Dashnor Kaloçi
Pjesa e tretë
Memorie.al publikon letrën e vitit 1949 ku Kryetari i Gjykatës së Lartë Ushtarake Bilbil Klosi, informon sekretariatin e Komitetit Qendror të PPSH-së për të gjitha dënimet që kishte dhënë deri në atë kohë, përfshirë dhe ekzekutimin e 14 mirditorëve në shenjë hakmarrje për vrasjen e Bardhok Bibës, ku midis të tjerash thotë: “Asnjë vendim me vdekje nuk është aprovuar pa vendimin e Partisë, asnjë vendim me vdekje nuk është zbritur pa pëlqimin e Partisë. Për çdo rast kam biseduar me Enverin, Tukun, Hysniun, Mehmetin etj dhe kam marrë aprovimin e tyre”.
LETRA E BILBIL KLOSIT PËR KOMITETIN QENDROR DHE ENVERIN
Në këtë relacion kam shprehur më konkretisht, por shkurtimisht mendimet e mija; ndër të tjera kam thënë në relacionin prej 13 faqesh, në faqen 10, “Konsultimi për neve është i domosdoshëm kur një vendim dënimi me vdekje mund të ligjërohet vetëm pot ë dojë situate dhe duke interpretuar shumë gjerësisht ligjën.
Partia do të na thotë në qoftë se e do situate dhe ne veprojmë si na thotë ajo; p.sh. në proceset kundra një Grupi në Shijak kemi dënuar një person me vdekje pse e donte situata; pa konsultim me Partinë, Gjykata e Naltë nuk do ta kishte dënuar; por duke e dënuar, ne nuk kemi shkelur ligjën pse ligja e lejonte që për ato faje të jepej dënimi kapital.
Sidoqoftë në këto raste, i lutemi Partisë, për sa të jetë e mundur ta respektojë bindjen t’onë të brendshme si gjyqtar për raste konkrete.
Fraza e fundit “Sidoqoftë në këto raste, i lutemi Partisë për sa të jetë e mundur që ta respektojë bindjen t’onë të brendshme si gjyqtar për raste konkrete”, është keqkuptuar. Unë nuk kam dashur ta them se edhe mua si gjyqtar më vjen mirë që Partia të më dëgjoj kur unë i them se x person nuk ka faj dhe nuk paraqet rrezikshmëri sa për ta dënuar me vdekje; ose e kundërta duhet dënuar me vdekje se është i rrezikshëm.
Këtë e kam thënë në praktikë, thëniet e mija të bazuara në të vërteta që dilte nga gjyqi, nuk janë marrë parasysh nga shoku Hysni në disa raste. P.sh. ka dashur të dënohej me vdekje një ushtar dezertor në Gjirokastër sa kujtonte, që kish faje të rënda; unë i thosha nuk i ka këto faje; në sy t’im mori në telefon Komisarin e Divizionit dhe kur i tha ai që të mos dënohet, atëherë pranoj mendimin tim.
Për deri sa unë them në fillim të frazës konsultimi me Partinë është i domosdoshëm, si mund të kuptohet fraza e fundit “I lutem Partisë”, në mënyrë që është kuptuar? Sikur unë i lutem Partisë të respektojë independencën e Gjykatës, se Gjykatat janë të pavarura nga Partia?
2) Po në relacionin e datës 15 korrik 1949, kam thënë “E gjejmë të zorshme të kuptohemi me Partinë në këto raste; për rrezikshmërinë që paraqet një person, për nevojën e situatës, për të dhënë shembull në të tjerë, duhet dhënë dënimi me vdekje kundër një fajtori”. Mirëpo ligja nuk e lejon dënimin kapital për fajin që akuzohet i pandehuri; p.sh. për fajin strehim t’arratisurish, një person sado i rrezikshëm që të jetë, sado që ta dojë situate, nuk mund të dënohet ligjërisht më tepër se 20 vjet privim lirie pune të detyruar. Në këto raste Gjykata e Naltë nuk është dakord dhe nuk ka qenë dakord që të jepen dënime kapitale pse do të shkelesh ligja.
Nga ana e jonë kemi bërë me sa kemi ditur dhe mundur të gjitha përpjekjet për të interpretuar sa më gjerë dispozitat e ligjeve, pa i shkelur këto, me qëllim që t’u përgjigjemi nevojave të situatës.
Por Partia, kuptoj shokun Hysni në këto raste, se efektivisht për rastet për të cilat bëj fjalë, në relacion kam pasur fërkime me shokun Hysni. Me këtë rast shpreh pikëpamjen time se nuk mund të kalohen caqet që cakton ligja në dhënien e dënimit; kam marrë strehuesa si shembull, mund të merrja mos denoncimin e fajeve kundra Popullit dhe Shtetit, i cili dënohet vetëm me 2 vjet pune korrektonjse në maksimum, ose ndonjë kategori tjetër faji, por nuk ka qenë kurrë mendimi im, kur të gjeja zgjidhje ligjore, që të mos dënohen strehuesat edhe me vdekje, kur faji i tyre nuk është aq i rrezikshëm.
Në fakt duhet konsideruar bashkëpunëtor (d.m.th. duke gjetur zgjidhjen ligjore), unë gjykova 26 strehuesa në Rrëshen dhe nga këta dënova 14 me vdekje.
