Dashnor Kaloçi
Memorie.al/publikon disa dokumenta arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë, ku ndodhet një dosje me siglën “Tepër Sekret” e cila i përket vitit 1982, ku Grupi i Instruktorëve të Ushtrisë pranë aparatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, Dega e Sigurimit të Ushtrisë, zv/ministri i Punëve të Brendshme Zylyftar Ramizi dhe ministri Hekuran Isai, informojnë Komitetin Qendror dhe personalisht Ramiz Alinë, apo sekretarin e Komitetit Qendror, Simon Stefani (që mbulonte organet e Diktaturës së Proletariatit, pas vdekjes së Hysni Kapos), lidhur me: “veprimtari të ndryshme armiqësore dhe spiunazhi” si dhe ngjarje të jashtëzakonshme të ndodhura gjatë atij viti në disa rrethe të vendit, kryesisht ato që ishin nën vartësinë e Degëve të Punëve të Brendshme të Shkodrës, Lezhës, Durrësit, Vlorës, Gjirokastrës, Sarandës, Pogradecit, Kolonjës etj.
Fondi: KOMITETIT QENDROR TË PARTISË PUNËS SHQIPËRISË
(GRUPI I INSTRUKTORËVE TË USHTRISË)
Titulli dhe përmbajtja
INFORMACIONE TË MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME, DREJTUAR KOMITETIT QENDROR TË PARTISË SË PUNËS SË SHQIPËRISË DHE GRUPIT TË INSTRUKTORËVE TË KOMITETIT QENDROR,PËR VEPRIMTARI ARMIQËSORE DHE NGJARJE TË JASHTËZAKONSHME
Data e dokumentit, 14.8.1982 Sekret
I N F O R M A C I O N
MBI NGJARJEN E JASHTËZAKONSHME TË NDODHUR NË R. 9. A. KA SHKODËR
Më datën 10.8.1982, rreth orës 11.00, ish-nënoficer i R.9.A.K. Shkodër, Hasan Sulejman Hyseni, në afërsi të fshatit Beltojë, qëllon katër herë me pistoletë, kundër intendentit të Prapavijës së Regjimentit, oficer Hilmi Gavoçi.
Mbas kryerjes së krimit, Hasan Hyseni, i cili nuk mundi ta kapë oficer Hilmi Gavoçin, kthehet e merr biçikletën e niset për në Shkodër dhe tenton të arratiset në drejtim të Zogajve, ku e bëri veten si çoban, duke afruar disa dhënë deri tek kloni, prek klonin e kalon.
Në këtë rast bie në përpjekje me një nënoficer të Kufirit, Misto Osmani, të cilin e qëllon dhe e plagos. Forcat e Kufirit, të cilat ishin të informuara për këtë, e qëllojnë dhe e asgjësojnë në fshatin Zogaj.
Për verifikimin paraprak të ngjarjes, muarrëm takim me kuadrot kryesorë në Komitetin e Partisë dhe në Komandën e Korpusit, me kuadro e punonjës të R.A.K.A, (Regjimentit të Artilerisë- Kundërajrore), me disa shokë të Hasanit e të Hilmit, si dhe studiuan dosjet e tyre personale e materiale të tjera të Byrosë së Partisë, e Komandës së Regjimentit.
Nga sa verifikuam, paraprakisht, del se: Hasan Hyseni, i datëlindjes 1939, nga Bërdica e Sipërme Shkodër, me arsim shtatë-vjeçar, është veshur nënoficer në vitin 1970, nga Brigada e Vaut të Dejës. Gjatë gjithë kohës, ka manifestuar shfaqje të theksuara të psikologjisë mikroborgjeze.
Merrej me thashetheme, arrogant e brutal në marrëdhëniet me shokët, vartësit e eprorët, nevrik e gjaknxehtë, ka pasur disa raste grindjesh e rrahjesh me shokët. Përgjonte pas dyerve, ishte kurioz e kërkonte të dinte gjithçka. Të theksuar ka pasur, mbajtjen mëri dhe inat, nuk pranonte kritikën.
Në tërësi, ishte njeri me sedër të sëmurë. Veçanërisht ka shkuar keq me shefin e tij – Intendentin e Prapavijës, Hilmi Gavoçin. Ky i fundit (Hilmiu), nuk i shkonte për kontroll asnjëherë vetëm në depo, nga frika se mos e rrihte. Marrëdhëniet ndërmjet tyre, acaroheshin shumë gjatë kontrolleve të brendshme, e sidomos gjatë inventarizimit.
Hasani, insistonte me çdo kusht të dilte pa diferenca edhe pse kishte të tilla. Për këtë qëllim, përdorte si presionin, ashtu dhe komprometimin. Një punonjës i Prapavijës, tha se: “Kishim frikë të kontrollonim, kuadrimin ose të inventarizonim depot e Hasanit, sepse përdorte të gjitha mjetet, për të dalë pa diferenca”.
Nga viti 1976 e këtej, Hasani ka dalë vazhdimisht me diferenca, ndonëse këto nuk kanë qenë të mëdha. Shokët mendojnë se Hasani, duhet të ketë vjedhur, por nuk e kapim dot. Vjedhjen e ka realizuar, nëpërmjet ç’kategorizimit e seleksionimit të materialeve, falsifikimit të dokumenteve, që e ka përsëritur në dy – tre raste, si dhe duke u dhënë materiale mangët kujdestarëve të baterive.
