Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon letrën e Tefta Camit e nëntorit 1974, dërguar Enver Hoxhës dhe Hysni Kapos, ku ajo denonconte Haxhi Lleshin duke thënë se ai fshihej pas disa veteranëve dibranë që “kërkonin të ulnin figurën” e babait të saj, dëshmorit Ahmet Cami. “Shoku Enver, jam e bindur tashmë se shoku Haxhi Lleshi, pas krahëve, kërkon të krijoj opinione kundër meje. Unë do të jem përjetë ushtare e partisë”
Diku nga viti 1973-’74, me rastin e festave jubilare të 30 vjetorit të formimit të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare dhe “çlirimit të vëndit nga pushtuesit nazi-fashistë”, festa të cilat do të përkujtoheshin me mjaft pompozitet dhe paradë ushtarake madhështore, me porosi nga Komiteti Qëndror i PPSH-së, në disa rrethe të Shqipërisë u bënë propozime që disa dëshmorëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare t’iu akordohej titulli i lartë “Hero i Popullit”. Gjë e cila ndodhte zakonisht në përvjetorët jubilarë të çlirimit të Shqipërisë e ndonjë festë tjerër, kryesisht ajo e 10 Korrikut, ditës së krijimit të “Ushtrisë Popullore”. Në këtë kuadër, atë periudhë kohe, pra në vitet 1973-’74 gjë e cila konçidonte edhe edhe me rastin e përurimit të Varrezave të Dëshmorëve në Tiranë, u dha porosi që nga rrethe të ndryshme të vëndit, do përzgjidheshin edhe disa dëshmorë, eshtrat e të cilëve do silleshin në varrezat e reja në Tiranë, ku sapo kishte përfunduar edhe monumenti “Nënë Shqipëri”. Nisur nga këto, në atë kohë u vunë në lëvizje Komitetet e Partisë së rretheve në bashkëpunim me organizatat e veteranëve për të bërë përzgjedhjen e atyre dëshmorëve që do shpalleshin “Heronj të Popullit” dhe atyre që do u transferoheshin eshtrat për në Varrezat e Dëshmorëve në Tiranë. Gjë e cila nuk ishte fort e lehtë dhe filloi të krijonte problemet e çarjet e para ndërmjet klaneve të ndryshme jo vetëm në organizatat e veteranëve të Luftës, por edhe në drejtuesit e Komiteteve të Partisë së rretheve që merrnin edhe vendimit përfundimtare për përzgjedhjen e dëshmorëve. Një gjë e tillë rezulton të ketë ndodhur në rrethin e Peshkopisë në vitet 1973-‘74, ku “molla e sherrit” u bë dëshmori Ahmet Cami, babai i Tefta Camit, një vajzë e re dibrane mjaft e emancipuar, e cila falë vullnetit, kërkesave ndaj vetes dhe punës së saj të palodhur, kishte ngjitur shkallët e karrierës: nga mësuese, redaktore në gazetën lokale “Oshëtima e maleve” kryetare e organizatës së Gruas, sekretare e Komitetit të Partisë së Rrethit për Propagandën dhe njëkohësisht kandidate e Komitetit të Qëndror të PPSH-së. Natyrshëm që në të gjitha këto poste dhe funksione jo pak të larta, atë e kishte ndihmuar mjaft edhe të qenit një “vajzë dëshmori”, gjë e cila siç dihet tashmë në atë kohë ishte një favor jashtëzakonisht i madh për të gjithë ata që synonin të bënin karrierë partiake apo shtetërore. Pikërisht në këtë kohë që “shoqja Tefta Cami” ishte në funksionin e sekretares për Propagandën, në gazetën “Oshëtima e Maleve” të cilën ajo e kishte nën vartësi direkte, u botua një shkrim për babain e saj, dëshmorin Ahmet Cami, ish-komandant i çetës së Gollobordës që thuhej se kishte mbetur i plagosur në rrethana të paqarta diku nga tetori i vitit 1943 dhe