në Arkivin Qëndror të Shtetit.
Raport-informacioni sekret për Hysni Kapon
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPERISE TEPER SEKRET
MINISTRIA E PUNEVE TE BRENDSHME Tiranë, më 14.5.1968
DREJTORIA E PARE
Nr 821 Prot.
Lënda: Mbi veprimtarinë armiqësore të agjitacionit e propagandës
SEKRETARIT TE KOMITETIT QENDROR TE PPSH
Shokut HYSNI KAPO
TIRANE
Gjatë tremujorit të parë të vitit në vazhdim, agjitacioni e propaganda armiqësore kanë qenë mjaft të theksuara.
Nëpërmjet kësaj forme të punës së vet, armiku është përpjekur të prekë një sërë problemesh që kanë të bëjnë me gjendjen e brendshme të vendit dhe situatën ndërkombëtare, por në mënyrë të veçantë është përqendruar rreth disa çështjeve të drejtimit të frontit politiko-ideologjik dhe mbi gjendjen ekonomike.
Mënyrat me anë të së cilave ai është munduar të nxisë pakënaqësi, të ngjallë disfatizëm dhe pasiguri kundër Partisë dhe Pushtetit tonë Popullor, kane qenë të ndryshme, por më kryesoret janë agjitacioni e propaganda me gojë dhe letrat e traktet anonime me përmbajtje armiqësore.
- Agjitacioni dhe propaganda me gojë
Kjo ka qenë metoda më e përhapur dhe më e efektshme e veprimtarisë armiqësore. Komentet janë bërë kryesisht në mënyrë individuale në rrethe të ngushta shoqërore dhe miqësore, por në disa raste janë zhvilluar edhe në prezencë të dy apo më shumë personave të lëkundur apo të molepsur nga puna e armikut.
Agjitacioni dhe propaganda ka synuar:
- Kundër vijës së përgjithshme të Partisë dhe udhëheqjes së saj. Konsiderohet si e pamatur dhe kapriçoze politika e drejtë e Partisë në drejtim të vendeve revizioniste. Ajo merret si shkak, se gjoja Shqipëria u izolua nga gjithë vendet e tjera me përjashtim të Kinës, e cila sipas tyre, si rezultat i Revolucionit Kulturor, krijoi shumë armiq brenda dhe jashtë vendit të vet dhe për pasojë, ndodhet në një situatë të turbullt dhe të paperspektivë.
Përhapin mendimin se gjoja në udhëheqjen e Partisë sonë nuk ka unitet, se gjoja një pjesë e partizanëve të vjetër janë persekutuar, duke marrë si shembull disa elementë antiparti që janë dënuar. Në të njëjtën kohë, shpiket se gjoja një pjesë e mirë e oficerëve që janë nxjerrë në lirim, janë lënë pa punë etj. Vërehet gjithashtu, se elementë armiq, duke shprehur urrejtjen e tyre të shfrenuar, kanë shfaqur tendenca dhe dëshirë për terror kundër udhëheqjes së partisë dhe të shtetit. P.sh., dy të arrestuar nga organet tona në rrethin e Lezhës, të moshës 26 dhe 27 vjeç, midis të tjerave pranojnë se kanë dashur që të kryejnë akte të tilla kundër udhëheqjes së partisë, kurse një tjetër në rrethin e Tropojës, shprehet se, janë shtyrë njerëz për të zhdukur njërin nga udhëheqësit kryesorë të Partisë. Komente të tilla nga armiqtë ka pasur edhe në rrethet Shkodër, Librazhd dhe Tiranë.
Në komentet e armiqve flitet kundër sistemit socialist në vendin tonë, duke e konsideruar atë si shumë të ngurtë, që gjoja shtyp liritë demokratike, ndrydh iniciativën dhe nuk përfill vlerat e individit. Bëhen krahasime me vendet revizioniste, duke i quajtur ato në rrugë të drejtë dhe të mirë. Admirohen ngjarjet kundërrevolucionare që ndodhën kohët e fundit në Çeki e Poloni dhe bëhen aluzione se gjoja këto do të ndodhin edhe në vendin tonë.
Një element armik, midis të tjerash shprehet: “Shqipëria ndodhet në Evropë dhe duhet të ecë mbas saj”. Kurse një diplomat i ambasadës çeke në Tiranë, duke u nisur nga qëllimi i tendencave të liberalizmit borgjez e revizionist, është shprehur: Mbarë populli çek kërkon demokratizimin e partisë dhe organizatave shoqërore, mbasi Novotni dhe shokët e tij kanë bërë një politikë subjektive dhe nuk kanë respektuar normat e demokracisë në parti. Ju nuk e njihni gjendjen e Çekosllovakisë; vetëm në Shqipëri thuhet se në Çeki po vendoset kapitalizmi, dhe kjo nuk është gjë tjetër veçse një propagandë.