Për mungesa në punë, është thirrur e kritikuar vazhdimisht. Në vitin 1980, është paralajmëruar për çmobilizim. Në analizën ekonomiko-financiare, të datës 5.8.1982, është kritikuar ashpër për dobësi dhe të meta. Ai nuk ka pranuar, përkundrazi, i ka quajtur si tendencioze nga Intendent i Prapavijës. Këtu, Komanda e Regjimentit, vendosi që këtë problem ta gjykojë në një mbledhje të veçantë. Sipas mendimit të tyre, në këtë mbledhje, do të vendosnin për çmobilizimin e tij.
Hilmi Riza Gavoçi, i datëlindjes 1951, nga qyteti i Shkodrës, ekonomist i lartë, ka mbaruar Shkollën “Skënderbej”, dhe kursin 6-mujor të Kualifikimit në Shkollën e Bashkuar “Enver Hoxha”. Titulluar oficer për Prapavijën, në vitin 1970. Në vitin 1974, është emëruar Intendent i R.A.K.A.
Si kuadër specialist, ishte i përgatitur, por në kryerjen e detyrës, ka pasur të meta e dobësi. Është kritikuar për mungesë takti e marrëdhënieje të këqija me vartësit, për ulje të figurës morale dhe trajtim të keq të prindërve. Ka një biografi të rënduar politikisht:
Dajua i tij, ka qenë në organizatën e “Ballit Kombëtar”, pas Hasan Isufit. Pas çlirimit, me të dy vëllezërit, është arratisur, u kap nga organet tona dhe u dënua me 101 vjet burg. Pas katër vjetëve, u lirua. Për të gjitha këto, është propozuar në vitin 1978, për lirim nga Ushtria, në vitin 1981, për ulje nga detyra, dhe në vitin 1982, për transferim nga regjimenti. Komanda dhe Komiteti i Partisë së Korpusit, nuk i ka miratuar.
Përsa sipër, mund të tërheqim këto konkluzione:
-Grindjet ndërmjet Hasan Hysenit dhe Hilmi Gavoçit, kanë qenë të hershme. Thuhet se këto janë ashpërsuar shumë në vitin 1976, kur Hilmi Gavoçi, humbi një bllok sekret, ai u gjet në rrugë nga një ushtar, i cili ia dorëzoi Hasan Hysenit dhe ky i fundit, e dorëzoi në Degën e Punëve të Brendshme. Për këtë, Hilmiu u dënua dy vjet me kusht. Ka edhe mundësi, që këto grindje ta kenë zanafillën në Kosmaç, sepse Hilmiu, kishte dajot, ndërsa Hasani, prindërit e gruas, me qëndrim politik të kundërt. Hasani vazhdimisht ngrinte problemin, se: si mund të qëndrojë në Ushtri oficeri Hilmi Gavoçi.
-Mosmarrëveshjet, grindjet, zëniet dhe në përgjithësi problemet e tyre, njiheshin nga komunistët, kuadrot dhe Komanda e Partia në Regjiment. Të dy janë ankuar vazhdimisht për njëri-tjetrin, në Komandë dhe në Byronë e Partisë. Janë diskutuar në analizat e Komandës dhe në organizatën e Byronë e Partisë, por nuk janë thelluar dhe nuk kanë qëndruar si duhet, nuk kanë nxjerrë shkaqet e burimet, për pasojë nuk kanë marrë as masat e nevojshme. Në këtë drejtim, ka pasur shfaqje të sentimentalizmit, indiferentizmit, liberalizmit, humbje të vigjilencës dhe zvarritje burokratike në Byronë e Partisë dhe në Komandën e Regjimentit.
-Dosjet e kuadrit, nuk mbahen si duhet. Në dosjen e Hasan Hysenit, nuk kishte asnjë vlerësim pune, që nga viti 1970.
-Hasan Hyseni, krimin në tentativë për vrasje dhe për arratisje, e ka kryer me paramendim e ndërgjegje të plotë. Për këtë ai morri të gjitha masat, u informua mirë se kur dhe ku do të kalonte oficeri, u armatos (ju gjetën një “Beretë”, një pistoletë “T.T.”, me 40 fishekë dhe një palë gërshërë), organizoi pritën, largimin, prerjen e klonit, kalimin e tij, plagosjen e nënoficerit të Kufirit dhe përpjekjet, etj., për kalim kufiri. Në xhep ju gjet gjithashtu edhe një listë me adresat e disa njerëzve që ka jashtë shtetit, që para çlirimit.
Më datën 11.8.1982, në orën 7.30, u muarr takim me kuadrot kryesor të njësive në Korpus, ku lidhur me ngjarjen, u dhanë porosi për forcimin e gjithanshëm të punës me njerëzit, mprehjen e vigjilencës dhe forcimin e gatishmërisë.
Një ekip i Komitetit të Partisë të Korpusit, u ngarkua të kontrollojë me hollësi punën e Partisë dhe të Komandës në Regjiment, të nxjerrë shkaqet dhe përgjegjësinë e plotë për ngjarjen dhe mbi këtë bazë, të tërhiqen konkluzionet e të nxirren detyrat nga Komiteti i Partisë së Korpusit./Memorie.al
Grupi i instruktorëve të Ushtrisë
14.8.1982
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016