kishte humbur jetën në spitalin e Tiranës ku e kishin sjellë për mjekim, më 23 tetor 1943. Ahmet Cami, pinjoll i një familje me emër të madh nga fshati Viçisht i Gollobordës, në periudhën e Monarkisë së Zogut kishte shërbyer si ushtarak në disa rrethe të vëndit dhe në periudhën e pushtimit nazi-fashist të vëndit, kishte krijuar dhe komandonte çetën partizane të Gollobordës, ku thuhet se nuk kishte asnjë komunist, duke filluar nga vetë Ahmeti që ishte me bindje nacionaliste. Krahas kësaj çete, po në atë kohë në rrethin e Dibrës ishte gjithashtu edhe çeta partizane, apo siç u njoh më pas; “Batalioni partizan i Dibrës” i komanduar nga Haxhi Lleshi, një nga figurat me popullaritet të madh asokohe jo vetëm në trevën e Dibrës, por edhe në të gjithë veriun e Shqipërisë. Ndryshimi në mes çetës apo batalionit partizan të komanduar nga Haxhi Lleshi dhe çetës së Gollobordës që komandohej nga Ahmet Cami, ishte se kjo e dyta kishte shumë më pak efektiv në numër dhe siç thamë më lart, asnjë komunist. Ndërsa në përbërje të batalionit partizan të Haxhi Lleshit, kishte mjaft komunistë dhe emra të njohur që nga ajo kohë dhe më pas si: Sul Baholli, Rrahman Hanku, Rexhep Doda, Ahmet Jegeni, Ymer Lleshi, Xhavit Hatipi, Hilmi Çausholli, etj, disa prej të cilëve pas mbarimit të luftës dhe më tej ishin në poste ministrash apo anëtarë të Komitetit Qëndror të PPSH-së. Disa nga këta emra të sipërcituar, kryesisht veteran të Luftës Antifashiste, nuk e pritën mirë artikullin e gazetës “Oshëtima e maleve” për dëshmorin Ahmet Cami, madje reaguan ashpër menjëherë duke i dërguar një letër Sekretarit të Parë të Komitetit të Partisë së Rrethit Peshkopi, Hekuran Isait, i cili sapo kishte shkuar në atë detyrë duke zëvëndësuar Sul Bahollin, që kishte ardhur me ngritje në Tiranë si Ministër pa portofol. Në letrën e tyre ata veteranë me origjinë nga Dibra i bënin me dije “shokut Hekuran Isai” se shkrimi për dëshmorin Ahmet Cami kishte shumë pasaktësi. Thënë më qartë, ata e shikonin atë shkrim në kuadrin e një propaganda që po i bëhej figurës së dëshmorit Ahmet Cami nga vetë e bija, Tefta, me anë të njerëzve që ajo kishte në vartësi, për “të përgatitur terrenin” që ai të shpallej “Hero i Popullit”. Gjë e cila nuk pranohej kurresesi prej tyre, pasi në një farë mënyre jo vetëm ulte figurën dhe “meritat e luftës të shokut Haxhi Lleshi”, por sipas tyre; “çfarë heroizmi kishte bërë Ahmet Cami, që të shpallej ‘Hero i Popullit”?! Pra një luftë klanesh “për merita lufte” që asokohe përktheheshin në një “luftë për pushtet dhe karrierë”. Në këtë kontekst, letra veteranëve dibranë që asokohe jetonin e punonin të gjithë në Tiranë dhe që gjatë Luftës kishin qenë bashkëluftëtarë të ngushtë të Haxhi Lleshit, duket se ka acaruar shumë Tefta Camin, saqë ajo i është drejtuar me një letër ankese, direkt Enver Hoxhës, duke akuzuar hapur vetë Haxhi Lleshin që fshihej pas asaj letre. Sipas dëshmive të disa personazheve të njohur me origjinë nga Dibra, mendohet se Tefta Cami nuk do guxonte ta bënte dot atë letër ku ankohej për Haxhi Lleshin, pa pasur një mbështetje apo përkrahje nga një prej udhëheqësve kryesorë të Partisë që vinin direkt pas Enver Hoxhës, siç ishte Hysni Kapo, të cilit gjithashtu ajo i