Një tjetër përfaqësues tregtar çek në Durrës, për gjendjen e brendshme në Çeki ka thënë: “Unë nuk mendoj që kursi i ri do ta shkëpusë vendin tonë nga kampi socialist, mbasi që në fillim u tha shprehimisht nga udhëheqësi i ri Dubçek, se në asnjë rast nuk do të shkëputemi nga kampi socialist, nga Bashkimi Sovjetik dhe nga rruga socialiste, por kuptohet se socializmin do ta ndërtojmë sipas perspektivës sonë”. Megjithatë ai vazhdon:
“Tashti ne ndodhemi para dy presioneve, atij konservator dhe atij liberal. Këta të fundit kërkojnë më shumë sesa u takon. Te ne punët po rrokullisen me shpejtësi në favor të liberalizmit, por përfundimi akoma nuk dihet. Në partinë çeke kanë humbur gjallëria, shpirti luftarak, komunistët punëtorë kanë rënë në letargji, nuk ka kritikë, mbledhjet bëhen të rralla dhe shumë herë bëhen vetëm me diskutimin e referuesit”. Dhe më poshtë, lidhur me ndryshimet që ndodhën në Çeki, ai shpjegon: “Partia jonë është themeluar në 1920-1922-shin dhe të gjithë shokët e vjetër kërkojnë të rigrupohen për të kundërshtuar kursin e ri, mbasi ata janë për diktaturën e proletariatit.
Vendimet revolucionare të partisë dhe iniciativat e lindura nga vetë masat punonjëse, konsiderohen si të diktuara nga nevoja për të kaluar vështirësitë e mëdha që gjoja janë krijuar, i quajnë si të padrejta se gjoja nuk përputhen me interesat e popullit etj. Pretendohet se masat e marra për shkurtimin e oborreve kooperativiste dhe bagëtive personale do të çohen akoma më tej, duke u marrë fshatarëve edhe ato pak bagëti dhe toka që kanë. Masat e marra kundër fesë dhe zakoneve prapanike gjoja populli nuk i aprovon, se masat për revolucionarizmin e shkollës, janë gjoja një grusht për njerëzit e artit dhe të kulturës, një shtrëngim i mëtejshëm i censurës në këtë drejtim etj.
Krahas me këtë, pjesëmarrja e masave në aksionet e ndryshme konsiderohet e imponuar nga lart për efekte demagogjike, kështu që, sipas tyre, në këtë mënyrë e nëpërmjet punës propagandistike, populli mbahet gjithnjë në tension, pa i lënë kohë të mendojë për padrejtësitë që gjoja i bëhen atij nga pushteti dhe partia.
Përhapin mendimin se gjoja, çfarëdo vendimi e masash që të merren në emër të revolucionarizimit të jetës, prapëseprapë, herët apo vonë, vendi ynë do të shkojë në atë rrugë në të cilën po ecin sot vendet revizioniste. Flitet kundër gjendjes ekonomike në vendin tonë, duke thënë se gjoja rrogat e punëtorëve dhe nëpunësve të thjeshtë janë të vogla, saqë nuk sigurojnë dot as nevojat minimale të jetës, se gjoja nuk ka punë për të gjithë, se fshatarët punojnë shumë dhe marrin pak, se gjoja gjendja ekonomike në përgjithësi po keqësohet gjithnjë e më shumë, se jetojnë mirë vetëm njerëz me përgjegjësi dhe rroga të mëdha, admirohet dhe ngrihet lart jeta ekonomike në vendet kapitaliste dhe revizioniste.
Ja disa nga shprehjet karakteristike: “Kanë të drejtë njerëzit që sëmuren, rrogat janë të vogla sa për bukën e gojës, populli nuk ka nevojë për llafe dhe konferenca, ai ka nevojë për bukë”. Në Shqipëri është më keq se në të gjithë botën, këtë e dinë edhe udhëheqësit, të cilët e kanë kthyer vendin në një skëterrë, kanë vendosur perden e hekurt. Po të shohë populli se si jetohet në Evropë, çohet i gjithi në këmbë”. Ka pasur gjithashtu mjaft komente lidhur me punën jashtë orarit dhe ditët e diela, që është aplikuar për efekt të realizimit të planit nga disa ndërmarrje ekonomike.