- Gjyqet me dyer të mbyllura: Rregullimi si mbas nenit 78 të statutit, është që gjyqet të bëhen publikisht. Ky rregull ishte shkelur kryekëput para kthesës së Partisë, duke lënë vend të mendohesh se të gjitha vendimet kanë qenë arbitrare dhe të pa drejta, gjë që s’është aspak e vërtetë. Për të zhdukur këtë opinion dhe për të respektuar statutin, kam dhënë udhëzime që gjyqet në parim të bëhen me dyer të hapura. Gjyqet me dyer të mbyllura të bëhen vetëm kur ka dekonspirime ose rrezikohen interesi e Sigurimit të Shtetit. Kështu kam urdhëruar dhe kështu është vepruar me përjashtim të një rasti në Shkodër, të cilën nuk e peshoj mirë Gjykata dhe as që më njoftoi (rasti i Pjerin Kçirës). Unë nuk shoh këtu raste lëshimi nga ana ime.
Sa herë që më ka njoftuar Sigurimi kam urdhëruar të bëhet me dyer të mbyllura. Duke pasur parasysh interesat e Sigurimit të Shtetit sugjerova nxjerrjen e dekret ligjeve që na lejojnë të vëmë oficerë për avokatë edhe kur gjykojmë civilë, gjë që nuk mund të bëhej më parë.
4) Oportunizmi në Punën e Gjykatës Naltë qysh nga kthesa e Partisë: Ky oportunizëm është dukur, si mbas komisionit të analizës, në dënimet që ka ulur kjo Gjykatë në shkallë të dytë. Vlen të theksohet këtu se është roli i Gjykatës Naltë që të uli dënime kur i duken se nuk korrespondojnë rëndësisë së fajit dhe rrezikshmërisë së fajtorit ose kur nuk mbështeten në ligje. Gjykata e Naltë nuk e ka në dorë të ngrejë dënimet e lehta që mund të kenë dhënë gjykata e garnizonit.
Po të marrësh edhe vendimet e Gjykatës Naltë para plenumit të tetë, edhe atje do të gjesh raste ulje dënimesh, sa do që për atëherë nuk është fol për oportunizëm. Në qoftë se Gjykata e Naltë kufizohej në aprovimin e vendimeve të Gjykatave të shkallës I-rë atëherë do të humbiste edhe qëllimi i ekzistencës së saj. Sidoqoftë unë jam përgjegjës për vendimet e dhëna në Prill, Maj, Qershor, (sepse në Korrik filloi analiza), për punën e mëparshme unë nuk kam qenë në Gjykatën Ushtarake. Komisioni duhesh të më pyeste përse i kam bërë unë ato raste ulje të dënimeve që janë konstatuar nga Komisioni për të parë në se i bëja për shpirt-butësi dhe mëshirë karshi armikut apo për arsye krejt ligjore.
Në fakt unë duke u ndodhur përballë proceseve të marra para kthesës së Partisë, nuk mundja ligjërisht të aprovoja këto vendime që paraqiteshin me plotë gabime ligjore. Duke ulur relativisht dënimet e disa personave në disa raste kam arritur që t’i jap zgjidhje të drejtë dhe ligjore çështjes, pa mos diskutuar aspak interes të Sigurimit të Shtetit. Në realitet nuk është liruar asnjë person nga Gjykata e Naltë që të ketë paraqitur rrezikshmëri. Në vendimet mbas Korrikut (mbas analizës) proporcioni i vendimeve të ligjëruara është shumë i lartë për shkak se proçeset e vjetra ishin likuiduar dhe vendimet paraqiteshin më të rregullta. Nuk përjashtoj që në uljen e dënimeve të ketë pasur gabime nga ana jonë, nuk përjashtoj që këto ulje me gjithë se të justifikuara me çdo vendim dhe raste konkrete të jenë keqkuptuar nga gjykatat poshtë dhe të jenë marrë si orientim.
Por pas sinjalit që dha Partia duke na thirrur në analizë i kemi hapur sytë mirë në këtë drejtim dhe orientimin e gjykatave qysh nga Korriku është në rrugën e drejtë pse dhe proçeset e vjetra janë likuiduar. Në fakt gjykatat ushtarake qysh se kam ardhur unë kanë dhënë 52 vendime me vdekje, nga të cilët në konsultim me Partinë janë zbritur 11 nga Gjykata e Lartë. Vetë Gjykata e Naltë Ushtarake ka dënuar 18 veta. Kjo është një provë se unë nuk e kam harruar luftën që i bëjmë armikut të klasës. Për gabimet që nuk eksplodoj të jenë bërë në uljen e dënimeve të shkallës së dytë në disa raste, të goditem nga Partia kaq rëndë pa u thirrur gjatë punës dhe pa u ndihmuar që t’i korrigjoj?
Partia sot, para se të mbërrijë në masa, të këshillon të ndreqësh gabimet dhe kur nuk i ndreq të godet rëndë dhe drejtë. Kjo nuk është bërë në rastin tim, me gjithë se kjo ishte qëllimi i analizës, si mbas fjalëve që na tha shoku Bedri kur na mblodhi për të bërë relacionin mbi të cilën do të mbështetesh analiza. Vendimi i Partisë është urdhër suprem për mua, atje ku do të shkojë dhe do të punojë me të gjitha fuqitë e mia. Largohem vetëm me ndërgjegjen të vrarë se dënohem nga Partia si një anëtar që nuk ka kryer detyrën.
Me respekt
Bilbil Klosi
V.F.L.P
Tiranë më 21/X/1949
P.S
Me këtë relacion po sqaroj Sekretariatin për gabimet që më vuri në dukje Shoku Tuku. Mundet që në relacionet e mia të Korrikut ose në punën time të jenë konstatuar edhe gabimet të tjera që unë nuk i di, rezervohem ti sqaroj këto kur të më thërres Byroja, si mbas fjalës që më tha shoku Tuku./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016