kishte dërguar një kopje të letrës që po i dërgonte Enver Hoxhës. Po ashtu ky version bëhet më i besueshëm, po të shikojmë edhe letrën në fjalë, ku Tefta Cami i ka shkruar edhe Manush Myftiut, sekretarit të Parë të Komitetit të Partisë së Tiranës, duke i kërkuar që të analizohej puna e autorëve të letrës, nëpër organizatat e partisë ku ata militonin në qytetin e Tiranës. Pra thënë më qartë, Tefta Cami duket që “e kishte kopsitur” mirë punën para se ta dërgonte atë letër në adresë të Enver Hoxhës, pasi “shoku Haxhi Lleshi” në atë kohë kishte besimin e plotë të Enverit dhe të ngrije krye kundër tij, dukej një herezi dhe guxim mëse i tepruar. Gjithsesi ky është një deduksion llogjik dhe mbetet për t’u parë, por ajo që është fakt, është se Enveri nuk ka vënë asnjë shënim mbi letrën e Tefta Camit, veçse ka shkruar “për shokun Hysni”, duke ia deleguar atij problemin në fjalë. Gjithashtu nuk dihet me saktësi se si dhe çfarë ka bërë Hysni Kapo për zgjidhjen e atij problemi që ia kishte deleguar Enver Hoxha, por po të shikojmë se si janë zhvilluar ngjarjet më pas, duke se është gjetur një “rrugë e mesme”, e cila do të qetësonte edhe veteranët e nderuar dibranë dhe gjithashtu shokun Haxhi Lleshi, por deri diku edhe vetë “shoqen Tefta Cami”. Kështu, ndërsa dëshmori Ahmet Cami nuk u miratua për “Hero i Popullit”, (propozim i cili thuhet se ishte bërë disa herë nga edhe në fundin e viteve ’60-të), shoqja Tefta Cami, nga sekretare për propagandën në Komitetin e Partisë të Peshkopisë, u soll në Tiranë, fillimisht si sekretare në një prej rajoneve të qytetit ku qëndroi shumë pak, për t’u emëruar më pas në postin e ministres së Arsim-Kulturës dhe gjithashtu si anëtare e Komitetit Qëndror të PPSH-së?! Detyrë që e ushtroi për vite me rradhë, krahas asaj të deputetes së Kuvendit Popullor, ku një mandate para saj, kishte qenë edhe i vëllai, Moisi Cami. Ngritja në karrierë e Tefta Camit, thuhet se nuk mund të bëhej pa miratimin e Hysni Kapos, sekretarit të Komitetit Qëndror që mbulonte edhe sektorin e kuadrit dhe që në atë kohë i dha shumë përparësi “gjakut të ri” në Parti dhe disa “shoqeve me perspektive”. Si rezultat i kësaj politike kuadri, asokohe në Byronë Politikë, në qeveri, e Kuvendin Popullor, iu hap rruga edhe disa “shoqeve me nga rrethet” si Lenka Çukos, Themie Thomait e Vitori Çurrit, të cilat i ushtruan funksionet e tyre për vite me rradhë. Kështu, ndërsa karriera e “shoqes Tefta Cami” vazhdoi në ngjitje, ajo e “kundërshtarit” të saj, Haxhi Lleshit, filloi të binte dhe ai të bëhej gjithnjë dhe më i panevojshëm për Enver Hoxhën?! Përplasja e “shokut Haxhi” me Enverin, ndodhi pikërisht kur ai (Haxhiu) po kalonte disa probleme të rënda familjare (të cilat janë bërë të njohura publikisht pas viteve ’90-të edhe me dokumente arkivore), gjë e cila e detyroi atë aty nga viti 1977, që të divorcohej nga bashkëshortja, (Haxhire Jegeni), gjithashtu me origjinë dibrane dhe bijë e një prej familjeve më në zë të asaj treve, fisi Jegeni. Kjo gjë, pra divorci i “shokut Haxhi” me bashkëshorten nuk mund të kalonte aq lehtë, pasi ai ishte një ndër tre figurat kryesore të regjimit komunist, dhe ai shkoi vetë tek Enveri për të dhënë shpjegime lidhur me atë veprim që kishte