- Agjitacioni e propaganda nëpërmjet letrave dhe trakteve anonime
Nëpërmjet kësaj metode, e cila nga viti 1967 e në vazhdim është bërë gjithnjë e më e theksuar, elementët armiq kanë zhvilluar veprimtari mjaft tendencioze e shpifëse ndaj politikës së Partisë. Gjatë tremujorit të parë të vitit 1968, janë bërë 17 letra anonime, janë hedhur në tri raste në Tiranë dhe një në qytetin e Korçës fletushka me përmbajtje armiqësore. Në fletushkat e hedhura në qytetin e Tiranës, midis të tjerash shkruhet: “Popull, mos qëndroni në errësirën e politikës së këtyre, mos u tregoni të ligj dhe frikacakë. Nevoja t’ju shtrëngojnë të mos lejojmë që të fusim fëmijët tanë në kasaphanën bërthamore për kapriçon e dy vetëve”.
Kurse në ato të qytetit të Korçës bëhet fjalë: “Në socializmin e Leninit ka vetëm punë, mbledhje, vullnetarë, zbor dhe qejf me 10 qindarka në xhep. Ky socializëm kënaq vetëm 5 për qind të popullsisë, të tjerët i kënaq frika. Ne duam të rrojmë si gjithë popujt e tjerë dhe jo vetëm si kafshë pune”. Pothuajse në esencë të këtyre gjërave vërtitet përmbajtja e të gjithë fletushkave dhe letrave anonime.
Agjitacioni dhe propaganda në tërësi është paraqitur më e theksuar në Tiranë, Shkodër, Kukës, Peshkopi, Lezhë, Durrës, Lushnjë, Fier, Vlorë, Sarandë, Gjirokastër, Korçë dhe Elbasan. Del më në pah veprimtaria e disa elementëve nga radhët e inteligjencës e të rinjve me prejardhje reaksionare apo të infektuar nga propaganda borgjeze e revizioniste (kështu p.sh., ekspertiza vërtetoi se autori i fletushkave anonime që u hodhën në Korçë, është një inxhinier pyjesh, i cili ka studiuar gjatë viteve 1949-1953 në Rumani, i dënuar edhe njëherë tjetër për tentativë arratisjeje. Po kështu, në disa shkolla të mesme ka pasur shkrime me përmbajtje armiqësore, të shkruara këto nga pedagogë ose nxënës.
Disa intelektualë me prejardhje armiqësore, mundohen të fusin frymën e liberalizmit në art dhe kulturë. Ka pasur raste kur ngjarjet e liberalizmit në Çekosllovaki janë pritur me entuziazëm dhe u janë ngjallur shpresat për ndryshime të mundshme edhe në vendin tonë; ata predikojnë se u duhet vetëm një dorë për të ndryshuar gjendjen. Ka pasur raste si më parë, që kanë qarkulluar materiale pornografike dhe me përmbajtje thellësisht imorale, siç është ai i Ana Pavllovës, që lexohej nga arsimtarët e shkollës së Llakatundit vajtur në Shkodër.
Është për t’u theksuar se, edhe në korrespodencën e brendshme që shkon jashtë shtetit, megjithëse në krahasim me të kaluarën duken përmirësime, mbasi ajo trajton më mirë dhe më shumë sukseset politike dhe ekonomike të vendit tonë, mjaft elementë dallaveraxhinj, që duan të zhvasin, apo me prejardhje armiqësore, sidomos nga radhët e minoritarëve në rrethet e Gjirokastrës dhe Sarandës, shkruajnë keq për gjendjen në vendin tonë.
Ata shprehen: “Tokë më s’kemi fare, punojmë shumë dhe marrim pak. Na ndihmoni, se përndryshe na pret vdekja. Kemi mbetur zbathur dhe zhveshur, bukën e kemi me racion dhe prej misri, s’kemi me se ta blejmë. Po na heqin nga qytetet dhe po na dërgojnë detyrimisht në fshat. Kemi ngelur në mes të rrugëve, fe nuk kemi më, jemi të gjithë si kafshë, kishat i bënë stalla kuajsh etj.”
- Burimet e agjitacionit dhe propagandës
Ashtu si zakonisht, si burim kryesor kanë shërbyer emisionet e stacionet reaksionare, shtypi, letrat, sendet me vlerë, turistët dhe vizitorët e ardhur nga vendet kapitaliste dhe revizioniste si dhe diplomatët e këtyre vendeve që ndodhen në vendin tonë.
Organet tona, për të gjitha çështjet e mësipërme kanë vënë në dijeni Komitetet e Partisë, kanë marrë masat e nevojshme për zbulimin dhe goditjen e kësaj veprimtarie dhe njëkohësisht kanë luftuar në drejtim të preventimit të krimeve./Memorie.al
ZV.MINISTRI I PUNEVE TE BRENDSHME
REXHEP KOLLI