ndërmarrë. Nga disa burime tepër të besueshme, thuhet se Haxhiu shkoi në një orë të vonë të natës tek Vila 31 e Enverit, gjë e cila nuk hapej kurrë për asnjë njeri, kushdoqoftë ai, por Enveri duke kujtuar se do të ishte ndonjë problem Partie me mjaft rëndësi, urdhëroi që “shoku Haxhi” të hynte brenda. Pas fjalëve të rastit, Haxhiu i tha Enverit se; kishte shkuar tek ai në atë orë të vonë për t’i treguar për një problem me mjaft rëndësi që ai kishte ndërrmarrë, atë të divorcit me bashkëshorten. Ajo gjë e habiti fillimisht së tepërmi Enverin, i cili i tha se nuk kishte vepruar mirë, sidomos në atë moshë që kishte ai (Haxhiu), dhe i kërkoi arsyen se përse e kishte ndërrmarë atë veprim?! Haxhiu i tregoi Enverit se; pa pëlqimin e tij, bashkëshortja, Haxhireja, kishte shkuar dhe takuar në Tiranë kushërinjtë e vet të parë (djemtë e xhaxhait, me mbiemër Jegeni), të cilët kishin ardhur nga Dibra e Madhe si vizitorë në Shqipëri. Duke shtuar se ai ja kishte bërë të qartë asaj, se: “Të gjithë ata që vinë pi Jugosllvije dhe pi Dibre t’ë Madhe në Shqipëri, janë të gjithë agjentë tistista dhe revizionista”. Kur Haxhiu ia tha këto fjalë, Enveri e pyeti: “Mirë more shoku Haxhi, po gruaja ça të tha kur ti i the kështu”? Haxhiu iu përgjigj: “Ajo më tha se; po ata që i erdhën shoqes Nexhmije para një muaji nga Dibra e Madhe dhe Jugosllavija, ça ishin, agjentë”?! Ndërkaq pas këtyre fjalëve, Enveri shtangu për disa minuta dhe pasi ndezi cigaren tjetër, ia ktheu Haxhiut, duke i thënë: “Shoku Haxhi, të gjithë ne të tjerët gjatë punës por dhe luftës tonë kemi bërë edhe gabime, por ti shoku Haxhi si në Luftë dhe tani gjatë viteve të pushtetit tonë popullor, të cilin e fituam me shumë gjak dhe sakrifica dhe ku ti ke pasur një rol kryesor, nuk ke bërë kurrë gabime. Jo vetëm kaq por ke mbetur gjithnjë një ushtar dhe kuadër besnik i Partisë dhe i popullit dhe kurrë nuk e ke shpërdoruar besmin që të ka dhënë Partija”. Pas kësaj bisede në atë orë të vonë të natës, “shoku Haxhi” doli nga vila e “komandantit” mjaft i qetësuar dhe në ditët që pasuan, jo vetëm që e divorcoi edhe zyrtarisht bashkëshorten, por edhe e internoi atë një një fshat të Elbasanit, ku atë e shoqëroi njëri nga djemtë. Ndoshta nga naiviteti apo edhe “besnikërinë ndaj Partisë” që tregoi Haxhi Lleshi në atë bisedë me Enver Hoxhën, nuk e kishte menduar kurrë se kishte “nënshkruar” edhe fundin e karrierës së tij politike dhe gjithashtu ndarjen përfundimtare nga Enveri. Dhe kjo gjë ndodhi pak vjet më vonë, kur Enveri e shkarkoi “shokun Haxhi” nga detyra e Kryetarit të Presidiumit të Kuvendit Popullor, të cilën ai e kishte mbajtur që nga fillimi i viteve ’50-të, duke zëvëndësuar Omer Nishanin. Madje Enveri nuk u mjaftua vetëm me shkarkimin e Haxhiut nga funksioni i Kryetarit të Presidiumit, por ai u mundua ta diskretitonte atë si figurë, gjëra të cilat tashmë janë të njohura edhe nga dokumente arkivore të publikura në shtyp vitet e fundit, ku në ditarin e tij në mes të tjerash, Enveri ka shkruar: “Mbrëmë thirra Haxhinë, të cilit tani në pleqëri i ka shkuar mëndja dhe…..”. Të gjitha këto tashmë janë të njohura, ndërsa dokumenti në fjalë me letrën e Tefta Camit e cila publikohet i plotë dhe ekskluzivisht për Memorie.al.
LETRA E TEFTA CAMIT PER ENVER HOXHEN DHE HYSNI KAPON
I DASHUR SHOKU ENVER
Dua t’Ju informoj për një çështje, që mendoj se ka rëndësi.
Sekretarit të parë të Komitetit të Partisë së rrethit, shokut Hekuran Isaj, (për dijeni) dhe kryeredaktorit të gazetës “Oshëtima e maleve”, shokut Velo Cfarku, i ka ardhur një letër nga shokët Qazim Prishtina, Rexhep Doda, Ahmet Jegeni, Ymer Lleshi, Xhavit Hatipi dhe Hilmi Çausholli. Këta janë disa veteranë që punojnë dhe jetojnë në Tiranë.
Letra citohet se është personale dhe sekrete. Në të shkruhet për një skicë letrare që ka shkruar gazeta lokale për babanë tim, në 23 tetor me rastin e përvjetorit të rënies. Të tilla shkrime janë bërë edhe për dëshmorë të tjerë që kanë luftuar në rrethin e Dibrës.
Në letër, veteranët bëjnë këto vërejtje;
1. Në skicën letrare mohoet roli i Partisë dhe i shokut Enver.
2. Nuk evidentohet roli i shtabit të batalionit, i çetave të tjera dhe partizanëve të tjerë që janë vrarë atë ditë.
3. Skica ka paskatësira dhe nuk përputhet me realitetin.
4. Vargjet që citohen sipër shkrimit, nuk i takojnë dëshmorit, Ahmet Cami.
(Në fakt vargjet janë zgjedhur si okelio, për rubrikën e dëshmorëve)
5. Bëjnë biografinë e babait tim, duke e motivuar se bëhet për interesine Partisë.(Faktet historike mendoj se duhen diskutuar, pasi nuk jam aspak dakord me ta).
Për qëllimet dhe metodat që kanë përdorur këta shokë, i jam drejtuar Sekretarit të Parë të Komitetit të Partisë së Tiranës, shokut Manush Myftiu, me qëllim që ata t’i shpjegojnë nëpër organizatat e tyre të Partisë, brenda normave të Partisë. Të njëjtën kopje të letrës, për njoftim ia kam dërguar edhe Sekretarit të Komitetit Qëndror, shokut Hysni Kapo.
Vendosa t’Ju shkruaj Ju, sepse më këtë çështje implikohej edhe shoku Haxhi Lleshi.
Po gjatë këtyre ditëve, shoku Haxhi Lleshi i bën të njëjtat vërejtje për shkrimin në shtëpinë e tij Sekretarit të Komitetit Ekzekutiv të rrethit, shokut Haxhi Rama.
Jam e shqetësuar, shoku Enver, qoftë për veprimin e veteranëve, letërshkruesëve, të cilët e dërgonin letrën personale dhe sekrete, për të mos marrë dijeni unë, qoftë dhe për trajtimit të këtij problemi nga shoku Haxhi Lleshi që nuk komunikoi drejt për drejt me Komitetin e Partisë dhe me mua, kur u takova me të në mbledhjen e Kuvendit Popullor.
Nuk do t’Ju shqetësoja shoku Enver, por jam e bindur tashmë se shoku Haxhi Lleshi kërkon të krijoj opinione kundër meje, pas krahëve, ashtu siç veproi para një viti.
Më falni për shqetësimin. Të na rroni sa malet shoku Enver.
Do jem përjetë ushtare e Partisë
27.XI.1974 Me respekt e dashuri
Tefta Cami
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016